Llogaritë për kombëtaren, “skenarët” e kuqezinjve

hysajSfidat me Zvicrën e Francën janë arkivuar tashmë dhe për kombëtaren ka ardhur koha që të bëjë disa llogari për ndeshjen e fundit. Është prestigjiozja amerikane “New York Times” ajo që publikon kombinimet e mundshme për një kualifikim të mëtejshëm për skuadrën tonë përfaqësuese.

“Pavarësisht përpjekjeve, Shqipëria i humbi 2 ndeshjet e para dhe ka pak shanse për t’u kualifikuar”, theksohet te “New York Times”. “Megjithatë ato ekzistojnë ende. Shqipëria mund të kalojë në 1/8 e finaleve si një prej 4 skuadrave të vendit të tretë në grupe”.

Nëse Shqipëria do të mundë Rumaninë do të marrë 3 pikët dhe do të renditet e treta në Grupin A, pavarësisht rezultatit në sfidën mes Francës e Zvicrës. Por, problemi qëndron se do të ketë edhe skuadra të tjera me 3 pikë, gjë që do të thotë se Kombëtares shqiptare do t’i duhet të fitojë në këtë përballje me rumunët me një diferencë golash sa më të madhe.

Në rast se Kombëtarja shqiptare do të humbasë apo barazojë me Rumaninë atëherë ajo është përfundimisht jashtë Europianit të Francës.

/ Top Channel

Stavreski iku, por la borxh prej 4,3 miliardë euro

stavreskiIsh-ministri i financave dhe kryeministër Zoran Stavreski në nëntë vitet e fundit vazhdimisht ishte pjesë e ekipit të VMRO-DPMNE-së, i angazhuar për çështje ekonomike. Për këtë periudhë, edhe përskaj asaj se në opinion do të mbahet në mend për bisedat telefonike me ministren e mëparshme të punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, dhe deklaratat që kishin të bëjnë me politikat ekonomike që i kishte partia e tij: “Ne jemi budallenj”, “Nuk kemi para as për bukë, e po harxhojmë për çokollatë”, do të jetë shënuar në historinë e shtetit, për të cilin aq shumë po brengoset partia në pushtet, si ministër në kohën e të cilit borxhi publik i Maqedonisë është rritur dyfish, gjegjësisht prej 23 % nga bruto-prodhimi vendor në vitin 2008, në tremujorin e parë të vitit 2016 arriti në 45% nga BPV apo 4,3 miliarda euro, shkruan OJQ “CIVIL“.

Disa herë brenda vitit CIVIL – Qendra për Liri bisedoi me shumë ekspertë nga kjo fushë, të cilët folën për hyrjen e vazhdueshme të qeverisë në borxh, për rritjen e borxhit dhe ngarkesën që po e bart shteti për kthyerje të tij.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, sqaroi se “ajo që po e kumton pushteti si borxh publik nuk është borxhi i plotë publik. Çdo ditë po gënjejnë në lidhje me shumën e borxhit të vërtetë publik, e për këtë e ndryshuan definicionin për t’u dukur më i vogël borxhi. Pra, Ndërmarrjen Publike për Rrugë nga agjenci e transformuan në ndërmarrje publike me qëllim që të duket më i vogël borxhi publik.”

CIVIL-i bisedoi me eksperten në ekonomi, e cila me vite e ndjek këtë sferë, Aneta Dodevska, autore dhe udhëheqëse e emisionit “Trend” në TV 24 Vesti.

“Që nga fillimi i vitit, vetëm për dy javë, gjegjësisht vetëm dy ditë ankandi, Qeveria akumuloi dhe krijoi borxh të ri prej 23 miliardë eurosh! E nuk do të ishte befasuese po qe se nuk e kemi deklaratën e ministrit të financave, i cili vetëm para dy muajsh, kur e morëm euroobligacionin prej 270 milionë euro – deklaroi se ato para për borxh praktikisht do të arrijnë për t’i mbuluar financimet buxhetore e shpenzime në gjysmëvjetorin e parë të këtij viti. Me këtë, praktikisht po hapet dilema pse Qeveria vetëm për dy javë, nga janari akumuloi 23 milionë euro? Vallë, a nuk duhej paratë e euroobligacionit të na dilnin për gjithë gjysmëvjetorin e parë ekonomik?”, pyeti Dodevska e cila alarmoi për rritjen e borxhit që nga fillimi i vitit.

“Kjo tregon se dinamika, tempoja e marrjes borxh është e madhe, kurse në anën tjetër, mbetet edhe ajo pyetja – për çfarë i shpenzuam ato kredite? Ne kishim shembuj kur ministra financash thoshin se po marrim euroobligacion që parimisht paraqiste borxhim të shtrenjtë për t’i financuar, për shembull, paralajmërimet për rroga të rritura, pensione të rritura, rrogat e administratës dhe ato shpenzime buxhetore aktuale, që sipas meje ekonomikisht nuk janë logjike dhe të aryetueshme. Së këndejmi, unë konsideroj se borxhimet paraqesin problem serioz”, tha Dodevska.

Në një intervistë për CIVIL Media, Goran Temenugov, redaktor i rubrikës ekonomike në TV Alsat-M, përmes një shembulli e sqaroi parimin në bazë të të cilit borxhohet qeveria.

“Që njerëzita ta kenë më të qartë se ç’problem është ky – dhe se nuk është imagjinar – do t’ua sqaroj me shembullin e një familjeje. Po qe se, për shembull, padroni, nikoqiri, babai, bashkëshorti… ia lejon vetes të marrë kredi dhe atë kredi ta shpenzojë në kafiteri, ta pijë, t’ua japë valltarëve, t’ua hedhë valltarëve në gjoks, për të do të jetë mirë. Dhe, në atë moment, do të bëjë qejf, por në shtëpi do të shkojë me borxh, për shembull, me mijëra euro. Ai borxh i ndahet edhe bashkëshortes së tij, po edhe fëmijëve të tij! Pra, bashkëshortja duhet të mendojë se si ta kthejë, së bashku me bashkëshorten, për qejfin që ai burrë e ka bërë nëpër kafiteri. Gjithashtu, ai borxh mund të shkojë tutje edhe te fëmijët, atyre fëmijëve t’ua rrezikojë të ardhmen. Ndryshe është rasti po qe se babai ato para do t’i kishte marrë për t’i shkolluar fëmijët dhe t’u sigurojë të ardhme më të mirë. Ai borxhim është produktiv.”

Qëndrimet dhe analizat e të gjithë ekspertëve ekonomikë me të cilët bisedoi CIVIL Media pohojnë se edhe pas dorëheqjes së Stavreskit, borxhi publik i Maqedonisë mbetet si ngarkesë që qytetaret e qytetarët me gjenerata të tëra do të duhet ta kthejnë.

Sanders: Do të bashkëpunoj me Clinton

bernie sandersBernie Sanders premtoi se do të punojë me kandidaten ende jozyrtare presidenciale Hillary Clinton, por nuk tha që lë garën apo që do ta mbështesë kandidaturën e saj. Senatori i Vermontit, gjatë një fjalimi për mbështetësit e tij, tha se ishte jetësore që ata të mos lejonin kandidatin republikan Donald Trump të fitojë Shtëpinë e Bardhë.

Ai gjithashtu premtoi se do të vazhdojë punë e tij për të shndërruar Partinë Demokratike. Sanders prej shumë javësh i reziston thirrjes për t’i dhënë fund fushatës së tij, sidomos pasi Clinton arriti numrin e duhur të delegatëve për kandidimin automatik.

Sanders fitoi zgjedhjet në 22 shtete amerikane dhe mori më shumë se 12 milionw vota, por Clinton mori 16 milionw vota dhe mbështetjen e delagatëve të lirë, duke u bërë “de facto” kandidatja e Partisë Demokratike për presidencën.

Presidenti amerikan Barack Obama dhe zëvendësi i tij Joe Biden kanë dhënë mbështetjen e tyre për Clinton, diçka që Sanders nuk e ka bërë me shpresën se mund ta ndryshojë situatën në konventën e Partisë Demokratike në korrik dhe t’i zërë vendin Clintonit.

Sipas analistëve, kjo e ka shqetësuar jo pak Partinë Demokratike, e cila nuk dëshiron të shkojë e ndarë në konventë dhe më pas në zgjedhjet presidenciale kundër Donald Trump.

/ Top Channel

“Vetëm shtazët nuk falen”, në Turqinë e Erdoganit

turqiaJemi në muajin e Ramazanit, muaji gjatë të cilit myslimanët agjerojnë në tërë botën. Mustafa Askar, profesor i teologjisë në Universitetin shtetëror të Ankarasë, intervistohet drejtpërdrejtë në kanalin e parë të televizionit shtetëror, TRT1.

Tema e emisionit, “Lumturia e Ramazanit”.

Ai flet për bisedat që i ka pasur me kolegët e tij gjatë një vizitë që i kanë bërë në kopshti zoologjik në Australi.

“Pse njerëzit krenohen me lutje dhe agjerim?”, pyet ai. “Kjo nuk është një vepër e mirë, është obligim”.

Më pas ai ngazëllehet: Duke i parë kafshët në kopshtin zoologjik, thotë ai, e kupton se njerëzit janë të vetëm qënie të gjalla që luten. Normalisht që asnjë nga kafshët nuk luten. Kjo do të thotë, dhe më lejoni që të jem i hapur, e të mos harrojmë që edhe libri i shenjtë (Kurani) e thotë këtë, gjithashtu: Askush nuk duhet të ndjehet i ofenduar, kjo do të thotë se vetëm kafshët nuk luten. Kjo gjithashtu nënkupton se ata që nuk luten janë kafshë.”

Diçka e tillë nuk do të ndodhte në Turqinë e para 14 vjete, para se Partia për Drejtësi dhe Zhvillim dhe lideri i saj, Recep Tayyip Erdogan të vijë në pushtet.

Kur njerëzit e kuptuan se çfarë është thënë, ajo video u bë hit në të gjitha anët.

Fillimisht duke u publikuar nga “mediat ende të pavarura” dhe më pas nga të gjithë nëpër rrjete sociale dhe blog.

Zëdhënësi i qeverisë dhe zëvendëskryeministri turk, Nurettin Canikli, është pyetur për komentet e bëra nga ky “profesor”. Ai nuk i ka dënuar ato dhe as që ka shprehur ndonjë qëndrim për komentin.

Ai thjeshtë tha se “më me dëshirë do e tejkalonte këtë çështje”.

“Mendoj që kjo po fryhet tejmase me qëllim. Nëse këtu do të kishte diçka të jashtëligjshme, prokurorët do të merren me këtë punë”, ka thënë ai.

Reagimet ishin më të fuqishme se sa është pritur. Pas reagimeve, “profesori” është paraqitur publikisht sërish duke thënë se ai “është keqkuptuar” dhe më pas ka kërkuar falje për keqkuptimin.

Një gjë tjetër që gjithashtu është për të ardhur keq është edhe trendi në rritje për t’iu bërë jetën sa më të vështirë atyre që nuk duan të ndjekin praktikat fetare ashtu siç i kupton dhe “fuqishëm i rekomandon” qeveria.

Gjatë ramazanit shumë restorante bëjnë oferta speciale për kohën kur njerëzit që agjerojnë mund të fillojnë të hanë bukë.

Në një resor në Detin Egje, unë bisedova me një pronar të një dyqani, duke ia shprehur mirëkuptimin tim që të gjithë aty duken të lirë të ushqehën hapur nëpër restorante.

Ai buzeqeshi dhe tha, “Po, kështu ndodh në bregdet, sepse këtu jetohet nga turizmi”, Më pas shtoi ai, “shko vetëm 50 kilomemtra më brenda vendit dhe shikoje sa ke mundësi të pish cigare, të hashë bukë apo të pish ujë në rrugë”.

Një banor i qytetit verior, Trabzon, në afërsi të Detit të Zi, e ka bërë një video “selfie” duke ecur rrugëve të qytetit: “Shikoni rrugët e Trabzonit; shikoni njerëzit që ecin rrugëve. A po pinë cigare dikush, a po hanë apo pinë ujë? Demokracia dhe gjëra të tilla janë në rregull. Por, nëse dikush e prish agjerimin gjatë ditës në Trabzon, ju betohem në Zot se do t’iu nxjerrin sytë”.

Megjithatë, e bukura e Turqisë në krahasim me shumë vende fqinje të saj në Lindje të Mesme, është se këtu ka ende hapësirë për të thënë “jo, edhe pse këto mundësi po mbyllen çdo herë e më shumë.

Në rastin e profesorit të teologjisë që ofendojë të tjerët që nuk luten dhe agjerojnë, një qytetar i Stambollit tashmë e ka paditur atë: “Nuk jam falur kurrë në jetën time. Një studim nga viti 2015 tregon se 27.5 % e turqve dhe 85 % e popullatës së botës nuk lutën fare. Kjo (çfarë ka thënë profesori i teologjisë) është ofendim ndaj miliarda njerëzve në tërë botën”. (rel)

Manipulimi me emrin “imam”

xhamiaHulumtimet më të reja thonë se institucionet shtetërore dhe fetare kanë qenë joefikase në pengimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste në vendet rurale në Kosovë, ku të rinjtë janë të izoluar më shumë janë të orientuar kah institucionet dhe drejtuesit fetar.

Në raste të caktuara, sipas hulumtimeve, të rinjtë kanë qenë të ndikuar nga ligjëratat e disa imamëve, të cilët tashmë janë në mesin e të arrestuarve për shkak të rekrutimit dhe bashkëpunimit me grupet ekstremiste.

Vesë Kelmendi nga Qendra Kosovare për studime të Sigurisë, ka thënë se rreth 65 për qind e banorëve të mjediseve rurale më shumë u besojnë institucioneve fetare, për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë që kanë me përfaqësuesit e këtyre institucioneve.

“Sipas tyre, kjo ka ndodhur për shkak se ata janë të neglizhuar nga institucionet shtetërore. Ndërsa, qëndrimet e tyre i kanë më të përafërta me prijësit e tyre fetarë”, ka thënë Kelmendi.

Sipas saj, banorët e mjediseve rurale ndjehen të izoluar dhe autoritetet shtetërore nuk i vizitojnë. Ky është edhe shkaku, siç ka thënë ajo që pakënaqësitë e tyre ata banorë t’ua paraqesin institucioneve fetare ose udhëheqësve të tyre fetar.

Në anën tjetër, Ahmet Sadriu, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se besueshmëria, kredibiliteti dhe afërsia e këtij institucioni me qytetarët nëpër të gjithë Kosovën, ka ekzistuar gjithmonë.

Megjithatë, sipas tij, janë shumë faktorë që kanë ndikuar në indoktrinimin apo devijimin dhe ndër ta është edhe indoktrinomi fetar. Por, sipas tij, kleri fetar mysliman ka arritur ta ruaj ndikimin, autoritetin dhe respektin tek qytetarët, pavarësisht se siç thotë ai, me emërtimin “imam” është manipuluar shpeshherë.

“Është manipuluar shumë, nëpër mediume të ndryshme, me emrin “imam” kur janë bërë arrestimet. Të gjithë janë futur në një ‘thes’ me këtë termin ‘imam’ edhe pse nuk kanë pasur të bëjnë me imam”.

“Por, megjithatë, në fund rezulton se tash e kemi një prej imamëve, që ka qenë i angazhuar, që është dënuar. Kemi pasur disa të arrestuar, me dyshime, normalisht. Rezultatet kanë dalë se ata kanë qenë të pafajshëm dhe janë liruar. Por, Bashkësia Islame e Kosovës i ka xhamitë nën kontroll. E kemi thënë dhe po e themi prapë këtë”.

Sadriu ka shtuar se bazuar në politikat e veta, Bashkësisë Islame të Kosovës ka kërkuar nga imamët e saj që në vazhdimësi ta këshillojnë xhamtin e tyre që të rrinë sa më larg indoktrinimeve që i cytin drejt ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit fetar.

Megjithatë, sipas Sadriut, shoqatat e ndryshme nga lindja dhe nga perëndimi, të cilat kanë ardhur në Kosovë pas luftës, nën petkun e humanizmit kanë ofruar krejtësisht tjetër gjë, duke ndikuar në indoktrinimin e personave të caktuar.

“Nën petkun e humanizmit kanë predikuar edhe diçka tjetër, kanë bërë indoktrinimin edhe nga lindja edhe nga perëndimi. Do të thotë e kanë shfrytëzuar ndikimin e tyre nën petkun e humanizmit. E kanë shfrytëzuar situatën e vështirë ekonomike dhe normalisht që kanë gjetur aso viktimash, tek të cilat kanë arritur që ideologjitë e tyre t’i bartin. Kjo edhe është rezultat i kësaj”.

Sadriu ka shtuar se në indoktrinim kanë ndikuar edhe portalet e ndryshme në të cilat të rinjtë kanë qasje. Por, sipas tij, ky trend është në rënie pas angazhimit të Bashkësisë Islame të Kosovës e cila ka sqaruar se kjo s’ka të bëj fare më “luftëne shenjtë” dhe me besimin islam.

Në anën tjetër, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës nuk kanë dashur ta komentojnë perceptimin e qytetarëve që ka dalë nga hulumtimet, rezultati i të cilave thotë se qytetarët më shumë kanë besim në institucione fetare dhe udhëheqësit e tyre se sa në institucionet shtetërore, si dhe perceptimin se institucionet shtetërore dhe fetare kanë qenë joefikase në pengimin e përhapjes së ideologjisë ekstremiste në vendet rurale në Kosovë.

Aktualisht, sipas përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës, ky institucion ka rreth 800 xhami në Kosovë, si dhe rreth 2 mijë të punësuar.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në vitin 2014 kishte arrestuar 40 persona nën dyshimin se kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak, duke ju ofruar mbështetje organizatave terroriste Shteti Islamik dhe Al-Nusra.

Në mesin e të arrestuarve ka qenë edhe imami Zeqirja Qazimi, të cilin Gjykata Themelore në Ferizaj, në muajin maj, e ka dënuar me 10 vjet burg.

Ai ishte akuzuar për keqpërdorje të detyrës zyrtare si imam i xhamisë “El -Kuddus” në Gjilan, për shkak se publikisht ka nxitjes së urrejtjen, dhe mostolerancën ndërmjet grupeve racore, etnike dhe fetare. (REL)

Vritet një deputete britanike

Jo CoxNë Britani, fushata për referendumin e javës së ardhshme mbi BE-në është pezulluar, pas lajmit se një deputete kryesore e parlamentit ka humbur jetën pasi u qëllua me armë zjarri.

Jo Cox, deputete 41-vjeçare e Partisë Laburiste të opozitës dhe nënë e dy fëmijëve fillimisht u plagos dhe u la në trotuar pranë qytetit Leeds të Anglisë veriore.

Policia në Uest Jorkshër tha se ka arrestuar një 52-vjeçar pas incidentit.

Grupi “The Stronger in Europe” tha se kishte “pezulluar të gjithë fushatën për ditën e enjte.”

Kryeministri britanik, David Cameron tha se ka anuluar një fjalim pro qëndrimit në BE që do të mbante në Gjibraltar. (voa)

SHBA, politika e frikës dhe myslimanët

pakistanezetFamilja Bashir është pjesë e grupit të emigrantëve pakistanezo-amerikanë. Dy djemtë e kësaj familjeje, Danish dhe Danyiel janë lindur dhe rritur në Shtetet e Bashkuara. Ata janë pjesë e mbi 3 milion myslimanëve që jetojnë në këtë vend. Sipas një raporti të fundit të Qendrës së Studimeve Pew, deri në vitin 2050, Islamizmi do të jetë besimi i dytë më i madh në Shtetet e Bashkuara.

Nëse thirrjet e zotit Donald Trump për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, do të viheshin në jetë, familje si ajo e Bashirëve, nuk do të lejoheshin të hynin në Amerikë dhe nuk do të mund të bëheshin shtetas amerikanë. Në një fjalim pas sulmit në Orlando, zoti Trump e përsëriti idenë e ndalimit të hyrjes së myslimanëve në vend.

“Në fund të fundit arsyeja e vetme që vrasësi ndodhej në Amerikë është se ne kemi lejuar ardhjen e familjes së tij këtu. Ky është një fakt për të cilin ne duhet të flasim”, tha zoti Trump.

Amna dhe Emron erdhën në Amerikë në vitin 1988 për të studiuar në Universitetin Syracuse në veri të Nju Jorkut. Ata u njohën kur ishin në vitin e dytë, u martuan, dhe vendosën të qëndronin në Shtetet e Bashkuara.

“Ne e përqafuam atë,” thotë Amna duke folur për integrimin në kulturën amerikane. “Ne u mësuam me jetën studentore. Erdhëm këtu dhe jeta na pëlqeu shumë. Emronit i përlqente të shihte programe në MTV.”

Familja Bashir u vendos në një lagje të klasës së mesme në Virxhinia, në periferi të Uashingtonit. Emroni dhe djali i tij i madh, Danish punojnë në industrinë kompjuterike. Djali i tyre më i vogël, Danyiel studion për mjekësi në Universitetin e Baltimorës.

“Springfieldi është mjaft i mirë”, thotë Amna për qytetin ku ata jetojnë. “Çdo gjë është këtu. Kemi familjen afër, dhe nuk ka rëndësi nëse fqinjët tanë janë myslimanë apo jo. Me të vërtetë për mua kjo nuk ka rëndësi.”

Ndonëse në SHBA ka qytete me popullsi të madhe myslimane, pjesa më e madhe e tyre janë integruar mirë dhe janë të shpërndarë në lagje të larmishme në të gjithë vendin.

Myslimanët në Evropë

Molenbeek, një lagje e përzier e Brukselit me banorë të kombësive të ndryshme, ndodhet gjysmë orë në këmbë nga qendra e qytetit, Grand Place. Në këtë lagje janë kthyer nga Siria disa luftëtarë xhihadistë, dhe aty janë rritur disa nga të dyshuarit për sulmet terroriste në Bruksel dhe në Paris.

Por Molenbeeku është më tepër se sa një lagje me disa banorë radikalë. Ajo është një pasqyrim i ndryshimit të shpejtë të Evropës së sotme shumë-kulturore, që sipas ekspertëve dhe aktivistëve, kërkon mënyra të reja integrimi.

Për disa, kjo do të thotë pranim i nocioneve të ndryshme të përkatësisë, për shembull të një lagjeje apo qyteti, si dhe të një vendi. Të tjerë besojnë se kjo nënkupton braktisjen e modeleve tradicionale të asimilimit dhe zbatimin e një qasjeje më të ngjashme me atë të stilit amerikan ndaj fesë dhe multikulturalizmit që pasqyron larminë, një realitet i ri i Europës së sotme.

“Nuk ka rëndësi nëse mban shami në kokë, më e rëndësishme është ajo që keni në kokë,” thotë sociologia Corinne Torrekens, specialiste e komuniteteve myslimane në Universitetin e Lirë të Brukselit. “Ne duhet të ndalim këtë debat të neutralitetit dhe laicitetit në Belgjikë dhe ta kuptojmë dhe ta pranojmë shoqërinë tonë shumëkulturore në të gjitha format e saj. Jo vetëm kur ne duam të pijmë çaj turk.”

I njëjti debat po zhvillohet në Francën fqinje, gjë që pasqyron ngjashmëri të mëdha mes dy vendeve.

“Këta fëmijë të brezit të dytë dhe të tretë nuk ndihen francezë, sepse ndihen të refuzuar nga vendi dhe vlerat e tij thelbësore,” thotë Alexandre Piettre, sociolog i Grupit Shoqëria, Feja dhe Laicizmi, me qendër në Paris. “Ky është një dallim i madh me Shtetet e Bashkuara, ku, për shembull, afrikano-amerikanët mund të ndihen të refuzuar, por ata ndihen amerikanë.”

Belgjika dhe Franca janë shtete laike që promovojnë asimilim në vend të diversitetit kur është fjala për të sapoardhurit. Ato janë eksportuesit kryesorë evropianë të luftëtarëve xhihadistë dhe kanë numër të lartë të emigrantëve nga Afrika Veriore dhe të pasardhësve të tyre. Këto dy vende janë përballur me pasojat e sulmeve terroriste islamiste që duket se janë gjithnjë e më të ndërlidhura.

Amerika nuk është Evropë, por …

Përbërja demografike e myslimanëve në Amerikë është e ndryshme nga ajo e myslimanëve në Evropë. Sipas studimit të Qendrës Pew, myslimanët në Shtetet e Bashkuara janë të arsimuar mirë dhe kanë të ardhura më të larta në krahasim me shumicën e feve të tjera. Tridhjetë e nëntë përqind e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara kanë diplomë universiteti, ndërsa vetëm 25 përqind e të krishterëve kanë përfunduar arsimin e lartë.

Ky nivel i arsimit nënkupton të ardhura më të larta. Në vitin 2015 të ardhurat mesatare vjetore për një familje në Shtetet e Bashkuara ishin 53,657 dollarë. Njëzet e nëntë përqind e myslimanëve kanë të ardhura vjetore mes 50,000 dhe 100,000 mijë dollarë. 20 përqind e myslimanëve në Amerikë, fitojnë më shumë se 100,000 dollarë në vit. Njëzet e shtatë përqind e të krishterëve amerikanë fitojnë mes 50-100,000 dollarë në vit ndërsa vetëm 17 përqind e të krishterëve fitojnë më shumë se 100,000 në vit.

Ky realitet hedh poshtë pretendimet e kandidati republikan për president, Donald Trump.

Trump bëri thirrje në muajin mars për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në vend, pas sulmeve të Brukselit. Ai vazhdon të thotë se feja islame është e rrënjosur në urrejtje dhe dhunë. “Ne duhet të mësojmë se nga ku po vjen kjo urrejtje dhe pse ekziston ajo”, thotë zoti Trump.

Thirrja e tij për ndalimin e hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara është denoncuar si antikushtetuese dhe kundër-produktive nga studiues ligjorë dhe ekspertë të terrorizmit. Seth Jones, ekspert i terrorizmit në Korporatën Rand, thotë se ideja e ndalimit të hyrjes së myslimanëve në Shtetet e Bashkuara është e gabuar sepse nuk prek rrënjët e problemit.

“Kjo nuk ka të bëjë me fenë Islame, apo me sektin suni të Islamit, por me një përqindje shumë të vogël individësh që besojnë në pikëpamjen Selafiste- xhihadiste të krijimit të një kalifati global”, thotë ai. “Ky është një grup ekstrem. Problemi dhe zgjidhja është të mësojmë dhe kuptojmë se si dhe pse ka elementë të tillë dhe si të ndihmojmë 99 përqind të popullatës që i kundërshton ata, në mënyrë që kjo pjesë të kontrobuojë në përpjekjet për identifikimin e faktorëve ekstremistë.”

Ekspertët thonë se retorika politike kundër myslimanëve ndihmon ISIS-in.

“Mesazhi që ISIS dërgon (për myslimanët), është se Perëndimi ju urren, Perëndimi është në luftë me Islamin. Ju nuk mund të bëheni pjesë e shoqërisë perëndimore”, thotë Lorenzo Vidino i Qendrës për Siguri Kibernetike dhe Kombëtare në Universitetin George Washington.

Myslimanët amerikanë i frikësohen reagimeve të ashpra

Kthehemi tani në shtëpinë e familjes Bashir në Springfield të Virxhinias. Emron dhe djali i tij Danish pas kthimit nga puna përgatisin darkën. Danish u dërgon miqve të tij mesazhe me celular për serialin televiziv “Game of Thrones”, i cili është shumë popullor mes të rinjve amerikanë.

Emron thotë se ai është i shqetësuar për mënyrën se si po portretizohen myslimanët në fushatën presidenciale. Ai i tha Zërit të Amerikës se ndoshta është më mirë që ai t’u shmanget debateve publike.

“Ne jemi një familje e klasës së mesme. Ne duam të jemi njerëz të zakonshëm, duam të bëjmë një jetë normale. Nuk ka arsye pse t’i japim dikujt një mundësi për të kritikuar dhe ka njerëz të mirë kudo. Është shumë e lehtë për dikë që të drejtojë gishtin drejt nesh dhe të krijojë një shqetësim të panevojshëm në jetën time.”

Danish thotë se ai nuk e kupton Donald Trumpin. “Edhe unë jam shtetas amerikan. Por, pikëpamjet e mija janë të ndryshme nga pikëpamjet tij. Urrejtja e tij (për ISIS-in) është e drejtë. Por, nuk ka kuptim të drejtosh gishtin ndaj njerëzve në oborrin tuaj.”

Danish thotë se ai është i bekuar që jeton në një lagje të larmishme dhe që ka miq nga kombësi të ndryshme.

“Nuk ka ndarje në këtë kuptim. Ka mundësi të barabarta për të gjithë. Dhe kjo është ajo që ne kemi në Amerikë. Pavarësisht se nga vjen, mund të punosh dhe të arrini synimet e tua. Dhe kjo është arsyeja pse prindërit e mi erdhën në Amerikë.” (voa)

Analistët: BESA ngritet, BDI bie! Anketa e fundit e IRI-t nuk përbën aspak habi

iriRezultatet e terenit nga anketa e Institutit Republikan Amerikan (IRI) për matjen e rejtingut të partive politike tregoi ndryshime të mëdha në skenën politike shqiptare. Gazeta “Utriniski” shkruan se pas BDI-së menjëherë radhitet partia e sapoformuar Lëvizja BESA, e cila kohë më parë ishte pjesë e organizimitë të protestës madhështore me mbi 30 mijë persona më 9 Maj në Shkup.

Gazetari Isen Saliu, aspak nuk është i habitur nga rezultatet e anketës së IRI-t, për sa i përket pozicionimit të partive politike në bllokun shqiptar. Ai thotë se pas protestës së 9 majit para Qeverisë, të organizuara nga Këshilli Opozitar, në të cilën pjesëmarrëse ishtë edhe BESA, shqiptarët pas një kohe të gjatë e kanë gjetur subjektin e tyre përmes së cilit do t’i kanalizojnë qëndrimet e tyre opozitare.

“PDSH-ja viteve të fundit nuk e ka shfrytëzuar si duhet hapësirën opozitare, të cilën e kishte në dispozicion tek blloku politik shqiptar. Tani kjo po i kthehet si bumerang”, – thekson Saliu për Utrinski.

Një nga shkaqet e rritjes së rejtingut të vazhdueshëm të BESËS, sipas Saliut është rënia drastike e rejtingut të BDI-së dhe përçarjet e thella brendapartiake të partisë së Ali Ahmetit, të cilat për çdo ditë e më shumë shtallen edhe në degët e tjera. Ai thotë se BDI ka rënie të madhe prej 14 % në 6 %, prandaj nuk mundet asessi ta merr veten, dhe se kjo tendencë e rënies mund të vazhdojë edhe më tutje, pasi tanimë nuk e ka një rival si PDSH-ja me të cilën lehtë arsyetoheshin se kanë “gjynahe të përbashkët” si koalicionimin me VMRO – DPMNE-në, por rival e ka një subjekt politik i cili në këtë pikëpamje është i pastërt, ka shtuar Isen Saliu për këtë gazetë. (ina)

Dhuna e tifozëve rusë

dhuna ruseFranca dëboi drejtuesin e ekstremit të djathtë të shoqatës së tifozëve rusë të futbollit Alexander Shprygin dhe 20 tifozë të tjerë, pas dhunës së ushtruar në ndeshjen Angli Rusi në Marsejë. Organizatorët e Kampionatit Evropian, kanë kërcënuar madje edhe përjashtimin e Rusisë nga kamapionati për shkak të dhunës së tifozëve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, po shtohen shqetësimet para Kampionatit Botëror që do të mbahet në Rusi në vitin 2018, pasi provat flasin për shtimin e lidhjeve mes huliganëve dhe grupeve politike të ekstremit të djathtë.

Të filmuar nga një kamera e montuar, huliganët rusë vërshuan nëpër rrugët e Marsejës javën e kaluar. Një tifoz anglez bie në tokë dhe goditet disa herë me shkelma. Kriminologu Alberto Testa thotë se videoja është pjesë e propagandës së huliganëve.​

“Rusia ka një problem të madh me huliganizmin neo-nazist. Nuk është një fenomen i ri or Kupa e Evropës është një vend i përsosur për ta për t’u bërë të njohur. Ata kanë tipare narcisiste.”

Tifozët ultra-nacionalistë rusë e shohin veten sikur po marrin pjesë në betejat gjeopolitike të Kremlinit në miniaturë.

“Disa prej tyre kanë qënë në ushtri. Ata janë në përgjithësi mirë në boks dhe në artet marciale. Ata e planifikojnë me kujdes dhe hollësi dhunën”, thotë Alberto Testa.

Ata kanë edhe mbështetjen e disa zyrtarëve qeveritarë. Ligjvënësi dhe anëtari i komitetit ekzekutiv të unionit të futbollit rus Igor Lebedev shkroi në Twitter pas përleshjeve në Marsejë – “Mirë e bëtë burra, vazhdoni kështu!” Ai nuk ka pranuar të dënojë dhunën dhe ka fajësuar policinë franceze.

“Ata duket se janë fare të papërgatitur për një ngjarje të tillë të madhe sportive si Kampionati Evropian”, thotë Igor Lebedev.

Në Moskë, pati një fare mbështetjeje për tifozët rusë.

“Këta njerëz janë patriotë. Ata po mbrojnë nderin e tyre.”

“Mendoj se të dënosh palën ruse është e padrejtë pasi ishin anglezët që e filluan përleshjen.”

Analistët thonë se në mbarë Evropën, grupe të tifozëve të dhunshëm po bëhen gjithmonë e më të organizuar, shumë prej tyre kanë lidhje të ngushta me grupet politike të ekstremit të djathtë si lëvizja anti-islamiste Pegida.

“Lëvizja u themelua në Gjermani nga huliganët neo-nazistë. Por ata kanë tani degë në Britani dhe nuk është habi që ajo udhëhiqet nga ish huliganë.”

Në Rusi do të zhvillohet Kampionati Botëror 2018. Veprimet e tifozëve rusë në Francë kanë ngritur shqetësime të sigurisë.​

“Për Kupën e Botës do të ketë rreziqe nga ky grup. Por duhet të them se edhe huliganët anglezë mund të përbëjnë rrezik.”

Testa është i shqetësuar se bashkëpunimi i mëtejshëm mes forcave politike të ekstremit të djathtë dhe huliganëve të mirë organizuar do të verë në shënjestër jo vetëm rivalët por edhe kundërshtarët politikë dhe grupet e pakicës. (voa)

Kosovë: Qeveria dakord për shtyrjen e mandatit të EULEX-it

Misionit të BE-së për Kosovën, EULEX, i skadoi mandati në mesnatën ndërmjet 14 e 15 qershorit. Ndërkohë qeveria në Prishtinë ka rënë dakord për vazhdimin e madatit të këtij misioni.

EulexQeveria e Kosovës më në fund e dërgoi në parlament projektligjin, i cili mundëson zgjatjen e mandatit të misionit EULEX. Kjo u bë e mundur pas negociastash të gjata ndërmjet BE-së dhe qeverisë së Kosovës dhe pas një letre konfirmimi që erdhi në Prishtinë nga shefja e BE-së për Politikën e jashtme dhe Çështjet e sigurisë, Federica Mogherni.

“Përfaqësuesi Special i BE-së dhe EULEX-i në Kosovë do të vazhdojnë të ndihmojnë institucionet, autoritetet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit, në forcimin e mëtejshëm të një sistemi të pavarur shumë etnik të drejtësisë. Në kryerjen e mandatit të vet, EULEX-i në Kosovë do të kontribuojë në lehtësimin e përparimit të Kosovës në rrugën e saj evropiane”, shkruan Federica Mogherini në letrën e saj drejtuar Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.

Misionit të BE-së për sundimin e ligjit EULEX, i skadoi mandati në mesnatën ndërmjet 14 e 15 qershorit, ndërsa, vazhdimin e madatit të këtij misioni edhe për dy vjet duhet ta ratifikojë Parlamenti i Kosovës. Qeveria dhe Bashkimi Evropian ka muaj që janë duke e diskutuar mandatin dhe përgjegjësitë e misionit EULEX, dhe çështja që ka marrë më së shumti kohë është ajo përgjegjësive ekzekutive, a do t’i lejohet këtij misioni të hapë raste të reja apo jo. Ndërsa, çështja tjetër ajo e krimeve të luftës pritet t’i kalojë në përgjëgjësi Gjykatës Speciale, e cila së shpejti pritete të fillojë së funskionuari.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë, i cili ishte personi kryesor gjatë negociatave BE-Kosovë për EULEX-in tha, se me ligjin e ri është parashikuar që në rrethanat e jashtëzakonshme, autoriteti përgjegjës i EULEX-it për arsye të caktuara të bazuara, mund të propozojë një rast të ri tek prokurori i EULEX-it.

“Por këtë do ta shqyrtojë një komision i përbërë nga kryeprokurori i shtetit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale dhe kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, ndërsa Këshilli Prokurorial i Kosovës do të vendosë për këtë rast a do t’i bartet apo jo misionit EULEX, tha Hajredin Kuçi.

Përveç zgjatjes së mandatit të misionit EULEX, deri më 15 qershor të vitit 2018, autoritetet e Kosovës janë pajtuar edhe për delegimin e autoritetit tek BE-ja për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, përfshirë edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë ditës së mërkurë (15.06) misioni EULEX kishte pezulluar të gjitha aktivitet në pritje të Këshillit të BE-së që ta miratojë zgjatjen e mandatit të misionit. Kjo ndodhi gjatë pasditës të mërkurën, ndërsa të enjten ose të premtn (16.06 -17.06) Parlamenti i Kosovës pritet të debatojë dhe të ratifikojë zgjatjen e mandatit të EULEX-it edhe për dy vjet.

Zyrtarë nga kuvendi i Kosovës tashmë e konfirmojnë, se çështja e misionit EULEX, ka hyrë në rend të ditës me propozimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partitsë Demokratike të Kosovës, që janë në koalicion, por kjo është kundërshtuar nga subjekti opozitar lëvizja Vetëvendosja.

Misioni i Bashkimit Evropian EULEX u vendos në Kosovë në dhjetor të vitit 2008, vetëm disa muaj pasi Kosova shpalli pavarësinë e saj. Baza ligjore për funksionimin e këtij Misioni është përcaktuar nga Këshilli i BE-së me anë të veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian 2008/124/CFSP arritur më 4 shkurt 2008. Në bazë të kësaj, EULEX-i funksionon në kuadër të kornizës së përgjithshme të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. EULEX-i është krijuar me synimin e përgjithshëm që t’i ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike. Ky Mision është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje të Bashkimit Evropian. Që nga fillimi misioni EULEX ka marrë vetëm 47 vendime për raste korrupsioni. (dw)