Zaev: Si asnjëherë më parë jemi afër zgjidhjes me Greqinë

ZaevKryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, beson se kontesti me Greqinë për çështjen e emrit është në fazën finale, por se zbatimi i marrëveshjes së mundshme do të kalonte nëpër disa procedura deri në realizimin e plotë të saj, që do t’i hapte rrugën anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Zaev, në paraqitjen para medieve me rastin e një vjetorit të formimit të qeverisë, tha se deri në fund të javës do të bisedojë me kryeministrin grek, Aleksis Tsipras për të konfirmuar kornizën e marrëveshjes për përmbajtjen e të cilës opinioni është i njoftuar nga burime jozyrtare.

Kryeministri, thotë se marrëveshja forcon identitetin maqedonas dhe paprekshmërinë e gjuhës maqedonase, për të cilat edhe janë paraqitur reagimet më të mëdha në opinionin maqedonas se me lëshimet eventuale këto dy gjëra mund të rrezikohen.

“Asnjëherë nuk kemi qenë më afër zgjidhjes ndërsa miqësia mes dy vendeve dhe dy popujve asnjëherë nuk ka qenë më e madhe. Gjuha maqedonase është konfirmuar sikur edhe identiteti jonë. Kjo çështje nuk është e lehtë, por Maqedonisë i duhet lidership që të ec përpara dhe jo vetëm të thuhen fjalë boshe”.

“Ende nuk kemi një emër konkret…këtyre ditëve do të bisedojë me kryeministrin grek, Tsipras… kjo mund të ndodhë deri të premten për të vërtetuar kornizën e arritur”, ka deklaruar kryeministri Zaev, pa saktësuar nëse si propozim i fundit për emrin është “Republika Maqedonia e Veriut”, por në anën tjetër ka konfirmuar se zgjidhja përfundimtar duhet të vërtetohet në referendum ndërsa paraprakisht Kuvendi i Maqedonisë duhet t’i jep mbështetje marrëveshjes me një shumicë të thjeshtë të votave, por që nuk do të nënkuptonte zgjidhjen përfundimtare të problemit.

“Ratifikimi duhet të bëhet para referendumit që të mund Greqia t’i dërgojë letër NATO-s për të marr ftesën për anëtarësim…ratifikimi i marrëveshjes nënkupton mbështetje për atë që kanë arritur dy qeveritë dhe unë besoj se do të gjejë një mbështetje të madhe në Kuvend, pra edhe nga opozita. Por, të gjithë duhet ta dinë se fjala e fundit do të thuhet në referendum andaj të gjithë qëndrojmë pas këtij detyrimi. Fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit mendoj se do të ishte koha e përshtatshme, por për këtë duhet të merremi vesh”, ka deklaruar Zaev.

Duke komentuar kritikat e presidentit, Gjorge Ivanov për mungesë të transparencës, Zaev tha se kreu i shtetit gjatë ditës do të njoftohet me detajet e bisedimeve nga shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, i cili të mërkurën është kthyer nga vizita në Bruksel.

Nga ana tjetër, edhe kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras, ka theksuar nevojën e vazhdimit të bisedimeve për arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme pavarësisht reagimet në skenën politike.

Tsipras, siç transmetojnë mediat, ka deklaruar se “perspektiva e zgjidhjes së problemit qëndron në vendimet të vështira, por të domosdoshme me ish republikën jugosllave të Maqedonisë”.

“Në këto negociata ne vazhdojmë të udhëhiqemi me ndjenjën e përgjegjësisë dhe patriotizmit. Por, edhe me vendosmërinë dhe besimin për gjetjen e zgjidhjes…këtë ne tentojmë ta bëjmë, duke punuar për zgjidhje, pasi besojmë se mund të kthejmë pozicionin udhëheqës të vendit në Ballkan, kjo do të kishte pasoja pozitive, jo vetëm në planin gjeopolitik, por edhe në sferën e ekonomisë duke krijuar një dinamikë të re për zhvillimin e rajonit, të Ballkanit, një perspektivë të re të bashkëpunimit mes shteteve…”, ka deklaruar Tsipras në një manifestim afaristësh në Athinë.

Situata me fatin e bisedimeve pritet të qartësohet pas publikimit të detajeve të marrëveshjes që ende po mbahet në fshehtësi, e për të cilën pritet të ketë një qëndrim të qartë opozita maqedonase e cila deri më tani ka kundërshtuar çdo zgjidhje që parasheh ndryshimin e kushtetutës dhe heqje dorë nga identiteti dhe gjuha maqedonase. (rel)

Emigrantët, Shqipëria kërkon ndihmë. Austria pro Shqipërisë për hapjen e negociatave

RamaShqipëria është e shqetësuar nga fluksi në rritje i emigrantëve të paligjshëm që nga Greqia kalojnë në vendin tonë me qëllim të arrijnë në vendet e Bashkimit Europian.

Edi Rama ia bërë të qartë këtë problem edhe homologut të tij austriak, gjatë takimit që zhvilloi me të në Vjenë, duke kërkuar ndihmën e Europën për t’i bërë ballë këtij problemi.

“Kemi një fluks që rritet në mënyrë shqetësuese po për momentin ka qenë tërësisht i kontrolluar prej nesh por na duhet bashkëpunim i ngushtë dhe i menjëhershëm për të shmangur skenat që tronditën Europën në vitin 2015 dhe kemi dakordësi të plotë për një bashkëpunim të ngushtë me Austrinë dhe vendet e tjera të interesuara për këtë proces”, tha Rama.

Sebastian Kurz u tregua i gatshëm të ndihmojë. Duke vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë, ai foli edhe për një mbështetje financiare të BE-së.

“Po përjetojmë në Ballkan një rrugë të re të migracionit ilegal. Kontrabandistët përpiqen që t’i kalojnë njerëzit nga Greqia përmes Shqipërisë për në Europë. duhet të luftojmë ndaj këtij fenomeni dhe kësaj rruge. Shifrat e këtyre refugjatëve po rriten dhe duhet ta trajtojmë këtë problem që tani përpara se bëhen probleme të mëdha si në 2015. Shqipëria ka nevojë dhe e ka merituar mbështetjen tonë. Kryeministri më ka kërkuar që unë ta mbështes dhe ne do ta mbështesim fort Shqipërinë që të ketë edhe një mbështetje financiare për Shqipërinë nga Bashkimi Europian, në mënyrë që të luftojmë këtë emigracion ilegal”, tha Kurz.

Përsa i pëket negociatave të anëtarësimit, Austria e ka shprehur publikisht mbështetjen e saj, por kancelari nuk ishte në gjendje të tregonte kur Shqipëria mund të marrë OK-in.

“Do ta shohim këtë gjë, nuk mund t’ju jap një përgjigje të sigurt. Ka disa shtete anëtare të bashkimit europian që për shkak të problemeve apo çështjeve të tyre të brendshme, e kanë të vështirë të marrin këtë vendim, të thonë Po. Shqipëria ka bërë shumë në rrugën e reformave dhe të integrimit europian dhe negociatat e pranimit janë drejt një rruge te mirë. Nuk mund t’ju them se kur do te merret ky vendim por Shqiperia është drejt një rruge të mirë dhe Komisioni Europian e ka bërë të qartë këtë dhe mendoj se kjo është ajo që vlen”, thotë ai.

Në korrik Austria merr presidencën 6 mujorëshe të Unionit dhe Rama i kërkoi mbështetje homologut të tij edhe për projektin e tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor për të cilin është dakortësuar edhe më Presidentin serb Vucic.

Top Channel

Tiranë: Zhvlerësimi i euro-s, sa bazohet tek burimet e ligjshme ekonomike

Arben Malaj OrnelaMonedha europiane euro humbi sot edhe 0,2 pikë të tjera në tregun e këmbimit valutor në Tiranë nga 126,4 në 126,2, duke thelluar më tej dobësimin e saj 5 mujor përballë lekut shqiptar.

Ky është niveli më i ulët në 10 vite i euros, qysh nga viti 2009 kur ishte 123 lekë.

Ekspertët e ekonomisë thonë se po e ndjekin me shqetësim këtë dukuri, që po godet eksportet, dhe po kërkojnë shkaqet e rënies së euros tek burimet e panjohura më shumë se sa tek zhvillimi ekonomisë së ligjshme.

Studiuesi i njohur i ekonomisë, profesor Arben Malaj, thotë se koha e kësaj ulje artificiale të euros është relativisht e gjatë nga janari në maj dhe po bashkohet me kohën e uljes së valutave prej turizmit, ndaj eksportet duhen marrë nën mbrojtje.

“Është shqetësim, sepse godet një sektor kryesor të ekonomisë shqiptare dhe kërkon një kompleks masash të Bankës së Shqipërisë dhe ministrisë së financave dhe shoqatat e biznesit. Është e detyrueshme për politikëbarësit dhe bankierët që të merren të gjitha masat lehtësuese, që biznesi i eksporteve të lehtësohet, sepse një kosto e rëndë në bizensin e eksporteve i detyron ata të ulin investimet, mund të humbasin tregjet, qoftë edhe në mungesë të përkohshme, dhe kjo sprapsje e tyre mund të shtojë problemet sociale, që prapë do ta rëndojnë ekonominë” – tha zoti Malaj.

Vëzhguesit pohojnë se euro mund të dobësohej ndjeshëm vetëm nga shtimi i ndjeshëm eksportit, por kjo nuk ka ndodhur, madje eksportuesit janë dëmtuar rëndë këto 5 muaj nga zhvlerësimi i euros.

As paratë e emigrantëve nuk kanë ndonjë rritje këtë periudhë, sa të dobësojnë euron.

Kryeredaktorja e revistës “Monitor”, Ornela Liperi, thotë se çmimi i eurove të pastra po ulet nga futja me shumicë në treg e eurove që vijnë nga ekonomia e zezë, sepse siç shihet nga statistikat, kjo dukuri nuk po vjen prej burimeve të ligjshme të ekonomisë. Një nga burimet e parregullta, sipas saj, janë eurot e drogës, që po financojnë bumin e ri të ndërtimeve në Tranë dhe disa qytete të tjera kryesore.

Në 2017 remitancat kanë një rritje prej 3 për qind, por nvestimet e huaja ranë 3 për qind, ndërsa deficiti tregtar nuk është përmirësuar.

Pra, asnjë shifër zyrtare nuk shpjegon dot këtë rritje të ofertës në valutë, ndaj burimi i vetëm, sipas zonjës Liperi, mbetet ekonomia informale.

“Dilema është se nga ka ardhur kjo valutë që nuk justifikohen nga burime formale. Ka një vlerësim që ka një hyrje të shtuar të burimeve informale, që janë mbjellja e hashashit deri në gjysmën e dytë të vitit 2016, shitja e saj dhe tani kjo para ka hyrë në vend përmes ndërtimit. Mund të shihet lirshëm se ka një shtim të ndërtimeve në Tiranë, në bregdet dhe gjithandej në vend. Këto ndërtime të reja janë përtej kapaciteteve të ekonomisë reale shqiptare” – tha zonja Liperi.

Autoritetet zyrtare si Banka e Shqipërisë dhe ministria e financave kanë ngulur këmbë se kjo vjen nga faktorë fondamentalë që futin valutën në Shqipëri, si eksportet, investimet e huaja, remitancat, apo shërbimet e jashtme si call centerat apo nga këmbimet e jashtme valutore, Forex-et, që po zhvillohen së fundi.

Banka e Shqipërisë nisur një përpjekje për de-euroizimin e ekonomisë, e cila shkaktoi një presion psikologjik afatshkurtër tek qytetarët në muajin shkurt.

Janë kryer ndërkohë edhe disa konvertime kapitalesh nga vetë bankat, edhe këto me efekt të shkurtër.

Por eksportuesit deklaruan publikisht se zhvlerësimi i euros po i shkatërron bizneset e tyre.

Ndaj edhe zoti Malaj këmbëngul për mbrojtjen e tyre, deri sa ngjarjet të kthjellohen në afat më të gjatë.

“Masat mund të jenë të gjithanshme, por së pari ato duhet të fillojnë nga sektori bankar, me ristrukturimin e detyrimeve që ata mund të kenë nëpër kreditë e tyre. Ministria e financave mund të kryejë ristrukturimin e detyrimeve që ata mund të kenë ndaj qeverisë shqiptare. Mund dhe duhet bërë rimbursimi i menjëhershëm i kompanive të eksporteve, sepse ata nuk duhet të kenë krizë likuiditetesh. Mund të vihen politika më agresive, si mund të jetë norma e amortizimit, që ata të marrin teknologji moderne dhe të bëhen më konkurrues në tregjet e tyre” – tha zoti Malaj.

Dobësimi i euros sjell disa përfitime për importuesit, dhe për për ata prodhues që e marrin lëndën e parë në euro, po ashtu edhe konsumatorët e tyre, sepse mallrat dalin në treg me çmime më të lira.

Po ashtu përfitojnë ata që kanë kredi në euro dhe të ardhura në lekë, dhe ata që mbledhin euro për të shkuar me pushime jashtë vendit, sepse mund t’i blejnë eurot më lirë. Me një lek më të fortë qytetari mund të blejë më shumë mall importi dhe inflacioni i importuar është më i ulët.

Por, zonja Liperi e revistës “Monitor” thotë se thelbi i shqetësimit është që forcimi i lekut nuk është natyral dhe nuk vjen nga rritja ekonomike, ndaj mund të bjerë menjëherë, duke lënë pasoja mbi ekonominë kombëtare.

“Domethënë, biznesi i zi po konkurron bizneset e ndershme dhe kjo është tejet problematike. Nga ana tjetër, kjo futje fshehtas e sasive të panjohura të eurove është e paqëndrueshme dhe sapo të bllokohen këto burime, atëherë ekonomia shqiptare mund të hidhet në kahun e kundërt. Sa kohë që ky forcim i lekut nuk ka ardhur nga rritja reale e ekonomisë, sapo të bllokohet prurja e euros së parregullt, leku do të bjerë menjëherë. Kjo mund të ndodhë pas gushtit” – tha zonja Liperi.

Askush nuk e priste që euro të zbriste në nivelin 127 lekë qysh në muajin maj, ndërsa fillimi i rënies qysh nga janari po e kthen euron në nivelin e vitit 2009.

Zakonisht rënia e euros ka ndodhur në pikun e turizmit të verës. Këtë verë pritet një sezon turistik i mbarë; gjithë hotelet e jugut janë të prenotuara dhe remitancat vijnë bashkë me emigrantët; pra euro mund të ulet akoma më tej.

Ky është viti i dytë që euro nuk bie për shkak të turizmit. Vitin e kaluar niveli më i ulët i euros nuk u arrit në gusht prej turizmit, por dy ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Nga viti 2009 deri në 2016 euro u rrit nga 123 në 140 lekë dhe mbeti në këtë nivel për 5-6 vjet.

Euro ka nisur një tendencë zhvlerësuese nga gjysma e dytë e vitit 2016.

Nëdhjetor 2017 ishte 134 lekë, ndërsa 5 muajt e fundit shkoi 126 lekë, pra po i afrohet përsëri nivelit të vitit 2009. (voa)

Shtypi gjerman: Eulexi nuk do t’i mungojë askujt

gazetat deShtypi gjerman i kushton vëmendje të posaçme situatës në Kosovë, largimit të Eulexit dhe rrugëve të reja të refugjatëve në Ballkan.

“Ajo që pushtetmbajtësit kërkojnë kaherë në Kosovë do të ndodhë në qershor: Misioni i Eulexit do të largohet, por do të mbetet një mision i vogël këshillues”. Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri thotë se tani ata edhe vet mund t’i kryejnë këto punë. “Nuk kemi nevojë për një mision tjetër të huaj me të drejta ekzekutive”. Kështu fillon tekstin e tij në Neue Zürcher Zeitung gazetari Andreas Ernst.

„Eulexi ka qenë misioni më i madh i Bashkimit Evropian deri tani. Dikur ka pasur në Kosovë deri në 2000 policë, gjykatës dhe doganierë, ndërsa buxheti vjetor ka qenë rreth 200 milionë euro. Misioni është zvogëluar shumë herë, ndërsa aktualisht në Kosovë ka rreth 800 nëpunës, me një buxhet prej 60 milionë. Kosovarët e kanë përshëndetur ardhjen e Eulexit me shpresë se misioni do të vendosë barazinë para gjyqeve dhe do të mundësojë ndarjen e pushtetit. Pas heqjes së autonomisë së Kosovës në vitin 1989 nga autoritetet e Serbisë, në Kosovë nuk ka pasur shtet juridik. Ndërsa raporte demokratike nuk ka pasur as më parë. Misioni kishte paralajmëruar në fillim se do të ndiqen të gjithë, pavarësisht funksionit politik që kryejnë. Ato thoshin se do të peshkojnë edhe “peshq të mëdhenj”.

„Por shumë shpejt erdhi dëshpërimi. Proceset spektakolare munguan. Ankesat ndaj punës së Eulexit për mungesë aftësish dhe kompetencash u shtuan. Por edhe për pagesat e mëdha të personave që shumë pak i njohin rrethanat lokale. Kryetari i bashkisë në Prishtinë është ankuar se prokurorët e Eulexit nuk interesohen shumë për dokumentat e tyre që dëshmojnë korrupsionin në dhënien e tenderëve. Shumë shpejt erdhën edhe akuzat për korruptimin e vet Eulexit […] Shkrimet negative të mediave për Eulexin ishin po ashtu pjesë e fushatës kundër tij. Këtë fushatë e kanë nisur qarqet politike në Kosovë, por edhe opozita majtiste, e cila këtë mision e sheh si një instrument të represionit kolonialist.”

„Në verën e vitit 2014, prokurorja e Eulexit, Maria Barnie doli në opinion me pohimet për korruptimin dhe ryshfetin e marrë nga dy kolegë të saj nga mafia e Kosovës. Kjo rezultoi me kërkesën e raportit të detajuar. Juristi francez Jean Pole Jeake konstatoi se akuzat e saj janë të pabaza, por kërkoi reforma. Reformat përfunduan vetëm me ndërrimin e funksioneve dhe uljen e numrit dhe të kompetencave të autoriteteve të Eulexit.”

„Ish-shefi i sektorit ekonomik Andrea Kapusela ka shkruar në vitin 2015 një libër ku thuhet se prokurorët e misionit u kanë ikur hetimeve të ndjeshme, ku ishin të përzier edhe krerët e politikës. Ai konstaton se ky ishte çmimi i ruajtjes së stabilitetit politik në Kosovë. Me fjalë të tjera, ndjekja e denjë penale do të thoshte edhe ‘regime change’ (ndryshimin e pushtetit). Përfaqësuesit e BE nuk kanë dashur t’i futen këtij rreziku”, shkruan NZZ.

Rrugët e reja të refugjatëve

E njëjta gazetë shkruan edhe për rrugët e reja të refugjatëve që po krijohen në Ballkan dhe shqetësimet e Austrisë me këtë fakt. Kancelari Sebastian Kurz  ka deklaruar se tani “po krijohet një rrugë e re e refugjatëve në Ballkan”. Refugjatët po kalojnë pëmes “rrugës shqiptare”, prej Greqisë nëpër Ballkanin Perëndimor e deri në Slloveni dhe Evropën Perëndimore. Gazeta citon autoritetet e Austrisë se rrugët do të mbyllen në mënyrë hermetike, në qoftë se vazhdohet me këtë intensitet.

„Në Austri kanë ardhur deri në mars të këtij viti rreth 4.000 persona që kanë kërkuar azil. Këto ta kujtojnë kohën e krizës së vitin 2015, kur në Austri kanë kërkuar gjatë gjithë vitit azil rreth 90.000 vetë.”

Ndërsa gazeta “Süddeutsche Zeitung” shkruan se qeveria e Austrisë po fokusohet tek çështja e refugjatëve dhe ndihmat sociale që duhet të jepen. Kancelari Kurz thotë se ata do të përpiqen të ruajnë sistemin social, sepse shumë persona vijnë atje vetëm për të kërkuar ndihma sociale. (dw)

Apostolova: Gjendja e mjedisit në Kosovë – shqetësuese

ApostolovaShefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalya Apostolova u bëri thirrje autoriteteve në Kosovë që urgjentisht të ndryshojnë politikat që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Ajo tha se këto ndryshime janë edhe pjesë e standardeve që Kosova duhet t’i përmbush në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane.

Ajo i bëri këto komente gjatë fillimit të javës për zhvillim të qëndrueshëm, një konferencë pesëditëshe që ka për synim trajtimin e sfidave të mjedisit në Kosovë.

Zonja Apostolova tha se zhvillimi i qëndrueshëm është parakusht për qëndrueshmërinë politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Ajo tha se Kosova ka burime të kufizuara natyrore që duhet të përdoren në mënyrë të kujdesshme.

“Po e shfrytëzoj këtë mundësi që të nxisë autoritetet e Kosovës që të miratojnë strategjinë për ujërat që është shumë i rëndësishme, strategjinë për ndryshimet klimatike dhe të rrisin efiçencën në energji sa më shpejt që mundet”, tha ajo duke nënvizuar se Kosova duhet të ndryshojë në mënyrë rrënjësore perceptimin e saj lidhur me mbrojtjen e mjedisit.

“Kosova duhet që urgjentisht të ri përqendrojë politikat e saja në reforma që kanë ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova drejt rrugës së saj evropiane duhet të përafrohet me standardet evropiane dhe me strategji afatgjata”, tha zonja Apostolova.

Ajo tha se edhe në raportin e përparimit të publikuar muajin e kaluar nga Komisioni Evropian, çështja e mjedisit në Kosovë vlerësohet shqetësuese dhe se Bashkimi Evropian mbetet i shqetësuar për përparimin e paktë në sektorin e ruajtjes së mjedisit.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se përmirësimi i kushteve për një mjedis më të pastër do të jetë përparësi e qeverisë së tij. Ai tha se nëpërmjet investimeve në energjinë e ripërtërishme përveç ruajtjes së mjedisit, vendi do të fitoj edhe ekonomikisht.

“Njëkohësisht një vetëdije e ngritur për energjinë miqësore po ndihmon që objektet e banimit dhe objektet industriale dhe në përgjithësi infrastruktura publike po ndihmon në përfitime afatgjate, por po hap edhe vende të punës”, tha ai.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj numëroi disa nga problemet më të mëdha me të cilat përballet Kosova në fushën e mjedisit.

“Ndërtimet pa kritere, përdorimi i teknologjive të vjetruara, mungesa e trajtimit të ujërave të zeza, ndryshimet klimatike, ndotja e ajrit, menaxhimi i dobët i mbeturinave dhe shfrytëzimi i egër i resurseve natyrore janë problemet kryesore me të cilat përballet Kosova me mjedisin”, tha ministrja Reshitaj.

Ndotja e mjedisit në Kosovë sipas studimeve të organizatave të ndryshme tejkalon normat e përcaktuara me standardet evropiane. Përveç mbeturinave, mjedisi është i ndotur edhe nga disa prodhues, në mesin e të cilëve si më kryesori është termocentrali Kosova A, që është prodhuesi më i vjetër i energjisë elektrike. Mbrojtësit e mjedisit thonë se kujdesi për këtë çështje është më rëndësi thelbësore për të ardhmen e Kosovës dhe për integrimet evropiane të saj. (voa)

Robotët në industrinë e tregtisë ushqimore me pakicë

RobotetDyqanet ushqimore në Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një betejë të ashpër për konsumatorë, të cilët shpesh kërkojnë që ushqimet të vijnë tek ata, në vend që konsumatorët të shkojnë në dyqan. Automatizimi po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e ekuacionit të konkurrencës. Kur gjigandi amerikan i shitjes me pakicë përmes postës, Amazon, tronditi industrinë e supermarketeve me blerjen e rrjetit të dytë më të madhe të dyqaneve ushqimore “Whole Foods”, kompania Kroger reagoi, duke u partnerizuar me një supermarket britanik në internet, që njihet për teknologjinë e avancuar në magazinat e saj.

Fillimisht ishin fabrikat e makinave që futën robotët në linjat e montimit për të shtuar rendimentin.

Dyqanet pasuan, duke automatizuar magazinat për të përshpejtuar dërgesat me porosi. Tashmë punonjësit nuk do të kryenin kilometra ecje në ditë, për të grumbulluar sendet nga raftet e magazinave dhe paketuar. Robotët i gjejnë dhe rendisin më shpejt dhe më me efikasitet sendet, duke i bërë realitet porositë dhe dërgesat brenda ditës.

Në këtë klimë konkurence, gjigandi ushqimor amerikan Kroger vendosi të partnerizohet me supermarketin britanik në internet Ocado, që zotëron një prej magazinave më të avancuara robotike në Evropë.

Analisti për investimet Gary White thotë se partneriteti mund të përmirësojë gjendjen financiare të kompanisë Ocado dhe të përshpejtojë dërgesat e kompanisë Kroger.

“Kjo mund të sjellë shumë fitime për të dyja kompanitë. Kompania Ocado rrallë ka qënë fitimprurëse që nga fillimi i saj, më shumë se një dekadë më parë. Dhjetëvjeçarin e parë nuk ka patur përfitime.”

Robotët me bateri lëvizin deri katër metra për sekondë dhe komunikojnë përmes rrjetit të avancuar celular 4G, që ngjason me rrjetin e telefonave.

Robotët mund të mbajnë katër kilogramë dhe paketojnë një porosi prej 50 sendesh, vetëm në pak minuta.

Robotët kontrollohen nga një sistem i ngjashëm, që përdoret nga kontrolluesit e trafikut ajror dhe përmbushin deri në 65 mijë porosi në javë.

Kompania Kroger, që operon 2800 supermarkete në Shtetet e Bashkuara të markave të ndryshme, thotë se ka në plan të ndërtojë tre magazina të automatizuara këtë vit dhe deri 20 të tjera në të ardhmen.

Ndërsa vazhdon testimi i dërgesave robotike, ekspertë të industrisë thonë se dërgesat ushqimore mund të bëhen segmenti i parë tërësisht i automatizuar i industrisë së shitjeve me pakicë. (voa)

Në një pikë kritike negociatat për çështjen e emrit të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë

kotziasdimitrovMinistri i Jashtëm grek Níkos Kotziás pas takimit që kishte me homologun e tij, Nikola Dimitrov në Bruksel, deklaroi se zgjidhja e çështjes së emrit të vendit fqinjë tashmë ndodhet në duart e kryeministrave të Greqisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë.

Në veçanti, z.Kotzias tha se bisedimet midis ministrave të Jashtëm përfunduan dhe çështja tashmë kalon në kryeministrat e të dy shteteve, pasi negociatat përfunduan dhe në nivelin e ekspertëve për çështjet teknike dhe ligjore.

Kështu, marrëveshja përfundimtare do të diskutohet në takimin që do të kenë kryeministrat e të dy vendeve, Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev, vazhdoi ai.

Jemi në «fazën përfundimtare», vlerësoi dhe Nikola Dimitrov, i cili deklaroi se është e mundur të arrihet një zgjidhje përfundimtare deri në Samitin e Lartë të BE-së më 28 Qershor.

Megjithatë, sipas burimeve qeveritare, të «dy ministrat e Jashtëm bënë përparim të rëndësishëm, ndërkohë negociatat nuk përfunduan, por ndodhen në pikën më kritike të tyre. (ert)

DASH-i mbi liritë fetare në Shqipëri dhe Kosovë

dashDepartamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. Raporti përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.

Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Shqipëri dhe Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.

Shqipëria

Raporti nënvizon se kushtetuta e Shqipërisë garanton lirinë e besimit. Ajo përcakton se nuk ka një fe zyrtare, thotë se shteti është neutral në çështjet e besimit, njeh barazinë dhe pavarësinë e grupeve fetare dhe ndalon diskriminimin në baza fetare.

Qeveria, thuhet mes tjerash në raport, ka legalizuar 41 xhami gjatë vitit, krahasuar më 137 një vit më herët, gjashtë në vitin 2015 dhe asnjë në vitin 2014.

Grupet fetare raportuan se Agjencia për Trajtimin e Pronave (ATP) nuk ka përpunuar asnjë kërkesë për kthimin e pronave të konfiskuara gjatë periudhës së komunizmit dhe ka miratuar vetëm një kërkesë për kompensim. ATP-ja tha se qindra kërkesa janë në pritje të ndryshimit të ligjit të pronës përpara se ato të zgjidhen

Presidenti, Ilir Meta, i dha shtetësinë Arqipeshkopit të Kishës Autoqefale Ortodokse, Anastasios, duke thënë se “ai e kishte ripërtërirë kishën pas komunizmit”. Ndërsa vendimi i tij u mirëprit nga autoritetet greke, ai nxiti regime të përziera politike në Shqipëri

Në raport thuhet se ndërmjet muajve janar dhe maj, qeveria trajnoi 29 mësues në 15 shkolla si pjesë e një projekti provues arsimor për të ndihmuar parandalimin e radikalizmit dhe për të nxitur tolerancën fetare. Megjithatë, zbatimi i plotë i programit ngeci në muajin maj dhe e ardhmja e tij është e paqartë.

Këshilli Ndërfetar, një forum i udhëheqësve fetar të vendit për të diskutuar shqetësimet e përbashkëta, është mbledhur tre herë ndryshe nga një vit më parë kur nuk ishte mbledhur fare. Komuniteti Islamik në Shqipëri është kritikuar në mediet sociale për “një fyerje të perceptuar” ndaj (Gjergj Kastriotit) Skënderbeut, heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve me rastin e kremtimeve për festën e Bajramit.

Raporti flet për angazhimin e ambasadës amerikane për të nxitur zyrtarët qeveritar që të zgjidhin çështjen e pronave të grupeve fetare, arsimimin e të rinjve me theks në diversitetin fetar, forcimin e grave në bashkësitë fetare, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe programet e shkëmbimeve me theks në tolerancën fetare.

Qeveria amerikane vlerëson se nga 3 milionë sa është popullsia në Shqipëri, sipas regjistrimit të vitit 2011 myslimanët sunni përbëjnë 57 për qind të popullsisë, katolikët 10 për qind, ortodoksët afro 7 për qind, dhe bektashinjtë 2 për qind. Rreth 20 për qind kanë refuzuar të përgjigjen rreth përkatësisë së tyre fetare. Regjistrimi i ardhshëm bëhet në vitin 2021.

Shkollat publike janë seculare, thuhet në raport, ndërsa shkollat private mund të ofrojnë mësime fetare. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2016, grupet fetare, organizatat dhe fondacionet kanë 125 shoqata dhe fondacione të lidhura me 116 institucione arsimore, përfshirë universitetet, shkollat fillore dhe të mesme, institucionet parashkollore, kopshtet, shkollat profesionale dhe jetimoret.

Katër bashkësitë kryesore fetare thanë se mbështetja e tërësishme qeveritare për to mbetet 109 milionë lek (986 mijë dollarë), njësoj siç ishte edhe në vitin 2016.

Gjatë një vizitë në muajin maj, raportuesi i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për lirinë e besimit, Ahmed Shaheed, krahas vlerësimit të përpjekjeve të qeverisë për të mbrojtur liritë fetare, i bëri thirrje qeverisë që të punojë për kthimin e pronave. Ai tha atëbotë se “Shqipëria është model i harmonisë fetare”, por bëri thirrje për ruajtjen e saj.

Në muajin tetor, theksohet në raport, parlamenti miratoi ligjin e ri mbi pakicat që do të ofrojë mbrojtje shtesë për të drejtat e pakicave përfshire edhe lirinë e besimit.

Kosova

Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e besimit, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre. Parlamenti shqyrtoi një projektligj që do t’i lejonte grupet fetare të regjistroheshin si persona juridik.

Grupet fetare janë ankuar se autoritetet nëpër komuna shpesh nuk u ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta, posaçërisht kur bëhet fjalë për pronat e tyre dhe vendvarrimet.

Raporti përmend se komuna e Prishtinës duke ju referuar mungesës së lejes së ndërtimit nuk ka lejuar murgjit serbë të punojnë në kishën e papërfunduar në Prishtinë. Kisha Ortodokse serbe është ankuar se ministri i Kulturës nuk ka dhënë leje për rindërtimin e një tempulli në Prizren, ndërsa autoritetet në komunën e Deçanit kanë refuzuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pronat e manastirit mesjetar të Deçanit.

Bashkësia Islame e Kosovës, thuhet në raport, ka raportuar për diskriminim kundër myslimanëve të devotshëm, posaçërisht në sektorin publik duke përmendur rastin e një mësueseje në një shkollë publike në Prizren e cila refuzoi ta heq shaminë në punë.

Qeveria ka punuar me Bashkësinë Islame për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe ka dënuar dëmtimin e objekteve fetare. Si pjesë e strategjisë së qeverisë, Bashkësia Islame ka mbajtur sesione në Medrese dhe Fakultetin e Studimeve Islame me qëllim të njoftimit të të rinjve që të mos bien pre e ekstremizmit.

Raporti thekson se protestuesit kanë sulmuar në disa raste pelegrinët serbë, duke përmendur pengimin e vizitës në Gjakovë.

Raporti përmend edhe dëmtimin e një xhamie në fshatin Partesh të rajonit të Gjilanit nga serb etnik.

Organizatat fetare, thuhet në raport, takohen rregullisht për të diskuar të drejtat e pronës, përparësitë ligjore dhe çështjet që lidhen me komunitetet lokale.

Ambasadori amerikan dhe përfaqësuesit tjerë të ambasadës amerikane, takohen shpesh me zyrtarët qeveritarë për të nxitur tolerancën fetare, kalimin e ligjeve që u mundësojnë institucioneve fetare rregullimin e statusit ligjor dhe zbatimin e plotë të ligjit për mbrojtjen e objekteve fetare si dhe për të diskutuar përpjekjet për të zgjidhur çështjen e pronave. Ambasada angazhohet kundër praktikave diskriminuese të punësimit të besimtarëve myslimanë apo grupeve tjera fetare dhe përfaqësuesit e saj diskutojnë rregullisht për tolerancën fetare me udhëheqësit e komuniteteve kryesore fetare.

Qeveria amerikane vlerëson se Në Kosovë jetojnë rreth 1.9 milion banorë nga ta 95.6 për qind janë myslimanë, 2.2 për qind katolikë si dhe 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks. Pakica serbe nuk i pranon këto të dhëna meqë ka refuzuar të marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011. Kisha Ortodokse serbe thotë se ka 120 mijë besimtarë apo 6.3 për qind.

Raporti thekson se ligji parasheh Zona të Posaçme të Mbrojtura përreth objekteve fetare duke kufizuar veprimtaritë që mund të dëmtojnë rrethinën historike, kulturore apo mjedisin.

Qeveria, thuhet në raport, ka ndërmarrë hapa për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm që lidhet me besimin. Aty pamendet edhe akuza e ngritur vitin e kaluar ndaj imamit Shefqet Krasniqi, për nxitje të terrorizmit. (Imami Krasniqi u shpall i pafajshëm ditë më parë), si dhe ndaj katër imamëve të tjerë “për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare apo etnike”.

Në raport përmendet mbështetja financiare e qeverisë për institucionet arsimore islame në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan. Disa pjesëtarë të grupeve të tjera dhe përfaqësues të tjerë jofetarë thanë se ishin të shqetësuar që qeveria nuk e kishte financuar arsimimin fetar për grupet e tjera fetare, thuhet në raport.

Në raport përmendet edhe raportimi i medieve për trysninë e qeverisë turke mbi institucionet e Kosovës për t’i mbyllur shkollat e lidhura me klerikun mysliman, Fethullah Gylen.

Aty përmendet edhe postimi në facebook i kandidatit për kryetar komune nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, Fisnik Korenica, se shumë shpejt Izraeli do të “zhdukej nga faqja e dheut”, si përgjigje ndaj incidenteve në Jerusalem. Postimi është shlyer pas reagimeve dhe zoti Korenica ka kërkuar ndjesë.

Me gjithë vendimin e presidentit të shpallur në nëntor të vitit 2016 për të ndalimin e shitjes dhe shpërndarjes së librave me përmbajte antisemite, qeveria nuk ka ndërmarrë veprime administrative për të zbatuar vendimin, thuhet në raport.

Kisha ortodokse serbe kritikoi mediet për nxitje të një klimë jotolerante, thuhet në raport, ndërsa Bashkësia Islame tha se mediet përgjithësisht portretizuan myslimanët në mënyrë negative.

Policia e Kosovës raportoi 44 incidente që synonin dëmtimin e pronës fetare, vjedhje dhe grafite gjatë vitit 2017. Rastet përfshinin 21 raste më komunitetin islam, 20 kishën ortodoksë serbe dhe 3 në kishat katolike.

Udhëheqësit e grupeve të ndryshme fetare kanë raportuar në përgjithësi marrëdhënie të mira me njëri tjetrin dhe kanë marrë pjesë në diskutime për shqetësimet e përbashkëta. (voa)

Kosovë: Diplomatët amerikanë reagojnë ndaj incidentit të së hënës në Klinë

policia ksAmbasadori amerikan në Beograd Kyle Scott dhe ai në Prishtinë, Greg Delawie, thanë të martën se ripajtimi dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm.

Komentet e tyre pasuan zhvillimet e një dite më parë në fshatin Poterq të komunës së Klinës, rreth 50 kilometra në perëndim të Prishtinës, gjatë një proteste të banorëve shqiptarë kundër vizitës së një grupi qytetarësh serbë në këtë fshat.

Policia e Kosovës ndërhyri për të shpërndarë një grup prej rreth 50 protestuesish që kishin bllokuar hyrjen në fshatin ku një grup prej 50 qytetarësh serbë qëndroi për të shënuar një kremte fetare. Driton Rugova, nga policia rajonale e Pejës, i tha Zërit të Amerikës se tubimi i serbëve kishte qenë i paralajmëruar më herët, prandaj policia ndërhyri për ta mundësuar mbarëvajtjen e tij.

Banorët shqiptarë thonë se në atë fshat në luftën e vitit 1999 janë vrarë 15 shqiptarë, prandaj vizitën e cilësuan si një provokim që përsëritet nga viti në vit.

Policia tha se një pjesëtar i grupit serb është goditur më një mjet të fortë gjatë protestës dhe “është dërguar me autoambulancë në spitalin rajonal në Pejë për trajtim mjekësor”. Gjendja e tij është e qëndrueshme, sipas policisë.

Banorët shqiptarë, sipas policisë, kanë identifikuar një pjesëtar të komunitetit serb “si të dyshuar për masakrën e 29 marsit të vitit 1999″. Ai është shoqëruar në polici për “verifikim të mëtutjeshëm” dhe më pas është liruar.

Zyrtarë të Beogradit por edhe të Listës serbe, që është subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, e dënuan incidentin në fshatin Poterq, duke kërkuar nga autoritetet e Prishtinës që të mos lejojnë raste të tilla në të ardhmen.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie shkroi në rrjetin social twitter se “qytetarët e Kosovës duhet t’i përkushtohen të ardhmes. Të kthyerit duhet të jenë në gjendje të udhëtojnë të sigurt. I kënaqur që policia e Kosovës e menaxhoi incidentin, por ai nuk ishte i nevojshëm. Dhuna nuk është përgjigje. Përpjekjet serioze për ripajtim janë të nevojshme për të përmbushur synimet e Kosovës”, thuhet në postim.

Ndërsa ambasadori Scott shkroi se “incidenti i djeshëm në Poterq vë në pah nevojën për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që do t’u siguronte banorëve serbë lirinë e pjesëmarrjes në jetën politike, shoqërore e fetare në Kosovë pa frikë për sigurinë”.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës të shpallur dhjetë vjet ë parë, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane. (voa)

Erdogani: Fjalë të forta – efekt i dobët

change office liraLira turke po humbet gjithnjë e më tepër vlerën e besimi në forcën ekonomike të vendit po bie. Presidenti Erdogan fajëson fuqitë e huaja. Ekspertët mendojnë se një pjesë të fajit për mizerjen ekonomike të vendit e ka ai.

Një gjë duhet pranuar për Recep Tayyip Erdoganin, duhet pranuar që presidentit turk nuk i mungojnë idetë e jashtëzakonshme. Gjatë një mitingu fushate elektorale ai i bëri thirrje qytetarëve që të kthejnë në monedhë turke paratë që kanë në dollar ose euro: “Vëllezër, dollarët ose eurot që keni nën jastëk, kthejini në lira. Së bashku ne do e përballojmë këtë komplot”, u bëri ai thirrje idhtarëve që tundnin flamurin e tij në qytetin turko lindor, Erzurum.

Shkak për apelin e Erdoganit është humbja e madhe e vlerës së lirës turke. Në gjashtë muajt e fundit lira ka rënë me gati 20 përqind të vlerës. Erdogan nuk shikon arsye ekonomike tek kjo gjë, por vetëm konspiracion të financiarëve vendas dhe të huaj.

Kërkohet kontrolli mbi bankën kombëtare

Përveç apelit, presidenti turk njoftoi se mbas zgjedhjes në zgjedhjet presidenciale në fund të qershorit, ai do të kërkojë të vendosë kontrollin mbi Bankën kombëtare, deri tani të pavarur. Kjo e bën Marcel Fratzscher, të rrudhë ballin. Fratzscher është president i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW). Ai mendon se Erdogan është bashkëpërgjegjës për mizerjen ekonomike të Turqisë. Njoftimi i Presidentit se do i heqë pavarësinë Bankës Qendrore turke, për të marrë përsipër marrjen e vendimeve që duhet të marrë banka, është “një nga arsyet kryesore të krizës ekonomike të Turqisë”. Si pasojë e një politike ekonomike të gabuar, mendon Fratzscher, gjithnjë e më shumë turq do largohen nga vendi ose do i dërgojnë kursimet e tyre jashtë Turqisë.

Koncepti i ekonomisë turke në rrezik

Në fakt gjendja e ekonomisë turke është serioze. Kjo ka të bëjë edhe me atë që modeli ekonomik ka ndryshuar vitet e fundit. Prej vitesh Turqia ka importuar më shumë mallra se sa ka eksportuar. Si shpërblim gjithnjë e më shumë të huaj kanë investuar në Turqi paratë e tyre, sepse shpresonin të merrnin më shumë përfitime. Ky konstrukt u zhvillua mirë vite me radhë, dhe vendi ishte në rrugë të mirë ekonomike. Por, pas përpjekjes për puç 2016 dhe valës së arrestimeve dhe shkarkimeve, investorët e huaj e humbën besimin. Ndërkohë deficiti i llogarive rrjedhëse ka arritur pesë përqind. Niveli i inflacionit është aktualisht në 11 përqind, më shumë se dyfishi prej 5 përqind që ka vënë si objektiv Banka Qendrore turke.

Erdogan kundër rritjes së përqindjes

Sjellja e Erdoganit në çështjet ekonomike e bën situatën edhe më të vështirë. Për të ndaluar inflacionin dhe rënien e monedhës vendase, Banka Qendrore zakonisht rrit përqindjet. Por në Turqi, presidenti Erdogan lufton këtë formulë bazë të politikës ekonomike. Ai jo vetëm që flet hapur në publik kundër rritjes së përqindjeve, por ushtron presion ndaj ekspertëve të pavarur të politikës monetare, që të ulin përqindjet. Një arsye mund të jetë se Erdogan trembet se rritja e përqindjeve do të zbehë rritjen ekonomike prej 7,4 përqind të vitit të kaluar. Politika e deritanishme ekonomike, ka qenë një nga arsyet e suksesit të Erdoganit dhe partisë në pushtet, AKP. Presidenti vazhdon të jetë i preferuar tek idhtarët e tij, meqenëse shumë prej tyre ia dinë për nder përmirësimin e mirëqënies ekonomike. (dw)