Kthehet rivaliteti gjeopolitik i fuqive të mëdha në Ballkan

Presidenca e BosnjesPresidenca e Bosnjes

Ballkani po tërheq interesin e fuqive të huaja. Por disa prej tyre duket se e shohin rajonin më tepër si një gur shahu në lojën e madhe gjeopolitike. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jamie Dettmer njofton nga qyteti i Banja Lukës në Bosnje.

Duket një vend i çuditshëm për të ndërtuar një kishë ortodokse të stilit rus, një fshat i largët në mes të këtij rajoni serb gjysmë autonom në Bosnje. Mungesa e mundësive ekonomike ka bërë që vetëm një numër i vogël banorësh të mbetet këtu.

Banori që e ka ndërtuar atë shpreson që tani të vijnë turistë.

Moska e ka inkurajuar ndërtimin e kishës. Ambasadori rus në Bosnje e vizitoi kishën këtë vit, si pjesë e strategjisë së re të influencës së Kremlinit në Ballkan.

Por jo të gjithë mendojnë se roli i Moskës në Ballkan është altruist, apo konstruktiv.

Sefik“Rusia ka disa ambicie të tjera. Rusia nuk e mbështet rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO, një qëndrim që ne e kemi dëgjuar hapur dhe ky është një problem në marrëdhëniet tona”, thotë anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës, Sefik Dzaferoviç.

Në një mural thuthet “Krimeja është ruse, Kosova është serbe”. Nacionalistët serbë e shohin Rusinë si aleat të tyre të natyrshëm për shkak të një trashëgimie të përbashkët ortodokse të krishterë dhe sllave.

Moska ka përdorur fuqinë e butë për të nxjerrë në pah lidhjet historike mes Rusisë dhe Sllavëve në Ballkan të cilët janë pjesë e kishës Ortodokse Lindore. Muajin e kaluar Rusia dërgoi klerikët ortodoksë dhe personalitetet e Kremlinit, duke përfshirë edhe ministrin e jashtëm Sergei Lavrov, në ceremoninë e përurimit të një kishe të re ruse dhe një qendre kulturore në Banja Lukë.

Viktor SafyanovViktor Safyanov, bashkë-drejtues i qendrës serbo-ruse në Nish të Serbisë

Në Serbinë fqinje, Rusia ka ndërtuar një qendër ndihmash dhe trajnimi për reagime ndaj fatkeqësive natyrore. Mediat shtetërore ruse kanë transmetuar raporte anti-NATO në gjuhën serbe dhe Kremlini i ka dhënë Beogradit avionë luftarakë MiG të epokës sovjetike.

Diplomatët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në referendumin e 30 shtatorit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke penguar një përpjekje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve 27-vjeçare me Greqinë fqinje, që do t’i hapte rrugën anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.

“Konkurrenca gjeopolitike është kthyer me një forcë të madhe në Evropën Juglindore. Ne jemi shumë të ndjeshëm ndaj rolit që Rusia vazhdon të luajë në këtë rajon”, thotë Geoffrey Pyatt, Ambasador i Shteteve të Bashkuara në Greqi.

Perëndimi po investon shumë më tepër në Ballkan sesa Rusia, gati 12 miliardë dollarë në ndihma, investime dhe tregti vetëm nga vendet evropiane. Dhe shumë banorë të Ballkanit janë veçanërisht të interesuar për anëtarësimin e vendeve të tyre në Bashkimin Evropian. Dëshira për anëtarësim në BE është aq e madhe sa që disa politikanë nacionalistë serbë, edhe pse jo të gjithë, e mbështesin këtë.

“Është e natyrshme që Republika Serbe dhe Bosnje-Hercegovina të aspirojnë anëtarësimin në BE”, thotë politikani i sërbëve të Bosnjes, Nikola Saric.

Sondazhet sugjerojnë se përpjekjet e Rusisë në Ballkan nuk janë aq të suksesshme. Sipas një sondazhi të organizatës Gallup, shumica e njerëzve në Ballkanin Perëndimor besojnë se ata do të përfitonin nga anëtarësimi i vendeve të tyre në BE. (voa)

Gruevski: E ndihmoi Hungaria ish-kyeministrin maqedonas të arratiset?

Gruevski OrbanQeveria e Viktor Orbanit e mohon, por hulumtimet e Deutsche Welles tregojnë se Hungaria ndihmoi ish-kryeministrin e dënuar maqedonas, Nikola Gruevski të dalë nga vendi. Tani qeveria maqedonase është përpara një dileme.

Arratisja e ish-kryeministrit maqedonas nga vendlindja e tij në Hungari i ngjason një filmi thriller politik. Madje edhe mbrojtësi i shenjtë i deklaruar i Nikola Gruevskit, Viktor Orban, e quan atë, me njëfarë moskokëçarjeje, një “histori interesante, emocionuese sa të gjithë thrillerët. “Shumica e detajeve të këtij krimi janë të njohura dhe të konfirmuara zyrtarisht: Gruevski dënohet me dy vjet burg për korrupsion dhe janë duke u zhvilluar edhe procese të tjera për të. Ai në vend që të shkojë në burg në Shkup, paraqitet më 10 nëntor në ambasadën hungareze në Tiranë. Të nesërmen ai u shoqërua nga diplomatë hungarezë me automjete ambasade nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në Hungari, ku mbërriti në mëngjesin e 12 nëntorit. Megjithatë, është e paqartë se si Gruevski iku nga Maqedonia në Shqipëri.

Qeveria maqedonase e ka të vështirë dhënien e përgjigjes. E nuk është për t’u habitur, sepse pavarësisht si është ajo, ngjarja hedh dritë të errët mbi kabinetin e reformave nën udhëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev. Ose qeveria e tij nuk ishte aq sa duhet kompetente për të mbikqyrur Gruevskin, pavarësisht qëllimeve të tij të njohura të largimit, ose ajo në heshtje e la të shpëtojë të pandehurin e dënuar. Veçanërisht e pakëndshme është që këtë të enjte, Parlamenti Evropian do ta diskutojë situatën në Maqedoni dhe poashtu rasti i Grusevskit do të diskutohet.

Katër apartamentet e Gruevskit – dy si adresa fiktive?

Një ekip hulumtues i Deutsche Welle-s ka mbledhur të dhënat rreth arratisjes së ish-kryeministrit nga Maqedonia në Shqipëri. Sipas hulumtimeve, ish- kryeministri maqedonas në rrethin e tij personal kishte lënë përshtypjen se po përgatitej për burgimin e tij, ndërsa në të vërtetë ai po përgatitej të ikte në Hungari nëpërmjet Shqipërisë. Sipas hulumtimit, edhe diplomatët hungarezë mund t’i kenë ndihmuar atij.

Gazetarët e Deutsche Welle-s biseduan me fqinjët e Gruevskit, me punonjës të Hotel Marriot në Shkup, ku për herë të fundit është parë Gruevski, me punonjës nga Departamenti i Ruajtjes së Personave të Ministrisë së Brendshme, të cilët gjithashtu janë përgjegjës për Gruevskin, si edhe punonjës të autoriteteve financiare dhe gjyqësore.

Sipas informatave të Deutsche Welles, Gruevski ka përdorur në shtëpinë  e tij në qendër të Shkupit në total katër apartamente, edhe pse zyrtarisht vetëm dy i takojnë atij. Dy të tjerat ai mund t’i ketë përdorur për të fshehur vendqëndrimin e tij përpara fillimit të arratisjes. Në ditët para arratisjes së tij, Gruevski thuhet se i ka shtruar gjashtë truprojave të tij pyetje të shumta lidhur me logjistikën e burgjeve maqedonase dhe i ka këshilluar ata të blejnë rroba të përshtatshme për burgjet. Prandaj, ata kishin përshtypjen se ai donte të fillonte paraburgimin e tij. Kontakt me ta kishte së fundi ai kishte në mbrëmjen e 8 nëntorit. Në të njëjtën kohë, Gruevski në ditët para arratisjes kishte tërhequr një shumë totale prej rreth 100,000 eurosh nga xhirollogaria e tij maqedonase.

Së fundi, një dëshmitar, të cilin Deutsche Welle e intervistoi, thotë se e ka parë Gruevskin në mbrëmjen e 8 nëntorit, kur u largua nga Hotel Marriot në Shkup, i cili është në pronësi të kushëririt të Gruevskit, Sasho Mijalkov, ish-shefit të përfolur të shërbimit të fshehtë të Maqedonisë. Mijalkov jetonte në hotel deri në arrestimin e tij më 21 nëntor. Disa burime ia konfirmojnë Deutsche Welles se në tre javët e fundit në parkimin nëntokësor të Marriotit kaqnë qenë disa herë automjete të misionit diplomatik të Hungarisë në Beograd. Me kërkesë të Deutsche Welles, një zëdhënës i qeverisë hungareze nuk donte ta komentonte këtë informacion. Ai iu referua deklaratave të mëparshme se qeveria hungareze nuk ishte e përfshirë në ikjen e Gruevskit nga Maqedonia në Shqipëri.

“Rruga e Gruevskit duket e organizuar”

Politologu dhe eksperti i politikës së jashtme, Andras Racz nga Instituti i Politik i Kryeqytetit në Budapest, megjithatë e konsideron këtë të paimagjinueshme. “Rruga e Gruevskit nga Ambasada në Tiranë nëpërmjet Malit të Zi dhe Serbisë në Hungari duket shumë mirë e organizuar”, thotë Racz. “Duke pasur parasysh këtë, sipas mendimit tim do të ishte e çuditshme, nëse qeveria hungareze nuk e ka ndihmuar Gruevskin edhe për arratisjen nga Maqedonia ose të paktën ka qenë informuar për detajet. ”

Ky është edhe qëndrimi i politikanes së opozitës dhe anëtares së pavarur të parlamentit, Bernadett Szel. „Në mozaikun e informacioneve, pohimi i qeverisë se ata nuk kishin të bënin asgjë me ikjen e Gruevskit nga Maqedonia, është i diskutueshëm, “thotë Szel. Javën e kaluar, Szel i kërkoi autoritetit hungarez të azilit, BMH për detaje të procedurës së azilit të Gruevskit, si deputete, ajo e ka këtë të drejtë.

Konkluzioni i saj: “Nuk ka asnjë bazë ligjore për transferimin e Gruevskit përmes tre vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe hyrjen e tij në Hungari. Për këtë nevojiten vendime politike dhe një organizim në kohë dhe me kujdes i ikjes së tij, në mundësisht të gjitha segmentet e itinerarit të të udhëtimit.”

Problemi i Maqedonisë me NATO-n

Qeveritë e të dyja vendeve, veçanërisht ajo maqedonase nga informacionet e reja po futen gjithnjë e më shumë në dilemë. Për Maqedoninë është planifikuar në vitin e ardhshëm pranimi në NATO dhe fillimi i bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Frika e Maqedonisë: Hungaria mund të bllokojë të dyja proceset, në qoftë se qeveria e Zaevit ushtron shumë presion publik për çështjen Gruevski.  “Greqia ka bllokuar aspiratat euroatlantike të Maqedonisë për dy dekada”, shpjegon situatën gazetari maqedonas Saso Ordanoski. „Një Greqi tjetër nuk i duhet Maqedonisë, dhe Orban e di këtë “.

Politologu hungarez, Andras Racz beson se as Hungaria nuk është e interesuar për një përshkallëzim të situatës. „Deri tani, Hungaria ka pasur një politikë ballkanike koherente dhe pragmatike”, thotë Racz. “Një bllokadë kundër Maqedonisë do ta dëmtonte Hungarinë në BE dhe në rastin e NATO-s do të provokonte edhe SHBA-në. Kështu qeveria e Orbanit po përpiqet ta minimizojë çështjen dhe ta reduktojë atë thjesht në një çështje ligjore.”

(dw/Keno Verseck, Boris Georgievski )

NASA dërgon në Mars sondën InSight.

InSight 1NASA uli të hënën pasdite në planetin Mars një tjetër sondë të quajtur InSight.

Sondës iu desh të përshkonte atmosferën marsiane brenda një kohe prej 7 minutash, që u quajtën nga specialistët “shtatë minutat e tmerrit”.

Për NASA-n, kjo shënon uljen e tetë në Mars. Misioni dyvjeçar i sondës InSight ka filluar, dhe përfshin analizën e tërmeteve për të mësuar rreth botës së brendshme të planetit. (voa)

NASA dërgon në Mars robotin e misionit “InSight”

InSightShtetet e Bashkuara po dërgojnë një robot tre këmbësh me një krah lëvizës në sipërfaqen e Marsit. Roboti pritet të zbresë në Planetin e Kuq të hënën. Ai do të jetë në gjendje të gërmojë në një thellësi prej pesë metrash nën sipërfaqen e Marsit dhe do të dërgojë të dhëna për studime të mëtejshme nga shkencëtarët e Agjencisë Kombëtare të Hapësirës dhe Aeronautikës, NASA:

Ky do të jetë një hap i madh në misionin “InSight” të NASA-s, i cili kushton rreth 1 miliard dollarë.

“Ne kemi qenë duke udhëtuar për në Mars për rreth shtatë muaj. Kemi bërë disa prova dhe manovrime për korrigjimin e trajektores, që të arrijmë në pikën e duhur të atmosferës, në mënyrë që ulja e robotit të bëhet në vendin ku duam ne, në planetin Mars”, thotë Tom Hoffman, Menaxher i Projektit të NASA-s, “InSight”.

Ulja në Mars është gjithmonë e rrezikshme, thonë shkencëtarët e NASA-s. Pjesa më e vështirë e misionit të ditës së hënë do të jetë ulja gjashtë minutëshe e automjetit që po transporton robotin.

Roboti do të gërmojë më thellë në Planetin e Kuq, sesa sondat e tjera para tij, në qoftë se shkëputja e tij nga automjeti ulës është e suksesshme.

Misioni i “InSight” në Mars mund të zgjasë të paktën dy vjet.

Të dhënat që ai do të mbledhë do të dërgohen në Tokë, ku do të studjohen nga shkencëtarët e NASA-s.

Në misionin “InSight” të NASA-s marrin pjesë edhe specialistë europianë: Gjermania është përgjegjëse për shpuesin mekanik të projektuar për të çarë pesë metra në thellësi të sipërfaqes së Marsit, për të marrë mostra dheu dhe për të matur temperaturën nëntokësore, ndërsa Franca menaxhon sizmometrin e instaluar në këmbët e robotit, që do të monitorojë tërmetet. (voa)

OKB: Maqedonia në vendin e 24 për nga rënia e popullsisë

ShkupiMaqedonia, për shkak të emigrimit dhe nivelit të ulët të lindjeve, ka humbur 28.8 për qind të popullatës së saj “maksimale”, sipas raportit të fundit të OKB-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ky rezultat e vë Maqedoninë në vendin e 24 në botë, ndërsa Moldavia është e para, Bullgaria e dyta, Bosnja dhe Hercegovina është e treta në listë për nga rënia e popullsisë. Moldavët mbajnë vendin e parë me një rënie prej 53% të popullsisë. Greqia është gjithashtu përpara Maqedonisë, e cila ka një rënie pak më shumë se 31% të popullsisë.

Maqedonia renditet e 24 pas rënies së popullsisë me 28.8%, dhe qëndron prapa El Salvadorit, dhe para Trinidadit dhe Tobakos, vendet e Amerikës Qendrore dhe Karaibeve. Humbjet më të mëdha të popullsisë ka në Evropën Lindore, por edhe disa vende aziatike si Kina dhe Japonia. /Telegrafi/

SHBA, publikohet raporti i ri për ngrohjen globale

akullSipas një raporti të qeverisë amerikane, në Shtetet e Bashkuara është duke u shtuar ndikimi i ndryshimeve klimatike, që shihet konkretisht në stuhitë e fuqishme, thatësirat dhe zjarret në pyje,

Raporti, i hartuar me ndihmën e më tepër se 12 agjencive dhe departamenteve qeveritare, shpesh bie ndesh me politikën e Presidentit Donald Trump, i cili është tërhequr nga marrëveshja për mbrojtjen e mjedisit dhe klimës, me qëllimin për të rritur në maksimum prodhimin e karburanteve fosile në vend. Zoti Trump dhe disa anëtarë të kabinetit të tij kanë hedhur vazhdimisht dyshime mbi përcaktimin shkencor të ndryshimeve klimatike duke thënë se shkaqet nuk janë përcaktuar ende.

Raporti që u publikua me miratimin e Kongresit amerikan, u publikua të premten disi në heshtje, në fundjavën e festës së Ditës së Falenderimeve.

Shtëpia e Bardhë e kritikoi raportin si të pasaktë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Lindsay Walters i tha agjencisë Reuters se raporti “bazohet së tepërmi në skenarin më ekstrem, në kundërshtim me prirjet e përcaktuara prej një kohe të gjatë, duke supozuar që …do të kishim teknologji dhe novacione të kufizuara dhe një shtim të madh të popullsisë.”

Në raportin “Vlerësim për Klimën Globale”, prej më tepër se 1 mijë faqesh, paralajmërohet se ka për të patur fatkeqësi natyrore më të fuqishme dhe më afatgjata, të shkaktuara të paktën pjesërisht, nga ngrohja globale. (voa)

Evropa ime: Paqja e akullt e Bosnjës

Zeljko Komsic, Milorad Dodik, Sefik DzaferovicTë bashkuar me mosbesim: Treshja presidenciale në Bosnjë, Zeljko Komsic, Milorad Dodik, Sefik Dzaferovic

Dikur viktimë e luftës, sot Bosnja po bëhet pre e harresës. Një gabim, mendon Norbert Mappes-Niediek, sepse konflikti ndërmjet serbëve, kroatëve dhe myslimanëve nuk po zgjidhet.

Jo përditë, por për çdo vit në Bosnjë del marmota dhe dëgjojmë se vendi nuk mban më dhe mund të plasë lufta sërish. Nuk ka vit që kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, të mos kërcënojë me diçka. Ose me ndonjë referendum për shkëputjen e serbëve, ose me tërheqjen e  përfaqësuesve dhe nëpunësve serbë nga qeveria qendrore. Dhe tani ai  po kërcënon se nuk do t’i respektojë më vendimet që  treshja presidenciale i merr me shumicë votash.

U bënë mbi 20 vjet që Dodiku kërcënon. Por asgjë nuk ka ndryshuar, as për keq, por edhe – dhe ky është sekreti i provokimeve të vazhdueshme – as për mirë. Secili komb i shtetit katërmilionësh boshnjak: myslimanët, serbët dhe kroatët, kanë frikë nga dominanca e tjetrit. Rezultati është një bllokadë e gjerë e institucioneve që hapet vetëm rrallëherë dhe me shumë presion. Dhe është garancia më e mirë për pushtetin e një marmote, siç është Milorad Dodik.

Mosbesim i pakufi

Në Bosnjë ekziston një mosbesim i madh – dhe jo pa shkak. Në luftën e zhvilluar prej vitit 1992-1995 luftuan në fillim serbët kundër aleatëve boshnjakë dhe kroatë, pastaj u bashkuan serbët dhe kroatët kundër boshnjakëve. Ndërkohë është ngritur një komb i tërë, shumë më i ndarë sipas kombësisë se brezat paraardhës. Por sot as frika – para së gjithash e serbëve, por edhe e kroatëve – nga predominimi i të tjerëve nuk është joracionale.

Jo vetëm në Bosnjë, por në të gjithë botën dhe te fuqitë e mëdha mbikëqyrëse në Europë, serbët janë humbësit moralë. Edhe pse janë shumë të rij për të qenë fajtorë në luftë, ata kanë frikë nga trajtimi i pabarabartë dhe keqtrajtimi. Vetëm lufta mund të përjashtohet me siguri, sepse vendi është në depresion. Boshnjakët, serbët dhe kroatët më përpara mbledhin plaçkat  dhe shkojnë të rrinë paqësisht pranë njërit-tjetrit në autobus për Stuttgart,  Köln ose Vjenë, sesa të mobilizohen për luftë.

Të frustruar nga bllokadat dhe ngadalësia e përparimeve jo vetëm në Bosnjë, disa politikanë dhe diplomatë europiano-perëndimorë kanë dalë me receta të vjetra – ushqim për marmotat. A nuk do të ishte më mirë sikur t’i ndanim etnitë, sepse është shumë e qartë që ato nuk bëhen dot me njëra tjetrën? Kështu edhe propozimi i presidentit të Serbisë dhe Kosovës, për të shkëmbyer territore, është dëgjuar me interesim dashamirës në shumë vende evropianoperëndimorë. A nuk është gjithçka më mirë, kur serbët dhe shqiptarët janë veç e veç, sesa të rrinë bashkë duke përgjuar papushim njëri-tjetrin? Hesape të ndara, miq të mirë: Kjo moto ka nisur të ketë gjithnjë e më shumë simpatizantë, sidomos në Bosnjë.

As hesape të ndara, as miq të mirë

Aty etnitë prej shumë kohësh janë të ndara faktikisht. Gjërat e përbashkëta, për të cilat duhet të bien dakord se si t’i administrojnë, janë shumë më të pakta se sa për shembull ato gjëra që ndajnë vendet e BE-së. Edhe Bosnja-Hercegovina është një shembull që e dëshmon më së miri se hesapet e ndara nuk garantojnë asnjëherë “miqësi të mirë”.

Me monoetnicitetin e arritur gjatë luftës, pjesa serbe nuk është bërë aspak më demokratike. Përkundrazi: përsa kohë që këtu institucionet e ndryshme duhet të merren vesh me njëri-tjetrin, janë të nevojshme institucione dhe procedura demokratike. Tani, meqë serbët janë “më vete”,  prandaj edhe lejojnë t’i qeverisë Milorad Dodik në stilin e një babai patriarkal: pa u kundërshtuar, pa opozitë serioze. Jo më kot ai i ndërron postet e kushtetutës:  herë bëhet kryetar qeverie i republikës së tij, herë president, herë anëtar i presidiumit të shtetit. Dhe pak të ngrihen në këmbë fëmijët e vendit, mjafton një provokim ndëretnik dhe të gjithë së bashku struke nën mbrojtjen e babait të madh të kombit.

Ndarjet etnike, siç na e tregon edhe shembulli i Bosnjës, nuk sjellin asgjë. Përkundrazi.  Edhe në vendet fqinje Serbi dhe Kroaci shndërrimi në shtet kombëtar nuk ka sjellë as lulëzimin e demokracisë dhe as fqinjësinë e mirë. Me Aleksandar Vuçiçin qeveris në Beograd sërish një burrë i fuqishëm, i cili arrin t’i japë vetes vazhdimisht pushtetin që i nevojitet me ngacmime të dozuara mirë ndaj Kosovës. Në Kroacinë tashmë thuajse tërësisht monoetnike, nacionalizmi dhe urrejtja ndaj pakicës serbe janë ndoshta edhe më të mëdha se në kohën e luftës.

Perspektiva evropiane

Bashkimi Evropian për çdo afrim të mëtejshëm u vë boshnjakëve si parakusht që së pari të sqarohen me njëri-tjetrin. Të krijojnë institucione të forta dhe të konsolidohen si shtet. Përpjekjet për të disiplinuar Dodikun autoritar nuk kanë munguar nga ana e fuqive mbikëqyrëse evropiane, por të gjitha kanë dështuar para mekanizmave të frikës. Shpresat se brezi i ri mund ta ndryshojë këtë gjendje janë zhgënjyer.

Kjo vërtet që  kërkon një zgjidhje tjetër. Por në vend që të mbështesë ndarje të mëtejshme etnike, Evropa duhet të ketë besim te zgjedhja e vet: që t’i vërë konfliktet lokale në kontekste më të mëdha në mënyrë që atyre t’u bjerë vlera, të mundësojë diversitet, të forcojë të drejtat individuale. Në një kontekst më të madh, siç ishte ish-Jugosllavia, boshnjakët e të gjitha kombeve kanë jetuar pa probleme. Një Evropë e bashkuar mund të përbënte një kornizë të re. Parakusht është që ajo të ketë besim te vetja.

Norbert Mappes-Niediek jeton në Graz të Austrisë dhe është korrespondent i Evropës Juglindore për një numër gazetash në gjuhën gjermane.

Shqipëri: Basha-Rama, akuza të ndërsjellta për protestën e dhunshme

protestaNë Shqipëri, një ditë pas protestës së dhunshme përpara parlamentit kundër projektit për zgjerimin e Unazës së re, për zbatimin e së cilit parashikohet të prishen ndërtesa të shumta banimi dhe shërbimi, kryetari i opozitës Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama u përfshinë në akuza të ndërsjellta për këtë çështje.

Kryetari demokrat Basha u ndal së pari në projektin e Unazës ku sipas tij nuk ka patur një garë reale për kompanitë që do të kryejnë punimet. Ai tha gjithashtu se çmimi prej 40 milion eurosh është një rekord për nga shtrenjtësia dhe se gjithshka është bërë pa leje ndërtimi në shkelje të ligjit. Ai deklaroi gjithashtu se dhe në rastin e ndërtimeve që duhen prishur, qeveria ka shkelur ligjin dhe se duhet të shpronësojë të gjithë banorët dhe ata që janë në fazë legalizimi. Sipas zoti Basha e gjitha është një aferë korruptive prapa së cilës qëndron kryeministri.

Nga ana e tij zoti Rama, gjatë një takimi në një fshat të Fierit përsëriti se ligji sipas tij është i qartë dhe se aty ku janë gjurmët e projeketeve të rëndësishme ndërtimet nuk mund të legalizohen. Ai akuzoi opozitën se po udhëheq protestën e banorëve për të kërkiar atë që nuk u takon, siç nuk ka ndodhur kurrë më parë, u shpreh zoti Rama, sipas të cilit arsyeja lidhet me interesat politike të opozitës dhe luftën e saj për pushtet.

Gjatë protestës së djeshme para parlamentit 13 efektivë policie u plagosën, mes tyre dhe një punonjëse 24 vjeçare e cila humbi disa nga gishtërinjtë e njërës dorë. Të lënduar pati dhe mes protestuesve. Të paktën 11 persona u arrestuan dje nga policia. (voa)

Kongresi i Manastirit, 110 vite më parë u unifikua alfabeti i gjuhës shqipe

kongresi i ManastiritAlfabeti që përdorim sot, kudo ku flitet shqip, u vendos 110 vite më parë në Manastir. Kongresi i Manastirit, apo i alfabetit siç njihet, u përkujtua me aktivitete në qytetin shqiptar që sot shtrihet në territorin e Maqedonisë, ku njihet me emrin sllav Bitola, ku morën pjesë personalitete mbarëshqiptare.

Në thelb një çështje kulturore, njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe u kthye në një nga problemet më të rëndësishme politike të kohës, që lidhej me identitetin shqiptar dhe bashkimin. Dijetarë e atdhetarë nga vilajetet e Janinës, Shkodrës, Kosovës e Manastirit, por edhe përfaqësues të mërgatës shqiptare në SHBA, në vende të ndryshme europiane, apo në vende të tjera të Perandorisë Osmane, u mblodhën në Manastir për të diskutuar e për të tejkaluar dallimet mes alfabeteve.

Ndasitë mes pjesëmarrësve, politike a ideologjike, krahinore a dialektore apo fetare e kulturore, u lanë mënjanë në emër të shqiptarizmit, që po rrezikohej nga shembja e Perandorisë Osmane, por edhe për shkak të analfabetizmit masiv e mungesës së sistemit arsimor.

Deri në vitin 1908, shqiptarët përdornin disa alfabete. Miratimi i alfabetit të Stambollit, në vitin 1879, nuk arriti ta zgjidhte përfundimisht këtë çështje. Alfabeti i Stambollit u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e atë të Mesme, ndërsa në Shqipërinë e Veriut, në Shkodër përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes: ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit” (i Jezuitëve) dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë.

Që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe dhe greke, më 14 nëntor 1908, në Manastir u mblodhën 160 delegatë me nismën e klubit “Bashkimi” të Manastirit, drejtuesit e të cilit e shpallën zgjidhjen e kësaj çështjeje si detyrën më të ngutshme të lëvizjes kombëtare.

Kongresi u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit; drejtues i Kongresit ishte Mid’hat Frashëri; kryetar i Komisionit për Alfabetin u bë Gjergj Fishta; sekretare ishte Parashqevi Qiriazi; nënkryetarët ishin Grigor Cilka e Luigj Gurakuqi; e anëtarë të tjerë të Komisionit ishin Ndre Mjeda, Hilë Mosi, Thoma Avrami, Nyzhet Vrioni, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Mihal Grameno, Zenel Glina, Leonidha Naçi, Simon Shuteriqi, Dhimitër Buda, Aziz Starova, Adam Shkaba, Mati Logoreci, Rrok Berisha, Shefqet Frashëri, Nikollë Kaçorri, Refik Toptani, Hafëz Ibrahimi, Emin Bej Shkupi, Rauf Bej Gjirokastra, Selahedin Bej Manastiri etj.

Çerçiz Topulli, me çetën e tij u ngarkua me mbrojtjen e kongresistëve. Rilindësit e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe, jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike që pengonte bashkimin e shqiptarëve.

Kongresi njësoi alfabetin me 36 shkronja latine, që e përdorim edhe sot, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të gjithë shqiptarët. Zgjidhja e kësaj çështjeje ndihmoi si në lëvrimin e mëtejshëm të gjuhës e të letërsisë shqipe, ashtu edhe në konsolidimin e unitetit kombëtar dhe të bashkimit politik të popullit shqiptar, duke i dhënë një shtysë historike përhapjes së shkollave dhe mësimit të gjuhës shqipe.

Alfabeti i përbashkët u bë në fakt pararendës i pavarësisë, i shtetit të përbashkët, që u themelua 4 vite më vonë në Vlorë.

Top Channel

Kina sytë nga Hëna, plan për ta “populluar”

projekti kina heneKina planifikon të ndërtojë një pallat në Hënë dhe kur themi pallat, bëhet fjalë për një pallat në kuptimin e plotë të fjalës. Projekti, që është në fazën përfundimtare të studimit, synon ndërtimin e një baze në satelitin tonë të vetëm natyror, për ta shfrytëzuar si pikënisje për misione hapësinore në të ardhmen.

Baza do të ndërtohet si një sistem i ndërlidhur tubacionesh e ndërtesash, ku do të punojnë qindra shkencëtarë dhe energjinë do ta sigurojë nga rrezet e diellit.

Ambicia e Agjencisë Hapësinore Kombëtare kineze është që në vitin 2030 të dërgojë në Hënë një mision me shkencëtarë në bord, që do të shqyrtojnë dhe përzgjedhin terrenin se ku mund të ndërtohet baza.

Më pas, sipas Agjencisë, synohet që brenda dy dekadave të nisë puna për ndërtimin e bazës, punë që do të kërkoj të paktën dy dekada të tjera.

Kina po shfrytëzon boom-in ekonomik për të financuar edhe programin e vet hapësinor dhe për të ngushtuar sadopak hendekun që ka me Shtetet e Bashkuara, ESA-n europian dhe Rusinë.

Ndryshe nga SHBA dhe Rusia, vendi i madh aziatik nuk ka përvojën e tyre në misionet hapësinore. Misioni i parë hapësinor me njeri në bord u ndërmor nga Pekini vetëm në vitin 2003, ku kreu 14 rrotullime rreth orbitës së tokës, ndërsa në 2007 u dërgua sonda e parë e komanduar në Hënë. (tch)