Tokat, del emri i Konomit; gjyqtarit të vrarë i falsifikuan firmën për 110 milionë euro

KONOMIProkuroria e Vlorës sekuestroi 89 hektarë tokë me vlerë 110 milionë euro në Zvërnec, një zonë me potencial të lartë në investime për turizëm.

Toka është përfituar në mënyrë të paligjshme nga Raimond Mezi, i njëjti person që përfitoi 220 hektarë toke edhe në Karaburun. Sipas prokurorisë, skema është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme tokën në Karaburun.

Toka në Zvërnec është regjistruar në Hipotekën e Vlorës në bazë të dokumentave të falsifikuara dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone tërësisht fiktiv.

Hetimi gjeti se Raimond Mezi, me vendim gjyqkate përfitoi 89 hektarë, vendimi ky i vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.

Dosja e falsifikuar më pas është futur në arkivën e gjykatës dhe grupi i falsifikatorëve ka ndërhyrë edhe në regjistrin e vitit 2003. Kjo pronë është regjistruar në hipotekë nga shtetasja Blerina Dhrami, e cila është nën hetim.

Kjo është hera e parë që emri i të ndjerit Skerdilajd Konomi përmendet nga hetimi i prokurorisë. Në kohën kur ish-gjyqtari 35-vjeçar u ekzekutua u përmend se shkak mund të ishte një konflikt për pronësi tokash.

Prokuroria nuk e ka sqaruar ende nëse falsifikimi është bërë pas vdekjes së gjyqtarit apo gjatë kohës kur ai ishte në detyrë në Gjykatën e Vlorës dhe çfarë lidhje ka falsifikimi i një vendimi gjyqësor me toka që vlejnë 110 milionë euro me një atentat makabër në mes të qytetit.

/ Top Channel

Arrestimi i Rroshit, Prokuroria: Na rezulton jo me 2, por 5 emra

banditi roshiProkuroria thotë se në çështjen e kryebashkiakut të dorëhequr të Kavajës, Elvis Rroshi ka si prova kundër tij përveç formularit të vetëdeklarimit edhe dy shkresa të përcjella përmes Interpol Tiranës në të cilat autoritetet e huaja përcjellin informacion për të.

Në përgjigje të 8 qershorit Zvicra njofton Shqipërinë se ky shtetas njihet me emrat Ervin Rroshi, Elvis Rroshi, Baskim Hallulli , Enver Rroshi, Enver Proshi.

Zvicra shton se në prill 1993 Roshi ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në datën 14 maj ai është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast të dyshuar droge.

Prokuroria thotë se sipas homologeve duke qenë se ky rast ka 20  vjet dhe nuk është bërë e  mundur të sigurohen më tepër detaje, por duke marre parasysh faktin se ai është dëbuar 4 muaj më vonë, ndoshta nuk ka qenë një episod trafiku, por konsumi.

Zvicra shton se më datën 14 shtator 1993 Elvis Rroshi është dëbuar për në Shqipëri  ndërkohë që në korrik 1997 ai ka hyrë epërsi në mënyrë të paligjshme duke kërkuar sërish azil. Një muaj më pas me urdhër të Gjykatës se Zyrihut ai është dëbuar.

Por në vitin 2015 DEA amerikane ka informuar autoritetet zvicerane se ata po hetonin një shtetas me emrin Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash dhe për këtë gjë Zvicra po kryejnë hetime të mëtejshme. Gjithashtu sipas Prokurorisë Elvis Rroshi nuk ka deklaruar se është dëbuar nga shteti italian duke pasqyruar të dhëna të rreme.

Prokuroria shton se autoritetet gjermane të drejtësisë në përgjigjen e tyre kanë theksuar faktin se sipas ligjit nuk lejohet transmetimi i të dhënave personale pa u informuar më parë mbi faktet ekzakte të këtij hetimi.

/ Top Channel

Steinmeier në Tiranë: Pa reformën në drejtësi, nuk përshpejtohet integrimi në BE

Rreth shtatë orë qëndrimi në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier patën si kryefjalë reformën në drejtësi.

SteinmeierShefi i diplomacisë gjermane Steinmeier pati rast që të shkëmbente mendime me zyrtarë të lartë të mazhorancës dhe opozitës. Në takime u prekën edhe temat për bashkëpunimin mes dy vendeve si dhe procesi i integrimit europian të vendeve aspirante të rajonit. Frank-Walter Steinmeier u ndal në nevojën e vijueshmërisë së reformave dhe plotësimin e kushteve për vendin në rrugën drejt anëtarësimit në familjen europiane. Ai kujtoi dhe koston e reformave, por rëndësi të dorës së parë ka ecja përpara e zhvillimit të vendit.

“Për reformat nuk merr vetëm falenderime, sepse shpesh herë ka kritika të ashpra dhe ndoshta kostoja mund të reflektohet edhe në zgjedhje. Kam mësuar se në opozitë nuk mund të fitohet gjithmonë duke refuzuar. Ka situata në të cilat një qeveri do të duhet të marrë risqet përkatëse për ta çuar vendin përpara, por e njëjta gjë vlen edhe për opozitën. Nuk duhet menduar për avantazhet afatshkurtra, por për ato afatgjata, në të mirën e vendit”.

Frank-Walter Steinmeier ishte i drejtëpërdrejtë kur artikuloi rëndësinë që ka realizimi sa më parë të reformës në drejtësi. “Pa reformën në drejtësi, nuk mund të përshpejtohet procesi i integrimit të Shqipërisë në BE”. Veç impaktit direkt tek qytetarët, sipas tij, kjo reformë krijon mundësinë që vendi të bëhet në rajon pararendës i ristrukturimit të sektorit të drejtësisë në kuptimin e shtetit të së drejtës.

Homolgu shqiptar, Ditmir Bushati shprehu gatishmërinë e mazhorancës për ta miratuar paketën e reformës në drejtësi ku kanë kontribuar në çdo hap të procesit dhe ekspertët ndërkombëtarë. Miratimi i saj do të jepte sipas Bushatit efekte “në forcimin e sundimit të ligjit në ekonomi, në luftën kundër korrupsionit, në luftën kundër krimit të organizuar, dhe në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit… Shqipëria i ka të qarta detyrat e saj, në mënyrë që të sigurojë mbeshtetjen e nevojshme për të kryer hapin e rradhës, atë të një rekomandimi pozitiv për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.”

Kryeministri Edi Rama në shenjë kortezie, pak para se të takohej me shefin e diplomacisë gjermane shpërndau përmes adresës personale në rrjetet sociale shënimin: “Mikpresim sot një mik të madh, ministrin e Jashtëm gjerman, Frank Walter Steinmeier, mbështetës i madh i Shqipërisë për hapjen e negociatave.”

Shefi i opozitës Lulzim Basha gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë përmendi ndikimin e Partisë Demokratike për të përmirësuar draftin e reformës në drejtësi. Në një komunikatë për median, që u shpërnda të martën pasdite nga zyra e shtypit e opozitës mbi takimin Basha-Steinmeier, thuhej dhe se PD ka kërkuar zbatimin e plotë të rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias.

“Parimi duhet të pranohet për të gjitha institucionet, theksoi Basha, sepse një drejtësi nuk mund të jetë e pakapur nëse kryeministri vendos se kush është i pastër dhe kush jo nga gjyqtarët dhe prokurorët. Kjo është refuzuar deri tani nga Edi Rama.”

Gjatë kohës që shefi i diplomacisë gjermane zhvillonte agjendën e tij zyrtare në Tiranë, në mjediset e kryesisë së Kuvendit u zhvillua një mbledhje e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës në Drejtësi, që u monitorua nga afër nga dy diplomatë të rëndësishëm të akredituar në Tiranë, ambasadorja e BE-së, Vlahutin dhe ambasadori amerikan, Lu.

Deputetët e opozitës qëndruan vetëm pak minuta dhe lëshuan sallën, duke mos u përfshirë në debatin e diskutimit nen për nen të draftit të reformës, një procedurë që kaloi vetëm me votat pro të bashkuara të deputetëve të PS dhe LSI-së. Akti i sotëm ka shënuar fillimin e procesit për miratimin e reformës përmes parlamentit.

Periudha e mbetur në afër dy javë do të shfrytëzohet dhe për të arritur ndonjë kompromis me afrim qëndrimesh, mes mazhorancës dhe opozitës, për pikën më të debatueshme të momentit që lidhet me formulën e përzgjedhjes së përfaqësuesve në organet e reja të drejtësisë. Dhe duket se presioni i faktorit ndërkombëtar nuk do të rreshtë deri në hapin e fundit, kur drafti të futet për diskutim dhe votim në seancë plenare në Kuvend. (dw)

Roth: duam që BE ta shtojë praninë në vendet e Ballkanit

Michael Roth për DW: Steinmeier do të japë një sinjal të qartë në Shqipëri: nëse bëni detyrat e shtëpisë dhe reforma gjyqësore më në fund do të zbatohet, kjo është një arritje e madhe në rrugën drejt BE-së.

Michael RothMichael Roth, Ministri i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane

DW: Temat e Global Media Forum – mediat, liria, vlerat – kanë dalë pak nga vëmendja në Evropën Jug-Lindore vitet e fundit në sfondin e krizës së refugjatëve dhe problemeve në Greqi. Në këto vende nuk vihet re kudo një zhvillim për të mirë. Cili është vlerësimi juaj për situatën?

Michael Roth: Unë nuk e ndaj mendimin tuaj se ne nuk e jemi kujdesur në mënyrë adekuate për temat liria e mediave, sundimi i ligjit, demokracia. Përkundrazi. Negociatat e anëtarësimit dhe i tërë procesi i zgjerimit është i fokusuar shumë në çështjet e demokracisë, sundimit të ligjit, forcimit të shoqërisë civile, luftës kundër korrupsionit. Por ju keni plotësisht të drejtë kur thoni se vitet e fundit nuk ka pasur vetëm progres, por pjesërisht edhe hapa të qartë pas. Për këtë është edhe më e rëndësishme që ne të dërgojmë në mënyrë të përsëritur sinjale tek njerëzit e Ballkanit Perëndimor: ne nuk ju harrojmë dhe duam të bëjmë diçka për t’ju ndihmuar në rrugën për në Evropë, e cila është shumë e vështirë.

Kjo strategji e kulaçit dhe e kërbaçit nuk duket të jetë shumë efektive: nga njëra anë kemi forcimin e nacionalizmit në Ballkanin Perëndimor. Në shumë vende ka një frenim të shtypit. Në të njëjtën kohë, perspektiva për në BE është, sipas mendimit të njerëzve aty, disi në ajër. A nuk duhet të rregullojmë diçka në këtë mes?

Nga njëra anë është kulaçi që përmendët ju. Kur mendoj për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën që hyri në fuqi një javë më parë: ky është një sinjal i rëndësishëm. Dua të përmend edhe Konferencën e Berlinit (Konferenca për Ballkanin Perëndimor), ku nuk flasim për gjëra abstrakte, por ku ne fokusohemi konkretisht në projektet e infrastrukturës, në rritjen e shkëmbimit të të rinjve, në mënyrë që në fund qytetarët të ndjejnë që Evropa është nuk ndonjë gjë teknokratike në Brukselin e largët, por një kontribut për të përmirësuar jetën time të përditshme.

Në Maqedoni, njerëzit dalin prej disa javësh në rrugë kundër qeverisë. Në fundjavë pati demonstrata të mëdha në Beograd, dy javë më parë në Kroaci. Kudo shohim protesta të qytetarëve dhe një lodhje jo vetëm ndaj qeverive, por pjesërisht edhe ndaj BE-së. A është kjo një rrezik apo një mundësi?

Një shoqëri civile kritike është absolutisht thelbësore për një demokraci vitale. Dhe më duket mirë që qytetarët të dalin në rrugë dhe të shprehin protestën e tyre. Sepse me këtë gjë politikanët duhet të merren me të në të gjitha vendet demokratike. Ne kemi pas disa javësh konferencën e ardhshme në Paris, ku gjithashtu do të vendosen sinjale të qarta për zhvillimin e infrastrukturës, për shkëmbime rinore. Qendra për Shkëmbimet Rajonale Rinore do ta ketë selinë e saj në Tiranë. Ne vetë jemi shumë të angazhuar. Por ne duam që BE-ja ta shtojë praninë e saj në këto vende, veçanërisht në bisedimet për më shumë demokraci dhe sundimin e ligjit.

Si mund dhe duhet të jetë kjo prani?

Në qoftë se mund të kujtoj bisedimet e vështira me udhëheqësit politikë në Maqedoni: aty Komisioni Evropian zhvilloi bisedime dhe ne e kemi mbështetur këtë me ambasadorin tonë Haindl. BE-ja ka unitet të madh dhe pritshmëri të qarta, por dhe thotë në mënyrë të përsëritur: ne nuk do t’ju lëmë vetëm, por duam t’ju ndihmojmë që në fund të jeni më pranë BE-së.

Serbia është disi e preferuara e Perëndimit, por edhe një fëmijë problematik. Kryeministri Vuçiç kujdeset që të jetë i afërt me Kancelaren edhe në Gjermaninë. Në të njëjtën kohë ai mban edhe miqësi me Lindjen. Në fundjavë ka pasur demonstrata në Beograd, ku 20.000 vetë kanë protestuar kundër një projekti ndërtimi në Beograd si dhe kundër Vuçiçit. Si e vlerësoni situatën në Serbi?

Zoti Vuçiç ka dalë i fortë nga zgjedhjet. Ai ka një mandat për një qeveri të re. Kjo e legjitimon atë një herë. Por sigurisht, një zgjedhje e fituar nuk është një biletë për të bërë si do. Dhe këtu dalim në një pikë shumë të ndjeshme në zhvillimin e brendshëm të shumicës së vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kemi të bëjmë me një polarizim absolut në sistemet politike. Njerëzit nuk e kuptojnë veten si konkurrentë apo si kundërshtarë, por si armiq. Dhe kjo klimë armiqësie dhe urrejtjeje duhet të tejkalohet. Kjo vlen në veçanti edhe për qeveritë përgjegjëse, që ta kuptojnë se opozita nuk është ndonjë e keqe, opozita është një pjesë themelore e demokracisë dhe me të duhet të bashkëpunohet. Po ashtu duhet të bëhen përpjekje për të bashkur forcat sociale. Dhe ajo që është e pëlqyeshme tek qeveria serbe është që ajo në mënyrë të përsëritur dërgon një sinjal të qartë drejt Evropës. Por ne gjithashtu presim që Serbia në çështjet e politikës së jashtme dhe të brendshme të jetë në një vijë me Bashkimin Evropian. Në qoftë se një shtet punon ngushtë me Bashkimin Evropian dhe do të bëhet anëtar i BE-së, ky nuk është një sinjal kundër askujt.

Serbia e ndjen vetën të penguar në afrimin me BE-në nga ana e bllokadës kroate. Ky është një model që e njohim edhe nga raste të tjera si Greqia, Maqedonia dhe Sllovenia. Si ndikoni në këtë drejtim ndaj Kroacisë – apo i konsideroni rezervat kroate si të justifikuara?

Në fund të ditës ne gjithmonë kemi gjetur një kompromis të realizueshëm. Ajo që është ende shumë paralizuese është mosmarrëveshja e emrit për Maqedoninë, ku unë aktualisht ende nuk shikoj një kompromis të pranueshëm për të dyja palët. Por unë shpresoj se shumë shpejt do bëjmë një hap të rëndësishëm. Serbia e di shumë mirë se çelësi për një përparim të mëtejshëm në negociatat e pranimit në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Ne po zhvillojmë bisedime me Kroacinë, por Kroacia ka edhe vetë probleme të mëdha të brendshme. Nga njëra Kroacia luan rolin e modelit, sepse ish-Republika Jugosllave është prej disa vitesh nëtare e BE-së. Nga ana tjetër, unë gjithashtu shoh në Kroaci edhe probleme të mëdha – kryesisht sociale dhe ekonomike. Me papunësinë e të rinjve në nivelin 40 përqind vërtetë nuk mund të flitet për një gjendje normale. Por edhe këtu unë shpresoj se ne së shpejti do të kthehemi në stabilitetin e nevojshëm. Gjithashtu besoj se edhe në Maqedoni, kriza e qeverisë mund të tejkalohet, kështu që ne të jemi të gjithë në gjendje të punojmë për detyrat e shtëpisë në interes të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

A guxoni të parashikoni se kur Ballkani Perëndimor të bëjë një hap më tej – apo ndoshta të integrohet madje në BE?

Data të caktuara që pastaj ndoshta nuk respektohen, nuk na sjellin dobi. Por ne gjithmonë duhet t’i premtojmë njëri-tjetrit se do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona që shtetet por mbi të gjithë njerëzit, të hyjnë sa më shpejt të jetë e mundur në BE. Sigurisht këtë e kanë në duart e tyre qeveritë dhe liderët politikë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Por unë jam i kënaqur në lidhje me faktin se BE ka arritur, që megjithë shumë kriza që po përballet të mos krijojë përshtypjen se e kemi harruar Ballkanin Perëndimor. Kjo do të ishte gjëja më e keqe sipas mendimit tim. Prandaj jo vetëm Gjermania, por edhe shumë shtete të tjera anëtare, së bashku me Komisionin janë të gatshme që të marrin më tepër përgjegjësi në Ballkanin Perëndimor dhe të tregojnë më shumë prani.

Dhe për të mos hequr vështrimin as nga mediat, që të sigurohet pluralizmi? Polonia është shembulli më i qartë, por edhe në Ballkanin Perëndimor, muajt e fundit është rritur ndjeshëm presioni mbi mediat publike.

Edhe në këtë drejtim nuk ka lëshime. Partnerët duhet të jetë e qartë: në qoftë se duan të bashkohen me BE-në, duhet të luftojnë korrupsionin, duhet të forcojë sundimin e ligjit, duhet të garantojnë pavarësinë e medias dhe natyrisht pluralizmin e medias. Këto nuk janë fjalë boshe, por gjëra thelbësore. Ne si BE jemi në radhë të parë një komunitet vlerash dhe jo një projekt tregu. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë.

Të martën ministri i Jashtëm gjerman shkon në Shqipëri. Çfarë ai ka në bagazhin e tij?

Unë jam i kënaqur për faktin se ky udhëtim tani i ministrit të Jashtëm dokumenton se sa i madh është interesi ynë për Ballkanin Perëndimor. Unë vetë kam përjetuar në udhëtimin tim në Shqipëri herë pas here se aty ka përparime të rëndësishme. Tani është në tryezë një paketë shumë e madhe dhe e rëndësishme, reforma në drejtësi. Dhe unë jam mjaft i sigurt se ministri i Jashtëm Frank-Walter Steinmeier do të japë një sinjal të qartë: në qoftë se bëni detyrat e shtëpisë në këtë fushë dhe reforma gjyqësore më në fund do të zbatohet, kjo është një arritje e madhe në rrugën drejt BE-së.

Deputeti social-demokrat Michael Roth është ministër shteti për Evropën në Ministrinë e Jashtme. (dw)

Tiranë: Miratohet projekti i reformës në drejtësi, pa deputetët e opozitës

reforma drejtesiDeputetët socialistë në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi votuan sot nen për nen projektin e kësaj reforme, pasi përfaqësuesit e opozitës u larguan nga mbledhja.

Pjesa e mbetur e komisionit vazhdoi miratimin nen për nen dhe në parim të draftit të përgatitur, ndërsa mbledhja u ndoq nga afër prej ambasadorit amerikan Donald Lu dhe ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin.

Mbledhja e sotme e komisionit të reformës u zhvillua me dyer të mbyllura për mediat, dhe pas kërkesave të deputetëve të opozitës, deputetët e PS dhe LSI votuan të gjitha ndryshimet ligjore, përveç atyre që opozita nuk ka dhënë mirëkuptim.

Deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, tha kur u largua nga mbledhja se e vetmja pikë që kërkon opozita është zbatimi i nenit 88 nga rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Deri tani ende nuk duken shenja për mirëkuptim mes palëve mbi pikën 88 të rekomandimeve të Venecias.

Vendosmëria e deputetëve demokratë në komisionin e reformës ishte vazhdim i të njëjtës këmbëngulje që shfaqi më herët kryetari i partisë demokratike, Lulzim Basha.

Pak kohë pasi komisioni parlamentar me antarët socialistë votoi projektin e reformimit të drejtësisë, kryeministri Edi Rama doli para mediave për një deklaratë shtypi së bashku me ministrin gjerman të punëve të jashtme Fran Valter Shteinmeier.

Reforma në sistemin e drejtësisë shqiptare po vlerësohet si mjaft e rëndësishme nga qytetarët shqiptarë dhe nga diplomatët ndërkombëtarë.

Krahas diplomatit amerikan Lu dhe asaj europiane Vlahutin, të cilët po ndërmjetësojnë në çdo hallkë të procesit, sot e vizitoi Tiranën Frank Valter Steinmeier, ministri i jashtëm gjerman, i cili u shpreh se ka ardhur pikërisht për reformën në drejtësi, e cila, sipas tij, duhet miratuar pa humbur shumë kohë.

Kryediplomati gjerman Shteinmeier ka ardhur në Tiranë për të shtuar trysninë ndaj forcave politike që të gjejnë mirëkuptimin mbi reformën në drejtësi.

Si diplomatët gjermanë, europianë dhe amerikanë theksojnë se miratimi i kësaj reforme ka rëndësi të veçantë për t’u shënuar si arritje në raportin e vjeshtës së Komisionit Europian për ecurinë e Shqipërisë.

Nëse një nga mangësitë në raport do të jetë reforma në drejtësi, atëherë procesi i anëtarësimit të saj në BE nuk do të ecë shpejt, ndaj të gjithë palët duhet të mendojnë për të ardhmen e vendit.

Debatet për sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen të ndershme”, – tha ministri i jashtëm gjerman.

Projekti i miratuar sot pritet të kalojë në institucione të tjera të parlamentit, ku mundësia e bisedimeve dhe dakordësimeve, sipas shumicës, ka mbetur e hapur. (voa)

Rusia skualifikohet me kusht nga Euro 2016

tifozet perleshjeFederata Evropiane e Futbollit, vendosi të “skualifikojë me kusht” ekipin kombëtar rus dhe ta dënojë atë me 150 mijë euro gjobë, për shkak të përfshirjes së tifozëve rusë në përleshje të dhunshme në Marsejë.

Në një komunikatë të UEFA-s thuhet se kundër Unionit Rus të Futbollit janë ngritur akuza për “trazira, përdorim fishekzjarrësh dhe sjellje raciste”.

Në komunikatë thuhet se komiteti i etikës vendosi që të japë dënimin me 150 mijë euro gjobë dhe skualifikim me kusht për ekipin rus deri në përfundim të Kampionatit Evropian.

Ky pezullim do të hyjë në fuqi, nëse incidente të ngjashme, ndodhin brenda stadiumit në cilëndo prej ndeshjeve të ekipit rus gjatë kampionatit.

Policia franceze filloi procesin e deportimit të 29 rusëve pas përplasjeve të dhunshme me tifozat britanikë në ditët e para të Kampionatit Evropian.

Mbi 35 vetë u plagosën në Marsejë të shtunën vonë, pasi tifozë britanikë dhe rusë u përleshën brënda dhe përreth stadiumit Velodrome. Pasi ndeshja përfundoi me barazim 1-1, tifozët rusë sulmuan ata britanikë, duke i detyruar që të largoheshin dhe të kapërcenin rrethimet në një përpjekje të dëshpëruar për të shpëtuar.

Kremlini e dënoi dhunën dhe u bëri thirrje rusëve që të mos u përgjigjen provokimeve në kampionat.

“Ngjarjet në Marsejë ishin të papranueshme. Të papranueshme për autoritetet, të papranueshme për shoqërinë dhe për admiruesit e futbollit. Kemi qenë dëshmitarë të dhunës mes përkrahësve të provokuar nga tifozë të dehur”, tha ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve.

Ky nuk ishte incidenti i vetëm në kampionatin që zgjat një muaj. Dhuna mes tifozëve irlandezë dhe banorëve vendas plagosi shtatë persona në Nisë.

Ministri i brendshëm francez Bernard Cazeneuve tha se u kishte kërkuar zyrtarëve vendas të vinin kufizime për shitjen dhe transportin e alkoolit në ditët e ndeshjeve, si dhe pranë zonave të tifozëve. UEFA organizoi zona ku tifozët nga të gjitha vendet inkurajohen të shohin ndeshje pranë njëri-tjetrit.

UEFA dënoi dhunën, duke thënë se “njerëzit e përfshirë në akte të tilla nuk kanë vend në futboll”.

Siguria është forcuar në 10 stadiume ku do të luhen ndeshje, dhe qeveria britanike ka ofruar të dërgojë më shumë policë në Francë para ndeshjes së radhës mes Anglisë dhe Uellsit të enjten në Lans. (voa)

Euro 2016: 31 lojtarë me origjinë shqiptare

Përfaqësuesja e Shqipërisë ndodhet testit ndoshta edhe vendimtar për vazhdimin e garave. Vazhdojnë spekulimet për Shaqirin dhe lojtarët e tjerë me origjinë shqiptare. Mustafi titullar edhe kundër Polonisë?

xhakaKombëtarja e Shqipërisë humbi në ndeshjen e parë të Kampionitit Evropian, por dyert ende janë të hapura për vazhdimin e garave. Në ndeshjen e së mërkurës me Francën kuqezinjtë do ta kenë shumë vështirë. Por bilanci i deritanishëm dëshmon se Shqipëria di t’i kundërvihet francezëve, pasi Shqipëria nuk ka humbur në dy ndeshjet e fundit. Kombëtarja shqiptare është nisur ndërkohë për në Marsielle, ku me francezët do të ketë sfidën e dytë në Euro 2016. Ndeshja zhvillohet në orën 21:00 – në ‘Stade Velodrome”, Marsielle. Në formacion nuk do të jetë kapiteni Lorik Cana, për shkak të përjashtimit në ndeshjen kundër Zvicrës. Në formacion priten edhe disa ndryshime të tjera taktike.

Lojtarët me origjinë shqiptare

Në dallim nga kombëtarja shqitpare, në ekipin e Zvicrës nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Ndaj pritet që sërish në formacion të jenë pesë lojtarë me origjinë shqiptare: Granit Xhaka, Shaqiri, Xhemaili, Behrami dhe Mehmedi. Zvicra – e cila në radhët e veta ka të nominuar gjashtë lojtarë me origjinë shqiptare – me një fitore kundër Rumanisë do të siguronte kualifikimin ndër 16 ekipet që vazhdojnë garat në këtë KE. Nëse llogariten së bashku – 23 lojtarë të Shqipërisë, gjashtë në radhët e Zvicrës, një në Gjermani (Shkodran Mustafi) dhe një arbëresh me origjinë në Itali (Antonio Candreva), rezulton se në këtë Kampionat ka 31 lojtarë me origjinë shqiptare.

Shaqiri dhe paraqitja e mundshme për Kosovën

Ndryshe nga vëllezërit Xhaka (babai i tyre Ragip Xhaka pohon se Taulanti do t’i mbetet besnik Shqipërisë, ndërsa Graniti Zvicrës), ylli i Zvicrës, Xherdan Shaqiri, e ka lënë të hapur mundësinë që një ditë të luajë për përfaqësuesen e Kosovës. Mediat zvicerane raportojnë se Shaqiri nuk ka dhënë përgjigje definitive për të ardhmen e tij sa i përket kombëtareve. “Bluewin” dhe “20min”, sjellin një intervistë ku Shaqiri, në pyetjen nëse ka marrë ndonjë qëndrim të qartë për mbetjen në Zvicër, përgjigjet me kundërpyetje: Si do të përgjigjeshit ju nëse trajneri i Kosovës ju thërret dhe ju thotë se ju jeni kapiteni i ardhshëm i Kosovës? Por Shaqiri shton se ende nuk ka marrë ndonjë ftesë të tillë dhe se aktualisht është i fokusuar në tërësi tek Euro 2016, ku “do të japë gjithçka për ekipin e Zvicrës”, siç ka bërë gjithmonë.

Mustafi në qendër të vëmendjes

Mediat gjermane pohojnë se mbrojtësi mesfushor (me origjinë shqiptare) Shkodran Mustafi, do të jetë titullar edhe në ndeshjen e dytë të përfaqësues gjermane, kundër Polonisë. Ai u fut në ndeshjen kundër Ukrainës si zëvendësues i Mats Hummels (i cili ndërkohë është i gatshëm për lojë), por me golin e shënuar dhe lojën e sigurt në mbrojtje, ai ka tërhequr vëmendjen e gjithë sportdashësve në Gjermani. Ishte ky goli i parë i Mustafit për Gjermaninë, ku ndërkohë ka 11 paraqitje. I mundur është edhe formacioni ku Mustafi të luajë së bashku me Boateng dhe Hummels në mbrojtje, por trajneri Joachim Löw, është i njohur për marrjen e vendimeve në momentin e fundit, në mënyrë që kundërshtari të mos mund të përgatisë kundërpërgjigjet e tij taktike. Joachim Löw pas ndeshjes me Ukrainën e ka vlerësuar Mustafin për kontributin në lojë. (dw)

Dërgesa e ilaçeve me dron në Ruanda

ilace me dronKur rrugët bllokohen nga fatkeqësitë natyrore apo trazirat politike, shpesh e vetmja rrugë për të dërguar furnizime mjekësore të domosdoshme për jetën dhe sende të tjera në zonat e largëta është nga ajri. Por, kjo gjë mund të kryhet sikurse edhe në fusha të tjera, përmes përdorimit të robotëve. Materiali në vazhdim na njeh me një projekt pilot në Ruanda që synon dërgimin e shpejtë të vaksinave atje ku nevojiten, përmes dronit.

Brenda pak muajsh në Ruanda, aeroplanë të vegjël me telekomandë do të transportojnë kuti me furnizime mjekësore të domosdoshme për jetën në klinika të largëta.

Dronët janë prodhuar nga kompania Zipline në Kaliforni dhe vaksinat janë nga GAVI Vaccine Alliance. Projekti mbështetet nga një grant i dhënë nga Fondacioni UPS, degë bamirëse e gjigandit global të dërgesave. Eduardo Martinez është presidenti i Fondacionit UPS.

“Një infrastrukturë efikase e shpërndarjes ndihmon për të shpëtuar jetë. Jemi angazhuar në mënyrë aktive me organizata në mbarë botën për dërgesat e ndihmave, kur dështojnë rrjetet ekzistuese të shpërndarjes”.

Dronët mbajnë pesha deri 1.5 kilogramë dhe udhëtojnë në distanca deri 120 kilomentra. Pasi ndjekin itenerarin e programuar dhe lëshojnë me parashutë ngarkesën, dronët kthehen vetë në bazë.

Projekti kërkon të lehtësojë dërgesat e ilaçeve në vende të largëta. Kur punonjësit e shëndetësisë kërkojnë rezerva gjaku apo paisje mjekësore, ekipet në pikat e dërgesave paketojnë artikujt në kuti të posaçme, i vënë në dron, skanojnë kodin që ka itenerarin dhe paketa niset për në destinacion. Kjo kushton shumë më pak se dërgesat me helikopter.

Përveç që ofron një shërbim jetik, projekti do t’u dërgojë kompanive Zipline dhe UPS, të dhëna rreth sigurisë dhe besueshmërisë së dergesave me dron. Ky mund të jetë një faktor i rëndësishëm në vendimin e Administratës Federale të Aviacionit, për të lejuar dronët të transportojnë dërgesa në Amerikë. Shefi i kompanisë Zipline, Keller Rinaudo jep më shumë detaje.

“Mendoj se mënyra më e mirë për të gjetur një zgjidhje bashkarisht me Administratën Federale të Aviacionit në mënyrë që ta sjellim këtë teknologji edhe në Shtetet e Bashkuara, është duke e vënë atë në provë në një vend ku përmbush një nevojë shumë të qartë, ku mund të regjistrojmë të dhëna nga dhjetëra mijëra orë fluturim. Këto të dhëna do t’ia çojmë Administratës së Aviacionit për ta përshpejtuar procesin e prezantimit të teknologjisë edhe në Amerikë”.

Duke punuar me qeverinë në Ruandë, ekspertët e kompanisë Zipline synojnë të realizojnë deri në 150 dërgesa në ditë. Ky lloj shërbimi pritet të fillojë të zbatohet në muajin gusht. (voa)

Benzinat lirohen, çmimi i dizelit i njëjtë

karburantiPrej sonte në mesnatë benzinat lirohen për gjysmë denari deri në një denarë për një litër, ndërsa çmimi i karburantëve dizel mbetet i njëjtë, vendosi sot Komisioni rregullator për energjetikë (KRRE).

Me vendimin bëhet zvogëlimi i çmimeve rafinerike të derivateve të naftës në mesatare për 0,24 për qind dhe rritje të çmimeve me pakicë për 0,11 për qind në mesatare.

Çmimi me pakicë i EUROSUPER BS-95 zvogëlohet për gjysmë denari për një litër dhe do të jetë 63,5 denarë, ndërsa EUROSUPER BS-98 lirohet për një denar për litër dhe do të kushtojë 65 denarë.

Çmimet me pakicë të EURODIZEl (D-E V) dhe të Vajit ekstra të lehtë për amvisëri (EL-1) mbeten të njëjta, gjegjësisht EURODIZEL (D-E V) do të shitet për 50, ndërsa Vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) për 38,5 denarë për një litër.

Me vendimin e KRRE-së për 0,736 denarë për një kilogram rritet çmimi me pakicë i mazutit M-1 HC dhe tani do të jetë 21,619 denarë për një kilogram.

Si shkak për ndryshimin e çmimit të derivateve të naftës prej KRRE i theksojnë për 1,25 për qind çmimin më të lartë mesatar të naftës së papërpunuar në tregun botëror në 14 ditët e kaluara dhe për 0,84 për qind kursit më të lartë të denarit në raport me dollarin.

Një funksionar i VMRO-DPMNE-së mbetet pa pasaportë

Gjykata ia ka marrë pasaportën kryetarit të Manastirit, Vlladimir Talevski, i dyshuar i parë në rastin “Transporter”, që e hapi Prokuroria Speciale Publike. Kjo masë erdhi pas marrjes dy orëshe të talevskit në pyetje nga një gjykatës në Gjykatën Penale në Shkup. Gjykatësi megjithatë ka refuzuar propozimin e PSP-së që Talevskit t’i caktohet masë arresti. Pas këtij vendimi PSP ka afat 24 orësh për ta ankimuar deri te Këshilli gjyqësor penal, raporton “Lajm”.

Talevski në gjykatë u shoqërua nga Nikolla Dodovski, i cili nëjherit është edhe avokat i Nikolla Gruevskit, kurse prokurorët sollën në gjykatë disa kuti me dëshmi.

Rasti me transportin e nxënësve u përmend edhe në bombën 19 të opozitës, në të cilën ministri i financave Zoran Stavrevski në bisedë me ish ministren e punëve të brendshme Gordana Jankullovska, përmend se kryetari i komunës së Manastirit ka nënshkruar marrëveshje “korruptive deri në fund” për transport të nxënësve, me çmime dhjetë fish më të larta se çmimet standarde. (lajm)