Sa e lehtëson marrëveshja me Serbinë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare?

KBNormalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes një marrëveshjeje eventuale gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, do të ndihmonte dhe lehtësonte në masë të madhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat e ndryshme ndërkombëtare, por ky normalizim i marrëdhënieve nuk është parakusht për anëtarësim në ato organizata, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Praktikat e deritashme, sipas tyre, tregojnë që edhe pa një marrëveshje me Serbinë, Kosova ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të tjera.

Megjithatë, sipas tyre, ekzistojnë dy kategori organizatash apo agjencish, në të cilat anëtarësimi i Kosovës është i dëshirueshëm. Në kategorinë e parë hyjnë gjashtë organizata ose agjenci ndërkombëtare, në të cilat, për t’u anëtarësuar si shtet i ri, kërkohet të qenit anëtar formal i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndërkaq, në kategorinë e dytë hyjnë organizatat, për të cilat nuk vlen ky kusht formal, por që anëtarësimi varet nga vullneti i shumicës së shteteve anëtare e të këtyre organizatave apo dy të tretave të numrit të anëtarëve.

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi, Sabri Kiçmari, aktualisht pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë, që deri më tash Kosova është pranuar në disa organizata ndërkombëtare, si dhe ka synuar pranimin në disa të tjera.

“Do të thotë, nuk është parakusht për anëtarësimin e Kosovës (në organizata ndërkombëtare) normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Por, pa asnjë dilemë, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve (Kosovë-Serbi) do të ndihmonte, përkatësisht, do të hiqte pengesën për pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Meqë gjendja është e tillë, siç është, atëherë Republika e Kosovës duhet t’i shqyrtojë mundësitë për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare, por në përputhje me gjendjen reale që e ka”, tha Kiçmari.

Ai ka shtuar se edhe në organizatat ku kërkohen dy të tretat e votave të anëtarëve, mundësitë për pranim të Kosovës janë shumë të vogla, për shkak se atë ende nuk e kanë njohur dy të tretat e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe aktualisht pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që praktikat e deritashme kanë treguar që Kosova mund të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare pa i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Por, sipas tij, tentimet për t’u anëtarësuar në UNESCO dhe në INTERPOL, kanë treguar që mungesa e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe fushata agresive e kësaj të fundit, kanë ndikuar në rezultatin negativ për Kosovën.

“Në kuptimin formal, nuk kërkohet asnjë lloj marrëveshje me Republikën e Serbisë që ne të jemi pjesë e këtyre organizatave. Më shumë se kaq, kërkohet që të jemi efikas dhe efektiv, të mbajmë raporte shumë të ngushta me vendet që na kanë njohur. Madje edhe tek ato që nuk na kanë njohur, të shtrijmë ndikimin përmes vendeve tona mike dhe në momentin kur do të siguronim dy të tretën e votave ose varësisht nga rregullimet e statuteve që kanë këto organizata, të aplikonim dhe unë mendoj që do të mund të marrim anëtarësimin në to”, tha Hoti.

Ai ka shtuar që megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe rrjedhimisht një ulëse në Kombet e Bashkuara, do t’ia lehtësonte tërësisht Kosovës anëtarësimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

“Përfundimisht, ulësja në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, jo vetëm që zvogëlon, por praktikisht shënon fundin e problematikës dhe izolimit ndërkombëtar të Kosovës. Nëse vendi ynë do të siguronte ulëse në OKB, atëherë mendoj që çështja e anëtarësimit në ato gjashtë organizatat ku kërkohet ky anëtarësim, por edhe në organizatat tjera, do të ishte çështje vetëm e procedimit, në kuptimin formal, me kërkesën formale të Kosovës te sekretariatet e këtyre organizatave dhe votimi, pa asnjë dilemë do të ishte pozitiv dhe Kosova do të anëtarësohej në to”, tha Hoti.

Por, Kiçmari, shpreh mendimin që një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe njohjen e ndërsjellë, nuk siguron automatikisht edhe ulësen në Kombet e Bashkuara për Kosovën.

“Nuk ka një siguri të plotë që në rast se ne i normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë, Rusia dhe Kina do të heqin të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Është e qartë që pa mbështetjen, përkatësisht, pa rekomandimin e Këshillit të Sigurimit, nuk mund të pranohemi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe ne duhet të jetojmë me këtë fakt. Por, sigurisht që normalizimi eventual i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve do të lehtësonte ndryshimin e qëndrimit të Kinës dhe të Rusisë për njohjen e Republikës së Kosovës, përkatësisht, lejimin për t’u pranuar në organizata ndërkombëtare”, tha Kiçmari.

Sidoqoftë, të dy njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare,vlerësojnë se aktualisht, Kosova duhet ta peshojë mirë çdo tentim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe jo të bëjë tentime testuese. Tentimet për anëtarësime të tilla, sipas tyre, duhet të bëhen vetëm kur të ekzistojnë parakushte shumë të sigurta për pranim. Siç kanë thënë ata, dështimet për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, kanë refleksion të drejtpërdrejtë në statusin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Cili profesion është më fitimprurës në Maqedoni?

denarSipas Entit Shtetëror për Statistika, për muajin gusht të këtij viti paga mesatare është 25.157 denarë.

Sipas të dhënave të ESHS-së, paga mesatare e sektorit të programimit në gusht ka qenë 63.870 denarë që e bën sektorin më fitimprurës në Maqedoni. Më pas vjen sektori i transportit ajror që është 41.337 denarë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pas këtyre dy sektorëve me pagë mesatare prej 46.384 denarë është sektori i komunikimeve dhe informacioneve dhe me 41.223 denarë është sektori i financave dhe sigurimeve.

Paga mesatare në krahasim me gushtin e vitit të kaluar, sipas ESHS-së, ka rritje prej 3.8%./Telegrafi/

“Lonely Planet”: Qytetet më atraktive për t’u vizituar më 2020

Salzburg AustriaNë top ten të renditen qytete që ofrojnë veprimtari kulturore jubilare. Salcburgu kryeson listën e tashmë edhe një qytet gjerman disi i harruar zë vendin e pestë: Ish-kryeqyteti, Bon.

Çdo vit shtëpia botuese australiane “Lonely Planet” klasifikon vendet më të rëndësishme për t’i vizituar duke u bazuar në listën redaksionale të saj. Sivjet me Salcburgun në vend të parë dhe Bonin në vend të pestë klasifikohen në listën top ten dy qytete nga hapësira gjermanofone!

“Lonely Planet” përmend si arsye jubileun e Festivalit të Salcburgut vitin e ardhshëm. Ky festival me rëndësi ndërkombëtare në fushën e muzikës dhe artit skenik feston 100 vjetorin e sirrjedhojë kremtimet do tëjenë pompoze. Po ashtu qxyteti alpin u ofron vizitorëve një trashëgimi kulturore nga lista e UNESCO-s me qendrën historike barok, një kështjellë në kodër me panoramë të mrekullueshme dhe shtëpinë e lindjes së Wolfgang Amadeus Mozartit.

Pas Salcburgut renditet Uashington D.C. e papritur edhe Kairo në vendin e tretë të klasifikimit nga “Lonely Planet”. Aktualisht gjendja në Egjipt nuk është e stabilizuar. vetëm para pak ditësh një zëdhënës i parlamentit paralajmëroi qeverinë për rrezikun nga luftëtarët e huaj dhe terrori. Megjithatë kryeqyteti Kairo josh turistët me hapjen e Muzeut të ri të madh të Egjiptit vitin e ardhshëm. Në godinën pranë piramidave të Gizeh do të ekspozohen sendet nga varri i faraonit e ndoshta edhe mumja e Tutachamun-it, që ndërkohë ndodhet në Luksor.

Edhe Boni josh vitin e ardhshëm me një ofertë të jashtëzakonshme kulturore dhe për këtë arsye renditet pas Galway në brigjet perëndimore të Irlandës në vendin e pestë. “Ish-kryeqyteti i BRGJ-së u shkëput prej radarit që pas zhvendosjes së kryeqytetit të Gjermansië së bashkuar në Berlin në vitin 1999. Por më 2020, në jubileun e 250 vjeotrit të lindjes së Beethoven-it, Boni kthehet në fokus, thuhet në rekomandimin e “Lonely Planet”. Me pa të drejtë Boni ka vuajtur nën hijen e qyteteve më tërheqëse. Por pikërisht në jubileun e madh qyteti buzë Rinit, që rjedh

“ëmbël ashtu si edhe simfonia e nëntë e Beethovenit”, definitivisht ia vlen të vizitohet.

“Kush shëtit në qendrën historike mesjetare me bazilikën Münster me dy kulla dhe në parkun pricëror, krijon një ide të përafërt për atmosferën romantike që ka frymëzuar dikur Beethovenin”, shkruajnë autorët e listës klasifikuese. Krahas shtëpisë së Beethovenit rekomandohet një vizitë në Shtëpinë e Historisë “Haus der Geschichte” dhe një shëtitje përmes ish-lagjes së punëtorëve në veri të qytetit. Këtu mund ta zbulosh Bonin në anën alternavië të tij.

Vendet nga pesë deri në dhjetë janë të shpërndara në tre kontinente: Krahas udhëtimit për në La Paz (Bolivi) dhe Kochi (Indi) rekomandohen edhe vizitat në qytetet Vancouver (Kanada), Dubai (Emiratet e Bashkuara Arabe) dhe Denver (SHBA).

djo/se (dpa, lonelyplanet.com)

Shqipëri, identifikohen anëtarët e një celule terroriste iraniane

struktura teroristeNë Shqipëri, policia shqiptare bëri të ditur sot se ka zbuluar skemën e funksionimit dhe ka identifikuar anëtarët e një celule terroriste iraniane e cila ka patur si synim kryerjen e sulmeve ndaj lëvizjes opozitare iraniane Mojahedin-e-Khalq (Mek), mbi 2 mijë anëtarë të së cilës janë strehuar në territorin shqiptar. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shqiptare Ardi Veliu tha sot se “celula terroriste është gjithashtu përgjegjëse, mes të tjerash, për planin e muajit mars 2018 për kryerjen e një akti terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të organizatës opozitare iraniane Mujahedeen el Khalq (MEK), plan që u parandalua nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta”.

Sipas policisë shqiptare “celula terroriste drejtohet nga operativi i Forcave QUDS, i njohur me emrin Peynam, rezident i përhershëm në Iran, i cili menaxhon në distancë një numër operativësh në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore”. QUDS, është krahu operacional i IRGC (Islamic Revolutionary Guard Corps – Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit) që vepron përtej kufijve të Iranit.

Një anga anëtarët e celulës është Alireza Naghashzadeh, një ish-anëtar i MEK-ut me pasaportë austriake. “Naghashzadeh u dërgua nga Peyman, për të grumbulluar informacion në Shqipëri gjatë disa vizitave të veçuara, si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua”, shpjegoi zoti Veliu.

Një tjetër operativ, është Abdolkhalegh Malek Zadeh, iranian që jeton në Turqi. “Malek Zadeh (i njohur gjithashtu nga lidhjet kriminale me pseudonimin “Ferhat”) ka vazhduar të punojë gjatë dy viteve të fundit me Abdulselam Turgut, një figurë e njohur e krimit të organizuar turk, për të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS”, tha zoti Veliu.

Abdulselam Turgut, është i njohur nga autoritetet shqiptare. Në vitin 2011, Turgut është burgosur gjithashtu në Shqipëri me akuza në lidhje me trafikimin e dyshuar të rreth 1 ton heroinë, por u arratis nga vendi duke përdorur një pasaportë false, pasi gjykata ndërroi masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest shtëpie”.

Vendimi i atëhershëm i Gjykatës së Apelit, nga një trupë e kryesuar nga Gjin Gjoni, bëri jehonë, duke qenë se Turgut ishte arrestuar me kërkesë nga Gjermania për ekstradim, dhe u la në arrest shtëpie në një adresë ku thuhej vetëm “Pallati të Kthesa e Kamzës, kati i 8-të”. Ai kish qenë dhe më parë pjesë e një procesi në Turqi, ku ishin përfshirë dhe një grup shqiptarësh, me të cilët dyshohej se do të trafikonte një ngarkesë të madhe heroine.

Dhjetorin e vitit të kaluar ambasadori i Iranit në Shqipëri, dhe një tjetër diplomat i ambasadës u dëbuan nga Shqipëria. Ministria e Jashtme njoftoi në atë kohë se “dy diplomatët iranianë u shpallën të padëshiruar, pasi dyshohen të jenë përfshirë në aktivitete që cënojnë sigurinë në vend. Vendimi për shpalljen e diplomatëve iranian si të padëshiruar – sqaroi më tej Ministria e Jashtme shqiptare – u mor në konsultim me vendet aleatë, për shkak të aktivitetit të tyre në Shqipëri në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik”.

voa

Sezoni i gripit dhe sëmundjet e zemrës

vaksinaSezoni i gripit ka filluar në Hemisferën Veriore. Edhe pse është shumë herët, janë raportuar tashmë dy vdekje. Njëri ishte një fëmijë, tjetri i rritur me një sëmundje kronike. Por njerëz në dukje të shëndetshëm gjithashtu mund të vdesin nga gripi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carol Pearson njofton.

Ata që ka shumë të ngjarë të vdesin nga gripi janë shumë të rinjtë dhe shumë të moshuarit.

Të tjerët në rrezik janë gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje kronike. Por njerëzit në dukje të shëndetshëm gjithashtu vdesin.

Jen Ludwin nuk u shqetësua shumë kur u prek nga gripi. Ajo ishte 23 vjeç dhe e shëndetshme.

“Mendova se do të kaloja shtatë ditë në shtrat dhe do ta luftoja. Por kisha gabuar”, thotë Jen Ludwin.

Organet e saj filluan të dobësoheshin përfshi mushkëritë.

“Tashmë isha në tronditje septike dhe organet e mia po fillonin të dobësoheshin. Mbi të gjitha kisha një sindromë të frymëmarrjes, dhe më pas pata një hemoragji të brendshme. Të gjitha këto komplikacione së bashku çuan në gangrenë në gjymtyrët e mia, dhe kështu u preva këmbën ”.

“Reagimi i trupit ndaj infeksionit është në thelb një përgjigje e madhe inflamatore që mund të shkaktojë të gjitha llojet e problemeve në organe të ndryshme”, thotë Eric Adkins, mjek në qendrën mjekësore Wexner në Ohajo.

Por përse njerëzit e shëndetshëm do të zhvillonin probleme të zemrës si rezultat i gripit? Studiuesit në Kolegjin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos gjetën një lidhje.

“Ne prodhojmë këtë proteinë dhe ajo ndalon që viruset të hyjnë në qelizat tona”.

Jacob Yount dhe ekipi i tij i studiuesve zbuluan se disa njerëz kanë një mutacion gjenetik që bllokon prodhimin e kësaj proteine, dhe pa të, virusi i gripit ka më shumë të ngjarë të infektojë zemrën dhe të çojë në dëmtim të zemrës.

“Në të vërtetë mund të bllokojë qarkun elektrike që udhëton nëpër zemër”.

Ky konstatim mund të ndihmojë mjekët të kujdesen për pacientët me grip në të ardhmen.

“Nëse e di që u mungon gjeni para kohe, atëherë mund ta përshtasësh terapinë mjekësore ndryshe”, thotë Eric Adkins.

Por tani, mbrojtja më e mirë është marrja e një vaksine gripi. Studiuesit thonë se miliona njerëz në të gjithë botën ka të ngjarë të kenë këtë mutacion gjenetik duke përfshirë rreth një të pestën e atyre me origjinë kineze. Tani që shkencëtarët e dinë se çfarë mund të shkaktojë problemin, ata po kërkojnë trajtime që mund të parandalojnë ose mbrojnë këto komplikime të zemrës në të ardhmen.

voa

Rama vë përballë Ursula Von der Leyen dhe Lulzim Bashën

Ursula BashaEdhe sot kryeministri Edi Rama ka vazhduar me publikimin e citateve të liderëve evropianë për çështjen e negociatave.

Kësaj radhe Rama ka publikuar një deklaratë të Ursula Von der Leyen, presidente e zgjedhur e Komisionit evropian e cila tha: ” Ndjej keq ardhje të thellë për këtë vendim, sepse besoj se këto vende kanë bërë përpjekje të konsiderueshme për tu afruar në BE dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme tu jepet atyre sinjali i duhur”.

tch

Themelohet Task-Forca e përbashkët Kosovë-Maqedoni e Veriut

MPBMinistria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, me qëllim të eliminimit të kërcënimeve të sigurisë, kanë nënshkruar protokollin mbi themelimin e Task-Forcës së Përbashkët.

Nënshkrimi i këtij protokolli u bë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj dhe drejtori i Policisë së Maqedonisë së Veriut, Sasho Tasevki. Ky protokoll u nënshkrua në kuadër të marrëveshjes mes të dy qeverive për bashkëpunim policor.

Me këtë rast, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa tha se nënshkrimi i këtij protokolli në mes të dy vendeve është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të mirë që Kosova dhe Maqedonia e kanë në fushën e sigurisë.

“Kosova dhe Maqedonia kontribuojnë në ngritjen e sigurisë, me qëllim të krijimit të një ambienti më të sigurt për rajonin. Të dy vendet po bëhen model i bashkëpunimit, i cili duhet të zgjerohet tutje në rrafshin e bashkëpunimit rajonal edhe me shtetet tjera”, tha ai.

Ndryshe, task-forca e përbashkët ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në mes të dy vendeve për të eliminuar rreziqet e ndryshme për rendin dhe sigurinë publike, luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve tej-kufitare.

Top Channel

Kosovë: Pse po vonohet shpallja e rezultatit të zgjedhjeve?

VotimiNë Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 530 qendra votimi iu nënshtruan procesit të rinumërimit të votave për shkak të manipulimeve të llojeve të ndryshme. Rezultate përfundimtare ende nuk ka.

Zgjedhjet në Kosovë u vlerësuan nga vëzhguesit ndërkombëtar si të rregullta, demokratike dhe pa telashe të mëdha në ditën e votimeve, por megjtihatë ende nuk janë shpallur rezultatet përfundimtare. Kjo për arsye se në mbi 530 qendra votimi po kryhet rinumërimi i votave për shkak të parregullsive të shumta. Në Qendrën për Numërim dhe Rezultate (QNR) thonë, se deri tani janë numëruar më shumë se gjysma e votave nga këto 530 qendra.

“Procesi i rinumërimit të 530 vendvotimeve do të përfundoj brenda 3-4 ditëve, pastaj iu hapet rruga numërimit të votave me kusht, që praktikisht do t’i marrë edhe 2 ditë. Pra i kemi rezultatet e vendvotimeve të rregullta, të cilat janë në bazën e të dhënave, do t’i procedojmë rezultatet e vendvotimeve të rinumëruara, që po ashtu do t’ia bashkojmë rezultateve finale. Po kemi gjithashtu edhe rezultatet e votave me postë dhe mbeten vetëm edhe rezultatet e votave me kusht në mënyrë që të kompletohen të gjitha, dhe KQZ të publikojë rezultatet përfundimtare”, thotë Burim Ahmetaj Koordinatori i QNR-së.

Procesi i rinumërimit të votave në të paktën 530 vendvotime, nga rreth 2800 sa ishin në mbarë Kosovën, po bëhet për shkak të manipulimeve të shumta nga komisionarët e partive politike dhe që po vlerësohet se po e dëmtojnë të gjithë procesin zgjedhor.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tashmë ka ftuar Policinë dhe Prokurorinë hetuese që të qëndrojnë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve për të hetuar parregullsitë e raportuara. Sipas saj, gjatë numërimit të votave në disa qendra votimi janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme. “Sa u takon komisionerëve, unë edhe tani mund t’u bëj thirrje publike edhe Policisë edhe Prokurorisë që mund të qëndrojnë lirisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe aty për aty të shohin dhe t’i marrin provat, sepse në ato vendvotime ku ka rinumërim janë bërë manipulime të llojeve të ndryshme”, thotë Valdete Daka.

Nga ana tjetër, mbi 40 mijë fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme dhe tani pë tani sipas zëdhënësit të KQZ-së Valmir Elezi, akoma nuk ka një konstatim rreth natyrës së pavlefshmërisë së këtyre fletëvotimeve.

“Edhe sa i përket këtij procesi zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tani në këtë periudhë kur po bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve është duke gjetur fletëvotime të pavlefshme dhe duke parë natyrën e tyre. Sigurisht pasi të kemi më shumë kohë do të ketë një raport lidhur me detajet, statistikat që i përkasin pavlefshmërisë së fletëvotimeve”, thotë Valmir Elezi.

Organizata të shoqërisë civile që janë të angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve, thonë se mosinformimi i duhur i qytetarëve ka bërë që të ketë shumë fletëvotime të pavlefshme.

“Në bazë të të analizimit të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme përgjatë këtyre cikleve të kaluara zgjedhore 5 deri në 6 pikë në përqindje është kryesisht numri i votave të pavlefshme si rezultat i informimit të gabuar apo fushatave të partive, sesa rasteve kur është shënuar më shumë se një subjekt politik që mund të përkthehet në prishje të qëllimshme të fletëvotimit nga ana e votuesve, andaj KQZ duhet të trajtoj pjesën më të madhe të këtyre fletëvotimeve të pavlefshme që vijnë si rezultat i informimit”, thuhet në një raport të KDI, rrjeti i organizatave që monitorojnë procesin e zgjedhjeve.

Sipas KDI-së, dhjetë komunat me përqindjen më të lartë të votave të pavlefshme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 6 tetorit janë: Skënderaj 9.66%, Novobërdë 9.64%, Drenas 9.47%, Podujevë 8.40%, Lipjan 8.31%, Rahovec 8.07%, Dragash 6.67%, Malishevë 6.27%, Kamenicë 5.91% dhe Viti me 5.90%.

Analistët politik nga ana e tyre thonë, se një prej pikave më të dobëta të sistemit zgjedhor mbetet rinumërimi i pashmangshëm i kutive të votimit dhe e gjithë kjo është pasojë e përpjekjeve të komisionerëve për të manipuluar me votat e kandidatëve brenda subjekteve politike. Blerim Burjani analist politik dhe ish-anëtar i KQZ-së i tha DW-së se reforma zgjedhore në Kosovë është e domosdoshme. “Duhet të ndodhë një reformë zgjedhore adekuate që eviton mangësitë si në vijim: Ndaljen e manipulimit me votat të kandidatëve të partive që vet partitë politike përmes komisionerëve të tyre i bëjnë. Komisionerët partiak nuk duhet të numërojnë vota, por këtë duhet ta bëjnë punonjësit civil. Dhe KQZ, Këshillat e Vendvotimeve (KVV) dhe Këshillat Komunale Zgjedhore (KKZ) duhet të depolitizohen plotësisht”, thotë Blerim Burjani, sipas të cilit vetëm ndëshkimi i partive politike me gjobë, mund ta ndalë procesin e manipulimit me numërimin e votave.

“Manipulime të votave bëhen, sepse sistemi është i tillë ku partitë politike përmes komisionerëve të tyre numërojnë votat e tyre. Po qe se rriten ndëshkimet ndaj partive politike, atëherë partitë mund ta ndalin këtë fenomen dhe të mos bëjnë gjëra të kundërligjshme dhe duhet të ketë gjoba të rrepta ndaj partive politike e jo vetëm ndaj komisionerëve të partive. Partitë politike keqpërdorin komisionerët e tyre, sepse e dinë që përgjegjësia penale është individuale dhe jo partiake. Pra, duhen mbyllur lista për të ndalur vjedhjen e votave të kandidatëve brenda së njëjtës parti politike”, thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve sipas KQZ-së nuk mund të publikohet pa përfunduar rinumërimi i vendvotimeve të kontestuara, numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave më aftësi të kufizuara dhe që ky proces mund të kërkojë kohë edhe të paktën një javë. Në bazë të rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosja mori më së shumti vota në zgjedhjet e 6 tetorit e pasuar nga LDK-ja. Këto dy parti tashmë janë në fazën e negociatave për formimin e një koalicioni qeverisës në Kosovë.

dw

Takim Putin-Erdogan mbi situatën në Siri

Erdogan PutinPresidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk shprehen optimistë se me diskutimet mes tyre do të arrijnë të zgjidhin “çështjet e komplikuara të rajonit”. Dy udhëheqësit u takuan në qytezën bregdetare Soçi për të diskutuar mbi operacionet turke në Sirinë verilindore dhe planet e Turqisë në të ardhmen e afërt:

Presidenti turk mbërriti në Soçi në brigjet e Detit të Zi për takimin me udhëheqësin rus mbi situatën kritike në Sirinë verilindore.

Pasi e përshëndeti homologun turk, presidenti rus nënvizoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve si armë diplomatike në trajtimin e kësaj situate:

“Dua të përcjell shpresën se marrëdhëniet ruso-turke, në nivelet që kanë arritur kohët e fundit, do të luajnë rol për të zgjidhur të gjitha çështjet e komplikuara në rajon,” tha Presidenti Putin.

Nga ana e tij, Presidenti Erdogan u përqëndrua tek objektiva e Turqisë për të arritur synimet e operacionit.

“Besoj se takimi ynë do të ofrojë mundësi reale për mbarëvajtjen e operacionit në Siri,” tha udhëheqësi turk.

Para takimit, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov kishte shprehur synimet e Presidentit rus për të kërkuar në bisedimet me zotin Erdogan më shumë informacion për planet turke në rajon. Turqia është betuar të vazhdojë ofensivën kundër luftëtarëve kurdë.

Zëdhënësi Peskov tha se Turqia duhet të marrë leje nga qeveria siriane për të dislokuar forca në territorin sirian, duke sinjalizuar se Moska shpreson që të ketë bisedime mes Turqisë dhe Sirisë lidhur me ndërhyrjen turke në Sirinë verilindore.

Turqia dërgoi trupa në Sirinë verilindore disa ditë më parë në një ofensivë për të luftuar forcat rebele kurde, pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të tërhequr trupat nga rajoni.

Vendimi është kritikuar nga ligjvënës nga të dyja partitë politike si dhe nga analistë, të cilët paralajmërojnë se tërheqja amerikane do të krijojë një vakum që do të shfrytëzohet nga fuqi të tjera si Rusia.

Analistët thonë se takimi Putin-Erdogan do të sinjalizojë nëse Rusia është e gatshme t’i lejojë Turqisë dorë të lirë në rajon:

“Jam i interesuar të shoh nga ky takim nëse Presidenti Putin do të përpiqet ta frenojë Erdoganin dhe Turqinë në një fare mënyre,” thotë analisti Brian Katulis.

Qindra luftëtarë kurdë mbeten në rajon, megjithë marrëveshjen e armëpushimit të arritur me ndërmjetësimin amerikan që parashikon tërheqjen e tyr, tha presidenti turk para nisjes për në Soçi. Turqia mund të rifillojë ofensivën sapo të skadojë afati, shtoi ai. Armpushimi pesë ditësh përfundon sonte në orën 19 sipas orës lokale.

voa

Zgjedhje të parakohshme në Maqedoninë e Veriut – Athina hesht

flamurjtQeveria greke qendron e tërhequr lidhur me zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë Veriut – edhe sepse emri i këtij vendi për shumë njerëz në Greqi është një temë delikate.

„Ata s’kanë çfarë kërkojnë në BE,” gjëmonte të shtunën në mbrëmje zëri i një gruaje nga Veriu i Greqisë në një radio lokale. Me këtë ajo mbështeste parafolësin, që lidhur me këtë çështje vërente: „Ata e kanë gjetur varrin e motrës së Aleksandrit të Madh tek ne”; duke iu referuar zbulimeve të artifakteve gjatë gërmimeve për metronë e Selanikut. Edhe më shumë se një vit pas marrëveshjes së Prespës, tek shumë grekë ndizen emocionet e romantikës së lashtë. Ndërkohë që zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut nuk kanë të bëjnë aspak me antikitetin.

Pasi Franca dhe Holanda refuzuan hapjen e negociatave të antarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, është e pasigurtë edhe e ardhmja e kryeministrit Zoran Zaev. Më 2018 ai përmes referendumit kërkoi që maqedonasit të votojnë për ndryshimin e emrit të vendit, për të mbyllur grindjen prej dekadash me Greqinë. Për këtë ai i joshi qytetarët me premtimin e pasaportave europiane dhe fundit të shumëpritur të izolimit politik dhe ekonomik. Pas Jo-së nga Brukseli tani u shpallën zgjedhje të reja në prill.

Aspak mbështetje për marrëveshjen e Prespës

Për njerëzit në pjesën greke të Maqedonisë nuk ndryshon gjë prej bllokadës së BE-së. Marrëveshja e Prespës mbetet e padëshiruar prej tyre. Nëse i pyet njerëzit se çfarë mendojnë për refuzimin BE-së për hapjen e negociatave të antarësimit, shumica tkurrin fytyrën dhe nuk duan të përgjigjen. Shumë pak janë të gatshëm të japin një përgjigje: „E gjitha çfarë mund të ndodhë tani, mund të jetë vetëm e gabuar”, thotë një shtëpiake 46 vjeçare. Ka vetëm një Maqedoni e ajo është greke. Sa i përket grindjes për emrin kryekëput gjithçka është e gabuar. Vendimi nga Brukseli nuk është gjë tjetër veçse një reagim zinxhir prej kësaj.

Të rinjtë nën dyzet vjeç janë më të shpenguar për këtë çështje. „Ndoshta është më mirë, që të qetësohen një herë gjërat, përpara se të pranohen në BE.” , thotë një studente 26 vjeçare. Një kuzhinier 37 vjeç e konsideron të gabuar vendimin e Brukselit: „Ata e vunë të gjithë këtë proces në lëvizje, për t’u antarësuar në BE. Kjo duhet të vlerësohet.”

Heshtje nga ana e qeverisë

Ndërkohë Athina është e tërhequr duke heshtur pa reaguar. Përpara samitit të BE-së kryeministri Kyriakos Mitsotakis deklaroi, se është për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e  Veriut. Në një konferencë shtypi pas vendimit në Bruksel ai u përgjigj tërthorazi dhe iu shmang sikurse bën në shumicën e daljeve publike përmendjes së emrit Maqedonia e Veriut. Ai përdori vetën e parë të shumësit, sikur t’i duhej atij që të kujtonte Tiranën dhe Shkupin, që Greqia në kuadrin e konflikteve rajonale, ka epërsinë europiane: „Ne (shën. Red.: kryeministrat e vendeve anëtare të BE-së) ndërkohë nuk mund të hapim bisedimet me dy vendet fqinjë.” Në këtë kontekst ai theksoi, se Greqia e mbështet antarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Lidhur me zgjedhjet e reja që u shpallën në fundjavë, ndërkohë ende nuk ka reagime në Athinë. Stavros Tzimas, gazetar dhe ekspert i Ballkanit në gazetën prestigjoze „Kathimerini”, thotë, se ky reagim nuk të habit: „Qeveria e Mitsotakis nuk është e gatshme të përzihet në mënyrë aktive në këto zhvillime. Ai ka bërë të qartë, se nuk do të dalë kundër marrëveshjes së Prespës. Por sigurisht që nuk është i interesuar, që të nisë nëj debat i mëtejshëm për këtë marrëveshje, ndaj së cilës ai vet ka votuar kundër.”

Kritikë nga ish-kryeministri Tsipras

Alexis Tsipras, udhëheqësi i opozitës dhe ish-kryeministri që më 2018 ishte përgjegjës për kompromisin për kontestin e emrit, e kritikon heshtjen e Mitsotakisit. Në një kohë, kur BE konfrontohet me pasojat e vendimit të saj, për mosdhënien e dritëss ë gjelbër negociatave me Maqedoninë e Veritu dhe Shqipërinë, Greqia duket inekzistente. „Kryeministri grek, që nuk guxon ta përmendë emrin e vendit fqinjë, e ka pranuar fatin e vendit fqinj dhe të Shqiëprisë lidhur me antarësimin në BE, pa kërkuar një herë që të reformohet atje situata ligjore e pakicës greke.”

Partia e Tsiprasit SYRIZA e akuzon qeverinë, se nuk është angazhuar sa duhet për antarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, thotë Stavros Tzimas. Ai tërheq vëmendjen, se „do të kishte qenë më mirë për të gjithë që ky kapitull të sqarohej një herë e përgjithmonë përmes antarësimit në BE.” Tani duhet pritur, se si do të zhvillohen gjërat. Shansi, që Zoran Zaev t’i humbasë zgjedhjet është i madh. Dështimi i premtimit për BE-në është vetëm një arsye: „dhe pavarësisht disa hapave për reforma dhe politikës së jashtme, qeveria e tij në sytë e shumë njerëzve thuajse nuk dallon nga politika nacional-konservatore e parardhësit të tij Gruevski. Skandale, korrupsion dhe manipulime në drejtësi janë të përditshme, vetëm se kësaj herë nën mantelin e socialdemokracisë.”
Tani është i madh rreziku, që njerëzit në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri të distancohen nga Europa dhe të gjejnë mbështetës të tjerë, vëren Tzimas. Me këtë ai ka parasysh Moskën, që konkurron me Perëndimin për influencë në rajon. Kjo nuk është aspak në interes të  BE-së dhe në këtë mënyrë edhe të Greqisë që humasin pushtet në rajon në favor të Rusisë.

voa