Ekspertët studiojnë sistemin imunitar për të dhëna mbi COVID-19

limfocitet TSistemi imunitar i njeriut është i përbërë nga miliona qeliza të bardha të llojit T (limfocitet T), të cilat ndihmojnë në luftimin e viruseve që hyjnë në trup. Kompanitë “Microsoft” dhe “Adaptive Biotechnologies” po zhvillojnë një provë klinike për të identifikuar dhe analizuar mënyrën se si këto qeliza reagojnë ndaj COVID-19. Rezultatet do t’i ndihmojnë ekspertët e mjekësisë të përmirësojnë mënyrën e diagnostikimit dhe trajtimit të virusit si dhe për zhvillimin e vaksinave efektive ndaj tij.

Maçoku i Christy Karras, Fredi, i ka bërë asaj shoqëri gjatë një periudhe të vështirë.

“Isha një nga personat e parë në SHBA që u diagnostikova me COVID-19, me një formë të butë të sëmundjes”, Christy Karras, pjesëmarrëse në studim.

Pasi u shërua, shkrimtarja e cila jeton në Siatëll dëshiron të bëjë më shumë.

“Nuk më pëlqen kur më marrin gjak, por jam e lumtur ta bëj këtë gjë në emër të shkencës”.

Zonja Karras mori pjesë në një studim klinik të quajtur “ImmuneRACE” apo Gara e Imunitetit”, të kompanive “Adaptive Biotechnologies” dhe “Microsoft”.

Një nga drejtuesit kryesorë të projektit, Lance Baldo, thotë se prova ende në fazë studimi është e ndryshme nga provat aktuale diagnostikuese apo ato që lidhen me antitrupat.

“Ata përqëndrohen më shumë tek efektet e virusit në trup. Ne po shohim efektin e trupit tek virusi”, thotë ai.

“ImununeRACE” do të analizojë se si reagojnë ndaj COVID-19 sistemet imunitare të njerëzve të ndryshëm, duke studiuar reagimin e qelizave të bardha T apo limfocitet T.

“Ata janë qelizat e para të sistemit imunitar që priren të reagojnë kur trupi përballet me një infeksion viral siç është COVID-19″, thotë ai.

Identifikimi i këtyre reaksioneve fillestare mund të ndihmojë në krijimin e një testi diagnostikues që zbulon praninë e COVID-19 më shpejt dhe më një saktësi më të madhe sesa testet aktuale.

Duke parë se si reagojnë limfocitet T mund të sigurojmë të dhëna që mund të ndihmojnë studiuesit për të përgatitur mënyra më efikase mjekimi e vaksina.

“Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të shohim përgjigjen e sistemit imunitar duke parë ndryshimet mes pacientëve, për të kuptuar se cilat janë ndryshimet në përgjigjen që jep çdo sistem imunitar”, shton zoti Baldo.

Studimi pritet të zbatohet tek një mijë vetë të regjistruar për të marrë pjesë në provën klinike prej 24 qyteteve të ndryshme këtu në SHBA si dhe mbi 3 mijë kampionë të tjerë të marrë nga Afrika dhe Evropa.

“Adaptive dhe Microsoft përdorin algoritmin e kompiuterit për të nxjerrë informacion nga kjo sasi e madhe të dhënash, për ta bërë atë të kuptueshëm”.

Për zonjën Karras kjo është një mënyrë për të kuptuar se si u sëmur.

“Ajo që më bën të shpresoj është ideja që ndoshta diçka e mirë mund të dalë prej gjithë kësaj dhe mbase gjithashtu do t’u japë edhe njerëzve të tjerë shpresë”.

voa

Nënshkruhet kontrata për helikopterët Black Hawk, Xhaçka e ambasadorja Kim: Krah për krah si aleatë të denjë

kim XhackaNë një ceremoni të veçantë, të zhvilluar në bazën ajrore të Farkës, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim nënshkruan kontratën e pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptareme helikopterë “Black Hawk”.

Helikopterët, asistencë e qeverisë së SHBA pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri dhe për ministren Xhaçka, ky kontribut rrit kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.

“Jam e lumtur që sot, përmes këtij nënshkrimi i tregojmë qytetarëve tanë se nuk jemi vetëm. Se kemi miq. Sejemi miq. Që do të jemi krah njëri – tjetrit, sidomos në kohë tëvështira. Helikopterët Black Hawk” që shumë shpejt do të jenë pjesë e Forcës tonë Ajrore, investimi kolosal në bazën e Kuçovës, sistemi i radarëve pas marrëveshjes me kompaninë amerikane Lockeed Martin, janë të gjithë tregues të ringritjes së Forcës Ajrore me hapa të sigurt dhe në krah të aleatit strategjik.
Edhe pse kapacitetet e Shqipërisë janë ende modeste, unë besoj shumë se vlera e shtuar e kësaj infrastrukture për Aleancën dhe aleatët tanë amerikanë është shumë domethënës.Ne jemi duke punuar shumë për të konsoliduar dhe përmirësuar profesionalizmin dhe gatishmërinë e forcave tona. Ashtu siç do të bëjmë me krijimin e një qendre trajnimi multifunksionale që do të përgatisë personelin tonë për një mori specializimesh të forcave ajrore”, tha ministrja Xhaçka në fjalën e saj.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim u shpreh se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria janë dhe do të vijojnë të qëndrojnë “krah për krah”.

Projekti për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë amerikanë të tipit “Black Hawk” mori rrugë një vit më parë gjatë vizitës që ministrja Xhaçka zhvilloi në Gardën Kombëtare e New Jersey. Përgjatë një viti ka patur disa trajnime të pilotëve shqiptarë pranë kësaj garde dhe të specialistëve amerikanë pranë Forcës Ajrore për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive për përdorimin e mjeteve të reja, që do të jetë pjesë e flotës ajrore shqiptare.

Top Channel

Kosovë: Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit Thaçi

Gjykata KushtetueseGjykata Kushtetuese e Kosovës tha të enjten mbrëma se “Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Në vendim thuhet më tej se “dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin 14 të nenit 84 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës.

Vendimi i sontëm i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për qeverinë e re.

Më 30 prill presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai e mirëpriti të enjten mbrëma vendimin e gjykatës duke bërë thirrje që “partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ambasada amerikane në Prishtinë në një komunikatë tha se “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë udhëheqësit të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, qëndrueshmërisë dhe përparimit për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ambasadori Richard Grenell i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, nëpërmjet një komunikate bëri thirrje poshtu për respektimin e vendimit.

“Gjykata Kushtetuese foli. Për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë përparim, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së ambasadorit Grenell.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërsa ka akuzuar presidentin për “krijim të vullnetit politik”, përtej përgjegjësive të tij.

Të enjten pasdite veprimtarët e kësaj lëvizjeje organizuan të enjten pasdite në sheshin qendror të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, që ishte në një debat politik në Klan Kosova, e cilësoi “skandaloz” dhe që mund të çojë në “revoltë qytetare”.

“Skandaloz” e cilësoi vendimin edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkroi se “Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit!”

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike arriti ndërkohë marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare për krjimin e një qeverie të re dhe është zotuar se do të kërkojë votimin në parlament menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha të enjten mbrëma se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionojnë.

“LDK gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë. Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kesaj drejtesie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpriti vendimin që sic shkroi ai “i hap rrugë formimit të qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shkroi ai.

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit Thaçi, jo Kurtit

Gjykata Kushtetuese në PrishtinëGjykata Kushtetuese konstatoi se mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në Kuvendin e Kosovës nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit. Në këtë mënyrë i hapet rruga krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës në aktgjykimin e saj, konstatoi që dekreti i presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për postin e kryeministrit, është në përputhje me Kushtetutën. Gjykata konstaton se “edhe mocioni i mosbesimit ndaj një qeverie në kuvend nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit”. Në këtë mënyrë vendimi i Gjykatës Kushtetuese i cili u publikua pak orë para mesnate, i hap rrugën krijimit të qeverisë së re të Kosovës.

“Gjykata vendosi që dekreti i kontestuar i presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 (Shpërndarja e kuvendit) të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të kuvendit ndaj qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të kuvendit dhe mundëson formimin e një qeverie të re”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, presidenti ka vepruar në përputhshmëri me nenin 82, paragrafi 2, të Kushtetutës me rastin e mandatimit të Avdullah Hotit për kryeministër nga LDK-ja.

Thaçi: Partitë të tregojnë pjekuri politike

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese e ka mirëpritur presidenti i Kosovës Hashim Thaci, i cili ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, thotë presidenti Thaci. Sipas tij, “Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”.

Vetëvendosja: Vendimi sjell revoltë qytetare

Nga ana tjetër vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është mirëpritur nga lëvizja Vetëvendosje. Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, këtë vendim e ka quajtur “skandaloz”, ndërsa sipas tij, ky vendim do të shkaktojë “revoltë qytetare”. “Revolta vjen prej pakënaqësisë së natyrshme, që nuk ka me pasë të votohet më në Kosovë dhe tash e tutje krijohet një sistem politik në të cilin nëse nuk e ke fituar 51 % të votave, nuk ke fituar asnjë votë. Gjithçka më pak se 51 % e votave, ia garanton partnerit të koalicionit që të të rrëzojë kur të dojë dhe të bëjë marrëveshje brenda 25 minutave me partitë opozitare”, tha Glauk Konjufca.

Ambasada e SHBA-së ka kërkuar nga të gjithë që të respektohet vendimi i Gykatës Kushtetuese. “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë liderët të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Qeveria e Kosovës  e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e  saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi me 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vet LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin  për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetues.

dw

Rreziqet e indiferencës – një fjalim i papërsëritshëm nga Elie Wiessel!

Elie_WieselFjalimi i Elie Wiessel i mbajtur në vitin 1999 në Washington DC.

Pesëdhjetë e katër vjet më parë, një djalë i ri hebre nga një qytet i vogël diku në Karpate, u zgjua jo shumë larg vendlindjes së dashur të Gëtes, Wiemar, në një vend të mbuluar tashmë nga turpi i përjetshëm, famëkeqi Buchenwald. Më në fund ishte i lirë, por zemra nuk i gëzonte dhe mendonte se nuk do ta njihte dot më kurrë gëzimin.

I liruar një ditë më parë nga ushtarët amerikanë, ai kujtonte zemërimin e tyre për shkak të asaj që panë në atë vend. Edhe pse nuk e kuptonte gjuhën e tyre, sytë e atyre ushtarëve i thanë atë çfarë donte të dinte: që edhe ata do të kujtonin.

Tani që qëndroj para jush jam plot mirënjohje ndaj popullit amerikan. Jemi në prag të një mijëvjeçari të ri. Çfarë trashëgimie do të na lërë ky shekull që po lëmë pas? Si do të kujtohet në mijëvjeçarin e ri? Sigurisht që do të gjykohet, madje ashpër.

Dështimet e mëdha kanë hedhur një hije të madhe mbi njerëzimin: dy luftëra botërore, dhjetëra luftëra civile, atentatet ndaj udhëheqësve të botës, gjakderdhjet në Kamboxhia, Nigeri, Indi, Pakistan, Ruanda, Kosovë e Sarajevë; Hiroshima dhe sigurisht Holokausti. Kaq shumë dhunë! Kaq shumë indiferencë!

Është vallë e mundur ta shohësh indiferencën si një virtyt? Mos vallë është e domosdoshme ta praktikosh thjesht për të jetuar normalisht, ndërsa bota përreth përjeton trazira? Sigurisht, indiferenca mund të jetë tunduese. Është shumë më e lehtë të shmangësh ashpërsi të tilla. Mbi të gjitha është e lodhshme të përfshihesh në dhimbjen dhe dëshpërimin e dikujt tjetër….

Indiferenca e zvogëlon kaq shumë personin tjetër. Pas portave të errëta të Auschwitz-it, më i tmerrshmi dhe tragjiku ndër kampet naziste, ishin ata që i quanin “muselmanner”; të mbështjellë me ca batanije të grisura, shtriheshin në tokë me sytë drejtuar nga qielli, duke mos e ditur më se kush dhe ku ishin. Nuk ndjenin më dhimbje, uri apo etje; nuk kishin më frikë nga asgjë; ishin të vdekur dhe nuk e dinin akoma.

Të shtyrë nga tradita, disa prej nesh ndjenë se të braktisesh nga njerëzimi nuk është fundi i botës; mendonim se të braktisesh nga Zoti është më keq sesa të ndëshkohesh prej tij. Më mirë një Zot i padrejtë sesa një Zot indiferent. Për ne, të injoroheshim nga Zoti ishte ndëshkim më i ashpër sesa të ishim viktima të zemërimit të tij.

Mund të jetojmë larg Zotit, por jo jashtë tij. Zoti është kudo. Edhe në vuajtje? Po, edhe në vuajtje. Në një farë mënyre, të jesh indiferent ndaj asaj vuajtje është çfarë e bën njeriun jonjerëzor.
Indiferenca është më e rrezikshme se zemërimi dhe urrejtja.

Zemërimi, me raste, mund të jetë kreativ. Dikush shkruan një poemë të mrekullueshme, një simfoni, ose bën diçka speciale për njerëzimin sepse është i zemëruar nga padrejtësitë. Indiferenca nuk është kurrë e tillë. Edhe urrejtja, ndonjëherë, mund të shtyjë në përgjigje. Indiferenca nuk është përgjigje. Indiferenca nuk është fillimi, është fundi. Dhe si e tillë është gjithmonë mike e armikut, sepse i sjell përfitime agresorit, kurrë viktimës, dhimbja e së cilës shumëfishohet kur ndihet e harruar…

Indiferenca nuk është thjeshtë një mëkat, është ndëshkim. Dhe ky është një nga mësimet më të rëndësishme të nxjerra nga shekulli që po lëmë pas. Në vendin nga vij, shoqëria përbëhej nga tri kategori njerëzish: vrasësit, viktimat dhe indiferentët. Gjatë kohërave më të zymta, në kampet e vdekjes, ne ndiheshim të harruar, të braktisur.

Ngushëllimi ynë i vetëm ishte se ato kampe ruheshin mirë, se ishin sekret, se udhëheqësit e botës së lirë nuk e dinin çfarë ndodhte pas atyre gardheve. Nëse do ta dinin, – mendonim, – patjetër që do të lëviznin qiell e tokë për të ndërhyrë. Por më vonë mësuam se bota e dinte…

60 vjet më parë, njëmijë hebrenj që ishin në anije në St. Louis u kthyen mbrapsht. Ajo anije, që ishte në brigjet amerikane, u kthye. Nuk e kuptoj. Presidenti Ruzvelt ishte një njeri i mirë, me zemër të madhe. Ai i kuptonte ata që kishin nevojë për ndihmë. Çarë ndodhi? Pse kjo indiferencë?…

Ndërkohë, në këtë shekull traumatik ka pasur edhe ngjarje të mira: disfata e nazizmit, shembja e komunizmit, rilindja e Izraelit në tokën e paraardhësve…

Shpesh kujtoj atë djalin e vogël nga Karpatet, i cili e ka shoqëruar burrin që jam sot gjatë këtyre viteve të trazuara. Bashkë ne ecim drejt mijëvjeçarit të ri, të mbushur me frikë të thellë dhe shpresa të mëdha. Filozofia.al

Niçe: Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa, në vegla dhe në armiq

fridrih_nice1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger.

kultplus

Trump, rishikim i rregulloreve për platformat e rrjeteve sociale

The White HousePresidenti amerikan Donald Trump pritet të nxjerrë një urdhër ekzekutiv për rishikimin e një ligji, i cili prej kohësh mbron kompanitë Twitter, Facebook dhe Google që ato të mos mbajnë përgjegjësi për materialin e postuar nga përdoruesit.

Njoftimi vjen pasi kërcënimeve të Presidentit se do të mbyllte faqe të caktuara interneti që ai i akuzon se po mbysin zërat konservatorë.

Dy ditë më parë zoti Trump u përfshi në një debat me kompaninë e rrjeteve sociale Twitter, kur ajo vendosi t’u shtojë shënime tweeteve të Presidentit rreth pretendimeve të tij, të pa mbështetura në fakte, për manipulime në votimin me postë.

Kompania u kishte shtuar tweeteve të presidentit një paralajmërim, ku i nxiste lexuesit të kontrollonin faktet.

Urdhri ekzekutiv do t’i kërkonte Komisionit Federal të Komunikimit të propozojë apo sqarojë disa rregullore të kapitullit 230 në Ligjin për Komunikimin e Qytetëruar, sipas të cilave platformat e internetit nuk mbajnë përgjegjësi ligjore për materialin që postojnë përdoruesit e tyre.

Ndryshime të tilla mund t’i ekspozojnë kompanitë e teknologjisë ndaj padive të reja ligjore.

Në projekt-urdhrin ekzekutiv i kërkohet Komisionit Federal të Komunikimit të shqyrtojë nëse veprimet të cilat lidhen me ndryshimet që kompanitë e mediave sociale vendosin t’i bëjnë përmbajtjes së postuar në platformat e tyre, duhet të çojnë në humbjen e mbrojtjes që ato gëzojnë sipas kapitullit 230 të ligjit.

Projekt-urdhri i kërkon gjithashtu agjencisë në fjalë të shqyrtojë nëse një platformë e medias sociale përdor praktika mashtruese për të ndryshuar përmbajtjen e postuar dhe nëse këto praktika nuk janë në përputhje me statutin e saj.

Në projekt-urdhër thuhet se Zyra e Strategjisë Dixhitale pranë Shtëpisë së Bardhë do të ngrejë një mekanizëm për të ndihmuar qytetarët të raportojnë raste të censurës në internet.

REAGIMET

Marcus Messner, ekspert për mediat në Universitin e Komonuelthit të Virxhinias i tha Zërit të Amerikës se “kompanitë e mediave sociale prej vitesh luftojnë kundër përhapjes së dezinformatave dhe për nevojën e verifikimit të fakteve, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit presidenciale.”

“Twitter ka të drejtë të vënë në dukje informacionet që janë të pasakta, edhe kur kjo ka të bëjë me tweete të Presidentit Trump,” tha profesor Messner.

Profesori i gazetarisë vuri në dukje se hapi i ndërmarrë nga Twitteri prek linjën delikate “mes verifikimit të fakteve dhe rrezikut se mund të akuzohesh për censurim të fjalës politike me veprime më drastike, si fshirja e postimeve apo pezullimi i llogarive.”

Profesor Messner tha se çështja që shtrohet është: “nëse u shton postimeve një link për verifikim faktesh që të çon tek shkrime të ndryshme të mediave, a do të pranoheshin ato nga mbështetësit e Presidentit Trump, të cilët regullisht i mohojnë raportimet e mediave të mëdha?”

Efekti i veprimeve të tilla në këtë atmosferë të ndezur partiake do të ishte i kufizuar, thotë profesori.

Shefi ekzekutiv i firmës Twitter Jack Dorsey tha në faqen e internetit të kompanisë se tweetet e presidentit “mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë gabimisht se ata nuk kanë nevojë të regjistrohen për të marrë një fletëvotimi me postë. Synimi ynë është të sqarojmë deklarimet konfliktuale dhe të japim informacionet për të cilat ka debate, në mënyrë që njerëzit të mund të gjykojnë vetë.”

Steve DelBianco, president i NetChoice, një grup komercial që ka në klientelën e tij edhe kompanitë Twitter, Facebook dhe Google, tha se “presidenti është duke shkelur Amendamentin e Parë të Kushtetutës, duke kërcënuar të drejtat themelore të fjalës së lirë për platformat e mediave sociale”. Ky hap i administratës “i nxit qeveritë e huaja të kontrollojnë lirinë e shprehjes në internet,” tha ai në një deklaratë të enjten.

voa

COVID-19/ Ministria e Shëndetësisë: 26 raste të reja të gjitha në Tiranë

Dr RovenaMinistria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.

Tirana vazhdon të jetë vatra kryesore në vend me një numë të lartë të rasteve ditore të konfirmuara pozitive me Covid19. Të gjithë zonat e tjera në Shqipëri rezultojnë për të dytën ditë rradhazi pa raste të reja.

Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë.

Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar.

Në vendin tonë aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën personale. Mos neglizhoni shenjat e sëmundjes dhe për çdo rast të dyshuar, telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (28 Maj 2020)

Testime totale                         15319

Testime molekulare     13993

Testime serologjike     1326

Raste pozitive                          1076

Raste të shëruara                     823

Raste Aktive                            220

Humbje jete                    33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë           122

Durrës           51

Krujë             17

Shkodër         12

Kamëz            9

Berat              6

Fier                 2

Korçë             1

Kosovë: Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

ushtrimet per protestenGjykata Kushtetuese pritet që gjatë së enjtes ose së premtes ta publikojë vendimin e saj pro ose kundër, lidhur me dekretin e presidentit për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në afatin e fundit (29.05) që ia dha vetes Gjykata Kushtetuese për ta publikuar vendimin e saj nëse ka të drejtë ose jo presidenti i Kosovës që dekretoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, për ta formuar qeverinë e re të Kosovës. Qeveria e Albin Kurtit nga Vetëvendosje që doli e para në zgjedhjet e fundit, u rrëzua me një mocion mosbesimi në parlament nga 2/3 e deputetëve, mocion i inicuar nga LDK, që ishte partnere në koalicion me VV.

Akuza të ndërsjella

Vetëvendosja nuk po pajtohet që dikush tjetër pos partisë që doli e para në zgjedhje ta formojë qeverinë, ndërsa po kërkon zgjedhje të reja. Diskursi politik ndërmjet Vetëvendosjes dhe presidentit ditëve të fundit është ashpërsuar, duke e akuzuar njëri tjetrin për joligjshmëri në veprimet e ndërsjella dhe duke deklaruar secili në mënyrën e vet se Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë. Këto deklarime publike Gjykata Kushtetuese i ka quajtur presion ndaj saj dhe i ka kërkuar presidentit Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të mos e paragjykojnë vendimin e saj. “Gjykata Kushtetuese po ndjek me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re”, thuhej në një reagim të mëparshëm të Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet

Shumica e udhëheqësve politikë dhe institucionalë tashmë janë deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet cilidoqoftë ai. Në këtë linjë edhe ambasada amerikane në Prishtinë, është deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga secila parti dhe secili institucion në vend, duke theksuar se “respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është opsion, por është çështje kyçe për demokracinë kosovare”. “Ashtu siç edhe ka nënvizuar me parë ambasada, ne besojmë se është kyçe për demokracinë kosovare që të gjitha partitë dhe institucionet të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është deklaruar nga ambasada amerikane në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vetë LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetues.

E në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lëvizja Vetëvendosje për datën 28.05 pasdite, organizon një siç e quajnë ata një “performancë”, në sheshet kryesore të Prishtinës apo një “provë”, për protestë me një pjesëmarrje të paralajmëruar prej 3500 deri në 5000 veta. Ky tubim mundësohet pasi qeveria në detyrë nga sot hoqi kufizimet e liririsë së lëvizjës për gjithë ditën dhe ditëve në vijim, gjithnjë duke kërkuar nga qytetarët që në çdo tubim të respektohen masat siç janë ruajtja e distancës dhe vendosja e maskave mbrojtëse.

dw

Bodo Weber: Thaçi nuk ka synime të ndershme në dialog

Bodo WeberKur dhe si mund të rifillojë dialogu? Çfarë roli do të luajë administrata amerikane dhe BE-ja? Për DW flet eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber.

Deutsche Welle: Ministri i Jashtëm Federal dhe homologu i tij francez botuan javën e kaluar një artikull të përbashkët në shtypin e Kosovës dhe të Serbisë. A janë tani kushtet më të favorshme për vazhdimin e dialogut në krahasim me një vit më parë, kur dështoi samiti i Ballkanit Perëndimor, në Zyrën e Kancelares? 

Bodo Weber: Së pari, nuk do të thoja që mini-samiti në Zyrën e Kancelares dështoi në prill të vitit të kaluar. Ai ishte i suksesshëm në dy mënyra: Së pari, sepse ua mori procesin nga dora atyre faktorëve politikë në perëndim që preferonin këmbimin e territoreve, dhe së dyti, ai bëri bashkë Parisin dhe Berlinin. Rrethanat e sotme janë edhe më të mira, edhe më disfavorizuese. Janë më të mira, sepse derisa iku zonja Mogherini dhe ekipi i saj, nisma e rrezikshme për shkëmbime territoresh vinte nga majat e institucioneve të BE-së në Bruksel. Ky minim i parimeve evropiane në negociatat Kosovë-Serbi, që vinte direkt nga BE-ja tashmë i përket së kaluarës që kur u emërua Mirosllav Lajçaku  si i Dërguar Special – edhe pse pasardhësi i Mogherinit, Borrell, për fat të keq, nuk ka dëshmuar ende se është një pasuri në rrugën e një marrëveshje përfundimtare të qëndrueshme. Por rrethanat janë edhe përkeqësuar, sepse tani përpjekjet e aktorëve qëndrorë, si Berlini, nuk sabotohen më nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por nga një i dërguar special i Trump-it, (Richard Grenell, shën. i red.) dhe se disa aktorë të rëndësishëm të politikës i shfrytëzojnë për qëllimet e tyre këto veprime të administratës së Trumpit, të cilat janë të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës si shtet i pavarur, demokratik dhe brenda kufijve ekzistues.

Kur ju  thoni që Borrell fatkeqësisht nuk ka provuar të jetë një pasuri në rrugën e një marrëveshjeje përfundimtare të qëndrueshme, për çfarë e keni fjalën konkretisht? 

Bodo Weber: Për refuzimin e vazhdueshëm të Borrellit për t’u pozicionuar qartë në drejtim të një zgjidhjeje evropiane për një marrëveshje përfundimtare, d.m.th. kundër çdo ndryshimi kufijsh ose shkëmbimi territoresh, gjë që në në intervistën e tij më të fundit çoi në formulime keqkuptuese që lanë një përshtypje të gabuar në Kosovë dhe rajon, sikur ai ose BE-ja ishin të hapur  për një marrëveshje për shkëmbime territoresh – çka nuk është e vërtetë.

Ju i quani veprimet e administratës Trump “të rrezikshme”. Vetë kosovarët janë të ndarë në këtë çështje. Shumë syresh kanë më shumë besim te  SHBA-ja se te BE-ja. E kanë gabim? 

Bodo Weber: Nëse politikanët në Kosovë sot ankohen se e kanë humbur besimin te BE-ja, dhe kanë parasysh ish-përfaqësuesen e politikës së jashtme të BE-së, Mogherini, ata kanë plotësisht të drejtë. Por, nga ana tjetër, ishin vendet e BE-së, me në krye Gjermaninë, që e kundërshtuan marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve në vitin 2018-19 – në fillim kundrejt zonjës Mogherini dhe më pas kundrejt administratës së Trumpit. Veprimet e tij, zoti Grenell nga njëra anë pengojnë përpjekjet e aktorëve të BE-së, nga ana tjetër, ai vijon me formatin e Mogherinit, negociata të fshehta me të dy presidentët. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe e shumicës së vendeve të BE-së për pavarësinë, në vitin 2008, nuk erdhi nga ndonjë simpati e veçantë për shqiptarët e Kosovës, por në shërbim të mbrojtjes së rendit  liberal botëror.
Politikat e administratës së sotme amerikane – edhe në Kosovë – për fat të keq nuk i shërbejnë më kësaj politike tradicionale amerikane të jashtme dhe të sigurisë. Por unë jam i sigurt që aktorët politikë në Kosovë, të cilët sot pohojnë publikisht se i besojnë më shumë SHBA-së, janë fare mirë të vetëdijshëm për këtë.

Nëse është kështu, si duhet kuptuar refuzimi i vazhdueshëm i presidentit të Kosovës, HashimThaçi, për negociata me pjesëmarrje të BE-së? 

Bodo Weber: Me deklaratën e tij se nuk është i gatshëm të zhvillojë bisedime me të dërguarin special të BE-së, Lajçak, por me Merkel dhe Macron, Presidenti Thaçi nënvizon edhe një herë se ai nuk ka synime të ndershme në dialogun me Vuçiçin. Së pari, nuk e vendos Presidenti Thaçi se kush do të udhëheqë negociatat e BE-së.  Pra, nëse Presidenti Thaçi nuk dëshiron të negociojë me BE-në për shkak të Z. Lajçak, ai duhet të refuzojë edhe të negociojë me Merkel dhe Macron – por  ai nuk guxon ta thotë këtë. Së dyti, vitin e kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi se është kryeministri, e jo Presidenti, ai që udhëheq negociatat, kështu që Thaçi nuk është aspak i paanshëm në këtë çështje.  Së fundi, është interesante që zoti Thaçi nuk dëshiron të negociojë me z. Lajçak, sepse ai vjen nga një vend i BE-së, që nuk e njeh Kosovën  – i njëjti Lajçak, i cili ishte zyrtari i parë i Brukselit që u pozicionua qartë kundër shkëmbimit të territoreve, ndërsa z. Grenell dhe administrata amerikane vazhdimisht e shmangin pozicionimin e qartë kundër shkëmbimit të territoreve.

Si do të vijojë dialogu tash e tutje? Gjermania dhe Franca po bëjnë presion, por as Kosova dhe as Serbia nuk duken se janë të përgatitura për një dialog.

Bodo Weber: E vërtetë, si Kosova, e cila është në krizë qeveritare, ashtu edhe Serbia, e cila është në prag të zgjedhjeve parlamentare, nuk janë të gatshme të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve. Por unë nuk e kuptova thirrjen e dy ministrave të jashtëm tekstualisht që palët të kthehen shpejt në tryezën e bisedimeve. Artikulli i tyre synonte të mbështeste rolin udhëheqës të BE-së dhe veprimet e përbashkëta franko-gjermane, në pritje të zgjidhjes së Gjykatës Kushtetuese për qeverinë e Kosovës. Artikulli ishte kryesisht një paralajmërim dhe refuzim i çdo përpjekjeje pas verës dhe para zgjedhjeve presidenciale, për të realizuar me dhunë një marrëveshje të shkëmbimit të territoreve. Paralajmërimi për “pseudo-zgjidhje të shpejta” por të rrezikshme dhe shpjegimi se përse nevojitet një marrëveshje e përgjithshme dhe qëndrueshme përbëjnë mbështetje të fuqishme të pretendimit të BE-së për të udhëhequr dialogun. Kjo mbështetje e përforcon edhe një here tezën, se me gjithë dobësimin e besimit te BE-ja,në këto tri vitet e fundit, zgjidhja e konfliktit me Serbinë, në rrethanat aktuale të politikës globale, mund të bëhet vetëm nën drejtimin e BE-së.

Ju keni shkruar dikur në një artikull, se beteja e fundit e kancelares Merkel do të jetë Ballkani.. A mendoni se ajo do t’ia dalë në këtë betejë? 

Bodo Weber: Unë jam i sigurt, se brenda mandatit të saj të mbetur, ajo do të jetë në gjendje ta largojë njëherë e përgjithmonë nga tryeza opsionin e rrezikshëm  e të gabuar të një marrëveshjeje për shkëmbim territoresh. Është më e vështirë të parashikohet se a do të nënshkruhet  një marrëveshje gjatë mandatit të saj. Por më e rëndësishme se marrëveshja është rifillimi i negociatave mbi bazën e  e kornizës fillestare të negociatave në kuadër të dialogut politik të vitit 2013. Ato  do t’i hapin rrugën një marrëveshjeje paqësore vërtet gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Bodo Weber është studiues (Senior Associate) në Këshillin e Politikës së Demokratizimit në Berlin, “Democratization Policy Council” (DPC).