Kalimi i Demarkacionit ende i pasigurt

CakorNdonëse Kuvendi i Kosovës ka paralajmëruar për të mërkurën seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ende mbetet e paqartë nëse janë siguruar 80 votat e nevojshme në favor të kalimit të kësaj çështjeje.

Partitë shqiptare brenda koalicionit qeverisës në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca Kosova e Re, kanë arritur pajtimin me partinë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, për votimin në favor të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje. Partia më e madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur kundër kësaj marrëveshje, ndërkohë që Lista Serbe, partnere në koalicionin qeverisës, e cila ditë më parë po ashtu ka qenë kundër ratifikimit të marrëveshjes, nuk ka ndonjë përgjigje të qartë se cili do të jetë qëndrimi i saj ditën e mërkurë.

Nënkryetari i kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shprehur dyshimin se mund të arrihen dy të tretat e votave në Kuvend, të nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, pavarësisht që partitë shqiptare në pushtet dhe partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë një pajtim në favor të votimin për ratifikim të marrëveshjes.

“Deklarata ka, por unë akoma nuk e besoj që mund të kalojë, në qoftë se nuk ka vota nga Lëvizja Vetëvendosje dhe në qoftë se edhe Lista Serbe voton kundër ose nuk vjen në seancë. Në qoftë se ndodhë kjo, atëherë po besoj që seanca prapë të shtyhet. Mund të hapet debati, derisa të përgatiten kushtet për t’u votuar”, tha Haliti.

Ndryshe, përfaqësuesit e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, kanë theksuar se qëndrimi kundërshtues i këtij subjekti lidhur me ratifikimin e marrëveshjes, nuk ka ndryshuar. Megjithatë, ata nuk kanë dashur të komentojnë nëse ky qëndrim mund të ndryshojë deri të mërkurën, kur edhe pritet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit.

Në anën tjetër, qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje deri më tash ka qenë kundër ratifikimit të Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Ismail Kurteshi, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky qëndrim nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë, pavarësisht spekulimeve në opinion se deputetë të caktuar të këtij subjekti mund të votojnë në favor të ratifikimit të marrëveshjes.

“Ne nuk e votojmë një marrëveshje, e cila është e dëmshme për Kosovën dhe i humbë 8 mijë e 200 hektarë të tokës së Kosovës. Pra, ky është qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe deri tash nuk është dëgjuar asnjë deputetë që e ka ndryshuar qëndrimin. Për aq sa di unë, askush nuk e ndryshon. Tash, e shohim të mërkurën”, theksoi Kurteshi.

Sidoqoftë, as zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e as përfaqësuesit e Listës Serbe, si pjesë e kësaj qeverie, nuk kanë qenë të gatshëm të sqarojnë nëse janë duke biseduar për arritjen e një konsensusi për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi në seancën e së mërkurës.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje mbetet kushti i fundit për Kosovën nga institucionet e Bashkimi Evropian, për të marrë liberalizimin e vizave. (rel)

Mediat greke: Pritje të vogla për zgjidhjen e emrit të Maqedonisë

greqi-maqedoni-flamujtTë jemi të kujdesshëm në pritjet për çështjen e emrit me Shkupin, kanë thënë për “To Vima” qarqe nga diplomacia greke, duke e mbështetur këtë me qëndrimin e dallimeve midis të dyja palëve, për pika të caktuara të cilat ende janë të mëdha.

Në tekstin me titull “Pritje të vogla për zgjidhjen e emrit të IJRM-së”, analizon se po bëhen përpjekje që të përafrohen pozicionet e të dyja palëve.

“Ekzistojnë shumë çështje të hapura dhe shumë raste të cilat shkaktojnë mospajtime midis të dyja palëve. Po bëhen shumë përpjekje që të ekzistojë harmonizim për pika themelore, por ekzistojnë shumë dallime” komentojnë për “To Vima” diplomatë grekë.

Sipas gazetës, në pengesat që vendosen janë edhe përmendja e shpeshtë e Kushtetutës nga kryeminstri Zaev, dhe qëndrimet se nuk ka nevojë ndryshim sepse që nuk ekziston as irredentizëm, as pretendimet territoriale.

“Kjo është një ndër pikat që vështirë mund të kalojë këtu në Greqi, dhe madje dhe të pranohet emri”, komentin “To Vima”.

Lidhur me emrin, gazeta shkruan se edhe krahas kësaj që Maqedonia e Epërme mbizotëron, ndërkaq, as kjo çështje nuk është mbyllur./AIM/

Berlinale 2018: Prezantimi i shqiptarëve

BerlinaleKinematograia shqiptare dhe kosovare ka përjetuar ditët më të bukura në Berlinale. Kësaj here asnjë nga filmat e tyre nuk arritën të depërtonin në gara, por nuk munguan emrat shqiptarë, madje edhe te çmimet.

Krenare, edhe pse pak e lodhur”, ndjehej Sarah Veltmeyer pasi mori Ariun e Kristaltë në kategorinë e filmit me metrazh të shkurtër në kuadër të garës së Berlinales për të rinj Generation14plus. “Jam e lumtur, por ende nuk po më besohet!”, tha ajo për DW. „Kiem Holijanda”, filmi i saj i xhiruar në Kosovë me aktorë shqiptarë, ishte filmi i dytë i regjisores holandeze të lindur në vitin 1988, por i pari me buxhet. Por ajo që të çudit paksa është që juria rinore u impresionua nga një ngjarje e së përditshmes kosovare, kur tek kineastët shqiptarë ekziston përshtypja se rajoni i Ballkanit nuk është edhe aq atraktiv për kinematografinë.

Personazhe autentikë nga një zonë e harruar

Krenar duhet të ndihen për këtë çmim edhe katër aktorët: dy vëllezërit Andi dhe Florist Bajgora, Arbnesha Grabovci-Nixha dhe Shpëtim Kastrati, sepse juria vërtet që e vlerëson filmin „për mënyrën e rafinuar të shprehjes së emocionit”, por shprehet mirënjohëse që ai „na njeh me jetën e dy personazheve autentikë nga një rajon i lënë në harresë”.

Për karakterin autentik të filmit e kanë meritën aktorët vetë, të cilët kanë marrë pjesë aktive në përshtatjen e skenarit me realitetin e Kosovës. “Me këtë film ishte një përvojë shumë e veçantë,” thotë Andi Bajgora. “Ne kemi punuar shumë si aktorë dhe e kemi përshtatur skenarin me karakteret tona, gjë që e ka shtyrë Sarahn që ta bëjë filmin me emrat tanë. Është njëri prej filmave më të interesantë dhe më të mirë që kam bërë”, thotë 15-vjeçari, i cili para tapetit të kuq të Berlinale-s kishte shkelur edhe atë të Oskarit, si një ndër dy aktorët kryesorë në filmin “Shok”.

Visar Morina merr „Lolën e Artë”

Një tjetër çmim, me të cilën ka arsye të krenohet pak Kosova, është Lola e Artë, të cilin këtë vit e mori një bir i saj, Visar Morina. Çmimi Gjerman për Skenarë, ose ndryshe „Lola e Artë” jepet në fillim të Berlinales për skenarin më të mirë të paxhiruar ende.

„Exil” flet për një imigrant që punon në një firmë farmaceutike dhe vë në fokus përplasjet kulturore në të përditshmen e punës. Morina, i cili vetë ka ardhur si refugjat në Gjermani gjatë kohës së luftës së Kosovës, e ka përjetuar vetë një pjesë të kësaj përplasjeje kulturore, edhe pse tani, 39-vjeçari, nuk mendon shumë për prejardhjen e tij si refugjat.

Në filmin e tij të parë me metrazh të gjatë „Babai” (2015), fitues i tre çmimeve në festivalin e Mynihut, Morina kishte si bashkëprodhues edhe Qendrën Kinematografike të Kosovës, meqë xhirimet ishin bërë atje. Kësaj here filmi do të xhirohet në Gjermani dhe me aktorë gjermanë. Por Morina nuk ka hequr dorë nga vendlindja që e la në moshën 15-vjeçare, dhe me shumë dëshirë do të shkojë të xhirojë aty një film tjetër. “Kosova është vend shumë interesant. Në çdo kënd të rrugës mund të instalosh një kamerë dhe të gjesh diçka. Është një vend i vogël me ndikime shumë të mëdha: nga orienti, me një kapitalizëm jashtë mase të ashpër, me një varfri ose pasuri shumë të madhe. Fellini do të ishte kënaqur në Kosovë”, thotë Morina në intervistë për DW.

Kohë të vështira për kinematografinë

Sado i përshtatshëm që është terreni si në Kosovë dhe në Shqipëri për të prodhuar ngjarje të forta kinematografike, asnjë prej prodhimeve nga Kosova ose Shqipëria nuk arriti këtë vit të depërtonte në garat e Berlinales.

Drejtori i Qendrës Kinematografike të Shqipërisë, Ilir Butka, e shpjegon me faktin që rajoni i Ballkanit ka dalë paksa nga vëmendja e festivaleve të mëdha. “Duhet ta pranojmë që festivalet e mëdha gjithmonë e më shumë bëhen politike domethënë kanë një vizion më të fokusuar drejt politikës. Do të ishte shumë e lehtë të depërtohej në festivale të tilla si Berlini, për shembull, po të ishe sirian ose iraken, ose iranian në këtë periudhë”, thotë Butka për DW.

Tani që vëmendja politike nuk është më e drejtuar nga Ballkani, nevojiten më shumë fonde nga shtetet: “Ne kemi një financim realisht shumë të vogël, domethënë financimi që ne disponojmë aktualisht si në Kosovë edhe në Shqipëri është i barasvlefshëm me financimin e një filmi të vetëm në Europë. Pra, ne nuk mund të ndërtojmë kinematografi, aq më tepër kombëtare, në qoftë se nuk hedhim dritën e financimit mbi situatën aktuale me atë çka ne kemi mundur të ndërtojmë deri tani.”

Bashkëpunim me traditë

Shpresë për përmirësim është bashkëpunimi i ngushtë mes dy qendrave kinematografike të Kosovës dhe të Shqipërisë. Çdo vit ato ngrenë një stendë të përbashkët në European Film Market, që zhvillohet paralelisht me Berlinalen, ku sjellin producentë dhe regjisorë për të krijuar kontakte me bashkëprodhues nga vende të tjera. “Kjo është një mundësi shumë e mirë për ne, sepse këtu në çdo cep mund të takosh dikë, qoftë edhe në kafe,” thotë regjisorja nga Tirana Ajola Daja, e cila vetë është kërkim të koproducentëve për realizimin e filmit të saj Emily K.

Aktori Nik Xhelilaj, i cili tashmë prej dy vjetësh jeton në Berlin, e vitizon stendën rregullisht. Pak nostaligjik është ai për kohët e shkuara të Berlinales, kur ai ishte “Shooting star” ndërsa Andamion Murataj do të shkonte të merrte Ariun e Argjendtë, për filmin “Falja e Gjakut”. “Ndjehem me fat kur mbaj mend që në vitin 2011 patëm një prezantim shqiptar bombastik në Berlinale”, thotë Xhelilaj. “Por kur vi këtu dhe shoh këtë stendë kosovare dhe shqiptare këtu pas është kënaqësi më vete.” (dw)

Pas mposhtjes së ISIS, rindërtimi i Mosulit

MosulNë qershor të vitit 2014, luftëtarët e grupit terrorist të ashtuquajtur Shteti Islamik pushtuan qytetin Mosul, në veri të Irakut. Ushtrisë irakiane, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, iu deshën tre vjet për të çliruar plotësisht qytetin, duke i mposhtur përfundimisht terroristët në muajin korrik. Javën e kaluar, komuniteti ndërkombëtar mblodhi 30 miliardë dollarë fonde për rindërtimin e zonave të çliruara në Irak, ndër to edhe Mosulin, qytetin e dytë më të madh të vendit.

Gjatë betejës 9-mujore për çlirimin e Mosulit nga luftëtarët e Shtetit Islamik, pjesa lindore e qytetit nuk u dëmtua shumë, por pjesa perëndimore nuk ishte me aq fat.

Pjesa historike e qytetit të vjetër u shndërrua në rrënoja gjatë muajve të luftimeve në rrugë dhe bombardimeve ajrore. Edhe distriktet e tjera në perëndim pësuan dëme të mëdha.

Të gjendur përballë një sfide të tillë, zyrtarët irakianë thonë se qeveria nuk ja del dot e vetme:

“Problemi kryesor në Mosul është se janë dëmtuar në masë shtëpitë e njerëzve. Këto rrënoja nuk mund të rindërtohen vetëm nga Iraku. Duhet solidaritet dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, thotë Salman Al-Jumaili, Ministër irakian i Planifikimit.

Qeveria e ka bërë prioritet kryesor strehimin dhe rikthimin e të zhvendosurve.

Në Mosulin perëndimor, rreth 63 mijë banorë ende nuk janë rikthyer. Në lindje, 70 mijë të tjerë gjenden të zhvendosur.

Nevojiten rreth 12 miliardë dollarë fonde për zgjidhje afatgjata dhe afatshkurtra.

((MUSTAFA AL-HITI, FONDI I RINDËRTIMIT))

“Gjysma e shtëpive janë të dëmtuara pjesërisht, pra mund t’i riparojmë. Ky do ishte një projekt i shpejtë. Në të njëjtën kohë, mund të fillojmë projekte ndërtimi më komplekse, të përhershme dhe me kosto të ulët”, thotë Mustafa Al-Hiti, president i Fondit për Ndërtimin e Zonave të Ndikuara nga Terrorizmi.

Qeveria synon rikthimin e shumicës së të zhvendosurve përpara zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale që do të mbahen në mesin e muajit maj.

Por, ka pengesa domethënëse.

“Në Mosulin perëndimor ka 54 lagje, 15 prej të cilave janë shkatërruar. Në këto 15 lagje ka 10 milionë tonë rrënoja, në pjesën më të madhe të të cilave ka municione të pashpërthyera”, thotë Lise Grande, koordinatore humanitare e OKB-së për Irakun.

Mbetjet duhet të kontrollohen me kujdes përpara se të pastrohen, një proces që mund të zgjasë për muaj dhe madje edhe vite të tëra.

Edhe infrastuktura e qytetit është dëmtuar rëndë. Duhen rehabilituar energjia, uji dhe kanalizimet, ndërsa kanë nevojë për vëmendje edhe objektet e kujdesit shëndetësor dhe sistemit arsimor.

Ka dakortësi të gjerë se rikthimi me shpejtësi i shërbimeve bazë është i rëndësishëm për përpjekjet për stabilizimin e të gjitha zonave të sapoçliruara.

“Nëse këto probleme politike, sociale dhe ekonomike nuk trajtohen siç duhet, nuk duhet të befasohemi nëse përballemi me një valë të re radikalizmi”, thotë Ali Sindi, Ministër i Planifikimit në qeverisë rajonale të Kurdistanit.

Për momentin, objektivi është rimëkëmbja e Mosulit.

“Nëse duam që irakianët të rindërtojnë vendin e tyre, Mosuli është epiqendra. Duhet të rindërtohet dhe të rilindë”, thotë zonja Grande.

Irakianët shpresojnë se suksesi në Mosul do t’i japë një shtysë përpjekjes mbarëkombëtare për rindërtimin. (voa)

Krimi shqiptar aleanca me mafien italiane

antimafiaOrganizatat kriminale shqiptare që veprojnë në Itali kanë rritur aktivitetin e tyre duke lidhur aleanca me grupet mafioze më të rëndësishme që veprojnë atje. Këto deklarata i bëri sot në Tiranë Drejtuesi i Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho, i cili pati takime me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Kryeprokuroren Arta Marku. Sipas zotit De Raho, forcimi i organizatave shqiptare ka ardhur dhe si pasojë e përfshirjes së tyre në ekonominë e ligjshme dhe lidhjeve me një pjesë të politikës. Ai u shpreh se mes dy vendeve ka një synim serioz për të mposhtur krimin e organizuar.

Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë për të goditur grupet kriminale shqiptare që veprojnë në të dy vendet ishin në qendër të takimeve që Kreu i Prokurorisë së antimafias italiane Federico Cafiero De Raho pati sot në Tiranë. Ndër vite organizatat shqiptare kanë shtrirë aktivitetin në shumë zona të Italisë, nga Jugu deri së fundi në disa pjesë të Veriut, falë dhe lidhjeve të vendosura me grupet mafioze italiane, që nga Sacra Corona Unita, te Ndrangheta, gjë që i ka lejuar atyre të përfshihen dhe në trafikun e kokainës. “Krimi shqiptar ka arritur një nivel të tillë zgjerimi në territor, pikërisht për shkak të aftësisë, jo vetëm për të administruar trafiqet e veta, por edhe për të lidhur aleanca me organizatat mafioze italiane, përveçse të hyjnë dhe në ekonominë e ligjshme dhe të kenë raporte me një pjesë të politikës”, u shpreh zoti De Raho.

Për kreun e antimafias italiane është e qartë se të arrish në nivele të tilla do të thotë që kriminaliteti shqiptar nuk ka hasur në pengesa të forta në territor dhe se për disa vite, struktura të caktuara që duhet ta luftojnë nuk kanë funksionuar si duhet. Por shtoi ai “këtë vetdije e hasëm sot te ministri i Brendshëm i cili ka ndërmarrë disa masa që janë një sinjal I qartë për të mposhtur krimn e organizuar. Ndërkohë që nga ana tjetër bashkëpunimi që po vazhdon mes autoriteteve gjyqësore dhe forcave të policisë mes Italisë dhe Shqipërisë dëshmon se ka një synim të qartë nga të dyja palët për të mposhtur krimin e organizuar shqiptar”.

Palët po kryejnë prej disa kohësh hetime të përbashkëta përmes grupeve të përbashkëta hetimore. Zoti De Raho vlerësoi angazhimin e palës shqiptare sidomos në ruajtjen e sekretit, gjë e cila siç tha ai “është shumë e rëndësishme për besimin reciprok”. Ai e konsideroi si një instrument të rëndësishëm ngritjen e Task Forcës për goditjen egrupeve kriminale në Shqipëri apo dhe procesin e spastrimit të radhëve të policisë. “Eshtë një sinjal i qartë për seriozitetin në luftën kundër krimit, sepse që të kesh rezultate është e nevojshme një strukturë e besueshme dhe të identifikosh njerëzit me besueshmëri”, u shpreh kreu i antimafias italiane.

Ai tha se mbetet ende shqetësim trafikimi i marijuanës drejt Italisë, duke theksuar se nisur nga rezultatet e vitit të shkuar kur numri i sipërfaqeve të mbjella u reduktua në mënyrë drastike, duket se ajo që po shkon ende drejt Italisë është sipas tij ajo pjesë e fshehur nëpër magazina”. (voa)

Juncker: Në BE – vendet që nuk kanë konflikte territoriale

juncker vucicPresidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha të hënën në Beograd se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë vende që kanë çështje të pazgjidhura, duke bërë thirrje për një marrëveshje detyruese ligjore ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të vizitës që po zhvillon në rajon, në dritën e strategjisë së zgjerimit të BE-së me gjashtë vendet e Ballkani Perëndimorë.

Ai tha se procesi i integrimit mbështetet në meritat e secilit vend kandidat dhe rrjedhimisht data e anëtarësimit të Serbisë varet prej saj,

“E di që shumë njerëz flasin për vitin 2025. Dua të jem i qartë. Ky nuk është premtim, por perspektivë, inkurajim, sepse vendi që synon të anëtarësohet, duhet të trimërohet në atë rrugë”. tha ai, duke nënvizuar se nuk mund të pranohen vendet që nuk i kanë zgjidhur konfliktet territoriale.

“Nuk mund të importojmë konflikte dypalëshe. Është me rëndësi që ato të zgjidhen para hyrjes në BE, sepse duam që vendeve të Ballkanit t’u ofrojmë qëndrueshmëri dhe jo të importojmë paqëndrueshmëri”, tha zoti Juncker.

Bashkimi Evropian, tha ai, dëshiron që marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës të normalizohen me një marrëveshje detyruese ligjore, por “nuk na takon neve që të themi se cili duhet të jetë karakteri i marrëveshjes, por u takon Beogradit dhe Prishtinës që të përcaktojnë se si do të duhet ajo”.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia duhet ta kuptojë se është me rëndësi të arrihet një kompromis me Prishtinës, në të kundërtën “do të mbytet në të kaluarën e saj”. Ai nuk tha se cili mund të ishte kompromisi por kundërshtoi siç tha, zërat në Serbi që thonë se “më së miri është të mbahet një konflikt i ngrirë…”

Ai tha se është me rëndësi që të gjendet një zgjidhje historike për marrëdhëniet me shqiptarët “në një mënyrë tjetër dhe jo me luftëra dhe dy popujt më të numërt” të jenë miq.

Ai tha se 22 vende të BE-së e njohin pavarësinë e Kosovës dhe presin një marrëveshje që do të çojë drejt kësaj, apo të paktën që Prishtina të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave tjera ndërkombëtare. Pesë vende të BE-së nuk duan atë që do Prishtina dhe as Beogradi nuk e do, tha ai, duke nënvizuar se “marrëveshja duhet të jetë e tillë që edhe Beogradi edhe Prishtina të humbin diçka, apo të jenë shumë të pakënaqura dhe kjo do të thoshte se kemi fituar”, tha ai.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës por është por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimit në BE.

Të hënën në Bruksel të dyja palët rifilluan bisedimet teknike ndërsa së shoejti mund të priten takime të reja në nivelin më të lartë politik për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do t’u mundësonte të dyja palëve përshpejtimin e proceseve integruese, ndonëse Kosova është e fundit në rajon. (voa)

Tiranë: Përzgjedhja e policisë, polemika mes deputetëve dhe analistëve

AfrimNë Tiranë, qeveria dhe opozita debatuan me tone të ashpra mbi gjendjen e rendit publik, gjatë një séance ku u shqyrtua një projekt-ligj mbi vetingun e policisë.

Por analistë të pavarur mendojnë se nisma e fundit u ndërmor për t’ia paraqitur Bashkimit Europian si një sukses, por vetingu i policisë nuk është aspak i lehtë me inkriminim e gjerë të saj.

Parlamenti shqiptar diskutoi sot për shumë orë mbi një projekt-ligj të përzgjedhjes brenda radhëve të policisë.

Sipas ministrit të punëve të brendshme, Fatmir Xhafa, projekt-ligji për vetingun në polici është i ngjashëm nga qëllimet dhe zbatimit me atë të vetingut në sistemin e drejtësi.

Ligji synon të pastrojë radhët e forcave të rendit prej persona me të dhëna e pasuri kriminale dhe të vërtetohen integriteti dhe aftësitë profesionale të forcve policore.

“Policia ka probleme të shumta, që janë trashëguar jo vetëm nga një ose dy vjet më parë, por nga shumë vite më parë. Po mundohemi të kthejmë dhe të vërtetojmë integritetin dhe profesionalizmin e forcave të rendit. Ky është një proces i domosdoshëm” – tha ministri i brendshëm Fatmir Xhafa.

Por përfaqësuesit e opozitës shprehën mosbesimin e tyre për këtë proces, i cili sipas tyre, do të kryhet nga zyrtarë të inkriminuar.

Kryetari i PD Lulzim Basha tha se vettingu së pari duhet të nisë nga Ministri i Brendshëm, i cili sipas tij, është pjesë e planeve të kryeministrit Edi Rama për të kriminalizuar policinë në nivelet më të larta.

Ai kujtoi se në 2013-ën zoti Rama shkarkoi 403 policë dhe i zëvendësoi me persona të larguar nga policia si të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

“Nuk jemi kundër vetingut në polici, por nuk besojmë që këtë do ta realizojnë drejtuesit e inkriminuar të saj. Ju e mbushët policinë me njerëz të inkriminuar dhe tani nuk mund ta pastroni dot pikërisht ju” – tha zoti Basha.

Por si e shohin këtë proces analistë të pavarur të jetës politike dhe kriminalitetit në vend?

Drejtuesi i Institutit të Studimeve politike, Afrim Krasniqi, thotë se vetingu i policisë u nevojitet sociaistëve si një nismë surprizuese për t’ia paraqitur Bashkimit Europian në vend të mungesës së rezultateve në reformën e drejtësisë.

“Qeverisë socialiste i nevojitet vetingu i policisë për të përmirësuar brenda dhe jashtë vendit imazhin e dëmtuar nga ish-ministri nën hetim Saimir Tahiri dhe drejtorët e shkarkuar dhe të arratisur si bashkëpunëtorë të trafikantëve të drogave” – tha zoti Krasniqi.

Vëzhguesit besojnë se vetingu i policisë në tërësi është pozitiv, por mungojnë elementë të kontrollit dhe nuk ka garanci që procesi do të japë rezultate të kënaqshme.

Vitin e fundit të mandatit të parë të socialistëve në pushtet imazhi, morali i policisë u dëmtua rëndë pas lajmeve se shumë dretjues të saj vendorë dhe vet ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri ishin përzjerë në grupe kriminale që trafikonin bimë narkotike, që kultivoheshin ngado në të gjithë territorin shqiptar.

“Vetingu i duhet policisë dhe autoriteteve si një passportë për të ecur përpara në integrimet europiane dhe për të rimëkëmbur gjendjen e brendshme, e cila nuk ëhstë e mirë. Shumë drejtues policie që për disa vite silleshin si heronj tani janë larguar në heshtje, tre drejtues policie në Vlorë janë shpallur në kërkim për bashkëpunim për trafikantët, ndërsa ish-ministri Saimir Tahiri është nën hetim për dyshime të ngjashme si i lidhur me trafikantët” – tha Armand Bajrami, reporter dhe analist i kronikës së krimit.

Raporte të ndryshme ndërkombëtare vlerësuan se përhapja e krimit brenda radhëve të policisë arriti atë kohë në permasa të mëdha, por asnjë polic nuk u dënua, madje akuzoheshin ata që e denoncuan dukurinë.

Ish ministri i brendshëm Saimir Tahirri u vendos nën hetime për bashkëpunim me një grup kriminal, familjarë të tij, që trafikuan drejt Italisë sasi të mëdha drogash.

Drejtorët më të rëndësishëm të policisë u larguan nga detyrat dhe ikën jashtë shtetit pa dhënë asnjë shpjegim, piërisht në kohën kur socialistët në pushtet krenoheshin se policia ishte pjesa më e suksesshme ishte e qeverisjes së tyre.

Dhe deri tani askush nuk po mban përgjegjësi për këtë gjendje, megjithë rikonfirmimin e pushtetit një vit më parë. (voa)

Në Bruksel fillon “faza e re” e dialogut

thaciNë Bruksel ka vazhduar dialogu teknik, më shumë se një muaj për ndërprerjes për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Temat nuk janë fare të lehta.

Kur Edita Tahiri, Borisllav Stefanoviq dhe Robert Kuper u takuan për herë të parë 8 mars 2011, në godinën e Këshillit të Evropës u mblodhën shumë media nga mbarë Evropa, duke raportuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si një ngjarje shumë të rëndësishme, madje dhe historike. Ideja e BE ishte që të ndërtojë raporte të reja mes shqiptarëve dhe serbëve, pas shumë vite dhe dekada konfliktesh dhe tendosjesh. Por me kalimin e kohës, për këtë dialog interesohen vetëm disa gazetarë nga Kosova dhe Serbia, të cilët ndonjëherë e quajnë këtë si “dialog pa të ardhme”.
Megjithatë të gjithë në Bruksel e kanë të qartë se për një kompromis kërkohet angazhim dhe liderë të guximshëm. Edhe sot, shtatë vjet më vonë, flitet për domosdoshmërinë e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Flitet për domosdoshmërinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura. Edhe në këtë takim të ekspertëve nga Kosova dhe Serbia do të fliltet për zbatimin e marrëveshjeve, siç janë liria e lëvizjes, tabelat e makinave, kontrolli i kufirit, problemi i energjisë si dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që janë pjesë e Marrëveshjes së Brukselit nga viti 2013. Shefja e diplomacisë evropiane Federica Mogherini shprehet optimiste, megjithë problemet e shumta. Ajo gjithmonë flet për një “fazë të re të dialogut” për zgjidhjen e qendrueshme të problemeve dhe normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
”Pres që faza e re të arrijë shpejtësinë e plotë deri në fund të vitit. Jemi duke punuar shumë dhe shohim mundësi për një përparim të madh deri në fund të vitit 2018, e ndoshta edhe më heret. Të dy palët janë të vendosura për arritjen e rezultateve”, thotë Mogherini.

Dalimi mes “pranimit” dhe “njohjes” së pavarësisë së Kosovës

Përfaqësuesja e lartë e BE nuk shpjegon se çfarë do të thotë ky përparim i madh, por në strategjinë e BE për Ballkanin thuhet qartë se “urgjente është që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e obligueshme juridike, për normalizimin e raporteve” dhe se kjo marrëveshje është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. ”Kosova do të përfitojë po ashtu shumë nga marrëveshja për normalizimin e raproteve me Serbinë”.

“Perspektivën e përparimit” e kanë quajtur në Kosovë si jo të mjaftueshme. Ndaj ka shumë debate për domethënien e marrëveshjes për normalizimin e raporteve. Pala kosovare pohon se kjo mund të thotë vetëm një: njohjen e Kosovës si shtet. Ndërsa për palën serbe kjo do të thotë vetëm një: kjo nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë ka vend për kompromis dhe një prej “opsioneve” të përmenduar është anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe autonomia ekzekutive e serbëve në Kosovë si dhe njohja e statusit të veçantë të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi thotë se “marrëveshja historike me Serbinë do të arrihet këtë vit”. Sipas fjalëve të tij, marrëveshja nuk do të thotë njohje automatike e Kosovës, por i mundëson asaj anëtarësimin në OKB.
”Ky proces duhet të sjellë deri tek normalizimi i përgjithshëm i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe të dy palëve duhet t’u ofrojë mundësinë e realizimit të të drejtave dhe obligimeve”, thotë kryetari i Këshillit për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian, David McCaliste.
Situatën e komplikuar e kanë komplikur edhe më shumë pohimet e SHBA dhe Rusisë se ato janë të gatshme të përfshihen në këtë dialog, nëse ka nevojë, që nga palët komnetohet me tone të ndryshme.

Marrëveshja e Brukselit dhe “marrëveshja gjithpërfshirëse”

BE do të dëshironte që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje e cila do të shënonte jo vetëm fundin e konfliktit mes këtyre vendeve, por do të stabilizonte këtë rajon dhe do të mundësonte një politikë të suksesshme integrimi. Mogherini pret që marrëveshja të arrihet para përfundimit të mandatit të saj në vitin 2019. BE është e interesuar që marrëveshja të arrihet ndaj në strategjinë e saj ka futur edhe fjalinë kyçe: nuk ka anëtarësim për asnjë vend i cili ka probleme bilaterale me vendet fqinje. Por analistët dhe ekspertët thonë se marrëveshja nuk ka kurfarë kuptimi në qoftë se nuk realizohet në tërësi. Dhe kjo e kthen tërë procesin në fillim, sepse palët deri tani nuk kanë treguar ndonjë zell të madh për realizimin e marrëveshjeve të arritura. Diplomatët në Bruksel shpresojnë se në fazën më të re të dialogut do të shënohen përparime të dukshme edhe në këtë segment. (dw)

Juncker vlerëson përparimin e Shqipërisë

Juncker Edi 2Presidenti i Komisionit europian Jean-Claude Juncker deklaroi sot në mbrëmje në Tiranë, ndalesa e dytë e turneut të tij në vendet e Ballkanit perëndimor se “Shqipëria nuk pushon së arrituri përparime” dhe se “ajo ka ndërmarë reforma në shumë fusha që janë mbresëlënëse”. Këto deklarata ai bëri në përfundim të takimit me kryeministrin Edi Rama. Vizitat e presidentit Juncker në 6 kryeqytetet e Ballkanit vjen pak javë pas publikimit nga ana e Komisionit të Strategjisë së Zgjerimit, ndërkohë që në muajin prill do të prezantohet raportet e ecurisë së secilit prej vendeve që synojnë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian.

Shqipëria shpreson që të marrë një rekomandim të pakushtëzuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim, pasi rekomandimi i mëparshëm i vjeshtës së 2016, e lidhte vendimin me realizimin e reformës në Drejtësi dhe në veçanti me zbatimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. “Sot që flasim, ne numërojmë plot 17 prokurorë dhe gjykatës të niveleve më të larta të gjyqësorit shqiptar, që janë tërhequr nga procesi i Vettingut, që faktikisht, nuk do jenë më pjesë e sistemit gjyqësor, një tregues i qartë se Vettingu ka nisur të funksionojë si një shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit të një sistemi të ri e të pavarur të Drejtësisë. E informova po ashtu presidentin Juncker, se presim në javët në vazhdim dhe çeljen e cështjeve konkrete dhe rezultate konkrete nga ana e vetë komisioneve të Vettingut”, deklaroi zoti Rama në konferencën e përbashkët me zotin Juncker, i bindur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet. “Besojmë fort se e meritojmë rekomandimin e plotë e të pastër nga ana e Komisionit europian dhe shpresojmë se dhe vendet anëtare do i përgjigjen pozitivisht e në unanimitet, pasi i kemi kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë dhe çelja e negociatave hap një kapitull të ri përpjekjesh në rrugën drejt BE-së”, theksoi kryeministri shqiptar.

Vetë presidenti i Komisionit europian evitoi t’i paraprinte vendimit që do të merret. “Nëse vazhdohet në këtë rrugë të reformave, kjo do të lejojë që Komisioni të rekomandojë hapjen e negociatave. Nuk kam ardhur të bëj premtime boshe e të flas për data, por mund të inkurajoj që të vazhdohet me reformat e rëndësishme të ndërmarra në luftën kundër krimit të organizuar, për organet e gjyqësorit dhe me Vettingun”, u shpreh presidenti Juncker.

Për kreun e Komisionit europian, edhe zgjidhja e problemit të kufirit detar me Greqinë do të ishte një element më shumë në favor të Shqipërisë. Një çështje e cila po shoqërohet me debate në vend, pasi presidenti Ilir Meta pak ditë më parë deklaroi se kërkesa e Ministrisë së Jashtme për të marrë plotfuqinë për grupin që do të hyjë në bisedime teknike me palën greke, nuk ishte paraqitur në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese kur ajo rrëzoi marrëveshjen e arritur në vitin 2009 nga qeveria e atëhershme e kryeministrit Sali Berisha. “Presidenti nuk e ka refuzuar dhënien e autorizimit, por ka kërkuar me të drejtën që i jep Kushtetuta, disa sqarime të shkruara lidhur me kërkesën e dërguar për marrjen e autorizimit”, saktësoi zotit Rama duke njoftuar se “sqarimet e shkruara janë dhënë, janë në tryezën e presidentit. Kam besim se presidenti do të bëjë detyrën dhe ne do të kemi kohën e nevojshëm për nënshkrimin e një marrëveshje të re, bazuar fund e krye te vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.

Strategjia për Zgjerimin parashikon vitin 2025 si një datë të mundshme për anëtarësimin e Serbisë dhe Malit të zi. Por Presidenti Juncker shpjegoi se ajo “është një datë për të gjitha vendet që plotësojnë kriteret dhe nuk është çështja që nuk njihen meritat e Shqipërisë”. Edhë për kryeministrin Rama “Strategjia sqaron shprehimisht se bëhet fjalë për një process të bazuar të merita. Kush vrapon më shpejt arrin më shpejt. Në fotografinë e sotme të situatës, Serbia e Mali i Zi janë në pozitë më të përparuar, sepse kanë nisur negociatat, ndërsa ne i presim, por kjo nuk do thotë që ata janë përpara e ne pas, do të thotë që në gjendjen aktuale situata është kjo e i takon çdo vendi të vrapojë. Në rastin më të keq ne do hyjmë bashkë me Serbinë në rastin më të mirë përpara saj”, u shpreh zoti Rama. (dw)

Juncker: Maqedonia është në rrugë të mbarë

Juncker 2Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker në Maqedoni: Nuk jam në Shkup për të caktuar datën e çeljes së negociatave me BE-në, por për të thënë se Maqedonia është në rrugë të mbarë.

Juncker përshëndeti kursin e reformave të Qeverisë së Maqedonisë, por tha se ajo duhet të bëjë ende shumë punë për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Nuk jemi këtu që t’ju kumtojmë datën për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, por t’ju themi se jeni në rrugë të mirë dhe nëse vazhdoni në këtë rrugë, do t’i mundësoni Komisionit Evropian që t’i rekomandojë Këshillit nisjen e bisedimeve, por ende nuk kemi ardhur deri aty pasi ke ende punë për të bërë”, deklaroi Juncker. Ai përshëndeti marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Bullgarisë për fqinjësi të mirë dhe kursin e deritanishëm të reformave. “Jam i kënaqur, që vërej se vendi juaj në veçanti vitet e fundit ka bërë përparime që do t’i mundësojnë edhe më shumë t’i afrohet Bashkimit Evropian. Ju keni bërë reforma që edhe më shumë thellojnë vlerat, me Bullgarinë keni arritur marrëveshjen e fqinjësisë së mirë, që e rrit reputacionin e vendit tuaj. Bëhet fjalë për pajtimin e historisë dhe gjeografisë, për zgjidhjen e problemeve shumëvjeçare”, deklaroi kreu i Komisionit Evropian.

Çështja e emrit duhet të zgjidhet midis dy shteteve

Çështja e emrit u mbetet dy vendeve fqinje ta zgjidhin, në këtë drejtim do të kenë edhe mbështetjen e institucioneve evropiane tha Kryetari i Komisionit Europian Jean Claude Juncker

“Sa i përket emrit të vendit, jo, nuk do të doja të them asgjë për shkak se ju mbetet juve që ta zgjidhni këtë problem me miqtë tuaj grek. Unë të premten e kaluar gjatë Këshillit Evropian në Bruksel bisedova me kryeministrin grek Cipras dhe i thashë që të qëndrojë në rrugën tashmë të filluar dhe munda të vërej gjatë mbërritjes në aeroport se diçka paska ndryshuar”, u shpreh Junker.

Maqedonia pret ftesë për fillim të negociatave për anëtarsim në BE

Kryeministri Zoran Zaev edhe një herë u shpreh i bindur, se në qershor vendi do të nisë bisedimet për anëtarsim në BE, gjithnjë sipas tij kanë mbetur edhe pak aktivitete që viti 2018 të jetë historik për Maqedoninë.

“Komisioni Evropian konfirmon të ardhmen evropiane të Maqedonisë. Është me vend përcaktimi se BE-ja duhet të jetë më e fuqishme para se të bëhet më e madhe. Maqedonia është e gatshme të japë kontributin e saj në këtë segment. Ne riafirmojmë dëshirën dhe përkushtimin tonë të fuqishëm për reforma të thella, pa shtyrje, për arritjen e synimit tonë drejt BE-së. Raporti pozitiv dhe rekomandimi pa kushte do të ishte një inkurajim i madh për ne për vazhdimin e rrugës së integrimit”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Zaev: Për emrin duhet zgjidhje me dinjitet

Lidhur me kontestin për emrin Zaev tha, se mbyllja e çështjes së hapur shumëvjeҁare nuk është e thjeshtë pasi bëhet fjalë për çështje të ndjeshme për qytetarët e Maqedonisë. Kryeministri Zaev edhe një herë përsëriti se do të pranojë emër me përcaktim gjeografik duke respektuar dinjitetin dhe identitetin e dy popujve dhe shteteve.

“Për Qeverinë e Maqedonisë është i pranueshëm emër me përcaktim gjeografik që do të bëjë ndarje mes shtetit tonë dhe rajonit në Greqi. Megjithatë, insistojmë në një zgjidhje që do të mundësojë mbyllje të përhershme dhe të qëndrueshme të kontestit me respektimin e dinjitetit dhe identitetit të dy popujve dhe dy shteteve“, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe delegacioni i Bashkimit Evropian u takuan edhe me presidentin e shtetit Gjorge Ivanov. (dw)