Energjia e rinovueshme dhe panelet diellore

energjia-me-ereTeksasi që njihet për prodhimin e naftës, është bërë një shtet udhëheqës në prodhimin dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme, dhe kryesisht energjinë e prodhuar nga era. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Greg Flakus nga Hjustoni, edhe prodhimi i energjisë nga panelet diellore po rritet me shpejtësi në Teksas, i nxitur nga numri i konsiderueshëm i ditëve me diell dhe rënia e çmimit të paneleve diellore gjatë viteve të fundit. Siç na njeh materiali në vazhdim, ekonomia po e tejkalon politikën kur është fjala për këtë çështje.

Në prill të këtij viti, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vizitoi qendrën kërkimore për energjinë diellore në Universitetin e Teksasit në Austin. Ai foli për përfitimet mjedisore dhe ekonomike të prodhimit të energjisë diellore.

“Miliona vende pune do të krijohen nga ndërtimi, mirëmbajtja dhe menaxhimi i këtyre objekteve të prodhimit të energjisë.”

Republikanët konservatorë, të cilët kontrollojnë qeverinë e këtij shteti, janë skeptikë ndaj ndryshimeve klimatike, kështu që mbështetja e tyre për energjinë e rinovueshme është thjeshtë për arsye ekonomike.

Shteti ka investuar në linjat e tensionit të lartë dhe infrastrukturë për të sjellë energji elektrike me kosto të ulët nga turbinat me erë në zonat e largëta tek qendrat e mëdha urbane.

“Gjatë 5 apo 10 viteve të ardhshme, do të ketë më shumë investime në rrjet dhe kjo do të lehtësojë më shumë prodhimin e energjisë diellore.”

Andy Bowman është president i kompanisë “Pioneer Green Energy”, që merret kryesisht me prodhimin e energjisë nga era, por tani ka filluar projekte për prodhimin e energjisë diellore.

“Shumë kompani të prodhimit të energjisë nga era kanë filluar të merren edhe me prodhimin e energjisë diellore për shkak të kostos së saj të ulët. Është mjaft konkurruese jo vetëm ndaj energjisë së prodhuar nga era por edhe ndaj asaj të pordhuar nga karburantet.”

Jennifer Ronk, një eksperte e energjisë së rinovueshme në Qendrën e Studimeve të Avancuara të Hjustonit, thotë se është e logjikshme që kompanitë të merren si me prodhimin e energjisë nga era dhe nga dielli.

“Gjatë natës ka më shumë erëra dhe përdoret më pak elektricitet. Prandaj, instalimi i paneleve diellore, që natyrisht prodhojnë më shumë energji gjatë ditës, balancon sistemin e prodhimit të energjisë.”

Ajo thekson nevojën e prodhimi të baterive më të fuqishme dhe gjetjen e mënyrave të tjera të ruajtjes së energjisë së tepërt, në mënyrë që ajo të mund të përdoret kur është më e nevojshme.

“Po bëhen shumë hulumtime dhe ka shumë zhvillime në këtë drejtim. Do të jetë shumë interesante të shohim se çfarë do të ndodh gjatë viteve të ardhëshme.”

Ajo thotë se përdorimi i qymyrit ka gjasa të pakësohet më tej në vitet e ardhshme në Teksas dhe gjetkë, kryesisht për shkak të çmimit të ulët të gazit natyror, jo për shkak të energjisë dillore apo asaj të prodhuar nga era.

” Bota nuk do të mbyll të gjitha centralet elektrike dhe të operojë çdo gjë nga elektriciteti i përftuar nga energjia diellore. Ky nuk është orientimi ynë afatgjatë. Ka një kombinim të zgjidhjeve të ndryshme që do të sjellin një rezultat të mirë.”

Ajo thotë se edhe reaktorët bërthamorë modern mund të prodhojnë energji të pastër, por kostoja dhe frika e publikut nga aksidentet shkatërrimtare kanë pakësuar kërkesat për këtë burim të energjisë së pastër. (voa)

Kritika ndaj debatit dhe rezolutës së Kuvendit të Kosovës kundër dënimit të ish-komandantëve të UÇK-së

Bashkimi Evropian dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë, thonë se debati dhe rezoluta e parlamentit për vendimet e gjykatave, shënon ndërhyrje të politikës në sistemin e drejtësisë.

uckKuvendi i Kosovës me një seancë të jashtëzakonshme në mbrojtje të siç thuhet, “vlerave të luftës së UÇK-së”,  zotohet që brenda gjashtë muajve do ta miratojë ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim. Seanca e jashtëzakonshme që zgjati për dy ditë radhazi dhe rezoluta e nxjerrë nga kjo seancë, u inicua nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit nga Gjykata e Apelit të  dënimit ndaj disa ish-komandantëve të UÇK-së, të njohur në rastin  “Drenica 1 dhe 2”. Në këtë rast u dënuan për krime lufte,  një ish-ambasador, një deputet, një kryetar komune dhe disa ish pjesëtarë të UÇK-së. Ky proces gjyqësor dhe një tjetër që tashmë është në proces ”Drenica 1”,  me po të njëjtit emra, udhëhiqen nga gjykatës të misionit EULEX.

Kritika ndaj debatit dhe rezolutës

Në rezolutën e kuvendit të Kosovës, e cila  jo pak u kritikua nga analistët dhe debate që u zhvillua për këtë çështje, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtarë për sjelljen e lirisë dhe në këtë drejtim duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Edhe në rastin e dënimit të grupit Drenica, u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve e pushtetit publik dhe sidomos gjykatave që t’i kushtojnë kujdes esencës së të drejtës që kufizohet, rëndësisë së qëllimit të kufizimit, natyrës dhe vëllimit të kufizimit, raportit midis kufizimit dhe qëllimit që synohet të arrihet, si dhe ta shqyrtojë mundësinë e arritjes së atij qëllimi me kufizim më të vogël”, thuhet në rezolutë.

Ndarja e pushteteve mes gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit

Përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, thanë  për mediet lokale se deputetët duhet ta dinë ndarjen e pushteteve dhe nuk duhet të përzihen në vendimet e gjykatave.

“Në një demokraci, parlamenti është vendi për debat politik rreth çështjeve kryesore në interes të njerëzve. Ky debat megjithatë duhet të bëhet gjithmonë në respekt të plotë të ndarjes së pushtetit të gjyqësorit, ekzekutivit dhe legjislativit, si themele të demokracisë. Zyrtarët e zgjedhur dhe autoritetet publike, përfshirë edhe deputetët, duhet që megjithatë të përmbahen nga thirrjet që vënë në pikëpyetje vendimet e gjykatës pasi që zbatimi i sundimit të ligjit kërkon respektim të pakusht të vendimeve të gjykatës dhe ndarjes së pushteteve”, citojnë mediet lokale deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Edhe analistët politikë dhe njohësit e çështjeve të drejtësisë, thonë se është gabim që kuvendi i Kosovës diskuton vendimet e gjykatave, për më shumë vendime këto  që merren nga gjykatës të misionit EULEX, mision ky që është ftuar nga vetë parlamenti i Kosovës.

Debati në parlament bie ndesh me kushtetutën e Kosovës

Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Blerim Burjani,  i tha DW-së, se debati në parlament për vendimet e gjykatave bie ndesh me kushtetutën e Kosovës, e cila e përcakton qartë ndarjen e pushtetit.

“Në aspektin e brendshëm i bëhet dëm drejtësisë dhe zgjidhjes së rasteve në mënyrë të pavarur dhe profesionale pa marrë parasysh se cili është epilogu i gjykimit, kjo seancë është ne kundërshtim me vlerat dhe parimet që ka kushtetuta e shtetit, kjo i bjen që shteti beson në demokracinë kushtetuese që buron nga populli dhe ekzekutivi i shtetit qeveria po u dashka me u marr me këtë temë. Padrejtësia dhe drejtësia zbardhet përmes fakteve jo përmes politikës”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës  dhe për këtë fakt nëse politika pretendon që ka shkelje të drejtave të njeriut  si pretendon “në rastin e ish-komandantëve të UÇK-së”, atëherë, mund ta bëjë kërkesën për monitorim të gjykimeve nga organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Gjykata speciale e cila do të gjykojë për krimet e mundshme të bëra nga ish pjesëtarët e UÇK-së, tashmë është në përfundim të konsolidimit të saj me staf. Selia e gjykatës speciale tashmë është vendosur në Holandë dhe të dënuarit e saj të mundshëm, dënimin do ta  vuajnë po ashtu jashtë Kosovës, në vende të ndryshme të BE-së. (dw)

Vettingu mbërrin në Venecia, Kushtetuesja e përktheu ligjin me urgjencë

vettinguLigji i Vettingut ka mbërritur në Komisionin e Venecias. Gjykata Kushtetuese nuk e vonoi procesin  e përkthimit dhe ia arriti të realizojë dërgimin në Venecia të ligjit të përkthyer brenda tre diteve nga marrja e vendimit për pezullimin e tij, duke përmbushur edhe pritshmërinë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian për ta referuar çështjen pa vonesë në komisionin e Venecias.

Kryetari i Gjykates Kushtetuese, Bashkim Dedja konfirmoi për Top Channel se materiali është dërguar të premten pasdite bashkë me pyetjet përkatëse, të cilat reflektojnë dilemat e gjyqtarëve që morën vendimin e pezullimit.

Pyetjet kanë të bëjnë me përmbushjen nga ligji i Vettingut të standardeve të Konventes Europiane për të Drejtat e Njeriut. Veçanërisht në dy nene të tij, ato që përcaktojnë të drejtën për një proces të drejtë gjyqësor dhe të drejtën për të respektuar jetën private dhe familjare.

Ligji i Vettingut detyron kontrollin e telefonit, mesazheve dhe çdo komunikimi tjetër të personave që do të punojnë në organet e reja të Vettingut dhe të disa organeve të tjera të drejtësisë, kryesisht atyre të spakut. Hera e fundit që Gjykata Kushtetuese iu drejtua Komisionit të Venecias ishte marrja e opinionit për ligjin e pronave në fund të qershorit.

Kthimi i përgjigjes zgjati pothuajse 4 muaj, por besohet se me ligjin e Vettingut koha mund të shkurtohet ndjeshëm. Të pakten dy burime konfirmuan për Top Channel se Komisioni i Venecias nuk do ta  vonojë përgjigjen dhe do ta trajtojë me prioritet çështjen e mbërritur nga Shqipëria, duke qënë se ky është një ligj që ka pezulluar të gjithë zbatimin e reformës në drejtësi.

/ Top Channel

Parlamenti i Kosovës me rezolutë për vlerat e UÇK-së

parlamentiParlamenti i Kosovës miratoi të premten një rezolutë për mbrojtjen e “vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, pas një debati që gjatë tërë ditës së enjte i përshkua me polemika të ashpra ndërmjet deputetëve, kryesisht atyre të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

Debati pasoi vërtetimin e dënimit për krime lufte të 10 ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të cilët në mars të vitit të kaluar u dënuan me gjithsej 65 vjet heqje lirie për krime lufte kundër civilëve shqiptarë.

Në Rezolutën e miratuar me 61 vota për, parlamenti zotohet se brenda gjashtë muajsh do të miratojë Ligjin për mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj për çlirim.

Në rezolutë thuhet, pos tjerash, se pjesëtarët e UÇK-së ishin faktorë vendimtar për sjelljen e lirisë dhe duhet të gëzojnë mbështetjen dhe vlerësimin e tyre të merituar institucional, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Partia Demokratike që ishte nismëtare e debatit tha se dënimi i ish pjesëtareve të UÇK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime”.

Debati ishte kundërshtuar nga organizata e shoqërisë civile dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të cilët vlerësuan se ai është ndërhyrje në drejtësi. (voa)

Akuzë për krime lufte ndaj Fatmir Limajt

fatmir-limajProkuroria e Posaçme e Kosovës tha se ka ngritur aktakuzë kundër deputetit, Fatmir Limaj, për veprën penale: krime lufte kundër popullatës civile.

Në një njoftim të prokurorisë thuhet se “rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, në Kosovën qendrore, të cilët me datën dy tetor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari“, po të kësaj komune.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit“.

Gjithnjë sipas aktakuzës, “i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje“, thuhet në njoftimin e prokurorisë së posaçme të Kosovës.

Kjo është hera e tretë që Fatmir Limaj, aktualisht deputet i parlamentit të Kosovës nga radhët e partisë politike, Nisma për Kosovën, përballet me akuza për krime lufte.

Në vitin 2012 dhe një vit më pas, ai dy herë u përfshi në një proces gjyqësor në Kosovë dhe u shpall i pafajshëm nga akuzat për krime lufte.

Ai dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij, ngarkoheshin se nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit të atij viti, kanë kryer krime kundër civilëve serbë dhe shqiptarë, si dhe kundër pjesëtarëve të burgosur të ushtrisë serbe dhe policëve serbë të mbajtur në një qendër paraburgimi të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Zoti Limaj, i cili gjatë luftës njihej me emrin komandant Çeliku, më 30 nëntor të vitit 2005, qe shpallur i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë ku kishte qëndruar që nga muaji shkurt i vitit 2003 nën akuzat për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Zoti Limaj, dikur një nga aleatët kryesor të presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, përballet ende edhe e akuza për korrupsion, të cilat lidhen me kohën kur ai ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë që drejtohej nga zoti Thaçi.

Tri vjet më parë ai u largua nga Partia Demokratike për të themeluar Nismën për Kosovën. (voa)

Rinia dhe mjekët ikin nga Maqedonia

kufiriSipas të dhënave të fundit të Agjencisë për punësim në Tetovë, gjithsej ka mbi 13 mijë të papunë dhe qyteti i Tetovës është i dyti pas Shkupit për numër më të madh të popullatës së papunësuar. Në këtë numër dominon mosha nga 15 deri në 29 vjeçare.

Të rinj gjithnjë e më shumë largohen nga vendi për në shtetet e Evropës. Këtij trendi nuk i është shmangur as Tetova me rrethinë, rinia e të cilës çdo ditë e më shumë po e braktis vendin dhe kërkon një jetë më të mirë në shtetet më të zhvilluara. Ndonëse mungojnë statistikat e sakta për largimin e moshës më të re, që cilësohet si e ardhmja e kombit, megjithatë braktisja e vendlindjes vazhdon të jetë alarmuese. Hulumtuesit e tregut të punës nënvizojnë se institucionet shumë pak bëjnë që t`ju mundësojnë të rinjve punësime. Por, ata nënvizojnë se ka kuadër deficitarë të në disa profesione në rajonin e Pollogut.

Më shumë sens për kompanitë

“Nga analizat që kemi bërë ne, kemi konstatuar se duhet të ndërmerren aktivitete më komplekse nga institucionet përgjegjëse. Në këtë rast do të ishte një plan ose një aktivitet të formohet një sistem funksional nga komuna ose qendrat rajonale të Pollogut nga njëra anë, kurse në anën tjetër të jetë sektori i biznesit, universitetet dhe shkollat e mesme profesionale, që do të thotë nga këto analiza pse jo të bëhen edhe analiza më detale se për cilat profesione ka nevojë sektori i biznesit dhe të bëhen reforma në arsim që të prodhohen kuadro në bazë të kërkesave të tregut të punës, gjë që do t’ju mundësoje kandidatëve që paralelisht me sistemin, tanimë të njohur në perëndim gjatë kalitjes së profesionit përkatës veçanërisht në shkollat e mesme profesionale të praktikohet modeli dy ditë teori në shkollë dhe tre ditë në ndërmarrje të merret praktika që në fund personi të merr zanatin, profesionin e duhur dhe në fund të punësohet në ndërmarrje, normalisht vet ndërmarrjet private, në këtë rast nuk kanë kondicion që vetë ta përballojnë këtë, prandaj thash se nevojitet një sistem funksional ku do të ketë subvencione”, tha Nebi Jusuif nga Agjencioni Esa në Tetovë.

Në këtë drejtim, njohës të këtyre rrethanave theksojnë se duhet që shteti më shumë të ketë beneficione për kompanitë dhe ata që duan vet të fillojnë biznes, me qëllim që t`ju mundësohet të rinjve të gjenden në tregun e punës. “Beneficione që do të mundësojë sistemi, në këtë rast komuna ose pse jo edhe nga niveli qendror, siç është rasti me masat aktive për punësim që janë rreth 11 masa ku ka trajnime për profesione specifike, trajnime për gjuhë të huaja, për kompjuterë, trajnime për profesione deficitare, subvencion të bizneseve që duan t’i formalizojnë, t’i legalizojnë ose për ata që duan të fillojnë, në këtë rast shuma e subvencionimeve është 3000 euro, që në shikim të parë është jo edhe aq vlerë e madhe, por për dikë që do të legalizojë biznesin, të cilin me vite e ka praktikuar, është një shans i mirë që të furnizohet me pajisje, me qëllim të shtojë kapacitetin dhe t’ia lehtësojë punën”, u shpreh Jusufi.

Ikin edhe mjekët

Por, nuk është vetëm rinia që largohet nga Tetova, pasi që me të madhe largohen edhe mjekët të cilët për shkak të rrogës së vogël, kërkojnë një jetë më të mirë në shtetet evropiane. Këtë e konfirmojnë edhe në Odën e Mjekëve Shqiptarë. Sipas kryetarit, Nevzat Elezi, kohëve të fundit numri i mjekëve të cilët bëjnë lëvizje kryesisht nëpër shtetet perëndimore, ka shumë të dhëna të ndryshme. “Sipas të dhënave që kemi ne në Shoqatën e Mjekëve të Maqedonisë, numri total i mjekëve të cilët në dhjetë vitet e fundit kanë marrë një vërtetim që ju nevojitet mjekëve për punësime jashtë, sillet diku rreth 1000, po ky vërtetim nuk tregon qartë se të gjithë këta mjek janë shpërngulur, sepse vërtetimin që mjekët marrin në Odën e Mjekëve të Maqedonisë, nuk është vetëm për transfer apo për punësim jashtë, por ky vërtetim i mjekëve ju shërben edhe për specializim dhe për doktoratura jashtë vendit, kështu që Oda e mjekëve këto vërtetime i jep për mjekët të cilët duan që të bëjnë lëvizje, qofshin për regjistrim apo punësim. Gjendja nuk është edhe aq alarmante sa për të thënë se çfarë po ndodh me mjekët, pse ata po largohen, për arsye se vitin e kaluar Oda e mjekëve vërtetime të kësaj natyre ka dhënë vetëm 30, por për dhjetë vitet e fundit shifrat janë alarmante, sepse kemi të bëjmë me 1000 mjekë të cilët kanë marrë këtë vërtetim”, deklaroi Elezi.

Ai thotë se arsyeja kryesore është rroga e vogël. “Si shkak kryesor është paga mujore e mjekëve, e cila krahasuar me vendet që na rrethojnë si Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia Bullgari, ne në Maqedoni gati se pagat tona janë të përgjysmuara, duke u nisur nga mjeku specialist, kryesisht të punësuar në punë shtetërore e deri te profesorët e mjekësisë të cilët janë duke ligjëruar në Maqedoni, që do të thotë se nëse bëjmë një krahasim me këto shtete që na rrethojnë te ne rrogat janë të përgjysmuara në këtë rast do të marr shembullin e Serbisë, ku edhe në këtë shtet pagat e mjekëve janë shumë herë më ta larta se pagat e mjekëve të Maqedonisë. Në pozitë më të mirë me pagesat në Maqedoni janë me mjekët amë, por krahasuar me punën të cilën e bëjnë ata, numri i përgjithshëm i pacientëve që ata duhet të arrijnë që është mbi 2400, për të arritur të marrin një rrogë totale që paguhet 50 denarë për kokë të pacientëve ose për pikë të pacientëve kjo nënkupton një punë të madhe që ata bëjnë për të arritur këtë numër të pacientëve, për të mbuluar shpenzimet e tyre dhe për të marrë një pagë të madhe. Me pak fjalë, mjekët amë në Maqedoni, qëndrojnë pak për mirë pa mos llogaritur mundimin e tyre, por kur kemi të bëjmë me specialistët, të punësuarit në kujdestari e kështu me radhë në këto raste ne kemi ngecur pas me pagat e kësaj kategoria ë mjekëve, kjo domethënë është shkaku kryesorë i largimit të tyre. E dyta, Republika e Maqedonisë para do kohe ka sjellë Ligjin për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve, por Ligji për mbrojtjen e të drejtave të mjekëve akoma po zvarritet, gjë që shkakton pabarazi mes mjekëve dhe pacientëve, ku pacientët janë të mbrojtur me ligj, ndërsa mjekët akoma jo, kështu që si pasojë kemi të bëjmë me ofendime sulme që bëhen ndaj mjekëve, kemi të bëjmë me padi nga më të ndryshmet që ngrihen kundrejt mjekëve, ku pacientët janë të privilegjuar, ndërsa mjekët ndjehen të rrezikuar në punën të cilën e bëjnë ata”, sqaron Elezi. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë për punësim në Tetovë, gjithsej ka mbi 13 mijë të papunë dhe qyteti i Tetovës është i dyti pas Shkupit për numër më të madh të popullatës së papunësuar. Në këtë numër dominon mosha nga 15 deri në 29 vjeçare.  (koha)

Xhafaj në Top Story: Vendimi i Kushtetueses, i paralajmëruar

top-storyKëtë javë Gjykata Kushtetuese mori një vendim në dukje të ndërmjetëm, por një vendim tejet i rëndësishëm; pezulloi ligjin e Vettingut, ligjin ndoshta më të përfolur të dekadës së fundit të miratuar në Parlament, kjo edhe për shkak të pasojave që ai pritet të shkaktojë në kuadrin e reformën në drejtësi.

Çfarë ndodh tani? A ishte ky një vendim në konflikt të pastër interesi me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, apo ky ligj vërtet shkelte Kushtetutën? Cilat do të jenë hapat që do të ndiqen? Cilat do të jenë pasojat dhe më e rëndësishmja, a ka ngrirë vërtetë reforma në drejtësi?

Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, por edhe të tjerave që lidhen me reformën në drejtësi, këtë të enjte në Top Story, përballë gazetarit Sokol Balla dhe analistëve të ftuar në panel, ishte i ftuar kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj.

Kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar ligjin e Vettingut ishte i paralajmëruar, pasi sipas tij, kishte disa ditë që qarkullonte tek gjyqtarët dhe prokurorët vendimi në fjalë.

Ai ngriti dyshime mbi vendimin në fjalë duke e argumentuar këtë dyshim edhe me mungesën e arsyetimit të vendimit të marrë. Xhafaj tha gjithashtu se vendimi i marrë është shpërndarë menjëherë në media pa dalë ende nga salla e mbledhjes trupa e gjyqtarëve.

“Kjo nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë në asnjë gjykatë, e jo më tek Gjykata Kushtetuese”, deklaroi ai. Xhafaj  deklaroi se vetë Kushtetuesja ka një konflikt interesi me ligjin në fjalë, pasi ishte pikërisht ky institucion dhe anëtarët e tij që do t’i nënshtroheshin të parët procesit dhe pasojave të Vettingut.

Kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi tha se më shumë sesa një motivim politik, vendimi i Kushtetueses lidhet me problemin që kjo gjykatë vetë mund të ketë me ligjin në fjalë.

***

Xhafaj: Vendimi ishte i paralajmëruar

Deputeti socialist e nisi fjalën duke njohur të drejtën e Kushtetueses për të marrë një vendim të tillë, por sërish ngriti disa pikëpyetje, e para lidhej me mungesën e arsyetimit.

“Nga pikëpamja kushtetuese dhe ligjore, Gjykata Kushtetuese është në të drejtën e saj. Ka marrë një vendim që është mbështetur në Kushtetuë dhe në vetë ligjin e Gjykatës Kushtetuese. Gjithsesi mbetet për t’u parë për shkak se ende nuk kemi një vendim të arsyetuar, që është një problem jo i vogël, për të mësuar se cilat kanë qenë arsyet që e kanë çuar në këtë vendimarrje. Gjithsesi, kur flet Gjykata Kushtetuese, ne të tjerët jemi të detyruar ta zbatojmë. Por kjo nuk na heq të drejtën për të debatuar dhe diskutuar rreth arsyeve që e kanë çuar gjykatën në këtë vendimarrje”, deklaroi ai.

Xhafaj thotë se e priste këtë vendim.

“Nuk ishte një vendim i papritur. Është një vendim i paralajmëruar për shkak se kishte kohë, në mënyrë të veçantë në mjediset e gjyqtarëve dhe të prokurorëve përflitej për një pezullim të ligjit të Vettingut. Kam patur rastin që të takoj vetë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë qenë të interesuar për përgatitjen e dokumentave dhe një pjesë e mirë e tyre, më kanë përcjellë këtë shqetësim shumë kohë përpara se Gjykata Kushtetuese të merrte këtë vendim. Sipas meje, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë patur rastin dhe mundësinë që ta gjykojnë dhe diskutojnë këtë përtej dyerve të gjykatës. Kjo nuk është absolutisht normale, siç nuk është normale që të dilte nga Gjykata Kushtetuese një vendim para se të dilnin gjyqtarët nga salla. Doli lajmi në media se çfarë kishte vendosur Gjykata Kushtetuese. Kjo nuk duhet të ndodhë për asnjë trupë gjyqësore dhe jo më për gjk. Të gjitha këto janë prova të dukshme të faktit që ka një lidhje të drejtpërdrejtë të interesit që kanë një pjesë e sistemit gjyqësor për të penguar reformën në drejtësi”, deklaroi kreu i Komisionit të Reformës në Drejtësi.

Por a është ky vendim pjesë e përpjekjeve për të penguar reformën në drejtësi? Xhafaj nuk e përjashton.

“Mënyra sesi është marrë vendimi, arsyet që e kanë çuar Gjykatën Kushtetuese në këtë vendimarrje, të bindin që kjo është një gjë e llogaritur në funksion të frikës, ose më saktë të presionit që ka një pjesë e mirë për shkak se janë subjekte të drejtpërdrejta të ligjit të Vettingut, por nga ana tjetër janë edhe një arsye shumë e fortë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi. Sesa i drejtë është ky vendim, në këndvështrimin tim, kjo mbetet e diskutueshme edhe më vonë”, u përgjigj Xhafaj.

“Kushtetuesja, konflikt interesi me Vettingun”

Gjykata Kushtetuese ishte një ndër institucionet e para që do t’i nënshtroheshin ligjit të Vettingut, por a është vendimi i marrë për pezullimin e këtij ligji në konflikt interesi? Xhafaj solli si shembull ligjin e lustracionit.

“Fakti që Gjykata Kushtetuese është e para në radhë që do t’i nënshtrohet procesit të Vettingut, por nga ana tjetër ka detyrimin që përtej këtij fakti që të shqyrtojë kushtetushmërinë e vettingut. Kemi një precedent në rastin e ligjit të lustracionit, ku Gjykata Kushtetuese, edhe në atë rast ka qenë hapur në konflikt interesi. Tani konflikti i hapur i interesit është i prezumuar sepse askush nga ne nuk mund të thotë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do të kalonin procesin e Vettingut. Në rastin e lustracionit ata ishin dukshëm të ekspozuar përpara efekteve që sillte ligji i lustracionit. Ka një ndryshim thelbësor, këta e kanë përbrenda këtë, kurse ata e kishin të dukshëm”, u shpreh ai.

Xhafaj: Vettingu në Venecia, si lustracioni

Edhe në rastin e lustracionit, Kushtetuesja iu drejtua Venecias, e cila i ktheu përgjigjje duke u shprehur se kjo gjykata ka detyrimin që të dalë me një vendim për ligjin. Xhafaj paralajmëroi se e njëjta përgjigjje do të kthehet edhe për Vettingun, duke shtuar se referimi i ligjit për opinion ishte një hap i panevojshëm nga Kushtetuesja.

“Në rastin e mëparshëm iu drejtuan Venecias dhe Venecia i tha që Gjykata Kushtetuese ka detyrimin për ta shqyrtuar këtë projektligj dhe ashtu ndodhi. Venecia është shprehur njëherë për qëndrimin që duhet të mbajë Gjykata Kushtetuese. Pra, praktikisht po shkon te Venecia dhe po i thotë që ti e ke thënë njëherë, por ma thuaj sërish. Edhe nga pikëpamja e integritetit të një trupe si Gjykata Kushtetuese, kjo nuk është serioze sepse në një farë mënyrë do t’i bëjë të nënqeshin në Venecia”, u shpreh ai, duke shtuar se për një çështje kaq të rëndësishme, Kushtetuesja së paku duhej të dilte me një vendim të arsyetuar dhe të kishte thërritur një seancë plenare për të dëgjuar palët.

“Më parë ka thërritur palët dhe i ka dëgjuar, në këtë rast nuk e bëri këtë”, deklaroi Xhafaj.

Vazhdon…

/ Top Channel

Në Tiranë jetohet më mirë. Rritja ekonomike, e pabarabartë

ne-tirane-jetohet-me-mireTë dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se, Shqipëria është një vend me pabarazi ekonomike, ku rritja e mirëqenies nuk ka qenë e njëjtë në të gjithë territorin e vendit. Në vjetarin e fundit statistikor, INSTAT raporton se, për rajone të caktuara, të ardhurat mesatare për frymë ndryshojnë deri në dy herë.

Sipas shifrave, qarku më mirëqenien më të lartë në vend është Tirana, ku prodhimi i brendshëm për frymë llogaritet në 665 mijë lekë. Por vetëm pak kilometra më larg, në Dibër, i njëjti tregues është dy herë më i ulët, ose vetëm 320 mijë lekë për frymë. Ky është edhe niveli më i ulët në rang kombëtar. Për rajonet e tjera, të ardhurat për frymë luhaten ndërmjet këtyre dy skajeve.

Tendenca e zhvillimit të pabarabartë mes rajoneve gjeografike të vendit ka vazhduar edhe gjatë viteve të fundit. Sipas INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit në vitet 2013 dhe 2014 respektivisht me 1 për qind dhe 1.83 për qind. Por, për të njëjtën periudhë, Rajoni i Veriut ka qenë në recesion ekonomik, me rënie të prodhimit -0.12 për qind dhe -0.18 për qind, përkatësisht për 2013-n dhe 2014-n. Ky rajon përfshin 5 qarqe, të cilat janë Dibra, Durrësi, Shkodra, Kukësi dhe Lezha.

Sipas INSTAT, gati gjysma e aktivitetit ekonomik në vend është përqëndruar në vetëm dy rrethe, që janë Tirana dhe Elbasani. Në vitin 2014, këto dy qarqe dhanë mbi 45 për qind të prodhimit kombëtar të vendit, ndërsa 55 përqindëshi i mbetur i “tortës” së ekonomisë është ndarë ndërmjet 10 qarqeve të tjera.

Pabarazia mes rajoneve duket se do të jetë një nga sfidat më të mëdha të politikave ekonomike, ku aktiviteti ekonomik tenton të përqëndrohet në Shqipërinë e Mesme, ndërsa rajonet e tjera, veçanërisht ai i Veriut rrezikon të mbetet pas.

/ Top Channel

Dora e fortë e Malit të Zi kalon në hije

Fatet e Malit të Zi ai ka gati tridhjetë vjet që i përcakton: herë si funksionar komunist, herë si President, herë si kryeministër. Tani Milo Gjukanoviçi nuk ka më dëshirë. Apo ka?

milo-gjukanovicNë një vend tjetër, ky lajm nuk do të kishte një përmbajtje kaq shpërthyese: kryetari i partisë më të fortë në vend, i cili është njëkohësisht kryeministër, nuk dëshiron që pas fitores së ngushtë të ngarkohet me formimin e qeverisë. Por në Mal të Zi ky lajm shkaktoi habi. Pas 27 vjetësh- herë si funksionar i partisë komuniste, herë si kryeministër e herë si President – Milo Gjukanoviçi nuk do t’i drejtojë më fatet e vendit të vogël ballkanik dhe të 625.000 qytetarëve të tij.

Fare e re kjo nuk është. Dy herë ai është tërhequr zyrtarisht nga politika. Për herë të parë kjo ishte në tetor 2006. Që në shkurt 2008 ai ishte sërish kryeministër. E njëjta pamje në vitin 2010: Gjukanoviçi dha dorëheqjen, për “të hapur vendin për breza më të rinj”, siç tha atëherë. Por këtë vend ai e mori sërish në vitin 2012, kur u bë kryeministër.

Pazari për pushtetin

Pas zgjedhjeve më të fundit parlamentare, që në Mal të Zi u mbajtën në mes të tetorit, në vend u krijua një situatë pat. Gjukanoviçi është më i diskutueshëm se kurrë, megjithëse Partia e tij Demokratike e Socialistëve (DPS) fitoi shumicën e mandateve. Por me 36 nga 81 mandate, DPS është larg shumicës absolute. Tri grupime opozitare dhe një parti që më parë ishte besnike ndaj qeverisë, por që i ndërroi krahët para zgjedhjeve, mbledhin së bashku 39 mandate.

Vendimtarë në këtë konstelacion pushteti janë partitë e minoriteteve të boshnjakëve, kroatëve dhe shqiptarëve, të cilat në të kaluarën janë konsideruar partnerë “të natyrshëm”të Gjukanoviçit. Këtyre u shtohen edhe dy mandate të një “partie të bllokut” DPS. Me gjithsej gjashtë mandate, këto vota deputetësh arrijnë një shumicë të ngushtë prej 42 mandatesh. Kjo shumicë qeveritare është tepër e brishtë dhe opozita punon me zell për ta minuar: ajo u ofron përfaqësuesve të minoriteteve edhe postin e kryeministrit, vetëm të shpëtojë nga Gjukanoviçi.

Kjo do të thotë se çmimi politik për besnikërinë e partive të vogla është rritur. Ndoshta ky ishte edhe një shkak për Gjukanoviçin për t’ia lënë vendin ushtarit besnik të partisë, Dusko Markovic. Ish-ministri dhe shefi i Shërbimit të Fshehtë konsiderohet besnik dhe që nuk bie shumë në sy.

Por megjithatë Gjukanoviçi do ta mbajë postin e kryetarit të partisë. Të gjithë ata që e njohin mënyrën si funksionon pushteti atje e dinë se Gjukanoviçi do të vazhdojë të qeverisë që nga hija. Partitë në pushtet janë në ish-Jugosllavi shoqatat më të rëndësishme të interesit.

Sundimtar nga prapavija

Në politikën e jashtme, Gjukanoviçi është garant për lidhjen me NATO-n dhe për afrimin me BE të shtetit të vogël ballkanik. Në fushën gjeopolitike të shahut, shteti xhuxh midis vargmaleve të padepërtueshme dhe Adriatikut shijon shtimin e vëmendjes. Shkaku është rivaliteti i ri midis Rusisë dhe Perëndimit. Prandaj Gjukanoviçi mendon se mund t’i lejojë vetes shumë më tepër në stilin e tij herë pas here të vetëkënaqur të qeverisjes, se sa durojnë zakonisht demokracitë perëndimore. Për aq kohë sa pjesë të opozitës tregojnë dashurinë tradicionale për Rusinë, Gjukanoviçi duket si “politikan properëndimor”.

Pasuria e tij përrallore, sundimi princëror i klanit të tij dhe marrja e frymës medieve prej tij bezdisin në politikën e brendshme madje edhe mbështetësit e tij. Nuk është se ndaj tij nuk ka alternativa të tjera në vend. Megjithatë ai do të përfaqësojë edhe më tej në vitet e ardhshme bërthamën e vërtetë të pushtetit në Mal të Zi. Kjo në një kohë kur thuajse nuk ka rëndësi, nëse ai do të kandidojë sërish për president në vitin 2018. Edhe nëse në Mal të Zi në të ardhmen në pushtet do të jetë njëfarë Dusko Markovici, ai, si gjithë të tjerët, nuk do ta anashkalojë Milon – siç e quajnë atë miqtë dhe armiqtë. (dw)

Seanca për mbrojtjen e luftës së UÇK-së kthehet në polemika

parlamenti-ksKuvendi i Kosovës po zhvillon seancë të jashtëzakonshme në mbrojtje të “vlerave të luftës së UÇK-së”. Seanca është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës, pas konfirmimit të dënimit ndaj pjesëtarëve të gjykuar në rastin e njohur si “Drenica 1 dhe 2”, ku bëjnë pjesë kryesisht ish-udhëheqës të UÇK-së, përkatësisht figura politike të PDK-së.

Rasti i fundit, sipas PDK-së, “tregon një shpërfaqje të re të një qasjeje të tillë ku jo vetëm dënimi, por edhe i tërë procesi, ishte një tendencë e mohimit të vlerave sublime”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i PDK-së, në fjalën e tij para deputetëve, tha se UÇK-ja ka luftuar për të ndërtuar një shoqëri të lirë ku sundon drejtësia dhe ku të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.

“Ne po zbatojmë parimin e drejtësisë, mirëpo me kalimin e kohës po shohim se shqetësimet e qytetarëve, por edhe tonat, po bëhen më të mëdha. Nuk ka asgjë më shqetësuese në një vend sesa kur në emër të drejtësisë shkaktohet pasiguria. Nuk ka padrejtësi më të madhe sesa ajo që mund të bëhet në emër të drejtësisë. Parimi i shtetit ligjor dhe mosndërhyrjes janë parimet bazë mbi të cilat angazhohemi”, tha Veseli.

Kurse, Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë të drejtë kundër gjenocidit serb. Por, Beqiri ka bërë thirrje që situatat e tilla të tejkalohen me qetësi, ngase, sipas tij, është proces i ndërtimit të shtetit ligjor.

“Jemi të vetëdijshëm se si shtet duhet të ndërtojmë institucione të pavarura. Sado që është e ndjeshme, situata të tilla duhet t’i tejkalojmë me qetësinë, largpamësinë dhe përkushtimin tonë për bërjen e shtetit ligjor. Organet duhet të jenë të pavarura e të përgjegjshme”, tha Beqiri.

Sidoqoftë, sapo filloi debati, nuk munguan polemikat e ashpra, të cilat u kthyen kryesisht në adresë të PDK-së nga ana e deputetëve të partive opozitare.

Rexhep Selimi, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, ka fajësuar deputetët që votuan Gjykatën Speciale, të cilët, sipas tij, votuan për dënimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Për cilat vlera flasin ata deputetë votues të asaj gjykate [Gjykatës Speciale] dhe cilat vlera të luftës duan t’i mbrojnë ata deputetë të cilët edhe me veprimet e tilla i shkelin këto vlera dhe të cilët paraprakisht i dënojnë ato vlera. Pra, nuk jeni ju ata që e keni krijuar Gjykatën Speciale”.

“A nuk jeni ju deputetët e njëjtë jo të gjithë letë të më ndjejnë ata që nuk e ndjen veten aty që keni votuar edhe për amnistinë e kriminelëve serbë dhe sot vini këtu derdhni lot krokodili për luftëtarët e UÇK-se? A nuk jeni ju që keni kërkuar vazhdimin e mandatit të EULEX-it e tash po dilni e kundërshtoni vendimet e gjykatave të EULEX-it?”, tha Selimi, duke shtuar se thirrja e këtij debati është një hipokrizi.

Kurse, lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka deklaruar se thirrja e seancës ishte e panevojshme. Siç tha ai, seanca po e dëmton shtetin, sepse askush nuk thërret seancë pas vendimit të gjykatës. Ai ka lutur deputetët që të mos tentojnë të përdorin vuajtjet dhe padrejtësitë që i janë bërë dikujt, për të fituar poena politik.

“Mbajtja e një seance të tillë sot më se paku ose hiç nuk i ndihmon ata për të cilët është thirrur. Përveç shumë gabimeve që kemi bërë në këtë drejtim, sot po e bëjmë një gabim tjetër me vetëdije. Të gjithë këtu në sallë e dijmë që kjo seancë veç sa i dëmton e nuk i ndihmon këta njerëz për të cilët është thirrur ajo. Të gjithë e dijmë që kjo seancë është e vonuar, mbi të gjitha të gjithë e dijmë se është ndikim ose interferim në sistemin e drejtësisë”, tha Limaj.

Në fjalimin e tij, deputeti Fatmir Limaj ka propozuar që Kuvendi të marr vendim që gjyqtarët dhe prokurorët që kanë punuar prej vitit 1992 deri në vitin 1999 në sistemin e Serbisë në Kosovë, të mos lejohen ta ushtrojnë këtë profesion edhe në kohën e tashme, të shtetit të pavarur të Kosovës.

Ndërsa, deputeti Zafir Berisha, po ashtu nga Nisma për Kosovën, ka kërkuar nga deputetët që me një rezolutë, Kuvendi ta shpallë presidentin aktual të Kosovës, Hashim Thaçin, tradhtar i vendit.

Përderisa, deputeti Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë Kosovës ka kërkuar të dijë nga Qeveria e Kosovës nëse ndonjëherë është interesuar për gjykimet të cilat janë bërë ndaj ish- luftëtarëve të UÇK-së.

“A munden këta (përfaqësuesit e Qeverisë) të na tregojnë neve për ndonjë veprim konkret që e kanë bërë për t’i përkrahur në çfarëdo forme a natyre, të gjykuarit në procesin “Drenica”, nga dita që ka filluar e deri sot? A ka diçka që mund të thoni – jo vetëm fjalë miradije – por çfarë veprime keni bërë deri sot? A e keni pyetur EULEX-in ndonjëherë? A keni kërkuar transparencë? A keni bërë diçka konkrete? Ai vendim është fakt i kryer… ne flasim këtu kot”,tha Haradinaj.

Pas thirrjes së kësaj seance janë shënuar edhe disa reagime nga shoqëria civile, duke e konsideruar atë si tendencë dhe përpjekje për ndërhyrje në punën e sistemit të drejtësisë. (REL)