Kthimi i pronave shqiptare, nga heqja e “ligjit të luftës” nuk përfitojnë çamët

grek dhe shqiptarAthina dhe Tirana kanë akord për heqjen e ligjit të luftës. Rrëzimi i ligjit do të heqë edhe pengesat për rimarrjen e pronave, që shtetasve shqiptarë iu sekuestruan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel mëson se marrëveshja nuk do të ketë efekt prapaveprues, që do të thotë se ish-pronarët s’do të mund të marrin dëmshpërblim për pronat, të cilat janë shfrytëzuar prej 78 vitesh nga të tretët.

Dy ministrat Kotzias dhe Bushati kanë rakorduar një formulë ligjore për heqjen e ligjit të luftës, e cila është propozuar më herët nga Presidenca e Republikës së Greqisë.

Sipas burimeve të sigurta në Ministrinë e Jashtme greke, Presidenca greke ka propozuar abrogimin e ligjit të luftës nëpërmjet një dekreti presidencial, fuqia juridike e të cilit njehësohet me dekretin mbretëror “2636” të datës 8 nëntor të vitit 1940.

Ky dekret solli edhe sekuestrimin e të gjitha pronave, që shtetasit e Shqipërisë kishin në territorin grek. Ndërsa për dekretin numër “4560” të vitit 1966, i cili rikonfirmoi dekretin mbretëror të 1940-s, në Athinë do të ndërmerret një nismë ligjore që do të votohet në Parlament.

Top Channel ka mësuar se, me shfuqizimin e këtyre dekreteve hapet menjëherë rruga për kthimin e pronave të sekuestruara nga shteti grek, te pronarët e tyre të para luftës, pra shtetasit shqiptarë të cilëve iu janë sekuestruar.

Përfitues nuk do të jenë shtetasit grekë me origjinë shqiptare, të njohur si çamë, që u dëbuan dhunshëm në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pronat e tyre janë konfiskuar me argumentimin si ish-bashkëpunëtorë të fashistëve dhe nazistëve gjatë luftës.

Bëhet fjalë për disa qindra prona fizike, kryesisht shtëpi, dyqane, por edhe toka bujqësore, vlera e të cilave sipas shtetit grek llogaritet në 13 milionë euro me çmimet e sotme.

Përfitues janë edhe pronat e vet shtetit shqiptar. Sipas të dhënave, këto prona ndodhen kryesisht në Athinë, Selanik, Larisa dhe Patra. Këto prona, gjatë viteve që janë sekuestruar prej shtetit grek, janë dhënë në përdorim në formë qiraje shumë të ulët shtetasve grekë.

Në sekuestro nga shteti grek u vendosën edhe qindra kilogramë bizhuteri, gurë të çmuar, ar, vepra arti, bono thesari, të cilat në momentin e sekuestrimit ishin në formë depozitash në bankat greke, për të cilat shtetasit shqiptarë pasardhës të pronarëve të tyre duhet të ndjekin rrugët ligjore, të cilat në raste të ngjashme zgjasin me vite.

Top Channel

Tiranë: Diplomacia dhe politika reagojnë për kufirin detar me Greqinë

Kotzias DitmirMinistria për Evropën dhe Punët e Jashtme deklaroi të martën në mbrëmje se delimitimi i hapësirave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë është në interes të të dy vendeve.

Ministria e jashtme shqiptare publikoi një deklaratë ku theksoi se përcaktimi përfundimtar i kufijve është i nevojshëm si për ushtrimin e sovranitetit dhe të drejtave sovrane në këto hapësira, ashtu edhe për shfrytëzimin ekonomik të tyre.

Deklarata e Tiranës zyrtare vjen si reagim ndaj njoftimeve në shtypin grek se Greqia do të përfitojë 12 milje det nga Shqipëria.

Ministri i jashtëm grek Nikos Kotzias e pohoi këtë njoftim gjatë një interviste në televizionin ERT.

Sipas ministrisë shqiptare të punëve të jashtme, diskutimet mes dy qeverive kanë nisur 5 vjet më parë.

“Në mungesë të një marrëveshje mes tyre, prej vitit 2013 palët kanë kryer një sërë diskutimesh ekploratore për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për këtë çështje” – tha ministria e jashtme e Shqipërisë.

Sipas deklaratës, pala shqiptare në këto diskutime deri në lidhjen e një marrëveshjeje për delimitimin e hapësirave detare do të mbështetet tek parimet e Konventës për të Drejtën e Detit, ku të dy shtetet janë palë, praktikën ndërkombëtare, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionin e brendshëm.

“Ky qëndrim i palëkundshëm është pika e nisjes për ekspertët që do të negociojnë me palën greke për këtë çështje. Çdo interpretim tjetër nga aktorët politikë është qëndrim dashakeq, që synon të relativizojë, apo më keq, mohojë gabimet trashanike të së shkuarës” – deklaroi ministria e jashtme shqiptare.

Ajo i quajti të pabazuara reagimet e sotme mbi diskutimet me Greqinë, e sidomos ato për çështjen e delimitimit të hapësirave detare.

Historiku i kësaj çështjeje nisi afro 10 vjet më parë, ku qeveria e kryeministrit Sali Berisha nënshkroi në Tiranë një marrëveshje me palën greke.

Kjo marrëveshje për ndarjen e hapësirës detare mes dy vendeve u padit nga Partia Socialiste si antikushtetuese në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit e hodhi poshtë atë.

Partitë politike në Tiranë po diskutojnë në grupet e deputetëve dhe po dalin me reagime të ndryshme.

Partia Demokratike në mbledhjen e grupit parlamentar, iu përmbajt qëndrimit se do të jetë kundër marrëveshjeve të pafavorshme për Shqipërinë.

Edhe përfaqësues të LSI-së, ish-ministrja e integrimit Klajda Gjosha dhe ish-ministri i drejtësisë, Ylli Manjani, shprehën dyshimet e tyre mbi rrjedhën e bisedimeve me Greqinë për marrëveshjen e detit. Opozita i ka kërkuar qeverisë më shumë transparencë dhe saktësi nga bisedat me palën greke.

Por kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikëve përmes rrjeteve sociale se po spekullonin me këtë temë.

Ai bëri thirrje qytetarëve për durim “sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentat e marrëveshjes së re me fqinjin”. (voa)

Prishtinasit kërkojnë ajër të pastër

Prishtina protesteDisa qindra qytetarë të Prishtinës, me moton “Duam ajër të pastër”, kanë protestuar sot në sheshin “Skënderbeu” dhe para objektit të Kuvendit të Kosovës, me qëllim të sensibilizimit të opinionit dhe institucioneve të vendit për nivelin alarmant të cilësisë së ajrit në kryeqytet.

Ditët e fundit, cilësia e ajrit, sipas matjeve zyrtare, është e rrezikshme për shëndetin e njerëzve.

Komuna e Prishtinës dhe Qeveria e Kosovëskanë marrë masa të caktuara, në përpjekje për ta ulur nivelin e ndotjes së ajrit.

Protestuesit në Prishtinë kanë vendosur para Kuvendit të Kosovës pankartat me mesazhe kundër ndotjes së ajrit.

“Helm”… “U ngufatëm”…”Kontrollo cilësinë e naftës”…” Ajër”,, ishin disa nga mesazhet nga parullat që mbanin në duar protestuesit.

Në emër të qytetarëve që kanë protestuar ka folur Vullnet Krasniqi, i cili ka thënë se përgjegjësinë kryesore për cilësinë e ajrit në Prishtinë, e bartin institucionet e vendit, për shkak të shpërfilljes që i kanë bërë këtij problemi për vite të tëra.

“Sot jemi mbledhur për të protestuar për diçka elementare, sikur ajri. Bash sot, pas 17 vjetësh që nuk kanë bërë asgjë, sot e kanë gjetur që të organizojnë një mbledhje të jashtëzakonshme për ajrin. Por, është mjaft. Nuk duam më t’ju dëgjojmë duke folur. Ju kemi dëgjuar qe 17 vjet. Tash duam ajër, ajër të pastër”, theksoi Krasniqi.

Ai ka shtuar se kërkesa e protestuesve është që të furnizohen shkollat dhe qendrat mjekësore me maska për mbrojtje nga ajri i ndotur.

Në anën tjetër, në koordinim me autoritetet qendrore të vendit, autoritete komunale të Prishtinës kanë nisur sot zbatimin e disa masave për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Ato kanë ndaluar shitja e thëngjillit brenda territorit të Prishtinës, si dhe qarkullimi i të gjitha automjeteve brenda qytetit të Prishtinës nga ora 6 deri në orën 22, përveç atyre të transportit publik, automjeteve emergjente, të policisë, të misioneve diplomatike, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të EULEX-it, inspeksionit, taksive të licencuara.

Në rrugët e Prishtinës janë angazhuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kontrollimin e trafikut dhe patrullat policore janë parë në të gjitha rrugët që qojnë drejt qendrës së qytetit.

Megjithatë, disa qytetarë të Prishtinës, të cilët kanë marrë pjesë në protestë, i kanë vlerësuar masat e autoriteteve si të pamjaftueshme.

Arbnora Ademi nga Prishtina, thotë se për cilësinë e ajrit duhet të vetëdijesohen edhe institucionet, por edhe vetë qytetarët.

“Jo, nuk mendoj që janë masat e duhura dhe korrekte. Por, duhet po aq sa Qeveria edhe ne si popull me qenë të kujdesshëm. Nuk janë vetëm veturat, por ka edhe ndotje tjera më të vogla dhe që krijojnë diçka më të madhe”, tha Ademi.

Fatmir Curri, po ashtu nga Prishtina, thotë se tash e disa vite, sidomos në stinën e dimrit, ajri në Prishtinë është i ndotur. Por, sipas tij, ditëve të fundit është shpërfaqur vetëdijësimi më i madh i qytetarëve për gjendjen alarmante të ajrit.

“Këto masa që i ka marrë sot Komuna nuk janë të mjaftueshme, sepse e dimë që ndotësi kryesorë është Obiliqi, pastaj djegësit e qymyrit, por edhe për veturat po thuhet që po marrin pjesë. Ajo që mungon është një analizë e vërtetë se cilët janë shkaktarët e më pas të merren masat e duhura”, theksoi Curri.

Të dhënat që ditë më parë ka ofruar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës tregojnë se vlerat e PM 2.5 janë disa herë jashtë normales, duke arritur edhe mbi 400 grimca, sipas kësaj matjeje. (rel)

 

BIRN: Media në Kosovë, nën trysninë e politikanëve dhe bizneseve

Në një raport të publikuar nga Rrjeti Ballkanik i gazetarisë hulumtuese BIRN, vihet në pah se mediat në Kosovë janë subjekt i trysnisë nga politikanët dhe bizneset për mos t’i lejuar ato që të raportojnë mbi çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Këto pohime janë pjesë e një raporti me titull “Presioni i pafund: raportimi i mediave të Kosovës për krimin e organizuar dhe korrupsionin”.

Autori i raportit Arben Qirezi numëron disa nga gjetjet kryesore të hulumtimit të rasteve të publikuara nga mediat në Kosovë.

“Mediat në Kosovë janë të nënshtruara trysnisë së përditshme nga ana e politikanëve dhe bizneseve dhe kjo trysni ka për qëllim të parandalojë raportimin e mediave apo të zbusë raportimin e mediave për rastet e krimit të organizuar apo të korrupsionit. Kjo është e gjetura kryesore. Ekzistojnë dy lloje të trysnisë, ajo çfarë flet e gjetura ka të bëjë me trysninë e jashtme dhe kjo lidhet më së shumti me trysninë financiare”, tha zoti Qirezi.

Ai tha se Kosova është treg i vogël dhe se mediat nuk mund të mbijetojnë nga shitja, por varen nga të hyrat e reklamave të cilat financohen më së shumti nga sektori publik dhe bizneset private. Trysnia financiare sipas raportit më së shumti bëhet me kushtëzimin e mënyrës së raportimit dhe kjo vështirëson punën e mediave të pavarura të cilat përballen me trysni për mungesë të fondeve.

Raporti vë në pah po ashtu se gazetarëve nuk u ofrohet siguri dhe kjo ndikon në raportimin e tyre mbi çështje të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kjo siguri ka të bëjë me sigurinë e tyre fizike por edhe me sigurinë e tyre në vendin e punës. Ekziston një klimë e përgjithshme e pasigurisë në mesin e profesionistëve të gazetarisë qoftë për shkak të trysnive të ndryshme që ndërlidhen me kërcënimet për sulme fizike ndaj tyre apo me sulme fizike të tyre të drejtpërdrejta apo edhe me pasiguri në vendin e punës dhe kjo shkakton që gazetarët të përdorin edhe vet censurën gjatë raportimit për çështjet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”, tha zoti Qirezi.

Në raport thuhet se institucionet e sundimit të ligjit janë pasive në komunikim me mediat dhe qasja në dokumente zyrtare nuk zbatohet në të gjitha rastet. Në raport thuhet se aktualisht ka një shkallë mos-besimi në mes të mediave dhe prokurorëve.

Prokurori i Prokurorisë së Shtetit, Besim Kelmendi tha se janë marrë veprime për të rritur bashkëpunimin me mediat për të raportuar për rastet e krimit të organizaur dhe korrupsionit.

“Kemi një rregullore që e rregullon mirë mënyrën e komunikimit dhe janë të detyruar të gjithë prokurorët që me raportu për rastet e veta ose me komuniku me mediat për rastet e veta për aq sa e lejon ligji, për aq sa nuk i dëmton hetimet”, tha zoti Kelmendi.

Raporti nxjerr në pah po ashtu se mediave në përgjithësi u mungojnë burimet, përfshirë personelin dhe kohën për t’iu përkushtuar raportimeve hulumtuese në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Petrit Çollaku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës numëron disa nga sfidat që vështirësojnë punën e gazetarëve.

“Kur flasim për sektorin privat të mediumeve është një situatë jo e mirë dhe ka ankesa. Mungesë e kontratave të punës, paga të ulta, vonesa e pagave dhe krejt këta faktorë po krijojnë një pasiguri te gazetarët të cilët nuk kanë shumë mundësi për të kërkuar”, tha zoti Çollaku.

Përfaqësues të shoqatave të gazetarëve në Kosovë thonë se gjendja e medies vazhdon të mbetet e vështirë, ndërsa tërheqin vërejtjen se vështirësitë shtrihen nga pengesat në punën e tyre të përditshme deri tek siç thuhet, mungesa e transparencës së institucioneve qeveritare.

Vitin e kaluar, sipas policisë së Kosovës janë regjistruar të 28 raste të kërcënimeve, sulmeve e pengimit të punës së gazetarëve. Organizatat ndërkombëtare vazhdojnë të radhisin Kosovën në mesin e vende me liri të pjesshme të medies. (voa)

Shqiptarët dhe negociatat për emrin e IRJM

Kohëve të fundit, bisedimet për emrin e IRJM ne mes te Greqisë dhe IRJM, që zgjasin me shumë se 20 vite, u intensifikuan. Të dy kryeministrat, Tsipras dhe Zaev, deklaruan gatishmëri për tolerance më të madhe lidhur me gjetjen e emrit përfundimtar për IRJM.
Nga njëra anë, kryeministri Tsipras, megjithë insistimin dhe presionin nga opinioni publik grek, është i gatshëm të pranojë emërtim të përbërë, edhe me kushtin që të përmbajë emrin Maqedoni. Kjo për arsye se duke ja hequr ekskluzivitetin IRJM-së për emrin Maqedoni, grekët hedhin poshtë njëherë e përgjithmonë argumentin e keqpërdorur me vite që teorikisht u jep të drejtë sllavëve që quajnë veten maqedonas, dhe shtetin e tyre Maqedoni, në një të ardhme të pretendojnë edhe për territoret që historikisht kanë të njëjtin emër në Greqinë e sotme.
Nga ana tjetër, kryeministri Zaev në krye te qeverise se re te IRJM, më i vetëdijshëm se paraardhësi i tij për faktin që po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbajë në këmbë këtë shtet, me emër, territor dhe histori të përvetësuar si dhe flamur të shpikur, është i gatshëm për lëshime. Me një emër të përbërë, që gjithsesi do të përmbante emrin Maqedoni, duke e quajtur veten akoma maqedonas, në një rregullim shtetëror unitar të mbrojtur me kaq ngulm, sllavomaqedonasit sigurojnë vetes pozitën e pronarit të privilegjuar të shtetit, dhe pozitën e pakicës dhe qytetarit të dorës së dytë për shqiptarët. Me lëshimin që bën Zaev ndjehet mjaft komod, sepse nuk është i pari që bën këtë. Lëshimet në këtë drejtim janë bërë që pas shpalljes së pavarësisë (1991). Në vitin 1993, të ndodhur para kundërshtimit dhe presionit të Greqisë për emrin, sllavomaqedonasit pranuan anëtarësimin në OKB nën emërtimin e përkohshëm – Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë. Ndërsa më 1995 pranuan të ndryshojnë edhe flamurin, duke hequr diellin maqedonas të lashtë Vergina nga flamuri dhe duke bërë një tjetër te ngjashëm me konkurs. Por ama, ata vet, gjatë gjithë kohës vazhduan akoma ta quajnë shtetin Maqedoni, dhe veten maqedonas!
Ndërkohë, para ca ditësh, në Selanik u mblodhën dhjetëra e ndoshta edhe qindra mijëra protestues, për të protestuar që emri Maqedoni të mos jetë pjesë e riemërtimit të ri të IRJM.
Po shqiptarët në IRJM, e edhe me gjerë, çfarë qëndrimi kanë lidhur me emrin e ri të IRJM-së? A duhet dhe a pritet nga ata te kenë qëndrim, mendim apo kundërshtim sa i përket një çështjeje kaq të rëndësishme? A duhet ata të kërkojnë të drejtën për të marrë pjesë si palë e tretë në bisedime dhe madje, për të kundërshtuar ndonjë variant? Klasa politike shqiptare në pushtet, e edhe ajo në opozitë nuk kanë asnjë qëndrim lidhur me emrin që do zgjidhej si i pranueshëm për palën greke e pastaj edhe për IRJM. Thuajse kjo punë s’ka të bëjë fare me ta. Udhëheqësi i BDI, pjesë e qeverisë së koalicionit me LSDM, deklaron gjatë gjithë kohës në publik se për të është me rëndësi të vetme anëtarësimi i IRJM në NATO dhe BE, dhe bisedimet për emrin i sheh vetëm në funksion të këtij anëtarësimi, pavarësisht emrit që do të dali nga këto negociata. Dhe që absurdi të jetë akoma me i madh, nga po kjo parti e painteresuar për emrin, Bujar Osmani, zëdhënës i BDI dhe njëkohësisht zv/kryeministër për integrime Europiane, u angazhua në disa takime për negociatat për emrin. Ndërkaq, qytetarët shqiptarë në IRJM, të zhytur në varfëri, të detyruar të zgjedhin në mes ikjes në shtetet e Evropës perëndimorë ose skllavërimit për një vend pune nga ana e partive shqiptarë në pushtet, as që u shkon mendja të shprehen lidhur me këtë çështje që i ka nxjerrë ata, bashkë me shtetin ku jetojnë, në një udhëkryq të rëndësishëm politik.
Shqiptarët, që realisht përfaqësojnë palën e tretë në këtë çështje, qoftë duke u bazuar në argumentin historik politik, qoftë në atë të realitetit aktual, anashkalohen plotësisht. Por këtë herë jo me fajin e “fuqive të mëdha” por falë përfaqësuesve shqiptare te inkriminuar në institucionet e IRJM! Në një kohë që zgjidhja e vetme e pranueshme për shqiptarët, si palë e tretë në këtë çështje, do të ishte shmangia e përdorimit të emrit Maqedoni në emrin e ri të IRJM, që detyrimisht do të shoqërohej me ndryshimin e kushtetutës dhe karakterit unitar të shtetit. Vetëm në këtë mënyrë shqiptarëve do t’u plotësoheshin të drejtat kolektive, aktualisht objekt talljeje ne duart partive sllavomaqedone ne pushtet, qe japin e marrin te drejta, dhe partive shqiptare në pozitë dhe opozitë që “luftojnë” e “luftojnë” pambarim për këto te drejta.
Duke anashkaluar shqiptarët në një moment kaq të rëndësishëm historik, kryeministri Zaev, në vazhdimësi të paraardhësve të tij, me ndihmën e shqiptarëve të inkriminuar për të cilët mban me vete çantën e mbushur plot me dosje kriminaliteti, tani për tani arrin të kontrollojë politikën shqiptare, duke kultivuar shqiptarin e dëgjueshëm dhe kokulur, në një shoqëri dhe sistem mafioz që nuk ka asgjë të përbashkët me shoqëritë demokratike europiane. Ku qytetari shqiptar jeton i skllavëruar nga partitë shqiptare në pushtet dhe i kushtëzuar me vendin e punës voton ashtu si do kryeministri Zaev.
Por një gjë është e sigurt, kryeministri Zaev me gojën plotë fraza të bukura për paqe dhe stabilitet në rajon, me këto lojëra të rrezikshme, vetëm paqe dhe stabilitet nuk do të sigurojë për të ardhmen e bashkëqytetarëve tij.

Afrim Fanda

Katalonja: Loja e maces me miun vazhdon

KatalonjaPapritur parlamenti i Katalonjës e shtyu votimin për zgjedhjen e Carles Puigdemontit si president rajonal. Presidenti i Parlamentit Roger Torrent do të fitojë kohë dhe kërkon një rrugëdalje.

Rreth një mijë gazetarë nga e gjithë Evropa janë akredituar në Parlament në Barcelonë, sepse të gjithë presin të hënën pasdite vazhdimin e dramës politike të Katalonjës: rizgjedhjen e Presidentit rajonal Carles Puigdemont: ose në mungesë, ose – dhe këtë mediet do ta kishin preferuar më shumë – që të hapet ndonjë kapak pusete në parkun tropikal para godinës së Parlamentit dhe prej saj të dalë Puigdemonti. Ai i pati ndezur pritjet e shtypit dhe një mbrëmje më parë pati postuar një fotografi të hyrjes së parlamentit.

Policia spanjolle dha kontributin e saj: automjetet kontrolloheshin në hyrje të kalimeve kufitare franko-spanjolle, kapakët e kanaleve në parlament u kontrolluan me të vërtetë dhe forcat e ndërhyrjes ishin në pozicione, që të pengonin një hyrje të fshehtë të udhëheqësit të koalicionit të pavarësisë.

Zhgënjim në mëngjes

Rreth orës 10 në mëngjes, Presidenti i parlamentit Roger Torrent i shoi shpresat për një ditë të madhe lajmesh. “Unë do të shkoj deri në fund për t’i mbrojtur të drejtat e Puigdemontit”, deklaroi ai, por njëkohësisht duke mos i dhënë mbështetjen e shpresuar Carles Puigdemontit. Fituesi i zgjedhjeve të dhjetorit pati shpresuar se deputetët do ta injoronin deklaratën e fundjavës të Gjykatës Kushtetuese, e cila pati urdhëruar një prani të detyruar për Presidentin e rajonit. Por Torrenti do të fitojë kohë. Ai e shtyu votimin për një datë tjetër, pa e caktuar atë. Me këtë ai vërtet që shkel të gjitha rregullat parlamentare, sepse afati përfundon në 31 janar, por me vogëlsi të tilla Independentistas nuk duan të merren.

Edhe një demonstratë dhe grindje pas perdeve

Pasdite mblidhen nën diellin më të bukur të dimrit ndoshta një mijë mbështetës të Carles Puigdemontit. “Ne nuk kthehemi pas”, thonë ata. Dhe”ti nuk je vetëm”. Grupi është vërtet i zhurshmëm, por kjo nuk mjafton për një demonstrim të fuqishëm force. Edhe në radhët e demonstruesve duket lodhje.

Pas perdeve përvijohen çarje në frontin politik. Partia e Puigdemont-it rri në sallë dhe disa të majtë të CUP thonë se do ta kalojnë demonstrativisht pasditen në parlament. Ata duan të tregojnë se nuk janë dakord me shtyrjen e votimit. Ata kanë ardhur për të votuar. Por Presidenti i Parlamentit, Roger Torrent bën pjesë në koalicionin ERC. Shefi i partisë së tij, Oriol Junqueras ndodhet që prej nëntorit në burg, i akuzuar për kryengritje dhe secesion. Thuhet se dy palët nuk flasin me njëri-tjetrin.  (dw)

Ajri i ndotur mbush QKUK-në me pacientë

prishtina ajri i ndoturShkalla e lartë e ndotjes së ajrit ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore, thonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Numri i pacientëve është aq i madh sa që Qendra Klinike Universitare po ballafaqohet me mungesë shtretërish për t’i hospitalizuar të gjithë ata që kanë nevojë të shtrihen në spital, posaçërisht pacientët me sëmundje kronike të cilët i ka prekur më tepër ndotja e ajrit.

Rukije Mehmeti, pulmologe, tha për Radion Evropa e Lirë se fluksi i pacientëve është shtuar dukshëm ditëve të fundit. Ajo thotë se me probleme shëndetësore po përballen sidomos njerëzit me sëmundje kronike, të cilët nuk po mund ta durojnë një shkallë kaq të lartë të ajrit të ndotur.

“Mund të them se numri i të sëmurëve në klinikë, jo vetëm vizita ambulatore, por edhe rastet që kanë nevojë për hospitalizim është dyfishuar. Është një fatkeqësi që tash për tash nuk kemi mundësi që t’iu ofrojmë shtretër pacientëve aq sa kanë nevojë. Pacientët me sëmundje kronike po vijnë me gjendje të rëndë shëndetësore, ndonëse edhe fëmijët gjithashtu”, tha Mehmeti.

Në Klinikën e Pulmologjisë takuam qytetaren Linda Kastrati. Ajo kërkonte ndihmë për nënën e saj, e cila vuan nga një sëmundje kronike. Linda thotë se është mjaft e shqetësuar për nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, i cili, sipas saj, ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të nënës së saj.

“Kam ardhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bashkë me nënën. Ajo e ka gjendjen e përkeqësuar shëndetësore, pikërisht për shkak të ajrit të ndotur. Ka probleme me mushkëritë dhe gjendja i është përkeqësuar ditëve të fundit”, tha ajo.

Gjendje më e mirë nuk është as në Klinikën e fëmijëve në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Aty, pediatri Muharren Avdiu thotë se numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është rritur shumë ditëve të fundit. Njëherësh, ai beson se numri i pacientëve është rritur edhe për faktin se aktualisht në Kosovë ka raste të shtuara edhe nga sëmundja e gripit sezonal.

“Kemi ajër të ndotur, por ka edhe grip gjatë muajit janar të këtij viti. Kjo mjafton që pasojat të jenë evidente. Andaj, edhe shtimi i numrit të rasteve të fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është evident. Raste fatale, fatmirësisht, nuk ka pasur. Por, bronkitet kronike janë më së shumti evidente në këto rrethana të krijuara”, tha Avdiu.

Një klinikë tjetër që po ballafaqohet me fluks të pacientëve është Klinika Infektive. Mungesa e shtretërve aty, ka bërë që shumë pacientë të trajtohen në mënyrë ambulatore dhe t’u përcillet gjendja shëndetësore. Kurse rastet e rënda dhe me komplikime shëndetësore, sipas infektologut Sali Ahmeti, tashmë janë të shtrira për mjekim.

“Ajri i ndotur pa diskutim se është një faktor shtesë në shfaqjen e infeksioneve, në mënyrë të veçantë të organeve respiratore. Këtë muaj kemi një shtim të numrit të pacientëve, ku këtu edhe viruset sezonale kanë ndikuar shumë. Kemi pasur edhe prekje të sistemit nervor, si meningjit, cefalit të natyrës virale, e që janë faktorë për përhapjen e infeksioneve të tilla”.

“Gjatë janarit jemi ballafaquar me probleme për pranimin e rasteve për shkak të fluksit, dhe ju japim përparësi rasteve të rënda, derisa të tjerët i trajtojmë në mënyrë ambulatore”, theksoi Ahmeti.

Sipas të dhënave zyrtare, ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur në nivele alarmante. Nisur nga ky fakt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane, ndotja është mbi vlerat e lejuara.

Ndërkohë që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë paralajmëruar se që nga dita e mërkurë, do të reduktohet qarkullimi i veturave në kryeqytet dhe do ndalohet shitja e thëngjillit që përdoret si lëndë djegëse, si masa që besohet se mund të ndikojnë sado pak në uljen e shkallës së lartë të ndotjes së ajrit. (rel)

Pakti grek për emrin e Maqedonisë, Kotzias: Brenda shkurtit

nimitsVetëm disa orë para mbërritjes në Athinë të negociatorit të OKB-së, Matthew Nemetz, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias ka deklaruar në televizionin publik “ERT” se, qeveria greke është duke përgatitur një pakt të përgjithshëm, që brenda muajit shkurt do t’ia propozojë Shkupit zyrtar për sa i përket të gjithë kontekstit të çështjes së emrit.

“Në këtë pakt do të përfshihen të gjitha çështjet që janë të hapura në lidhje me emrin, një kapitull i veçantë për irredentizmin dhe Kushtetutën, por edhe çështje që kanë të bëjnë me të ardhmen e këtij vendi”, tha Nikos Kotzias, kryediplomat i Greqisë.

Nëse këtë projekt do ta pranojë edhe Qeveria “Zaev”, atëherë ky pakt do të shkojë për miratim në Parlamentin grek.

Kotzias ka thënë gjithashtu se një zgjidhje e mirë do të ishte që emri i ri i fqinjit verior të Greqisë, për të cilin do të bihet dakord, të jetë një emër i përbërë në gjuhën sllave i papërkthyeshëm. Sipas ministrit të Jashtëm grek, edhe Nemetz, nga 5 emrat që ka propozuar, 4 janë në gjuhën sllave.

I pyetur për ministrin e Mbrojtjes dhe kreun e partisë aleate në qeveri, Panos Kammenos, i cili më herët ka këmbëngulur që termi “Maqedoni” të mos jetë pjesë e emrit të ri, por duke theksuar se nuk do të rrëzonte kurrë qeverinë me votëbesim në Parlament, Kotzias ka thënë se është e pranueshme që brenda qeverisë të ketë pozicionime të ndryshme për një çështje, e kjo është shprehje e demokracisë.

Top Channel

“Patriotë me çizme e çamëristë…”, Rama reagon për “detin” me Greqinë

ramaNjë intervistë e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias për televizionin shtetëror në Greqi, ku ai thotë se ka një dakordësi me Shqipërinë për kufirin detar, prej të cilit Greqia përfiton 12 milje detare ka rikthyer në qendër të vëmendjes këtë temë.

Deklarata e Kotzias, ku ai thotë gjithashtu se në këtë hapësirë Greqia do të ushtrojë të drejtën e zonës ekskluzive ekonomike, u përhap me shpejtësi në mediat greke e më pas edhe në Shqipëri.

Kjo ka ngjallur reagimin e opinionit publik dhe faktorit politik në vend, ndaj të cilëve Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Patriotë me çizme e çamëristë të sapongjizur në kazanin politik e mediatik, pasi i lanë poturet për çerekshekulli varur në telin e fqinjit dhe harruan edhe detin në shtëpinë e tij, na janë ndezur sot flakë e zjarr për të bërë shkrumb e hi qeverinë, në turrën e akuzave për tradhëti!”, shkruan Rama.

Kryeministri i cilëson “të mjerë që meritojnë veç mëshirë” dhe kërkon durim deri kur të ketë një marrëveshje të firmosur.

“Kujt ndër ju shqetësohet prej çizmeve të patriotizmës së tyre pa din e as iman, i them bëj durim edhe pak e prit, sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin dhe ndërkohë mos dysho hiçfare se ne që ditëm t’i hapim me kurajo e dinjitet hesapet e 70 vjetëve me fqinjin, ne dimë edhe t’i mbyllim me dinjitet e mirëkuptim, në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve pa dallim”, mbyll reagimin e tij kreu i Qeverisë.

 Top Channel

Matthew Nimetz filloi një raund të ri konsultimesh për emrin e Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë

nimitsNë kuadrin e vizitës të tij në Greqi dhe Shkup, ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit të vendit fqinj, Matthew Nimetz viziton sot kryeqytetin grek, ku do të takohet me ministrin e Jashtëm Níko Kotziá, por dhe me përgjegjësin e Demokracisë së Re për Çështjet e Jashtme, Giórgo Koumoutsáko.

Brenda muajit Shkurt, qeveria do t’i paraqesë Shkupit një plan -pakti, tha ministri i Jashtëm Níko Kotziá, në një emision dje në mbrëmje në televizionin publik ERT.

Ai vendosi si kusht ndryshimin e kushtetutës së vendit fqinj dhe sqaroi se për palën greke ka rëndësi të madhe, që fjala e përbërë e emrit, e cila do të miratohet, të jetë në dialektin sllav dhe të mbetet e papërkthyer.

Kreu i diplomacisë greke shtoi se plani përfshin shtatë paragrafe të vogla të një teksti për të gjithë spektrin e përdorimit në lidhje me emrin, një kapitull të veçantë për irredentizmin dhe Kushtetutën, por dhe çështje të lidhura me pozitën ndërkombëtare dhe rajonale të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, si p.sh integrimi i saj në organizatat ndërkombëtare si dhe një «axhendë pozitive për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe». (ert)