Rusi-Ukrainë: Politikë e demonstrimit të forcës ushtarake nga Kremlini

UkrainaShkallëzohet situata mes Rusisë dhe Ukrainës: E nëse dy vendet vazhdojnë kështu, nuk kërcënon vetëm një konflikt i ri ushtarak, mendon Bernd Johann. Por edhe ndaj presidentit ukrainas ka vend për skepticizëm.

Grindja mes Kievit dhe Moskës ka arritur një pikë të re vlimi. Ukraina shpalli ligjin e luftës në shumë rajone të vendit, shkak për këtë u bë incidenti i dhunshëm dhe konfiskimi i tre anijeve luftarake ukrainase nga Rusia në fundjavë. Këto anije Kievi donte që t’i staciononte në portet e Berdjanskit dhe Mariuopolit në Detin Azov pas kalimit në Odesë, Detin e Zi e përmes ngushticës së Kertshit. Rusia i ndali këto anije me dhunë bashkë me ekuipazhin e tyre. Disa marinarë ukrainas u lënduan.

Ukraina ka të drejtë në këtë çështje

Ukraina proteston me të drejtë kundrejt veprimit rus. Rusia shkel me këtë të drejtën ndërkombëtare, marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat detare, si edhe një marrëveshje bilaterale mes të dy vendeve për  lundrimin në Detin Azov, të cialt të gjitha parashohin lëvizjen e lirë të anijeve, përfshirë edhe anijet ushtarake. Si në rastin e aneksimit të Krimesë dhe mbështetjen e dhënë për separatistët në Donbas, Kremlini edhe njëherë tregoi, se injoron marrëveshjet detyruese dhe nxjerr politikën e më të fortit.

Me të drejtë, Ukraina merr mbështetje ndërkombëtare. Partnerët europianë, si Gjermania, apo Kanadaja dhe SHBA janë me të drejtë në krah të ukrainës. Sepse vlerësimi politik dhe ligjor i agresionit rus është i qartë. Thjesht fakti që gati asnjë vend në botë nuk e ka njohur aneksimin e Krimesë, e rrëzon pretendimin rus, se Ukraina ka shkelur territorin rus.

A kufizohen të drejtat qytetare?

Por pse e shpalli presidenti ukrainas ligjin e luftës? Ai do të mobilizojë rezervistët dhe të forcojë me këtë mbrojtjen e vendit dhe sigurinë e informacionit. Por në gjendje lufte mund të kufizohen edhe të drejtat qytetare si për shembull e drejta e grumbullimit dhe lirisë së shprehjes apo mund të zbatohen masa ekonomike me detyrim. Poroshenko është betuar, se asgjë nga këto nuk do të ndodhë. Por ukrainasit megjithatë janë të trembur. Sepse dekreti i presidentit, të cilin e miratuan deputetët e parlamentit ukrainas të hënën është i paformuluar qartë në shumë pika.

Poroshenko e donte ligjin e luftës për 60 ditë dhe për të gjithë vendin. Pas një mbledhjeje kaotike të parlamentit dhe me shumë korrigjime, ai tani do të jetë në fuqi për 30 ditë dhe 10 rajone, në afërsi të territorit rus apo që kontrollohen nga rusët. Se si do ta përmirësojë kjo mbrojtjen e vendit është e paqartë.

Shumica e deputetëve të parlamentit ukrainas ishte e mendimit se kërkesat e presidentit ishin të ekzagjeruara. Duhet kujtuar, se më 31 mars të vitit të ardhshëm pritet të zgjidhet presidenti i ri i Ukrainës. Në fund të dhjetorit mund të fillojë fushata zgjedhore, pra për afër 30 ditë. Nëse ligji i luftës zgjat më shumë se 30 ditë, kjo i bën të pamundura zgjedhjet. Sepse faktikisht demokracia shfuqizohet në një situatë të tillë.

Ligji i luftës si manovër zgjedhore?

Vetëm pas debatesh të gjata, presidenti ukrainas hapi udhë. Në parlament ai e pa veten të ndeshej me reagime të forta. Të mos harrojmë që burrështeti i dikurshëm i fortë i Ukrainës tanimë është i dobësuar. Shumica e qytetarëve janë të pakënaqur me Poroshenkon. Pesë vite pas lëvizjes gjithëpërfshirëse Majdan, që kërkonte një Ukrainë demokratike e luftë kundër korrupsionit, ripërtëritja e Ukrainës nuk ka filluar.

Nuk ka çudi që shumë ukrainas janë të shqetësuar për ligjin e luftës. Lufta e separatistëve në lindje të vendit e mbështetur nga Kremlini ka kushtuar më shumë se 10.000 jetë njerëzish. Megjithatë qeveria e Ukrainës ka bërë fjalë vetëm për një operacion antiterrorist.

Tani shpallet ligji i luftës, sepse anijet ushtarake merren në zotërim në Rusia në ngushticën e Kertshit. A është kjo një manovër zgjedhore e presidentit Poroshenko që ndodhet me shpatulla pas muri politikisht në vend? Tani kaq pak para zgjedhjeve kjo bën të ngrihen dyshime jo vetëm tek populli ukrainas, që nuk do të humbasë liritë demokratike, por edhe tek partnerët në perëndim, që kërkojnë çtensionim të situatës. Ndërsa Moska vazhdon me politikën e saj të demonstrimit të forcës ushtarake duke e vënë përpara Kievin.

Parlamenti maqedonas i heq imunitetin ish kryeministrit Gruevski

parlamenti i rmParlamenti i Maqedonisë e miratoi të martën në mbrëmje kërkesën e Gjykatës Penale për burgosjen e deputetit Nikolla Gruevski. Kjo nënkupton heqjen e imunitetit të deputetit. 62 ligjvënës të shumicës parlamentare votuan për këtë, ndërsa asnjë deputet i partisë VMRO-DPMNE të opozitës, partia e ish-kryeministrit Gruevski, nuk ishte i pranishëm në seancën plenare. Madje, seanca kaloi pa debat; askush nuk diskutoi për çështjen e imunitetit të zotit Gruevski. Më parë gjatë ditës, Komisioni parlamentar për çështje të mandateve dhe të imunitetit mori vendim që t’i rekomandojë parlamentit që t’ia heqë imunitetin ligjvënësit opozitar, i cili është arratisur në Hungari ku i është dhënë strehim politik.

Megjithatë, zoti Gruevski e mba mandatin e deputetit dhe merr rrogë mujore, ndonëse për çdo mungesë në seanca, me një ulje prej 5 përqind. Parlamenti dështoi para disa ditësh për t’ia hequr mandatin e deputetit atij sepse nuk arriti të sigurojë dy të tretat e votave të nevojshme për këtë. Parlamentit tash i duhet të kalojnë gjashtë muaj në mënyrë që të ngritet një nismë e re për t’ia hequr Gruevskit mandatin e deputetit.

Ndërkohë, në Shkup ende askush nuk ka dhënë përgjegjësi për arratisjen e Nikolla Gruevskit, i cili ishte dënuar me dy vjet burg për korrupsion. Autoritetet thonë se po bëjnë hetime se si u arratis ai dhe kush i ndihmoi. Padyshim, ish-kryeministri maqedonas do të ketë pasur mbështetjen e strukturave të sigurisë për realizimin e synimit të tij, sipas analistëve, ndërkohë që qeveria maqedonase i hedh poshtë zërat për një marrëveshje të fshehtë politike me Nikolla Gruevskin.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili njihet për miqësinë me Nikolla Gruevskin, ka shprehur mirënjohje për ish-kreun e qeverisë në Shkup “për rolin e tij në ndaljen e valëve të refugjatëve nga Lindja e Mesme, duke i ndihmuar në këtë mënyrë Hungarisë”. Orban ka thënë të marten në parlamentin e vendit të tij se nuk ishte takuar dhe as nuk kishte kohë të takohet me zotin Gruevski.

Ish-kryeministri maqedonas u dënua me dy vjet burg për ushtrimin e ndikimit në një tender të jashtëligjshëm për blerjen e një makine luksoze Mercedes të blinduar me një shumë prej rreth 600 mijë eurosh. Por, ndaj tij zhvillohen në mënyrë paralele edhe katër raste të tjera gjyqësore. (voa)

Efekti i heqjes së barrierave tregtare Shqipëri – Kosovë

ramaMbyllja e tregut të Kosovës për mallra nga Serbia krijon potenciale të mëdha për Shqipërinë për të eksportuar produktet agro-industriale drejt Kosovës. Por a mund të shpaloset ky potencial kaq shpejt?

Mbyllja e tregut të Kosovës për mallra nga Serbia krijon mundësi që Shqipëria të rrisë eksportin e saj drejt Kosovës. Niveli i tanishëm i eksportit të mallrave nga Shqipëria drejt Kosovës është i ulët , i pakrahasueshëm me atë të Serbisë. Burime zyrtare nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave thanë për DW të hënën ( 26.11) se ” Shqipëria, në 6 mujorin e parë të këtij viti ka eksportuar drejt Kosovës mallra me vlerë prej 85.16 milion euro”. Vlera e mallrave që Serbia eksporton në vit në Kosovë, arrin në 400 milionë euro. A mund të ketë rol Shqipëria në plotësimin e nevojave të tregut kosovar me mallrat që nuk i merr më nga Serbia? Dr. Selami Xhepa, ekspert i njohur i ekonomisë në Shqipëri thotë për DW se kjo është e vështirë të ndodhë menjëherë.

“Shqipëria nuk eksporton drithërat dhe produktet ushqimore që Kosova merr nga Serbia. Mos harrojmë që Serbia qëndron në krye të vendeve për eksportin e drithërave dhe miellit në rajon dhe është një ndër 10 vendet e para të botës për këtë lloj eksporti. Më shumë se 2500 kompani serbe eksportojnë produkte ushqimore në Kosovë. Por për Shqipërinë padyshim krijohen mundësi të reja. Në hapësirën që krijohet nga mungesa e mallrave serbe në tregun kosovar, Shqipëria mund të hyjë me produkte konkurruese. Potencialet më të mëdha janë në fushën e agro-industrisë” thekson eksperti i ekonomisë,  Dr. Selami Xhepa. Shqipëria eksporton në Kosovë minerale, ҫimento, lëndë djegëse, lëndë ndërtimi, prodhime druri dhe plastike.

Nikolin Jaka: Të hiqen tarifat e skanimit të faturave dhe terminalit doganor

Në situatën e krijuar pas bllokimit të mallrave serbe në Kosovë dhe mundësive që i hapen Shqipërisë për eksportin e mallrave të saj në Kosovë kanë peshën e tyre Konfederata e Industrisë dhe Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri. Me një qëndrim racional ato mbështesin vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen 100 % të taksimit të produkteve që hyjnë në tregun e Kosovës nga Serbia. Agumenti bazë: Serbia ka shkelur shkelur parimin e reciprocitetit

Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë në Tiranë tha për DW se „Serbia lobon për mosnjohjen e Kosovës dhe që këtej Kosovës i lind e drejta të reagojë”. Konferederata e  Industrisë si ilustrimin  më domethënës të shkeljes së parimit të reciprocitetit sjell një rast konkret: bllokimin nga Serbia, për shumë vite, të përdorimit të linjës 400 kV të transmetimit të energjisë elektrike midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe citoj “pengimit të zbatimit të projektin evropian për një rrjet të përbashkët energjetik në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”. Një qëndrim i tillë pasohet me vetëdijen e tyre për rritjen e mallrave që Shqipëria eksporton drejt Kosovës.

Nikolin Jaka mendon se për këtë qëllim duhet që qeveritë e Prishtinës dhe Kosovës të marrin sa më parë masa që të lehtësojnë tregtinë mes dy vendeve. „Duhen hequr sa më parë tarifa e skanimit të faturave për mallrat që tregtohen mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe tarifa e qëndrimit të mallrave në terminalin doganor në anën e pikës kufitare të Kosovës. Kemi kërkuar nga qeveria Rama të heqë tarifën prej 10% nga fatura e mallrave që transportohen përmes „ Rrugës së Kombit”„  thotë Nikolin Jaka.

Shqipëri-Kosovë: hiqen barrierat penguese

Ndryshimi filloi të hënën (26.11.2018) në takimin e zhvilluar në Pejë, ku qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës kanë nënshkruar 9 marrveshje, mes të cilave edhe ato që heqin barrierat penguese tarifore dhe jo tarifore në marrdhëniet ekonomiko- tregtare mes dy vendeve. Burime zyrtare nga Kryeministria në Tiranë, bëjnë me dije se është nënshkruar edhe dokumenti i vizionit strategjik të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, deri ne 2025.

Të hënën në takimin e Pejës, kryeministri Rama është shprehur pa ekuivok pro vendimit të qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës doganore ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Rama tha në Pejë se “Serbia jep goditje të njëpasnjëshme pas shpine Kosovës dhe ky është reagimi i tarifës 100%. Serbia po bllokon Kosovën duke kërkuar tërheqjen e njohjeve dhe kjo është provokuese dhe shqetësuese.  Kush e sheh tarifën 100% si aspekt ekonomik atëherë gabon, por kjo tarifë është si kundërpërgjigje politike”.  (dw)

Kush është Milan Radojiçiq, i kërkuari për vrasjen e Ivanoviqit?

IvanovicMinistria e Brendshme e Serbisë tha se policia, me kërkesë të Prokurorisë për Krim të Organizuar, ka intervistuar M.R, në lidhje me njohuritë e tij për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, në Mitrovicën Veriore.

“Policia ka marrë deklaratë nga M.R. në përputhje me kërkesën për të mbledhur informacionet e nevojshme për hetimet e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, thuhet në njoftimin e Ministrisë serbe që e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dy prokuroritë, të Kosovës dhe Serbisë, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë asnjë bashkëpunim në hetimet për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.

Prokurori special i Kosovës, Sylë Hoxha, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Kosovë janë në kërkim të nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radojiçiq, për rastin Ivanoviq.

Akuza bën fjalë për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, i cili më 16 janar të këtij viti u vra para zyrës së partisë së tij në veri të Mitrovicës.

Se çfarë fakte ekzistojnë lidhur me këtë ende nuk janë bërë të ditura.

Gjatë aksionit të policisë në veri të Mitrovicës, më 23 nëntor, janë arrestuar tre persona lidhur me këtë vrasje. Ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Por, aty mungon personi i katër, i cili është në kërkim. Milan Radojiçiq nuk është gjendur në shtëpi gjatë aksionit të Policisë së Kosovës dhe ai ende është në kërkim. Të njëjtën ditë, ishte arrestuar edhe personi i katërt, por ai akuzohej për rezistencë ndaj policisë apo pengim të personit zyrtar për kryerjen e detyrës.

Ndërkohë, Prokuroria në Serbi flet lidhur me informacionet që posedon për këtë rast.

“Për asnjë nga personat që janë arrestuar në Mitrovicë, Prokuroria për krim të organizuar në Beograd nuk ka informacione që do të ndërlidheshin më vrasjen e Oliver Ivanoviqit”, thotë kjo Prokurori në përgjigjen e pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, të cilin e kërkon Policia e Kosovës, ka qenë pjesë e ndonjë hetimi për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Prokuroria tashmë ka njoftuar se ka procesuar me të gjitha kërkesat e parashtruara deri më tash për ndihmë ligjore të ndërsjellë, me të cilat, ndër të tjera, ishte kërkuar edhe intervistimi i dëshmitarëve. Për identitetin e dëshmitarit, Prokuroria nuk mund të japë sqarime dhe as për detajet e cilësdo kërkesë. Në anën tjetër, autoritetet e Kosovës, ndaj kërkesës së kësaj prokurorie kanë vepruar në mënyrë selektive, kështu që deri më tash nuk janë dorëzuar të gjitha dëshmitë dhe informacionet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 23 nëntor, se ngjarja në veri të Mitrovicës nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Oliver Ivanoviqit, ndërsa dy ditë më pas tha se nuk e di ku gjendet Milan Radojiçiq.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë informacion për rastin e Milan Radoiçiqit. Kur neve na pyesin ose na tregojnë, gjithmonë me kënaqësinë më të madhe do të ju përgjigjem”, deklaroi Vuçiq.

Në ndërkohë, Radojiçiq të dielën në mbrëmje u drejtua me një deklaratë ku tha se “nuk ka qenë mik i afërt me Oliver Ivanoviqin, por se nuk është vrasës dhe nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e tij”.

Radojiçiq tha se bastisja e shtëpisë së tij nga ana e policisë ka pasur vetëm një qëllim – “vrasjen e tij”.

“Prishtina dëshiron të më eliminojë pasi e dinë se unë, bashkë me miqtë dhe vëllezërit, jam ndër të paktët që është i gatshëm të iu kundërvihet qëllimeve të tyre për të sulmuar dhe pushtuar veriun e Kosovës dhe ta nënshtrojnë popullin serb”, ka thënë Radojiçiq.

Ai gjithashtu bëri të ditur se nuk do t’i dorëzohet Policisë së Kosovës, ndërkaq rreth spekulimeve për vendqëndrimin e tij tha se “mund të them se jam afër, po pres dhe po vëzhgoj“.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në shtator të vitit 2017, gjatë një konferencave për media, e kishte falënderuar Radojiçiqin si njëri prej atyre që e ruajnë popullin serb në Kosovë. Në atë kohë, përfaqësuesit e Listës Serbe i porositi të luftojnë për popullin e tyre sa më shumë që të munden.

“Faleminderit për tyre që e ruajnë Serbinë në Kosovë, e ruajnë edhe fëmijët e tyre. Falënderoj edhe Goran Rakiq, Dalibor Jevtiq, Milan Radojiçiq, Branimir Stojanoviq dhe të tjerët. Secili fëmijë i tyre e ruan Serbinë në Kosovë dhe për këtë faleminderit pafundësisht. Po luftoni për atdheun tuaj po luftoni për fëmijët tuaj”, kishte thënë Vuçiq.

Por, përmendja e Radojiçiqit nga ana e presidentit serb, është shqetësuese mendonte politikani tashmë i ndjerë serb Oliver Ivanoviq. Ai në një intervistë për BIRN në tetor të 2017-ës e përshkroi Radojiçiqin si një figurë kyçe dhe bartës i pushtetit në veri. Ivanoviqi në atë kohë insistonte që ajo pjesë e intervistës të mos publikohej, por kishte porositur që ai emër të mbahet në mend. Kjo pjesë, megjithatë u publikua pas vrasjes së tij.

“Qendra e fuqisë nuk është ndërtesës në objektin e komunës, por se komuna është nën këtë qendër të dytë joformale të pushtetit. Ajo që mua më shqetëson është se autoritetet serbe e përmendin këtë alternativën tjetër, qendrën joformale të pushtetit, si shembull për diçka. Presidenti përmendi Milan Radojiçiq, dhe kjo mua më shqetëson sinqerisht sepse ai e mori si shembull të luftëtarit për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, pati thënë Ivanoviq.

Mirëpo, më vonë në një deklarim për media, presidenti Aleksandar Vuçiq tha se nuk e ka idenë as sesi duket në pamje Milan Radojiçiqi.

Por, sesi duket Radojiçiqi e dinte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në një intervistë, për një emision të Qendrës Mediale në Çagllavicë, në dhjetor të 2017-ës, duke folur për bashkëpunimin e mirë me kolegët e Listës Serbë në Qeverinë e Kosovës, tha se ka bashkëpunim edhe me njerëz nga veriu.

“Ta zëmë, Milan Radojiçiq, besoj se edhe ai e ka rolin e vet. Ai është nga veriu dhe pyetet për çdo gjë, dhe unë bisedojë me atë”, pati thënë Haradinaj.

I pyetur nëse ai (Radojiçiq) është një politikan, Haradinaj ishte përgjigjur:

“Nuk duhet të jesh vetëm politikan që të kesh rol këtu, ndërsa unë jam I hapur dhe bisedojë me të gjithë”, deklaroi Haradinaj.

Megjithatë në qershor 2018, Radojiçiq, bëhet politikan dhe zgjidhet njëri nga nënkryetarët e Listës Serbe. Në shtator, bashkë me përfaqësues tjerë të Listës, takohet me Haradinajn në kabinetin e tij.

Për organet e drejtësisë në Serbi, Milan Radojiçiq ka qenë i njohur që nga viti 2011. Në atë kohë kundër tij dhe Zvonko Veselinoviqit ishte ngritur aktakuzë për përvetësimin e 32 kamionëve të firmës “Hipo Alpe Adria Lizing”. Aktakuza u ngrit para gjykatës në Beograd, dhe kjo kohë rastisi me vendimin e Beogradit për fillimin e dialogut me Prishtinën dhe thirrjen ndaj serbëve të veriut që të largojnë barrikadat. Të dy u liruan nga akuzat në vitin 2016.

Duke shfrytëzuar Ligjin për qasje në informacione, BIRN, arriti të sigurojë aktvendimin e shkallës së parë të Gjykatës në Beograd lidhur me këtë rast, në të cilin thuhej se Radojiçiq ishte dënuar më parë, mirëpo në pajtim me Ligjin për të dhënat personale, janë mbuluar të dhënat se kur, për çfarë dhe cili sanksion i është shqiptuar.

Ndërkaq, Zvonko Veselinoviq mbahet në mend nga publiku sidomos në kohën e barrikadave në veri të Kosovës, të organizuara gjatë viteve 2011 dhe 2012. Në atë kohë edhe KFOR-i e pati identifikuar si një nga organizatorët e trazirave në atë pjesë.

Emri i Veselinoviqit ndërlidhet me një varg veprimtarish. Javën e kaluar BIRN raportoi se ai u bë pronar i shumicës së aksioneve të ndërmarrjes ndërtimore “Inkop” të pronares Dushica Maksimoviq. Ajo 40 për qind të aksioneve i barti edhe te Milan Radojiçiq. 20 për qind të aksioneve kaluan te vëllai i Veselinoviqit, Zharko Veselinoviq. Këto të dhëna u publikuan në Agjencisë për Regjistrat Ekonomik. (rel)

Rusia dhe rënia e çmimi të naftës

rafineriNë tregjet ndërkombëtare ka rënë çmimi i naftës, por çfarë do të thotë kjo për SHBA, Rusinë dhe vendet e tjera? Pasojat dallojnë.

Ulja e çmimeve të naftës për një të katërtën brenda disa javësh! Me këtë masë nuk kanë llogaritur shumica e analistëve para disa muajsh. Përkundrazi, shumëkush ka menduar se si pasojë e rritjes ekonomike në SHBA, çmimi real i naftës do të jetë mbi 100 dollarë për fuçi.

Jaroslav Kabakov nga fondi rus për investime Finam, thotë se gjërat nuk mund të parashikohen me saktësi. Ka dhe shumë rreziqe politike – ashpërsimi i krizës tregtare mes SHBA dhe Kinës, sanksionet amerikane ndaj Iranit etj. “Besoj se çmimi i naftës do të lëvizë nga 65 – 70 dollarë për fuçi”, thotë ai për DW.

Reagimet dhe falënderimet

Tri vende janë ato, të cilat përcaktojnë në masë të madhe çmimet e naftës. Ato prodhojnë rreth 40% të naftës në botë. Numër një është Amerika, e cila prej vitit të kaluar është përpunuesi më i madh në botë. Rusia është e dyta, ndërsa Arabia Saudite e treta. Ajo që vështirëson parashikimet në treg është fakti se të trija këto vende kanë interesa të ndryshme. Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron çmime më të ulëta, për të ngritur konsumin në vend. Ndaj uljen e çmimeve e ka quajtur lajm të mrekullueshëm! Kjo është si një lloj ulje e tatimeve në Amerikë dhe në mbarë botën. Shijojeni. Faleminderit Arabia Saudite, shkruan ai me twitter.

Arabia Saudite do të donte që çmimi të rritet. Vetëm kështu Riadi mund të bëjë ndryshimet e domosdoshme ekonomike. Ndërsa Rusia mbështetet tek hapja e tregjeve të reja, sepse Gasprom apo Rosneft kanë investuar vitet e fundit në modernizim dhe infranstrukturë. Paratë tani duhet të kthehen. Kremlini do të ishte i kënaqur me një çmim prej 53 dollarë. Do të thotë ende ka hapësirë për ulje të çmimeve, sepse aktualisht në treg çmimi është rreth 60 dollarë.

Dëmtimi i Rublës

Por Igor Nikolaev, drejtor i Institutit për Analiza Ekonomike, thotë se çmimet nuk mund të ulen tepër, sepse ekonomia ruse edhe më tej jeton nga eksporti i naftës dhe gazit. “Këtë vit është krijuar përkohësisht përshtypja se kursi i Rublës nuk varet nga çmimet e naftës. Por ulja e tanishme e çmimeve ka pasur pasoja edhe për Rublën.” Investitorët janë të përmbajtur, sepse kjo lëvizje e ngadalëson zhvillimin. Ekonomia ruse edhe më tej varet nga nafta dhe gazi.

Ekonomia ruse varet edhe nga faktorë të tjerë, si për shembull, hezitimi i qeverisë që të bëjë reformat e domosdoshme. Investorët e huaj janë të përmbajtur, sepse askush nuk e di saktë, se çfarë sanksionesh amerikane mund të vendosen kundër Rusisë, për shkak të aferës Skripal apo luftës në Lindje të Ukrainës.

Masat e Opec-ut

Igor Nikolaev beson se në Rusi do të rritet gatishmëria për protesta, nëse ekonomia vazhdon të bie. Në vjeshtë Kremlini ka ndërmarrë disa masa për të stabilizuar gjendjen. Por shumë rusë janë të pakënaqur. Rrogat reale kanë rënë. Reforma e pensioneve ende nuk ka mbështetje. Megjithë uljen e çmimeve të naftës çmimet në treg thuajse nuk kanë lëvizur fare. Kremlini po përpiqet që në disa pjesë të Rusisë të rregullojë çmimet e benzinës dhe naftës. Jaroslav Kabakov mendon se ky është gabim.

Banka Qendrore e Rusisë llogaritë ndërkohë se në vitin 2019 çmimi për një fuçi do të jetë 55 dollarë, ndërsa inflacioni rreth 5,5 %. Lidhur me çmimet e naftës do të vendosin 14 vendet e Opec-ut në dhjetor.

(dw)

Zero taksë për shqiptarët, efektet në ekonominë e Shqipërisë dhe të Kosovës

Importet e KSVendimi i Kosovës për të taksuar me 100 për qind importet nga Serbia pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në flukset tregtare të rajonit. Por, a e orienton taksimi i produkteve serbe, tregtinë e jashtme të Kosovës drejt Shqipërisë?

Top Channel analizoi flukset tregtare mes 3 shteteve. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2017, Kosova importoi 450 milionë euro mallra nga Serbia, ndërsa importet nga Shqipëria për të njëjtën periudhë ishin tri herë më pak, ose 152 milionë euro.

Por, çfarë ble Kosova nga Serbia dhe çfarë nga Shqipëria?

Sipas të dhënave zyrtare nga Dogana e Kosovës, gati 40 për qind e importeve që Kosova ble nga Serbia përbëhen nga 6 produkte. Ato janë energjia elektrike, karburanti, pijet freskuese, sheqeri, vaji dhe gruri.

261118_FLUKSET-TREGTARE_15_9Ndërsa importet nga Shqipëria janë edhe më të përqëndruara. Sipas të dhënave nga INSTAT, 73 për qind e importeve totale që Kosova ble nga Shqipëria dominohen nga 5 produkte. Në vend të parë është çeliku me 58.4 milionë euro. Pastaj vijnë me radhë karburantet, çimentoja, alumini dhe zarzavatet.

261118_FLUKSET-TREGTARE_15_12Të dhënat tregojnë se gama e produkteve që Kosova ble në Serbi është e ndryshme nga ajo që merr nga Shqipëria. I vetmi produkt, të cilin ajo e importon në masë nga të dyja vendet është karburanti, pra nafta dhe benzina, që vjen si nga prodhimi vendas i Ballshit, ashtu dhe riskporti që bëjnë kompanitë shqiptare të karburanteve në Kosovë.

Në aftashkurtër, ky duket se mund të jetë dhe efekti më i rëndësishëm që taksimi i produkteve serbe do të ketë në tregtinë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ndërsa për produktet e tjera, gjasat duken të vogla që importet serbe të zëvendësohen me ato shqiptare. Kjo, për arsyen e thjeshtë se për shumicën e tyre, Shqipëria rezulton vend deficitar, pra që nuk i prodhon vet, por i importon nga jashtë në masën më të madhe.

Top Channel

SHBA dënon Rusinë për shkelje të sovranitetit të Ukrainës

USa AmbasadorjaParlamenti i Ukrainës miratoi të hënën kërkesën e Presidentit Petro Poroshenko për të vendosur ligjin e luftës në vend, pas një incidenti të së dielës, në të cilin Rusia kapi tre anije të Ukrainës dhe ekuipazhet e tyre.

Po të hënën, ambasadorja e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Nikki Haley dënoi Rusinë për “shkeljen skandaloze të territorit sovran të Ukrainës”.

Në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit, zonja Haley e quajti konfiskimin e anijeve si “një akt arrogant që duhet të dënohet nga bashkësia ndërkombëtare”.

Rusia gjuajti kundër dy anijeve të Ukrainës dhe përplasi një anije të tretë të dielën në Detin e Zi, duke i kapur anijet dhe duke i akuzuar për hyrje të paligjshme në ujërat e saj territoriale.

Presidenti Poroshenko e zbuti versionin e mëparshëm të një projektdekreti për të propozuar ligjin e luftës me një kohëzgjatje prej 30 ditësh – një lëshim i dukshëm ky ndaj rivalëve – gjë që do të lejonte që zgjedhjet të thirreshin sipas planit, në dhjetor.

Zoti Poroshenko tha të hënën se synonte të deklaronte ligjin e luftës “për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Ukrainës mes agresionit në rritje dhe të një veprimi të ftohtë agresioni nga ana e Federatës Ruse”. Ai shtoi se Ukraina ka në plan “të vazhdojë t’u përmbahet të gjitha detyrimeve ndërkombëtare”.

Zoti Poroshenko po kërkon që Rusia të lirojë menjëherë detarët dhe anijet e Ukrainës.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën për shkelje të normave ndërkombëtare me “metoda të rrezikshme që krijuan kërcënime dhe rreziqe për lëvizjen normale të anijeve në zonë”.

Kreu i NATO-s Jens Stoltenberg gjithashtu i bëri thirrje Rusisë të hënën për të liruar anijet e marinës ukrainase duke thënë se “nuk ka asnjë justifikim” për veprimet e Moskës.

“Ajo që pamë dje ishte shumë serioze,” tha zoti Stoltenberg pas një takimi urgjent të aleancës ushtarake perëndimore të mbajtur mbi Ukrainën me kërkesë të posaçme.

MARRËDHËNIE TË ACARUARA

Rusia ndërkohë shpërfilli thirrjet perëndimore për të liruar tre anijet ukrainase. Ministri i Jashtëm rus, Lavrov akuzoi Ukrainën se po provokon, duke shkelur parimet kyçe të ligjit ndërkombëtar.

“Ka shkelje të vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar humanitar në Ukrainë, edhe pa ligjin e luftës: bombardime të zonave të banuara dhe infrastrukturës sociale, vrasje të civilëve. Dhe me shpalljen e ligjit të luftës mendoj se këta radikalë nacionalistë do të ndjehen krejtësisht të lirë të veprojnë. U bëjmë thirrje mbështetësve perëndimorë të Kievit, të qetësojnë ata që po përpiqen të sigurojnë avantazhe politike nga histeria ushtarake për shkak të zgjedhjeve që po afrohen apo ngjarjeve të tjera në vend”, tha ai.

Incidenti i së dielës filloi kur një rimorkiator ukrainas po shoqëronte dy anije të marinës nga porti i Odesës në Detin e Zi për në portin ukrainas në Mariupol, në Detin Azov nëpërmjet ngushticës Kerç.

Ngushtica Kerç, është kalimi i vetëm ndërmjet dy deteve.

Një traktat i viti 2003, i përcakton Detin Azov dhe ngushticën Kerç, si ujëra të përbashkëta territoriale.

Rusia tha se anijet ukrainase shkelën në ujërat e saj territoriale dhe akuzoi Ukrainës se nuk e ka informuar që anijet po planifikonin të lundronin nëpërmjet ngushticës – pohime këto që u hodhën poshtë nga Ukraina.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Ukrainës janë përkeqësuar që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë dhe nxiti një konflikt separatist pro-rus në Ukrainën lindore në vitin 2014. (voa)

Evropa Çfarë parashikon Brexiti?

LondraPresidentët dhe kryeministrat e 27 vendeve të mbetura të BE e kanë miratuar marëveshjen me Londrën. Një problem i madh mbetet nëse marrëveshja do të miratohet edhe në Londër.

Marrëveshja për ndarjen mes Beritanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian parashikon një fazë kalimtare deri në fund të vitit 2020. Gjatë kësaj periudhe Britania e Madhe do të ketë qasje në tregun e brendshëm të BE dhe nuk do të ketë dogana shtesë. Marrëveshja rregullon edhe të drejtat e qytetarëve nga të dyja anët, kërkësat financiare ndaj Londrës dhe çështjen e kufirit mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës. BE i ka ofruar Britanisë së Madhe një lloj partneriteti “të ndershëm” ekonomik dhe politik.

Përfaqësuesi i BE në negociatat për Brexit, Michel Barnier, thotë se marrëveshja “është një hap i domosdoshëm për rikthimin e mirëbesimit mes BE dhe Britanisë së Madhe.” Edhe pas Brexiit raportet mbeten shumë të ngushta: “Ne do të mbetemi partnerë dhe miq.”

Presidenti i Parlamentit Evropian Antonio Tajani, thotë se edhe PE qëndron pas kësaj marrëveshje. “PE e mbështetë këtë marrëveshje”, thotë Tajani. Deputetët e PE do të debatojnë dhe votojnë për këtë çështje në janar dhe në shkurt. Paketa e masave duhet të miratohet në PE dhe në Parlamentin britanik. Në Londër deri tani nuk ka ndonjë shumicë të qartë për këtë marrëveshje.

“Marrëveshja për një të ardhme më të mirë”

Para samitit BE-BM, kryeministrja britanike May i ka dërguar një letër kombit të saj, me të cilën kërkon mbështetje për marrëveshjen me Brukselin. Marrëveshja e respekton rezultatin e referendumit dhe paraqet një bazë të mirë për “një fillim të ri dhe pajtim”, shkruan May. Marrëveshja duhet të miratohet nga Parlamenti në Londër.

Marrëveshja është në interesin e kombit, si për kundërshtarët ashtu edhe për ata që mbështesin Brexitin, pohon May. “Kjo është një marrëveshje për një të radhme më të ndritshme, një marrëveshje e shansave të reja.” Parlamenti britanik do të votojë për këtë marrëveshje brenda disa javësh. May thotë se ajo do të angazhohet për këtë marrëveshje “me mish e me shpirtë”.

“Plani B”?

May i është drejtuar kohët e fundit disa herë përfaqësuesve të ekonomisë dhe opinionit britanik. Mediat britanike janë të mendimit se ajo në këtë mënyrë do të shtojë presionin ndaj Parlamentit. Krahas opozitës edhe konservatorët e ngurtë kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër marrëveshjes.Për këtë marrëveshje do të votohet në BM në pjesën e parë të dhjetorit. Por gazeta “Sunday Telegraph” shkruan se diaplomatët e BE dhe përfaqësuesit e BM janë duke përgatitur në mënyrë sekrete edhe një “Plan B”, në rast dështimi të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

bc/sti/ehl (afp, dpa, rtr)

Çfarë nënshkruan qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës?

Rama RamushiKosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar në Pejë disa marrëveshje me të cilat brenda gjashtë muajve unifiohen doganat, hiqet romingu dhe parashikohen masa të tjera.

Me disa marrëveshje të nënshkruara dhe me një fotografi të përbashkët me shenja duarsh që simbolizon shqiponjën, përfundoi mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila u mbajt në qytetin e Pejës. Kjo është mbledhja e pestë më radhë e përbashkët e dy qeverive, e cila ka nxitur reagime të ashpra në Beograd. Por pavarësisht reagimeve në Beograd, qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë, u pajtuan që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e romingut dhe të heqin tarifat doganore. Kjo duhet të ndodhë më së largu deri në qershor të vitit 2019.

Haradinaj: Konkretizimi i prioriteteve

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se Kosova dhe Shqipëria po konkretizojnë prioritet e vena kohë më parë.

“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria çdo herë mund të llogarisë me Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën. Por edhe Kosova çdo herë ka llogaritur dhe llogaritë me Shqipërinë”, tha Ramush Haradinaj. Ndërsa kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e quajti taksën e vendosur nga Kosova për produktet e Serbisë, si një “përgjigje racionale politike ndaj veprimeve iracionale të Serbisë”. Rama kritikoi ashpër Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës.

“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, tranzitit me 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën, e do të ndërmarrim edhe hapa të tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor”, theksoi Rama. Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se “kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel, është i mirëpritur të vij, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim.” Serbia e para, sipas tij, duhet të ndjekë shembullin e këtij bashkëpunimi.

Rama: T’i jepet fund pulitikës së thikave pas shpine

Kryeministri i Shqipërisë kërkoi nga qeveria e Kosovës që së bashku me atë të Shqipërisë, ta bëjnë një fond të përbashkët për funksionimin e politikës së jashtme, me qëllim që të “ndihmohet integrimi i këtsre dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025”. Sa i përket taksave ndaj Serbisë, Rama tha se ato nuk kanë kurfarë logjike ekonomike. Por kjo ishte përgjigja e “vetme e mundshme politike e Kosovës”, sese Serbia po vazhdon me politikën iracionale “të futjes së thikës pas shpine”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka quajtur “hipokrizi”, mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Sipas Vuçiqit, “përderisa Kosova ka vendosur taksë doganore 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, në anën tjetër me Shqipërinë po tenton t’i heqë kufijtë dhe taksat për mallrat e Kosovës, pra të heqë barrikadat ekonomike. Ky është kulmi i hipokrizisë, jo vetëm për shqiptarët që jetojnë në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe për të gjithë ata që e lejojnë një gjë të tillë”, citojnë mediet në Serbi të ketë thënë Vuçiq.

Marrëveshjet e nënshkruara

Mbledhja e përbashkët e qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, është e pesta më radhë që nga viti 2014. Janë nënshkruar edhe një sërë marrëveshjes tjera. Por sipas njohësve të çështjeve rajonale, shumë nga këto marrëveshje kanë mbetur vetëm të shkruara në letër.

Marrëveshjet e nënshkruara në Pejë, në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, parashikojnë lehtësime të shumta në raprotet mes këtyre dy vendeve. Ato duhet të futen në fuqi më së largu deri në qershor të vitit 2019.

Marrëveshjtet e nënshkruara janë:

Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming.

Protokolli për Kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë.

Marrëveshja për bashkëpunimin në fushën e borxhit publik.

Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Agjencive për pronësinë industriale.

Protokolli ndërmjet dy ministrive të Bujqësisë

Marrëveshja për bashkëpunim në fushën e Rinisë.

Marrëveshja për nxitjen e biznesit dhe të informimit të diasporës.

Rama: Taksa e Kosovës ndaj Serbisë – përgjigje politike

Rama RamushKryeministri i Shqipërisë Edi Rama, tha të hënën se taksa e Kosovës ndaj mallrave serbe është përgjigje politike ndaj veprimeve të Serbisë, ndërsa kritikoi Bashkimin Evropian për qasjen ndaj Kosovës.

Ai i bëri këto komente në mbledhjen e përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë që u mbajt në Pejë, rreth 80 kilometra në perëndim të Prishtinës. Të dy qeveritë nënshkruan një varg marrëveshjesh dhe u pajtuan që brenda gjashtë muajsh të heqin tarifat doganore, të bëjnë bashkimin doganor dhe të heqin tarifën e romingut në telekomunikime.

Kryeministri Edi Rama, tha se Kosova është “shëmbëlltyra më kuptimplotë e dëshirës për paqe dhe shprehja më rrezatuese e respektit për pakicat kombëtare dhe mishërimi i vullnetit për bashkëpunim, dialog dhe ndërveprim të sinqertë”. Ai e quajti sfiduese qajsen e Serbisë për pengimin e Kosovës në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare dhe për nxitjen e tërheqjes së njohjeve të Kosovës.

Ai tërhoqi vërejtjen në siç tha, goditjet pas shpine të Serbisë ndaj Kosovës, të cilat sic tha, i japin shpjegim tarifës 100 për qind ndaj prodhimeve serbe.

“Është një vendim irracional në kushte normale, por krejt normal në kushte irracionaliteti si ato që përvijon vijimësisht qasja e dyfytyrtë e Serbisë. Kush e sheh tarifën 100 për qind si vendim ekonomik – gabon. Jo. Tarifa 100 për qind është një reagim politik ndaj ekseseve të vazhdueshme të një sjelljeje supremaciste të Serbisë ndaj Kosovës”, tha ai.

Qeveria e Kosovës vendosi të mërkurën që të rrisë në 100 për qind taksën për mallrat e importuara nga Serbia, vetëm dy javë pasi kishte nxitur reagime të ashpra të Beogradit por edhe të Bashkimit Evropian me një taksë prej 10 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Vendimi i së mërkurës shtoi tensionet në marrëdhëniet edhe ashtu shumë të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Beogradi, i cili eksporton ne Kosovë mallra në vlerë prej rreth 400 milionë eurosh në vit, kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdim të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat edhe ashtu ishin ngrirë që më parë kur qeveria e Kosvës vendosi një taksë prej 10 për qind për mallrat serbe si kundërvënie ndaj fushatës së Beogradit për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. (voa)