Presidenti i Komisionit Evropian viziton Shkupin

JunckerPresidenti i Komisionit Evropian Zhan-Klod Junker e filloi sot turneun e tij ballkanik me ndalesën e parë në Maqedoni, ku tha se ky vend ka bërë përparim, por se nuk kishte ardhur për të caktuar një datë për fillimin e bisedimeve me BE-në. Zoti Junker inkurajoi autoritetet në Shkup për një zgidhje të shpejtë të problemit të emrit të Maqedonisë me Greqinë fqinje.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claud Juncker tha në Shkup se Republika ish-Jugosllave e Maqedonisë është në rrugë të mirë, se ka shënuar përparim dhe së nëse vazhdon në këtë mënyrë, për disa muaj mund ta marrë atë që pret dhe rekomandimi për fillimin e bisedimeve me BE-në nuk do të kushtëzohet. Por, ai tha se nuk ka ardhur në Shkup për të caktuar një datë të saktë për fillimin e bisedimeve të Shkupit me Bashkimin Evropian për anëtarësim në këtë organizatë. Megjithatë, Presidenti i Komisionit Evropian tha se Maqedonia duhet të bëjë edhe më shumë hapa drejt BE-së, sepse vendet anëtare do të vlerësojnë veç e veç vendet kandadiate mbi arritjet dhe meritat e tyre.

Zoti Juncker i shoqëruar në këtë vizitë edhe nga Komisioneri për zgjerim dhe politika fqinjësore, Johannes Hahn, tha në këtë kuadër se duhet zgjidhur problemi i emrit të Maqedonisë me fqinjët grekë. Ai tha se në takimin e fundit në Bruksel i ka sugjeruar edhe kryeministrit grek Cipras që të vazhdojë me përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi.

SB: Zoti Juncker tha se janë të njohura qëndrimet dhe ai nuk do të dëshironte t’u japë mësim palëve të përfshira në zgjidhjen e çështjes së emrit dhe se kësaj radhe ai nuk do të jepte udhëzime publike.

“Bëjeni punën tuaj me Greqinë dhe Greqia do ta bëjë punën e saj me vendin tuaj”, u shpreh zyrtari i lartë evropian për të shtuar se gjërat po shkojnë në një kahe pozitive drejt pajtimit.

Ndërkohë, kryeministri maqedonas Zoran Zaev përsëriti qëndrimi se qeveria e tij mund ta pranojë një referencë gjeografike, që do të bënte dallimin midis Republikës së Maqedonisë dhe rajonit me të njejtin emër në Greqi.

“Këmbëngulim në një zgjidhje afatgjatë, që do ta respektojë dinjitetin dhe ta mbrojë identitetin e të dy shteteve”, shtoi zoti Zaev.

Maqedonia ka marrë statusin “vend kandidat për anëtarësim në BE” qysh në dhjetor të vitit 2005, por qëatëherë nuk ka shënuar ndonjë përparim drejt integrimit evropian.

Junker ndodhet në një turne në vendet e Ballkanit pasi Komisioni Evropian shpalli strategjinë e BE-së për vendet e Ballkanit Perendimor. Ai do të takohet me gjashtë kryeministrat e këtyre vendeve më 1 mars në Sofje të Bullgarisë. (voa)

Juncker: Plotësoni kriteret dhe ejani në BE!

Juncker EdiPresidenti Jean-Claude Juncker vazhdon sot ( 26.02.2018 ) vizitën e tij në Tiranë. Ai dërgoi mesazhe premtuese jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin. Kushti: plotësimi i kritereve!

Plotësoni të gjitha kriteret e anëtarësimit dhe nëse kjo ndodh, ejani në 2025 në Bashkimin Euroipian! Presidenti i  Komisionit Europian, Juncker, inkurajoi nga Tirana të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor ta shohin vitin 2025 si një vit të hapur për të hyrë në BE. Ai ka mbërritur mbrëmë (25.02.2018) në Tiranë nga Shkupi, ku nisi turin e paralajmëruar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Juncker foli qartë kur tha se 2025 është një datë e mundshme jo vetëm për dy vendet pararendëse në procesin e integrimit, Serbinë dhe Malin e Zi, por edhe për të gjitha vendet e tjera të rajonit që aspirojnë t’i bashkohen BE.

“Ndryshe nga sa lexojmë kudo, Komisioni dhe unë vetë nuk kemi thënë që Serbia dhe Mali i Zi do të  jenë patjetër anëtarë të BE në 2025. Data e 2025 është e hapur për të gjitha vendet kandidate. Dhe në bazë të plotësimit të gjithë kritereve të anëtarësimit, që një vend kandidat arrin në këtë datë, më vonë apo më herët, përpjekjet e tij do të njihen nga BE”, tha Juncker mbrëmë në konferencën e përbashkët për shtyp me kryemnistrin Rama.

Vijim i reformave, qëndrushmëri në rezultatet e tyre

Në krye të kritereve janë vijim i reformave të brendshme, transformimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, për të arritur standartet e BE, në të gjitha fushat e jetës. Reforma në Drejtësi dhe sidomos vettingu, janë arritjet më të vlerësuara të Shqipërisë nga KE, në procesin e afrimit te saj me BE. Kryeministri Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin Juncker se vettingu i gjykatësve dhe prokurorëve, si një nga pritshmërive kryesore te BE për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, ka dhënë tanimë rezultatet e para.

“17 gjykatës dhe prokurorë të niveleve më të larta janë tërhequr nga vettingu. Faktikisht ata nuk do të jenë më pjesë e sistemit. Tregues i qartë, që vettingu ka filluar të funksionojë si shtysë e fuqishme drejt realizimit të objektivit, drejtësi e re dhe e pavarur”, tha kryeministri Rama.

Vetë Presidenti Juncker i quajti ”mbresëlënëse rezultatet e vettingut” dhe theksoi se “Shqipëria po akumulon progres pasi ka nisur shumë reforma” . Shpresat e Shqipërisë janë që vendet anëtare t’i përgjigjen pozitivisht rekomandimit dhe negociatat të hapen në qershor të këtij viti, kur përfundon presidenca bullgare e KE. Komisioni Europian ka rekomanduar që në nëntor të 2016 çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, duke theksuar domosdoshmërinë e çuarjes përpara të reformës në drejtësi dhe të procesit të vettingut. Kryemnistri Rama tha mbrëmë se Shqipëria “meriton rekomandimin e KE për hapjen e negociatave të anëtarësimit”.

Kryetarja e Delegacionit të BE, ambasadorja Romana Vlahutin i tha DW se : Shqipëria ka një perspektivë reale, të menjëhershme për të ecur përpara dhe për të hapur negociatat e pranimit. Sa më shumë reforma të implementohen, aq më shpejt arrihet qëllimi. Ka vetëm një përparim të qartë, të pamohueshëm dhe të prekshëm që do të sjellë Shqipërinë në BE”.

Juncker- Shqipëria të zgjidhë sa më parë konfliktet territoriale me Greqinë

Fundi i konflikteve territoriale me vendet fqinje të 6 vendeve  të BP që aspirojnë anëtarësimin është një tjetër kriter i rëndësishëm i Brukselit për t’u plotësuar para hyrjes në BE. Për Shqipërinë fjala është për konfliktin më se 70-vjeҫar me Greqinë, të gjeneruar nga “ligji i luftës” i vitit 1941 mes dy vendeve,  kur Musolini pushtoi Greqinë nga territori i  Shqipërisë, i pushtuar prej tij në 1939.

“Problemet mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet të zgjidhen sa më shpejt. Kemi një dritare mundësishë të hapura, duhet përdorur nga të dyja palët. Vendet e rajonit që kanë konflikte territoriale do të përpiqen t’i kalojnë dhe këto nuk mund të bëhen pas anëtarësimit, por para. Inkurajoj si Shqipërinë ashtu edhe Greqinë, sepse ky është një element plus për të pranuar hapjen e negociatave”, tha Juncker në konferencën për shtyp.

Shqipëria dhe Greqia po bëjnë progres drejt nënshkrimit të një marrveshjeje të re lidhur me kufinjtë territorialë mes tyre ne detin Jon. Presidenti i KE, Juncker do të vijojë edhe sot ( 26.02.2018) qëndrimin e tij në Tiranë me takime me politikanë dhe personalitete te Tiranës. Turi i tij ballkanik vijon pasdite me vizitën në Beograd. (dw)

Tiranë: Varfëria, temë e polemikave partiake

 

edi varferiaNë Tiranë, partitë kryesore politike po debatojnë mbi varfërinë dhe ndryshimin e skemës së ndihmave ekonomike.

Opozita akuzoi qeverinë se ndërpreu fondet e mbijetesës së mijëra familjeve të varfëra në mes të dimrit, dhe i la pa mbrojtje e pa punë.

Por qeveria pohoi se shkurtimi i listave u bë prej abuzimeve të shumta, që u zbuluan në to nga qeveria e mëparshme.

Qeveria dhe opozita po shkëmbejnë akuza lidhur me nivelin e varfërisë në vend dhe ndihmës sociale për disa dhjetëra mijë familje.

Opozita deklaroi se qeveria ka përjashutar nga lista e ndihmës ekonomike rreth 20 mijë familje të varfëra, duke i quajtur ato abuzues.

Opozita tha se mijëra familjeve iu ndërpre ndihma ekonomike në mes të dimrit, duke I fyer si dembelë dhe abuzues, por e vërteta është se kria ekonomike po thellohet bashkë me rritjen e taksave dhe përkesësimin e klimës së biznesit.

Sipas kryetarit të PD-së Lulzim Basha, qeveria Rama nuk po hap vende të reja pune dhe se vendet e punës po mbyllen çdo ditë.

Ai bëri thirrje për protesta që të ndalë këto farsa qeveritare.

Por kryeministri Edi Rama vizitoi një fmije të varfër, ku tha se shumë njerëz kanë abuzuar me ndihmën ekonomike qysh nga mandati qeverisës I partisë demokratike, dhe se ata që janë hequr gabimisht do të kthehen në lista, por kryesorja është që njerëzit të kërkojnë punë dhe jo ndihma ekonomike.

Skema e re e ndihmës ekonomike përfshin 15 mijë familje, që përfitojnë ndihmë të plotë, nga të cilat mbi 7 familje janë përfituese për herë të parë.

Zyrtarët thanë se skema e re u pastrua nga përfituesit abuzivë dhe tani familjet në nevojë nuk trajtohen më me kuotë të pjesshme deri në 10 dollarë, por marrin ndihmë të plotë dhe kompensime deri në 90 dollarë, si dhe lehtësira për faturat e energjisë elektrike dhe për librat shkollorë të fëmijëve.

Por opozita thotë se shifrat e fundit të qeverisë janë spekullime propagandistike.

Sipas drejtuesve të saj, vetëm udhëtimet e qeveritarëve nga një qytet në tjetrin janë të barabarta me fondet e ndihmës sociale, që iu prenë familjeve në nevojë.

Ata pohuan se është e papranueshme që në listat e varfërisë gjenden afro 19 mijë abuzues, por abuzimet i bën vetë qeveria, e cila nuk po hap vende pune, por mendon vetëm për rryshfetet e saj. (voa)

Shkencëtarët rindërtojnë fytyrën e vajzës 9 mijë vjeçare

9000 vjecarjaShkencëtarët kanë rindërtuar fytyrën e një adoleshenteje greke 9 mijë vjeçare. Zbulimi hedh një shkëndijë të re drite për jetën e një periudhe që njihet si lindja e qytetërimit.

Ajo njihet me emrin Dawn dhe ka jetuar në veriperëndim të Greqisë 9 mijë vjet më parë. Grekët e shekullit 21 patën rastin ta shohin atë këtë muaj në muzeumin e Akropolit. Mbetjet e skeletit të saj u gjetën në një shpellë të Thesalisë në vitin 1993.

Specialisti i ortodontisë Manolis Papagrigorakis udhëhoqi ekipin që risolli në “jetë” vazën e lashtësisë në muzeum.

“Mosha e saj biologjike, nëse përcaktohet nga pjekuria e eshtrave, është rreth 15 vjeçe edhe pse del 18 vjeçare nga grafia e dhëmbëve, shto apo hiq një vit.”

Ekpi rindërtoi fytyrën e saj me kallëpë argjike duke përfshirë edhe 26 muskuj.

Ajo është e veshur me lëkurë të leshtë dhe ka një gjerdan kockash, stoli që besohet nga arkeologët se përdornin njerëzit nga mesi i epokës së gurit.

Nofulla e dalë e bën atë të duket si e ngrysur.

“Kocka e nofullës së poshtëme të Dawn është e dalë por funksionale. Nofulla mori këtë formë pasi ajo ndoshta zbuste lëkurat me gojë sikurse bënin eskimezët. Ata përtypnin lëkurën e fokave që ta zbusnin dhe ta përdornin për veshje”, thotë specialisti i fushës së stomatologjisë Manolis Papagrigorakis.

Dawn mund të ketë vuajtur nga anemia ose nga skorbuti. Të dhënat tregojnë se ajo kishte probleme me kockat e legenit dhe kyçet çfarë mund ti kenë sjellë vështirësi në lëvizje dhe mund të kenë ndikuar tek vdekja. (voa)

Sateliti kameleon – Eutelsat Quantum

sateliti eutelsatTё hёnёn Eutelsat, Airbus dhe ESA prezantojnё nё Portsmouth satelitin e parё quantum. Sateliti i komunikimit i gjeneratёs sё re ka njё pёrdorim fleksibёl si asnjё satelit tjetёr mё parё.Para tre vjetёsh – mё 9 korrik 2015 – Eutelsat, Airbus dhe Agjencia Europiane e Astronautikёs (ESA) ranё dakord pёr ndёrtimin e njё sateliti tё telekomunikacionit. Tani ky satelit ёshtё gati. Tё hёnёn (26.02) ato e prezantojnё atё nё Portsmouth-in britanik. I pranishёm do tё jetё edhe astronauti i ESA-s Tim Peake.

E veҁanta e Satelitit-Quantum: ai ёshtё njё i shtuquajtur satelit kameleon, qё mund t’u pёrshtatet nevojave tё klientёve tё vet me njё shtypje tё butonit.

Konkretisht kjo do tё thotё: ai mund tё rrezatojё sinjalin, qё e dёrgon nё Tokё me objektiv tё caktuar dhe tё harmonizuar duke rregulluar forcёn dhe frekuencёn e tij individualisht sipas nevojёs.

Deri tani satelitёt e telekomunikacionit janё ndёrtuar disi statikё: ata janё tё fiksuar nё orbitёn gjeostacionare dhe marrin ose dёrgojnё frekuenca sinjalesh, qё pastaj me frekuencё tё pandryshuar dhe me njё forcё sinjali tё paracaktuar kthejnё nё sipёrfaqen e Tokёs njё gjurmё tё paracaktuar. Kjo gjurmё duket si njё njollё e madhe.

Nё periferi tё njollёs sinjali ёshtё mё i dobёt – nё qendёr mё i fortё. Kush do tё marrё njё sinjal nё periferi tё gjurmёs duhet tё pёrdorё njё antenё parabolike tё madhe. Nё qendёr mjafton njё antenё e vogёl, ndoshta me njё diametёr mё pak se njё metёr.

Tek satelitёt e ri do tё jetё krejt ndryshe: ndonёse ai do tё jetё sёrish njё satelit gjeostacionar, ai do tё dёrgojё nё Tokё jo njё por tetё sektorё rrezatimi qё rregullohen veҁmas. Me kёtё ai prodhon edhe tetё gjurmё, qё janё tё pёrdorshme veҁmas. Diametri i tyre mund tё variojё nga 600 kilometra deri nё njё tё tretёn e sipёrfaqes sё globit. Edhe forca e sinjaleve, gjerёsia e transportuesve dhe frekuenca mund tё pёrcaktohen nga pёrdoruesi.

E mundur ёshtё madje, qё gjurma tё ndjekё vazhdimisht objektivin e saj – si p.sh. anijet, qё e ndryshojnё pozicionin e tyre vazhdimisht.

Edhe mundёsia pёr ta ndryshuar frekuencёn sipas nevojёs shёrben pёr sigurinё. Nёse dikush pёrpiqet tё dёrgojё sinjal pengues ndaj frekuencёs sё pёrcaktuar, pёrdoruesi mund ta kalojё atё nё njё tjetёr kanal.

Satelitin e kanё ndёrtuar inxhinierёt e Airbus-it nё Portsmouth dhe nё Guildford nё Britaninё e Madhe. Sё shpejti ai do tё niset pёr nё Tuluzёn franceze, ku do tё pёrgatitet n dhe do tё provohet.

Mё pas Sateliti-Quantum vitin e ardhshёm do tё dёrgohet me njё raketё Falcon 9 Rakete tё SpaceX nё atmosferё. Njё marrёveshje pёrkatёse e ka vendosur Eutelsat mё 2016, por mund ta pёrdorё atё edhe pёr transportin e njё könnte ihn aber auch für den Tra sateliti tjetёr.

Sateliti do tё zerё njё pozicion mbi Atlantik, prej nga mund tё shёrbejё si pёr Amerikёn e Europёn edhe pёr Afrikёn. Mё pas do tё shtohen edhe dy satelitё tё tjerё – tё paktёn njёri pёr Azinё.

Por nё afatgjatё nuk do tё mbetet me kaq. Pritet, qё tё tillё satelitё kameleonё tё bёhen gjithnjё e mё shumё standard ndёr satelitёt e telekomunikacionit. (dw)

Panairi i makinave në Çikago

fordÇmimet e larta të karburantit dhe rënia në ekonominë e tij, sollën pakësimin e shitjeve të fuoristradave (të njohura si SUV) në Shtetet e Bashkuara në mesin e viteve 2000, në një kohë kur konsumatorët po preferonin makina më të vogla, më të përballueshme, disa edhe me teknologji të re elektrike. Por, tani makinat me katër rrota aktive kanë bërë një rikthim në treg.

Çelësi për një biznes të suksesshëm është t’u ofrosh klientëve atë që duan. Prodhuesit në Panairin e Makinave në Çikago thonë se ajo që duan konsumatorët janë makinat e tipit fuoristradë apo SUV.

“2017 ishte një vit rekord për shitjet e SUV-ve për Ford-in. Kemi shitur pothuajse 800,000 makina të tilla në vetëm një vit”.

Dan Jones është Menaxher i Komunikimit të kompanisë Ford për Amerikën e Veriut.

“Ne aktualisht e kemi rritur portofolin e SUV-ve me 25 për qind në katër vitet e fundit, kështu që të gjitha shenjat tregojnë se modelet e SUV-ve të Fordit po lulëzojnë dhe ne do të realizojmë të ardhura nga ky sukses”.

Fordi nuk është i vetëm.

“Kemi rritur me 15 përqind prodhimin e kamionëve dhe SUV-ve”.

Tiago Castro është drejtor i kamionëve dhe automjeteve komerciale të kompasinë Nissan. Promovimi i SUV-së Rogue nga kompania e tij që shfaqet në filmin “Star Wars”, vjen në një kohë kur modeli, disa versione të së cilit të pajisura me disa karakteristika të ngarjes pa shofer, është një nga më të shiturit për Nissanin.

“Shitëm mbi 400,000 njësi të modelit Rogue vitin e kaluar”, thotë zoti Castro.

“Makinat SUV janë shumë të kërkuara.”

Trevor Dorchies është një menaxher për markat e SUV-ve në kompaninë Chrysler / Fiat, të cilat nuk ishin vetëm në ekranin statik të Panairit të Makinave në Çikago … klientët e mundshëm patën mundësinë për t’i ngarë ato në një korsi me pengesa duke provuar performancën e tyre në një terren sfidues.

“Unë mendoj se çmimet e gazit, aty ku janë tani, kanë ndihmuar në shitjet e markave Jeep, Grand Cherokee dhe Durango. Benzina e lirë do të thotë se njerëzit duan të ngasin një makinë më të madhe”, thotë menaxheri Dorchies.

“Një gjë që ka ndryshuar me të vërtetë vitet e fundit është konkurrenca e performancës së karburantit të SUV-ve në krahasim me makinat e zakonshme”, thotë zoti Jones.

Shitjet e makinave të tipit Sedan kanë rënë në Shtetet e Bashkuara me më shumë se 30 për qind ndërsa konsumatorët preferojnë më shumë SUV-të. Por zoti Jones thotë se nevojat në zhvillim dhe shijet e konsumatorëve janë po aq faktorë të rëndësishëm sa edhe çmimet e karburantit.

“Brezi që u rrit në fillim të shekullit, grupi më i madh i konsumatorëve, ka hyrë në fazën ku ka fëmijë, ata kanë filluar të kenë pak më shumë para, dhe preferojnë makina me sedilje më të larta dhe me rrota aktive, kështu që SUV-të kanë filluar të shiten shumë”.

Ndërkohë që prodhuesit e makinave rikthejnë dhe zhvendosin linjat e prodhimit për t’ju pëgjigjur rritjes së kërkesës për SUV-të, Shoqata Kombëtare e Tregëtisë së Automobilave parashikon se shitjet e përgjithshme të automjeteve të reja për vitin 2018 mund të bien. (voa)

Paga mesatare më e larta në Slloveni, më e ulëta në Maqedoni e Kosovë

denarSipas të dhënave të fundit zyrtare, pagat mesatare më të larta në rajon i ka Sllovenia dhe Kroacia, ndërsa më të ulëtat Kosova dhe Maqedonia.

Të dhënat e Entit statistikor të Sllovenisë tregojnë se në fund të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në Slloveni u rrit në 1.062 euro, që është një rritje nominale prej 3.1 për qind, kurse reale prej 1.7 për qind në krahasim me vitin 2016. Vitin e kaluar si në sektorin privat ashtu edhe publik Sllovenia ka shënuar rritje të të ardhurave mesatare mujore.

Pas Sllovenisë radhitet Kroacia, ku sipas të dhënave të fundit, paga mesatare është rreth 835 euro. Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave (DZS), paga mesatare mujore neto për një punëtor në Kroaci në nëntor të vitit të kaluar ishte 6.190 kuna ose 832 euro, që paraqet rritje mujore nominale prej gati 3 për qind kurse në atë vjetore prej 6.6 për qind.

Ndërsa, të dhënat e Entit të Statistikave të Maqedonisë tregojnë se në nëntor të vitit 2017 paga mesatare neto mujore në këtë vend arriti në 23.196 denarë ose 377 euro.

Sipas Agjencisë për Statistikave, paga mesatare mujore neto në BeH në dhjetor të vitit 2017 ishte në 862 MK (Marka Konvertibile), apo 440 euro, ku nominalisht ishte më e lartë për 0.6 për qind në krahasim me muajin e mëparshëm dhe me 1.1 për qind më e lartë në krahasim me muajin dhjetor 2016.

Pas BeH-së pasojnë Shqipëria dhe Serbia. Duke u bazuar në Institutin e Statistikave të Shqipërisë, paga mesatare e miratuar në Shqipëri, për sektorin shtetëror për tremujorin e tretë të vitit 2017 është 458 euro.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Serbisë, paga mesatare neto në dhjetor 2017 arriti në 54.344 dinarë apo 459 euro, e cila është një rritje nominale dhe reale për 14.2 për qind në në krahasim me muajin nëntor.

Pas Serbisë pason Mali i Zi, ku sipas të dhënave të fundit nga Enti i Statistikave shtetërore të këtij vendi (Monstat), paga mesatare në muajt e fundit të vitit 2017 arriti në 512 euro. Shuma e pagës mesatare neto në vend në dhjetor ka mbetur e njëjtë si në nëntor ndërsa në raport me muajin dhjetor të vitit 2016 u rrit për 0.6 për qind. (BI)

Nga Stalini te Mao, Shqipëria socialiste në analizën e Dr. Elidor Mëhillit

from stalin to maoRrethanat, ngjarjet dhe aktorët që i dhanë formë historisë pas Perdes së Hekurt mbeten një burim interesi për historianët dhe akadamikët megjithëse kanë kaluar dekada që nga hapja e sferës ish-komuniste. Studiuesi Elidor Mëhilli jep kontributin e tij duke shtjelluar përvojën e Shqipërisë gjatë diktaturës, por edhe dinamikat e ndërlikuara që krijoi regjimi i asaj kohe me botën komuniste. Libri i tij i ri Nga Stalini tek Mao, Shqipëria dhe Bota Socialiste, u prezantua këtë javë në Qendrën Woodrow Wilson në Uashington.

Mes akademikësh, studiuesish e diplomatësh të mbledhur tek Qendra Wilson, shfaqet një interesim i qartë mbi specifikat e komunizmit në Shqipëri dhe dinamikat që ndikuan tek aleancat ndërkombëtare të Shqipërisë.

Për autorin ky ishte një projekt që nuk duhej thjesht të reflektonte ngjarjet historike, por t’i analizonte ato në një dritë të re, që ai thotë se i mungon historiografisë shqiptare:

“Në këtë kuptim, mendoj që qëllimet e mia kanë qenë dy: ta ndërkombëtarizoj studimin e historisë shqiptare, që t’u ikim atyre analizave që mbeten pak periferike dhe qëllimi tjetër ka qenë që të japë edhe një model të shkrimit të një historie që nuk merret vetëm me partinë, udhëheqësit e partisë, ideologjinë në nivelin më të lartë, por edhe me jetën e përditshme të njerëzve nën atë sistem,” thotë Dr. Elidor Mëhilli, Asistent Profesor në Hunter College, CUNY.

“Një objektiv i imi kryesor në këtë studim ka qenë ta depersonalizoja historinë e komunizmit shqiptar. Në kuptim që të mos ishte thjesht histori e Enverit, histori e udhëheqësit të ndritur. Këtu kemi ngecur tek studimet shqiptare në marrëdhënien tonë me të shkuarën, vazhdojmë akoma ta personlizojmë atë histori, ndërkohë që ka më shumë nevojë që të merremi me mitet, por ta zgjerojmë qasjen ndaj diktaturës për të përfshirë edhe dimensione të tjera të historisë”.

Por nuk mungon edhe analiza e kultit të individit, një vështrim nga afër i figurës së diktatorit, lëvizjet e tij brenda partisë por edhe në relatat me aleatët ndërkombëtarë për të garantuar mbijetesën:

“Kjo shihet shumë mirë madje me prishjen me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1960. Një moment shumë i rrezikshëm për të ardhmen e tij në krye të partisë dhe të ardhmen e tij në krye të vendit dhe mënyra se si ai arrin ta shfrytëzojë këtë moment pasqyron pikërisht këtë aftësi për të mbijetuar që ai e kishte shumë të fortë”.

Libri nuk ofron thjesht faktet e një historie mbi 40 vjeçare nën regjimin komunist. Autori i analizon në kontrast marrëdhëniet dhe interesat e shkëmbimeve të Shqipërisë me aleatët e saj të fuqishëm. Ja si e përshkruan autori dallimin e lidhjeve Tiranë-Moskë dhe më pas Tiranë-Pekin:

“Ndodhi një lloj pjekjeje e regjimit sidomos duke krahasuar vitet ’50 me vitet ‘60. Ndërsa marrëdhënia me sovjetikët kishte edhe një inferioritet brenda, sovjetikët ishin modeli që duhej zbatuar. Ishin më të përparuar, ishin në një rol komandues në botën komuniste. Po ta krahasojmë me marrëdhënien e shqiptarëve me Kinën është një dinamikë tjetër. Edhe Mao e shpjegon këtë: shpesh herë Shqipëria ishte në një rol dominant, se nuk kishte rënë pre e revizionizmit, nuk kishte rënë pre e atyre ndryshimeve në Bashkimin Sovjetik që pastaj u quajtën ndryshime vetëshkatërruese të sistemit. Dhe në këtë aspekt ishte një dinamikë tjetër”.

Edukimi politik, indoktrinimi, propaganda dhe atmosfera e terrorit janë pika të përbashkëta të të gjitha regjimeve diktatoriale, që i gjejmë edhe në përshkrimin e Shqipërisë socialiste në librin e Dr. Mëhillit. Diktatura krijoi një kulturë politike që ka lënë gjurmë të dukshme edhe në Shqipërinë e ditëve tona, thotë studiuesi:

“Në diktaturë çdo dështim shikohej si një fitore e të ardhmes, si një fitore që nuk ka ardhur akoma. Çdo dështim i faturohej armiqve të brendshme apo të jashtëm. Kjo mënyrë e konceptualizmit të politikës si një luftë e përhershme, si betejë totale, për fat të keq edhe sot politika shqiptare përvijohet e tillë, si një betejë totale, armiq të betuar, konspiracione kudo. Kjo, për mendimin tim kërkon angazhim, kërkon kritikë, një qasje tjetër pasi kemi një nevojë urgjente”.

Megjithëse një perspektivë historike, autori thotë se shumë tema qendrore të librit mbeten aktuale dhe të hapura për diskutim:

“Sot që flasim jemi në 27 vjetorin e shembjes simbolike të regjimit në shkurt të 1991. Po ta kapim në dimensionin e 27 vjetëve është një periudhë goxha e gjatë. Është periudha e një gjenerate”.

“Por duhet thënë edhe kjo që ka nevojë për një reflektim sot: jo vetëm për ta shkruar atë histori, për t’ia mësuar një gjenerate të re që nuk e ka atë eksperiencë, por edhe për të reflektuar për marrëdhënien tonë me pushtetin, me autokracinë si sistem, demokratizimin që ende është shumë problematik. Për mendimin tim ka shumë nevojë edhe për një reflektim më të thellë për faktin që vizioni evropian i shqiptarëve që trumpetohet shumë, ka dështuar këto 26 vjet. Pra vendi është ende shumë mbrapa edhe po ta krahasosh edhe me rajonin në implementimin e këtij vizioni evropian të shqiptarëve”.

Hija e së kaluarës komuniste të Shqipërisë ende bie sot mbi qytetarin në marrëdhëniet e acaruara dhe problematike me pushtetin, thotë studiuesi. Por ai shpreh entuziazëm nga një brez i ri historianësh që Dr. Elidor Mëhilli beson se do të ndihmojnë në zhvillimin e një debati të hapur, dhe një qasje më pluraliste mbi të shkuarën.

“Është një qasje që duhet bërë, duhet inkurajuar, duhet të jemi të hapur edhe ndaj aspekteve më të dhimbshme të diktaturës”.

Studiuesi Elidor Mëhilli po punon tani për ta sjellë librin në shqip, por premton të vazhdojë të kontribuojë në debatin e hapur mbi të shkuarën e Shqipërisë. Në planet e tij për të ardhmen janë kërkimet mbi periudhën e ndërrimit të sistemeve, nga fundi i viteve 1980-fillimi i viteve 1990. (dw)

Zgjerimi i BE-së: Juncker udhëton në Ballkan

JunckerNga e diela e deri të mërkurën (26 shkurt – 01 mars 2018) presidenti i Komisionit të BE-së, Jean Claude Juncker, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor. Nga Brukseli, Bernd Riegert

Me këtë turne rrufe në Maqedoni, Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Herzegovinë dhe Kosovë, Junckeri synon të “japë kurajë”, siç e quan ai. Në strategjinë e prezantuar para do kohe ai kishte përmendur për herë të parë një datë për anëtarësim të mundshëm në BE, konkretisht vitin 2025. Por kjo datë nuk do të thotë se pas shtatë vjetësh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të BE-së. “Kjo është vetëm një datë inkurajuese”, tha Junckeri para vizitës.

Gjashtë qeverive të antarëve potencialë të BE-së duhet t‘u kërkohet që të bëjnë më shumë reforma, të bëjnë më shumë për shtetin ligjor, të luftojnë korrupsionin, të garantojnë lirinë e medias, të nxisin ekonominë dhe të zgjidhin konfliktet me njëri-tjetrin.

Vetëm nëse kjo do të bëhet në masën e duhur dhe nëse plotësohen disa kritere, do të ketë anëtarësime, thonë burime nga zyra e Juncker-it në Komisionin e BE-së. Vullneti i BE-së për antarësim ekziston dhe këto vende kanë një perspektivë të vërtetë.

Shqipëria dhe Maqedonia mund të fillojnë negociatat

Pak para se presidenti i Komisionit të niset për Ballkan, komisioneri i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Shqipëria dhe Maqedonia së shpejti mund të fillojnë negociatat formale të anëtarësimit. Në verë, tha Hahn, do të caktohet një datë konkrete. Deri tani  negociata formale kanë filluar vetëm me Serbinë dhe Malin e Zi, dhe Mali i Zi, i cili është anëtar i NATO-s ka bërë përparimet më të mëdha.

“Këtu kemi të bëjmë me 18 milionë njerëz në gjashtë shtete të rajonit që ndodhen ende në situata delikate. Prandaj është në interes të BE-së, që t’i ndihmojë këto shtete dhe këta njerëz e t’u japë një perspektivë”, pat thënë Johannes Hahn gjatë perzantimit të strategjisë më të fundit për Ballkanin.

Probleme të pazgjidhura nga e kaluara

Gjatë udhëtimit të tij në Ballkan, kryetari i Komisionit, Jean-Claude Juncker, do të haset me një sërë konfliktesh të pazgjidhura ndërmjet shteteve. Atë më të madhin e ka për momentin Kosova, e cila nuk njihet nga të gjitha shtetet e BE-së dhe para së gjithash nga Serbia. Para se Serbia ose Kosova të bëhen dikur anëtare të BE-së, ky problem duhet të zgjidhet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përpiqet që t’i parapërgatisë shtetasit e vet se në fund duhet ta njohin Kosovën. “Për ta parë veten në Europë, na duhet të paguajmë një çmim nga e kaluara”, tha Vuçiçi gjatë vizitës së tij në Komisionin Europian, dy javë më parë. Bashkimi Europian përpiqet prej katër vjetësh të arrijë një pajtim ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, deri tani pa sukses bindës. Junckeri do të ndërmarrë një përpjekje të re për ndërmjetësim në udhëtimin e tij në Ballkan, thonë qarqe diplomatike nga Brukseli.

Jo vetëm pasojat e luftës së Kosovës, por edhe pasojat e luftrave civile në ish-Jugosllavi do të merren me presidentin e Komisionit të BE-së. Kroacia, tashmë anëtare e BE-së, dhe Serbia kanë disa llogari të hapura për shkak të reparacioneve të luftës. Bosnja-Hercegovina vazhdon të jetë e ndarë etnikisht mes kroatëve, serbëve dhe myslimanëve dhe thuajse e paaftë për të funksionuar. Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, gjatë një vizite në Bruksel, tha se ekzistojnë „interesa të përbashkëta” mes Kroacisë dhe Serbisë për të bashkëpunuar ekonomikisht dhe politkisht në kuadër të BE-së. Por, sipas tij, ka shumë çështje të hapura në lidhje me reparacionet e dëmeve të luftës.

Juncker do të sqarojë dhe do të kërkojë durim

“Ne mund të ndikojmë këtu duke sqarur dhe duke ua bërë të qartë se problemet duhet të zgjidhen, përndryshe vetëm sa humbim kohë”, tha Jean-Claude Juncker disa ditë para nisjes në Ballkan. Veç kësaj në Europë duhet durim, tha Juncker. „Marrëveshja e reparacioneve të luftës ndërmjet Gjermanisë dhe Luksemburgut u arrit vetëm pas 45 vjetësh”, tha Junckeri, i cili më parë ka qenë kryeministër i Luksemburgut.

Nga vera, ose nga fillimi i vjeshtës Komisioni i BE-së do të publikojë itineraret konkrete për secilin prej gjashtë vendeve që synojnë anëtarësimin në BE. Itinerearet do të marrin parasysh rrethanat në secilin vend, tha një zëdhënës i Komisionit të BE-së. Më parë kryetarja e radhës së BE-së, Bullgaria, e pati ftuar BE-në Sofje për një samit mbi Ballkanin Perëndimor. Bullgarët duan t’u japin patjetër një hov të ri negociatave me shtetet e tyre fqinje në Ballkan. Ndërsa Gjermania dhe vendet e tjera perëndimore në BE kanë shumë rezerva. Kancelarja federale, Angela Merkel, për shembull, nuk e ka përmendur kurrë vitin 2025 si datë të mundshme për anëtarësim.

Shefi i komisionit të BE-së, Juncker, e ka thënë vazhdimisht se sa kohë që ai është në detyrë, pra deri në shtator të vitit 2019, nuk do të ketë zgjerim. Për këtë refuzim kategorik ai është kritikuar nga miqtë e Ballkanit si shkurajues. Tani Juncker po kalon në një kurs më pozitiv, por anëtarësimin konkret prapëseprapë preferon t‘ua lërë pasuesve të tij, në vitin 2025 e më pas. (dw)

Mungesa e konsensusit – shtyhet ratifikimi i demarkacionit

kuvendiËshtë shtyrë për të merkurën e javës së atdhshme seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Partitë politike në Kosovë kanë dallime të mëdha për këtë çështje.

Shtyhet për të mërkurën e javës së ardhme seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Mungesa e një konsensusi ndërmjet partive politike bëri që seanca të shtyhet për të merkurën. Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, megjithatë është i bindur se partitë politike do të arrijnë koncensusin dhe demarkacioni do të kalojë.

“Është vendim unanim i të gjitha grupeve parlamentare që të shtyhet seanca. Jemi në rrugë të mirë për konsensus të përbashkët dhe për këtë e falënderoj edhe opozitën. Do të arrijmë që së bashku të jemi në këtë rrugëtim dhe t’i hapim rrugën qytetarëve tanë në një të ardhme të afërt”, tha Kadri Veseli, duke mos saktësuar nëse është arritur numri i mjaftueshëm prej 80 votave nga 120 deputet sa i ka kuvendi i Kosovës për ta ratifikuar demarkacionin.

Që në fillim të seancës së sotme, partitë politike filluan që shfaqin dallimet e tyre rreth demarkacionit. Madje një debat i ashpër u zhvillua ndërmjet kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke e akuzuar njëri tjetrin për bllokada të ratifikimit të demarkacionit. Kryeministri Ramush Haradinaj, ligjin për demarkacionin e ka proceduar në Kuvend së bashku me marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Presidentëve të Kosovës e Malit të Zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanoviç dhe raportin e Komisionit shtetëror të emëruar nga Haradinaj, që kryesohet nga ish deputeti Shpëtim Bulliqi. Raporti i këtij të fundit gjen shumë mangësi në marrëveshjen e demarkacionit të vitit 2015. E në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy presidentëve, thuhet se pas ratifikimit të demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, të dy vendet do ta rishikojnë vijën kufitare në dy lokacione Cakorr e Kullë, dhe do të bëhen korrigjime të nevojshme nëse ka pasur lëshime.

Mirëpo, përfshirja në një pako të ligjit për demarkacionin edhe raporti i Shpëtim Bulliqit, nxiti reagimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e cila tha se, kjo parti nuk e voton demarkacionin pa u hequr nga ligji raporti i Bulliqit.

“LDK nuk është bllokuese, por edhe kjo parti i ka qëndrimet e saj, dhe nuk pranon që raporti i Shpëtim Bulliqit të hidhet në votim pasi është kontradiktor me marrëveshjen e nënshkruar të Demarkacionit të vitit 2015. Nuk kemi inati me Shpejtim Bulliqin, por nëse edhe raporti i tij del në votim, cila është logjika e kësaj”, u shpreh deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.

E në anën tjetër është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) parti kjo e kryeministrit Ramush Haradinaj, ajo që po insiston që raporti i Komisionit Aktual për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, të futet në paket me ligjin për demarkacionin.

Lista Sprska kundërshton çdo variant

Kundër ratifikimit të ligjit të demarkacionit në cilindo variant është Lista “Srpska”, që ka 10 deputetë në parlament dhe lëvizja Vetëvendosja që ka 32 deputetë në Parlament.

Lista Serbe në një komunikatë për medie hodhi poshtë lajmet në mediet e Kosovës së ky subjekt do ta votojë demarkacionin.

“Një diçka e këtillë nuk është dakorduar me ne dhe nuk do ta përkrahim demarkacionin, siç po pohohet rrejshëm, por do të vazhdojmë të luftojmë për interesat e popullit serb në Kosovë e jo të qendrave vendore e ndërkombëtare të pushtetit”, thotë Lista Srpska.

Lëvizja Vetëvendosja nga ana e saj, është kategorike kundër ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, sepse, kjo parti është e bindur se me marrëveshjen e vitit 2015 ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, Kosova humb territor. Për më shumë kjo parti sot bëri kallëzim penal ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili sipas Vetëvendosjes “ka bërë tradhti ndaj vendit”.

“Sot në mëngjes kemi deponuar në Prokurorinë Speciale kallëzim penal kundër Hashim Thaçit, për shkak të tradhtisë ndaj vendit. Kallëzimi penal ka të bëjë me nënshkrimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku Hashim Thaçi, shtetit fqinjë të Kosovës i ka dhënë territor të Kosovës”, tha para medieve deputetja e vetëvendosjes, Albulena Haxhiu.

Vazhdojnë thirrjet që demarkacioni të miratohet

Ndërkohë, në anën tjetër, thirrjet deputetëve për ta ratifikuar demarkacionin nuk kanë të ndalur. Është vet Presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se “ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës, do të thyejë përgjithmonë izolimin e Kosovës”.

“Sot, kur krejt bota është duke na shikuar, besoj thellë në vullnetin e të gjitha partive politike për të ratifikuar këtë marrëveshje, e cila krijon një dinamikë të re edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian. Vota për ratifikimin e demarkacionit është votë për lirinë e lëvizjes së qytetarëve në zonën Shengen, është votë për Kosovën në Evropë. Ftoj edhe Listën Serbe që të votojnë këtë marrëveshje, duke respektuar vullnetin e komunitetit serb në Kosovë”, shkroi në profilin e tij Presidenti Hashim Thaçi.

Thirrje deputetëve të pakicave dhe të gjithë deputetëve tjerë që ta votojnë demarkacionin, u ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie. Sipas tij, ratifikimi i demarkacionit do të ishte pozitiv për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

“Kalimi i marrëveshjes për Demarkacionin është thelbësor për të siguruar mundësinë e qytetarëve nga të gjitha komunitetet e Kosovës që të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Gjithkush mund të pajtohet për këtë. Unë shpresoj se deputetët nga çdo parti do të votojnë me PO”, ka shkruar Greg Delawie në twitter.

Që të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, duhen 80 vota nga 120 deputet sa i ka parlamenti i Kosovës. Ratifikimi i marrëveshjes se demarkacionit me Malin e Zi, është kriteri i fundit që Kosova duhet plotësuar në mënyrë që Komisioni Evropian t’ia heq regjimin e vizave edhe Kosovës, si i vetmi vend në Evropë që akoma ka regjim vizash për në zonën Shengen. Njohës të çështjeve politike dhe integrimeve evropiane, thonë se Kosova tash e ka shansin e fundit që ta ratifikojë demarkacionin me Malin e Zi dhe të përfitojë liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian. Në të kundërtën, vitin e ardhshëm në BE do të ketë zgjedhje për Parlamentin Evropian dhe ku mund të forcohet e djathta evropiane, e cila në shumë raste ka kundërshtuar madje edhe pavarësinë e Kosovës. (dw)