Tiranë: Opozita kërkoi komision hetimor për zgjedhjet e 25 prillit

Nê Tiranë, Partia Demokratike e opozitës dorëzoi sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar mbi zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Në kërkesën e Partisë Demokratike renditen si çështje për t’u hetuar “mbyllja e kufijve, që të mos votonin emigrantët”, “legalizimi i 10 mijë ndërtime të paligjshme para zgjedhjeve”, “ndarja e ndihmës ekonomike para kohe dhe zgjatja e kësaj liste”, “punësimi i 13 mijë personave me kontrata të përkohshme në fushatë zgjedhore”, “rritja e pagave të administratës publike”, “asfalti elektoral para dhe gjatë fushatës zgjedhore”, “5-fishimi i tenderave, prokurimeve dhe koncensioneve”, “ndarja e dëmshpërblimeve tërmetin disa javë para zgjedhjeve”, si dhe “çështja e patronazhistëve, që shpërdoruan të dhënat personale të 910 mijë shtetasve”.

Byroja e Kuvendit ka tani 5 ditë afat për ta shqyrtuar kërkesën dhe për ta kaluar për votim në seancë plenare.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit Partia Socialiste fitoi 74 deputetë dhe një mandate të tretë qeverisës. Ndërsa Partia Demokratike e opozitës mori 59 mandate. Dy parti më të vogla morën LSI 4 deputetë dhe PSD 3 mandate.

Partia Socialiste i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës, duke theksuar se e fitoi mandatin e tretë qeverisës falë mirë-qeverisjes së vendit gjatë tërmetit të 2019 dhe Pandemisë së 2020.

Në raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, OSBE/ODIHR vlerësoi se “në zgjedhjet e 25 prillit, votuesit patën mundësi të zgjidhnin mes kandidatëve, të cilët mundën të bënin fushatë në mënyrë të lirë dhe në kushtet e një kuadri ligjor, që respekton liritë themelore”.

Por në raportin e vëzhguesve kritikohet Partia Socialiste në pushtet se “mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike”.

Sipas Misionit Ndërkombëtar të Vëzhguesve “pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës. Praktikat gjerësisht të përhapura të shitblerjes së votave vazhduan të përbënin problem”.

Raporti vë në dukje se përbënin shqetësim “ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë’ si dhe “rrjedhja e të dhënave personale sensitive, duke përfshirë edhe preferencat politike të zgjedhësve”.

voa

Mbyllet censusi në Maqedoninë e Veriut

Sonte mbyllet censusi në Maqedoninë e VeriutTë enjten përfundon procesi i regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Enti i Statistikave pret që numri i banorëve rezidentë të arrijë në 1 milion e 850 mijë. Ndërkohë, si banorë jorezidentë në diasporë janë regjistruar pak mbi 200 mijë shtetas të këtij vendi.

E enjtja ishte dita e fundit e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut. Procesi filloi më pesë qershor dhe deri tani sipas Entit Shtetëror të Statistikave janë regjistruar mbi 1 milion e 813 mijë banorë brenda vendit. Zëvendësdrejtori i Entit të Statitikave, Ilmi Selami thotë se pritet që ky numër deri në fund të ditës së sotme të arrijë në 1 milion e 850 mijë.
Ndërkohë, numri i banorëve nga Maqedonia e Veriut të regjistruar në diasporë është pak mbi 200 mijë. Këta të fundit regjistrohen si banorë jorezidentë, por përfshihen në numrin e përgjitshëm të banorëve. Në diasporë më së shumti janë regjistruar në Zvicër, rreth 65 mijë, në Gjermani rreth 46 mijë dhe në Itali mbi 28 mijë.

Ndërkaq, një numër banorësh brenda vendit janë ankuar se nuk u kanë shkuar regjistruesit në shtëpi për t’i regjistruar dhe autoritetet hapën zyra të posaçme nëpër komuna për t’i regjistruar ata. Nga ana tjetër, opozita shqiptare kërkon që procesi të zgjatet edhe për disa ditë. Aleanca për Shqiptarët ka reaguar pas njoftimeve për mosregjistrimin e një numri familjesh, ndërsa dyshon se politika dhe qeveria po përzihet në këtë proces. Enti i Statistikave, ndërkohë nuk lë të kuptohet nëse mund të zgjatet procesi ose jo.

Censusi është i detyrueshëm dhe personat të cilët refuzojnë të regjistrohen apo nxisin bojkotin do të bartin përgjegjësi penale.

Maqedonia e Veriut nuk ka bërë census që nga viti 2002. Operacioni i madh statistikor megjithatë është shikuar gjithnjë nga prizmi politik, pasi vetë Kushtetuta e vendit përcakton të drejtat e një komuniteti etnik mbi bazë të përqindjes që përbën.

Në censusin e fundit shqiptarët përbënin 25,16 % të popullsisë.

voa

Bruksel: Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje

Tensione Kosove-SerbiBashkimi Evropian dhe SHBA mirëpritën arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Pas dy ditë diskutimesh në Bruksel, Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Lajmin e bëri të ditur vetë i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Në profilin e tij në Twitter, Lajçak publikoi letrën e marrëveshjes ku shihet se palët janë pajtuar për tri pika kryesore.

1. Njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

2. Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.

3. Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi Grup Pune, do të prezantojë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Kurti: Tani Serbia do të mësohet me reciprocitet

I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti , i cili tha se “me marrëveshjen e arritur me Serbinë të enjtën në Bruksel, “Serbia do të nisë të mësohet me reciprocitet”. Ai tha se me heqjen e barrikadave nuk do të ketë më nevojë që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të qëndrojnë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

“Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, shkroi Kurti në Facebook.

Faktori ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe SHBA-të përshëndetën arritjen e marrëveshjes për targat dhe shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell shkroi se “pas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia duhet t’i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve”.

“Kosova dhe Serbia tani duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve”, tha Josep Borrell.

SHBA: riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët

Edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas J.Giacobbe tha se “arritja e kësaj marrëveshjeje dëshmon se riangazhimi në dialog sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”.

“Lajm i mirë nga Brukseli. Një shembull sesi riangazhimi në dialog mund të ketë përfitime reale dhe të qëndrueshme për kosovarët dhe serbët. Faleminderit i dërguari Lajçak për ndërmjetësimin dhe partnerëve në Kosovë dhe Serbi për vullnetin dhe gatishmërinë e tyre për të negociuar”, shkroi Giacobbe në Twitter.

Gjendja në veri të Kosovës u tensionua pas  20 shtatorit kur qeveria e Kosovës vendosi reciprocitet në targa të veturave të Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për veturat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet.

Von der Leyen nis projekte në Beograd

Gjendja e tensionuar ne veri shqetësoi edhe kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila për tri ditë qëndroi në një turne Ballkanik. Gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë  ajo tha se “është jetike që të ndodhë normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi”.

Pas Kosovës, von der Leyen, po viziton Serbinë ku u prit nga presidenti Aleksandër Vuҫiq. Së bashku, von der Leyen dhe Vuҫiç morën pjesë në nisjen e projektit për rikonstruktimin e hekurudhës së korridorit të 10. Po ashtu  gjatë qëndrimit në Serbi, kryetarja e Komisionit Evropian merr pjesë në nënshkrimin e kontratës për rehabilitimin e autostradës së paqes Nish-Prishtinë, projekt ky i financuar dhe mbështetur nga Bashkimi Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i premtoi von der Leyen, se delegacioni i Serbisë në dialog me Kosovën që po zhvillohet në Bruksel do të bëjë ҫ‘është e mundur  që të arrijë marrëveshje me Kosovën.

“E di që Serbia nuk do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, përderisa nuk i përmirëson raportet me Kosovën, por ne do të luftojmë dhe do t‘i regullojmë gjërat”, tha Vuҫiq.

Në fund kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ajo mbështet përpjekjet e Serbisë për të qenë pjesë e BE-së.

“Unë e mbështes fuqishëmintegrimin evropian të Serbisë. I mirëpres reformat që i keni bërë, për të cilat keni bërë punë të mirë. Ne i mbështesim ambiciet e Serbisë për të qenë  e Bashkimit Evropian”, tha von der Leyen.

dw

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë përsërisin udhëzimin për gratë shtatzëna për të marrë vaksinën COVID-19

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po u bëjnë thirrje edhe një herë grave shtatzëna që të vaksinohen kundër COVID-19.

Udhëzimi i lëshuar të mërkurën nga CDC-ja përfshin gjithashtu gratë që po përpiqen të mbeten shtatzënë ose që kanë qenë shtatzënë kohët e fundit. Agjencia paralajmëron se virusi paraqet një rrezik të lartë gjatë shtatzënisë duke rezultuar në sëmundje të rënda dhe vdekje, si dhe rritje të rrezikut të lindjeve së parakohshme, foshnjave të lindura të vdekura ose komplikacione të tjera.

CDC-ja thotë se rreth 125,000 gra shtatzëna në Shtetet e Bashkuara kanë rezultuar pozitive për COVID-19, nga të cilat 22,000 janë shtruar në spital dhe 161 të cilat kanë vdekur, përfshirë një rekord të lartë prej 22 vdekjesh të shënuar në muajin gusht. Sipas CDC-së 97% e grave shtatzëna të shtruara në spital me COVID-19 nuk ishin të vaksinuara.

Një udhëzim i lëshuar nga CDC-ja muajin e kaluar thotë se provat tregojnë se përfitimet nga vaksina tejkalojnë rrezikun e abortit ose ndonjë ndërlikim tjetër të mundshëm.

Kompania farmaceutike Merck me qendër në Shtetet e Bashkuara thotë se ilaçi i saj eksperimental antiviral COVID-19 duket të jetë i efektshëm kundër varianteve të njohura të sëmundjes. Kompania tha të mërkurën se studimet klinike në fazat e hershme tregojnë se ilaçi i ri, molnupiravir, ishte më i efektshëm kur u jepet pacientëve brenda pesë ditëve nga diagnoza e tyre fillestare.

Kompania Merck thotë se ka filluar dy prova të zgjeruara që janë në faza të vonëshme të molnupiravirit –njëri për trajtimin e COVID-19, dhe tjetri si mjekim parandalues.

Në zhvillime të tjera, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi kufizime për Lojërat Olimpike Dimërore të vitit të ardhshëm dhe Lojërat Paralimpike në Pekin si pasojë e COVID-19.

Komiteti Olimpik tha se një plan i paraqitur nga organizatorët olimpikë përfshin një “sistem të menaxhimit” në të cilin të gjithë atletët, gazetarët dhe stafi do të duhet të konkurrojnë, punojnë dhe jetojnë brenda një zone të kufizuar gjatë gjithë kohëzgjatjes së lojrave. Sistemi “me qark të mbyllur” është i ngjashëm me atë të krijuar nga Shoqata Kombëtare Amerikane e Basketbollit në mesin e vitit 2020 kur rifilloi sezonin e tij 2019-20 në pikën turistike Walt Disney World Resort në Orlando, të Floridës.

Plani kërkon gjithashtu që atletët që nuk janë plotësisht të vaksinuar do të duhet të hyjnë në një periudhë karantine 21-ditore pasi të mbërrijnë në Pekin. Ndryshe nga Lojërat Olimpike Verore dhe Paraolimpike të këtij viti në Tokio, spektatorët do të lejohen të marrin pjesë në ngjarjet sportive, por biletat do të kufizohen vetëm për ata që jetojnë në Kinën kontinentale. Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit do të zhvillohen nga 4 deri më 20 shkurt të vitit të ardhshëm, ndërsa Paraolimpiket do të zhvillohen nga 4 deri më 13 mars.

voa

Media sociale mund të jetë duke shkaktuar simptoma të ngjashme me sindromin Tourette

Media sociale mund të jetë duke shkaktuar simptoma të ngjashme me sindromin TouretteMjekët në të gjithë botën kanë vënë re gjatë vitit të kaluar një rritje të pazakontë të çrregullimeve të tikut nervor, të ngjashme me sindromin Tourette, që prek sistemin nervor të njeriut.

Në platformën e videove TikTok, shfaqen shumë kafshë shtëpiake të talentuara, konkurse vallëzimi dhe kohët e fundit,shumë video në lidhje me sindromën Tourette.

“Tourette” është një gjendje neurologjike që i detyron njerëzit të bëjnë tinguj të padëshiruar dhe lëvizje të përsëritura në formën e tikut nervor. Krijuesit e TikTok-ut kanë rritur ndërgjegjësimin rreth këtij sindromi. Videot me hashtag “tourettes” janë parë mbi 4 miliardë herë. Por popullariteti i tyre mund të ketë pasoja të padëshiruara.

Në vjeshtën e vitit 2020, doktoreshë Tamara Pringsheim dhe kolegët e saj vunë re diçka të pazakontë në klinikën e tyre në Alberta, të Kanadasë.

“Po na vinin deri në 17 raste në javë me të rinj që kishin zhvilluar papritur sjellje të ngjashme”, thotë neurologia Tamara Pringsheim.

Sindroma Tourette është gjenetike. Meshkujt preken më shpesh me tikun nervor që shfaqet zakonisht në fëmijërinë e hershme dhe rritet me kalimin e viteve.

“Ndërsa tek fëmijët, kryesisht vajzat, kulmi arrihet brenda një, dy ose vetëm pak ditësh”, thotë neurologu Davide Martino.

Mjekët dyshojnë se kjo valë mund të jetë shkaktuar nga diçka. Nisur nga sugjerimi i vajzës së saj adoleshente, Dr. Pringsheim pa disa video në TikTok.

“Kur nisa të shoh disa nga videot kuptova se kam pesë raste fëmijësh që kanë saktësisht këtë tik nervor. Një vajzë më tha se i filloi vetëm pasi kaloi tërë natën duke parë këto video në TikTok”, thotë doktore Pringsheim.

Gjatë vitit të kaluar, disa klinika në Angli, Australi, Gjermani dhe Shtetet e Bashkuara kanë raportuar një fenomen të ngjashëm.

“Tiku nervor fillon përgjithësisht me lëvizje të mëdha motorike, si p.sh. në formën e goditjeve, gërvishtjeve, ose tundjen e krahëve”, thotë psikologu John Piacentini.

Videot mund të veprojnë si një model për njerëzit që janë të ndjeshëm për shkak të faktorëve të tjerë, thotë John Piacentini, i cili viziton pacientë në Los Anxheles.

“Shumë nga fëmijët me këtë tik nervor, raportojnë nivele mjaft të larta të depresionit dhe ankthit. Dhe shumë prej tyre mund të jenë të lidhura me pandeminë”, thotë doktor Piacentini.

Dhe megjithëse disa nga videot përdorin humorin, të jetosh me një çrregullim të tillë mund të jetë shumë sfiduese.

“Kam pasur pacientë që kanë braktisur shkollën, kanë braktisur kolegjin, dhe lanë punën. Niveli i dëmtimit ka qenë shumë i lartë, më i lartë se shumë nga pacientët e mi me sindromën Tourette”, thotë doktore Pringsheim.

Për këtë sindromë ekzistojnë ende shumë të panjohura dhe kërkimet sapo kanë filluar.

Por ndërsa mjekët po shqyrtojnë qasjet më të mira për kurimin, hapi i parë duket i qartë.

“Gjëja e parë që duam të bëjmë është që të shkëputen për ca kohë nga mediat sociale”, thotë doktor Piacentini.

Rekomandimi i ekspertëve për njëri-tjetrin është të shqyrtojnë më nga afër mediat sociale. Një studim nga Universiteti i Çikagos del në përfundimin se: “Njohja e përmbajtjes së mediave është thelbësore për menaxhimin e pacientëve në mjedisin ku jetojmë”.

voa

Kosova tërhiqet nga projekti për gazsjellësin

Të enjten ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, tha se qeveria nuk do të çojë përpara projektin për lidhjen me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut, një projekt i propozuar nga Korporata amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC).

Në një konferencë të shkurtër me gazetarë, ajo tha se Kosova ka nevojë për më shumë informata për të qenë më e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik, ndërsa MCC-ja ka afate të përcaktuara kohore për zhvillim dhe nënshkrim të programit të saj.

“Në këtë situatë, përballë afateve kohore që ka MCC-ja, ne kemi vendosur të ecim tutje dhe ta shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e Kompaktit për investime me risk më të ulët, por që gjithashtu ndihmojnë Kosovën në cakun drejt dekaorbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekonomik dhe zhvillim të sektorit privat”, tha ministrja Rizvanolli.

Qeveria ka diskutuar për disa muaj me radhë me përfaqësuesit e MCC-së për këtë çështje.

Ditë më parë, një zëdhënës i ambasadës amerikane i tha Zërit të Amerikës, “se një faktor thelbësor që pengon rritjen e fuqishme ekonomike të Kosovës është infrastruktura e papërshtatshme, veçanërisht infrastruktura energjetike” dhe se “qeveria amerikane po punon me qeverinë e Kosovës për zhvillimin e projekteve të propozuara, që Bordi i Drejtorëve të Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit do të merrte parasysh një program të mundshëm në vitin 2022”.

Sipas zëdhënësit, projektet e tilla të mundshme do të përqendroheshin në disa koncepte që janë në dobi të Kosovës.

“Ky projekt nuk lidhet me gazin natyror të lëngshëm apo ndonjë burim tjetër gazi amerikan. Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë për të përdorur gazin si lëndë djegëse kalimtare derisa të ketë qasje në hidrogjen”, thuhej në përgjigjen e zëdhënësit të ambasadës amerikane në Prishtinë.

MCC-ja kishte përcaktuar një shumë prej afro 200 milionë dollarësh për të ndihmuar ndërtimin e infrastrukturës, ndërsa, pjesa më e madhe e inancimit, tha zëdhënësi “do të bëhej nga fondet e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”.

Opozita në Kosovë i bëri thirrje qeverisë në disa raste që të shfrytëzojë projektin amerikan.

Lidhja Demokratike e Kosovës e cilësoi vendimin e qeverisë “një hap të gabuar strategjik. Një veprim i pakuptueshëm për interesat shqiptare në rajon. Një humbje financiare dyqind milionëshe në një vend pa zhvillim. E pakuptimtë, e dëmshme, e papranueshme. Përkushtimi i Kosovës në projekte strategjike amerikane nuk duhet të ketë hezitim. Ecja jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të jetë e përbashkët në politikë, ekonomi, siguri e energjetikë”.

Të enjten, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i kishte bërë thirrje kryeministrit Kurti të mbështesë projektin për lidhjen me gazsjellësin, e kritikoi rreptë atë për qëndrimin ndaj projektit.

“Refuzimi i projektit të gazsjellësit amerikan është një veprim i rrezikshëm kundër interesave të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

voa

Arrihet marrëveshja për krizën në veriun e Kosovës

Kosova dhe Serbia u morën vesh të enjten për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, që pasuan vendimin e qeverisë në Prishtinë, për të vendosur masën e reciprocitetit për përdorimin e targave të makinave.

“E kemi një marrëveshje. Pas dy ditë negociatash intensive, një marrëveshje për shtensionimin e dhe rrugën përpara sapo është arritur. Falënderoj Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviçin për gatishmërinë e tyre për të negociuar dhe pajtuar për të mirën e njerëzve”, tha i dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas marrëveshjes trepikëshe, të shtunën me 2 tetor njëkohësisht do të ndodhë largimi i barrikadave dhe i njësive të posaçme të policisë nga vendkalimet kufitare në veriun e banuar me shumicë serbe. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja do të sigurojnë vendkalimet kufitare për dy javë.

Nga data 4 tetor, do të zbatohet vënia e fletë ngjitëseve në targat e makinave deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Një grup punues që do të fillojë nga puna më 21 tetor do të punojë për një zgjidhje të përhershme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në rrjetet sociale se “reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim, do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë”.

Albin Kurti: “Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.
Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.”

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh i kënaqur me siç tha, kompromisin për uljen e tensioneve në veriun e Kosovës.

Diplomatët perëndimor mirëpritën marrëveshjen e së enjtes. I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Prishtinë, Nicholas Giacobbe, tha se kjo dëshmon që riangazhimi në bisedime sjell përfitime për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey e cilësoi marrëveshjen “lajm të shkëlqyeshëm. Gjithçka është e mundur nëpërmjet bisedimeve serioze dhe me përkushtim”, shkroi ai.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se pas kësaj marrëveshjeje, “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen në mënyrë konstruktive në bisedime për të arritur përparim të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve” ndërmjet tyre.

Marrëveshja e sotme pritet t’i jap fund situatës në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë tash e njëmbëdhjetë ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, thanë të mërkurën se “në përgjigje të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja, ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe ka vendosur njësi në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak”.

Qeveria e Kosovës ishte pajtuar me ofertën e komandantit të forcave paqeruajtëse Franco Federici që trupat e KFOR-it të sigurojnë vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Por, oferta ishte refuzuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

voa

Vazhdojnë bisedimet në Bruksel për situatën në veriun e Kosovës

Të enjten vazhdojnë bisedimet e filluara një ditë më parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës.

Të mërkurën, negociatorët e të dyja vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, zhvilluan bisedime të ndara me të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për rrugëdaljen nga situata e krijuar pas vendimit të Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit për targat e makinave me Serbinë.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe Zv/Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar.

Në orët e mbrëmjes, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se është hartuar një projekt i marrëveshjes, pjesë të së cilës ende nuk janë miratuar nga Beogradi, në funksion të shtendosjes së situatës në veri.

Ai tha se, sipas projekt marrëveshjes, nga e hëna Kosova dhe Serbia do të përdorin fletë ngjitëse në targat e një tjetrës në vend të ndërrimit të tyre, ndërsa “do të formohet grup punues për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për lëvizjen e lirë të makinave brenda gjashtë muajsh.

Sipas zotit Bislimi, të shtunën forcat e KFOR-it do të zëvendësojnë njësitë e posaçme të policisë së Kosovës në vendkalimet kufitare në veri dhe njëkohësisht, duhet të hiqen barrikadat e vendosura nga protestuesit serbë.

Delegacioni serb nuk foli për marrëveshjen por tha se një “gjë e tillë ende nuk është arritur”, ndërsa zyrtarë të BE-së thanë se bisedimet nuk kanë përfunduar dhe “po punohet në gjetjen e një zgjidhjeje për krizën në veriun e Kosovës”.

Diplomatët amerikanë në Beograd dhe Prishtinë thanë se “është arritur përparim”, por puna ende nuk ka përfunduar.

Grupe qytetarësh serbë tash e njëmbëdhjetë ditë me radhë po mbajnë të bllokuara rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.

Nga 20 shtatori, makinat që hyjnë nga Serbia në Kosovë, duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj sikundër veprohet ne Serbi me makinat nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme në veri për të mbështetur zbatimin e vendimit të saj.

Beogradi reagoi me zemërim dhe njoftoi ngritjen e gatishmërisë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave.

Prishtina tha se është e gatshme të heqë dorë nga targat e përkohshme, nëse Beogradi vepron njësoj, ndërsa akuzoi Serbinë për nxitje tensionesh.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s, thanë të mërkurën se “në përgjigje të zhvillimeve të fundit në veriun e Kosovës, misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja, ka shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe ka vendosur njësi në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak”.

Qeveria e Kosovës është pajtuar me ofertën e komandantit të forcave paqeruajtëse Franco Federici që trupat e KFOR-it të sigurojnë vendkalimet kufitare me Serbinë, në shkëmbim të largimit të barrikadave dhe njësive të posaçme të policisë së Kosovës.

Por, oferta është refuzuar nga përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës.

voa

Von der Leyen: Mali i Zi ka nevojë për dialog politik

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu besimin se Mali i Zi do të mbetet në rrugën drejt integrimeve evropiane. Ajo tha se Mali i Zi ka bërë përparimin më të madh në procesin e pranimit dhe Komisioni Evropian dëshiron që ky proces të vazhdojë. “Mali i Zi ka nevojë për dialog politik në mënyrë që të bëjë përparim. Ju keni bërë shumë. Është e rëndësishme që Mali i Zi të ruhet si një vend shumëfetar dhe shumetnik. Demokracia nuk përbëhet nga një parti apo një rrymë. Demokracia janë njerëzit. Nevojitet mbrojtja e pakicave. Mali i Zi ishte i pari në Ballkanin Perëndimor që legalizoi partneritetet e të njëjtit gjini. Ju jeni një shembull për rajonin dhe më gjerë, “ tha zonja Leyen.

Presidentja e KE-së i bëri këto komente, të mërkurën, gjatë qëndrimit të saj në Podgoricë, në një konferencë të përbashkët me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Ursula von der Layen tha se BE -ja ka bërë përpjekje të mëdha për të mënjanuar efektet negative të koronavirusit. “Ne duhet të shikojmë drejt së ardhmes dhe të bëjmë investime strategjike në sektorët më kryesorë. Qytetarët e Malit të Zi meritojnë një të ardhme me punë më cilësore dhe të paguara mirë. Ne presim që Mali i Zi të propozojë projekte cilësore. Kjo do të mundësojë 20 milionë euro të reja për projektet e ardhshme ”, tha zonja Leyen.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq tha se qëndrueshmëria e Ballkanit Perëndimor është duke u cenuar nga provokimet e ndryshme. “Ne jetojmë në një kohë kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik, falë ofensivës së interesave gjeopolitike të ndryeshme që janë kundër sistemit të vlerave evropiane. Interesi i këtyre ndikimeve është pengimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Unë tregova vendosmërinë tonë për të arritur vlerat evropiane ”, tha presidenti Gjukanoviq.

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Layen dhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq vizituan Institutin e Shëndetit Publik, ku Zonja Layen dorëzoi një donacion të vlefshëm, pajisjen testimi PCR masiv të automatizuar. Kjo është pajisja e parë e këtij lloji në Mal të Zi, që integron plotësisht procesin e testimit e deri tek dalja e rezultatit për COVID-19. Vlera e përgjithshme e donacionit me teste dhe materiale tjera është 660 mijë euro, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

Për Ursula von der Leyen kjo është vizita e parë zyrtare në Mal të Zi, e cila u prit nga kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Aleksa Beçiq. Presidentja e Komisionit Evropian arriti në Podgoricë pas vizitës në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë si pjesë e turneut në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

voa

Kriza në veri të Kosovës – Serbia mes Rusisë dhe Perëndimit

Spannungen zwischen Kosovo und SerbienKriza në veri të Kosovës ka shkaktuar reagime të shumta në Beograd. Vizita e ambasadorit rus tek njësitë ushtarake nuk ishte e menduar mirë. Serbia do të paguajë faturën.

Tensionet në vendkalimet kufitare (vendkalime administrative, siç i quan pala serbe) Jarinje dhe Bërnjak po vazhdojnë për më shumë se dhjetë ditë me radhë. Ndërkohë po vazhdon edhe një aktivitet i shtuar diplomatik në trekëndëshin Beograd-Prishtinë-bashkësia ndërkombëtare për të qetësuar gjendjen. Kosova po përpiqet ta paraqesë krizën e fundit si një çështje teknike që lidhet me reciprocitetin rreth targave. Ndërsa në Beograd thuhet se dërgimi i njësisë speciale Rosu në veri paraqet provokim dhe rrezik për serbët e atjeshëm. Ndërkohë edhe Beogradi ka dërguar ​njësitë e veta ushtarake, automjete të blinduara dhe helikopterë në afërsi të pikëkalimeve. Ka pasur madje edhe fluturime të avionëve në afërsi të vijës kufitare. Në veri është rritur edhe prania e KFOR-it. E shqetësim për situatën në veri ka shprehur edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen, e cila vizitoi (29.09) Kosovën dhe Serbinë.

Lëvizjet e trupave po shoqërohen me retorikën e ashpër të Beogradit zyrtar, e kjo retorikë mund të interpretohet pjesërisht edhe si mburrje boshe e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili i ka vënë ultimatum NATO-s, “se nëse fillon pogromi në Kosovë dhe Metohi dhe nëse NATO nuk reagon, ne do të regaojmë brenda 24 orësh”. Vuçiq thotë se në një takim me ambasadorët perëndimorë, ai “ka kritikuar ashpër një ambasador të një vendi shumë të fuqishëm perëndimor”, për të cilin thotë se  e ka pyetur “a është njeri normal dhe a doni të vendosni ju se ku i vendosim ne njësitë tona në territorin e Serbisë qendrore?”

Por ka pasur edhe disa gjëra të pazakonshme diplomatike, për të cilat nuk ka pasur asnjë shpjegim zyrtar. Presidenti i Serbisë ka takuar ambasadorët e Quintit. Por e ka anuluar takimin me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës. Më pas u njoftua nga zyra e tij se “takimi është shtyrë për shkaqe shëndetësore dhe se presidenti i Serbisë do të takohej paradite me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës”.

Forcimi i sovranitetit

Edhe në këtë rast u dëshmua se për situatën kemi një përgjegjësi të trefishtë, thotë analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, në një deklaratë për Deutsche Welle-n. Ai shton se “edhe këtu kemi të bëjmë me një përpjekje për të forcuar sovranitetin e Kosovës, përmes futjes së reciprocitetit me targat”.

“Brukseli mban përgjegjësinë, sepse nuk ka bërë më shumë për të siguruar lirinë e lëvizjes. Tani po shohim se edhe problemi më i vogël i pazgjidhur ka një potencial të madh për konflikt, kur mbetet në duart e politikanëve të hidhëruar në Beograd dhe Prishtinë”, thotë Jakshiq. Ai “ka frikë se askush nuk do të marrë mësime nga kjo, sepse udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës po i përdorin këto gjëra për të promovuar guximin e tyre personal dhe për të krijuar imazhin e ‘shpëtimtarit’ të popujve të tyre, në veçanti tani kur Kurtin dhe Vuçiqin i presin zgjedhjet”.

Loja e dakorduar

Sikur edhe në disa situata të tjera, edhe tani në Serbi spekulohet, se “kjo është një lojë për të cilën kanë rënë dakord të dy palët”. Por Aleksandar Popov, drejtor i Qendrës për Rajonalizmin, thotë për DW, se “kjo nuk e zvogëlon rrezikun nga mundësia e përshkallëzimit të gjendjes”.

“Sado që Beogradi dhe Prishtina, por edhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, mendojnë se po i mbajnë gjërat nën kontroll, vetëm një incident i vogël është i mjaftueshëm për të hyrë në konflikte serioze”, thotë Popov.

Por Popov shton se “me kriza të tilla bashkësia ndërkombëtare gjithmonë zgjidh ndonjë çështje, për të cilën ajo beson se është me rëndësi, dhe atë në dëm të Serbisë. E gjërat kështu po afrohen drejt rrumbullakosjes së shtetësisë së Kosovës. Në fund mund të ketë ndonjë dokument të përgatitur prej tyre, i cili duhet të nënshkruhet”, pohon drejtori i Qendrës për Rajonalizmin.

Si të shpallet fitorja?

Serbia ka dërguar në këtë zonë edhe avionë Mig dhe automjete të blinduara. Por Jakshiq vëren se “Serbia ishte shumë e kujdesshme që të mos shkelë dispozitat e Marrëveshjes së Kumanovës”. Prandaj, ai i sheh deklaratat e presidentit të Serbisë, “si një akt retorik me synim që situata të mos përshkallëzojë më shumë”. “Beogradi dhe Prishtina dërguan mesazhet që donin, e tani pyetja e vetme teknike është, se si të dyja palët do dalin fitues nga kjo situatë dhe të ruajnë fytyrën.”

Serbia dhe vëllai i saj i madh

Kriza aktuale nuk mund të kalonte pa përzierjen e faktorit rus. Pala shqiptare e shfrytëzoi këtë mundësi për të paralajmëruar nga “ndikimi malinj i Rusisë në rajon”. Ndërsa nga Beogradi ka pasur sinjale konfuze. Si një dëshmi e politikës skizofrene të jashtme të Serbisë konsiderohet edhe deklarata e Dragan Shormaz, anëtar i Partisë Përparimtare Serbe (SNS) dhe shef i delegacionit serb në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i cili beson se “Rusia po destabilizon të gjithë rajonin”.

“Rusia nuk mund të bëjë asgjë. Kina nuk mund të bëjë asgjë, BE-ja nuk mund të bëjë asgjë dhe kjo po shihet nga dita në ditë. Rasti ynë me krahinën tonë të Kosovës dhe Metohisë nuk mund të zgjidhet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Shteti i vetëm që mund të sjellë rregull në Prishtinë dhe Beograd, pavarësisht nëse i pëlqen dikujt apo jo, është SHBA“, tha Shormaz.

Ky ishte edhe komenti i tij pas paraqitjes së përbashkët të ministrit të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq me ambasadorin rus në Serbi Alexander Bocan Kharçenko, si dhe të dërguarin rus për mbrojtjen, gjeneral-majorin Alexander Zinçenko, tek një njësi të forcave serbe, në bazën ushtarake “Rudnica”.

“Parada e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë me ambasadorin dhe gjeneralin rus më duket si një situatë kur ke problem me dikë, dhe pastaj e sjell vëllanë tënd të madh për të treguar se është dikush që të mbron”, thotë Aleksandar Popov. “Unë mendoj se ajo kishte një karakter pak si karikaturë dhe se kjo më shumë e dëmton sesa e ndihmon Serbinë”, pohon Popov.

Ndërsa Boshko Jakshiq mendon se edhe kjo dëshmon se tek autoritetet në Serbi kemi një rrymë pro-ruse dhe një tjetër pro-perëndimore, por ai paralajmëron se “rryma pro-ruse është në pozicione të rëndësishme”.

“Kur ministri i Mbrojtjes merr ambasadorin rus me vete – e unë jam i bindur që ai e mori ekstra me vete – atëherë kjo nuk është e njëjta gjë sikur kur flet diçka Dragan Shormaz. Unë mendoj se kjo lëvizje nuk ishte e balancuar sa duhet, ishte pa ndonjë takt diplomatik, ishte dritëshkurtër. Kjo vetëm Rusisë i ndihmon që të paraqitet si mbrojtëse e madhe e interesave të Serbisë në Kosovë. Këtë e kanë regjistruar edhe në kryeqytetet perëndimore, të cilat së shpejti do të kërkojnë që Serbia të paguajë faturën”, konstaton Boshko Jakshiq.

Ivica Petrovic/dw