Identifikimi biometrik, një mënyrë për të siguruar shërbime

identifikimi biometrikDisa njerëz në vende të ndryshme të botës në vend që të tregojnë dokumentin e identifikimit për të marrë ilaçe ose ushqime, po përdorin beben e syrit ose gjurmën e gishtit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchell bisedoi me përfaqësuesit e një kompanie në Silicon Valley, që prodhon mjete të reja teknologjike për identifikim.

Senegali po punon për të ndryshuar sistemin e vet shëndetësor, me synimin që çdo qytetar të ketë kujdes shëndetësor për vetëm gjashtë dollarë në muaj, por më parë qytetarët duhet të provojnë identitetin e tyre dhe kjo ka paraqitur një problem të madh.

“Nuk kanë dokumenta, certificatë lindjeje, shumë prej tyre nuk kanë lindur në spital”, thotë Yash Shah, Zëvendëspresident i Produkteve dhe Programeve në kompaninë Credence ID

“Dy miliardë njerëz nuk kanë dokumenta për t’u identifikuar”, thotë Bruce Hanson, President dhe themelues i Credence ID.

Për këtë arsye, një numër në rritje vendesh po punojnë me kompani teknologjike si Credence ID e Kalifornisë që fitoi kontratën për të ndihmuar agjencinë e kujdesit shëndetësor të Senegalit për të krijuar një metodë të re identifikimi: atë biometrike.

Përdorimi i tipareve të veçanta të çdo njeriu, si shenja e gishtit ose bebja e syrit për konfirmimin e identitetit, mund të duket si fanta-shkencë, por po bëhet diçka gjithnjë e më e zakonshme.

“Njerëzit më të shfrytëzuar në botë janë ata që nuk dokumente identifikimi. Për shembull dikush mund të shkojë në një qendër të marrë qumësht për fëmijë dhe pastaj të shkojë në një qendër tjetër të marrë prapë. Organizatat joqeveritare që japin ndihma pa dashje kanë krijuar një treg të zi”, thotë zoti Hanson.

Identifikimi biometrik është i debatueshëm pasi shkakton shqetësime etike se mund të përdoret nga qeveritë për të monitoruar veprimet e përditshme. Megjithatë kjo metodë po përhapet në gjithë botën.

“Ka tre metoda bazë: shenjat e gishtave, fytyra dhe bebja e syrit”.

Skanimi i bebes së syrit funksionin sepse ngjyra e saj pothuajse nuk ndryshon gjatë gjithë jetës.

“Krijohet një pamje e syrit që duket si fotografi bardhë e zi. Imazhi analizohet dhe kthehet në një dokument dixhital”, thotë zoti Hanson.

Credence ID punon në mbi 30 vende. Në Indonezi, pajisjet e tyre të identifikimit biometrik përdoren për të dhënë kredi. Në Argjentinë, produktet e kësaj firme, u përdorën së fundmi për të identifkuar të plagosurit pas një përplasje autobuzi. Në Nigeri, po përdoren për të identifikuar studentët para provimeve.

Kështu ndërsa aspekti etik vazhdon të debatohet, në një pjesë të madhe të botës, kjo mënyrë po përdoret për të zgjidhur probleme.

voa

Protesta, dhunë dhe të lënduar në Katalonjë

KatalonjaRreth 350.000 persona kanë protestuar në fundjavë në Barcelonë. Ata kanë kërkuar lirimin e nëntë udhëheqësve të tyre. Por në një protestë janë shënuar akte dhune.

Me të rënë errësira u mblodhën disa mijëra njerëz në afërsi të qendrës së policisë në Barcelonë. Policia kishte mbyllur të gjitha dritaret dhe hyrjen kryesore. Demonstruesit brohorisnin “Jashtë forcat okupatore” dhe “Largojeni flamurin spanjoll”. Ata kanë hedhur objekte të ndryshme në drejtim të policisë. Policia është përgjigjur me shkopinj gome. Njoftohet se gjatë përleshjeve ka pasur të paktën 50 të lënduar. Protestat e dhunshme janë mbajtur me ftesën e grupit radikal të komitetit për Mbrojtjen e Republikës së Katalonjës (CDR).

Më parë rreth 350.000 vetë kanë protestuar në mënyrë paqësore në Barcelonë, nën moton “Llibertat” (Liria). Demonstrata është mbajtur nën patronazhin e organizatave civile Assemblea Nacional Catalana (ANC) si dhe Omnium Cultural. Gjatë protestës janë dëgjuar brohoritjet “Pavarësi!” dhe “Liri për të burgosurit politikë!”

Kryetarët e bashkive në protestë

Në një takim të më shumë se 700 kryetarëve të bashkive, të cilët kanë marrë pjesë në protestë, presidenti separatist rajonal Quim Torra tha: “Në rrugën e pavarësisë nuk ka kthim mbrapa!” “Nuk ka asnjë dënim që do të na detyrojë të heqim dorë nga qëllimi ynë: Pavarësia”, thuhet në një thirrje të ANC. Kryetarët e bashkive e kanë mbështetur qëndrimin e Torras. Ata kanë kërkuar lirimin e të burgosurve dhe “ndërprerjen e nënshtrimit nga shteti spanjoll”.

Me 14 tetor gjykata më e lartë në Madrid ka dënuar shtatë politikanë rajonalë dhe dy aktivsitë  – ish udhëheqësit e ANC dhe Omnium Cultural – për shkak të rolit të tyre në referendumin për shkëputje, me heqje lirie në kohëzgjatje deri në 13 vjet. Prej atëherë në Katalonjë po zhvillohen protesta dhe përleshje të ashpra mes policisë dhe demonstruesve. 656 njerëz janë plagosur deri tani –  367 civilë dhe 289 policë.

Të premten e kaluar në protesta kanë marrë pjesë sipas policisë rreth 525.000 mbështetës të lëvizjes për pavarësi. Ishte kjo nata me dhunën më të fuqishme në Katalonjë, në vitet e fundit. 83 persona janë arrestuar, ndërsa janë lënduar 182 vetë, ndër ta 22 policë dhe dy gazetarë.

Sánchez refuzon bisedimet

Qeveria socialiste e kryeministrit Pedro Sánchez ka refuzuar deri tani takimet dhe bisedat me seperatistët. Ai tha se para bisedimeve, Torra duhet të dënojë dhunën më të re. Katalonja është e përçarë thellësisht. Në sondazhet e fundit thuhet se 44 % e të anketuarve mbështesin ndarjen e Katalonjës nga Spanja, ndërsa 48 % janë për mbetjen e saj në Spanjë. Të dielën është mbajtur në Barcelonë edhe një tubim i mbështetësve të Spanjës unike. Ata mbështetën masat e qeverisë për mbetjen e Katalonjës në Spanjë dhe kundërshtuan ata që angazhohen për pavarësi.

bc/kle/cë (dpa, afp, rtre, ape)

Në nëntor ngrihet SPAK-u, 8 prokurorët që do hetojnë “peshqit e mëdhenj”

spakKëshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur gjatë mbledhjes së sotme që brenda muajit nëntor të këtij viti të ngrihet Struktura e Posaçme e AntiKorrupsionit (SPAK).

SPAK u votua me 11 vota “pro” propozimi i Komisionit të Posaçëm për ngritjen e SPAK-ut me 8 prokurorë.

Në propozimin e miratuar thuhet se KLP-ja duhet të koordinohet me Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) për ngritjen e SPAK-ut. “Ekzistenca e njërit organ pa tjetrin, qoftë edhe disa orëshe mund të sjellë probleme”, shkruhet në propozim.

Aktualisht, janë pikëzuar vetëm 8 kandidatë për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, të cilët kanë kaluar procesin e vetting-ut, nga 22 kandidatë që garonin në total. Prokurorët pjesë e SPAK janë: Altin Dumani,  Arben Kraja, Klodian Braho, Enkeleda Millonaj, Edvin Kondili, Ened Nakuçi, Elida Kaçkini, Behar Dibra.
Në Kushtetutë thuhet se ngritja e kësaj strukture kërkon jo më pak se dhjetë prokurorë për të nisur punën me dosjet e para. Kreu i Komisionit të Ligjeve Manja i ka kërkuar kreut të KLP-së, Gent Ibrahimit, që SPAK-u të ngrihet brenda këtij viti me 8 prokurorët, të cilët kanë kaluar të dyja shkallët e vetting-ut, ndërsa dy të tjerët të jenë prokurorë të përkohshëm ose të komanduar.
shekulli

Pendarovski: Marrëveshja e Prespës së pari është për Evropën, ndërsa BE-në nuk e shohim askund

PendarovskiPresidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski tha në një intervistë për televizionin grek “Alfa” se vendimi në Bruksel ishte një shok për të gjithë, jo vetëm për të dhe njerëzit, por për tërë elitën politike.

Ai tha se në mbledhjen e liderëve të gjitha partitë, qofshin ato nga qeveria apo opozita, kishin të njëjtin ndjenjë dhe qëndrim, se kanë dhënë atë që duhej, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Ne e kemi zgjidhur atë me marrëveshjen e Prespës dhe befas Bashkimi Evropian na thotë se nuk jemi gati, sepse para kësaj duhet të bëjmë disa reforma të brendshme. Nuk ishte as e sinqertë dhe as e drejtë për të gjithë ata që janë thellësisht të përfshirë në proces. E gjithë kjo, marrëveshja e Prespës, të gjitha reformat, por Prespa është në radhë të parë për shkak të Evropës. Ne dëshirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe befas nuk e shohim askund Bashkimin Evropian. Nuk ka Bashkim Evropian askund”, tha Pendarovski, informon AIM.

Ajo që do të jetë në pritje derisa të fillojnë negociatat e pranimit me BE-në është pjesa në lidhje me korrespodencën e brendshme dhe të jashtme dhe përdorimin e emrit të ri, shtoi Presidenti./Telegrafi/

Kurti: Për Astritin është i domosdoshëm një hetim i ri profesional

KurtiLideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka komentuar sot raportin e ekspertizës së mjekëve zviceranë të rastit të vdekjes së Astrit Deharit, i cili ka kërkuar fillimin e një hetimi të ri, të pavarur, profesional, pasi që sipas tij, ai zviceran ka përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes.

Kurti edhe pse shprehet i bindur se ish-aktivisti i VV-së është mbytur, ka thënë se hetimi i ri do të zbardhë të vërtetën për vrasjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit.

“Prandaj është i domosdoshëm një hetim i ri profesional, i cili do të trajtojë vetëm faktet dhe provat materiale dhe njëkohësisht rrethanat e krimit jo vetëm në aspektin fizik, por edhe hetimin e deritanishëm si dhe personat përgjegjës se çfarë kanë bërë si e kanë bërë dhe çfarë nuk kanë bërë. Pra, nevojitet një hetim i ri, i pavarur, profesional, i cili do ta zbardhë të vërtetën për mbytjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit”, tha Kurti.

Kryetari i VV-së po ashtu ka konfirmuar se do të udhëtojë në Tiranë, ku do të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare , si dhe do të ketë një takim me kryeministrin Edi Rama, edhe pse Kurti nuk ka treguar se cila do të jetë tema e takimit.
“Sonte shkoj në një konferencë ndërkombëtare që mbahet në Tiranë e ku jam ftuar e cila zgjatë për gjatë fundjavës e në të njëjtën kohë edhe do të takohem me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Shumë gjëra do t’i diskutojmë”, theksoi Kurti.

Po ashtu, Kurti tha se dje kishte pasur disa takime me zyrtarë të larë në Gjermani për ta shpjeguar programin qeverisës dhe për bisedimet me LDK-në. Ai tha se ka pasur takime tek zyra e kancelarës Merkel, me këshilltarin e saj për politikë dhe siguri Heker, në Ministrinë e Jashtme, e po ashtu edhe në Bundestagun gjerman me deputetët e partive të ndryshme politike atje.Kurti tha se do të bashkëpunojë me aleatët e Kosovës, si me Gjermaninë për zhvillim ekonomik, për sundim të ligjit dhe për integrime evropiane.

“Kam shpaguar programin tonë, bisedimet tona me Lidhjen Demokratike të Kosovë dhe zotimin tim si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës që do të bashkëpunoj ngushtë me partnerët, me aleatë tanë siç është edhe Gjermania, për zhvillim ekonomik, për sundim të ligjit, për integrime evropiane dhe që të gjithë këta më kanë uruar për rezultatin e mirë të VV-së më 6 tetor”, deklaroi ai.

Këto komente Kurti i bëri gjatë një vizite në panairin “Agrokos”.

Top Channel

Pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi

PalmerI dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer bëri thirrje për rifillimin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në një seancë të Komisionit të Jashtëm të Senatit. Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por se palët duhet të tregojnë se janë po aq të përkushtuara për normalizim sa edhe Uashingtoni. Siç njofton kolegia Keida Kostreci, senatorët demokratë në komision ngritën pyetje për emërimin e të dërguarit të posaçëm për bisedimet nga ana e Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell.

Zoti Palmer tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që përbën normalizim të plotë, që është shumë dimensionale. Ai tha se palët duhet të përfitojnë nga ky moment kur kanë vëmendjen jo vetëm të administratës por edhe të Shtëpisë së Bardhë, pasi kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë.

“Palët duhet të demonstrojnë se janë të përgatitura të lëvizin në mënyrë të shpejtë, për të arritur disa marrëveshje, për t’i zbatuar dhe të tregojnë se ata janë po aq të përkushtuar ndaj pajtimit dhe normalizimit sa edhe ne”, tha ai.

Sa për idenë e ndryshimit të kufijve…

“A do të jenë apo jo kufijtë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, u takon palëve të vendosin nëse kjo është një zgjidhje e pranueshme”.

Zoti Palmer e njohu realitetin e ri politik në Kosovë kur tha se partitë politike fituese të zgjedhjeve në Kosovë e kanë bërë të qartë se nuk duan të flasin për çështjen e ndryshimit të kufijve.

Zyrtari i lartë amerikan tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e re e Kosovës të heqë tarifat dhe që Serbia të heqë dorë nga fushata për të delegjitimuar Kosovën. Senatori Republikan, Ron Johnson ra dakord, duke i thënë Zërit të Amerikës se “ky do të ishte një hap i parë i mirë”. Zoti Palmer nuk foli për afate dhe zoti Johnson tha se mendon se fundi i vitit do të ishte një afat agresiv.

“Unë do të preferoja të ishim të përmbajtur me premtimet dhe t’i plotësonim ato. Nuk do doja të kishim pritshmëri jorealiste. Unë mbështes përmirësime graduale dhe ecuri hap pas hapi”.

Zoti Palmer tha se zgjedhjet e 6 tetorit ishin të rëndësishme për Kosovën, pasi do të sjellin qeverinë e parë që nuk drejtohet nge ish pjesëtarë të UÇK-së:

“E shoh si impuls nga ana e popullit të Kosovës për ndryshim. Dhe është e kuptueshme. Ka një shkallë të lartë zhgënjimi nga ana e popullit të Kosovës me gjendjen se ku ndodhen, si izolimi ndërkombëtar, stanjacioni ekonomik dhe dështimi I qeverive të Kosovës për të mbajtur angazhimet dhe premtimet për të luftuar korruspionin dhe krimin”.

Ai bëri thirrje që Kosova ta formojë sa më shpejt qeverinë dhe tha se një nga çështjet me të cilat duhet të merret ajo është përmirësimi i klimës së investimeve.

“Ka shumë nepotizëm. Këto janë çështje me të cilat duhet dhe mund të merret qeveria e re në Kosovë”.

Dy senatorë demokratë ngritën pyetje për emërimin e të dërguarit të posaçëm të Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell për bisedimet Kosovë-Serbi.

“A mund të flisni në mënyrë konkrete se si e shihni ndarjen e përgjegjësive përsa i takon marrëdhënieve me Kosovën dhe Serbinë?”, pyeti senatorja Jean Shaheen.

Senatori Chris Murphy tha se emërimi i zotit Grenell, disa muaj pas emërimit të vetë zotit Palmer si i dërguar i posaçëm i Ballkanit, shkaktoi befasi në Departamentin e Shtetit dhe tek udhëheqësit në rajon.

“Çfarë mund të na thoni se si do të ndahen përgjegjësitë në rajon?”

Zoti Palmer u përgjigj se emërimi i tij nga Sekretari Pompeo dhe emërimi i ambasadorit Grenell nga Presidenti, tregon angazhimin nga ana e administratës, nga ana e Shteteve të Bashkuara, për të rritur profilin tonë në rajon.

“Për t’i treguar rajonit që jemi të pranishëm që jemi partnerët e tyre, që jemi të gatshëm që të investojmë kapital politik dhe përpjekje, energji dhe për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të ecin përpara”.

Senatori Johnson tha se si zoti Palmer ashtu edhe ambasadori Grenell janë të përkushtuar të punojnë së bashku dhe për arritjen e një përparimi të qendrueshëm mes dy vendeve.

voa

Kosovë/ Nesër përfundon numërimi dhe rinumërimi i votave

vendvotimiNë Qendrën për Numërim dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve me kusht dhe fletëvotimeve të personave me nevoja të veçanta, ku nga gjithsej 26 mijë e 819 fletëvotime deri tani janë numëruar 13 mijë e 804 vota. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi tha se deri nesër pritet të përfundoi procesi i numërimit të fletëvotimeve të këtyre dy kategorive.

Sipas Elezit, nesër pritet të rinumërohen edhe katër vendvotimet për të cilat sot vendosi KQZ-ja që t’i rinumëroi.

“Në plan për t’u numëruar rreth 27 mijë të këtyre kategorive, pra vota të personave me nevoja të veçantë dhe votave me kusht. Deri në këto momente kur po flasim të dhënat e fundit janë të orës 15:00 mund të themi se janë numëruar gjysma e tyre, më shumë se 13 mijë dhe po besojmë që deri nesër gjatë ditës të arrijmë të përmbyllin procesin e numërimit të të gjitha këtyre fletëvotimeve. Gjithashtu gjatë ditës së nesërme planifikojmë numërimin e atyre katër vendvotimeve për të cilat vendosi sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së u shpreh se javën e ardhshme KQZ do jetë e gatshme për të shpallur rezultatet përfundimtare të 6 tetorit.Sipas tij, për certifikim të rezultateve përfundimtare duhet të pritet edhe vendimi i PZAP dhe Gjykatës Supreme në rast të ankesave nga kandidatët për deputet dhe subjektet politike.

“Tashmë jemi në fazën përfundimtare para se të kalojmë tek shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit, besojmë që me përfundimin e votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta, si dhe rinumërimi i atyre katër vendvotimeve…do jemi të gatshëm për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 6 tetorit. E kemi thënë edhe dje se besojmë që në fillim të javës KQZ-ja do të shpall rezultatet përfundimtar të 6 tetorit”, tha ai.

Në bazë të numërimit të votave me kusht dhe të atyre me nevoja të veçanta është duke prirë Lëvizja Vetëvendosje me gjithsej 3747 vota, e pasuara nga PDK me gjithsej 2815 vota, ndërsa LDK ka grumbulluar 2641 vota. Koalicioni AAK-PSD ka marrë nga votat me kusht dhe ato të personave të veçanta gjithsej 2045 vota, ndërsa, koalicioni NISMA-AKR-PD ka gjithsej 622 vota.

Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhje e sotme ka vendosur që të rinumërojë edhe katër vendvotime, ndërsa deri sot ka rinumëruar rreth 850 vendvotime. Në bazë të rezultateve përfundimtare të KQZ-së fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit është Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa e dyta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës.

Top Channel

Fitore tjetër në përpjekjet për t’i dhënë fund poliomielitit

KampanjaNisma për t’i dhënë fund poliomielitit ka qenë afatgjatë. Përpjekjet për realizimin e këtij synimi kanë qenë të vazhdueshme që nga viti 1988, dhe, ndërsa është shënuar një përparim i madh në këtë drejtim, puna nuk ka mbaruar ende. Lajmi i mirë është se sëmundja është tkurrur me 99.9 për qind. Por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, poliomeliti vazhdon të jetë i pranishëm në Pakistan dhe Afganistan.

Përpjekja globale për t’i dhënë fund poliomielitit është një program masiv.

Programi mbështetet në fondet globale, vaksinuesit vullnetarë, negociatat me udhëheqësit politikë dhe fetarë në të gjitha nivelet dhe prindërit që kanë besim te vaksina.

Në Kenia, faktet rreth poliomielitit mësohen në shkolla. Fëmijëve u mësohet edhe çfarë t’u tregojnë prindërve të tyre.

Përpjekjet ndërkombëtare po sjellin rezultate. Prania e sëmundjes ka shënuar rënie me një nivel 99.9 për qind. Nigeria pati rastin e saj të fundit të poliomielitit tre vjet më parë. Nigeria, dhe e gjithë Afrika, mund të shpallen zona të lira nga poliomieliti në vitin 2020.

Dikur kishte tre lloje të virusit. Lloji i dytë u zhduk më 2015. Zyrtarët e shëndetësisë tani thonë se edhe lloji i tretë është zhdukur.

“Pra, ky do të jetë lloji i dytë nga tre llojet e virusit që do të zhduken, duke lënë vetëm një lloj të virusit që vazhdon të qarkullojë në botë”, thotë Carol Pandak nga organizata Rotary International që menaxhon programin PolioPlus.

Këtu, në kufirin mes Pakistanit dhe Afganistanit, ku një numër i madh njerëzish kalojnë nga një vend në tjetrin, është zona ku përhapet virusi i poliomielitit të egër.

Mbrojtja e fëmijëve në migrim nga poliomieliti është një punë me orar të plotë. Të dyja vendet patën rritjet të rasteve të kësaj sëmundje nga viti i kaluar.

“Realiteti është që të dyja vendet janë në thelb një bllok epidemiologjik dhe ka kaq shumë lëvizje të popullatës. I njëjti lloj i virusit po transferohet nga njëra anë e kufirit në tjetrën përmes lëvizjeve të popullatës”, thotë Oliver Rosenbauer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Dhe kjo është sfida kryesore. Njerëzit kanë familje në të dyja anët e kufirit dhe vizitojnë njëri-tjetrin. Një sfidë e dytë janë Talibanët, të cilët tani lejojnë që vaksinat të jepen vetëm në qendrat e imunizimit.

Një sfidë tjetër vjen nga suksesi i programit. Numri i rasteve të poliomielitit ka rënë ndjeshëm.

Dhe programi i zhdukjes së kësaj sëmundjeje tani duhet të trajtojë nevoja të tjera urgjente si uji i pastër. Por, zonja Pandak thotë se programi është përshtatur gjithmonë me ndryshimet.

“UNICEF-i në veçanti ka një strategji për Afganistanin dhe Pakistanin për të siguruar këto shërbime dhe (organizata) Rotary për shumë vite ka punuar me kompaninë Coca-Cola në Pakistan për sigurimin e sistemeve të filtrimit të ujit në disa prej këtyre zonave me rrezikshmëri më të lartë”, thotë Carol Pandak nga organizata Rotary International që menaxhon programin PolioPlus.

Ata që janë përfshirë në Iniciativën Globale të Zhdukjes së Poliomielitit kanë bërë një rrugë më të gjatë dhe më të vështirë sesa pritej në vitin 1988, kur filloi programi. Është shumë larg nga përfundimi, por partnerët në këtë fushatë nuk kanë hequr dorë nga synimi i programit.

voa

Rusia dërgon sisteme raketash në Serbi

S400Serbia do të antarësohet në BE, por i ruan lidhjet e ngushta me Rusinë. Nga Moska kanë mbërritur në Serbi dy sisteme moderne të mbrojtjes nga ajri, që do të përdoren për një manovër të përbashkët luftarake në Ballkan.

Eshtë fjala për sistemin e mbrojtjes kundërajrore S-400 dhe raketat e lëvizsshme për mbrojtjen nga ajri të tipit  Panzir. Sikurse njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, këto sisteme vihen në provë për herë të parë gjatë një manovre jashtë Rusisë. Sistemet duhet të instalohen në bazën ushtarake Batajnica në afërsi të Beogradit.

Ushtarët rusë dhe serbë deri më 29 tetor kanë zhvilluar manovra të përbashkëta stërvitore në Ballkan. Ky është vazhdimi i një stërvitjeje me emërtimin “Tabela mbrojtëse sllave-2019″, që nisi në shtator në rajonin jugor të Rusisë Astrachan.

Në këtë manovër do të simulohen aksionet e një grupi të përbashkët luftarak për mbrojtjen kundër masave armiqësore të zbulimit dhe ofensivës, sikurse deklaroi Ministria serbe e Mbrojtjes. Ushtria serbe bazohet në një teknologji armatimesh sovjetike. Vitet e shkuara këtij arsenali i janë shtuar edhe avionë luftarakë MiG-29 si dhe helikopterë, tanke e automjete të blinduara nga Rusia.

Ndonëse Serbia përpiqet për antarësimin në BE, ajo vazhdon t’i ruajë marrëdhëniet tradicionalisht të ngushta me Rusinë, që e konsideron si “vëllain e madh ortodoks”. Për Moskën Serbia është aleati më i rëndësishëm në Ballkan. Ndër të tjera edhe sa i përket çështjes së Kosovës qeveria në Beograd mbështetet tek Rusia.

Dy sistemet e armatimit S-400 dhe Panzir, të mbërritura në Ballkan, Rusia i përdor edhe në luftën e Sirisë. Së fundi Turqia, anëtare e NATO-s, e bleu sistemin e mbrojtjes nga ajri S-400 duke ngjallur kritikë të ashpër në aleancë. Kjo blerje nuk është e parashikuar në statutet e aleancës. Pavarësisht protestës Ankaraja, sipas të dhënave të Moskës, po negocion për blerjen e sistemeve të reja të armatimeve. .

uh/ww (afp, rtr, ap)

Serbia dhe Greqia – Aleancë në fuçinë e barutit

AthinaMarrëdhëniet mes Greqisë dhe vendeve të Ballkanit janë të tensionuara. Serbia bën përjashtim këtu. Por ku bazohet miti i miqësisë greko-serbe dhe pse kjo miqësi nuk sjell dot stabilitet në rajon?

Në Selanik filloi Bienalja e 7-të e Artit. Për vizitorët këtu ka mjaft për të zbuluar. Madje nuk është kjo Greqia që njohim. Në të ze vend arti modern dhe konfrontimi kritik kundrejt zbulimeve arkeologjike dhe krenarisë kulturore. Edhe për këtë arsye ia vlen të vizitosh muzetë e Selanikut që marrin pjesë në Bienalen e Artit. Qyteti verior i Greqisë përballet me historinë e tij ballkanike. Debati publik lidhur me vendet fqinjë karakterizohet prej nacionalizmit patriotik.

Në Muzeun e Fotografisë në Selanik në kuadër të Bienales është ekspozuar edhe një vepër e artistit nga Athina Vangelis Vlahos. Në murin e bardhë projektohet një video, ku ish-diktatori  jugosllav Sllobodan Millosheviç jep një deklaratë. Në një tryezë përpara videos ndodhet një maket druri i parlamentit boshnjak. Aty pranë harta të mëdha të mbushura me artikuj gazetash për investime greke në Ballkan. Orë mësimi historie veshur me kostumin e artit?

Dëshmi të një përballjeje

Artisti i lindur në vitin 1971 me këtë informacion të ekspozuar nuk synon të japë përgjigje. Ai nuk është historian. Vepra e tij është si një dëshmi e konfrontimit personal me një histori më të re të Greqisë, që nuk luan asnjë rol në vetëdijen kombëtare: “Unë nuk merrem me moemente të historisë së re greke, që normalisht gjenden në periferi të historisë së shkruar zyrtare dhe që nuk konsiderohen të rëndësishme për zhvillimin apo interpretimin e një ngjarjeje.”

Në këtë rast për Vlahosin janë tri aspekte: 1. Nisma e Greqisë për financimin dhe rinovimin e parlamentit boshnjak në Sarajevë.  2. Anektodat për gjeneralin serb Ratko Mladiç. 3. Një takim në maj 1999 në Beograd mes Slobodan Miloseviçit dhe ish-kryeministrit grek Konstantinos Mitsotakis. „Unë dua të krijoj me punën time një kuadër interpretimi, një mjedis harmonik marrëdhëniesh ndërnjerëzore, që duhet t’i afrohet perceptimit dhe kujtesës sonë ndaj historisë së re” , thotë Vlahos.

Rezistenca dhe Ortodoksia

Me punën e tij Vlahos hulumton mitin e miqësisë serbo-greke. Tradicionalisht lidhjet mes Athinës dhe Beogradit janë miqësore, një lloj aleance ballkanike në rajon, ku marrëdhëniet e Greqisë karakterizohen prej konflikteve. Miqësia bilaterale, sipas Stavroula Mavrogeni, profesore në Institutin për Studimet Ballkanike në Universitetin e Maqedonisë në Selanik, e kanë zanafillën tek një imazh i armikut të përbashkët: „Kjo është një trashëgimi nga koha e revolucioneve kundër Perandorisë Osmane. Qysh atëherë është zhvilluar miti i ‘popujve vëllezër’.”

Edhe historiani Loukianos Chasiotis i gjen rrënjët e miqësisë greko-serbe në histori: „Grekët dhe serbët në rajon në përgjithësi nuk kanë pasur interesa konkurruese. Aleanca mes dy vendeve që në fillim të shekullit të 20-të është krijuar qëllimisht për të kontrolluar Bullgarinë.” Krahas Turqisë Bullgaria është ndër armiqtë kryesorë të Greqisë. Luftrat e përgjakshme ballkanike, luftërat për pushtet territorial: në të dyja anët historia e re ka lënë gjurmë traumatike.

Por edhe diçka tjetër e stimulon këtë ndjenjë solidariteti mes dy popujve: krishtërimi ortodoks. Madje kjo lidhje ka shkuar deri aty, sa ushtarë milicë grekë më 1995 i mobilizuan në luftën e Bosnjes dhe mbështetën trupat serbe edhe në masakrën ndaj myslimanëve boshnjakë në Srebrenicë. Në fazën e parë të luftrave të Jugosllavisë mediet greke shpreheshin kundër Millosheviçit, kujton Mavrogeni: „Më vonë u zhvillua teoria e një ‘harku mysliman’. Shumë grekë e konsideronin Serbinë si një digë kristiane kundër përhapjes së Islamit.”

Mes historisë dhe mitit

Por aleanca Serbi-Greqi bën përjashtim në rajon. Pikërisht grindja për emrin me Maqedoninë e Veriut tregon, se sa të tensionuara janë marrëdhëniet mes vendeve. Në këtë kontekst luan rol edhe se si flitet dhe çfarë mëson për tjetrin që në shkollë, thekson Loukianos Chasiotis. “Prezantimi në tekste i bullgarëve dhe e shqiptarëve e ka preardhjen nga një epokë, në të cilën vendet ndodheshin në interesa konflikti mes tyre. Jo vetëm grekët ishin nacionalistë, por edhe të gjtiha shtetet e tjera të përfshira.”

Etnocentrizmi në Greqi tashmë nuk është aq keq sa ka qenë në vitet 70-të e 80-të. Megjithatë imazhi i vendeve fqinjë vazhdon të jetë i keq. Sipas Mavrogenit, kjo ka të bëjë kryesisht me mënyrën se si konceptohet diskursi publik: “Në Greqi shpesh deformohen lajmet nga bota e jashtme duke u vënë në një kontekst me tema faktike apo edhe të fantazuara në nivelin kombëtar.” Çështjet e politikës së jashtme shpesh pështjellohen me çështje të brendshme dhe duke u komportuar ndaj këtyre zhvillimeve rëndom ato keqpërdoren për lojërat e brendshme partiake.

Edhe qeveria e re, që i mbështet fqinjët në Ballkan në nivel europian, ndjek në politikën e brendshme një kurs diametralisht të kundërt. Mbledhja e votave në masën e zgjedhësve tradicionalist dhe nacionalistë krijon një tabu për hapjen drejt vendeve fqinjë si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria. Së fundi ministri i Arsimit, Nikis Kerameos deklaroi: “mësimi i historisë nuk duhet të ketë karakter social-shkencor, por duhet të kultivojë ndërgjegjen kombëtare.” Mësuesit dhe historianët e quajnë këtë kërkesë absurde dhe antishkencore.

Ndaj është me pikëpyetje nëse marrëdhëniet mes Athinës dhe Beogradit mund të kontribuojnë për stabilitetin në rajon. P.sh. Greqia është një ndër pesë vendet e BE-së që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. „marrëdhëniet bilaterale zhvillohen jo mbi bazën e vullnetit të njërës palë, por me përpjekje të përbashkëta,” tërheq vëmendjen Mavrogeni. Kjo nuk ka nevojë për aleanca të krijuara prej nacionalizmit historik, por prej përballjes kritike me vetveten. Për sa u përket librave shkollorë: në gjuhën popullore thuhet, se mënyra se si e perceptojnë historinë shumë njerëz në Greqi është e shkruar në një faqe tjetër. Këtu mbizotëron një mendim i ashpër në kundërshtim me librat akademikë dhe ato shkollorë. Terreni pjellor për këto qëndrime krijohet kryesisht në media, në kinema, në lajme e në muzeumet e luftës. Këtu paraqitja e historisë është edhe më kontrastuese.

dw