Nesër fillon llogaritja verore e kohës

ora-veroreMe zhvendosjen e akrepave të orës, sonte  përfundon llogaritja dimërore e kohës dhe fillon llogaritja verore.

Vendimin e solli Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 124 sipas së cilës llogaritja verore në vitin 2019 fillon më 31 mars në orën 02:00 me zhvendosjen e akrepave për një orë para ora në orën 03:00 dhe do të llogaritet si ora 03:00,.

Llogaritja verore e kohës mbaron më 27 tetor në orën 03:00, me zhvendosjen e akrepave një orë prapa koha, ku ora 03:00 do të llogaritet si ora 03:00 përsëri.

Miratimi i këtij vendimi, siç thuhet në njoftim, kontribuon në ndjekjen e politikës afatgjate ekonomike të Republikës së Maqedonisë së Veriut për asociim drejt Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e llogarisë për funksionimin e papengueshëm të sektorëve të caktuar jo vetëm për transport dhe lidhje por edhe për sektorë të tjerë të industrisë që kërkojnë planifikim stabil dhe afatgjatë./Telegrafi/

Raporti i DASH, Cakaj: Eshtë realist

CakajNë Shqipëri ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj tha sot se raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve, ofron një pasqyrë realiste dhe është inkurajues për reformat e ndërmarra

Sipas raportit Shqipëria vlerësohet të jetë njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroine, ndërkohë që flet për kontrollin e trafikut të heroinës nga grupet kriminale, korrupsionin e përhapur që kufizon përpjekjet në këtë luftë dhe përparimin e pamjaftueshëm kundër pastrimit të parave.

Për ministrin Cakaj, raporti vë në dukje se sipas tij, “vendi ka shënuar arritje thelbësore në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar” dhe se “bashkëpunimi i qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara është përkthyer në rritje të kapaciteteve për të luftuar korrupsionin”. Zoti Cakaj theksoi gjithashtu se sipas tij “raporti afirmon rezultatet e shënuara në Reformën në Drejtësi”.

Reagimi i ministrit erdhi një ditë pas publikimt të raportit dhe kritikave të forta që pasuan nga ana e opozitës. Kryetari demokrat Lulzim Basha tha dje se raporti është sipas tij një “dokument shkatërrimtar për Shqipërinë, për gjendjen e krimit, drogës, pastrimit të parave, korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes e kapjes së shtetit”.

Ndërsa nënkryetari i LSI-së, Luan Rama u shpreh se “është e turpshme që Shqipëria të vazhdojë të jetë, vendi i akuzuar për trafikun e lëndëve narkotike, pastrimin e parave, korrupsionin dhe për rolin esaj si një vend ndërmjetës për trafikun e drogërave të forta, e për krimin e organizuar”.

voa

Shkencëtarë gjermanë zbulojnë substancën që vret qelizat e kancerit

qelize kanceriSubstanca përdor një mekanizëm në sipërfaqen e qelizave të kancerit që i bën ato më pas të shuhen. Tani do të hulumtohet nëse funksionon edhe jashtë laboratorit

Studiuesit kanë zbuluar në sipërfaqen e limfomave një kompleks proteinash që dëmton qelizat kanceroze. Përdorimi i saktë i mekanizmit në sipërfaqen e qelizave të kancerit, çon në vdekjen e tyre. Nuk është ende e qartë se përse qelizat e kancerit e kanë lënë të hapur këtë “derë”. Megjithatë, studiuesit e Universitetit të Bonit dhe kolegët e tyre në kompaninë amerikane Caris Life Sciences kanë zbuluar çelësin e kësaj dere, të ashtuquajturin aptamer. I përdorur siç duhet, ai bëhet  fatal për qelizat e kancerit.

Aptameret janë sekuenca të shkurtra të ADN-së që – varësisht nga radhitja e njësive ndërtimore gjenetike (nukleotide)- mund të kombinohen në forma të ndryshme. Günter Mayer, profesor i biologjisë kimike në Universitetin e Bonit dhe kolegët e tij kanë zbuluar pikërisht aptamerin e duhur.

Studiuesit duan të studiojnë tani se përse qelizat kanceroze mbajnë mbi sipërfaqen e tyre proteina që shkatërrojnë vetë qelizën. Për këtë ka disa teori. Mayer thotë se kjo mund të vijë nga fakti që proteinat përdoren për të komunikuar me qelizat e tjera dhe për të përhapur tumorin. Derisa të qartësohet, se a mund të përdoren aptameret edhe në terapinë e trajtimit të tumorit, hulumtuesit do të kenë shumë për të bërë. “Deri tani ne i kemi testuar aptamerët vetëm në laborator”, thotë Meyer. Por ne duhet të testojmë tani se a kanë efekt këto fragmente DNA-je edhe mbi limfomat në trupa me jetë. Pra, në vitet e ardhshme ata do ta testojnë substancën te minjtë. Veç kësaj, duhet gjejnë edhe mënyrën e dhënies së medikamentit.

dw

Deimel: Blerja e votës njihej në Shqipëri, por asgjë nuk u bë

Johanna DeimelShqipëria është në krizë politike. Por kursi konfrontues nuk është i ri, thotë ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel. Edhe akuzat për blerjen e votës u ngritën që pas zgjedhjeve 2017, por asgjë nuk u bë, vëren ajo

.Deutsche Welle: Shqipëria është përfshirë sërish nga protestat, opozita kërkon largimin e kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për lidhje me krimin, dhe qeveri tranzitore. Si e vlerësoni ju gjendjen aktuale në Shqipëri?

Johanna Deimel: Sigurisht demonstratat paqësore janë një e drejtë bazë demokratike. Për fat të keq në të kaluarën e afërt në Shqipëri demonstratat janë organizuar gjithmonë nga opozita e radhës, herë pas here ka pasur dhunë, ato janë keqpërdorur e kanë çuar në kriza të rënda politike. Akuzat përsëriten: Kur ishin socialistët në opozitë, akuzohej Partia Demokratike për korrupsion e lidhje me struktura kriminale. Tani është PD që akuzon Edi Ramën për lidhje të tilla. Për fat të keq kursi konfrontues e karakterizon për një kohë të gjatë Shqipërinë. E nuk mund të jetë mjet i përballjes politike bllokimi i parlamentit dhe minimi i punës së ij.

Por pikërisht kjo ka ndodhur, deputetët e opozitës së bashkuar dogjën mandatet si akt të fundit ekstrem, ndoshta për të zgjuar më shumë vëmendje për kauzën e tyre, por ndërkohë po betohen deputetë të rinj nga opozita. Si e shikoni këtë hap, krijimin e një opozite të re, le të themi, brenda opozitës?

Dorëzimi i mandateve të 57 politikanëve të opozitës ka qenë i papërgjegjshëm për mendimin tim, jo vetëm kaq ai hedh dritë edhe për gjendjen e brendshme në parti, ku me porosi nga lart të liderëve të partisë u kërkohet deputetëve të lenë mandatin. Këta deputetë janë përfaqësues të zgjedhur nga populli e në një demokraci parlamentare i detyrohen zgjedhësve të tyre. Nga ana tjetër duket, se nuk doli llogaria e PD së Bashës dhe e LSI për të çuar në paralizim të plotë të jetës parlamentare. Disa deputetë e kanë refuzuar këtë porosi nga lart. Fakti që pasuesit nga LSI apo nga PD apo ata që duan të marrin mandatin tani do të përjashtohen nga partia, tregon edhe nevojën urgjente për reformën zgjedhore.

Kandidatët e partive duhen të zgjidhen në një proces të hapur demokratik, e jo të jenë thjesht formalisht mbushës të listave. Tani po tregohet, se sa e gabuar ishte ujdia për listat e mbyllura, për të cilat ranë dakord Rama dhe Berisha në vitin 2008. Me të drejtë KQZ tani ka marrë në dorë listën e partive përkatëse të vitit 2017 e po plotëson vendet vakante me kandidatë pasues, për sa kohë këta e duan mandatin. Kjo është rruga e duhur dhe nuk ka të bëjë me atë, që KQZ po krijon një opozitë brenda opozitës.

A do të jenë këta deputetë të rinj zgjidhja apo kjo do të çojë kjo në një ashpërsim të situatës?

Do të shohim se çdo të ndodhë me “opozitën e re” që është krijuar me rreth 7 deputetë të PD. Ndoshta është aty edhe bërthama e një force të re politike që mund të sjellë një frymë të re e do të thyejë sistemin bipolar  konfrontues e paralizues. Ndoshta ajo mund të jetë edhe fillimi i fundit të Bashës. Nëse ia dilet me këtë opozitë të re të rifillojë puna parlamentare mes qeverisë e opozitës, kjo vetëm mirë do të thotë për vendin.

Mosbesimi është i thellë mes palëve. Si PD edhe LSI ngrenë akuza të forta, duke u bazuar në disa audiopërgjime të publikuara që tregojnë lidhje të politikës me struktura kriminale për blerjen e votës. BE thotë që akuzat e opozitës duhet t’i trajtojë drejtësia, opozita, thotë se prokuroria është nën ndikimin e Ramës e disa dosje të caktuara nuk ndiqen, gjë që çoi edhe tek hapi ekstrem i djegies së mandateve. A nuk është kjo një pikë e vdekur?

Audiopërgjimet që u publikuan në fillim të shkurtit nga Voice of America donin të provonin blerjen e votave nga PS. Për fat të keq blerja e votës është një fenomen i njohur i zgjedhjeve të fundit parlamentare, edhe vëzhguesit e OSBE kanë raportuar për parregullsi përkatëse. Problemi është, se pas kësaj asgjë nuk ndodhi.

Rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2017 e njohën të gjitha partitë politike, edhe ne ndërkombëtarët, e para së gjithash edhe BE. Pra, parimisht është e drejtë që nga ana e BE thuhet që çështja t’i jepet drejtësisë që të ndërmarrë hapat e duhur. Edhe nëse sistemi i drejtësisë ende nuk i përgjigjet kritereve europiane të ligjshmërisë dhe ndodhet nën ndikimin e politikës. Por po ashtu ne të gjithë e dimë, se për këtë duhet të ketë qëndrime të qarta dhe në raste shkeljesh Brukseli dhe Uashingtoni duhet të tregojnë vijat e kuqe.

Jo vetëm problemet në sistemin e drejtësisë, blerjen e votës, por edhe korrupsioni janë arsyet që e kanë nxjerrë opozitën në rrugë e duket se kjo do të vazhdojë. BE ka kritika për djegien e mandateve e kërkon që përballja të bëhet në parlament. Si i shikoni këto kritika?

Nëse opozita nuk ka mjet tjetër veç rrugës, kjo është provë varfërie e botëkuptimit politik. E nëse kësaj i shtohet edhe bojkotimi i zgjedhjeve lolake në qershor, atëherë unë e shoh Shqipërinë në regresion politik. Nocionin “stabilokraci” unë e kam përdorur për herë të parë në një analizë për Shqipërinë në tetor 2012. Ai përdoret sot gjerësisht mes ekspertëve, por unë kam dashur të përshkruaj një sistem gjithnjë e më autokratik, që tolerohet nga ana e ndërkombëtarëve, si dhe BE gabimisht në emër të një stabiliteti. Besoj, se zhvillimet e sotme në Shqipëri janë shkas për shqetësim të madh, sepse ky stabilitet nuk është i garantuar më. Duhet të ndryshojë diçka në mënyrë thelbësore. “Stabilokraci” Shqipëria nuk është më, më shumë “një destabilokraci”, për ta variuar termin tim.

Por BE kësaj here nuk duket shumë e interesuar për ndërmjetësim, mendoni se mund ta tejkalojë vetë Shqipëria këtë krizë?

Po, e vërtetë, se një ndërmjetësim nga ana e BE nuk është parashikuar këtë herë. Megjithatë vizitat e rëndësishme politike nga Brukseli, nga SHBA, nga Berlini, tregojnë se gjendja merret seriozisht. Ne nuk duhet të harrojmë, se BE vetë për shkak të Brexit, zgjedhjeve të pritshme europiane e Komisionit të ri pasues nuk i ka vërtet kapacitetet e nevojshme, të paktën deri në qershor 2019 edhe kur të bëhet fjalë për vendimin pro ose kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE.

Domethënë ta harrojë Shqipëria edhe këtë qershor hapjen e negociatave…

Me gjendjen e tanishme nuk ka për të pasur negociata anëtarësimi. Nëse do të kishte një gjuhë të përbashkët, do të kishim pasur prej kohësh reformën zgjedhore, edhe reforma në drejtësi do të kishte ecur më përpara. Do të kishte pasur procese gjyqësore të mbyllura edhe në nivele të larta që dyshohen për korrupsion apo lidhje me kriminalitetin, e jo vetëm kundër peshqve të vegjël. Do të kishim pasur edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionuese, për shembull.

Dr. Johanna Deimel, eksperte për Ballkanin, për vite me radhë ka qenë zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani.

Lufta kundër ndotjes nga plastika

pllastikeNdërsa ndotja plastike vazhdon të përkeqësohet, shumë njerëz dhe shtete po përpiqen ta luftojnë këtë problem. Siç na njeh korrespondenti i Zërit të Amerikës Kevin Enochs, nga Afrika deri tek Amerika e Jugut, përpjekjet e brendshme për mbledhjen e mbetjeve plastike kanë një ndikim të vogël por që po vazhdon të rritet.

Në shtetin afrikan të Gabonit vullnetarët mblidhen çdo dy javë për të pastruar plazhet e kryeqytetit Liberville. Rrjeti për Mjedisin dhe Zhvillimin është një grup bamirësie me 300 pjestarë që duan të tjetërsojnë plazhet e tyre në destinacione turistike. Edou Haff punon për Rrjetin Gabonez për Mjedisin dhe Zhvillimin.

“Ka shumë vullnetarë dhe të gjithë punojmë sëbashku pa pagesë. Jemi organizatë joqeveritare dhe nuk kemi metoda të tjera. Kur na ofrohet mundësia për të paguar, u japim të paktën 170 dollarë, duke organizuar pak konkurencë për të motivuar ata që nuk janë të sigurtë” , thotë ai.

Aktualisht mbetjet dërgohen tek një vend për hedhje plehrash por Edou Haff thotë se po punon për riciklimin e mbeturinave dhe jo vetëm pastrimin e plazheve:

“Punojmë me kompanitë e mbledhjes së mbeturinave dhe tani duam të përqendrohemi tek riciklimi i plastikës, çfarë edhe paraqet një mundësi për ne. Po kërkojmë partnerë që brenda 2-3 muajsh të fillojmë riciklimin e plastikës.”

Mbetjet plastike kanë mbërritur deri në ishujt e pabanuar Galapagos pranë Ekuadorit. Mes pelikanëve dhe luanëve të detit, vullnetarët shkojnë nëpër ishuj për të mbledhur një pjesë nga rreth 2 milion tonë mbeturina të hedhura në oqean çdo vit. Sharlyn Zuniga është studente vullnetare.

“Kaq shumë mbeturina janë hedhur në detra sa kanë mbërritur në brigje të pabanuara nga njerëzit. Trishtohesh kur shikon kafshë të ngordhura si pasojë e mbeturinave apo foletë e zogjve të përzjera me mbeturina” , thotë zoti Haff.

Në Nigeri, kompania e quajtur ‘WeCyclers’ po përpiqet që lëndët plastike të mos arrijnë kurrë në oqean. Kompania i mbledh mbetjet plastike nga banorët në Lagos në shkëmbim të pikëve që mund të tjetërsohen në para, ushqime apo sende shtëpiake. Është një treg në rritje. Bilikiss Adebiyi-Abiola është me kompaninë ‘WeCyclers’:

“Me rritjen e popullsisë shtohen edhe nevojat për përdorimin e sendeve plastike. Kompania jonë ‘Wecyclers’ shpreson që një ditë të kemi një ekonomi të tillë ku lëndët plastike të riciklohen dhe ripërdoren për të krijuar paketime të reja.”

Sipas përllogaritjeve çdo vit në botë prodhohen rreth 300 milion tonë lëndë plastike, një problem me të cilin njerëzimi do të përballet për mijëra vite por që këta vullnetarë po përpiqen ta lehtësojnë me aq mundësi që kanë.

voa

Përvjetori i masakrës së Tivarit

TivarTë dielën u mbushën 74 vjet nga Masakra e Tivarit, ku u vranë dhe u varrosën masivisht disa mijëra djem të Kosovës.

Tragjedia e fshehur për shumë dekada nga qeveritë komuniste të Tiranës dhe Beogradit është zbardhur e plotë në një studim të historianit Uran Butka.

Ai thotë se në këtë udhëtim tragjik u nisën 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte nga komunistët.

Gjatë rrugës nga Prizreni dhe deri në mbrëmjen e 31 marsit në Tivar u vranë 3 mijë e 447 burra e djem të Kosovës, ndërsa rreth 600 vetë të tjerë u zhdukën, duke e ngritur numrin e viktimave gjithsej në rreth 4 mijë persona.

Këtë fund marsi është 74 vjetori i masakrës së Tivarit, ku partizanët komunistë të Shqipërisë, Serbisë dhe malit të zi vranë masivisht disa mijëra mijëra djem të rinj shqiptarë të Kosovës.

Tragjedia e realizuar me marrëveshje të shkruar midis udhëheqësve komunistë në Tiranë dhe Beograd u mbajt e fshehtë për dekada të tëra.

Historiani Uran Butka botoi studimin 25-vjeçar “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” me dokumenta të shumta arkivore nga disa shtete të rajonit.

“Masakra e Tivarit është një ploje e përgjakshme dhe e pashembullt. Ajo u realizua nga shteti komunist jugosllav në bashkëpunim të plotë me shtetin komunist shqiptar të Enver Hoxhës. Qëllimi i kësaj masakre ishte për të zhdukur dhe shpërngulur shqiptarët nga Kosova, pra, për një spastrim të plotë etnik”- thotë zoti Butka.

Masakra ishte një spastrim i mirëfilltë i popullit të Kosovës, të cilin ushtria jugosllave e arriti me duart e ushtrisë komuniste të Shqipërisë.

Rinia e Kosovës u thirr në një mobilizim ushtarak për të luftuar pushtuesit nazistë, por pasi u mblodhën në Prizren nga të gjitha anët e vendit, u çarmatosën dhe u nisën në kolona drejt Kukësit, Shkodrës dhe i nxorrën në Tivar, ku u vranë masivisht me mitralozët e malazezëve me 31 mars 1945.

“Ky libër im është edhe një homazh, sepse këtu janë edhe të gjitha listat e atyre viktimave të pafajshëm, që u vranë padrejtësisht, nga të gjithë trevat e Kosovës, bujq, blegtorë, ushtarë të Shaban Polluzhës, ushtarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nga Kosova dhe nga Shqipëria dhe që u nisën në këtë kalvar vdekjeje

Karvani i të rinjve kosovarë eci për një javë në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve shqiptarë dhe serbë, madje shumë prej tyre u vranë në çdo pikë të këtij itinerari tragjik, kur nuk i lejonin as të pinin ujë në burime as të futnin ushqim në gojë.

Libri përmban edhe listën e plotë të martirëve të kësaj masakre, familjet e të cilëve edhe më pas u persekutuan rëndë shtete komuniste në dy anët e kufirit.

Midis autorëve të kësaj masakre ishte edhe ministri i brendshëm Haxhi Lleshi, firmosi përkrah me homologun serb Rankoviç, dhe e mbrojti veprimin e tij derisa qe gjallë si “një vendim i duhur ndaj reaksionarëve”, thotë autori.

“Kolona e parë u nis më 24 mars nga Prizreni dhe kolonat e tjera më 26 dhe 27 mars, dhe 3 kolona të tjera në prill , u nisën për në territorin e Shqipërisë, sipas një marrëveshje midis ministrit të brendshëm serb Rankoviç dhe ministrit të brendshëm të Tiranës Haxhi Lleshi. Ishte një marrëveshje e pashembullt askund në botë, që e implikonte me djallëzi Shqipërinë dhe përfshiu territorin e saj, ku u vranë rrugës shumë prej tyre. Askund në botë nuk ka marrëveshje dyshtetërore për të bashkëpunuar në vrasjen masive të mijëra djemve prej bashkëkombasve të tyre” – tha studiuesi Uran Butka.

Ai shtoi se tragjedi të tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit komunist, që u ngrit mbi pabesinë ndaj të rinjve kosovarë.

“Këtu ndodhi pabesia dhe tradhtia, sepse ata, pasi u mblodhën nga të gjithë anët e Kosovës, iu dorëzuan UDB-së dhe Divizionit 52 jugosllav me urdhër sekret të Enver Hoxhës” – citoi ai telegramin e shifruar.

Edhe sot ata nuk nderohen si martirë, edhe një afrim edhe një pajtim I vërtetë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit mund të kryhet sinqerisht me respektimin e viktimave të asaj tradhëtie që kaloi mes për mes Shqipërisë dhe kulmoi në Tivar, ku edhe deti u mbush me plisat e tyre të bardha.

“Po të ishin ndëshkuar kriminelët dhe krimet, ato nuk përsëriten. Dhe është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë këta si martirë të Kosovës. Po ashtu edhe Shqipëria në shenjë ndjese për atë bashkëpunim kriminal, që u bë nga shteti komunist të Enver Hoxhës, duhe t’i trajtojë ata si martirë të popullit dhe kombit shqiptar” – tha zoti Butka.

Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit dhe të popullit shqiptar. Ndriçimi i saj i plotë, ndriçimi i bashkëpunimit kriminal Tiranë – Beograd kundër rinisë së Kosovës do të nxirrte shumë mësime për të sotmen dhe të ardhmen e rajonit.

voa

Osmani: Regjistrimi do të mbahet më 2020

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sonte në TV Telma deklaroi se LSDM dhe partia e tij kanë renë dakord që të ketë regjistrim të popullsisë në vitin 2020.

Osmani shtoi se gjatë regjistrimi të popullsisë do të përdoren të dhënat bazë nga institucioneve dhe nënshkrimet në terren, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Do të regjistrohen edhe karakteristikat etnike, fetare dhe kulturore të qytetarëve”, tha Osmani duke thënë se kanë krijuar mekanizëm mirëbesimi.

Sipas tij është vendosur që i gjithë procesi të jetë në barrën e Entit Shtetëror për Statistika dhe të mos ndryjë politika ku drejtori dhe zëvendësdrejtori të vendosin bashkërisht në materialet e regjistrimit, që siç tha Osmani, qytetarët të kenë besim në proces./Telegrafi/

Koçijançiç: Modeli PPP në Shqipëri, shqetësim shtesë i KE-së

maja-kocijancicIntervistë me zëdhënësen e BE-së, Maja Koçijaniçiç: Kontrata PPP, qeveria na dha fjalën t’i kontrollojë. Ato duhen të prokurohen në mënyrë transparente në përputhje me standardet e prokurimeve publike shqiptare.

Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, tregon problemet kryesore ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Ajo vë në dukje se modeli i PPP-vë në Shqipëri ka një sërë problemesh, Komisioni Evropian ka shfaqur dyshimet e tij në lidhej me procesin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në disa raporte të publikuar së fundmi. KE është i vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet Shqipëria, kjo pasi janë një sërë politikash të cilat kanë nevojë të rishikohen. I një rëndësie të veçantë është edhe modeli ekonomik që ka zgjedhur Shqipëria. Zhvillimi i investimeve bazuar në modelin e Partneritetit-Publik-Privat, ka marrë shumë kritika nga opozita dhe ekspertët në Shqipëri. Ky model po shikohet si një mënyrë e re e zbrazjes së buxhetit të shtetit dhe thellimit të korrupsionit. Një nevojën për një kujdes të lartë të modelit PPP në Shqipëri e jep Maja Koçijançiç. Ajo flet në një intervistë për gazetën “Shekulli”, në të cilën thekson ecurinë e ekonomisë shqiptare, por edhe nevojën që Kosova të pezullojë taksën ndaj mallrave serbe.

A ka Komisioni Evropian një vlerësim për situatën ekonomike në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Shqipërinë?

Komisioni Evropian ndjek dhe vlerëson rregullisht zhvillimet ekonomike në Ballkanin Perëndimor në botimet e tij të përvitshme. Këto botime mund të gjenden në faqet e internetit të Komisionit Evropian. Publikimi i fundit i titulluar: “Vendet Kandidate të BE-së dhe Kandidatët e mundshëm” (CCEQ) daton nga shkurti i kaluar dhe mbulon zhvillimet deri në fund të vitit 2018. Përmbledhja e vlerësimit të Komisionit për gjendjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor thekson se: Rritja ekonomike vazhdoi në Ballkanin Perëndimor me një ritëm relativisht të fuqishëm gjatë tremujorit të tretë të vitit 2018. Megjithatë, zgjerimi i PBB-së reale u ngadalësua disi, krahasuar me tre muajt e mëparshëm, në 3.7% nga viti në vit, kryesisht për shkak të rritjes më të ulët në Serbi, ekonomia më e madhe në rajon. Konsumi privat dhe investimet vazhduan të mbështesin aktivitetin ekonomik. Mesatarja 12 mujore e deficitit të llogarisë korrente të rajonit, mbeti e pandryshuar në rreth 5 për qind të PBB-së, që është më mirë se mesatarja afatgjatë, por megjithatë sugjeron që pozicionet e jashtme mbeten të pambrojtura. Zgjerimi ekonomik vazhdoi të krijonte vende pune dhe çoi në një rënie të mëtejshme të normës së papunësisë në shumicën e vendeve. Megjithatë, pjesëmarrja e ulët e tregut të punës dhe papunësia e lartë, vazhdojnë të përfaqësojnë disa nga sfidat më të qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor. Me gjithë përmirësimet e përgjithshme në bilancet fiskale, nivelet e larta të borxhit publik mbeten burim i ndjeshmërisë në shumicën e vendeve”. Në lidhje me Shqipërinë mund të shtoj se: Që nga dhjetori, studentët kanë protestuar kundër Qeverisë, duke kërkuar pagesa të ulëta për shkollimin dhe një buxhet më lartë për arsimin. Një riorganizim i konsiderueshëm i kabinetit përfshiu ndryshimin e Ministres së Arsimit, Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, si dhe gjashtë Ministra të tjerë. Për vitet 2019-2020, niveli i përgjithshëm i PBB-së së Shqipërisë pritet të jetë në nivelet e 3.9 për qind. Ritmi i papunësisë në Shqipëri për vitin 2019 pritet të jetë 11.1 për qind. Inflacioni do të jetë në ritmin e 2-6 për qind.

Dy vitet e fundit, FMN, ka shprehur disa shqetësime rreth shteteve të brishta ekonomike në Ballkanin Perëndimor, si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Çfarë duhet të bëhet më shumë?

Komisioni thekson se ekonomitë e Ballkanit Perëndimor paraqesin dobësi, por nuk i konsiderojnë ato si “shtete të brishta”, të cilat nuk do të sillnin asnjë qeveri dhe administratë të themeluar, asnjë kontroll qeveritar të territorit, një situatë shumë të paqëndrueshme politike etj. sfidat e politikave ekonomike dhe prioritetet në Ballkanin Perëndimor mund të gjenden në publikimet që lidhen me dialogun vjetor makroekonomik dhe financiar midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor (dhe Turqisë), të realizuar në kuadrin e procesit të Programit të Reformës Ekonomike (ERP). Vlerësimi gjithëpërfshirës i Komisionit të ERP-ve të partnerëve 2018 u publikua në korrik 2018. Përfundimet e dialogut të fundit makroekonomik dhe financiar, të miratuar më 25 maj 2018, identifikojnë sfidat kryesore në secilën ekonomi të interesuar dhe formulojnë rekomandime specifike të politikave. Për sa i përket Shqipërinë, Shqipëria përballet me disa pengesa për të përmirësuar rritjen potenciale dhe konkurrencën. Gjyqësori i dobët, zbatimi i pamjaftueshëm i të drejtave pronësore dhe procedurat administrative, janë dobësitë institucionale që janë trajtuar vetëm pjesërisht deri tani. Kjo po pengon si bizneset lokale dhe Investimet potenciale të Investimeve të Huaja Ndërkombëtare, fatkeqësisht këto dobësi të rëndësishme nuk merren parasysh pavarësisht nga reformat e vazhdueshme. Çështjet e kadastrave dhe pronësia e tokës është ende e paqartë. Ato  vazhdojnë të pengojnë qasjen në financa, dëmtimin e të ardhurave publike dhe kufizimi i konsolidimit dhe fragmentarizmi i tokës bujqësore. Shqipëria ka potencial të madh për prodhimin e energjisë së rinovueshme, por tregu ende nuk është plotësisht i liberalizuar, furnizimi me energji mbështetet në hidrocentralet dhe efikasiteti i energjisë mbetet i ulët. Nuk ka përmirësim në cilësinë e pjesës së reformës strukturore të ekonomisë krahasuar me programin e vitit të kaluar. Disa pengesa kryesore për rritjen dhe konkurrencën janë identifikuar në mënyrë të duhur, por në përgjithësi cilësia e zhvillimit të zonës dhe dizenjimi apo përshkrimi i masave, ndryshon në mënyrë të konsiderueshme ndërmjet fushave përkatëse.

 

A jeni dakord me Investimet me Partneritetin-Publike-Private, (PPP), në Shqipëri. Partitë kryesore politike janë kundër këtij procesi. Çfarë mendoni për këtë?

Përdorimi i partneriteteve publiko-private dhe i kontratave të koncesionit mund të ndihmojnë në kapërcimin e hendekut të madh të infrastrukturës që Shqipëria përballet dhe, për të cilën financimi publik aktualisht nuk është i mjaftueshëm. Megjithatë, numri dhe vlera e shpejtë e PPP-ve sjellin rreziqe të konsiderueshme fiskale në formën e detyrimeve të kushtëzuara për buxhetin e shtetit. Komisioni beson se kontrolli financiar i këtyre angazhimeve duhet të shtrëngohen për të zbutur këto rreziqe. Qeveria shqiptare pajtohet me këtë vlerësim dhe Ministri shqiptar i Financave dhe Ekonomisë informoi Komisionin se qeveria po krijon strukturën e nevojshme institucionale për kontrollin dhe monitorimin më të mirë të PPP-ve. Një shqetësim shtesë i Komisionit Evropian është se kontratat e PPP-së, duhet të prokurohen në mënyrë transparente në përputhje me standardet e prokurimeve publike shqiptare.

Pyetja e fundit është në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe tarifën e imponuar nga qeveria e Kosovës. A është e drejtë ndërlidhja e kësaj mase me vazhdimi ose jo të dialogut?

Siç thuhet në mënyrë të përsëritur, Bashkimi Evropian së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjera, i bën thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë menjëherë tarifat në mënyrë që të lejojë rifillimin e shpejtë të Dialogut. Status quo-ja nuk është një alternativë dhe nuk ka alternativë për rifillimin e shpejtë të dialogut midis Palëve. Tarifat jo vetëm që qëndrojnë në rrugën e dialogut, por edhe qëndrojnë në rrugën e integrimit evropian të Kosovës.

KE: Tregu ekonomik ka arritur një progres të kufizuar

Komisioni Evropian thekson kriteret që duhet të përmbushë Shqipëria në lidhje me zhvillimin ekonomik të sajë: Masa për të liberalizuar më tej tregun e energjisë është e nevojshme dhe është në përputhje me detyrimet në Paketën e Tretë të Energjisë dhe strategjitë e Shqipërisë. Masa e reformës nuk është ngulitur në kuadrin e përgjithshëm të veprimeve shoqëruese, si forcimi i trupit rregullator, kërkesës menaxhimin, efikasitetin e energjisë, ose nevojën për reforma të çmimeve. Reforma e çmimeve dhe tarifave do të kërkojë përpjekje të mëtejshme, ndërkohë që normat e mbledhjes së faturave janë përmirësuar dukshëm nuk ka ndikim buxhetor. Ndikimi i përgjithshëm mbi konkurrencën është i zhvilluar mirë ndërkohë që ndikimi në punësim sigurohet në përgjithësi. Rreziqet e mundshme për zbatimin dhe masat e reformës janë të zhvilluara mirë. Rreziku i mungesës së koordinimit me autoritetet e Shqipërisë, si edhe rreziqet për mjedisin, mund të merren parasysh. Masa që lidh vendin me rrjetin ndërkombëtar të gazit për të krijuar kushte për gazifikim në linjë me zhvillimin e projektit të tubacionit Trans Adriatik, do të promovojë energjinë dhe diversifikimin. Sidoqoftë, aktivitetet e planifikuara në vitin 2017 treguan progres të kufizuar dhe në vend të kësaj, këto kritere janë transferuar deri në vitin 2019. Kostoja e zbatimit të masës nuk është llogaritur siç duhet. Nëse është zbatuar me efikasitet, masa pritet të forcojë konkurrencën në afat të gjatë duke diversifikuar furnizimin, sigurimin e sigurisë së furnizimit uljen e kostove të energjisë. Mungesa e rreziqeve të mundshme është justifikuar nga fondet e siguruara, por injoron rreziqet jo-financiare, të tilla si rreziqet mjedisore dhe mungesa e koordinimit. Dy masat e transportit nuk adresojnë nevojat rregullatorë dhe strukturore në lidhje me ekonominë, e cila do të kishte një ndikim më të drejtpërdrejtë mbi konkurrencën. Duke pasur parasysh Shqipërinë mangësitë në infrastrukturë, studimi i fizibilitetit për shtrirjen e korridorit Adriatik-Jon duket e përshtatshme. Megjithatë, projekti është në një fazë shumë paraprake dhe vështirë se mund të konsiderohet si një reformë strukturore e plotësuar edhe nëse ajo adreson një nevojë strukturore. Ndikimi i pritur në konkurrencë është të paraqitura në terma të gjerë, duke synuar një sistem të besueshëm.

KiE

Mungesa e kadastrës ka çuar në pengesë për zhvillimin e bujqësisë

Në analizën e para pak kohësh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Këshilli i Evropës ka bërë një pasqyrë të ecurisë ekonomike të këtyre vendeve. Në përfundim të nënshkrimit të këtij raporti, Këshilli i Evropës fton Shqipërinë për: Futjen e masave të mëtejshme të konsolidimit fiskal me qëllim përmbushjen e objektivit afatmesëm për reduktimin e borxhit publik nën 60% të PBB-së, në vitin 2021. Kryerja e politikës monetare në përputhje me arritjen e objektivit të inflacionit. Rritja e transparencës të komunikimit të politikës monetare, duke botuar të gjitha materialet mbi inflacionin bazë dhe inflacionin e mundshëm. Zbatimi i masave të mbetura të strategjisë së zgjidhjeve ekonomike, gjithashtu me një pikëpamje ndaj faktorëve adresues që pengojnë qasjen në financa për korporatat. Bazuar në rregullat dhe analizën e treguesve përkatës dhe vlerësimin e ndikimit, të eksplorojnë masa të tjera në përputhje me Memorandumin e Bashkëpunimit për të rritur përdorimin e monedhës kombëtare në të gjitha nivelet. Sigurimi i liberalizimit efektiv të tregut të energjisë dhe funksionimit të shkëmbimit të energjisë elektrike. Miratimi i dispozitave ligjore për të zbatuar në mënyrë efektive strategjinë kombëtare të energjisë dhe më tej zgjerimin e furnizimit me energji, duke u fokusuar në nxitjen e efikasitetit energjetik dhe rinovimit prodhimit të energjisë përtej hidrocentraleve. Të forcojë më tej procesin e regjistrimit kadastral, tokës dhe pronës, duke përfshirë qartësim mbi pronësinë e tokës, me theks të veçantë në de-fragmentimin dhe konsolidimin e tokës bujqësore, dhe trajtimi i shpejtë i rasteve në rast të procedurave gjyqësore. Përforcimi i masave për të finalizuar procesin e kthimit të pronës dhe kompensimit. Sigurimi i kapaciteteve të mjaftueshme për zbatimin e politikave të punësimit, në veçanti për të rinjtë dhe gratë, dhe të përmirësojnë lidhjet midis masave aktive dhe pasive të punësimit. Mënjanimi i punës së padeklaruar, duke përfshirë forcimin e inspektoratit të punës. Mbështetni zhvillimin e arsimit bazë dhe rritjen e investimeve në trajnimin fillestar të mësuesve. Pengesat strukturore të rritjes dhe konkurrencës përfshijnë ende pronësinë e paqartë të tokës dhe zbatimin e pamjaftueshëm të të drejtave pronësore, një nivel i lartë (edhe pse në rënie) i informalitetit dhe korrupsionin, pavarësisht progresit të arritur nëpërmjet reformës gjyqësore, një barrë të tepruar rregullatore dhe paparashikueshmëria në sistemin gjyqësor, të cilat veprojnë si një dekurajim për investimet e  huaja dhe vendase. Mungesa e një kadastre gjithëpërfshirës pengon zhvillimin e sektorit të bujqësisë, turizmit, përmirësimet në infrastrukturë, qasja në financa, ndër to dhe të tjera. Krijimi i kushteve të favorshme për investime private do të lehtësonin investimet e nevojshme në infrastrukturë. Përfundimi i liberalizimit të tregut të energjisë është i rëndësishëm. Aty ka qenë një progres i kufizuar në rregullimin e tregjeve të energjisë elektrike dhe gazit, me përgatitjen e një plani të ndarjes dhe krijimi i një kompanie të re të gazit. Mospërputhja e aftësive, mospërfillje dhe mbështetja e dobët e punësimit, kontribuojnë në papunësinë e lartë të të rinjve dhe në punën e ulët për femrat. Nuk ka një qasje gjithëpërfshirëse për të adresuar papërpuethshmërinë e lartë të puna e padeklaruar. Përpjekjet për të adresuar këto sfida kanë qenë të kufizuara.

Misty – Platforma robotike me sistem të hapur

MistyNjë kompani robotike shpreson të mundësojë praninë e robotëve në çdo shtëpi dhe biznes, duke përdorur një platformë që mund të programohet dhe përpunohet për një gamë të gjërë përdorimesh dhe përdoruesish. Korrespondetja e Zërit të Amerikës Deana Mitchell i hedh një vështrim një prej robotëve me përshtatshmëri më të madhe në botë të quajtur Misty.

“Dikush i padëshiruar….më mirë largohu sepse kam dhënë alarmin.”

Nëse dyshoni se dikush po ju vjedh gjërat, Roboti Misty mund të jenë vëzhguesi juaj. Nëse dikush ka nevojë për ndihmë, Misty mund ta bëjë këtë. Ian Bernstein është me kompaninë MistyRobotics.

“Duam të krijojmë një robot të gjithanshëm dhe që është i lehtë të programohet dhe ka shumë aftësi teknike”.

Kompania ‘MistyRobotics’ thotë se produkti i saj ka një platformë të hapur dhe të përparuar që mund të programohet për t’iu përshtatur nevojave specifike.

“Na lindi ideja nga fakti që jemi në një kohë kur kemi përparime teknologjike si njohja e zërit, apo aftësi të tjera nga ‘Microsoft’ apo ‘IBM’ për njohjen e objekteve apo që mundësojnë përshtatjen e zërit tek robotët. Pra kombinimi i të gjitha këtyre vetive të mundëson krijimin e këtyre aftësive të mahnitshme”, thotë Ian Bernstein me kompaninë MistyRobotics.

Roboti mund të zgjasë duart për të kapur diçka apo të përdorë sende të tjera. Sensorë të ndryshëm e aftësojnë të njohë zërat dhe të lëvizë lehtësisht duke përdorur procesorë që përdoren për celularët. Roboti madje mund të programohet që të shkojë të karikohet në stacionin e posaçëm.

“Besojmë se këta robotë duhet të jenë në gjendje të bëjnë shumë gjëra të ndryshme.”

Zoti Bernstein thotë se para robotit Misty ai krijoi Sphero, një top robotik të kontrolluar nga telefoni inteligjent. Po ashtu ai krijoi BB-8, bazuar në personazhin e filmit “Star Wars”, roboti më i shitur i kompanisë deri tani.

“Përfundimisht gatimi, pastrimi dhe larja e rrobave si dhe ndihma por edhe prania e robotit si një mik i shtëpisë”, thotë Ian lidhur me synimet e programit të robotit Misty.

voa

Kosovë, korrupsioni i nivelit të lartë mbetet i pandëshkuar

thaciZyrtarë të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, bën thirrje sot që institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë të rrisin rezistencën kundër nivelit të lartë të korrupsionit. Thirrjet ishin pjesë e konferencës mbi “korrupsionin e nivelit të lartë”, që sipas organizatave ndërkombëtare dhe vendase është i shtrirë në Kosovë dhe mbetet i pandëshkuar për shkak të mungesës së gatishmërisë politike për të dënuar zyrtarët e korruptuar. Nga Prishtina njofton korrespodenti ynë, Leonat Shehu.

Shefi i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Jan Braathu, bëri thirrje sot që institucionet e sundimit të ligjit në Kosovë të rrisin rezistencën kundër nivelit të lartë të korrupsionit, që sipas tij dëmton shoqërinë dhe institucionet e vendit.

Ai i bëri këto thirrje gjatë një konference me temën “korrupsioni i nivelit të lartë”, pjesë e përpjekjes për të nxitur rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe por edhe shteteve nëpër botë, për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë.

Zoti Braathu tha se megjithëse Kosova ka bërë disa përparime në luftimin e korrupsionit, sfidë mbetet ndëshkimi i tij.

“Për më tepër, u bëj thirrje agjencive të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit që t’u japin përparësi rasteve komplekse që lidhen me shuma të mëdha parash dhe pasuri. Këto janë raste të vështira, ne e dimë, por janë raste të domosdoshme për funksionalitetin e institucioneve dhe për besimin e njerëzve në institucionet. Në fund të fundit kjo lidhet me qeverisjen e mirë”,tha zoti Braathu duke nënvizuar se trajtimi i korrupsionit të nivelit të lartë në çfarëdo forme kërkon një vullnet të konsiderueshëm politik.

“Duhet të jetë e qartë për të gjithë që personat e korruptuar të përfshirë në rastet e mëdha të korrupsionit nuk duhet të lejohen që të shmangin ndëshkimin. Nuk duhet të ketë mosndëshkim për korrupsionin dhe gjithnjë e shohim se praktikat e korruptuara janë ndjekur me vendime të ndryshme të gjykatave”,tha zoti Braathu duke nënvizuar se viteve të fundit ka pasur përpjekje të pamjaftueshme nga institucionet e rendit dhe ligjit për të ndjekur rastet e korrupsionit të lartë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë përparësi e punës së të gjitha institucioneve. Ai bëri thirrje që institucionet të trajtojnë të gjeturat e dala nga raporti Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me sfidat në luftën kundër korrupsionit.

“Sot gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës kanë kushte të mira të punës dhe të ardhura të dinjitetshme, ju mbetet të punojnë me përkushtim dhe profesionalizëm, të respektojnë betimin e dhënë kur e kanë marr detyrën. Nga kjo konferencë në cilësinë e presidentit të vendit i bëj thirrje gjithë zyrtarëve të institucioneve të zbatimit të ligjit në veçanti gjyqtarëve dhe prokurorëve që lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë të jetë përparësi mbi përparësitë me theks lufta ndaj korrupsionit të nivelit të lartë por edhe profileve tjera”,tha presidenti Thaçi.

Raporti i organizatës, Transparency International, mbi shkallën e korrupsionit në botë, e ka radhitur Kosovën në vendin e 93-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte radhitur e 85-ta.

Sipas raporteve ndërkombëtare, sfidë për Kosovën në luftimin kundër korrupsionit mbeten transparenca e pamjaftueshme, institucionet e dobëta e sundimi i dobët i ligjit dhe hapësira e pamjaftueshme për angazhimin e qytetarëve.

Edhe, raporti i Departamentit amerikan të Shtetit mbi të drejtat e njeriut i cili në kapitullin për Kosovën veçon si probleme korrupsionin në strukturat qeveritare, nxjerrë në pah po ashtu problemet me drejtësinë që ndërlikohen edhe më shumë nga rastet e korrupsionit në radhët e forcave të rendit. Raporti sjell shembullin e një numër policësh të arrestuar vjet nën akuzat për korrupsion, ndër to raste për abuzim pushteti si dhe mitmarrje.

Edhe raportet e organizatave vendase kanë vënë në pah se gjatë tri viteve të fundit në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast i dënimit të zyrtarëve të profilit të lartë për përfshirje në korrupsion, ndërsa mungesa e vullnetit të duhur politik për ta luftuar korrupsionin e vështirëson ndëshkimin e zyrtarëve të dyshuar për dukuri negative.