Bisedimet për emrin e Maqedonisë

Shkupi dhe Athina po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për problemin shumëvjeçar të emrit të Maqedonisë. Ministrat e jashtëm të të dy vendeve kanë bërë të ditur se është shënuar përparim, ndërsa kanë rënë dakord për një kornizë të këtyre bisedimeve. Asnjëra palë, megjithatë, nuk jep hollësi për propozimin e ri. Federica Mogherini e Bashkimit Evropian ka përshëndetur përparimin duke ofruar mbështetjen e BE-së për zgjidhjen e problemit.

Pas një raundi bisedimesh në Bruksel midis ministrave të jashtëm Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias janë shtuar shpresat se çështja e emrit të Maqedonisë është më afër zgjidhjes.

Pas refuzimit nga pala greke të referencës Maqedonia e Ilindenit për vendin fqinj, Shkupi dhe Athina kanë kërkuar zgjidhje të tjera edhe me ndërmjetësimin e Matthew Nimetz të Kombeve të Bashkuara por edhe në Bruksel, ku sipas ministrit maqedonas Dimitrov është arritur pëlqimi për një kornizë rreth emrit të ri, por se bisedimet duhet të vazhdojnë mbi aspektet teknike dhe ligjore.

Kolegu i tij grek Kotzias është shprehur se tashmë pritet të bisedojnë dy kryeministrat, Tsipras dhe Zaev, për zgjidhjen përfundimtare të problemit.

Megjithatë, as Athina e as Shkupi nuk japin hollësi se cila është referenca për të cilën po bisedohet aktualisht.

Autoritetet në Shkup presin një zgjidhje para samitit të Bashkimit Evropian më 28 qershor.

Ndërkohë, Federica Mogherini, përfaqësuese e lartë e Bashkimit Evropian për politikat e jashtme dhe çështjet e sigurisë, tha pas takimit në Bruksel me ministrat e BE-së dhe ministrin e jashtëm maqedonas Dimitrov se është e inkurajuar me përparimin e arritur në bisedimet midis Shkupit dhe Athinës.

“Do të punojmë të gjithë së bashku për të mbështetur një rezultat pozitiv dhe shpresëdhënës nga këto bisedime”, tha zonja Mogherini.

Mediat e afërta me pushtetin në Shkup spekullojnë me një emër që ndërlidhet me Krushevën, si zgjidhje e mundshme e problemit më se dy dekadësh. Ndërkaq, propozimet e ndërmjetësit Nimetz janë Maqedonia e Epërme, Veriore, e Vardarit e Re ose Republika e Maqedonisë (Shkupi).

Nëse problemi mund të zgjidhet, ashtu siç shpresojnë autoritetet në Shkup, atëherë gjasat janë të mëdha për hapjen e bisedimeve të Maqedonisë me Bashkimin Evropian.

Maqedonia ka marrë statusin vend kandidat për anëtarësim në BE qysh në dhjetor të vitit 2005. (voa)

Arrihet pakti për emrin, Athina dhe Shkupi konfirmojnë zgjidhjen

flamuj mak greAthina dhe Shkupi duket se kanë arritur një marrëveshje për sa i përket çështjes së emrit të fqinjit verior të Greqisë.

Sipas deklaratës për shtyp të Ministrisë së Jashtme greke, Nikos Kotzias ka theksuar pas takimit me homologun e tij Dimitrov në Bruksel se dy krerët e diplomacisë së të dy vendeve kanë mbaruar misionin e tyre me atë çka kishin marrë përsipër nga dy kryeministrat.

“Sot ose ndoshta nesër, do të vazhdojë negocimi në nivel ekspertësh për çështjet teknike dhe ligjore me të cilat duhet të përballen. Pasi të kenë përfunduar dhe pasi të zgjidhen çështjet teknike dhe ligjore, dokumentet e hartuara në nivelin e Ministrave të Jashtëm do t’u jepen dy kryeministrave, të cilët do të bisedojnë me njëri-tjetrin dhe do të formulojnë marrëveshjen përfundimtare”, ka deklaruar Nikos Kotzias.

Βurime diplomatike bëjnë me dije se dy vendet janë shumë pranë Severna Makedonija (Maqedonia e Veriut ), por nuk mohojnë edhe dy variantet e tjera Maqedonia e Epërme (Gorna Makedonija) dhe Maqedonia e Re (Nova Makedonija).

 Top Channel

Kancelari austriak kërkon negociatat për Shqipërinë

Kurz“Me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të hapim shpejt negociatat”, është shprehur kancelari austriak, Sebastian Kurz për gazetën gjermane “Welt am Sonntag”.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz kërkon hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë. “Kush kërkon të mënjanojë konfliktet në fqinjësinë tonë në Ballkanin Perëndimor dhe do të kontribuojë për stabilizimin, ai duhet t’u ofrojë një perspektivë të besueshme europiane vendeve në rajon”, ka thënë politikani austriak për gazetën gjermane “Welt am Sonntag.”

Austria mbështet Serbinë dhe Malin e Zi që kanë bërë përparime në pjekurinë për anëtarësim. “Edhe me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të fillojmë të hapim negociatat”, tha Kurz.

Samiti i qershorit do të vendosë, nëse do të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në Gjermani, sidomos në partinë konservatore, CDU dhe CSU, por edhe në disa vende të BE-së ka ende rezerva për këtë hap. Por Komisioni Europian e mbështet hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

la/die presse, WaS

Mospajtime mes qeverisë e Manastirit të Deçanit për një rrugë

Manastiri i DecanitPas reagimit të Kishës Ortodokse serbe janë ndërprerë punimet e një rruge që kalon pranë Manastirit të Deçanit. Bashkësia ndërkombëtare mbështet vendimin për ndërprerjen e punimeve, qeveria kërkon vazhdimin e punimeve.

Në Kosovë autoritetet ndërkombëtare e mbështesin vendimin për ndërprerjen e punimeve në një rrugë rajonale që e lidh Kosovën dhe Malin e Zi, e cila kalon afër manastirit të Deçanit në perëndim të Kosovës. Ky manastir dhe zona përreth tij janë një zonë e zonë e mbrojtur me ligj të veçantë, që është miratuar nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2008.

Mirëpo ndërprerja e punimeve të kësaj rruge nuk i ka pëlqyer kryeministrit Ramush Hardinaj dhe partive politike shqiptare, të cilat bënë thirrje për vazhdimin e ndërtimit të rrugës.

Ndërprerja e punimeve të rrugës u bë pas reagimit të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë e cila thotë se “kjo zonë është e mbrojtur me ligj”. Në një komunikatë për mediet të Kishës Ortodokse serbe, thuhet se “dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit e ka përsëritur shumë herë qëndrimin se zona përreth manastirit është e mbrojtur me ligj”.

“Kisha nuk është kundër ndërtimit të rrugëve, por ndërtimi i rrugës së tranzitit përgjatë mureve të Trashëgimisë Kulturore Botërore më të rëndësishme të UNESCO-s në rajon, përbën jo vetëm shkelje të ligjit aktual por një akt kundërcivilizues, i cili do të shkaktojë dëme të konsiderueshme në manastirin e Deçanit. Rruga tranzit do të rrisë trafikun, sidomos të automjeteve të rënda dhe do të bëjë dëme shtesë dhe ndotje, kështu që zona rreth manastirit, një nga oazet e rralla të paqes dhe qetësisë do të dëmtohet në mënyrë të pariparueshme”, thuhet në komunikatën e Kishës Ortodokse serbe.

Në mbështetje të Kishës doli Misioni i OSBE-së në Kosovë, që thotë se po i përcjell me shqetësim këto zhvillime.

“OSBE po ndjek me shqetësim atë që duket të jetë ndërtim i paligjshëm i rrugëve, brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit. Çdo punë në rrugë brenda Zonës së Veçantë të Mbrojtur duhet të rregullohet nëpërmjet Këshillit të Zbatimit dhe Monitorimit. Ne bëjmë thirrje për zgjidhje të pranueshme nga të dy palët në përputhje me ligjin e Kosovës dhe angazhimet ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e misionit të OSBE-së.

Edhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Nataliya Apostolova, në reagimin e saj thotë se “është me rëndësi të madhe që ligji për Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Manastirit të Deçanit të respektohet rreptësisht dhe çdo veprim i mundshëm të miratohet nga Këshilli i Zbatimit dhe Monitorimit”.

Haradinaj flet për keqkuptim

Mirëpo e gjithë kjo situatë e krijuar, për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj është një keqkuptim. Ai thotë se një pjesë e rrugës që kalon afër Manastirit vetëm po rinovohet sepse, kjo rrugë aty ka ekzistuar me shekuj.

“Ekziston një keqinformim rreth punimeve në njërën nga rrugët e Deçanit. Ftoj diplomatët që të shkojnë në vend të ngjarjes, të shohin situatën dhe të binden se rruga që po rinovohet ka ekzistuar edhe më parë, për t’iu shmangur kështu deklarimeve të ngutshme. Populli i Kosovës gjithmonë ka jetuar në harmoni me komunitetet pakicë, duke respektuar trashëgiminë fetare dhe kulturore të të gjithëve pa dallim. Qeveria e Kosovës e ka për obligim riparimin dhe menaxhimin e rrugëve në tërë territorin e Kosovës”, shkroi në profilin e tij social kryeministri Ramush Haradinaj.

Edhe ministri i Infrastrukturës në qeverinë e zotit Haradinaj, Pal Lekaj, thotë se ndërtimi i rrugës që e lidh komunën e Deçanit me Malin e Zi nuk e cënon zonën e mbrojtur të manastirit.

“Konform kësaj dëshiroj të bëj thirrje që të kontribuojmë të gjithë faktorët relevantë, vendorë e ndërkombëtarë, që një temë e cila është kryekëput humane e njerëzore, të mos përkthehet si diçka tjetër, qoftë për të nxjerrë keq komunitetet njëri-tjetrin, apo edhe për të bërë zhurmën që nuk duhet të bëhet”, thotë ministri Pal Lekaj.

Partitë politike shqiptare të përfaqësuara në kuvendin e Kosovës, janë kundër ndërprerjes së punimeve të rrugës që e lidh komunën e Deçanit me Malin e Zi, dhe ato i bëjnë thirrje Kishës Ortdokse serbe që mos ta pengojë ndërtimin e rrugës.

Edhe në vitin 2014 pas reagimit të Kishës Ortdokse serbe, ishin ndërprerë punimet për ndërtimin e kësaj rruge që kalon afër manastirit te Deçanit. Kjo për faktin që në planin e Marti Ahtisarit, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës, një pjesë e madhe përreth Manastirit të Deçanit është zonë e mbrojtur ku nuk lejohet asnjë ndërtim. Kjo është konfirmuar edhe në vitin 2013 nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila i njohu manastirit të Deçanit të drejtën e pronës mbi 23 hektarë tokë, që vazhdimisht kontestohet nga komuna e Deçanit. (dw)

Muzeu i Hollit të Famës për Shpikësit frymëzon të rinjtë

InovatoretThomas Edisoni, Henry Ford dhe themeluesi i kompanisë “Apple”, Steve Jobs, janë në mesin e disa prej shpikësve më të njohur amerikanë. Por ka edhe të tjerë, më pak të njohur, të cilët me produktet e tyre novatore kanë patur ndikim të madh në botë. Më shumë se 12 prej tyre u nderuan kohët e fundit për kontributet e tyre të veçanta në një ceremoni që u zhvillua në Muzeun Kombëtar të Hollit të Famës për Shpikësit, në Aleksandria të Virxhinias.

Me prerjen e shiritit u hap ceremonia e organizuar në Muzeun Kombëtar të Hollit Famës për Shpikësit për të nderuar 15 ndër shpikësit më të mëdhenj të kohës sonë:

“Çdo vit në Hollin e Famës për Shpikësit shtohen emrat e njerëzve që kanë bërë disa nga zbulimet më të shkëlqyera…”- thotë Paul Rosenthal, i Zyrës Amerikane të Patentave.

Paul Rosenthal punon për Zyrën Amerikane të Patentave, që mbron arritjet e shpikësve:

“Nga mjekësia, te kimia, apo novacionet mekanike që përdoren në disa lloje avionësh dhe automobilësh… Është e jashtëzakonshme se sa të shumëllojshme janë idetë që dalin nga këta njerëz,” – thotë ai.

Në mesin e tyre është Stan Honey — i njohur për krijimin e sistemeve të grafikëve që u mundësojnë teleshikuesve në mbarë botën të shohin momente të rëndësishme gjatë transmetimit drejtpërdrejt të ngjarjeve sportive… si për shembull garat me anije me vela… garat me makina… dhe ndeshjet e futbollit amerikan.

“Ne përdorim shiritat e verdha në ekran, duke tërhequr vëmendjen tek një element i rëndësishëm i ndeshjes që përndryshe do të ishte vështirë të dallohej,”- thotë shpikësi Stan Honey.

Ndërsa Sumita Mitra — nderohet për përdorimin e nanopjesëzave që përdoren për forcimin e mbushjeve të dhëmbëve, që njëkohësisht ndihmojnë që dhëmbët të duken më të natyrshëm.

“Çdo vit bëhen rreth 600 milionë ndreqje dhëmbësh, ku përdoret teknologjia e shpikur prej saj.”- thotë Rini Paiva, e komitetit të Hollit të Famës.

Rini Paiva ((REE-nee PIE-vah)) drejton komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve në Hollin Kombëtar të Famës për Shpikësit:

“Ka konkurrencë të forte në procesin tonë të përzgjedhjes, sepse ka shumë shpikës të jashtëzakonshëm dhe ne duhet të zgjedhim ata që kanë patur ndikimin më të madh për shoqërinë njerëzore,”- thotë ajo.

Muzeu Kombëtar i Hollit Famës për Shpikësit u krijua në vitin 1973. Ai realizon ekspozita interaktive mbi personat e përfshirë në hollin e famës dhe shpikjet e tyre.

Muzeu ka një model të llambës së Edisonit…si dhe një prej kamerave portative të shpikësit George Eastman… dhe modele të makinave Ford Mustang të prodhuara nga viti 1965 deri në 2015 — të ndara në mes, për të treguar se si ka ndryshuar makina-ikonë në 50 vjet.

Vizitorët këtu mund të mësojnë gjithashtu për markat e ndryshme… si të dallojnë ato të vërtetat nga të rremet…dhe të krahasojnë gërmat, ngjyrat…madje edhe tinguj… me firmat përkatëse.

Përveç nderimit të mendjeve më novatore dje dhe sot, Paiva shpreson se muzeu do të frymëzojë një brez të ri shpikësish:

“Muzeu u tregon njerëzve se ç’mund të bëjmë me programet tona arsimore, për t’i nxitur të rinjtë të ndjekin studime në shkencat ekzakte dhe të aplikuara dhe për t’u njohur me të drejtën e pronës intelektuale”- thotë ajo.

Shpikësit e nderuar këtë vit i bashkohen një armate me 550 shkencëtarë e shpikës të Hollit të Famës, që vazhdon të frymëzojë përmes shpirtit krijues dhe origjinalitetit të tyre një brez të ri që do të na sjellë novacionet e së ardhmes. (voa)

Hitleri dhe “Volkswageni i tij”

VW HitlerFerdinand Porsche (majtas) i tregon Adolf Hitlerit një model të Volkswagenit

Volkswageni “brumbull” ia dedikon lindjen e tij nazistëve: 80 vjet më parë Adolf Hitleri vuri gurin e themelit për fabrikën e Volkswagenit në Wolfsburg. Një bilanc kritik i një historie gjermane suksesi.

Dy burra, një projekt i madh: Adolf Hitleri dhe Ferdinand Porsche janë krijuesit e veturës “brumbull” Volkswagen. Porsche është konstruktori gjenial, Hitleri ai që ndihmoi politikisht në lindje. “Këtu e gjetën njëri-tjetrin dy vetë që përshtateshin me njëri-tjetrin”, konkludon historiani Wolfram Pyta, profesor i historisë së re në Universitetin e Shtutgartit.

Së bashku me kolegët historianë Nils Havemann dhe Juta Braun ai ka shkruar në librin “Porsche. Nga zyra e konstruksionit në markë botërore” historinë e koncernit, të themeluar më 25 prill 1931 në Shtutgart.

Përmbledhtazi: Pa mbështetjen e Hitlerit, Porsche nuk do ta kishte përfunduar dot projektin e Volkswagenit: “Hitleri kishte nevojë për një mendje krijuese, për të ndërtuar një automjet të vogël, të përshtatshëm për t’u prodhuar në seri”, thotë Pyta. “Kurse Porsche kishte nevojë për një porosidhënës politik, që t’i mundësonte të mos prodhonte nën presionin e kostos.”

Motorizimi dhe mobilizimi

Që në ekspozitën e automjeteve në shkurt 1933, pra pak javë pasi e kishin emëruar kancelar të Rajhut, Hitleri pati shpallur “motorizimin e popullit”. Në verë 1934 “Shoqata e Rajhut e Industrisë Automobilistike Gjermane” e ngarkoi Porschen që të konceptonte një automjet “fuqi përmes gëzimit”, i quajtur me të njëjtin emër si organizata naziste e organizimit të kohës së lirë.

Në 29 dhjetor 1935, Hitleri, i cili vetë nuk kishte patentë shoferi, e mori personalisht në dorëzim një prototip të “Volkswagenit të tij”. Më shumë se dy vjet më vonë, në 26 maj 1938 u festua në prani të “Fyhrerit” vënia e gurit të themelit të fabrikës së Volkswagenit në Wolfsburg.

Por automjeti i “fuqisë përmes gëzimit” fillimisht nuk i shërbeu motorizimit të popullit, por Vehrmahtit. Ai u përdor në front, si automjet terreni: xhip i vogël transporti mallrash dhe si automjet amfib.

Por askush nuk u çudit për këtë përdorim ushtarak. Sepse shndërrimi qe përcaktuar që në krye. Në një ekspoze të Porsche-s të vitit 1934 shkruhej se “një Volkswagen nuk duhet të jetë i përshtatshëm vetëm si automjet transporti, por edhe si automjet për furnizim dhe për synime të caktuara ushtarake”.

Një Volkswagen francez?

Historia e suksesit e automjetit të vogël për popullin nisi vetëm pas luftës. Për ta hequr nga supet të kaluarën naziste, atij ia ndërruan emrin në “brumbull”. Që në dhjetor 1945 – një gjysmë viti pas fundit të luftës – nga fabrika doli brumbulli i parë. Dhjetë vjet më vonë Volkswageni festoi ekzemplarin e miliontë. Vetura me kurriz dhe me motor Boxer avancoi në simbol të mrekullisë ekonomike gjermane. I njohur me emrin “Beetle” ai pati në të gjithë botën shitje rekord. Gati 22 milionë brumbuj u prodhuan gjithsej dhe u shitën.

Të kaluarën e tij nacionalsocialiste brumbulli e la pas në periudhën e pasluftës. Pikërisht ministria franceze për prodhimin industrial, e drejtuar nga komunistët, vendosi në tetor 1945 kontakt me Porschen.

“Që shkëputja nga nacionalsocializmi u bë me sukses, kjo nuk shihet askund më qartë se në përpjekjen e qeverisë franceze për ta fituar konstruktorin e Volkswagenit për shërbimet e veta”, thotë historiani Pyta.

“Optimizëm pa kufi”

Konkurenca franceze diti megjithatë si ta pengonte një “voiture populaire” gjermane. “U krijua një intrigë e konkurentëve Renault dhe Peugeot”, deklaron Pyta në bisedë me DW. “Porsche-n dhe kunatin e tij Anton Piëch e akuzuan se kishin marrë pjesë në krime lufte”.

Pas kësaj, papritur në dhjetor 1945 Porschen e arrestuan autoritetet ushtarake franceze, të cilat e mbajtën në arrest deri në gusht 1947. Por suksesin e përbotshëm të brumbullit kjo megjithatë nuk e pengoi.

Për historianin e njohur Pyeta, bashkëpunime si ai i Porsches dhe Hitlerit nuk janë kaq të jashtëzakonshme: aktorë të ashtuquajtur jo politikë shpesh impresionohen, kur sundimtarë autoritarë i tërheqin me projekte të mëdha magjepsëse: “Porsche nuk qe i vetmi që pa asnjë rezervë morale iu hodh në qafë pushtetarëve me një oportunizëm pa kufi”, thotë Pyta.

“Persona përgjegjës për ekonominë, të cilëve u intereson vetëm suksesi i sipërmarrjes së tyre ose zbatimi i projekteve ambicioze teknike, herë pas here nuk kanë rezerva që të lidhin pakte me pushtetmbajtësit.” (dw)

BE-ja u shpall luftë mbetjeve plastike

mbetje plastikeKomisioni i BE-së dëshiron të ndalojë produktet plastike njëpërdorimshe. Qëllimi është të frenohet ndotja e lumenjve dhe e deteve me mbetje plastike.

Gota, pjata, thika apo pirunë prej plastike, pastruese veshësh prej plastike e plot objekte të tjera njëpërdorimshe prej plastike – ndotin mjedisin dhe janë kthyer në një problem të madh edhe për peshqit dhe qeniet e tjera të gjalla në dete dhe në oqeane. Shumë prej këtyre objekteve  njëpërdorimshe mund të zëvendësohen në masë të gjërë dhe me çmime të arsyeshme me të tjera. Prandaj Komisioni i BE-së synon t’i ndalojë ato. Paketa e masave paraqitet sot (28.05.) në Bruksel.

Sipas informacioneve të medieve gjermane pritet të kufizohen edhe paketimet prej plastike të dyqaneve apo restoranteve. Prodhuesit e paketimeve për dyqanet që ofrojnë fast food duhet të mbajnë kostot e riciklimit të mbeturinave – madje edhe atyre në oqeane – dhe të financojnë fushatat e edukimit mjedisor.

Taksë 80 cent për kilogram mbeturina plastike

Komisioneri i BE-së për buxhetin, Günther Oettinger, planifikon gjithashtu të vendosë një taksë për mbeturinat plastike, e cila sipas deklaratave të tij nuk duhet të rëndojë drejtpërdrejtë konsumatorët: “Propozimi ynë është që secili shtet anëtar të paguajë një shumë të caktuar në buxhetin e BE për kilogram mbeturinash plastike të paricikluara”, tha Oettinger për mediat. Mendohet që kjo taksë kombëtare të jetë 80 cent për kilogram mbeturinash plastike.

Günther Oettinger paralajmëroi se: “Plastika është problemi i ri mjedisor në oqeane si dhe në qytetet tona dhe ajo hyn në zinxhirin ushqimor nëpërmjet oqeaneve, kështu që çdo ditë ne hamë bashkë me ushqimin grimca të vogla plastike”. Evropa dhe Gjermania prodhojnë shumë plastikë të pariciklueshme.

Shumë shtete anëtare, ndër to edhe Gjermania, e refuzojnë një taksë të tillë. (dw)

Schütz – Ne jemi në anën tuaj

Ambas SchutzMe “Festë në Rrugë“ festohet në Tiranë 30 vjetori i bashkëpunimit ekonomik për zhvillim, Gjermani – Shqipëri.

Një përvjetor që meriton një festë të pazakontë për rezultate të pazakonta: pjesëmarrjen e qytetarëve, përfituesve të drejtëpërdrejtë nga bashkëpunimi mes dy vendeve.  Panair në rrugë, produkte të biznesit shqiptar të mbështetur nga Gjermania, muzikë, argëtim, informacion, marrdhënie të reja.

Gjermania – donatorja më e madhe për Shqipërinë

Gjermania përbën një rast unikal në marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e BE-së. Bashkëpunimi ekonomik për zhvillim filloi pa u rrëzuar diktatura komuniste, në vitin 1988, në vijim të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke rritur shpresën se era e ndryshimeve do të mbërrinte edhe në Shqipëri, vendin më të izoluar dhe të varfër në gjithë ish-Lindjen komuniste.

Ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schütz, e cilësoi “të shkëlqyer” bashkëpunimin ekonomik për zhvillim mes dy vendeve.

“Në 30 vjet bashkëpunim Gjermania dhe Shqipëria kanë ndërmarrë projekte në shumë sektorë kryesorë dhe kanë arritur sukses të konsiderueshëm. Në sajë të këtij bashkëpunimi të shkëlqyer janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme standardet e jetesës së qytetarëve të Shqipërisë. Shqipëria po lëviz gjithmonë edhe më afër BE.” tha ajo.

Mbështetje për njerëzit në sektorë ku ka më shumë nevojë

Gjermania mbetet donatorja më e madhe e Shqipërisë me një mbështetje financiare që arrin në gjithsej rreth një miliardë dollarë, që në nivel botëror përbën ndihmën financiare gjermane më të  madhe për frymë popullsie. Sektorёt kryesorё tё mbёshtetjes gjermane ndaj Shqipërisë janё energjia, furnizimi me ujё tё pijshёm, ujësjellës-kanalizimet, mbёshtetja e ndёrrmarjeve tё vogla dhe tё mesme, arsimi profesional etj.

“Gjermania mbështet sektorët ku ka më shumë nevojë dhe që përmirësojnë kushtet e jetesës për njerëzit. Ajo kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë, të bujqësisë që është shtylla kurrizore e ekonomisë së Shqipërisë” tha ambasadorja gjermane Susanne Schütz.

Ambasadorja Schütz përmendi edhe mbështetjen gjermane në menaxhimin e  mbetjeve, ruajtjen e biodiversitetit, në turizëm, arsim, shëndetësi, sistemin bankar, konsultimet për mundësitë e emigrimit të ligjshëm dhe mbështetje për riintegrimin e të riatdhesuarve në Shqipëri, mbështetje që Shqipëria të plotësojë kërkesat e BE-së, standardet dhe vlerat europiane dhe ndërkombëtare.

Në Shqipëri ka rreth 199 biznese gjermane dhe qeveria Rama kërkon ta përmirësojë edhe më tej klimën e biznesit që numri i tyre të rritet.

Shqipëria – shumë sfida përpara

Plane të reja ka përpara nga të dyja palët. Në vjeshtën e këtij viti janë planifikuar negociata ndërqeveritare dhe angazhime të mëtejshme financiare, bisedime për projekte të ardhshme. Gjermania do të vijojë ta mbështesë Shqipërinë në reformimin e sektorit të ujit të pijshëm, mbeturinave, nxitjen e zhvillimit në zonat rurale dhe bujqësi.

“Ne jemi në anën e Shqipërisë. Qëllimi ynë është integrimi i Shqipërisë dhe vendeve të saj fqinje të Ballkanit Perëndimor në BE, ankorimi në vlerat europiane të demokracisë dhe zbatimin e ligjit. Çfarë mund të bëjmë më shumë për të ndihmuar Shqipërinë që ka kaq shumë diell të gjenerojë energji dhe të jetë më pak e varur nga hidrocentralet? Si mund Shqipëria të adaptojë një qëndrim miqësor më të mirë me ndryshimet klimatike dhe si të përballet me përmbytjet kronike? Si mund Shqipëria të përdorë një koncept miqësor në fushën e transportit  për të parandaluar kolapsin e sistemit të saj të transportit? – tha ambasadorja Susanne Schütz, duke zbuluar idetë e reja të bashkëpunimit për zhvillim mes dy vendeve. (dw)

Alkool nga pemët

Alkool

Gjatë historisë së njerëzimit, pemët i kanë ofruar njeriut strehë, ushqim, lëndë të parë për ngrohje si dhe për nevoja të tjera si për shembull prodhim letre.

Tani shkencëtarët japonezë po përpiqen që ta përdorin pemën edhe si lëndë të parë për prodhimin e alkoolit. Që në vitin 2009, në Institutin Kërkimor Japonez të Pyjeve shkencëtarët po punojnë për të fermentuar drurin për të prodhuar alkool pa kimikate.

Duke përdorur enzima ushqimore, ata fermentojnë pluhurin e nxjerrë nga grirja e drurin me ujë, maja dhe enzima dhe brenda disa ditësh prodhojnë një substance të ngjashme me alkoolin që e lënë të stazhionohet në fuçi druri.

Deri tani janë përdorur dru qershie, qiparisi dhe ahu. Një copë dru qiparisi me peshë 4 kilogram prodhon deri në 3.8 litër pije me 15% përmbajtje alkooli. Shkencëtarët premtojnë se brenda pak vitesh shpikjen e tyre do ta gjejmë në dyqanet e pijeve. (voa)

Përmes Asociacionit deri tek autonomia

MitrovicaInsistimi i Listës Serbe që formimi i Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe të bëhet sipas Marrëveshjes së arritur në Bruksel, por duke përjashtuar vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me përputhshmërinë e kësaj marrëveshje me Kushtetutën e Kosovës, është shkak i insistimit tjetër të këtij subjekti politik që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore për formimin e Asociacionit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike.

Sipas tyre, Marrëveshja e Brukselit për Asociacionin parasheh një autonomi dhe kompetenca ekzekutive në fusha të caktuara, të cilat më pas Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në dhjetor të vitit 2015, i kishte vlerësuar në 23 pika jo në harmoni me Kushtetutën. Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese, gjithashtu, është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë, se Lista Serbe ka synim të qartë që komunave me shumicë serbe t’iu krijojë një lidhje të organeve të komunave që ato t’i përfaqësojë përmes Asociacionit dhe të mos kenë më ndërlidhje me Qeverinë qendrore.

“Bashkësia e komunave (me shumicë serbe) është një lloj autonomie. Nuk mund të ketë diçka tjetër, sepse edhe komuna vetëvetiu është një lloj autonomie në nivelin lokal. Kjo nuk do të thotë se është diçka e keqe ose e mirë, por është e tillë. Në Kosovë mbetet që të respektohet Kushtetuta dhe ndryshimet të bëhen me marrëveshje. Por, jo që ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës të bëhen jashtë funksionit të karakterit të shtetit të Kosovës dhe të bëhen me imponim për shkak të gabimit të dikujt ose për shkak të Marrëveshjes në Bruksel sepse ajo është marrëveshje bilaterale. Nuk është konventë ndërkombëtare që e obligon Kosovën. Kosovën duhet ta obligojë Kushtetuta dhe ligji”, theksoi Tahiri.

Ndërkaq, analisti i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, fillimisht ka rikujtuar deklaratat e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ditë më parë ka folur për një akomodim më afirmativ të komunitetit serb në Kosovë. Ai e ndërlidh këtë deklaratë me kërkesat e Listës Serbe për nevojën e ndryshimeve kushtetuese për formimin e Asociacionit.

“Presidenti Thaçi, së fundmi ka përmendur, si kompromis në marrëveshjen që do të arrihet me Serbinë, siç ka thënë ai ‘akomodimin më afirmativ të serbeve’. Unë besoj që flitet vetëm për një lloj autonomie. Asociacioni, si i tillë çfarë po pretendohet të krijohet në Kosovë, nuk mund të funksionojë, përkatësisht, nuk ka vend në Kushtetutën aktuale, në rregullin aktual kushtetues. Kështu që, sido që të quhet, qoftë Asociacion, qoftë me një emër tjetër, nuk është me rëndësi forma, por përmbajtja. Për mua, ajo do të jetë një lloj autonomie”, u shpreh Mushkolaj.

Megjithatë, sipas politologut Tahiri, edhe në rast se në cilëndo mënyrë iniciohen ndryshimet kushtetuese për formimin e Asociacionit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk do të mund ta pranojnë realizimin e Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionin, në formën të cilën e synon Lista Serbe. Kjo për arsyen se, sipas tij, tashmë ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese se kjo marrëveshje në 23 pika të saj nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

“Finalja do të zgjatet dhe do të synohet që të bëhet një kompromis, gjë që është krejtësisht normale. Por, i gjithë ky kompromis do të bëhet në Kuvendin e Kosovës e jo në Qeveri të Kosovës, sepse duhet të kalojnë ndryshimet përmes Kuvendit të Kosovës. Ani që statuti miratohet nga Bashkësia e këtyre komunave, çështja e Asociacionit, e cila e prek thelbin e shtetit, nuk mundet të mos kalojë nëpër Kuvend. Nuk ka organ tjetër që guxon ta miratojë, në qoftë se është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. E ajo është në kundërshtim në 23 pika dhe këtë e ka thënë vetë vendimi i Gjykatës (Kushtetuese)”, tha Tahiri.

Por, analisti Mushkolaj shfaq drojën se deputetët e Kuvendit do t’i nënshtrohen presioneve të caktuara që të mundësojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat do të jenë kompromis drejt një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Pa ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë, Asociacioni nuk mund të ekzistojë si i tillë sipas kërkesës së Listës Serbe. Mund të ekzistojë vetëm nëse është organizatë joqeveritare. E të gjithë e dimë që nuk është organizatë joqeveritare. Unë besoj që do të gjendet mënyra që këto ndryshime ligjore dhe kushtetuese të bëhen në mënyrën sa më të lehtë të mundshme. Të mos harrojmë se kur vjen puna te ndryshimet e tilla, hyn në funksion edhe presioni që mund të vijë nga brenda dhe nga jashtë. Ne do të jemi të detyruar që, në emër të një kompromisi që po u dashka që të arrihet, të lejojmë që Asociacioni të akomodohet si një nivel tjetër i qeverisjes”, theksoi Mushkolaj.

Sidoqoftë, Lista Serbe ka deklaruar se ndryshimet kushtetuese dhe ligjore paraqesin “mënyrën e vetme që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel”. Sipas tyre, gjithçka tjetër, nënkupton zvarritje të sërishme dhe probleme për formimin e Asociacionit. (rel)