Lëvizja qytetare EcoGuerilla përmes një videomateriale denoncon mashtrimet e Qeverisë për mosparandalimin e ndotjes masive mbi Tetovë, nga ndotësi kryesor EcoGuerilla.
Arkivi mujor: Tetor 2016
20 ushqimet që duhet t’i hani dhe t’iu shmangeni kur e keni stomakun e zbrazet
Jogurti, kafja dhe lëngu i freskët i portokallit – kjo është ajo çfarë shumica e njerëzve e imagjinojnë kur të mendojnë për mëngjesin e përkryer.
Fatkeqësisht, vetëm pak njerëz janë të vetëdijshëm se disa ushqime nuk janë të mira për njeriun kur konsumohen në stomak të zbrazur, transmeton Express.
Bright Side e ka krijuar një listë të thjesht me ushqimet që duhet të konsumohen dhe të mos konsumohen në mëngjes.
Rama: Himara njihet dhe është veç shqiptare
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar tërthorazi një mesazh të fortë Greqisë që të qëndrojë larg deklaratave në lidhje me pronat në Himarë.
Postimi i plotë i Kryeministrit:
Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, “…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare”), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit, i cili më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.
Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE.
/ Top Channel
Athina kërcënon integrimin në BE: Mos prishni shtëpitë e minoritarëve grekë në Himarë
Në një deklaratë për shtyp publikuar në faqen e saj zyrtare Ministria e Jashtme greke thekson se ndjek me shqetësim të veçantë ngjarjet që zhvillohen në Himarë ku 19 familje të minoritetit grek janë paralajmëruar se kanë afat vetëm 5 ditë për t’u larguar nga shtëpitë e tyre të cilat do të shemben.
Është e papranueshme thuhet në deklaratë që kryebashkiaku Goro ka firmosur fletë-lajmërimet të cilat u janë dorëzuar pronarëve të shtëpive pikërisht në ditën e festës kombëtare të Greqisë.
Ministria e Jashtme greke thekson se organet shqiptare duhet të anulojnë menjëherë shembjen e këtyre shtëpive dhe të bashkëpunojnë me pronarët e tyre për restaurimin e Himarës.
“Mbrojtja e të drejtave të pronës si dhe të drejtave të minoritetit përbën një pjesë e pandarë e pesë kushteve që ka vendosur BE për fillimin e negociatave integruese të Shqipërisë në familjen europiane”, vazhdon më tej deklarata.
“Ndaj nëse Shqipëria dëshiron sinqerisht të integrohet në BE do të duhet të provojë me vepra se funksionon si shtet i së drejtës duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e gjithë banorëve të saj pavarësisht prejardhjes së tyre kombëtare”, thuhet në deklaratë.
Duke përfunduar deklaratën, Ministria e Jashtme thekson se Ambasada greke në Tiranë ndjek vazhdimisht gjendjen dhe ndodhet gjithnjë përkrah minoritarëve ndërsa ka njoftuar edhe organet përkatëse shqiptare në nivel të lartë dhe organizmat ndërkombëtare si dhe përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar.
/ Top Channel
Edhe një goditje kundër lirisë së shtypit në Turqi
Edhe shefi i gazetës kritike ndaj qeverisë turke “Cumhuriyet” është në shënjestër të krerëve të Turqisë. Murat Sabuncu është arrestuar në banesën e tij. Paraardhësi i tij Dündar jeton sot në emigracion.Edhe një goditje kundër lirisë së shtypit në Turqi
Hetuesit kërkojnë ndërkohë edhe kryetarin e bordit të gazetës Akin Atalay dhe autorin Güray Öz, njofton agjencia e lajmeve Anadolu. Televizioni CNN Türk njofton se janë lëshuar 13 fletëarreste kundër bashkëpunëtorëve të gazetës. Prokuroria në Stamboll e akuzon drejtorinë e gazetës për vepra penale, në shërbim të Partisë Popullore Kurde PKK dhe lëvizjes së predikuesit Fethullah Gülen, njofton agjencia DHA.
Para një viti autoritetet turke arrestuan kryeredaktorin e mëparshëm “Cumhuriyet” Can Dündar dhe kolegun e tij Erdem Gül. Në maj ata u dënuan me heqje shumëvjeçare lirie nën akuzat për publikimin e një artikulli për armatosjen nga shërbimet sekrete turke të xhihadistëve të Shtetit Islam (IS) në Siri. Ata janë në liri deri në shpalljen e vendimit të plotfuqishëm.
Burg apo azil
Dündar ndërkohë ka ikur nga Turqia në Gjermani. Javën e kaluar ai i bëri thirrje krerëve të Parlamentit Evropian dhe krerëve të shteteve anëtare të BE-së, që të mos heshtin lidhur me përndjekjet e gazetarëve dhe opozitarëve në Turqi. Prej shtatorit po zhvillohet edhe një proces tjetër kundër Dündarit dhe Gülit, nën akuzat për ndërlidhje me Gülenin, i cili konsiderohet përgjegjës për grusht shteti më 15 korrik. Procesi do të vazhdojë në nëntor.
Pas përpjekjeve për grusht shteti, presidenti Recep Tayyip Erdogan shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Autoritetet po përndjekin në mënyrë masive simpatizantët e Gülenit. Më shumë se 35.000 vetë janë arrestuar ndërkohë. Dhjetëra mijëra anëtarë të forcave të sigurisë, drejtësisë, mediave dhe arsimit janë dëbuar nga pua. Në fushatën më të fundit të dëbimeve u pushuan nga puna10.000 nëpunës.
Pa liri të shtypit
Gazeta “Cumhuriyet” është themeluar më 1924 dhe llogaritet ndër të paktat që kanë ruajtur qëndrime kritike ndaj autoriteteve në Turqi. Bartësit e çmimit Nobel alternativ janë shpërblyer për gazetari të guximshme investigative, për angazhimin për lirinë e mediave si dhe për kundërshtimin e shtypjes, censurës, arrestimeve dhe kërcënimeve me vrasje. Autoritetet i kanë mbyllur shumë media që pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Turqia ka ndërkohë një imazh shumë të keq për respektimin e lirisë së mediave. Në listën e Reporterëve pa Kufij, Turqia është në vendin e 151 nga 180 vendet, ku vlerësohet liria e shtypit.
bc/rb/SC (afp, ap, dpa)
FAZ: Futbollistët e Kosovës dhe joshja shqiptaromadhe
Përse vendimet e Gjykatës së Sportit në Zvicër mund të rrezikojnë stabilitetin në Ballkan? Në Gjykatën Ndërkombëtare të Sportit të Luzanë me nismën e Serbisë zhvillohet seanca dëgjimore mbi pranimin e Kosovës në UEFA.
Këtë të hënë (31.10) në Zvicër nis procedura për marrjen e vendimit më të rëndësishëm politik të vitit për Ballkanin. Federata serbe e Futbollit me ankimimin e saj pranë Gjykatës Ndërkoimbëtare të Sportit në Luzanë kërkon që të kthehet vendimi i marrë në mars në Kongresin e UEFA-s në Budapest për pranimin e Kosovës. Sebria argumenton, që në Budapest janë shkelur statutet e UEFA-s, sepse sipas tyre një federatë futbolli mund të bëhet anëtare, vetëm nëse vendi përkatës është anëtar i OKB-së. Nëse gjykata i jep të drejtë Serbisë, Kosovës do t’i duhej të tërhiqej edhe nga FIFA, ku mund të jenë anëtar vetëm federatat, të cilat janë pranuar edhe në UEFA. Duke komentuar këtë proces gazeta e përditshme gjermane „Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) vë theksin tek çështja e tendencave për bashkim ndër shqiptarët. Sepse pikërisht për të shmangur rrezikun e ndryshimit të kufijve në kushtetutën e Kosovës bazuar në planin e Martti Ahtisaarit është përcaktuar përdorimi i simboleve si flamuri i Kosovës e ajo ai i Shqipërisë për krijimin e një identiteti kosovar. E sporti është një nga fushat, ku preferohen veçanërisht simbolet kombëtare. Ishte sinjifikative, që fituesja e medaljes së artë në Lojërat Olimpike në xhudo Majlinda Kelmendi u brohorit në Prishtinë me flamurin e Kosovës dhe jo me atë të Shqipërisë. „Për sportistët kosovar deri më tani Shqipëria ka qenë pika e referimit që u ka hapur atyre rrugën drejt suksesit. Ndaj prej vitesh një qëllim i rëndësishëm politik i qeverive në Kosovë dhe i përkrahësve ndërkombëtar perëndimorë ka qenë pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Sporti më popullor i njerëzimit, kështu gjykohet, ngre peshë emocionet e milionave në Ballkan e kësisoj mund të kontribuojë edhe për forcimin e një identiteti kosovar. Eshtë e mundur që juridikisht Serbia të ketë sukses në Luzanë, sepse argumentat ligjore janë të forta. Serbia përpiqet edhe në fusha të tjera të mbrohet me sukses kundejt pavarësimit të mëtejshëm kosovar. Beogradi pengon edhe një prefiks të vetin telefonik të Kosovës, inicialin e saj në internet si dhe pranimin në UNESCO. Lista është e pafundme. Nëse qeveria serbe tani do të ketë sukses edhe në Luzanë, me këtë ajo do të bëjë edhe një hap më tej për ta hedhur më shumë ish-provincën e vet në krahët e Shqipërisë”, shkruan FAZ. (dw)
UNICEF: 1 në 7 fëmijë i ekspozuar ndaj ndotjes
Sipas një raporti të ri të publikuar sot nga UNICEF-i, një në shtatë fëmijë të botës është i ekspozuar ndaj një mjedisi të ndotur, në nivel rreth 6 herë më të lartë se standartet ndërkombëtare të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Raporti u publikur një javë para konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike që mbahet në Marrakesh të Marokut.
Sipas raportit, rreth 2 miliardë fëmijë jetojnë në rajone ku niveli i ndotjes në mjedisin e jashtëm e tejkalon shifrën e përcaktuar në udhëzuesin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë: 620 milionë prej këtyre fëmijëve jetojnë në Azinë Jugore, 520 milionë në Afrikë dhe 450 milionë në rajonin e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
UNICEF-i thotë se do t’i kërkojë vendeve pjesëmarrëse në Konferencën e Klimës të marrin masa urgjente për t’i mbrojtur fëmijët nga ndotja, përfshirë masat për pakësimin e nivelit të ndotjes, shtimin e mundësive që fëmijët të kenë sigurim shëndetësor, pakësimin e ekspozimit të tyre ndaj ndotjes dhe vënien në zbatim të matësve më të mirë të ndotjes. (voa)
Restaurimi i fanarëve
Për shekuj me radhë, fanarët drejtuan anijet në mënyrë të sigurtë përmes shkëmbinjsh nënujorë dhe korridoreve shkëmbore për në porte. Por përparimet teknologjike të lundrimit si radarët dhe sistemet e pozicionimit global satelitor, i kanë nxjerrë ata jashtë përdorimit. Qindra prej këtyre ndërtesave të shtrira përgjatë brigjeve amerikane u braktisën, u rrënuan ose u shkatërruan. Në rajonin e Liqeneve të Mëdhenj, njerëz të devotshëm po përpiqen të ruajnë këto objekte të bukura arkitektonike.
Ka gjithnjë diçka speciale që lidhet me fanarët.
Ata janë të gjithë ndryshe, kështu që ruajtja e tyre është si të ndërtosh një koleksion. Dhe si të gjitha objektet historike, të ngjallin nostalgji.
“Ky fanar më lidh me gjyshërit. Këtu gjej rrënjët e mia”, thotë John Scripp, vullnetar.
Fanari North Point në Liqenin Michigan të Milluakit është restauruar plotësisht dhe është hapur për publikun.
“Ai u ndërtua në vitin 1854, dhe drita u ndez në vitin 1855.”
Por fanarët e ndërtuar në zona të largëta provuan se janë shumë më të vështirë të restaurohen dhe kërkojnë burime të mëdha.
Fanari Austin Reef në Liqenin Huron u braktis në vitet 1950. Vetëm një dritë automatike e tij punonte. Në vitin 2011, qeveria lejoi vullnetarët lokalë ta restauronin dhe ajo që dukej një punë dy vjecare, u kthye në një projekt që zgjati dekada të tëra.
“Nuk menduam më shumë sesa një ose dy vjet punë për të gjitha projektet që kishim. Dhe ja ku jemi këtu edhe 30 vite më pas”, thotë Marv Kuziel.
Në fillim të viteve 2000, shumica e fanarëve në Shtetet e Bashkuara ishin drejt rrënimit. Qeveria i hodhi në ankand ose thjesht i fali më shumë se 100 të tilla përgjatë Liqeneve të Mëdhenj.
Entuziastët u hodhën në veprim edhe pse e dinin se detyra ishte e vështirë.
“Erdhëm këtu dhe shumica e dhomave, sidomos në katet e poshtme, kishin ndoshta 80 centimetra jashtëqitje zogjsh që na u desh ta hiqnim me lopata. ”
Puna u bë më e lehtë kur u përfshinë autoritetet lokale. Kohët e fundit bashkia Port Washington, në Liqenin Michigan, u bë pronare e një fanari 81 vjecar.
“Ishte vendimi i duhur. Njerëzit donin që fanari të ishte në pronësi të një kompanie lokale,” thotë Tom Mlada, kryetar i bashkisë së Port Uashingtonit.
Qyteti ka në plan të fillojë mbledhjen e donacioneve për një projekt 1.5 milionë dollarë, ndërsa banorët mezi presin të fillojë restaurimi i strukturës së vjetër në fundin e skelës. (voa)
Tërmet në Itali
Italia qendrore është tronditur nga një tjetër tërmet i fuqishëm; i fundit që nga tërmeti vdekjeprurës i gushtit.
Autoriteti italian për mbrojtjen e qytetarëve tha se tërmeti me magnitude 6.6 të djelën në mëngjes rrëzoi ndërtesa në një numër vendesh në zonë. Ka njoftime për plagosje të lehta.
Pjesa më e madhe e bazilikës së Shën Benediktit, ndërtuar në shekullin e 14-të në qytetin Norcia, u shemb duke mbetur vetëm fasada e saj. Murgjit benediktë u lutën para rënojave.
Michele Franchi, zëvendës kryetari i bashkisë së Arquata del Trontos, i tha televizionit RAI se “tërmeti ka goditur objektet që kishin mbetur në këmbë dhe se duhet të fillojmë çdo gjë nga fillimi.”
Tronditjet e tërmetit të së djelës u ndjenë deri në Bozano në veri, pranë kufirit austriak dhe deri në rajonin e Pulias në jug.
Epiqendra e tërmetit ishte gjashtë kilometra në very të Norcias, dhe u ndje në Romë – 117 kilometra larg.
Rajoni është tronditur nga pasgoditje që nga tërmeti i gushtit që vrau gati 300 njerëz. Pasgoditje të fuqishme pati në rajon të mërkurën. (voa)
Tre astronautë u kthyen nga Stacioni Ndërkombëtar i Hapësirës
Tre astronautë u kthyen në Tokë, pas një mision 115-ditor në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës, ku amerikania Kate Rubins u bë personi i parë që realizoi sekuencën e ADN-së në hapësirë.
Astronautja Kate Rubins, së bashku me astronautin japonez Takuya Onishi dhe astronautin rus Anatoli Ivanishin mbërritën të dielën në mëngjes me kapsulën e tyre në afërsi të Dzhezkazganit në Azinë Qendrore. Më pas ata u dërguan në një klinikë mjekësore aty pranë për ekzaminim.
Gjatë misionit, astronautja e NASA-s Rubins renditi me sukses mostra të ADN-së së miut, virusit dhe baktereve, ndërsa shkencëtarët në Tokë në të njëjtën kohë renditen mostra identike. Agjencia amerikane e hapësirës thotë se eksperimenti mund të ndihmojë në identifikimin e mikrobeve të mundshme të rrezikshme në stacionin e hapësirës dhe për të diagnostikuar sëmundjet në hapësirë.
Në bordin e stacionit ndërkombëtar të hapësirës tashmë ndodhen kozmonautët rusë Andrei Borisenko dhe Sergey Ryzhykov, së bashku me astronautin amerikan Robert Shane Kimbrough. Të tre mbërritën atje më 22 tetor. (voa)