Infrastruktura, FMN: Shqipëria, në nivele të ulëta

rruga shqiperiFondi Monetar Ndërkombëtar e rendit Shqipërinë si vendin e parafundit për cilësinë e infrastrukturës edhe pse taksapaguesit shqiptarë kanë paguar miliarda euro për investime publike.

Sipas FMN, për periudhën 2005-2016, qeveria shqiptare ka shpenzuar cdo vit mesatarisht 5.5 për qind të prodhimit kombëtar për vepra publike, kryesisht rrugë, porte dhe segmente të tjera të infrastrukturës. Kjo e rendit Shqipërinë në 5 vendet me nivelin më të lartë të shpenzimeve kapitale në dekadën e fundit. Por ky ritëm agresiv i investimeve nuk ka mjaftuar që vendi të ketë një infrastrukturë të krahasueshme me ekonomitë e ngjashme.

Sipas FMN, nga një grup me 40 shtete të marra në shqyrtim, Shqipëria është vendi i dytë me infrastrukturën me të keqe duke lënë pas vetëm ruandën. Të gjitha ekonomitë e tjera, përfshirë ato të ngjashme si Serbia dhe Maqedonia kanë rrugë, porte, hekurudha dhe infrastrukturë energjetike më të mirë edhe pse shpenzojnë më pak.

Por cila është arsyeja se pse miliardat e paguara nga qytetarët shqiptarë nuk kanë sjellë përmirësimin e pritshëm të infrastrukturës? Përgjigja sipas FMN lidhet edhe me eficencën e investimeve.

Sipas raportit, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me eficencë të ulët të investimeve,  ndërkohë që Banka botërore vlerëson se të paktën 30 për qind e fondeve të shpenzuara në projekte publike, shpërdorohen ose si pasojë e korrupsionit ose nga zvarritja e projekteve.

/ Top Channel

Maqedoni-Greqi, çështja e emrit mund të zgjidhet vitin e ardhshëm

Athina2018-a mund të jetë një vit kyç për zgjidhjen e kontestit të gjatë mes Greqisë dhe Maqedonisë, që ka të bëjë me emrin e saj shtetëror.

Lajmin e ka bërë të ditur gazeta greke “Kathimerini”, që citon burime diplomatike nga Brukseli dhe Uashingtoni.

Sipas këtyre të fundit, ekzistojnë shanse që çështja të zgjidhet në periudhën mes zgjedhjeve lokale që do të mbahen në tetor në Maqedoni dhe atyre presidenciale në 2019.

“Shpresat për një zgjidhje u ngritën pasi pasi kryeministri social-demokrat Zoran Zaev krijoi qeverinë në qershor, pas muajsh të tërë tensioni politik”, kanë deklaruar burimet.

Gjithashtu, kanë shtuar ato, një tjetër arsye pse marrëveshja mund të arrihet është kthimi i vëmendjes amerikane në rajon, pas frikës se Rusia mund të tentojë të zgjerojë influencën e saj tek vendet e dobëta si Bosnje e Hercegovina.

Sipas “Kathimerini”, zyrtarët amerikanë kanë vënë re kthimin e pragmatizmit në Maqedoni dhe shteti është i përgatitur të bëjë kompromise dhe konçesione.

“Diplomatët perëndimorë nuk i kanë bërë presion as Athinës, as Shkupit për të bërë konçesione në këtë fazë dhe të dyja palët ishin këshilluar të shmangnin deklaratat publike për të mos ngritur pritshmëri. Por tani synohet që të ndërmerren hapa nga të dyja vendet vitin e ardhshëm dhe që negociatat të përfundojnë përpara zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni në vitin 2019, kur Greqia do të mbajë zgjedhje të përgjithshme”, shkruan më tej “Kathimerini”.

/ Top Channel

Mbështetje Shkupit në NATO, Kodheli pret homologen maqedonase

kodheliVizita e parë zyrtare e ministres së re të Mbrojtjes së Maqedonisë, Radmila Shekerinska u realizua në Shqipëri e ftuar nga homologia e saj Mimi Kodheli.

Gjatë takimit kokë më kokë, por edhe me delegancionet respektive, ministrja Kodheli ka konfirmuar bashkëpunimin e ngushtë me ushtrinë maqedonase si dhe ka garantuar se Shqipëria inkurajon reformën dhe përpjekjet e qeverisë se re në Shkup për anëtarësimin në NATO.

“Ne vlerësojmë dhe nxisim në vazhdimësi përpjekjen dhe punën e Maqedonisë për reformat në fushën e mbrojtjes. Shqipëria, si një anëtare e NATO-s ndjek nga afër përpjekjet e Maqedonisë për t’iu bashkuar aleancës. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Maqedoninë në rrugën e saj integruese drejt NATO-s”, tha Kodheli.

Ndërsa ministrja maqedonase e Mbrojtjes, deklaroi se ka diskutuar me kolegen e një vendi mik si Shqipëria për rreziqet e përbashkëta që i kanosen të dy vendeve dhe reagimit të përbashkët.

“Kemi diskutuar çështje të rreziqeve të përbashkëta që kanë vendet tona, në luftën kundër fondamentalizimit dhe çështje të kërcënimit terrorist duke konfirmuar bashkëpunimin e mëtejshëm në çështje të tilla”, tha ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë Radmila Shekerinska.

/ Top Channel

Plani 24 orë ujë, Veliaj: Heqim depozitat që rrezikojnë qytetarët

Kreu i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, duke folur sërish për planin për ujë të pijshëm 24 orë, tha se do të hiqen depozitat që rrezikojnë qytetarët.

Ai tha se plani i biznesit, i hartuar me ndihmën e USAID do të realizojë investimet e nevojshme për mospërsëritjen e situatave të emergjencës.

“Plani i biznesit i Bashkisë së Tiranës dhe UKT për forcimin e rrjetit të ujësjellësit që sjell ujë të pijshëm 24 orë brenda 5 vitesh, është garancia finale që kemi për një Tiranë ku të gjitha depozitat që shikoni mbi pallate, që rrezikojnë banorët e kateve të fundit, të mos jenë më rrezik. Të jetojmë në një qytet, ku jo vetëm ka ujë të pijshëm 24 orë, por nuk i mbajmë sytë nga tavani se mos na bie gjithë depozita dhe na zë brenda. Kjo do vendime të guximshme; unë jam gati t’i marr dhe mezi pres që anëtarët e Këshillit Bashkiak t’i marrin këto vendime të guximshme, të shpëtojmë jetët e njerëzve që nuk kanë ujë 24 orë, por të shpëtojmë edhe jetën e atyre që rrezikojnë nga depozitat lart, nga ndotja që sjellin apo nga rreziku për të shembur pallate të tëra prej qindra litrave që kanë mbi kokë”, theksoi Veliaj, teksa inspektoi punimet që po realizohen për rikualifikimin urban të bllokut Nr.1 në Laprakë.

Kryebashkiaku falenderoi qytetarët për mirëkuptimin që kanë treguar në këto ditë të vështira, si pasojë e temperaturave të larta dhe thatësirës së zgjatur, dhe garantoi se bashkia do të vijojë me furnizimin me bote në ato zona të cilat janë të prekura nga kufizimet me ujin e pijshëm.

/ Top Channel

Dialogu i Vuçiqit ka për synim njohjen e Kosovës

VuciqAleksandar Vuçiqi ka bërë të ditur se në Serbi do të fillojë një dialog të brendshëm për Kosovën. Analistët thonë për DW, se Vuçiqi do të ndajë përgjegjësinë për “gjysmënjohjen” e pavarësisë së Kosovës.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka vazhduar të “ngrohë” temën e “dialogut të brendshëm në Serbi për Kosovën”. Në një tekst autorial për gazetën “Blic” ai ka shkruar se në Serbi duhet të fillojë një dialog i brendshëm për Kosovën dhe se Serbia duhet të jetë realiste karshi zhvillimeve në Kosovë dhe jo ta fusë kokën në rënë si struci.

Ulja e toneve dhe tensioneve

Dialogu për Kosovën në Serbi duhet të fillojë në shtator, por shkrimi i tij në Blic dhe një intervistë (që i ngjante më shumë monologut) në TV Pink ka lënë edhe shumë çështje të hapura. Vuçiqi në vend të platformës për dialog të brendshëm ka ofruar shumë fraza, ku nuk shihet se kush do ta organizojë apo do të përkujdeset për këtë dialog, sa do të zgjasë ai dhe në çfarë formati do të mbahet.

Dushan Janjiq, koordinator i Forumit për Raporte Etnike thotë për DW se nuk është optimist se ky dialog do të rezultojë me sukses: “Vuçiqi nuk ka në fakt një ide të qartë se për çfarë do të bisedohet. Por paraprakisht i ka quajtur si të dështuar të gjithë ata që janë kundër këtij dialogu. Një tekst dhe një ton i tillë, si dhe arroganca e tij, nuk janë një nisje e mirë dhe krijojnë rezistencë ndaj këtij dialogu.” Janjiq mendon se këto tekste paraqesin një lloj manipulimi me dialogun, sipas motos “unë ju kam pyetur, ju po heshtni dhe nuk po përgjigjeni. Ndaj kam vendosur vet, ndërsa përgjegjësitë do t’i ndajmë të gjithë”.

Nëse Vuçiqi vërtet do një dialog të mirëfilltë, atëherë duhet t’i qetësojë mediat që ka nën kontroll, ndërsa BIA (shërbimi sekret në Serbi) duhet të ndërpresë diskualifikimet e njerëzve që mund të japin kontribut në dialog. „Asgjë nuk mund të arrihet në një atmosferë ku qytetarët nuk e kanë të qartë se çfarë po bëjnë politikanët e tyre. Ne nuk e dimë se çfarë kanë bërë ata deri më tani, deri ku kanë mbërritur dhe çfarë është tani në tavolinë. Si mund të zhvillohet një dialog nëse mediat e Vuçiqit, si gazeta Informer, ju turren dhe sulmojnë (siç më ka ndodhur edhe mua vet) se jeni bashkëpunëtor i terroristit dhe bosit të drogës Ramush Haradinaj”, pohon Janjiq.

Njohja e Kosovës nuk është formula magjike

Situata në Ballkan po ndryshon me shpejtësi, thotë për DW Dushan Prorokoviq nga Qendra për Alternativa Strategjike. Mali i Zi është futur në NATO, ndërsa Maqedonia ka intensifikuar sërish përpjekjet për anëtarësim. “Në këtë kontekst e shoh edhe iniciativën e fundit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Tani dëshirohet përshpejtimi i procesit dhe një përfundim sa më i shpejtë i procesit, si dhe futja e Kosovës në Kombet e Bashkuara – ndoshta vitin e ardhshëm”, mendon ai. Prorokoviq pohon se ky dialog i brendshëm ka për qëllim legjitimimin e gjithë procesit.

“Ne do të zhvillojmë një gjoja dialog, i cili në fund do të rezultojë me njohjen e realitetit, që do të thotë se Kosova do të bëhet anëtare e OKB pa njohjen formale nga Serbia. Ky është modeli i dy Gjermanive, për të cilin flitet që nga viti 2008 dhe që nënkupton marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës, që duhet të kenë raporte si dikur Berlini Lindor dhe Boni.”

Dushan Prorokoviq thotë se në opinion kjo do të paraqitet si një zgjidhje e mesme: “Ne nuk e kemi njohur Prishtinën, nuk do të vendosim raporte diplomatike, por Kosova do të legjitimojë statusin e anëtares në OKB, sepse ky është realiteti”. „Mendoj se gjërat po shkojnë në këtë drejtim”, thotë bashkëbiseduesi i DW, por kjo sipas tij, „nuk do ta zgjidhë përfundimisht çështjen e Kosovës, sepse Serbia do të përballet me probleme shumë serioze”.

„Anëtarësimi i Kosovës në OKB do të dëmtonte pozitën e Serbisë në shtigje afagjata. Pas kësaj do të mund të pritej edhe anëtarësimi i shpejtë i Kosovës në NATO, që do të thotë se do të ndryshonte edhe pozita e Serbisë, e cila do të detyrohej ndoshta edhe vet të bëhet anëtare e NATO-s”, pohon Prorokoviq. „Mendoj se më pas mund të priten shumë shpejtë edhe aktakuza e Kosovës kundër Serbisë për gjenocid dhe probleme të mëdha rreth përcaktimit të vijës kufitare, që Serbinë do ta fuste në probleme shumë të mëdha dhe të mundimshme. Ndaj mendoj se dogma se njohja e Kosovës do t’i zgjidhë problemet është shumë e rrezikshme dhe e gabuar”, pohon ai.

Mjegulla e Vuçiqit

Dushan Janjiq mendon se Vuçiqi ka për qëllim të arrijë një konsensus, por vetëm për ndarjen e përgjegjësive. “Ai po kërkon mbështetje në negociata, me qëllim që të marrë vendime për të ardhmen e Serbisë. Por dialogu nuk mund të shërbejë si manipulim për hedhjen e përgjegjësisë atyre që mbase e kanë mbajtur kokën si struci në rërë.”  Analistët në Serbi mendojnë se Vuçiq po hedh mjegull në të gjithë procesin. Prorokoviq pohon se “nuk dihet as korniza institucionale e dialogut të paralajmëruar. Nuk dihet nëse do të zhvillohet në parlament apo në kuadër të ndonjë institucioni tjetër”.

Parë nga perspektiva e sotme, opozita nuk do të marrë pjesë në këtë dialog: “Mendoj se edhe partitë që në dy dekadat e fundit thonë se Kosova është e pavarur, do të tërhiqen nga ky dialog dhe do t’ia lenë përgjegjësinë Vuçiqit për këto vendime.”

Ivica Petroviç, Beograd (dw)

 

SHBA, miratohen ndëshkimet kundër Moskës, kufi kompetencave të z. Trump për sanksionet

usaSanksionet e reja që ndëshkojnë Rusinë për ndërhyrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, bënë një hap me rëndësi të martën: Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një ligj që zgjeron kontrollin e Kongresit mbi sanksionet dhe nuk lejon Presidentin Donald Trump t’i zbutë ato.

Pas më shumë se një muaj bisedimesh mes dy partive dhe vonesave procedurale, Dhoma e Përfaqësuesve përfshiu në projektligj masa të reja që i japin asaj të drejtën për mbikqyrjen e sanksioneve. Një version më i hershëm i projektligjit u miratua me shumicë dërrmuese nga Senati në qershor me rezultatin 97 vota pro dhe 2 kundër.

Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve me 419 vota pro dhe 3 kundër, përfshin edhe sanksione kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, përveç atyre që ndëshkojnë Rusinë për një sërë aktivitetesh.

“Këto tre regjime në pjesë të ndryshme të botës po kërcënojnë interesat jetike të SH.B.A. dhe po destabilizojnë fqinjët”, tha të martën kongresmeni republikan i Kalifornisë, Ed Royce.

Miratimi i Kongresit

Zoti Royce tha se projektligji garanton lënien në fuqi të sanksioneve të ashpra ekonomike dhe diplomatike, duke i dhënë fuqi Kongresit për të mos miratuar lehtësimin e sanksioneve.

“Nëse presidenti Trump dëshiron të luajë golf apo të bëjë diçka me shokun e tij, zotin Putin, ai nuk duhet të llogarisë mbështetjen e Kongresit, sepse ne do ta ndëshkojmë z. Putin”, tha zv.kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, Eliot Engel.

Masa për të kufizuar kompetencat e Presidentit lidhur me sanksionet ndaj Rusisë

Marrëveshja dypartiake për për të kufizuar kompetencat e Presidentit lidhur me sanksionet vjen në klimën e hetimeve të Kongresit rreth lidhjeve të dyshuara mes ekipit të fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

“Ky është një kufi i rëndësishëm që i vihet Presidentit Trump, sepse asnjë president nuk dëshiron të humbasë aftësinë për të hequr sanksionet”, tha për Zërin e Amerikës William Pomeranz, zëvendës drejtor i Institutit Kennan pranë Qendrës Wilson. “Është diçka shumë e rrallë në fakt që Kongresi po e afirmon këtë të drejtë, pra për të kontrolluar vetë ligjin mbi sanksionet. Por qartazi, ai e bëri në këtë rast, edhe pse kjo mund të ketë një seri pasojash politike”.

Përgjigja e Shtëpisë së Bardhë

Administrata e Presidentit Trump tani po i mbështet sanksionet edhe pse nuk ishte dakord me ndryshimet.

Në javët përpara votimit, Shtëpia e Bardhë i kundërshtoi përpjekjet për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për zbutjen e sanksioneve. Arësyeja e dhënë prej saj ishte se kjo do të kufizonte përpjekjet amerikane për të ndikuar te sjellja e Rusisë dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me zotin Putin.

Nëse miratohet përfundimisht, ligji do t’i jepte Kongresit një procedurë të shpejtë për të shfuqizuar çdo hap që mund të ndërmarrë presidenti për t’u dhënë fund sanksioneve.

“Presidenti i mbështet shumë sanksionet ndaj atyre vendeve dhe dëshiron që këto sanksione të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë dëshiron që ne të mund të arrijmë marrëveshje të favorshme. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për presidentin,” tha zëvendës sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders për gazetarët.

Nëse zoti Trump i vë veton projektligjit, ai me siguri do të përballej me kundërshtime në Kongres, i cili ka vota të mjaftueshme për ta kapërcyer veton. Gjithashtu, kjo do t’i bënte të pamundura sanksionet kundër Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat administrata e tij i mbështet.

Ndryshimet në versionet e Dhomës dhe të Senatit do të duhet të harmonizohen përpara se të dërgohen në tryezën e presidentit për t’u nënshkruar në ligj.

Kongresmeni Engel i tha Zërit të Amerikës se shpreson që Senati të mund t’i zgjidhë këto çështje përpara se ligjvënësit e Dhomës të largohen për pushimet e gushtit. (voa)

Maqedonia përballë sfidave të reja

SheqerinskaRadmilla Shekerinska

Ministrja e mbrojtjes e Maqedonisë ripohoi angazhimin e qeverisë së saj për t’u anëtarësuar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, duke thënë në një intervistë se qeveria e re e kupton plotësisht se suksesi apo dështimi është në duart e veta.

“Askush nuk do t’ia sjellë atë,” tha ministrja e Mbrojtjes Radmilla Shekerinska për shërbimin maqedonas të Zërit të Amerikës. “Ne duhet të punojmë drejt kësaj, të jemi të përgjegjshëm për progresin dhe mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare nuk do të vonojë.”

Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev që filloi nga detyra më 31 maj, e ka vënë përparësinë kryesore te reformat që synojnë përgatitjen e Maqedonisë për integrimin në komunitetin euroatlantik. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian kanë deklaruar gatishmërinë e tyre për të punuar me qeverinë e re dhe kabineti i zotit Zaev është përgjigjur me një axhendë ku renditen përparësitë konkrete të reformës.

Në të njëjtën kohë, ka nisur një shtysë e re për të zgjidhur mosmarrëveshjen e vjetër me Greqinë, e cila kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO për sa kohë që ajo ndan emrin e një province fqinje greke.

Në ish-republikën jugosllave jeta politike përgjithësisht është stabilizuar, nga tre muaj më parë, kur mbështetësit e qeverisë së mëparshme konservatore sulmuan parlamentin për të penguar transferimin e pushtetit te Partia Social Demokratike e Zaevit.

Gjatë incidentit, vetë zonja Shekerinska u sulmua brutalisht para kamerave, por ajo tha në intervistë se qeveria e saj po e hedh vështrimin drejt së ardhmes e jo në të kaluarën.

“Ne duhet të kompensojmë kohën e humbur gjatë mandatit të udhëheqjes së mëparshme. Nuk mund të presim që dikush tjetër të jetë më ambicioz dhe më i interesuar sesa vetë Maqedonia që ajo të bëhet anëtare e NATO-s,” tha ministrja e Mbrojtjes.

Zonja Shekerinska përmendi lirinë e medias, shoqërinë civile, sundimin e ligjit dhe reformat e gjyqësorit si nevojat më urgjente për përmirësim. “Kjo është një detyrë e madhe, por ne duhet të tregojmë se jemi seriozë për anëtarësimin në NATO”, tha ajo.

Ministrja tha se mezi pret vizitën e planifikuar të zëvendëspresidentit amerikan Mike Pence në rajon javën e ardhshme si një mundësi për Maqedoninë, si bashkëorganizatore, për të ndërtuar lidhje më të ngushta me “partnerin strategjik më të rëndësishëm”.

“Është shenjë shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara, lojtar kyç në NATO, e konsiderojnë Ballkanin Perëndimor një zonë që mund ta mbështesin dhe ku mund të investojnë”, tha ajo.

E pyetur nëse qeveria e re është e shqetësuar për ndikimin rus në Maqedoni, zonja Shekerinska tha se përparësia e saj është “t’u zgjasë dorën dhe të ndërtojë marrëdhënie me vendet e tjera”.

“Megjithatë, mesazhi ynë ndaj tyre, duke përfshirë edhe Federatën Ruse, – tha ajo, – është se ndërsa ne jemi të interesuar për marrëdhënie të ngushta dypalëshe, vendimet strategjike do të vijnë në fund të fundit nga institucionet maqedonase dhe qytetarët e Maqedonisë”.

“Hyrja në NATO dhe në BE është qëllimi ynë, bazuar në konsensusin më të gjerë në vend dhe këto çështje janë vendosur e do të vendosen vetëm nga qytetarët e këtij vendi”.

Si një nga qendrat kryesore të rekrutimit për grupin e Shtetit Islamik, Maqedonia është e kërcënuar nga një rrezik në rritje i terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Zonja Shekerinska tha se kërcënimi është universal dhe kërkon ndarjen e informacionit midis vendeve.

“Maqedonia me siguri mund të kontribuojë në sigurimin e stabilitetit të rajonit, por për ta bërë këtë në mënyrë efektive, ne duhet të riorganizojmë institucionet e specializuara për të luftuar këto kërcënime. Në vitet e fundit, ato u keqpërdorën për qëllime politike, për të luftuar opozitën, në vend që të punonin për atë që duhet të bënin,” tha ajo.

Ministrja e pranon se do të duhet kohë, por thotë se qeveria e re është e vendosur të bëhet një partnere në luftën kundër kërcënimeve globale të sotme.

Shqipëri: ndëshkime minimale për shkeljet e prokurorëve

Adreatik LlallaTë dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pavarësisht akuzave për shkelje të ligjit në kryerjen e hetimeve, vetëm dy prokurorë u shkarkuan dhe 14 të tjerë morën masa disiplinore përgjatë tre viteve të fundit. Materiali në vijim është produkt i bashkëpunimit mes Zërit të Amerikës dhe rrjetit investigativ BIRN:

Flamur Vezaj, BIRN, Tiranë​

Në shkurt 2017, kryeprokurori Adriatik Llalla bëri një lëvizje të fortë publike dhe urdhëroi nisjen e hetimeve ndaj dy zyrtarëve të lartë të Prokurorisë. Shkak u bë lehtësimi i beftë i akuzave për një të dënuar me burgim të përjetshëm nga ana e prokurorit Artur Selmani, i cili mbronte çështjet e akuzës përballë Gjykatës së Lartë.

Episodi lidhej me masakrën me tre viktima të prillit 2015 në lagjen dikur famëkeqe të Çoles në Vlorë, për të cilën Aleksandër Llanaj ishte shpallur fajtori kryesor nga gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit. Përballë Gjykatës së Lartë, prokurori Selmani kërkoi përmbysjen e akuzës dhe dënimin e tij me 4 vjet burg.

Ndonëse Gjykata e Lartë injoroi kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë, pretenca e Selmanit ngriti pikëpyetje të forta mbi seriozitetin e mbrojtjes së interesit publik nga organi i akuzës. Në një deklaratë për mediat mbi ngjarjen, Prokuroria e Përgjithshme sqaroi se dyshimet përfshinin edhe shefen e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça.

“Për këtë qëndrim të dyshimtë, prokurori Selmani pretendon se e ka diskutuar me drejtoren e Drejtorisë Gjyqësore, Alma Muça,” thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Kryeprokurori Llalla urdhëroi pezullimin e dy vartësve të tij nga detyra dhe nisjen e hetimeve për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Por vetëm katër muaj më vonë, kreu i akuzës vendosi në heshtje rikthimin në detyrë për të dy prokurorët e akuzuar.

I pyetur nga BIRN për statusin aktual të prokurorëve Selmani dhe Muça, këshilltari për mediat i kryeprokurorit, Albi Serani i tha BIRN se dy prokurorët ishin rikthyer në detyrë. Ai konfirmoi gjithashtu se hetimi ndaj tyre vazhdon për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Serani shpjegoi se dy prokurorët ishin pezulluar në aplikim të nenit 152 të ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve…”, dispozitë e cila u shfuqizua në mars 2017 nga Gjykata Kushtetuese pas padisë së bërë ndaj ligjit nga dy shoqatat e prokurorëve.

“Për këtë arsye, pezullimi ndaj dy prokurorëve humbi fuqinë dhe ata u rikthyen në detyrën e prokurorit,” shtoi Serani.

Rasti i mësipërm reflekton një praktikë më të gjerë në Prokurorinë e Përgjithshme, ku pavarësisht premtimeve të përsëritura për tolerancë zero ndaj prokurorëve që dyshohen për shkelje të ligjit, rezultatet përgjatë 5 viteve të mandatit të Llallës kanë qenë minimale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se çdo vit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë inspektojnë me qindra vendime prokurorësh dhe evidentojnë një seri shkeljesh-veçanërisht në pushimin e hetimeve ose mosfillimin e procedimeve penale.

Inspektimet e të dy institucioneve kanë evidentuar në vazhdimësi shkelje në mënyrën se si prokurorët zbatojnë Kodin e Procedurës Penale, ndërkohë që raportet vjetore të Prokurorit të Përgjithshëm tregojnë gjithashtu se vendimarrja e prokurorëve më të ulët është ndryshuar në dhjetra raste.

Megjithatë, ndëshkimi në radhët e prokurorëve ka qenë i pakët.

BIRN i drejtoi Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë për të drejtë informimi, përmes së cilët kërkonte numrin e masave disiplinore të marra ndaj prokurorëve përgjatë viteve 2014-2017 dhe arsyet e tyre.

Në përgjigje të kësaj kërkese, Prokuroria e Përgjitshme tha se kishte marrë 16 masa disiplinore gjithsej, mes të cilave edhe dy raste shkarkimesh. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi gjithashtu se 14 masat më të buta disiplinore rezultojnë [në përputhje me ligjin për Prokurorinë] aktualisht të fshira nga dosjet e prokurorëve përgjegjës.

“Në kohën kur janë marrë masat disiplinore, legjislacioni në fuqi parashikonte se masat disiplinore fshihen nga dosja kur kanë kaluar afatet e parashikuara në ligj. Rezulton se për të gjitha masat disiplinore 2014-2016 kanë kaluar afatet e parashikuara në ligj,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Përgjithshme.

Rastet e korrupsionit

Progres-raporti i Komisionit Europian e rendit korrupsionin në nivelet e larta të administratës si një ndër sfidat kryesore me të cilën Shqipëria përballet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE. Ndërkohë, sistemi i drejtësisë gëzon shkallën më të ulët të besimit mes qytetarëve shqiptarë.

Përgjatë viteve të fundit, shigjetat janë drejtuar kryesisht ndaj sistemit gjyqësor në vend, por një studim i Institutit për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, IDRA mbi pandëshkueshmërinë, i publikuar në janar 2017 evidentoi rënie të besimit të qytetarëve edhe te Prokuroria e Përgjithshme.

Prej dhjetorit 2012 kur u ngjit në krye të institucionit të akuzës, Llalla paralajmëroi disa herë spastrimin nga sistemi të prokurorëve të korruptuar dhe premtoi se kriteri i vetëm i karrierës do të jetë zbatimi i ligjit. Në muajt e fundit të mandatit të tij, rastet e prokurorëve të hetuar apo ndëshkuar numërohen me gishtat e njërës dorë.

Prokuroria e Përgjithshme i tha BIRN në përgjigjen me shkrim se dy nga 16 masat disiplinore të dhëna në 3 vjet ishin “shkarkim nga detyra”.

Shkarkimet lidhen me prokurorin e Pukës, Pëllumb Prençi në vitin 2014 dhe atë të Krujës, Haxhi Giu në vitin 2015, të dy të arrestuar dhe të dënuar për korrupsion. Një prokuror i tretë, Petrit Vukaj, i cili kryente detyrën në Prokurorinë e Fierit u arrestua gjithashtu për korrupsion në vitin 2015. Vukaj u gjet fajtor nga gjykata e shkallës së parë, por më pas fitoi pafajësinë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda.

Dy prokurorë të tjerë, Bardhok Lleshi dhe Petref Asllani u kallëzuan nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI për veprat penale që lidhen me fshehjen e pasurisë.

Kallëzimi i ILDKPKI nuk u shoqërua me procedim penal për Lleshin, ndërkohë që prokurori i Elbasanit, Petref Asllani u përball me masën e sigurisë” pezullim nga detyra” ndërkohë që ishte në gjykim.

Asllani, i akuzuar për një skemë përfitimi kredie të butë së bashku me gjyqtarin Qani Hasa u shpall i pafajshëm në maj 2016, por çështja vazhdon të jetë në proces në Gjykatën e Apelit. Ndërkohë, masa e pezullimit nga detyra, e shuar me vendim të gjykatës së shkallës së parë në tetor 2015 u shqyrtua gjithashtu në Gjykatë të Lartë, ku përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme rezulton të ketë mbështetur pushimin e gjykimit.

Inspektimet, shkelje pa ndëshkim

Përveç rasteve të hetuara të korrupsionit, ligji organik i Prokurorisë së Përgjithshme dhe ai për “Organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë” parashikonin një sërë mekanizmash për inspektimin e vendimarrjes së prokurorëve dhe masave ndëshkuese përmes procedimeve disiplinore.

Të dy këto ligje pësuan ndryshime rrënjësore në kuadër të reformës në drejtësi-e cila synon të pastrojë sistemin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar përmes një procesi të thellë vetingu. Aktualisht, sistemi i procedimeve disiplinore rregullohet nga ligji “për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, i cili ia ngarkon këtë detyrë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Për kohën që ishte në fuqi, legjislacioni i vjetër ka prodhuar inspektime që ofrojnë të dhëna për shkelje të Kodit të Procedurës Penale nga një numër i madh prokurorësh. Por gjetjet nuk kanë gjetur përgjigje dhe adresim nga drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Në mars 2016, Ministria e Drejtësisë publikoi raportin vjetor të inspektimit për 16 prokurori të shkallës së parë përgjatë viteve 2014-2015, përmes së cilave evidentohen një numër i konsiderueshëm prokurorësh të cilët kanë marrë vendime në shkelje të ligjit. Raporti i dorëzuar në Kuvend nga ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përfshin kontrollin mbi 1995 procedime; 654 të mbyllura me vendim pushimi dhe 1340 kallëzime të pafilluara nga ana e prokurorëve.

“Janë kontrolluar 32 prokurorë, nga të cilët janë konstatuar me shkelje 24 prej tyre. Në tre raste, Ministri i Drejtësisë i ka rekomanduar Prokurorit të Përgjithshëm fillimin e procedimit disiplinor për 12 prokurorë, veprimtaria e të cilëve është konstatuar në shkelje të detyrës” thuhet në raportin e Ministrisë së Drejtësisë.

Raporti rendit 4 shkeljet më të shpeshta, të kryera nga prokurorët; shkelja e detyrimit për veprime të rregullta të vijueshmërisë hetimore, shkelje e detyrimit ligjor për fillimin e ndjekjes penale dhe shkeljen e detyrimit për respektimin e afateve hetimore.

Raporti evidenton gjithashtu raste të mosrespektimit të parimeve të drejtësisë dhe të ligjshmërisë nga ana e prokurorëve, në marrëdhënie me subjektet e tjera të procedimit penal.

Në vitin 2014, kritika të ngjashme i bënte Prokurorisë edhe ish-ministri tjetër i Drejtësisë, Nasip Naço por raporti i Inspektimit në atë kohë u prit me revoltë nga kryeprokurori Llalla.

Me raportin e dorëzuar në Kuvend në vitin 2014, Ministria e Drejtësisë theksonte se “Prokuroria është passive në hetime, ka raste kur prokurorët nuk apelojnë vendime në Gjykatë të Lartë-edhe për rastet kur janë liruar persona me rrezikshmëri të lartë”.

Ministri Naço propozoi asokohe nisjen e procedimeve penale për dy prokurorë, por kreu i akuzës e cilësoi raportin e inspektimit në tejkalim të kompetencave të Ministrisë.

“Grupi i inspektimit ka kontrolluar procedime penale për të cilat nga organi i prokurorisë është vendosur dërgimi i tyre në gjykatë, duke kontrolluar kërkesat e prokurorëve në gjykim në lidhje me masën e dënimit si dhe mosushtrimin e ankimeve për vendimet e gjykatës…,” ankohej Llalla në një shkresë për Komisionin e Ligjeve.

“Gjithashtu i qëndrojmë reagimit që kemi bërë në këtë rast, se politika penale e dënimit bëhet nëpërmjet gjykatave të cilat kanë kompetencë për dhënien e një vendimi gjyqësor penal dhe jo nga Prokuroria,” shtoi ai.

Vetë Prokurori i Përgjithshëm, në raportet vjetore për Kuvendin pranon një pjesë të problematikës së evidentuar edhe nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë.

Për vitet 2014-2016, Prokuroria e Përgjithshme raporton se ka kontrolluar mijëra praktika të vartësve dhe ka marrë me dhjetra vendime shfuqizimi.

Shfuqizimet lidhen kryesisht me vendimet e pushimit ose të mosfillimit të procedimeve penale, duke i rikthyer sërish për hetime të mëtejshme.

Vendimet e shfuqizimit nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme janë shoqëruar me masa disiplinore ndaj prokurorëve në tetë raste në vitin 2014, pesë raste në vitin 2015 dhe 3 raste në vitin 2016.

Masat disiplinore, të tilla si “vërejtje me paralajmërim për shkarkim”, “vërejtje” apo “ulje në detyrë” fshihen nga dosjet personale të prokurorëve brenda një periudhe nga 3 muaj deri në 1 vit. (voa)

 

BE pret nga Turqia “hapa konkrete”

HahnShkeljet e të drejtave të njeriut dhe burgosja e gazetarëve në Turqi preokupojnë BE-në. Të martën priten ministrat e Turqisë në Bruksel.

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu dhe ministri për Çështjet Evropiane Omer Celik do të priten në Bruksel nga shefja e politikës së jashtme të BE-së Frederica Mogherini dhe komisioneri për zgjerimin e BE-së Johannes Hahn. Një çështje me prioritet pritet të jetë kërkesa e Bashkimit Evropian, që të lirohen nga burgu activistët për të drejtat e njeriut dhe gazetarët si Peter Steudtner dhe korrespodenti i gazetës “Die Welt”, Deniz Yucel. Për BE-në, është e papranueshme që gazetarët dhe aktivistët për të drjetat e njeriut si dhe anëtarët e opozitës në Turqi janë arrestuar pa bazë ligjore.

Prandaj, Hahn kërkoi nga qeveria e Ankarasë të bëjë hapa konkrete para takimit me përfaqësuesit e BE-së. Vetëm me vepra të dukshme Turqia do të mundet t’i përmisojë marrëdhëniet e saj me BE-në. Komisioneri për zegjerim të BE-së për “Passauer Neue Presse” tha: “Kartat janë mbi tavolinë. Turqia duhet të marrë vendime themelore sa u pëket këtyre çështjeve. Vetëm deklaratat nuk janë më të mjaftueshme.”

Turqia këmbëgul në anëtarësimin e plotë në BE

Një javë më parë, ministri turk Celik deklaroi para anëtarëve të Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian: “Qëllimi ynë është anëtarësimi i plotë, nuk jemi të gatshëm të pranojmë asnjë alternativë tjetër”. Stopimi i negociatave nuk është zgjidhje për BE-në – nga frika që mund të përkeqësojnë më tej situatën e kundërshtarëve politikë të presidentit Erdogan, dhe nga frika se Turqia pastaj do të kthehet drejt vendeve  si Rusia apo Irani. Ndërprerja e ndhimave për anëtarësim në BE të Turqisë, aktualisht nuk mund të shihet si ndonjë opcion për të rritur presionin ndaj tyre. Ndihmat sigurojnë nga viti 2014 deri në 2020, një shumë prej 4.45 milardë euro për Turqinë. Fondet do të shpensohen tani në promovimin e shoqërisë civile dhe sundimin e ligjit, tha Komisioneri Hahn.

Erdogani akuzon Berlinin për spiunazh

Presidenti Erdogan ndërkohë i shtoi kritikat e tij ndaj Gjermanisë, duke akuzuar qeverinë gjermane për spiunazh. Nda grupi i AKP-së në paralmentin e Ankarasë thonë: “Ti(Angela Merkel) nuk i lejon presidentit dhe minstave të Turqisë të mbajnë fjalime në vendin tuaj, e agjentët tuaj grumbullohen këtu në hotele dhe përçajnë vendin tonë.”  Në kryeartikullin e së përditshmes pro-qeveritare “Yeni akit” sulmohet Gjermania mefjalët: Nën kancelaren Angela Merkel Gjermania është më e keq se sa nën regjimin e Adolf Hitlerit, shkruan gazeta turke. (dw)

Erdogani ashpërson retorikën anti-perëndimore

erdogan1Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e shtoi sot retorikën anti-perëndimore, duke thënë se ka marrë fund epoka kur Turqia përulej ndaj çdo kërkese perëndimore.

Zoti Erdogan i bëri komentet ndërkohë që zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian zhvillonin bisedime me ministrin e jashtëm turk në Bruksel.

Turqia është përfshirë në një grindje diplomatike me Gjermaninë, pas arrestimit javën e kaluar të një grupi veprimtarësh për të drejtat e njeriut, mes tyre edhe një shtetas gjerman, që ajo i akuzon për mbështetje të terrorizmit.

Udhëheqësi turk akuzoi gjithashtu Izraelin se përdor luftën kundër terrorizmit si pretekst për t’u marrë myslimanëve objektet e shenjta në Jerusalem. (voa)