BERZH: Shqipëria do rritet, 4.5%/ Rritjen më të fortë ekonomike në Ballkan do e ketë Mali i Zi me 8.5 përqind

BERZH: Shqipëria do rritet, 4.5%/ Rritjen më të fortë ekonomike në Ballkan do e ketë Mali i Zi me 8.5 përqind

Ekonomi

Parashikimet për rritjen ekonomike sa vijnë e bëhen më optimiste edhe nga institucionet financiare ndërkombëtare. Në raportin e fundit Banka Europian për Rindërtim dhe Zhvillim parashikon që ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 4.5% këtë vit, duke arritur nivelin e vitit 2019.

Me këtë parashikim që BERZH bën për rimëkëmbjen tejkalon me 1% nivelin e rritjes së shënuar më 2019-ën, por megjithatë referuar raportit sërish rritja qëndron poshtë mesatares së vendeve të rajonit. Ndërsa për vitin e ardhshëm, BERZH pret që ekonomia të zgjerohet me 4%.

Pritshmëritë më optimiste të institucionit financiar mbështeten në një skenar që përfshin një rritje të konsumit si dhe rimëkëmbje të sektorit të turizmit, i cili ka marrë një goditje të madhe si rrjedhojë e pandemisë dhe masave kufizuese që kanë ndërmarrë vendet.

Pikëpyetjet mbi zhvillimin normal të industrisë turistike janë të mëdha dhe risqet për ekonomitë e vendeve që varen shumë nga turizmi siç është ajo e Shqipërisë janë të larta.

Në rajon sipas BERZH rritjen më të madhe pritet ta ketë Mali u Zi me 8.5%, ndjekur nga Serbia me 6%, teksa Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të arrijnë nivelin e 4%. Ndërsa ekonomia e Bosnje Hercegovinës pritet të zgjerohet me rreth 3.5% këtë vit.

Treguesit e institucioneve zyrtare flasin për një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë. Vetëm një ditë më parë Instat raportoi për një rritje ekonomike prej 5.5% në tremujorin e parë, por megjithatë sektorë që lidhen kryesisht me tregtinë, shërbimet dhe akomodimin po rikuperohen me ritme më të ngadalta.

Top Channel

Ambasadori Reeker në Tiranë, takim me Ramën e Bashën, por jo me Metën

Ndihmës Sekretari i Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Ambasadori Philip T. Reeker zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë qëndrimit të tij në kryeqytetin shqiptar ambasadori Reeker u takua ndër të tjera me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Ai pati dhe një drekë pune me ministren e Jashtme shqiptare Olta Xhaçka dhe ministrat e Mbrojtjes dhe Drejtësisë.

Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane, zoti Reeker “përgjatë gjithë takimeve të tij, nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara”.

Muajin e kaluar Sekretari Blinken njoftoi vendimin për ndalimin e hyrjes në territorin e Shteteve të Bashkuara, për korrupsion madhor, ndaj ish kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij. Zoti Berisha foli për nje vendim “të pabazuar në fakte e prova”. Ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha publikisht është shprehur i keqardhur dhe ka bërë “thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”.

Ajo që ra në sy gjatë vizitës së zotit Reeker, ishte dhe mungesa e një takimi me presidentin Iir Meta. Një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha Zërit të Amerikës se “për arsye të ndërtimit të agjendës, këtë herë nuk ishte i mundur një takim me presidentin Meta”.

Kreu i Shtetit shqiptar, veçanërisht muajt e fundit ka qenë në një kurs përplasjeje me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ndërsa përdori tone të ashpra ndaj vendimit të Departamentit amerikan ndaj zotit Berisha duke e cilësuar atë një “fletërrufe” apo “një akt të shëmtuar, të poshtër e të pabesë që ka të bëjë vetëm me lobingjet antishqiptare dhe asgjë tjetër”.

Sipas njoftimit të ambasadës amerikane, ambasadori Reeker “përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21, e cila theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon”. Ai gjithashtu “mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.

Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit “përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian”.

Për të dëshmuar mbështetjen ndaj Reformës në Drejtësi, ai bisedoi dhe me një grup magjistratësh që kanë kaluar procesin e vettingut. Një zëdhënës i ambasadës i shpjegoi Zërit të Amerikës se “Ndihmës Sekretari i Shtetit Reeker dhe ambasadorja Kim u takuan me gjyqtarë dhe prokurorë që shënojnë një epokë të re të Drejtësisë shqiptare. Këta magjistratë u zgjodhën sepse përfaqësojnë ata që kanë përmbushur nivelin e integritetit dhe profesionalizimit qoftë duke plotësuar kërkesat e reja rigoroze për t’u bërë shërbëtorë të drejtësisë shqiptare, ose duke kaluar procesin e vështrë por të nevojshëm të vettingut”. Zëdhënësi theksoi më tej se “profesionistë të besuar, si këto gra dhe burra, po krijojnë një sistem drejtësie të pavarur, por llogaridhënës, dhe po punojnë në mënyrë të palodhur për t’i dhënë drejtësi të ndershme dhe të paanshme popullit shqiptar”.

voa

Kurti: Mund të ketë studime, por Ujmani është i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është detyrë e institucioneve që Liqenin e Ujmanit ta konsiderojnë si “liqe artificial të Kosovës”.

“Qëndrimet tona në lidhje me Ujmanin janë të njëjta”, tha Kurti në një konferencë për media të mërkurën (30 qershor) pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar javën e kaluar, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Ky studim shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.

Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se mund të prodhohen analiza e studime por është “detyrë e jona që ta konsiderojmë Liqenin e Ujmanit, ashtu siç është, liqe artificial i Kosovës”.

“Atë (Liqenin) e kemi paguar edhe kryer shumë dekada më parë”, tha Kurti.

Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me një kredi prej 45 milionë dollarësh amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje kjo e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë.

Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronësi.

Kosova dhe Serbia, më 4 shtator 2020, kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Marrëveshja është nënshkruar mes ish-kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, lidhur më këtë çështje, javën e kaluar, ka shkruar në rrjetin social, Facebook, duke thënë se qeveria duhet të kujdeset për realizimin e projekteve që burojnë nga Marrëveshja e Uashingtonit.

“Administrata e Presidentit Biden e ka konfirmuar se do të vazhdojë të realizojë këtë marrëveshje, sepse është në përputhje me interesat e përbashkëta të SHBA-së dhe Kosovës”, ka shkruar Hoti.

Më 8 shtator 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte vizituar Liqenin e Ujmanit, ose siç e quajnë serbët të Gazivodës, ku kishte thënë se “Ujmani është një liqe shumë me rëndësi si për serbët ashtu edhe për shqiptarët“.

Kryeministri Kurti ka minimizuar pikat tjera të Marrëveshjes së Uashingtonit, duke thënë se “pika më e rëndësishme e saj është ajo e fundit, e cila tashmë është realizuar”.

Fjala është për njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit.

Në kohën kur ishte arritur Marrëveshja e Uashingtonit, ish-presidenti amerikan, Donald Trump e pati quajtur si “historike”.

Edhe administrata e presidentit Biden e ka mbështetur këtë marrëveshje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në janar, pati folur me tone pozitive për angazhimin e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, në lidhje me raportet mes Kosovës dhe Serbisë…

rel

COVID: A sigurojnë BioNTech dhe Moderna mbrojtje të përhershme?

BiontechSipas një studimi amerikan, vaksinat e ARN-së ofrojnë mbrojtje afatgjatë. Vaksinat përforcuese atëherë fillimisht nuk do të ishin të nevojshme – nëse mutacionet nuk do të ndryshojnë thelbësisht virusin.

Është një lajm pozitiv mes lajmeve të reja të tmerrit: studiuesit amerikanë kanë gjetur prova se vaksinat e ARN-së aktivizojnë një përgjigje të qëndrueshme imune të trupit.

Sipas një studimi të botuar në revistën “Nature”, vaksinat e ARN-së si ato të BioNTech/Pfizerdhe ajo e Moderna-s mund të mbrojnë nga SARS CoV-2 për disa vjet. Sipas studimit, një vaksinim përforcues fillimisht nuk është i nevojshëm. Sigurisht, parakushti është që struktura e koronavirusit të mos ndryshojë thelbësisht si rezultat i mutacioneve.

Studimi ekzaminoi vetëm efektet afatgjata të vaksinave mARN, jo ato të vaksinave të tjera të miratuara siç janë vaksinat vektoriale.

Në studim u vëzhguan vetëm vaksinat e ARN-së, jo vaksina të tjera të aprovuara ose ekzistuese siç janë ato të AstraZeneca-s

Efektet afatgjata të qelizave B

Ekipi hulumtues i drejtuar nga udhëheqësi i studimit Ali Ellebedy nga Universiteti i Uashingtonit në St. Louis të shtetit Misuri të SHBA studioi kryesisht të ashtuquajturën “qendra germinale (e mikrobeve)” që formohet në nyjet limfatike pas një infektimi ose vaksinimi.

Të ashtuquajturat limfocite B ose shkurtimisht qelizat B janë këtu vendimtare. Ato bëjnë pjesë në grupin e e rruazave të bardha të gjakut (leukocitet) dhe vetëm ato mund të prodhojnë qeliza plazmatike që sekretojnë antitrupa. Limfocitet B dhe limfocitet T së bashku formojnë të ashtuquajturin “sistem imunitar adaptiv” -që mund të përshtatet me patogjenë të rinj ose të ndryshuar.

Kur qelizat B aktivizohen nga këta patogjenë, antigjene të huaja për trupin, ato mund të zhvillohen në qeliza plazmatike ose qeliza të kujtesës që prodhojnë antitrupa. Dhe sa më gjatë të qëndrojnë në trup këto limfocite B, aq më mirë mund të përballet sistemi imunitar  me variantet e virusit.

Qendra germinale është aktive për një kohë jashtëzakonisht të gjatë

“Studimet tona tregojnë se vaksinimi kundër SARS-CoV-2 i njerëzve i bazuar në mARN shkakton një përgjigje të vazhdueshme të qelizave GC-B që mundëson gjenerimin e imunitetit të fortë humoral,” përmbledh studimi. Pjesa e përgjigjes imune që ndërmjetësohet nga përbërësit joqelizorë të lëngjeve të trupit përkufizohet si “përgjigja imune humorale”.

Një studiues me një kostum mbrojtës në një fabrikë vaksinash BioNTech.

Vaksinat e ARN-së janë të ndërlikuara për t’u prodhuar, por shumë efektive në luftën kundër SARS CoV-2. Studimi tregoi se sa i fortë ishte reagimi imunitar: zakonisht qendrat germinale, të mikrobeve janë veçanërisht aktive 14 ditë pas infektimit ose vaksinimit, por më pas aktiviteti zvogëlohet shpejt. Në të 14 pjesëmarrësit në studim, të cilët ishin vaksinuar me një vaksinë mARN, qendra germinale ishte akoma shumë aktive 15 javë pas dozës së parë të vaksinimit dhe numri i qelizave të kujtesës nuk ishte zvogëluar.

Qelizat imune të përhershme kundër Coronas?

Qysh në shkurt, studiuesit treguan në një studim se ata që ishin shëruar, ende mbanin qeliza imune kundër SARS-CoV-2 në palcën e kockave të tyre, tetë muaj pas infektimit.

Këto dhe studime të tjera sugjerojnë që ata që janë shëruar mund të kenë limfocite B të kujtesës që mbeten në trup për një vit. Kur ata që janë shëruar gjithashtu janë vaksinuar, ata madje mund të formojnë qeliza imune të përhershme kundër SARS-CoV-2.

Një efekt i ngjashëm afatgjatë mund të gjendet gjithashtu tek njerëzit që janë vaksinuar me një vaksinë mARN, sipas studiuesve të udhëhequr nga imunologu Ellebedy nga Universiteti i Uashingtonit.

Nëse SARS-CoV-2 nuk ndryshon rrënjësisht në strukturë dhe përbërje me kalimin e kohës për shkak të mutacioneve, do të kishin nevojë për një përforcim në formë të një vaksinimi vetëm njerëzit me një sistem të dobët imunitar, siç janë të moshuarit ose pacientët që duhet të frenojnë sistemin e tyre imunitar me medikamente.

dw

Von Cramon: Optimiste për afrim qëndrimesh Kosovë-Serbi

Viola von CramonRaportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë vizitës dy ditore në Prishtinë, kritikoi Francën për qëndrimin negativ rreth heqjes së vizave për Kosovën.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha në Prishtinë (29.06) se është optimiste se në muajt e ardhshëm do të ketë përafrim të qëndrimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Cramon tha, se propozimet e reja për dialogun janë të mirëpritura, ndërsa sipas saj, nuk mund të refuzohen marrëveshjet e kaluara në këtë proces. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, qëndroi në Kosovë dy ditë ku takoi udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe vizitoi rajone të ndryshme përfshirë edhe një vizitë në veri të Kosovës banuar me shumicë serbe.

“Shpresoj që në javët e ardhshme, muajt e ardhshëm do të shohim një afrim të pozicioneve, kjo bëhet përmes negociatave dhe nuk është e papritur për mua që të kemi pozicion maksimal në njërën anë dhe pozicion maksimal në anën tjetër”, tha Cramon. Sipas saj, propozimet e reja të kryeministrit Kurti në dialog janë të mirëpritura, por nuk mund të jetë kundër marrëveshjeve ekzistuese.

“Ne duhet të kemi zotimin nga kjo qeveri, se ata janë të gatshëm për këtë dialog dhe se do të punojnë mbi marrëveshjet ekzistuese, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Nëse dikush vjen me propozime të reja është shumë mirë edhe për audiencën e brendshme, është mirë për idetë e reja, por natyrisht nuk mund të jeni kundër marrëveshjeve ekzistuese”, u shpreh Von Cramon. Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, gjatë vizitës në Kosovë takoi udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës.  Në këtë takim, kryeministri Kurti dhe von Cramon diskutuan për takimin e 15 qershorit ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuҫiq.

Ujdi se nga dialogu duhet të përfitojnë qytetarët

Sipas kryeministrit Kurti, rreth ҫështjes së të zhdukurve të luftës, “Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të tregojë vendndodhjen edhe të varrezave të tjera që dyshohet se janë në Serbi”.  Kryeministri Kurti dhe Viola von Cramon, sikurse thuhet në njoftim të qeverisë,  “u pajtuan se dialogu i ri për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë një proces konstruktiv dhe i qartë, nga i cili përfitojnë qytetarët”. Edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani,  në takim me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, foli për dialogun Kosovë-Serbi, ku sipas presidentes “ky proces duhet të përmbyllet me njohje nga ana e Serbisë dhe se marrëveshjet e arritura duhet të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve”.

Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon duke folur për marrëveshjen e nënshkruar me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për përmirësimin  e raporteve ekonomike, tha se ajo nuk është e sigurt, nëse administrata e re amerikane do të insistonte në zbatimin e saj.

“Nuk jam e sigurt se BE-ja ka qenë plotësisht në pajtueshmëri me këtë, apo e ka përkrahur. Unë jam për dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe administrata e re Biden është me rëndësi që të ketë harmonizim edhe me të dërguarin e veçantë z. Palmer lidhur me harmonizimin e raporteve të Uashingtonit dhe BE-së për çështjen e dialogut”, tha von Cramon.

Franca ende bllokon liberalizimin e vizave

Raportuesja për Kosovën duke folur për çështjen e liberalizimit të vizave, ka shprehur keqardhje dhe e ka quajtur të gabuar vendimin e Francës për mosdhënie të dritës së gjelbër për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, as në vizitën e fundit që pati në Paris kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Ajo përsëriti qëndrimin se Kosova i ka plotësuar kushtet teknike dhe tha se BE-ja po e humbet kredibilitetin në këtë proces. “Shpresoj që në një moment do të shohim qëndrime më pak të polarizuara dhe mjedis politik më të përshtatshëm në Francë. Unë kam shpresuar që gjatë presidencës së Gjermanisë në BE vitin e kaluar do të qe e mundur ta kishim këtë temë në agjendë, ndërkohë që të gjithë e dimë se Kosova i ka përmbushur kushtet teknike edhe komisioni dhe shtetet e tjera do të dëshironin që të marrin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave. Në fund të fundit është çështje e Këshillit të Evropës dhe në këtë pikëpamje ka disa anëtarë të këshillit që janë ende skeptikë dhe hezitojnë”, tha Viola von Cramon.

Sidoqoftë, trysnia e faktorit ndërkombëtar rreth dialogut Kosovë-Serbi po shtohet dita – ditës duke kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për përmirësim të raporteve. Takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq do të mbahet me datën 25 korrik i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Njëra ndër çështjet që këto ditë u bë objekt debati në mediat në Prishtinë dhe Beograd, por jo nga institucionet e të dyja vendeve, ishte njëraport i SHBA-së mbi liqenin e Ujmanit që pritet të jetë pjesë e bisedave Kosovë-Serbi. SHBA-ja ia dorëzoi qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Serbisë studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, që është pjesë e marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në prezencë edhe të presidentit të atëhershëm Donald Trump.  Me këtë marrëveshje synohet përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike Kosovë-Serbi. Në raportin e Departamentit amerikan të Energjisë, propozohet formimi i një komisioni apo komiteti për lumin Ibër që gjendet në pjesën veriore të Kosovës që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore siç është liqeni i Ujmanit. Liqeni i Ujmanit është një liqen artificial i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.

dw

Shërbimet e internetit nuk përfshihen në heqjen e tarifave të roaming-ut

Fotografi ilustruese. Qytetarët e Kosovës gjatë qëndrimit në njërin nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, nga 1 korriku i këtij viti, nuk do të paguajnë asnjë pagesë shtesë për thirrjet e realizuara telefonike dhe mesazhet e pranuara e të dërguara, thotë Nazim Rahimi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). Sa i përket shfrytëzimit të internetit, priten pako me çmime të volitshme.

Tarifat e roaming-ut i referohen shërbimeve që qytetarët shfrytëzojnë në një shtet tjetër, nga qendra e operatorit të telefonisë mobile ku janë të regjistruar.

“Roaming-u ka të bëjë me çështjen e zërit. Nuk do të aplikohet tarifë shtesë nëse një qytetar i Republikës se Kosovës, konsumatorë i ndonjërit nga operatorët e telekomunikacionit që operojnë në Kosovë, do të telefonojë nga ndonjë operatorë që vepron në Ballkanin Perëndimor. Me fjalë të tjera, një qytetar i Republikës se Kosovës, që ka kartë të konsumatorit të Vala-s, nga Shqipëria do të telefonojë në Kosovë me pako të njëjtë sikurse që është në Kosovë”, tha Rrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se kjo vlen edhe për operatorët tjerë mobilë në Kosovë.

Sipas tarifave të publikuara në ueb-faqen e Vala-s dhe Telekomit të Kosovës, konsumatorët e kësaj kompanie, për çdo minutë thirrje telefonike brenda operatorit të njëjtë, paguajnë 13 centë, ndërkaq dërgimi i mesazheve kushton 6 centë. Aktualisht, tarifat shtesë për shërbimet roaming për thirrje të realizuara për 1 minutë janë 5 centë, kurse për një mesazh (sms) 2 centë.

Tarifat për roaming do të eliminohen në bazë të marrëveshjes së roaming-ut mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Serbisë). Kjo marrëveshje ishte arritur në prill të vitit 2018, në samitin e parë digjital të mbajtur në Shkup. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është paraparë të bëhet në dy faza.

Pula: Operatorët do të krijojnë pako atraktive

Shqiprim Pula, ish-anëtar i bordit të ARKEP-it, tha se nga dita e enjte (1 korrik), operatorët e telefonisë mobile në gjithë rajonin, mund të paraqesin në treg dy lloje pakosh, pako që mund të përdoren nga përdoruesit vendorë dhe pako roaming-u që mund të përdoren brenda vendeve nënshkruese të marrëveshjes së roaming-ut. Por, sipas tij, është obligative që operatorët të informojnë konsumatorët për përmbajtjen e këtyre pakove.

“Për këtë, operatorët duhet të ndërmarrin një lloj fushate edukuese. Konsumatori duhet të njoftohet në detaje për jetësimin e kësaj marrëveshjeje dhe për të drejtat e tyre që mund të shfrytëzojë pakot që krijohen dhe ofrohen nga operatorët karshi përdoruesve të tyre. Këtë duhet ta kenë obligative sepse shumë konsumatorë nuk janë në dijeni mbi metodologjinë që mund të ofrohet nga ana e operatorëve se si të shfrytëzohet nga ana e tyre”, thekson Pula.

Me marrëveshjen e roaming-ut, Pula thotë se fillimisht do të fitojë qytetari, sidomos ai i cili lëvizë shpesh nga një vend në vendin tjetër për arsye të ndryshme.

Nazim Rrahimi nga ARKEP-i thekson se operatorët e telefonisë mobile do të përgatisin pako atraktive të internetit, me çmime të volitshme.

“Kjo është çështje e operatorëve se çfarë pakosh do të përgatisin ata. Por, ne kemi informacione se ata do përgatisin pako atraktive, që do të jenë në dobi të qytetarëve të cilët do t’i shfrytëzojnë në vende e Ballkanit Perëndimor. Është fjala për pako interneti sepse çështja e telefonisë është zgjidhur”, thekson Rrahimi.

ARKEP-i tashmë ka njoftuar për miratimin e Rregullores për zbatimin e politikës së përdorimit të drejtë dhe metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërisë së heqjes së tarifave të roaming-ut. Në këtë rregullore thuhet se “obligohen operatorët e telefonisë mobile në Republikën e Kosovës që të ofrojnë shërbimet me pakicë të rregulluara të roaming-ut sipas çmimit të aplikuar në nivel kombëtar për parapaguesit e tij, të cilët zakonisht janë rezidentë ose kanë lidhje të qëndrueshme”.

Pikërisht më 1 korrik 2021, kur pritet të eliminohen tarifat për shërbimet e roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor, do të nisin bisedimet për të arritur marrëveshje të njëjtë edhe me vendet e Bashkimit Evropian, ka shkruar më herët në Facebook, Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC).

Faza e parë e zbatimit të marrëveshjes për roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor ka filluar në vitin 2019, ku ka pasur një ulje të çmimeve deri në 80 për qind, kurse faza e dytë, apo eliminimi i tërësishëm i tarifave, është paralajmëruar se do të zbatohet më 1 korrik 2021.

Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Evropian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

rel

Vuçiç, Rama dhe Zaev mbështesin një treg të përbashkët rajonal

zaev vucic ramaEdi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandër Vuçiç në një takim shprehën dëshirën që liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë sa më shpejt në Ballkan.

Iniciativa e “Minishengenit”, në rajonin e Ballkanit dhe jetësimi sa më parë i  kësaj nisme ishte tema kryesore e një takimi virtual që zhvilluan të martën me (29.06) kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç. Të tre udhëheqësit shprehën dëshirën që “liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit të fillojë të zbatohet sa më shpejt në të gjithë rajonin”.

Në një komunikatë të përbashkët për medie, që u lëshua nga presidenca serbe thuhet se “të tria vendet do të vazhdojnë përpjekjet për të gjetur mënyra të reja, mundësi politike dhe instrumente financiare, në mënyrë që të rrisin kontributin e tyre në Evropë dhe të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian”, duke integruar kështu gradualisht rajonin me tregun unik evropian.

Kosova nuk ka pranuar që të jetë pjesë e nismës së “Minishengenit Ballkanik”, dhe për këtë arsye asnjë nga kryeministrat e Kosovës, as ky i fundit, Albin Kurti, nuk ka pranuar që të jetë pjesë e takimit. Ideja e hapjes së tregut ballkanik apo siç njihet “Minishengeni Ballkanik”, është një nismë e përbashkët e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ndonëse Kosova vazhdon të refuzojë të jetë pjesë e “Minishengenit Ballkanik”, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar me 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të Mini-Shengenit. Kjo marrëveshje ishte nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ndërsa, para se të fitonte zgjedhjet dhe të bëhej kryeministër, Albin Kurti, në mënyrë kategorike kundërshtonte idenë e “Minishengenit ballkanik”, dhe preferonte afrim ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

“Parimet gjithëpërfshirës dhe të reciprocitetit duhet të udhëheqin nismat rajonale. Rruga nga Beogradi për në Tiranë kalon përmes Prishtinës. Ne jemi dhe gjithmonë do të jemi një popull dhe askush nuk mund të qëndrojë mes nesh. Ne na duhet më shumë bashkëpunim e jo konfrontim”, kishte thënë Albin Kurti.

Në nëntor të vitit 2020, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina, nënshkruan në Sofje të Bullgarisë deklaratën mbi Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Thirrje BE dhe SHBA që të mbështesin zhvillimin e projekteve në Ballkan

E duke folur për “Agjendën e Gjelbër”, në takimin e sotëm virtual, Rama, Vuçiç dhe Zaev i bënë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara që të mbështesin “zhvillimin e projekteve në vendet e rajonit, përmes së cilave do të mund të investohej sa më shpejt të jetë e mundur në mbrojtjen dhe rritjen e përdorimit të gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor”.

Në Samitin e Sofjes u fol edhe për lëvizjen e lirë në rajonin e Ballkanit. Për këtë Qeveria e Kosovës më 21 maj të këtij viti miratoi nismën për nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, që do të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, por edhe të qytetarëve të vendeve tjera që hyjnë në këtë rajon.

“Nisma ka të bëjë me lidhjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta. Me këtë marrëveshje rregullohen kushtet e hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të qytetarëve të palëve të treta në territorin e vendeve në marrëveshje. Qytetarët e palëve të treta janë të gjithë personat që nuk janë shtetas të palëve nënshkruese, pra të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor”, thuhej në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Këto marrëveshje janë rezultat i zotimeve të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Sofjes, që u mbajt në nëntor të vitit 2020, në kuadër të Procesit të Berlinit. Pas takimit të sotëm virtual ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, të tre liderët ranë dakord për një takim tjetër më 29 korrik, që do të mbahet në Shkup. Në të do të shqyrtohet ecuria e zbatimit të iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe do të nënshkruhen marrëveshje shtesë për zbatimin e angazhimeve që dalin nga Procesi i Berlinit.

dw

Pritet rikthim i plotë i mësimit me prani fizike

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka tre skenarë të mundshëm me të cilët mund të fillojë viti i ri shkollor 2021/2022. Ministrja Carovska tregoi sot se skenari i parë, ai më i dëshiruari për të, është kthimi i mësimit me prani fizike, duke respektuar protokollet për mbrojtje.

I dyti është vazhdim i sistemit të deritanishëm, që nga klasa e parë deri në të katërtën të mësohet me prani fizike, ndërsa të tjerët online, kurse skenari i tretë është me ndarje në grupe, një javë të mësojë një grup me prani fizike, e javën tjetër grupi tjetër. Të tre këto skenarë do të jenë të gatshëm për t’u zbatuar në shtator, u shpreh Carovska, e cila vitin shkollor që kam pas e cilëson si të suksesshëm.

“E para është hapja e plotë e shkollave në bazë të protokolleve shëndetësore, që të gjithë nxënësit të mund të ulen në banka, për të gjitha klasat dhe gjitha viteve. Ky është skenari më I mire dhe më i dëshiruar për të gjithë ne, nëse gjendja epidemiologjike shkon në kuadër të asaj që të mund të aplikohet ky skenar, e për këtë do të vendosë komisioni për Sëmundje Ngjitëse port ë gjithë presim që gjendja në periudhën e verës dhe fillim të shtatorit të jetë e mire andaj edhe konsiderojmë se ky skenar do të jetë I zbatueshëm”, theksoi Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës.

koha

“Heqja e barrierave mes tre shteteve”/ Rama, Vuçiç dhe Zaev takim në Shkup më 29 korrik

ALEKSANDAR VUCIC, ZORAN ZAEV, EDI RAMAKryeministri Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç zhvilluan ditën  e sotme një takim online në kuadër të Shengenit Ballkanik ku u diskutuan hapat e mëtejshëm në bashkëpunimin rajonal, si një proces jetësor për progresin e Ballkanit Perëndimor dhe rrugën evropiane.

Sipas medias serbe, të tre udhëheqësit diskutuan për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, me synimin për të hequr pengesat në lëvizjen e njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve midis tre vendeve e në rajon dhe kjo të fillohet të zbatohen sa më shpejt të jetë e mundur në të gjithë rajonin.

Ata ranë dakord që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por gjithashtu që Bashkimi Evropian ka nevojë për Ballkanin Perëndimor po aq, pasi rajoni është i rrethuar nga kufijtë e BE-së dhe vendet që aspirojnë anëtarësimin ndajnë vlerat e përbashkëta Evropiane bashkëpunimi.

“Ne jemi të vetëdijshëm se vetëm duke punuar së bashku dhe duke pranuar bashkëpunimin rajonal brenda iniciativave të ndryshme rajonale si tregu i përbashkët, Shengeni rajonal, korridoret e gjelbërta ose Procesi i Berlinit, ne mund t’i afrojmë ekonomitë tona, të rrisim mirëqenien e njerëzve tanë dhe të sjellim në investime të mëdha. do të ishte e mundur për secilin prej nesh individualisht”, mësohet se u tha në konfferencë.

Ata ranë dakord të takohen në Shkup në 29 korrik për të shqyrtuar përparimin në zbatimin e iniciativave dhe projekteve ekzistuese dhe për të nënshkruar marrëveshje shtesë midis tre vendeve në lidhje me zbatimin e angazhimeve të Procesit të Berlinit, si dhe bashkëpunimin dhe ndihmën në rast të fatkeqësitë natyrore, lehtësimet për tregtinë, eksportin dhe importin.

“Ne i bëjmë thirrje dhe inkurajojmë kolegët tanë nga rajoni të nënshkruajnë dhe zbatojnë marrëveshje të ngjashme, në mënyrë që vizioni i një hapësire të përbashkët politike dhe ekonomike në të gjithë Ballkanin Perëndimor së shpejti, përmes tregut të vetëm, të bëhet një pjesë e rëndësishme e përditshme e qytetarëve tanë jeton“, thanë ata.

Bashkëbiseduesit theksuan se pavarësisht vonesave në procesin e zgjerimit, ata do të vazhdojnë të përpiqen të njohin mënyra të reja, fusha të politikave dhe instrumente financiarë, në mënyrë që të tre vendet të rrisin kontributin e tyre në Evropë, të forcojnë lidhjet me Bashkimin Evropian dhe të integrohen gradualisht rajoni në tregun e vetëm evropian.

Duke folur për Agjendën e Gjelbër, bashkëbiseduesit lëshuan një thirrje të përbashkët për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara për t’u bashkuar me vendet në të gjithë rajonin për të mbështetur zhvillimin e projekteve që mund të investohen sa më shpejt të jetë e mundur, për të përmirësuar mbrojtjen e mjedisit dhe për të rritur përdorimin e gjerë të burimeve të rinovueshme, si pjesë e zbatimit të Planit Ekonomik dhe të Investimeve të BE dhe Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

“Vendet tona kanë një potencial të madh për rritje të qëndrueshme dhe zhvillim të këtij sektori. Ne do të kërkojmë mbështetje praktike për të zbuluar se cilat projekte mund të përmirësojnë rajonin tonë në drejtim të burimeve të ripërtëritshme të energjisë për qytetarët tanë dhe për të ardhmen e energjisë së gjelbër të BE”, u tha në konferencë.

Ata arritën në përfundimin se vetëm integrimi rajonal, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, mund të kontribuojë në stabilitetin dhe përparimin e përgjithshëm të të gjithë rajonit dhe Evropës.

Në nëntor të vitit 2020 Vuçiç dhe Rama nënshkruan një marrëveshje që u mundësoi qytetarëve të Serbisë dhe Shqipërisë të hynin në territorin e dy vendeve me një kartë identiteti.

Gjatë të njëjtit takim, udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nënshkruan një memorandum për bashkëpunimin në luftën kundër pandemisë.

Sipas memorandumit, të tre vendet do të ndanin informacion mbi pandeminë dhe për të udhëtuar në këto shtete nuk do të kërkohej tampon.

tch

Gashiq e padëshiruar në Gjakovë, qeveria hesht

Familjarët e personave të pagjetur në gjatë një tubimi në Prishtinë më 30 gusht 2018, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.Kthimi i Dragica Gashiqit, me përkatësi serbe, për të jetuar në Gjakovë ka nxitur reagime brenda kësaj komune, por një protestë para banesës së saj nga ana e familjarëve të personave të pagjetur, e paralajmëruar për të hënën, është anuluar.

Dragica Gashiq thotë se po përballet me sulmet nga ana e bashkëqytetarëve, por ajo ka vendosur të jetojë në Gjakovë.

Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e Nënave”, thekson se nuk do të lejojnë serbët të kthehen në Gjakovë.

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, shpreh mendimin që kthimi i cilitdo të zhvendosur, nuk duhet të kushtëzohet. Organizatat joqeveritare, në nivelin qendror të vendit dhe as Qeveria e Kosovës, deri më tash nuk kanë reaguar lidhur me këtë rast.

Gashiq: Po më sulmojnë

Dragica Gashiq, më 6 qershor të këtij viti, është kthyer në Gjakovë, si personi i parë nga komuniteti serb që është kthyer në këtë qytet, pas luftës së vitit 1999, kur ajo ishte zhvendosur nga aty. Ajo nuk planifikon që të largohet më sepse “është plotësuar dëshira e saj që të kthehet në Kosovë”. Ajo deri më tani ka jetuar në Serbi.

Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, Gashiq shprehet se askujt nuk i ka bërë asnjë të keqe dhe se do t’u bëjë ballë të gjitha tundimeve.

Por, ajo thotë se për të është i rëndë fakti që është e padëshirueshme në Gjakovë dhe që, siç thotë ajo, bashkëqytetarët e saj “e sulmojnë” gati se çdo ditë.

“Unë e lajmëroj policinë se më sulmojnë, se më gjuajnë, që më qëllojnë, që më ngjitin fotografi të ndryshme në dyert të banesës, ata më trokasin në derën e banesës, të cilës i është zbehur ngjyra si një trëndafil. Po e godite me një shqelm do ta shkallmoni”, tha Gashiq.

Ajo shtoi se pa përcjellje të Policisë së Kosovës nuk shkon as në shitore, ndërkohë që shpreson që kjo situatë të ndryshojë, sepse, siç thotë ajo, vitet më të mira i kishte kaluar pikërisht në Gjakovë, në të cilin qytet kishte ardhur nga Klina fqinje, kur ishte vetëm 18 vjeçe.

Dragica Gashiq sqaron se para luftës dhe para se të zhvendosej nga Kosova, kishte punuar në Polici të Serbisë, në Gjakovë, por vetëm si pastruese e objektit.

Ajo shton që nuk e ka të qartë se pse dikujt i pengon fakti që ajo është kthyer në banesën e saj.

“Unë e di që askujt nuk i kam bërë asgjë të shëmtuar. I kam lindur dy fëmijë këtu”, tha ajo.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, më 28 qershor është takuar me Dragica Gashiqin në Graçanicë, në afërsi të Prishtinës. Pas këtij takimi, ai ka thënë që “shteti i Serbisë, Zyra për Kosovën dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bëjnë gjithçka që është e mundur, në mënyrë që Dragica Gashiqit t’i mundësohet jeta e dinjitetshme e njeriut”.

Megjithatë, Dragica Gashiq, tashmë nuk është e sigurt për asgjë, e as për premtimet që ditëve të fundit i japin shumë njerëz.

“Më kanë premtuar gjithçka, që nga kamerat në hyrje të banesës. Më kanë premtuar gjithçka, por se a do të përmbushen ato ose jo, nuk e di, vetëm t’ju gënjej”, u shpreh ajo.

Gashiq, tash e disa vite më parë, ka kërkuar nga Agjencia Kosovare e Pronave (Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës) që të lirohet banesa e saj në Gjakovë. Tashmë kjo i është mundësuar. Siç tha ajo, banesa e saj është uzurpuar për disa vite.

Kumnova: Nuk i duam serbët në Gjakovë

Në anën tjetër, kthimi në Gjakovë i Dragica Gashiqit ka shkaktuar reagime të ndryshme që kanë kundërshtuar këtë kthim.

Një protestë para ndërtesës ku banon Gashiq ishte paralajmëruar fillimisht edhe nga përfaqësues të familjarëve të personave të pagjetur, por megjithatë, ajo nuk është mbajtur. Kështu kishin vendosur vetë përfaqësuesit e këtyre familjarëve, pas bisedimeve që kishin zhvilluar ditën e hënë, më 28 qershor, me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Nysrete Kumnova nga shoqata “Thirrjet e nënave” nga Gjakova. Kjo shoqatë ka mbledhur gratë që kanë humbur fëmijët ose burrat gjatë luftës, që janë marrë dhunshëm nga forcat serbe në vitin 1999 dhe më pas janë vrarë ose zhdukur.

Kumnova ende është në kërkim të birit të saj, të cilin forcat serbe ia kishin rrëmbyer nga shtëpia, bashkë me pesë burra të tjerë, po ashtu civilë shqiptarë. Mbetjet mortore të pesë prej tyre tashmë janë gjetur në varrezat masive në Serbi dhe u janë kthyer familjarëve.

Kumnova thotë për Radion Evropa e Lirë se përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur kanë vendosur që të mos protestojnë “pa u vërtetuar arsyeja e kthimit” të Gashiqit, për të cilën, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, u kishte thënë se gjatë së hënës nuk ishte në banesën e saj.

Por, siç thotë Kumnova, anulimi i protestës nuk nënkupton që familjarët e personave të pagjetur miratojnë kthimin e Gashiqit në Gjakovë.

“Ajo nuk ka për të jetuar këtu. Të gjithë (serbët) kanë bërë krime dhe plagët janë të hapura. Në mesin e grupit që është marrë është djali im, vet i gjashti, këtu në shtëpi. Pesë prej tyre janë kthyer e unë hala djalin nuk e kam gjetur. Dhe të vij (Gashiq) këtu të jetojë? Jo. Dhe jo vetëm ajo, por asnjë serb nuk e lejojmë”, theksoi Kumnova.

Përplasjet brenda komunës së goditur nga lufta

Në Komunën e Gjakovës, 11 organizata joqeveritare, kanë thënë se do t’i dorëzojnë Qeverisë së Kosovës një peticion për largimin e shtetases serbe Dragica Gashiq.

Ajo shihet si person i padëshiruar në këtë komunë për faktin se ka punuar në Policinë e Serbisë, gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Gjakova është një nga komunat më të goditura të Kosovës nga lufta e vitit 1998 dhe 1999, ku ishin vrarë mbi 1.000 civilë shqiptarë, shumica e të cilëve meshkuj. Fati i një numri të tyre ende nuk është zbardhur dhe ata figurojnë si persona të pagjetur.

Ndaj kthimit në Gjakovë të Dragica Gashiqit ka reaguar subjekti politik Alternativa, kryetare e së cilës është deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari Lila.

Ky subjekt politik është pjesë e qeverisjes në Kosovë, të cilën e drejton kryeministri Albin Kurti.

Alternativa ka akuzuar Komunën e Gjakovës, siç është thënë, “për kthimin e shtetases serbe në Gjakovë dhe mungesën e transparencës”.

Dega e këtij subjekti politik në Gjakovë ka kërkuar nga kryetari i komunës, Ardian Gjini, që të tregojë se “kur ka filluar komunikimi me shtetasen serbe Dragica Gashiq për interesimin e saj për t’u kthyer në Gjakovë”.

Alternativa më tej ka theksuar se prej banesës ku tashmë është vendosur Dragica Gashiq, e që sipas këtij subjekti politik, është pronë komunale, është dëbuar një familje me mbiemrin Emra. Ky subjekt politik ka publikuar edhe dokumente në të cilat figuron adresa e banimit të Dragica Gashiq.

Sipas dokumentacionit të siguruar nga Alternativa, “Dragica Gashiq ka parashtruar kërkesën në Agjencionin Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës” për t’u kthyer në banesën në të cilën tashmë është vendosur.

Gjini: AKP-ja ka vendosur në favor të Gashiqit

Edhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u ka thënë mediave që lidhur me rastin Gashiq dhe në favor të saj, si pronare e banesës, ka vendosur Agjencia Kosovare e Pronës dhe jo Komuna e Gjakovës.

Ai tha se Gashiq e kishte regjistruar banesën, si pronë të saj, në vitin 1997, duke e cilësuar këtë si kohë kontestuese.

Megjithatë, ai ka theksuar se është biseduar me Policinë e Kosovës, në mënyrë që të mos ndodhë ndonjë incident. Ai ka theksuar se e kupton dhembjen e familjarëve të personave të pagjetur, por sipas tij, të gjitha rrethanat e caktuara kontestuese, duhet të sqarohen në rrugë ligjore.

“Sot, Kosova ka institucione, ka qeverinë e vet, ka policinë e vet, ka gjyqet, ka komunat e veta. Do të thotë, jemi duke jetuar në një demokraci dhe gjithçka ka zgjidhje në mënyrë ligjore”, ka theksuar Gjini.

Blakaj: Kthimi i personave të zhvendosur nuk duhet të kushtëzohet

Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë ka shprehur mendimin se secili i zhvendosur e gëzon të drejtën për t’u kthyer në pronën e vet dhe në vendin ku ka jetuar më parë, në rast se për këtë shpreh dëshirën.

“Kjo nuk mund të kushtëzohet me asgjë tjetër. Unë plotësisht i kuptoj familjarët e viktimave në Gjakovë dhe e kuptoj që në Gjakovë ka një numër jashtëzakonisht të madh të vrarësh dhe të zhdukurish dhe që familjet e tyre deri më tash nuk kanë parë drejtësi. Por, megjithatë, nuk duhet të kushtëzohet kthimi i personave në pronat e veta, në banesat e veta. Në këtë kontekst edhe zonja Gashiq është kthyer në banesën e vet dhe mendoj që institucionet e sigurisë, në rend të parë, asaj duhet t’i ofrojnë siguri dhe të sigurohen që askush nuk do ta bezdisë”, theksoi Blakaj.

Ai shtoi se Fondi për të Drejtën Humanitare është duke pritur që të koordinohet me organizatat tjera joqeveritare, për një reagim për rastin Gashiq dhe lidhur me të drejtën për kthim në pronën e vet, të cilido qytetar që është zhvendosur nga Kosova.

Qeveria dhe OJQ-të heshtin

Lidhur me të drejtën e Dragica Gashiqit që të kthehet në pronën e saj për të jetuar, deri më tash, nuk ka reaguar asnjë nga organizatat joqeveritare në Kosovë.

Lidhur me rastin Gashiq, deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim as nga Qeveria e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar ekzekutivit me pyetjet se cili është qëndrimi i tyre lidhur me rastin Gashiq, si dhe a ka ndonjë plan Qeveria e Kosovës për çështjen e kthimit të serbëve të zhvendosur nga Kosova. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk është kthyer asnjë përgjigje.

Procesi i kthimit të të zhvendosurve

Procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë filloi pas përfundimit të luftës në 1999, kur u kthyen mbi 800.000 shqiptarë të Kosovës që ishin dëbuar gjatë luftës, dhe më pas, në të njëjtën kohë, serbët u larguan.

Sipas të dhënave nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës, që nga qershori i vitit 1999, pas përfundimit të luftës në Kosovë, rreth 226.400 qytetarë të Kosovës, kryesisht serbë, romë dhe komunitete të tjera, u larguan nga shtëpitë e tyre. Deri në vitin 2020, rreth 28.500 qytetarë janë kthyer në Kosovë.

Ndërkaq, në Zveçan, komunë kjo me shumicë serbe në veri të Kosovës, në një sipërfaqe prej 15 hektarësh, Serbia dhe Kisha Ortodokse Serbe, në shtator të vitit të kaluar, ishin duke e përfunduar ndërtimin e 300 njësive banesore në kuadër të vendbanimit “Lugina e Diellit”. Këto njësi banesore janë të destinuara për personat e zhvendosur nga Kosova, të komunitetit serb.

Prishtina zyrtare kishte thënë që nuk ka prova që ky vendbanim ka marrë lejet e nevojshme nga qeveria lokale.

Në bazë të të dhënave të UNHCR-së, të vitit 2016, besohet që të zhvendosur jashtë Kosovës janë rreth 107.000 njerëz, prej të cilëve 88.000 në Serbi, më shumë se 1.400 në Mal të Zi dhe mbi 600 persona në Maqedoninë e Veriut.

rel