Koncesionet e debatueshme të inceneratorëve në Shqipëri

inceneratoretNë Shqipëri, një seri kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën dhe kompani me pronarë të panjohur të rregjistruara në parajsa fiskale janë fituese të tre koncesioneve të inceneratorëve. Kjo dëshmohet nga dokumentat e siguruara nga Zëri i Amerikës lidhur me këto projekte të cilat sipas specialistëve pritet të shumëfishojnë kostot e trajtimit të mbetjeve në kurriz të taksapaguesve.

I kthyer nga emigracioni disa vite më parë, Leonard Janji nga fshati Verri i Fierit ka zgjeruar fermën e tij dhe prodhon sot mbi 100 ton domate dhe pjepër për tregun e brendshëm. Por 38 vjeçari thotë se investimi i tij në bujqësi po vihet në rrezik nga projekti i inceneratorit të Fierit, i cili po ndërtohet thuajse një kilometër larg tokës së sapombjellë.

Prej një viti e gjysmë, Janji dhe bashkëfshatarët e tij kanë organizuar disa protesta kundër ndërtimit të inceneratorit në fshatin e tyre, por shqetësimet kanë rënë në vesh të shurdhër. Fermeri ka frikë se ky projekt do ta nxjerrë prodhimin e tij jashtë tregut dhe do ta detyrojë atë të ikë sërish në emigracion.

“Unë nuk dua të iki, por jam i detyruar nga këto rrethana, nga mosinformimi im dhe mbajtja në terr për çfarë po ndodh këtu. Nga dhuna e përdorur dhe mosgjetja e drejtësisë në këtë vend,” u ankua Janji.

Koncesioni i Fierit me vlerë investimi 28 milionë euro dhe me kapacitet përpunimi rreth 200 ton mbetje në ditë u shpall në shtator 2016 nga Ministria e Mjedisit. Por banorët e fshatit Verri u informuan disa muaj më pas, vetëm pasi kamionët e tonazhit të rëndë u shfaqën pranë shtëpive të tyre. Pas dhjetra peticionesh dhe protestash pa përgjigje, ata kërkojnë ende që qeveria t’i sqarojë për ndikimin që ky projekt do të ketë në jetën e tyre.

Kleanthi Ngolemi, banor i fshatit Verri e quajti procesin e konsultimit publik një farsë dhe kërkoi sqarim nga autoritetet mbi ndotjen që i rrezikohet banorëve.

“Ne protestojmë që të vijë dikush këtu dhe të na thotë se në këtë tokë ngjitur, ku ne prodhojmë për tërë Shqipërinë nuk ka ndikim. S’vjen dikush të na thotë, të na e shpjegojë,” tha ai.

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë nisi në dhjetor të vitit 2014, kur qeveria shqiptare shënoi një kthesë 180 gradëshe nga strategjia kombëtare e miratuar në përputhje me direktivën e Komisionit Europian. Kjo strategji i jep prioritet parandalimit dhe riciklimit të mbetjeve, ndërkohë që e konsideron asgjësimin si opsion të fundit.

Prej asaj kohe, qeveria ka firmosur tre kontrata koncesionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total.

Por politika e re e menaxhimit të mbetjeve është kritikuar në progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian.

“Ndërtimi i një incerneratori në Elbasan, i cili filloi të operojë vitin e kaluar dhe planet për investime të mëtejshme në incerneratorë përbëjnë një shqetësim në termat e respektimit të parimeve të BE-së. Groposja dhe incernerimi janë opsionet më pak të pëlqyera të menaxhimit të mbetjeve,” shkruhet në progres-raport.

Fituesit e koncesioneve

Dokumentet e siguruara nga Zëri i Amerikës tregojnë se fituesit pa garë të këtyre koncesioneve janë një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën si dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur.

Inceneratori i Elbasanit dhe ai i Fierit zotërohen respektivisht nga kompanitë Albtek Energy me pronare Stela Gugallja dhe Integrated Technology Waste Treatment Fier, ku 70 % e aksioneve zotërohen nga Klodian Zoto. Ndërkohë, 30 për qind e aksioneve të koncesionit me vlerë rreth 28 milionë euro iu shitën një kompanie lokale për 30 mijë lekë, vetëm një muaj pas themelimit të kompanisë koncesionare.

Inceneratori i Tiranës, më i madhi dhe i kushtueshmi ndër të tre u fitua nga kompania Integrated Energy B.V me seli në Amsterdam të Holandës. Ndonëse në Tiranë u ekspozuan si përfaqësues sërish Klodian Zoto, biznesmeni italian Ernesto Granelli si dhe kompania e njohur në prodhimin e impianteve, Paul Wurth, është e paqartë se kush e zotëron aktualisht kompaninë koncesionare.

Të dhënat e siguruara nga databaza e kompanive në Holandë tregojnë se Klodian Zoto ka dhënë dorëheqjen nga Integrated Energy në mars 2018. Më parë, ai është zëvendësuar nga një kompani guackë e quajtur Almares Management B.V me seli në Amsterdam, me drejtorë të emëruar dhe pronësi të panjohur.

Zëri i Amerikës nuk mundi të kontaktonte me Klodian Zoton. Ndërsa Kompania koncesionare “Integrated Energy”, e cila pranoi të përgjigjej vetëm përmes postës elektronike tha se Zoto nuk ishte i përfshirë në projektin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve në Tiranë. Kompania i devijoi pyetjes së kush ishin aksionerët e saj apo të kompanisë “Almares Management B.V”, duke sugjeruar që t’u drejtoheshim autoriteteve në Shqipëri dhe në Holandë.

Opozita e akuzon qeverinë se ia ka dhënë klientëve të saj kontratat koncesionare. Një interpelancë e zhvilluar në shkurt mes deputetes demokrate Jorida Tabaku dhe ministrave Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj ofroi megjithatë pak përgjigje për akuzat.

Pyetjes së pse qeveria kishte dhënë një kontratë me negocim të drejtpërdrejtë në Elbasan, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri u përgjigj se “bashkia e Elbasanit kishte shpallur gjendjen e emergjencës për situatën e mbetjeve”.

Ndërkohë, ministri Ahmetaj-i akuzuar edhe më parë për lidhje me Klodian Zoton mohoi të kishte shoqëri me të.

Kostot mjedisore dhe ekonomike

Përveç pikëpyetjeve mbi pronësinë, projektet e inceneratorëve kanë ngritur shqetësime për shumëfishim të kostove për trajtimin e mbetjeve në Shqipëri si dhe impaktin e tyre mbi mjedisin. Të dhënat e siguruara nga Thesari i Shtetit tregojnë se Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe ajo e Mjedisit kanë paguar së bashku deri më tani 13.4 milionë euro në llogaritë e koncesionarit të Elbasanit dhe rreth 8.4 milionë euro për inceneratorin e saponisur të Fierit.

Ndërkohë, kostot për inceneratorin e Tiranës pritet të jetë shumëfish më të larta. I projektuar për të pasur një kapacitet përpunues rreth 900 ton mbetje në ditë, kompania Integrated Energy ka marrë përsipër të investojë më shumë se 128 milionë euro për ndërtimin dhe operimin e tij.

Fatura do të shlyhet për 30 vitet e ardhshme nga Bashkia e Tiranës, e cila detyrohet në kontratë që ta paguajë koncesionarin për një sasi mbetjesh të garantuara prej 550 tonësh në ditë, pavarësisht sasisë së mbetjeve që ajo do të mbledhë në kryeqytet.

Garancia në kontratë i çon kostot minimale vjetore për taksapaguesit e kryeqytetit në 5.8 milionë euro dhe vlerën totale për 30 vitet e koncesionit në 174 milionë euro.

Zëri i Amerikës iu drejtua Ministrisë së Infrastrukturës së Energjisë për të mësuar barrën e tre projekteve mbi buxhetin e shtetit, por ajo ia kaloi përgjegjësinë Ministrisë së Mjedisit si institucioni kontraktor. Ministri i Mjedisit, Blendi Klosi refuzoi gjithashtu të komentonte. Edhe Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese për koment se sa do t’i kushtonte trajtimi i mbetjeve në inceneratorin e Sharrës.

Drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi kritikoi vendimin e qeverisë për të ndryshuar strategjinë e trajtimit të mbetjeve dhe shtoi se kjo do t’i kushtonte shumëfish taksapaguesve shqiptarë.

“Vihet re që ka një largim nga metoda e ladfilleve dhe rritje të kostos 4 deri në 5 herë më të shtrenjtë të procesohen, të digjen. Ka një përzgjedhje të çuditshme përmes metodës së ofertës së pakërkuar, e cila në të vërtetë siguron fitime më të mëdha për kompanitë,” tha Preçi për Zërin e Amerikës.

Teknologjia e përdorur dhe monitorimi i nivelit të ndotjes kanë shkaktuar gjithashtu debat mes ekspertëve të mjedisit në Shqipëri. Kompania që do të operojë inceneratorin e Tiranës, Integrated Energy tha në përgjigjen me shkrim se “teknologjia do të jetë e avancuar, e praktikave më të mira europiane që e aplikojnë këtë industri”.

Por aktivisti mjedisor, Lavdosh Feruni thotë se incenerimi i mbetjeve shkakton ndotje të ajrit nga metalet e rënda dhe mbetjet e rrezikshme.

“Që të djegë inceneratori 30 vjet, 1 milion ton plehra në Shqipëri kjo do të ishte një ndotje shumë e madhe për këtë vend të vogël,” tha Feruni.

“Kemi të bëjmë me një përmbysje, që në rastin më të mirë është një naivitet vendimarrës dhe në rastin më të keq, korrupsion masiv,” shtoi ai.

Ekspertët Preçi dhe Feruni kërkuan hetimin e këtyre kontratave koncesionare, pasi sipas tyre dyshohen për favorizime klienteliste në kurriz të taksapaguesve shqiptarë. Ata kërkuan gjithashtu që qeveria ta rikthejë vendin në shinat e strategjisë në fuqi për trajtimin e mbetjeve urbane. (voa)

Dy vjet burg për ish-kryeministrin Gruevski

Gruevski 1Gjykata Themelore e Shkupit shpalli fajtor në seancën përfundimtare për rastin “Tanku” ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe shqiptoi dënim me burg me 2 vjet.

Ish-kryeministri Gruevski nuk ishte i pranishëm në seancën e sotme përfundimtare për rastin “Tanku”, ku edhe iu shqiptua dënimi. Vendim e publikoi gjykatësja Dobrilla Kacarska e cila pranoi kërkesën e PSP-së për dënim me burg për ish-kryeministrin Gruevski. Ajo e quajti veprën e Gruevskit si “vepër serioze” dhe shtoi se kundër Gruevskit janë ngritur gjithësej pesë aktakuza.

Shpërdorim posti dhe përfitim personal

Veprat e Gruevskit plotësojnë po ashtu elementet për pranimin e shpërblimit dhe plotësojnë elementet e aktakuzës kundër tij. Në këtë rast nuk ka dyshim se ka keqpërdorur pozitën e tij si kryeministër për të blerë Mercedesin, vlerëson gjykatësja Kacarska. “Askush nuk duhet t’i nënvlerësojë dhe nënçmojë qytetarët e Maqedonisë në mënyrë siç e ka bërë Gruevski. Ai ka bërë gjithçka të mundur dhe kundër ligjeve për të blerë Mercedesin. Ai madje ka shkuar një hap më tej duke aktruar se përdor makinën e vjetër që tek populli të fitojë pikë politike për zgjedhjet lokale”, u shpreh gjykatësja Kacarska.

Ish-ndihmës ministri i Punëve të Brendshme Gjoko Popovski si i akuzuar i parë në rastin “Tanku” nga Gjykata Penale Shkup është dënuar me gjashtë vjet e gjysmë burg. Popovski është dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa Gruevski për veprën për përfitim personal dhe nxitje për kryerje të veprës penale. Për të akuzuarën e tretë në këtë rast ish-ministren e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska, u nda para një muaji procedura dhe për të seanca është caktuar më 28 qershor.

Avokati i mbrojtjes, Dimitar Dangov, tha para gazetarëve se të pandehurit nuk janë të kënaqur me vendimin për shkak se është sjellë aktvendim dënues, si dhe paralajmëron se do të ngrejë ankesë serioze: “Si palë mbrojtëse në këtë lëndë shprehim keqardhje të madhe për atë që Gjykata Themelore Shkup 1 nuk i pranoi argumentet tona të cilat ishin përmbajtësore” .

Simpatizuesit e Gruevskit protestojnë

Një grup prej rreth 50 mbështetësish të ish-kryeministrit Nikola Gruevski janë mbledhur para Gjykatës Penale në Shkup dhe po protestojnë kundër vendimit të kësaj gjykate. Midis protestueseve janë ish-kryetari i komunës së Aerodromit Ivica Koneski, ish-kryetari i Shkupit, Koce Trajanovski dhe disa të tjerë të  përfshirë në rastin “Shuplaka”.

Deputetët e VMRO-DPMNE largohen nga seanca e parlamentit

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE ka lëshuar seancën plenare pas aktgjykimit të Gjykatës për ish-liderin e kësaj partie Nikolla Gruevski, i cili u dënua dy vjet burg për rastin e blerjes së “Mercedesit”. Deputetët e opozitës maqedonase fillimisht nuk hynë në sallë, ata janë në koordinim për të marrë vendim për hapat e mëtejmë në punimet e Kuvendit.

Çfarë zbuloi rasti “Tanku”

Rasti “Tanku” ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe autorizimit nga ana e ish-ministres së Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe shefit të furnizimeve publike Gjoko Poposki për blerjen e Mercedesit luksoz me vlerë mbi gjysmë milionë euro me çka i është shkaktuar dëm buxhetit shtetror. Në vitin 2011 Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për blerjen e një veture që do të kushtonte më së shumti 243.000 euro për shkak buxhetit të varfër të Ministrisë, por me ndikimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili ka kërkuar veturë luksoze, ish-ministrja Gordana Jankulovska ka nënshkruar vendimin për blerjen e veturës me vlerë rreth 600.000 euro. (dw)

Maqedoni: Dy vjet burg për ish-kryeministrin Nikolla Gruevksi

GruevskiGjykata penale në Shkup e dënoi me dy vjet burg ish-kryeministrin Nikolla Gruevski lidhur me një rast të blerjes së një makine Mercedes rreth 580 mijë euro me para të buxhetit të Ministrisë së punëve të brendshme, në vitin 2012. Gruevski akuzohej ngarkohej për veprën “pranim të dhuratës në bazë të ndikimit të jashtligjshëm”.

Po për këtë rast, 6 vjet e gjysmë burg iu dha ish-ndihmës ministrit të brendshëm, Gjoko Popovski i cili dje për një tjetër rast mori 9 vjet burg. Për blerjen me tender të manipuluar të mercedesit luksoz që favorizonte përfaqësuesin në Maqedoni të prodhuesit gjerman, akuzohet edhe ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska, por të një shtatzanie me probleme, siç është konstatuar, asaj do t’i jepet vendimi në një rast të veçantë. Gruevski dhe Jankullovska nuk ishin të pranishëm në gjykatë për të dëgjuar verdiktin.

Rasti u procedua në gjykatë me kërkesë të Prokurorisë së posaçme, e cila u themelua para më shumë se dy vjetësh për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Për planin e blerjes së makinës së shtrenjtë Mercedes, dëgjoheshin nga bisedat e përgjuara telefonike duke folur Nikolla Gruevski me Gordana Jankullovskën, ndërsa dëshirat e theksuara të ish-kryeministrit se çka duhej të përmbajë gjithsej makina, u vërtetuan pasi ajo iu tregua publikut me ardhjen e socialdemokratëve në pushtet.

Ky është vendimi i parë gjyqësor për ish-kryeministrin Gruevski, i cili po përballet, nga ana tjetër edhe me katër procese të tjera gjyqësore, që po ashtu burimin e kanë tek ato që njihen në opinionin publik si “bombat e Zoran Zaevit”, e që janë publikimet e bisedave të përgjuara telefonike të elitave politike, të biznesit e medias.

Gjykatësja Dobrilla Kacarska tha se: ”Secili bartës i funksionit publik duhet të dijë për parimin e llogaridhënies, ndërsa qytetarët duhet të dijnë se si shpenzohen paratë e tyre. Askush nuk guxon t’i nënçmojë qytetarët në atë mënyrë siç e bëri Gruevski”, theksoi gjykatësja.

Avokatët e z. Gruesvki paralajmëruan se do ta apelojnë vendimin, ndërkohë që nuk mundën të japin përgjigje për vendndodhjen e klientit të tyre. Atij i është marrë pasaporta dhe nuk mund të largohet ligjërisht nga shteti. (voa)

Maqedoni, ish-kryeministri Gruevski dënohet me dy vite burg

gruevskiIsh-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski është shpallur fajtor për atë që njihet si rasti “Tanku” dhe u dënua me 2 vite heqje lirie, ndërsa zëvendësministri i Brendshëm, Gjoko Popovski, me 6 vite e 6 muaj burgim.

Gruevski, Popovski dhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulovska, akuzoheshin për blerjen e paligjshme të një makine tip “Mercedes”, që do të përdorej për nevojat e kësaj Ministrie dhe të kryeministrit.

Makina në fjalë, sipas medieve vendase, është blerë 600 mijë euro. Në leximin e aktgjykimit, gjykatësja Dobrila Kacarska përmendi të gjitha dëshmitë e dhëna gjatë procesit, si me kërkesë të Prokurorisë Speciale, ashtu edhe të palës mbrojtëse.

Vet Gruevski nuk ishte i pranishëm në sallë. Të akuzuarit, sipas saj, kanë zgjedhur fillimisht makinën dhe kanë bërë porosinë, e vetëm më pas është shpallur tenderi nga Ministria e Brendshme.

Jankuloska është vendosur të gjykohet me procedurë të veçantë, për shkak të një shtatzënie me rrezik, ndërsa vendimi për të do të merret në një seancë tjetër. Telashet janë edhe më të mëdha për Popovskin, që një ditë më parë mori edhe një tjetër dënim nga Gjykata Penale, të lidhur këtë herë me blerjen e 300 makinave për nevojat e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Rreth 50 mbështetes të ish-kreut të ekzekutivit maqedonas u mblodhën përpara ambienteve të gjykatës, duke protestuar kundër vendimit të saj.

Top Channel

Koment: Ballkani Perëndimor në BE është iluzion

BEBE i përmbahet synimit të anëtarësimit të plotë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë e bëri sërish në takimin e nivelit të lartë në Sofje. Christoph Hasselbach kërkon të ndiqet një rrugë tjetër

Argumentimi i Komisionit Evropian tingëllon bindës: “Ose ne eksportojmë stabilitet ose importojmë instabilitet”, e përmbledh rregullisht Komisari i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn motivin e BE, për t’u dhënë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë anëtarësimi. Ajo synon të jetë nxitje për reforma demokratike dhe ekonomike si dhe për zgjidhjen e konflikteve brendashtetërore. Ajo që nuk e thotë Komisioni, peshon të paktën po kaq shumë: BE dëshiron të kundërshtojë ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon. Të dy synojnë të bëhen tërheqës me para dhe investime dhe në dallim nga BE ata nuk bëjnë pyetje të pakëndshme për gjendjen e shtetit juridik.

Lodhja nga zgjerimi është shumë e dukshme

Por kundër një anëtarësimi të plotë në një kohë të afërt flet jo vetëm rrethana që gjashtë shtetet në fjalë nuk i kanë bërë “detyrat e shtëpisë” që u kërkohen, por edhe arsye parimore – krejt të pavarura nga ritmi i reformave në Ballkan.

BE është për momentin tepër i zënë me veten, për të pasur fuqi për një raund të ri zgjerimi. Vetëm të folurit për një datë – Komisioni përmendi në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi vitin 2025 – shkakton në shumë kryeqytete panik të vërtetë. Dhe kjo ndodh për arsye të forta.

Në raundet e fundit të zgjerimit, qenë në fund të fundit vendimet politike ato që i spostuan rezervat për mosplotësimin e parametrave për anëtarësim. Nga Rumania dhe Bullgaria për shembull sot do të qe kërkuar më shumë se atëherë kur u pranuan. Por ai që është njëherë anëtar i klubit, kundër tij thuajse nuk ke më mjete në duar. Ai përfiton nga të gjitha përparësitë e BE dhe është në gjendje të bashkëvendosë – edhe atëherë kur sjellja e tij të lë për të dëshiruar. Në rastin e qeverive në Poloni dhe Hungari mund të shohësh që sa e vështirë është për Brukselin që t’i detyrojë për sjellje të mirë shtetet anëtare.

Nacionalizmi në Ballkan është ndoshta problemi më i madh i tij. Komisioni shpreson që me një anëtarësim të shteteve në BE ai mund të mbahet nën kontroll. Por më shumë gjasa ka që atëherë ai vetëm se do të ishte BRENDA dhe jo më jashtë BE. Me rezultatin që Bashkimi Evropian do ta bllokonte veten edhe më shumë se tani pa të.

Bëhet edhe ndryshe

Nuk duhet harruar dallimi gjigand ekonomik: të gjashtë shtetet ndodhen ekonomikisht shumë më poshtë se mesatarja e BE dhe në këtë mënyrë do të ishin në mënyrë të vazhdueshme përfituese parash neto. Për paguesit e parave neto, anëtarësia në BE bëhet gjithnjë e më pak atraktive, sa më shumë përfitues janë. Parimi i solidaritetit në thelb është në rregull. Por mungesa e barazpeshës nuk duhet të jetë shumë e madhe. Veç kësaj, me një anëtarësim të plotë liria e lëvizjes do të çonte ndoshta në lëvizje të tjera migratore nga Ballkani në shtetet më të pasura të BE me sistemet e tyre të pajisura mirë të mbrojtjes sociale. Kjo është e kuptueshme nga këndvështrimi i njerëzve, por do ta nxiste edhe më tej armiqësinë kundër të huajve në Veri.

Çfarë rezulton nga e gjitha kjo? BE as nuk duhet ta lërë Ballkanin vetëm, as t’ia lërë ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Synimi duhet të mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë anëtarësimi i plotë, por një partneritet nën këtë nivel, ngjashëm me shtetet e EFTA-s. Kjo do të thotë një bashkëpunim i ngushtë ekonomik edhe mbështetje e shumëanshme, por jo e drejtë bashkëvendosjeje në interesat e BE.

Ndoshta janë të shumtë ata kryetarë shtetesh që mendojnë kështu, por nuk e thonë deri tani. Në vend të kësaj, edhe në takimin e BE dhe të shteteve të Ballkanit u dëgjua avazi i vjetër, se shtetet me siguri që pas disa vitesh do të jenë pjesë e BE, por tani është shumë herët. Më e ndershme do të kishte qenë që të dyja palëve t’u jepej një perspektivë më realiste me horizonte konkrete kohore. (dw)

Kamennos: Nuk do të ketë zgjidhje për çështjen e emrit

Panos-Kamenos“Zgjidhje nuk do të ketë”, thotë ministri i Mbrojtjes i Greqisë dhe partner koalicioni në qeverinë greke, Panos Kammenos, në një intervistë për “Alfa989”.

Lideri i “Grekëve të Pavarur” edhe një herë ka përsëritur qëndrimin se partia e tij nuk do të votojë për emër të ngjitur me termin Maqedonia, pa dallim nëse siç tha, do të quhet Maqedonia do të quhet e Ilindenit, Shën Ilija, e Epërme, ose e Poshtme, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Besoj se nuk do të ketë zgjidhje për emrin. Besoj pasi vetë shkupjanët e kanë bindur popullin e tyre në një mit që e ka ndërtuar Tito dhe që sillet rreth emrit “Maqedonia”. Unë kam pozicion të qartë, asnjëherë nuk do të votojë për emër që përmban termin “Maqedonia””,tha Kamennos.

Ai në intervistë ka shtuar se parakusht për të arritur marrëveshje mes Maqedonisë dhe Greqisë është të bëhen ndryshime kushtetuese në Shkup, për të cilat mendon se nuk mund të kalojnë në Kuvendin e Maqedonisë./Telegrafi/

Lista Serbe insiston në ndryshime kushtetuese për Asociacionin

MitrovicaPër formimin e Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, kërkohen ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës dhe të akteve ligjore, thonë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Igor Simiq, deputet i Listës Serbe, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja e Brukselit për formimin e Asociacionit nuk mund të realizohet pa këto ndryshime dhe kjo sipas tij është pjesë e planit zbatues për formimin e Asociacionit.

“Absolutisht është e nevojshme që të ketë ndryshime jo vetëm kushtetuese, por edhe të gjitha aktet tjera ligjore, në mënyrë që të mundësohet përshtatja e kornizës ligjore të Prishtinës, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit. Kjo është mënyra e vetme që Bashkësia e komunave serbe të formohet ashtu siç është arritur marrëveshja në Bruksel. Gjithçka tjetër, nëse nuk e kemi këtë hap të parë, nënkupton zvarritje të sërishme dhe probleme për formimin e saj”, theksoi Simiq.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë çdo mundësi që ajo të iniciojë ndryshime kushtetuese, të cilat siç thonë zyrtarët e Listës Serbe, do ta mundësonte themelimin e Asociacionit.

Halil Matoshi nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se që në marrëveshjen e parë të Brukselit për themelimin e Asociacionit, është arritur pajtimi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta bëj vlerësimin nëse marrëveshja është në përputhje me Kushtetutën, si dhe të bëj vlerësimin e përputhjes me Kushtetutën edhe të statutit të Asociacionit, e më pas të nis themelimi i tij.

“Sa i përket Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, konstitucionalizmi i Kosovës, përkatësisht në aspektin kushtetues juridik, kjo çështje tashmë është e kryer. Këtu, më duket që çdo pretendim më tepër ose për t’i kushtëzuar institucionet e Kosovës, mund të quhet vetëm një shantazh politik, përkatësisht një kërkesë, e cila vetëm sa e neglizhon krijimin e këtij Asociacioni dhe nuk e përshpejton atë”, tha Matoshi.

Por, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare, thotë se marrëveshja e parë për Asociacionin, e arritur në Bruksel në vitin 2013, nuk mund të zbatohet pa ndryshime kushtetuese dhe ligjore.

“Në rastin konkret, ata (Lista Serbe) kanë të drejtë kur thonë se pa ndryshime kushtetuese dhe ligjore, pa e ndërruar kuadrin kushtetues dhe ligjor, nuk mund të zbatohet marrëveshja e parë. Po e them qëllimisht marrëveshja e parë, sepse marrëveshja e dytë ka qenë marrëveshje administrative, siç quhet në të drejtën ndërkombëtare, e cila zbaton një marrëveshje bazike. Marrëveshja e parë apo bazike, është marrëveshje, e cila e detyron Kosovën, sepse është obligim ndërkombëtar i zbatimit në mirëbesim të atyre detyrimeve që Kosova i ka marrë përmes përfaqësuesve të vet në dialog”, u shpreh Hasani.

Ai ka shtuar se deputetët e Listës Serbe kanë të drejtë legjitime që t’i iniciojnë ndryshimet kushtetuese, duke i respektuar procedurat që parashohin numrin e caktuar të mbledhjes së nënshkrimeve, të 30deputetëve të Kuvendit, për një çështje të tillë.

Por, Matoshi shpreh mendimin se marrë parasysh numrin prej 10 deputetësh të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, ky subjekt e ka të pamundur mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme nga deputetët tjerë të Kuvendit, për të iniciuar ndryshimet kushtetuese.

“Lista Serbe në asnjë version nuk mund t’i mbledhë (nënshkrimet e nevojshme). Përveç kësaj, për ndryshime kushtetuese duhen dy të tretat e votave, përkatësisht shumica e kualifikuar, që nënkupton shumicën e përgjithshme të Kuvendit dhe shumicën e votave të pakicave. Kështu që, del se duhet t’i kenë 81 vota dhe për këtë arsye, realisht, nuk mund të ndodhë”, tha Matoshi.

Megjithatë, sipas profesor Hasanit, përfaqësuesit politik të serbëve, përmes ndryshimeve kushtetuese dhe formimit të Asociacionit mbi këto baza, po përpiqen që brenda rendit kushtetues të futen si kategori speciale.

“Gjykata Kushtetuese ka thënë se Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes (së Brukselit). Sipas marrëveshjes nënkuptohet Asociacioni me autorizime, siç quhen, nga e drejta publike. Nuk është problemi nëse ka kompetenca nga e drejta publike apo jo. Por, problemi është se cili është statusi i komunitetit serb dhe i kuvendit të tyre (të Asociacionit) në rendin kushtetues të Kosovës. A është ai Kuvend kushtetues? Po të jetë ashtu, atëherë edhe komuniteti serb, si kolektivitet, ka të drejta speciale kushtetuese, të veçanta, që në një fazë të mëvonshme nënkupton edhe të drejtën për vetëvendosje të jashtme”, theksoi Hasani.

Profesor Hasani ka theksuar se në rast se Kuvendi i Asociacionit nuk do ta ketë statusin e kuvendit kushtetues, atëherë ndryshimet kushtetuese mund të bëhen brenda rendit dhe frymës kushtetuese që ekziston sot në Kosovë.

Sidoqoftë, në vitin 2015, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen e dytë për Asociacionin. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës. (rel)

EULEX: Fund pa lavdi

eulexZyrtarë të institucioneve të Kosovës, thonë se pas datës 14 qershor çdo lëndë e misionit EULEX që ndërlidhet me institucionet e Kosovës do të bartet tek institucionet kosovare të drejtësisë.

Pas dhjetë vjetësh misioni i BE-së për polici dhe drejtësi EULEX e përfundon mandatin aktual për të vazhduar me një mandat tjetër, por kësaj radhe vetëm me rol këshillues për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se “gjatë këtyre viteve në Kosovë, sukseset e EULEX-it dhe të Kosovës janë të përbashkëta dhe në funksion të ndërtimit të besimit të qytetarëve për institucionet e Kosovës”.

Zëdhënësja e misionit EULEX, Donika Gashi i tha DW se formati i saktë e misionit EULEX pas datës 14 qershor akoma nuk dihet, sepse për të do të vendoset nga shtetet anëtare të BE-së. “Për periudhën pas qershorit 2018, formati i saktë dhe numri i punonjësve të EULEX-it janë në procedurë shqyrtimi dhe kjo varet nga vendimi i shteteve anëtare. Parashihet se më nuk do të ketë gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it në sistemin gjyqësor të Kosovës pas datës 14 qershor kur edhe mandati aktual skadon. Gjithashtu parashihet që misioni do t’i mbajë disa aktivitete monitorimi, në veçanti në lidhje me lëndët gjyqësore që tashmë janë në proces të transferimit tek gjyqësori i vendit”, thotë Donika Gashi.

Të gjitha lëndët kalojnë nga EULEX tek organet kosovare të drejtësisë

“Ne po hyjmë në fazën transitore, që do të thotë transferimin e të gjitha lëndëve që ka qoftë në gjykata apo prokurori. Kjo fazë do të thotë që çdo gjë që ka misioni i EULEX-it që ndërlidhet me institucionet e Kosovës do të barten në institucionet e drejtësisë”, tha ministri i drejtësisë Abelard Tahiri duke njoftuar për bartjen e të gjitha lëndëve nga misioni EULEX tek organet kosovare të drejtësisë.

Misioni EULEX në dy tre vitet e fundit është përballur me akuza për korrupsion nga vetë zyrtarët e misionit. Madje Bashkimi Evropian pati formuar një komision të posaçëm për të hetuar këto pretendime. Megjithatë, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri,  thotë se “pavarësisht akuzave për korrupsion, në këtë mision ka pasur njerëz që janë angazhuar në fuqizimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”.

Mediet në Prishtinë shkruajnë se pas datës 14 qershor,  një pjesë e personelit të misionit EULEX do të koordinojë “autoritetet vendore me gjykatën speciale, do të mbesë vetëm si një njësi me disa policë të EULEX-it dhe disa  prokurorë”, mirëpo kjo nuk konfirmohet nga zyrtarët e misionit EULEX.

Akuza për korrupsion

Njohës të sistemit të drejtësisë në Kosovë thonë se ndryshimi i mandatit të misionit EULEX në Kosovë është i domosdoshëm, sepse rezultatet që janë pritur tash e dhjetë vjet nga ky mision, kanë qenë të pakta.

Betim Musliu, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, institut që monitoron sistematikisht trajtimin e rasteve gjyqësore, me fokus në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, i tha DW-së, se ky institut vlerëson se “ka pasur një dështim të madh të EULEX-it në zbatimin e kompetencave ekskluzive, por jo vetëm, pasi dështimi më i madh është sidomos në ngritjen e kapaciteteve profesionale si mentoruese, sepse për një dekadë nuk kanë arritur të krijojnë hetues, prokurorë dhe gjykatës vendës, të cilët janë të gatshëm të luajnë rolin e heroit në respektim të sundimit të ligjit.” Në këtë drejtim, IKD vlerëson se misioni i EULEX-it është i panevojshëm me këtë qasje dhe si i tillë nuk duhet të vazhdohet.

Betim Musliu thotë se kredibiliteti i misionit është dëmtuar në masë të madhe kur dolën në publik aferat për korrupsion brenda misionit: “kredibiliteti i këtij misioni është dëmtuar, kur ka pasur dyshime për përfshirje të zyrtarëve të lartë në afera korruptive dhe kjo e bën edhe më të panevojshëm që të vazhdojë qëndrimin në Kosovë. IKD në gusht 2017 ka rekomanduar krijimin e një Prokurorie dhe Gjykate Speciale për luftimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke kërkuar përkrahje nga SHBA, Britania e Madhe dhe Gjermania që ata ta bëjnë procesin e verifikimit dhe rekrutimit të hetuesve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë. Vetëm në këtë mënyrë konsiderojmë se mund të ndihmohet sundimi i ligjit dhe sistemi i drejtësisë dhe asesi në formatin e ndihmës, sikurse ka qenë i dizajnuar Misioni i EULEX-it.”

Rezultate të pakta

Që nga përfundimi i luftës deri në vitin 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë, sistemi i drejtësisë në Kosovë ishte nën menaxhimin e administratës së OKB-së. Në vitin 2008, shumë kompetenca kaluan tek institucionet kosovare, mirëpo, prapë lëndët e ndjeshme, siç ishin lëndët  e korrupsionit të profilit të lartë dhe ato të krimeve të luftës mbeten kompetencë e misionit EULEX i cili sapo ishte dislokuar në Kosovë.

Duke qenë se rastet e krimeve të luftës që morën zgjidhje nga misioni EULEX ishin të pakta, me një rezolutë të Këshillit të Evropës Kosovës iu kërkua që ta themelojë Gjykatën Speciale për krime lufte. Në gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi ligjin për themelimin e gjykatës speciale për krime lufte në Kosovë, e cila selinë e saj tashmë e ka më Hagë dhe në të do të punojnë tërësisht prokurorë dhe gjyqtarë ndërkombëtarë. Ideja për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë, doli pas një rezolute në Këshillin e Evropës që kërkonte hetime mbi supozimet e një senatori zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se pjesëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte  dhe kanë trafikuar organe të serbëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Asnjë aktakuzë akoma nuk është ngritur mbi bazën e këtyre pretendimeve, ndërsa, hetime në shkallë të gjerë akoma apo vazhdojnë.  (dw)

BE dhe investimet turke në Ballkanin Perëndimor

BE BallkanNë samitin e javës së kaluar të Bashkimit Evropian në Sofje u bë e qartë se vendet e Ballkanit Perendimor nuk mund të presin një rrugë të shpejtë anëtarësimi. Por vonesat e Bashkimit Europian për zgjerim, pas daljes së Britanisë dhe pasojat e krizave të borxhit dhe imigracionit, kanë bërë që rajoni i Ballkanit Perendimor të kthehet në një fushë loje për pushtet mes BE-së,Turqisë, Rusisë dhe Kinës që konkurrojnë gjithashtu për ndikim.

Ivan Isailoviç, kryebashkiaku i qytetit të vogël serb të Krupanjës, është duke kërkuar investitorë jo në Mynih apo Paris, por në Stamboll – një shenjë e ndikimit në rritje të Turqisë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, që shqetëson disa shtete të BE-së.

Isailoviç kërkon punë për komunitetin e tij të varfër dhe të izoluar që shtrihet në kodrat e pyllëzuara pranë kufirit perëndimor të Serbisë me Bosnjën. Dhe preferenca e tij se ku të kërkojë për kompani që mund të jenë të interesuara, pasqyron gatishmërinë e Turqisë për të investuar dhe shtrirë ndikimin e saj në e vendet e Ballkanit, dikur pjsë e Perandorisë Osmane.

“Investimet turke në Krupanj dhe në përgjithësi në Serbi janë shumë të rëndësishme. Në territorin e Serbisë ekzistojnë më shumë se 100 biznese turke. Njëra prej tyre është ‘Jeanci’, një kompani që unë mendoj se është më e mira, pasi punësoi 150 njerëz pas përmbytjeve që kishim”, thotë kryetari i bashkisë së Krupanjit, Ivan Isailoviç.

Ndërkohë po rritet perceptimi se qeveritë dhe investitorët e Evropës Perëndimore po shpërfillin tregjet e vogla dhe të ndara të një rajoni shumë pranë tyre.

Udhëheqësit e BE-së u takuan javën e kaluar me homologët e tyre nga Serbia, Shqipëria, Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova, duke rënë dakord të ndërtojnë më shumë lidhje për energjinë dhe të punojnë më ngushtë për çështjet që nga kundërshtimi i radikalizmit e deri tek kontrolli i migracionit.

Por ky ishte takimi i parë i këtij lloji në 15 vite dhe BE-ja e bëri të qartë se vendet nuk mund të prisnin një rrugë të shpejtë të anëtarësimit në bllok.

Sipas Dhomës serbe të Tregtisë, 20 uzina turke u hapën vitin e kaluar ose janë në ndërtim e sipër në vend, e cila ka gjithashtu lidhje historike me Rusinë.

“Investitorët turq deri tani kanë investuar më shumë se 100 milionë euro dhe punësojnë rreth 8,000 punëtorë. Ajo që është interesante me investitorët turq është se ata investuan kryesisht në zonat e pazhvilluara në Serbi, që do të thotë në zonat ku nuk ka punë”, thotë Marko Cadez, kreu i Dhomës serbe të Tregëtisë.

Vëllimet e tregtisë mes Turqisë dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të hyjnë në BE, janë rritur vazhdimisht, duke u rritur nga 435 milionë dollarë në 2002 në 3 miliardë dollarë në vitin 2016.

Me 340 milionë euro të investuara në Kosovë, shumica për të blerë një aeroport dhe rrjetin e shpërndarjes së energjisë, Turqia është investitori i tretë më i madh në vend.

Vehbi Kajtazi është kryeredaktor i portalit “Insajder”:

“Mendoj se Turqia do të vazhdojë presionin e saj politik. Nuk e di se sa shumë janë në gjendje autoritetet e Kosovës dhe institucionet e saj të brishta t’i rezistojnë presionit politik nga Turqia. Së dyti, mendoj se influenca e Turqisë dhe presioni do të vazhdojnë përmes fesë”.

Në Bosnje, një vend etnikisht i ndarë në të cilin myslimanët përbëjnë shumicën, Turqia ka shpenzuar 300 milionë euro në projekte, duke përfshirë rindërtimin e xhamive dhe monumenteve të periudhës osmane.

Disa evropianë janë të zhgënjyer që rajoni mund të rrësshqasë nën sferën e influencës së Turqisë, pasi Ankaraja po projekton fuqinë e saj përmes kulturës si dhe marrëveshjeve të biznesit. (voa)

Shkup, 9 vjet burg për ish ndihmës ministrin e brendshëm

GjokoNjë gjykatë në Shkup e dënoi me nëntë vjet ish-ndihmës ministrin e punëve të brendshme, Gjoko Popovski për shkak të furnizimeve jo të ligjshme me automjete të policisë.

Popovski, ish-zyrtar i lartë në qeverinë e VMRO-DPMNE-së akuzohej nga Pokuroria e posaçme për furnizimin publik me 300 automjete me çka kishte dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 450 mijë euro. Sipas Prokurorisë së posaçme, Popovski në mënyrë të paligjshme kishte bërë marrëveshje për blerjen dhe mirëmbajtjen e automjeteve me pesë kompani. Nuk i ishte përmbajtur kritereve për zgjedhjen e ofertuesit më të mirë dhe të volitshëm.

Veç dënimit, ai detyrohet që brenda një afati prej 15 ditësh të kthejë shumën prej 450 mijë eurosh.

Prokurorja Fatime Fetai i kërkoi gjykatës që i dënuari Gjoko Popovski të mbahet në paraburgim deri sa vendimi të hyjë në fuqi, për shkak të mundësisë së arratisjes, sepse ai akuzohet edhe për një vepër tjetër penale.

Avokati i z. Popovski u tha gazetarëve se do ta apelojë vendimin e gjykatës themelore. Ai tha se “të gjithë u befasuan me këtë vendim të gjykatës për një vepër që ka ndodhur para dhjetë vjetësh”.

Rasti i njohur në publik si “Treqind” u zbulua pas publikimit të skandalit të bisedave të përgjuara telefonike nga kryetari i Lidhjes Social Demokratike, tash kryeministër Zoran Zaev, ndërsa ai vetë dhe media i quanin “bomba” audio incizimet e tashmë ish-zyrtarëve të lartë qëveritarë, të cilët dëgjoheshin duke bërë plane për manipulime të ndryshme në më shumë fusha. Një sërë procesesh gjyqësore po mbahen si rezultat i këtyre “bombave”, kundër ish-zyrtarëve të lartë qeveritarë, përfshirë edhe vetë ish-kryeministrin Nikolla Gruesvki. (voa)