Të bësh drejtësi kushton! Fatura e reformës, 40 milionë USD në vit

peshorja e drejtesiseReforma në drejtësi kushton 40 milionë dollarë në vit. Pas entuziazmit legjitim që solli miratimi me konsensus i paketës së ndryshimeve kushtetuese, në Ministrinë e Financave kanë nisur përllogaritjet e para se cila do të jetë fatura e reformës historike për buxhetin.

Burime zyrtare i thanë Top Channel se llogaritë e para të ekspertëve dalin në përfundimin se zbatimi i reformës mund të ketë një faturë deri në 4 miliardë lekë në vit.

Këto janë para që do të shkojnë për ngritjen e institucioneve të reja, por edhe rritjen e ndjeshme të pagave që do të përfitojnë punonjësit e sistemit të drejtësisë.

Megjithatë, Ministria e Financave thotë se këto janë vetëm llogaritë paraprake dhe saktësimi i mëtejshëm i tyre mund të çojë në një shifër më të ulët.

Aktualisht një nga hallkat më të rëndësishme të sistemit të drejtësisë, ai i gjyqësorit, funksionon me buxhet të pavarur, njësoj si modeli i universiteteve. Gjykatat arkëtojnë të ardhura nga tarifat e gjyqeve dhe veç tyre marrin edhe një transfertë të përvitshme nga buxheti i shtetit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, aktualisht buxheti financon rreth 500 milionë lekë në vit për rrogat dhe shpenzimet e gjykatave, por me reformën e re kjo shifër do të jetë disa herë më e madhe.

Sipas Ministrisë së Financave, qeveria shpreson të marrë një grant prej 30 milionë euro nga Bashkimi Europian për të përballuar një pjesë të faturës, të paktën në vitin e parë. Madje, Brukseli ka kushtëzuar disa parime në ligjin për vetingun pikërisht me dhënien e financimeve.

Ndërkohë që një tjetër variant, i cili po diskutohet për të amortizuar koston e reformës është edhe rritja e disa tarifave që qytetarët paguajnë për shërbimet gjyqësore.

/ Top Channel

Qeveria udhëzon qytetarët të kenë rezerva për rast emergjent

Për herë të parë pas një çerek shekulli qeveria me sa duket sërish do që t’i udhëzojë qytetarët për të qenë të përgatitur për raste katastrofash. Edhe pse nuk “ka gjasa” për ndonjë sulm.

rezerva“Popullsia udhëzohet të rezervojë një depozitë individuale ushqimesh për dhjetë ditë”, citon gazeta “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung” (FAS) duke iu referuar një koncepti për mbrojtjen civile, që qeveria do ta miratojë të mërkurën (24.08). Sipas këtij raporti, popullsia duhet të jetë në rast emergjence e aftë për vetëmbrojtje përpara se të ndërmerren masat shtetërore, për të garantuar mjaftueshëm sipas eventualitetit ushqime, ujë, energji dhe para në dorë.

Dy litra ujë për person në ditë

Si rrjedhojë popullsia do të udhëzohet, që të jetë e përgatitur të vetëkujdeset për një furnizimin fillestar për pesë ditë me dy litra ujë në ditë për person, thuhet në një tekst të përpiluar nga Ministria e Brendshme.

Sipas “FAS” bëhet fjalë për strategjinë e parë për mbrojtjen civile që pas fundit të Luftës së Ftohtë në vitin 1989. Kjo strategji u mandatua në vitin 2012 nga Bundestagu. Në konceptin e përshkruar në 69 faqe thuhet, se “nuk ka gjasa për një sulm ndaj territorit të Gjermanisë, që kërkon mbrojtjen konvencionale të vendit”. Megjithatë është e nevojshme “që të ketë një përgatitje të përshtatshme për zhvillime me kërcënim të ekzistencës, që parimisht nuk mund të përjashtohen në të ardhmen”.

Se si duhet të jenë masat e përkujdesit për rastin e katastrofave, për këtë informon “Enti Federal për Mbrojtjen e Ppopoullsisë dhe Ndihmën në raste Katastrofash (BBK). Në faqen e internetit të këtij enti ka një listë informacionesh për përkujdesin personal në rast emergjence – Checklisten zur persönlichen Notfallvorsorge – ushqime dhe ujë, artikuj higjenikë e deri tek farmacia e shtëpisë.

Masa të pamjaftueshme paraprake

Një tjetër temë e rëndësishme e këtij koncepti është edhe vetëmbrojtja e organeve shtetërore. Në rast të spostimit nga vendi i shërbimit duhet të merren masa “për të garantuar funksionimin e një autoriteti shtetëror në një vend të mbrojtur”, citon gazeta FAS. Masat e deritanishme nuk janë të mjaftueshme. Ndaj duhet që Këshilli Federal të merret me këtë çështje. (dw)

Zgjatet misioni i teleskopit Hubble

teleskopi hubbleSi funksionon teleskopi hapësinor Hubble? Në fund të fundit, ai qëndron në hapësirë. Sigurisht që janë kompjuterat që e bëjnë të mundur një gjë të tillë, por teleskopi ka nevojë edhe për një grup specialistësh në Tokë për mbarëvajtjen e tij. Korrespondentja e Zërit të Amerikës JoEllen McBride vizitoi qendrën për fluturime në hapësirë “Goddard” në qytetin Grinbelt, të shtetit të Merilendit, për të na na njohur me aktivitetet e përditshme të teleskopit Hubble.

Teleskopi Hubble na ka magjepsur me pamje të hapësirës për mbi 26 vjet. Gjithë këto vite mund ta bëjnë një satelit të vjetër, por rreth 80 inxhinierë të NASË-s po punojnë për t’i zgjatur jetën.

“Pjesë e punës sonë këtu në qendrën Goddard është të parashikojmë problemet e mundshme dhe të gjejmë mënyra për t’u kujdesur për to, në mënyrë që të fillojmë më veprimet shkencore sa më shpejt të jetë e mundur” thotë Olivia Lupie, menaxhere aktivitetesh për Hubble-in.

Astronomët nga e gjithë bota bëjnë kërkesa për imazhet e Hubble-it dhe çdo javë, teleskopit i jepet një listë komandash për të plotësuar kërkesat.

“Pjesa e vështirë është gjetja e mënyrës më të efektshme për të dhënë komandat që të përfitojmë sa më shumë të jetë e mundur nga koha e teleskopit. Nuk duam që ai të rrijë pa bërë asgjë,” thotë Merle Reinhart një inxhinier i Institutit Space Telescope Science.

Të dhënat nga teleskopi kanë bërë të mundur që astronomët të arrijnë gjëra të tilla si: të llogarisin moshën e universit, të shikojnë kometat që zhyten në retë e Jupiterit dhe të marrin imazhet e para të disqeve që krijojnë planete, rreth yjeve të rinj.

Teleskopi Hubble ende punon aq mirë sa që NASA ia zgjati misionin për 5 vjet të tjerë. Kjo do të thotë se misioni i tij do të përputhet me atë të teleskopit James Webb, i cili është planifikuar të lëshohet në hapësirë në vitin 2018.

“Teleskopët Webb dhe Hubble do të plotësojnë njëri-tjetrin. Hubble është kryesisht një teleskop optik dhe me reze ultra-violet. James Webb është një teleskop me valë infra të kuqe. Ata të dy së bashku janë shumë të fuqishëm”,thotë menaxheri i projektit për teleskopin James Webb, Malcolm Niedner.

Teleskopi James Webb tani është në fazën e montimit dhe testimit këtu në Tokë, por astronomët mezi presin të shohin se ç’mund të arrijnë të dy teleskopët së bashku. (voa)

Zbogar: Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave, pjesë të integrimeve të Kosovës

ZbogarPërfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, i tha Radios Evropa e Lirë se “paaftësia e elitës politike në Kosovë për të arritur pajtueshmëri për interesin strategjik kombëtar dhe një marrëveshje për interesat strategjike kombëtare”, e pengon procesin e integrimeve evropiane.

Ai tha se interesat politike dhe njëkohësisht luftërat politike po i zëvendësojnë interesat kombëtare. Samuel Zbogar tha se dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë “kusht për hapat e mëtejmë të Prishtinës e Beogradit në marrëdhëniet me BE-në”.

Ai tha se normalizimi i marrëdhënieve duhet të shihet si interes kombëtar në Prishtinë dhe lidershipi në vend duhet të arrijë një konsensus për rrugëtimin e mëtejmë.

Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, Samuel Zbogar, tha se përgjegjësia për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi bie mbi politikanët e Kosovës dhe shfaqi shpresën e tij se deri më 1 shtator “deputetët do të binden për ta votuar atë”.

Zbogar theksoi se demarkacioni i kufirit me Malin e Zi ishte kusht i vënë nga BE-ja që prej vitit 2012 dhe se politikanët në Kosovë kanë qenë në dijeni të tij që prej atëherë.

Samuel Zbogar, që do të lë Kosovën së shpejti, pas afro 5 vjetësh, tha se “Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund t’i imponohet asnjërës palë dhe se për këtë duhet të gjejnë zgjidhje që do të funksionojë”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Zbogar, po largoheni nga Kosova së shpejti në një detyrë të re, pas pothuaj 5 vjetësh. Bazuar në përvojën tuaj këtu, më thoni, është pjekur politikisht ajo?

Samuel Zbogar: Nëse lëmë pas problemet dhe çështjet ditore që sot kemi në Kosovë dhe e shikojmë më gjërësisht dhe po e bëj tani sepse jam këtu, atëherë mund të shihet se shumë ndryshime kanë ndodhur në Kosovë në këto vite. Mund të ketë pasur më shumë? Mbase. Por ndryshime të rëndësishme kanë ndodhur.

E para; Kosova ka ecur nga një pozitë kur s’ka pasur asnjë marrëdhënie me BE-në drejt një marrëdhënieje kontraktuale, përfshirë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, propozimin për liberalizim të vizave tani në tavolinë. Ky është një ndryshim i madh. E dyta; në fushën e sundimit të ligjit; EULEX-i është tani këtu për të kryer rastet që po vazhdojnë. Institucionet e Kosovës kanë përgjegjësinë e plotë dhe pronësinë në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Ky është ndryshim në krahasim me vitet e mëparshme.

Do të thosha se zgjedhjet e vitit 2014 ishin shumë më të mira se ato të vitit 2010 dhe vëzhguesit tanë thanë atëbotë se ky është një hap i madh për demokracinë në Kosovë. Dhe natyrisht dialogu. Ai solli një ndryshim të madh në veri. Nuk dua të hyjë në çdo gjë që ka ndryshuar dhe është arritur. Do të përmend vetëm fillimin e punimeve në renovimin e urës. Ishte gjithmonë një barrikadë simbolike ndërmjet veriut të Kosovës. Me renovimin e urës që do të hapet për trafik tani po heqim këtë pengesë të fundit dhe simbolikisht ne po sjellim ndryshim ose po e konfirmojmë ndryshimin që po ndodh përmes dialogut me integrimin e veriut të Kosovës. Do të thosha që prej përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur në vitin 2012 Kosova mori kontrollin e plotë mbi çështjet e saj dhe do të thosha se Kosova po piqet.

Radio Evropa e Lirë: Megjithëkëtë, ka probleme të theksuara. Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, mosdurimi ndërmjet opozitës dhe pozitës. Sa e pengojnë këto zhvillime procesin e integrimeve?

Samuel Zbogar: Demarkacioni dhe Asociacioni i Komunave serbe nuk e pengojnë, por janë pjesë të integrimeve të Kosovës. Janë diçka që Kosova po e bën në procesin e integrimeve evropiane. Ajo që unë mendoj se po e pengon integrimin ose po e ngadalëson atë, është gjendja socio-ekonomike, papunësia dhe gjendja ekonomike.

Mendoj se është një pengesë e madhe. Pastaj sundimi i ligjit në Kosovë apo mungesa e tij më saktësisht. E treta, do ta theksoja se është dialogu i brendshëm politik, paaftësia e elitës politike për të arritur pajtueshmëri për interesin strategjik kombëtar dhe të ulen në tavolinë për të arritur një marrëveshje për interes strategjike kombëtare. Në mungesë të kësaj, atëherë interesat politike dhe luftërat politike zëvendësojnë interesat kombëtare. Është për keqardhje dhe nuk e ndihmon Kosovën dhe njëkohësisht e pengon përparimin më të shpejtë të Kosovës në proceset integruese evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Për demarkacionin është thënë pothuaj çdo gjë. Madje edhe tryeze shkencore është mbajtur në Kuvend. Por, ka ende mospajtime që mund të ndikojnë mbi stabilitetin e vendit. Pse të mos gjendet një zgjidhje tjetër për demarkacionin me qëllim të ruajtjes së stabilitetit?

Samuel Zbogar: BE-ja nuk ka një pikëpamje të veçantë për marrëveshjen. Ne nuk i kemi studiuar hartat dhe nuk mund të japim një qëndrim për këtë. Unë jam në dijeni të disa institucioneve të pavarura që i kanë parë hartat, një komision ndërkombëtar i thirrur nga ish-presidentja. Departamenti i Shtetit ka publikuar deklaratë, pastaj disa vende anëtare të BE-së kishin ekspertët e tyre që vlerësuan çështjen, dhe mendoj se të gjithë e kanë konfirmuar se përkufizimi në marrëveshje është i njëjti ose korrespondon me atë nga Kushtetuta e vitit 1974.

Mendoj se ishte mirë që Kuvendi organizoi një tryezë të rrumbullakët, mendoj se kjo është diçka që mungonte. Pra, mungonte diskutimi për marrëveshjen dhe kjo ndodhi. Mendoj se deri në votimin e 1 shtatorit ende ka kohë dhe shpresoj se diskutimet dhe shkëmbimi i pikëpamjeve do të vazhdojë.

Njëkohësisht, shpresoj se deri më 1 shtator deputetët do të binden se është një marrëveshje e mirë për Kosovën dhe do të votojnë për të. Përgjigja përfundimtare dhe përgjegjësia iu bie politikanëve të Kosovës. Ata duhet të vendosin se si të ecin tutje. Me sa e kuptoj votimi është caktuar për 1 shtator dhe siç e thash shpresoj se deputetët do të binden deri atëherë se kjo është gjëja e drejtë për të bërë.

Radio Evropa e Lirë: Por, demarkacioni është shndërruar në kusht nga BE-ja për liberalizim vizash për Kosovën?

Samuel Zbogar: Po e saktë. Në vitin 2012 kur u pajtuam me Kosovën për hartën e rrugës që çonte drejt liberalizimit të vizave, kjo u dakordua si një kusht. U pajtuam që Kosova do të arrijë marrëveshjen për kufirin, për përkuzimin e kufirit, për demarkacionin me Malin e Zi. Po, ky është një kusht, i përshkruar edhe në raportin e dhjetorit të vitit të kaluar kur theksuam se çdo gjë është bërë nga ana e Kosovës. Ne e prezantuam një pritje se deri kur Parlamenti dhe Këshilli (Evropian) do të votojnë për këtë çështje Kosova do ta ketë ratifikuar marrëveshjen.

Radio Evropa e Lirë: Ju po më thoni se liderët politik në Kosovë, përfshirë edhe ata opozitarë, e kanë ditur se ky ishte një kusht që prej atëherë?

Samuel Zbogar: Ky është një kusht që prej vitit 2012. Pra, kishte kohë të mjaftueshme që të diskutohet dhe të negociohet marrëveshja. Ajo u negociua për një kohë të gjatë. Pra, nuk është një kusht i ri, por një kusht që ishte aty prej kohësh. Çështja e kufirit nuk është e vetmja në Ballkan. Por BE-ja, deri sa ecim nëpër procese ka edhe mësime që ka mësuar. Një prej tyre është se: për vendet kandidate, për vendet që do të hyjnë në BE, është me rëndësi të zgjidhen këto probleme, problemet e kufirit, sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse e shohim se sa shumë mund të pengojnë bashkëpunimin ndërmjet vendeve. Prandaj ne përdorim instrumenta të ndryshme në vende të ndryshme se si t’i inkurajojmë vendet ta arrijnë marrëveshjen me një vend fqinj.

Radio Evropa e Lirë: Dhe kjo nënkupton se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të përcaktojë të ardhmen evropiane të të dyja vendeve?

Samuel Zbogar: Por me siguri dhe atë shumë. E kemi bërë shumë të qartë se kapitulli 35 për Serbinë është saktësisht e dedikuar për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Dhe gjithashtu Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka një provizion që flet për nevojën që Kosova të zbatojë marrëveshjet dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë. Për ne, dialogu dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kusht për hapat e mëtejmë në marrëdhëniet tona.

Radio Evropa e Lirë: Por, a nuk ka ngecur ky dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për shkak të problemeve të brendshme që kanë të dyja vendet?

Samuel Zbogar: Kishte disa nivele të dialogut. Ishte dialogu teknik në fillim dhe pastaj erdhëm në një nivel të dialogut politik në tetor të vitit 2012, kur u desh të krijojmë kushtet që të dyja palët të ulen së bashku dhe të fillojnë të diskutojnë. Ju kujtohet se sa shumë diskutime kishte nëse do të shtrëngojnë duart, nëse do të ketë fotografi. Kështu filloi dhe ishte faza e parë. Natyrisht kishte edhe një periudhë të rëndësishme që çonte drejt Marrëveshjes së Prillit 2013. Kjo pra ishte një fazë e mundur vetëm në kuadër të strukturës së dialogut siç ishte. Kjo e nënkupton si shumë të kufizuar vetëm në kryeministra dhe në bashkëpunëtorë të tyre. Kjo ishte mënyra e vetme marrë parasysh atmosferën që mbretëronte ndërmjet dy vendeve, për të sjellë rezultate në vitin 2013.

Ne tani po e zbatojmë këtë marrëveshje dhe Asociacioni është pjesë e kësaj Marrëveshje. Tani po hyjmë në një fazë të re të dialogut kur të dyja palët duhet të reflektojnë se si duan ta zhvillojnë dialogun në të ardhmen, cilat janë çështjet që duan t’i hapin dhe ku po çon dialogu, varësisht nga njëra ose pala tjetër.

Mendoj se do të ketë nevojë që të strukturohet dialogu, përgatitjet për dialogun të bëhen ndryshe. Atë që shohim në Kosovë është një skepticizëm ndaj dialogut, gjithashtu për shkak të mungesës së transparencës në fazat e mëhershme të dialogut. Për ne që punojmë me BE-në është çështje se si t’i përfshijmë më shumë njerëz në përgatitje të dialogut. Nuk është e domosdoshme që të gjithë të ulen në tavolinë në Bruksel, por si të përfshihen nga shoqëria civile, nga opozita në përgatitje dhe pastaj sa mund të kenë mandat dhe pastaj sa mund të informohet Kuvendi, që të mos vijmë në këso situate konfliktuoze.

Më me rëndësi për pjesën e dytë të dialogut është që njerëzit këtu në Kosovë, e këtu mendoj edhe në partitë politike, se do ta shohin këtë si interes kombëtar, që në fakt edhe është. Normalizimi është interes kombëtar dhe ata duhet të ulen në tryezë e të arrijnë një pikëpamje të përbashkët, ku do të arrihej një konsensus se nga do të shkohet. Ajo që tash po ndodh është zbatimi i Marrëveshjes së Prillit.

Radio Evropa e Lirë: Ju e përmendët Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka mospajtime të thella. Asociacioni mund të krijojë tensione ndër-etnike. BE-ja ka dështuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Ndërmjet kërkesës maksimaliste të Serbisë dhe refuzimit të skajshëm nga Kosova, cilën zgjidhje mund ta ofrojë BE-ja për Asociacionin?

Samuel Zbogar: Ne gjithnjë jemi lehtësues dhe si lehtësues nuk imponojmë zgjidhje. Me gjithmonë i bëjmë bashkë të dyja palët dhe i inkurajojmë që të gjejnë zgjidhje. Rreth Asociacionit, duhet të pranojmë dy fakte: e para, të dyja palët kanë një dozë të frikës kur bëhet fjalë për Asociacionin. Pala serbe konsideron se pa Asociacionin nuk mund të ekzistojnë në Kosovë. Kurse pala e Kosovës konsideron se ky Asociacion do ta bëjë jofunksionale Kosovën. Por është fakt dhe është frikë reale, pavarësisht nëse është reale kjo është e diskutueshme. Por, fakti është se njerëzit nga të dyja palët e ndjejnë kështu. Duhet ta pranojmë, dhe të gjithë duhet ta pranojnë se tjetri ka një frikë për këtë.

Dhe fakti i dytë që duhet ta pranojmë është se zgjidhja nuk mund të imponohet. Nuk mund t’i imponohet Kosovës as serbëve. E vetmja mënyrë është që të ulen dhe të provojnë të gjejnë zgjidhje që do të funksionojë dhe do ta mbajë Kosovën funksionale dhe njëkohësisht do t’u jap garanca të caktuara serbëve që ata të ndjehen mirë dhe të integruar në shoqërinë e Kosovës. Mendoj se nuk është e lehtë, mbase është më e lehtë të thuhet kështu si e them unë se sa të negociohet, por këtu duhet të fillojmë. Ashtu siç e tha edhe Përfaqësuesja e lartë, Mogherini, në Kuvend, Gjykata Kushtetuese ka ofruar udhëzimet për ne që të arrijmë atje. Mendoj se ndoshta kështu duhet të fillojmë të ecim.

Radio Evropa e Lirë: Por, a është pra e mundshme që të gjendet zgjidhja përmes gazit lotsjellës?

Samuel Zbogar: Jo. Ne gjithnjë jemi kundër përdorimit të dhunës dhe përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvend. Ai është institucioni më i lartë demokratik. Nuk mendojmë se kjo është rruga. Në anën tjetër duhet gjithnjë të provohet të angazhohet opozita në diskutime. Askush nuk duhet të ndjehet i përjashtuar nga diskutimet dhe vendimet, por askush nuk duhet të ndjejë se kjo është mënyra e vetme se si mund të ndikojnë mbi diskutimet. Mendoj se shumë më shumë diskutime të brendshme janë të nevojshme. Kjo është mënyra se si mund të parandalohet përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët më heret çështjen e sundimit të ligjit dhe përgjegjësinë e Kosovës që ka tani. Ju keni kaluar afro 5 vjet në Kosovë, si e shihni ju këtë çështje? Disa thonë se ka perceptim për korrupsionin e tjerët flasin për një çështje reale.

Samuel Zbogar: Ka disa raste që kanë nisur të nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë. Përgjimet e fundit, mendoj se gjithashtu janë një indikacion se korrupsioni nuk është vetëm një perceptim në Kosovë. Korrupsioni, që definohet zakonisht si një shpërdorim i njerëzve të pushtetshëm, mendoj se është një problem në Kosovë. Prandaj nuk mendoj se është vetëm perceptim.

Tani, si të merremi më këtë çështje, unë mendoj se Kosova po merret me korrupsionin; kryeprokurori duket të jetë më i përkushtuar që të merret me rastet reale. Ka ligje të mira, natyrisht, dhe strategji. Përveç kësaj, janë tri gjëra që unë mund t’i përcaktoj se çfarë duhet; e para, fuqizimi i institucioneve që merren me luftimin e korrupsionit, në këtë rast gjyqësori dhe agjencia kundër korrupsionit. Kjo po ndodh tani me kryeprokurorin e shtetit, por duhet ta marrin gjithë mbështetjen dhe duhet të ndjejnë se mund ta bëjnë. Ata mund ta bëjnë, por duhe të marrin porosinë se mund dhe duhet ta bëjnë. Ky është çelësi. E dyta, ësshtë politika zero tolerancë ndaj politikanëve të korruptuar ose politikanëve nën hetime. Pra tolerancë zero. Ky do të ishte mesazhi shumë i mirë për politikanët dhe për qytetarët dhe për institucionet se kjo nuk tolerohet nga politika. E treta, na duhen shumbuj model politikanësh. Kosova po merret me lutimin e korrupsionit, ka shumë raste, por duhet të përputhen fjalët me veprime.

Radio Evropa e Lirë: Më falni, a ka mungesë vullneti të luftimit të korrupsionit në Kosovë apo ka probleme politike që nuk ka një sukses më të madh?

Samuel Zbogar: Është shumë relative të thuhet se sa i suksesshëm është dikush. Mendoj se më shumë mund të bëhet, posaçërisht në përputhjen e fjalëve me veprat dhe ndërlidhjen e tri elementeve që i përmenda. Mendoj se fuqizimi i institucioneve që ta ndjejnë se mund ta bëjnë punën është me rëndësi po aq sa edhe tolerance zero në politikë. Këto do të ishin mesazhet e drejta që do të tregonin se Kosova është serioze në përpjekjen e saj për luftimin e shpejtë dhe më të thellë të korrupsionit.

Radio Evropa e Lirë: Dhe ky është kusht për liberalizim të vizave?

Samuel Zbogar: Po, është një të cilin zakonisht e harrojmë. Të gjithë flasim për marrëveshjen me Malin e Zi, por është kushti i dytë që Kosova të vazhdojë të merret me rastet e nivelit të lartë të korrupsionit. Në dhjetor kur delegacioni erdhi nga Brukseli për të parë përmbushjen e kushteve, ishte i impresionuar me prioritizimin e rasteve të nivelit të lartë. Pritet që kjo të vazhdojë dhe gjithashtu të sjell një përfundim të rasteve.

Radio Evropa e Lirë: Nivel i lartë mendohet në Azem Sylën, apo?

Samuel Zbogar: Nivel i lartë zakonisht mendohet në njerëz në pushtet – politikanë.

Radio Evropa e Lirë: Kur do të fillojë puna me Gjykatën Speciale?

Samuel Zbogar: Kosova ka bërë çdo gjë që duhet. BE-ja gjithashtu ka miratuar Fondet për funksionimin e Gjykatës. Atë që po e presim është miratimi i marrëveshjes bilaterale me Kosovën nga Parlamenti Holandez. Presim që kjo të bëhet deri në fund të vitit dhe është në duart e Parlamentit holandez, prandaj edhe është e vështirë të parashikohet. Mendojmë se mund të ndodh deri në fund të vitit. Pastaj të gjitha do të jenë në vend dhe Dhomat Speciale do të krijohen. Pastaj i mbetet prokurorit që të ngris paditë dhe të fillojë punën. Të gjitha përgatitjet po bëhen bazuar në marrëveshjen e përkohshme të nënshkruar me Holandën dhe hyrjen në fuqi menjëherë. Tani po rekrutojmë presidentin e dhomave, listën e gjykatësve, pjesën e stafit tjetër. Të gjitha përgatitjet po bëhen dhe kjo nënkupton se kur ta kemi bazën ligjore për Gjykatën do të mund të fillojë punën.

Radio Evropa e Lirë: Së shpejti do të ikni nga Kosova. Do të merrni një detyrë të re në rajon. Çfarë ndjenjash, çfarë emocionesh keni?

Samuel Zbogar: Ndoshta më së miri do ta shpjegonte fakti se po e shikoja Majlinda Kelmendin deri sa po ndeshej dhe kur fitoi kisha lot në sytë e mi. Mendoj se kjo është ndjenja ime. Mendoj se njerëzit e Kosovës janë të mrekullueshëm dhe unë jam mirëpritur këtu. Njerëzit janë të ngrohtë, zemërgjerë dhe të hapur. Unë isha shumë i lumtur për Majlindën, për punën e saj të madhe që bëri dhe në fund iu shpagua dhe u njoh. Ajo është edhe “Evropiania e vitit” e shpallur nga Zyra jonë këtë vit, saktësisht për përkushtimin e saj dhe ajo tregon se duhet të punojmë shumë për të arritur. Nuk vjen nga qielli. Nuk mund të prisni që diçka të ndodh por duhet të punoni që të ndodh. Ajo është vërtetë një shembull model. Isha i lumtur për të dhe për Kosovën sepse mendoj se Kosova ka nevojë për lajme pozitive. Kishim aq shumë lajme të vështira dhe situate të vështira. Filluar nga gazi lotsjellës, diskutimet për demarkacionin me Malin e Zi dhe kjo çështja e Asociacionit. Ishte koha që njerëzit të marrin lajme pozitive. Zakonisht sporti dhe sukseset në sport disi bashkojnë njerëzit të paktën për pak çaste. Kjo është e mirë për kombin. (REL)

Vija e kuqe, miliona euro. BE, 4 parime për procesin e vetingut

euraliusMisioni Euralius nuk ka vendosur vija të kuqe në përkufizimet teknike për ligjin e vetingut, por disa vija të kuqe i ka hequr, kur ka vlerësuar parimet për kryerjen e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Këto parime janë 4 dhe kanë të bëjnë me afatet, institucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe rolin e bashkëpunëtorëve të drejtësisë. Nga mënyra sesi ato do të reflektohen në ligjin e vetingut, do të varen edhe fondet e Bashkimit Europian për ngritjen e strukturave të kushtetueshme të vetingut. Kjo thuhet qartë nga shefi i Misionit Euralius, kur bën vlerësimin me shkrim rreth opinionit me 55 faqe të Partisë Demokratike.

“Komisioni i Bashkimit Europian më kërkoi që të vë në dukje se këto parime janë vendimtare për angazhimin e Bashkimit Evropian në procesin e ri-vlerësimit duke mobilizuar miliona euro të fondeve të taksapaguesve të Bashkimit Europian”, thorë Rainer Deville, drejtuesi i Misionit Euralius.

Këto parime Euralius i publikoi të mërkurën në faqen e vet në “Facebook”, menjëherë pas mbledhjes së komisionit të posaçëm për drejtësinë, por postimi u hoq, pas një ankese të demokratëve pranë Komisionit Europian. Postimi i hequr vinte në dukje ndryshimin mes Misionit Euralius dhe Partisë Demokratike për mënyrën sesi duhet të përkthehen në ligj 4 parimet që procesi i vetingut të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin e publikut te drejtësia. Të njëjtin lexim i bëri edhe kryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi.

“Kjo është e ndryshme nga ajo që ka pretenduar PD-ja. Është reflektuar në qëndrimin që është mbajtur dhe besoj se edhe PD-ja do ta kuptojë që është një gjë që duhet mbajtur në këtë mënyrë në konsideratë”, shprehet Xhafaj.

Ligji i vetingut konsiderohet si ligji më i vështirë dhe me delikat i reformës në drejtësi dhe, mesa duket, ai do të vendosë në provë sërish vullnetet politike për zbatimin e reformës në drejtësi.

/ Top Channel

Thirrje për ratifikim të demarkacionit Kosovë-Mali i Zi

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës, thonë se ratifikimi i demarkacionit është një vijë me qëndrimin amerikan dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Opozita e kundërshton këtë formë të demarkacionit.

KosovaKanë mbetur edhe 10 ditë deri në ratifikimin ose jo të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që janë shtuar zërat pro dhe kundër kësaj marrëveshje. Më një shtator parlamenti i Kosovës e ka në rend ditë ratifikimin e kësaj marrëveshje, ndërkaq, partitë opozitare kanë bërë thirrje që të njëjtën ditë të protestohet brenda dhe jashtë parlamentit në mënyrë që të pengohet ratifikimi. Dy ditë pas vizitës në Kosovë të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden, i cili tha se Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin, është presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, që ju drejtua me një fjalim qytetarëve dhe deputetëve duke ju kërkuar këtyre të fundit që ta votojnë marrëveshjen.

Përgjegjësi e madhe historike

“Ditën kur do të votohet për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, ta dini që keni një përgjegjësi të madhe historike mbi supet tuaja. Ju do të keni në dorë të dëshmoni që Republika e Kosovës është një shtet serioz që iu përmbahet obligimeve ndërkombëtare. Juve ju takon të tregoni që Republika e Kosovës është shtet paqedashës, që respekton të drejtën ndërkombëtare, që synon të ndërtojë një fqinjësi të mirë dhe nuk ka pretendime territoriale kundër asnjë shteti. Çdo vonesë për ratifikim nga Parlamenti i Kosovës, e minon të ardhmen evropiane të Kosovës”, thotë në fjalën e tij, presidenti Thaçi.

Për vonesat që mund t’i shkaktohen Kosovës në integrimet e saj në rast se nuk ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi, Presidenti Thaçi përmend edhe çështjen e liberalizimit të vizave.

“I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në “zonën shengen”. Por, ky nuk është dëmi i vetëm. Ky do të ishte vetëm fillimi i dëmeve që do të pasonin. Sepse nëse dështojmë në ratifikimin e marrëveshjes, atëherë do vonohemi për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe shtyhet për një kohë të pacaktuar procesi i integrimin në NATO-s. Për më tepër, askush në botë nuk na përkrah në acarimin e raporteve me një vend fqinj që gjithnjë na ka përkrahur siç është Mali i Zi e që ka marrë ftesën të bëhet anëtar i NATO-s”, thotë presidenti Thaçi.

Vërejtje nga ekspertët ndërkombëtarë

Thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, u bëri edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Në mbledhjen e qeverisë të mbajtur me (19.08), kryeministri ju referua SHBA-së, të cilat sipas tij, kanë dhënë mendimin për këtë çështje.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se çështja e shënimit të vijës kufitare me Malin e Zi është shumë e qartë. Departamenti i Shtetit ka dhënë vlerësim se kjo vijë është në harmoni me vijën në të cilën SHBA e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, që përputhet me territorin që Kosova ka pasur si Krahinë Autonome në ish-Jugosllavi. Zëvendëspresidenti Biden ishte shumë i hapur dhe konkret lidhur me detyrimet tona për të proceduar me ratifikimin e kësaj marrëveshjeje”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri përmendi edhe vërejtjet që janë bërë nga ekspertët ndërkombëtarë për demarkacionin e që ishin se procesi nuk ka qenë transparent sa duhet.

“Vërejtjet ishin se nuk kemi bërë sa duhet për ta njoftuar opinionin me të vërtetën e kësaj çështjeje dhe se e vërteta është se insistimi i një grupi të vogël se Kosova po humb territor është krejtësisht i pavërtetë dhe i paqëndrueshëm. Se Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin për liberalizim të vizave me kërkesë që paraprakisht të ndodh shënimi i kufirit me Malin e Zi, por po ashtu u tha se as Komisioni Evropian dhe as Bashkimi Evropian nuk do të marrë vendimin, të cilin duhet ta marrin institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa. Sipas tij, Kosova nuk humb asnjë pëllëmbë tokë me Marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Lëvizja Vetëvendosje paralajmëron protesta

Por, të gjitha këto thirrje drejtuar deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, nuk duket që kanë ndonjë efekt te partitë opozitare. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, tashmë kanë qëndrim të qartë se nuk do ta votojnë marrëveshjen në këtë version, ndërsa, lëvizja Vetëvendosje, paralajmëron protesta në parlament dhe rrugë për ta penguar ratifikimin e saj. Sipas këtij subjekti politik, “demarkacioni do të ndalet edhe nëpërmjet protestave në datën 1 shtator kur pritet të diskutohet në Kuvendin e Kosovës”.

“Me 25 qershor 2015, Kuvendi pati nxjerr një rezolutë për demarkacionin që ta sjell edhe dokumentin që japin transparencë të negocimit para se nënshkruhet marrëveshja. Por, qeveria e kishte thyer rregullin dhe nuk na kishe informuar opozitën në kuvend duke e nënshkruar këtë marrëveshje të dëmshme. Nëse kjo marrëveshje kalon, është një dëm i madh ndoshta këto livadhe s’janë ma të mirat në botw, por për kosovarët janë të paçmueshme”, tha në një konferencë për media kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Por, si e interpretojnë analistët politik përfshirjen e SHBA-së në çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe masazhin për këtë çështje të zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden. Analisti Blerim Burjani, i tha DW se mesazhet e Joe Biden ishin shumë të qarta, Kosova duhet t’i kryej obligimet e saja.

Demarkacioni dhe asociacioni

“Mesazhi i Biden ishte që Kosova duhet të angazhohet seriozisht në disa tema për të cilat ende nuk ka ofruar rezultate të konsiderueshme apo argumente të një gatishmërie. Biden kërkoi ndryshime në formën e qeverisjes, në zbatimin konsekuent të drejtave qytetare. Demarkacioni dhe asociacioni mbeten tema të cilat si detyra, Kosova duhet t’ i përmbush, përderisa opozita duhet të zëvendësojë gazin lotsjellës me dialog dhe zgjidhje”.

“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të zbatohet sipas obligimeve të marra Kosovë-Mal i Zi, e nënshkruar në Vjenë vitin e kaluar, ratifikimi i kësaj marrëveshje duhet të bëhet përmes arritjes së një konsensusi, por edhe me një vetëdijesim të theksuar nga opozita dhe pozita për të tejkaluar problemet dhe zënkat politike dhe interesave të ngushta të tyre. Demarkacioni është kusht ndërkombëtar i vendosur për Kosovën. I pëlqej apo nuk i pëlqej dikujt, ky demarkim tash ka fitu përkrahjen ndërkombëtare për ata që është nënshkruar”, thotë Blerim Burjani.

Çështja e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacioni i komunave më shumicë serbe janë dy çështje të cilat tash e më shumë se një vit e kanë futur Kosovën në krizë të thellë politike ndërmjet pozitës dhe opozitës. Opozita i kundërshton këto dy marrëveshje. Kosova në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel me autoritet e Beogradit duhet ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq, ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, është kusht i venë nga Komisioni Evropian në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm pa viza. (dw)

Lamtumira e Biden – Dobësimi i influencës amerikane në Ballkan

Nën titullin „dobësimi i influencës amerikane në Ballkan“ e përditshmja zvicerane Neue Zürcher Zeitung analizon vizitën e zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden në Serbi dhe në Kosovë.

Neue Zuercher ZeitungJoseph Biden e mbylli udhëtimin e tij të fundit në Ballkan me thirrjen për të avancuar pajtimin serbo-shqiptar. Veçanërisht në Kosovë ka rënë influenca amerikane, konstaton analisti Andreas Ernst: „Në qendrën turistike të Beogradit Joseph Biden të martën bleu një palë opinga tradicionale serbe. Të mërkurën në Prishtinë ai uroi fituesen e parë kosovare të Olimpiadës, Majlinda Kelmendi. Ndërsa pasdite mori pjesë në ceremoninë në bazën amerikane Bondsteel me rastin e inagurimit të një rruge që mban emrin e djalit të tij të ndjerë.

Nuk munguan pra gjestet simbolike gjatë vizitës së lamtumriës të zëvendës presidentit amerikan Biden. Por këto gjeste nuk mundën të fshehin, se SHBA-ja ka hequr dorë nga roli i saj vendimtar i viteve nëntëdhjetë në Ballkanin Perëndimor. Janë Berlini dhe Brukseli tani që e kanë marrë në dorë skeptrin. Por edhe përfytyrimi për një rajon të paqëtuar ende nuk është bërë realitet….

Raportet serbo-amerikane janë tradicionalisht të tensionuara. Në Beograd nuk harrohet roli drejtues i Uashingtonit gjatë bombardimit të vendit më 1999 dhe mbështetja e pavarësisë së Kosovës më 2008. Megjtihatë Vuçiq përkundër opinionit publik përpiqet t’u serviret amerikanëve si një politikan bashkëpunues. Që nga fillimi i korrikut Serbia u ka ofruar strehim gjashtë ish të burgosurve të Guantanamos, të cilët SHBA-ja përpiqej prej vitesh t’i shpërndante në vende të ndryshme. ..Biden tha gjatë vizitës së tij shprehimisht, se Uashingtoni nuk ka asgjë kundër ‚marrëdhënieve tradicionalisht të mira mes Sebrisë dhe Rusisë‘. Megjithatë presidenti Tomislav Nikolic i bëri të qartë, se këto marrëdhënie janë të pathyeshme dhe as që mund të mendohet pjesëmarrja serbe në sanksionet kundër Moskës….

Pritja e Bidenit në Kosovë ishte vërtetë më e përzemërt, por edhe më problematike në aspektin ppolitik. Qëkurse para disa vitesh partia Vetëvendosje ka krijuar një lëvizje të fortë opozitare, kanë kaluar kohët, kur çdo dëshirë e Uashingtonit konsiderohej si urdhër. …

Një pjesë e madhe e opinionit është pro-amerikane dhe e ka të qartë, që pa SHBA-në nuk do të ekzistonte shteti. Por miqësia nuk është më pa kushte. Apeli i Bidenit për krijimin e Asosacionit të komunave serbe hasi nëveshin e shurdhër të opozitës….Ndryshe nga Serbia, ku në thelb nuk ka opozitë dhe alternativë ndaj Vuçqit, në Kosovë përkrahësit e procesit delikat të pajtimit qendrojnë dhe bien me udhëheqjen aktuale politike. Nëse opozita vjen në pushtet, procesi do të vieht në pikëpyetje. Këtë Bideni e di e megjithatë nuk mund të influencojë.“, shkruan gazeta zvicerane „Neue Zürcher Zeitung“. (dw)

Kush është mik, e kush armik i Rusisë?

Miqtë dhe armiqtë e Rusisë ndryshojnë gjatë historisë, varësisht nga interesat dhe momenti. Kjo më së miri mund të përshkruhet në raportet me Turqinë, por edhe me Poloninë e Amerikën, shkruan shkrimtari Viktor Jerofejev.

putinPo shkruaj nga Krimeja, ku kam ardhur për shkaqe familjare. Krimeja tani njihet në mbarë botën. Rrugëve të Krimesë shihen të afishuara shumë postera të Putinit dhe thëniet e tij. Putini duket i menduar në fotografi, një lider karizmatik. Si një njeri miqësor dhe i sjellshëm. E shikoj dhe mendoj – si është e mundur? A thua nuk e ka humbur për shkak të marrjes së Krimesë nga Rusia mbështetjen e pjesës më të madhe të Perëndimit.

Pse?

Apo dhe shembulli i fundit me Turqinë. Turistët rusë, të cilët vërshonin drejt Turqisë, e kanë bojkotuar këtë vend për shkak të rrëzimit të një avioni rus në Turqi. Kjo rezultoi me një – tragjedi. Turqia u shndërrua në një armik të përbetuar të Rusisë dhe ne (rusët) filluan t’i kujtojmë krimet turke gjatë historisë. Turqit filluan të trajtohen, në vend të ukrainasve dhe amerikanëve, si armiku kryesor. Por kjo tani ndryshon me vetëm një takim të Putinit me Erdoganin. Nga kjo rezulton se miqtë dhe armiqtë për Rusinë janë vetëm me kusht, siç është i kushtëzuar edhe morali rus, gjë që e ka nënvizuar edhe shkrimtari i njohur rus Gajto Gazdanov. Miku dhe armiku me një fytyrë – kjo është shumë komode. “Të falënderoj për të djeshmen, por edhe për të sotmen”, shkruanin dikur gazetat në kohën e “terrorit të madh” të regjimit të Stalinit, kur janë ekzekutuar dhe eliminuar edhe bolshevikët e vjetër. Kjo ishte një traditë e manipulimit me miq dhe armiq.

Por Rusia as para themelimit të Bashkimit Sovjetik nuk ka pasur miq të sigurtë. Për shembull Franca. Ajo ka qenë armike, mike, e pastaj sërish armike dhe mike. Pikërisht si tani Turqia.

Pse Rusia nuk i beson askujt?

Kjo është kështu për shkak të besimit të ndryshëm nga vendet perëndimore. Rusia në shpirt është një shtet mesian. Ka një mision të Zotit.

Çfarë misioni?

Nuk është me rëndësi. Misione të ndryshme. Pak luftonte në revolucione të ndryshme evrpiane (në shekullin 19-të). Pak është edhe vet revolucionare, por shumë shpesh futet në ujërat e absolutizmit, si në kohën e Stalinit, por edhe tani kur koha e sundimit absolut kaherë ka dalë jashtë mode në Perëndim. Rusia e konsideron veten si diçka të veçantë, por kjo nuk i ndihmon të jetë e lumtur. Në këtë vend nuk ka pasur kurrë një jetë të lumtur, sepse Rusia nuk ka mundur kurrë të jetë një vend normal si të gjitha vendet e tjera. Po të ishte si vendet tjera, çështja e Krimesë nuk do të zhvillohej në këtë mënyrë.

Rusia megjithatë ka diçka të veçantë. Ajo mendon se është më e mirë se të tjerët.

Po cilat janë dëshmitë e saj?

Dëshmitë i gjen tek ana shpirtërore, dhe të gjithë ata që nuk e pranojnë këtë janë – armiq të saj. Por këtë nuk po e pranon askush! Disa nuk duan, si polakët, e të tjerët nuk i shohin këto vlera. Por ka dhe të tillë që nuk i kërkojnë fare këto dëshmi ruse dhe i bëjnë thirrje asaj që të jetë më e ngjashme me vendet e tjera!

Por Rusia nuk do të jetë e ngjashme me Kinën, Amerikën dhe vendet e tjera.

Amerika tani llogaritet si armiku kryesor. Kina llogaritet si mike, ndonëse Kina as vet nuk e di pse. Po kur do të bëhet një rokadë? Nuk e di askush, por edhe kjo është e mundur.

Mua në Krime më kanë thënë dje se portretet e Putinit janë vënë me urdhër sekret nga Amerika. Si? Po, sepse portretet ngacmojnë! Kë ngacmojnë? Mbeta me sy hapur.

Mendova: nëse Rusia vërtetë është një vend i veçantë, atëherë nuk duhet t’i nënshtrohet logjikës armiqësore. Mendimi i saj duhet të lirohet nga logjika e armiqësive. Rusia është aq e fuqishme sa të lirohet nga kjo.

Por me rëndësi është të zgjidhet – armiku kryesor. Dikur ka qenë Polonia. Pas Luftës së Dytë Botërore ishte Gjermania Perëndimore. Pushtetmbajtësit sovjetikë e akuzonin për revanshizëm. Populli besonte. Sipas këtij besimi, pikërisht Gjermania e ka bashkuar Evropën – që është një akt i tmerrshëm për Rusinë.

Ndërsa tani armiku kryesor është – Amerika. Populli e beson edhe këtë.

Po e vërteta?

Populli rus i beson pushtetit të vet. Shumë i beson. E voton, por nuk dihet nëse i beson deri në fund. Ajo që është e sigurt – pushteti nuk i beson popullit. Ndaj edhe armiqtë dhe miqtë ndryshojnë, dhe me ta frikësohet populli. Por ndonjëherë shpërthejnë edhe luftëra – e populli është ai që derdh gjak. (dw)

Bolt fiton medaljen e tretë të artë në Olimpiket e Rios

BoltVrapuesi xhamaikian Usain Bolt siguroi një medalje tjetër të artë olimpike, duke fituar garën prej 200 metrash, që ai thotë se do të jetë e fundit në këtë distancë që ai bën në Lojrat Verore.

Koha prej 19.78 sekondash që atij iu desh të përshkonte 200 metrat në Rio, ishte më shumë se gjysmë sekonde më e gjatë sesa rekordi i vendosur prej tij, por gjithsesi afro një çerek sekonde përpara Andre De Grasse-t nga Kanadaja që doli në vend të dytë.

Pas garës, Bolt tha se ishte i kënaqur me medaljan e artë, por se do të kishte dashur të vraponte më shpejt.

Bolt ka fituar deri tani tre medalje të arta në këto lojra. Sot ai synon fitoren e tretë radhaz në stafetën 4X100 me ekipin e tij nga Xhamaika.

Po të enjten, amerikani Ashton Eaton mbrojti titullin e tij olimpik në dekathlon, duke lënë pas francezin Kevin Mayer. Eaton mban rekordin botëror për këtë garë që është vendimtare për të përcaktuar atletin më të mire të botës në të gjitha disiplinat.

Amerikanët fituan tre medalje të tjera në atletikë. Delilah Muhammad u bë e para atlete femër amerikane që fiton garën 400 metra me pengesa. Kerron Clement fitoi garën 400 metra me pengesa për meshkuj dhe Ryan Crouser vendosi një rekord olimpik në hedhje gjyleje për meshkuj me një distance prej 22.52 metrash.

Jordania fitoi një medalje për herë të pare një medalje olimpike me Ahmad Abughaushin në taekwondo në kategorinë 68 kilogramë. (voa)

OKB pranon rolin e saj në epideminë e kolerës në Haiti

koleraPër herë të parë që nga shpërthimi i epidemisë vdekjeprurëse të kolerës në Haiti në vitin 2010, Kombet e Bashkuara pranuan se trupat e saj paqeruajtëse luajtën një rol të rëndësishëm në përhaqjen e sëmundjes që vrau gati 10 mijë njerëz, dhe infektoi qindra mijëra të tjerë.

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon tha se Kombet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për të adresuar epideminë e kolerës në Haiti dhe premtoi masa të reja për t’ju përgjigjur krizës, ndoshta në dy muaj ose më shpejt.

Haitianët janë munduar të ndjekin penalisht Kombet e Bashkuara për rolin në krijimin e epidemisë, por OKB-ja ka ushtruar të drejtën e imunitetit diplomatik.

Të enjten në mbrëmje, një gjykatë amerikane e apelit mbështeti pretendimin e OKB-së për imunitet.

Zhvillimet e së enjtes vijnë 10 ditë pas përfundimit të një raporti konfidencial që thuhet se ka kritikuar ashpër përfshirjen e OKB-së në krizë.