Arkivi mujor: Nentor 2021
Top News-‘Bashkimi do ndodhë një ditë…!’/Rama e Kurti të bindur për referendumin Kosovë-Shqipëri
Duke folur në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, i cili u mbajt pak para 110 vjetorit të pavarësisë, Kryeministri Edi Rama dhe Albin Kurti u shprehën të bindur se bashkimi Shqipëri-Kosovë do të ndodh një ditë.
Gjatë një konferencë të përbashkët shtypi, Rama pati edhe një përgjigje për reagimet që do vijnë pas deklaratës së tij, duke thënë se le ta quajnë si një provokim nga një fallxhor dhe jo nga një politikan. Rama u pyet nëse do të votonte pro bashkimit kombëtar, marr shkas nga barometri i publikuar një ditë më parë ku thuhet se 80 për qind e qytetarëve në Shqipëri janë pro bashkimit me Kosovën, raporton Telegrafi.
Rama tha se do të votonte hapur pro bashkimit me Kosovën dhe sipas tij një gjë e tillë do të ndodhë por kur e si nuk e dinë. Pro bashkimin kombëtar doli edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili deklaroi disa ditë më parë se do të votonte pro referendumit.
topnews
Shqipëria dhe Kosova drejt hekurudhës Durrës-Prishtinë
Për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, hekurudha e planifikuar Durrës-Prishtinë ka edhe rëndësi gjeo-politike, jo vetëm ekonomike.
Shqipëria dhe Kosova do të lidhen edhe përmes linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, në bazë të marrveshjes së nënshkruar mes dy vendeve të premten, (26.11) në Elbasan, ku u zhvillua takimi i shtatë, i përvitshëm, mes qeverive të dy vendeve.
Në këtë takim palët njoftuan që në buxhetet e dy vendeve për vitin e ardhshëm janë parashikuar fondet për kryerjen e fizibilitetit të ndërtimit të kësaj hekurudhe, gjë që konsiderohet si fillimi i punimeve për ndërtimin e saj. Krahas marrëveshjes për hekurudhën Durrës-Prishtinë, në takimin e Elbasanit u nënshkruan edhe 12 marrëveshje të tjera që kanë të bëjnë me lehtësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve në të dyja anët e kufirit, marrjen e lejeve të qëndrimit dhe të punës, hapjen e pikës kufitare në Shishtavec, (Kukës), shkurtimin e ndërsjelltë të procedurave për njohjen e diplomave dhe gradave shkencore.
Hekurudha Durrës-Prishtinë me rëndësi gjeo-politike
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Elbasan se linja hekurudhore Durrës- Prishtinë “është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike, pasi ndihmon edhe rajonin, fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen”. Hekurudha Durrës-Prishtinë krijon mundësi edhe për përfshirjen e Mali të Zi pasi projekti parashikon që ajo të kalojë nga Durrësi në Tivar dhe që andej në Prishtinë, duke e bërë kryeqytetim e Kosovës një qendër të linjave hekurudhore rajonale.
Sipas marrëveshjeve të nënshkruara në Elbasan mes dy qeverive banorët e zonave kufitare brenda 30 kilometrash në të dyja anët e kufirit, kanë të drejtë të lëvizin dhe punojnë pa patur leje pune dhe pa kryer procedura kalimi nga njëra anë e kufirit në tjetrën si edhe të marrin leje qëndrimi pesë vjeꞔare me procedura të përshpejtuara.
Ndër 13 marrëveshjet e nënshkruara të premten në Elbasan përfshihet edhe ajo e njohjes së ndërsjelltë të kontributeve për pensione.
Shqipëria dhe Kosova me një abetare unike
Kryeministri Rama publikoi në takimin mes dy qeverive në Elbasan një zhvillim të rëndësishëm në hapjen e dy vendeve ndaj njëri- tjetrit: përdorimin në vitin e ardhshëm, 2022 të së njëjtës abetare për të mësuar shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe. Ai tha se abetarja e përbashkët që të do të përdoret në Shqipëri dhe Kosovë mund të shtrihet edhe në hapësira të tjera ku fëmijët mësojnë të shkruajnë dhe lexojnë shqipen.
Marrëveshjet e arritura në takimin mes dy qeverive në Elbasan duket se po shënojnë konkretizim të rritjes së bashkëpunimit mes dy vendeve fqinjë. Të dyja palët kanë risjellë në vëmendje së qëndrimet e ndryshme ndaj nismës “Ballkan i hapur” nuk përbëjnë pengesë për rritjen e bashkëpunimit dy palësh. Kryeministri i Kosovës, Kurti e cilësoi hapjen e Shqipërisë dhe Kosovës ndaj njëra tjetrës ”me shpejtësi”. “Gjithçka tjetër, në rastin më të mirë mbetet e dorës së dytë, ” theksoi ai.
Kryeministri Rama vuri në dukje që qëndrimet e ndryshme lidhur me nismën “Ballkani i hapur” nuk përbëjnë pengesë” që të vendosim të bëjmë së bashku gjërat e duhura në funksion të së ardhmes së dy vendeve tona.”
dw
Konfirmohen dy raste me virusin Omikron në Gjermani
Në Mynih, janë konfirmuar dy rastet e para të variantit të ri Omikron të virusit Corona në Gjermani. Ndërsa Akademia Leopoldina rekomandon kufizimin e menjëhershëm të kontakteve edhe në Gjermani.
Dy udhëtarët tek të cilët është konstatuar varianti i ri i virusit Corona kanë ardhur në Gjermani me një fluturim nga Afrika e Jugut më 24 nëntor, njoftoi ministri i Shëndetësisë i Bavarisë Klaus Holetschek. Ata vetë kanë karkuar të hetohen nëse janë të infektuar me variantin e virusit pasi mësuan për rrezikun nga mediat. Varianti Omikron i koronavirusit, i cili u zbulua për herë të parë në Afrikën Jugore, ka arritur kështu përfundimisht edhe në Gjermani.
Ministria e Shëndetësisë bavareze u kërkoi pasagjerëve që erdhën nga Afrika e Jugut me të njëjtin fluturim më 24 nëntor që të raportojnë menjëherë në departamentin e tyre shëndetësor lokal. Të gjithë njerëzit që kanë udhëtuar nga Afrika e Jugut në 14 ditët e fundit duhet të reduktojnë menjëherë kontaktet e tyre, të bëjnë një test PCR, të shpjegojnë detajet e udhëtimit dhe të kontaktojnë menjëherë departamentin e shëndetësisë.
Një rast tjetër të dyshuar ka edhe në Hessen. Ministri i Çështjeve Sociale në Hessen, Kai Klose, shkruan në Twitter: Disa mutacione tipike të variantit Omikron u gjetën tek një person që kthehej nga Afrika e Jugut. Personi ishte i izoluar në shtëpi. Një rezultat përfundimtar i testit është ende në pritje, shkruan Klose.
Sipas Ministrisë në Wiesbaden, personi i vaksinuar plotësisht mbërriti më 21 nëntor nëpërmjet aeroportit të Frankfurtit. Gjatë javës në vijim, ajo zhvilloi simptoma dhe u testua. Varianti Omikron (B.1.1.529) është klasifikuar si “shqetësues” nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Për shkak të një numri jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve, kjo formë e koronavirusit mund të jetë edhe më ngjitëse se varianti aktualisht i shfrenuar Delta, thuhet.
Autoriteti shëndetësor i BE-së ECDC flet për shqetësime serioze, me shpjegimin se varianti Omikron mund të zvogëlojë ndjeshëm efektivitetin e vaksinave të Coronës dhe të rrisë rrezikun e riinfektimit. Efektet e sakta të variantit të ri nuk janë përcaktuar ende. Sipas OBSH-së, mund të duhen edhe disa javë përpara se të ketë qartësi.
Afrika e Jugut zona ku është zbuluar virusi
Dhjetra vende në mbarë botën kanë dhënë alarmin për variantin e ri të koronavirusit. Shumë shtete, përfshirë Gjermaninë, vendosën të premten të ndalojnë fluturimet nga disa vende në jug të Afrikës.
Gjermania i ka klasifikuar Afrikën e Jugut, Namibinë, Zimbabven, Botsvanën, Mozambikun, Esvatini, Malavi dhe Lesoto si zona të variantit të virusit të ri, prej fillimit të ditës së dielë, njoftoi Instituti Robert Koch (RKI). Linjat ajrore në thelb lejohen vetëm të kthejnë shtetas gjermanë ose njerëz që jetojnë në Gjermani nga atje në Gjermani. Një detyrim dyjavor karantine vlen edhe për udhëtarët që janë vaksinuar ose janë shëruar.
Duhen masa urgjente
Me këtë zhvillim, diskutimi për rregulla më të rrepta, po rritet përsëri. Ekspertët nga Akademia Kombëtare e Shkencave Leopoldina janë në favor të kufizimeve të kontaktit për të parandaluar përhapjen e virusit. Ata mendojnë se masat duhet të fillojnë prej javës që vjen.
Përhapja e shpejtë e infeksioneve të Coronës i bën “kundërmasat e menjëhershme të nevojshme urgjentisht”, thuhet në një deklaratë. Të gjitha masat duhet “përkohësisht të zbatohen edhe për personat e vaksinuar dhe të shëruar, të cilët duhet të marrin një vaksinim përforcues gjatë kësaj kohe”. Përveç kësaj, Akademia mbron futjen e vaksinimit të detyrueshëm në faza.
Kufizimet e kontaktit duhet të zbatohen edhe në jetën private, në ambiente të mbyllura dhe në situata “në të cilat shumë njerëz mblidhen – për shembull në bare, klube dhe në manifestime publike. Aty ku kontakti personal nuk mund të shmanget, duhe të futet një “kërkesë e përgjithshme e maskës – në mënyrë ideale me maska FFP2 – si dhe zbatimi i rregullave 2G.”
Problemet e politikanëve
Autorët e deklaratës shprehin shqetësimin e tyre të madh për situatën aktuale: “Është për t’u frikësuar që pjesë të politikës dhe publikut nuk e kuptojnë situatën dramatike dhe nevojën për masa”, shkruajnë ata.
Leopoldina është një Akademi shkencore dhe mjekësore me një traditë prej më shumë se 350 vjetësh. Si Akademia Kombëtare e Shkencave, ajo ka për detyrë të punojë shkencërisht për çështjet e së ardhmes si mjedisi dhe energjia në pavarësi të plotë dhe të këshillojë politikën dhe shoqërinë.
bc/h/se (dpa, afp, rtr)
Omikron: OBSH e shpall variantin e ri të Coronës “shqetësues”
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ndjek me shqetësim shfaqjen e një varianti të ri të virusit Corona në pjesën afrikanojugore. Mjaft shtete kanë vendosur kufizime udhëtimi.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, e ka klasifikuar si “shqetësues” variantin e ri të Coronës, B.1.1.529 të shfaqur në pjesën jugore të Afrikës. Këtë e bëri të ditur organizata të premten pas një takimi me ekspertët. Ky klasifikim është sipas OBSH një sinjal, se ky variant është më ngjitës ose shkakton ecuri të rëndë të sëmundjes Covid-19. Omikron, i emërtuar në bazë të alfabetit grek tregon një sërë mutacionesh, nga të të cilat disa janë shqetësuese. Të dhënat paraprake tregojnë për një mundësi riinfektimi krahasuar me variantet e tjera.
Sipas OBSH varianti B.1.1.529 u zbulua në Afrikën Jugore me analiza gjenetike më 9 nëntor. Deri më tani ky variant është vërtetuar më pak se 100 herë. Ekspertët thonë, se ai ka pësuar disa mutacione, shkakton më lehtë infektimin, por sipas OBSH do të duhen disa javë, derisa të jetë e qartë, se cilat efekte ka ky variant.
Shtetet kufizojnë udhëtimin
Vendet e BE, dhe shumë vende të tjera kanë bërë të ditur kufizime udhëtimi për udhëtimet nga pjesa jugore afrikane. Zëdhënësi i OBSH, Christian Lindmeier rekomandoi në emër të organizatës masa të bazuara në shkencë dhe vlerësim rreziku. “Për këtë moment kemi rezerva kundrejt kufizimeve të udhëtimit”, tha Lindmeier. Sipas OBSH duhet të shmangen dëmet për qarkullimin e lirë ndërkombëtar.
la/ag
Rritet numri i vendeve që njoftojnë raste me Omicron, bota në alarm
Varianti i ri i koronavirusit, Omicron, potencialisht më ngjitës krahasuar me COVID-19-n, u shfaq edhe në vende të tjera të dielën, vetëm disa ditë pas identifikimit të tij në Afrikën e Jugut. Qeveritë në mbarë botën po marrin masa për të ndalur përhapjen e mundshme të tij.
Holanda konfirmoi të dielën 13 raste të variantit të ri të koronavirusit, Omicron, dhe Australia dy.
Izraeli vendosi të dielën të ndalojë hyrjen për shtetasit e huaj, masa më të ashpër e ndërmarrë nga një vend deri tani.
Pas identifikimit të dy rasteve me Omicron, Britania e Madhe shtrëngoi rregullat e saj të shtunën lidhur me vendosjen e maskave dhe testimin e udhëtarëve ndërkombëtarë.
Raste të reja u konfirmuan të shtunën në Gjermani dhe Itali. Belgjika, Izraeli dhe Hong Kong-u gjithashtu njoftuan se varianti i ri i koronavirusit është gjetur tek disa udhëtarë ndërkombëtarë.
Në SHBA, doktor Anthony Fauci, eksperti kryesor i qeverisë për sëmundjet infektive, tha për televizionin NBC se nuk do të befasohej nëse do të identifikoheshin raste të variantit Omicron edhe në Shtetet e Bashkuara.
Për shkak të frikës se varianti i ri ka potencialin të jetë më rezistent ndaj mbrojtjes që ofrojnë vaksinat, ka shqetësime në rritje në mbarë botën se pandemia dhe kufizimet e lidhura me bllokimin do të vazhdojnë edhe më gjatë nga sa pritej.
Ndërsa shënohen rreth dy vjet që nga fillimi i pandemisë që ka marrë më shumë se 5 milionë jetë njerëzish në mbarë botën, vendet janë në gatishmëri të lartë. Shumë prej tyre kanë vendosur tashmë masa kufizuese për fluturimet nga Afrika Jugore, në një përpjekje për të siguruar kohë për të shqyrtuar nëse varianti Omicron është më i transmetueshëm sesa varianti aktual dominues, ai Delta.
voa
“Duhen hapur kapitujt e parë me Shqipërinë për anëtarësim”/ Ja çfarë shkruhet për vendin tonë dhe Ballkanin në marrëveshjen e koalicionit të pasardhësve të Merkel të dakordësuar sot
Marrëveshja e koalicionit 177 faqesh e socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve për qeverinë e re gjermane, në pjesën që lidhet me këtë rajon, thekson se koalicioni i ardhshëm qeverisës mbështet procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të rajonit të Ballkanit Perëndimor. përmbushja e kritereve të Kopenhagenit”.
“Ne mbështesim procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës. Në këtë kontekst, ne forcojmë shoqërinë civile dhe mbështesim hapat e mëtejshëm të para-anëtarësimit.
Duhet të hapen kapitujt e parë për anëtarësimin në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të merret një vendim për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe të rifillojnë negociatat me Malin e Zi dhe Serbinë. Ne mbështesim dialogun e normalizimit të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përpjekjet për të arritur paqen e qëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë, bazuar në ruajtjen e integritetit territorial dhe tejkalimin e ndarjeve etnike.
Paralelisht me negociatat e anëtarësimit, BE-ja duhet të përmirësojë kapacitetin e saj pritës” , thuhet në marrëveshje.
Ende nuk janë bërë të ditur emrat e ministrave të ardhshëm, kjo duhet të ndodhë në ditët në vijim, transmeton Deutsche Welle në një tekst në të cilin thekson se semafori i koalicionit (për shkak të ngjyrave të partive që e përbëjnë) qëndron. Kancelarja e re gjermane që do të pasojë Angela Merkel do të jetë socialdemokrati Olaf Scholz.
Deutsche Welle shkruan se departamenti i financave me siguri do të drejtohet nga liberali Christian Lindner, departamenti i ekonomisë nga ‘lideri i të Gjelbërve, Robert Habek, dhe se kreu i ri i diplomacisë do të jetë Analena Berbock, kandidatja për kancelar e të Gjelbërve. Nga kjo parti është edhe raportuesja e PE për Kosovën, Viola von Cramon.
Marrëveshja e koalicionit duhet të mbështetet nga të treja partitë. SPD dhe FDP (liberalët) do ta bëjnë këtë në kongreset e partisë dhe 125,000 anëtarët e të Gjelbërve do të vendosin për këtë. Votimi dixhital fillon nesër, shkruan Deutsche Welle.
(BalkanWeb)
Hetime në Bullgari rreth aksidentit që shkaktoi vdekjen e 46 personave
Autoritetet bullgare po bëjnë hetimet për aksidentin e trafikut ku mbetën të vdekur 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, kompania që organizoi udhëtimin nuk kishte lejen e duhur për vënien në qarkullim ndërkombëtar të autobusit, i cili u përfshi në aksident. Shtatë persona të lënduar në këtë aksident, nga të cilët një i ri nga Presheva dhe një tjetër nga Belgjika janë shtruar në një spital të Sofjes. Mjekët ligjorë maqedonas ankohen se nuk kanë qasje në autopsinë e trupave të viktimave.
Ende nuk është i njohur shkaku i tragjedisë të së martës në Bullgari që la të vdekur 46 shtetas të Maqedonisë së Veriut, ndërsa emrat e viktimave janë bërë të ditur, por jo dhe identifikimi i trupave të tyre. Mjekët ligjorë nga Maqedonia e Veriut ndodhen në Sofje në pritje të lejes nga kolegët e tyre bullgarë për të marrë pjesë ose vëzhguar procesin e autopsisë.
Familjarëve të viktimave u janë marrë mostrat e ADN-së për t’i identifikuar ata që humbën jetën në aksidentin e autobusit të kompanisë “Besa trans” derisa po ktheheshin nga një eksursion në Stamboll të Turqisë. Ata kryesisht ishin shqiptarë. Ekspertët maqedonas të forenzikës u kanë thënë mjeteve të informimit në Sofje se ndjeheshin të ofenduar me trajtimin nga autoritetet bullgare që nuk u lejonin atyre qasjen në autopsinë e viktimave.
Ministria e jashtme në Shkup ka dërguar në Sofje dy diplomatë me përvojë për të ndihmuar rreth paqartësive eventuale.
“Pas përfundimit të procesit të identifikimit do të vijojë një procedurë e organizuar për transferimin e kufomave të të ndjerëve; aktivitet që do të koordinojmë me MPJ të Bullgarisë, e cila e ka marrë përsipër t’i koordinojë aktivitetet me institucionet e tjera në Sofje”, tha Bujar Osmani, ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.
Ekspertë bullgarë thonë se sinjalizimi i keq dhe bankinat e dobëta të autostradës ishin arsyet kryesore që çuan tek aksidenti. Ndërkaq, media në Sofje, duke u thirrur në gjetjet e ekspertëve, njofton se ekzistojnë gjurmë të frenimit të autobusit, për çka fillimisht ishte thënë se mungonin, ndërsa shoferin nuk e kishte zënë gjumi mbi timon, siç pandehej më parë.
Nga ana tjetër, kanë lindur mjaft pyetje se si autobusi i kompanisë “Besa -trans” që u mori jetën 46 vetëve, kishte mundur të qarkullojë pa pengesa kufijt dhe doganat ndërkohë që nuk ishte i licencuar për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve.
Ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski tha se ministria ka konstatuar se autobusi i djegur nuk ishte paraqitur nga pronari ashtu siç e kërkojnë rregullat dhe ligji dhe për rrjedhojë automjeti nuk figuron në bazën elektronike të ministrisë së Transportit, ndërsa njoftoi se do të fillojnë procedurat për heqjen e lejes kësaj kompanie.
“Besa trans” ishte e regjistruar në qytetin Qustendil të Bullgarisë, teksa kishte zyra në Shkup, Tetovë e qytete të tjera.
Dymbëshjetë prej viktimave ishin fëmijë; pesë prej tyre nxënës të shkollës fillore Ismail Qemali në Çair të Shkupit. Nxënësit e kësaj shkolle bashk me mësuesit e tyre marshuan sot deri në sheshin Skenderbe tek çarshia e vjetër për të vendosur lule dhe për të shpehur kështu dhimbjen dhe respektin për shokët e humbur të shkollës.
Komuna e Çairit ka ndarë një shumë simbolike fondesh për familjet e viktimave, 16 prej të cilëve ishin banorë të kësaj zone.
voa
Escobar: “Ballkani i Hapur” nuk mund të ketë sukses pa të gjitha vendet e rajonit
Zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se nisma “Ballkani i Hapur”, nuk mund të ketë sukses, nëse pjesë e saj nuk janë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai i bëri këto komente gjatë një debati në parlamentin serb me temën “Ballkani i Hapur – Rruga drejt qëndrueshmërisë, bashkëpunimit dhe përparimit në rajon”.
Nismës së hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, që synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon, nuk i janë bashkuar Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.
Zoti Escobar që u lidh virtualisht në debat, tha se është me rëndësi që “të tri vednet që kanë hedhur nismën të jenë të hapura dhe të bisedojnë me tre partnerët tjerë që janë të rezervuar”.
Ai tha po ashtu se në nismat rajonale duhet barazi dhe të mos ketë diskriminim mbi baza etnike. Ai tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin nismat rajonale, nëse ato nuk pengojnë integrimet evropiane.
“Jemi të gatshëm t’u ndihmojmë në këtë rrugë, që të përmbushni standardet ndërkombëtare, që të bëhemi partnerë me Evropën, për t’u siguruar që ky rajon do të bëhet një prej ekonomive më të rëndësishme në Evropë”, tha zoti Escobar.
Ndërsa ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey tha se “është koha që të hapen mundësitë ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të fuqizohet e ardhmja e tyre evropiane’.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili u lidh virtualisht në debat, tha se nuk u takon anëtarëve të nismës të bindin këdo qoftë që ‘Ballkani i Hapur’ është vërtet i hapur.
Ai u shpreh i pakënaqur me faktin që Bashkimi Evropian po zvarrit zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Premtojnë data, e më pas nuk i realizojnë… Ne nuk do të jemi në Bashkimin Evropian vitin e ardhshëm, andaj ne në rajon duhet të punojmë bashkë”, tha kryeministri Rama.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së negociatave me BE-në për anëtarësim, por aktualisht janë peng i mospajtimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Kryeministri Rama tha se nisma Ballkani i Hapur mund të ndihmojë edhe në zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë, sepse “problemet mund të trajtohen vetëm nëse të gjithë janë bashkë”.
voa
A po e nxit Kremlini krizën energjetike të Evropës?
Situata e paprecedentë e energjisë në Evropë do të përkeqësohet gjatë këtij dimri në hemisferën veriore, duke rritur gjasat e racionimit të energjisë dhe ndërprerjes së punës së termocentraleve, paralajmërojnë analistët e kësaj industrie.
Me rritjen e çmimeve të gazit natyror, që i ka bërë prodhuesit dhe familjet të përballen me fatura në rritje, disa janë të shqetësuar se sistemi i integruar energjetik i Bashkimit Evropian mund të kolapsi, me shtetet anëtare të bllokut që mundohen të mbajnë për vete sasinë e furnizimeve që kanë, duke shkaktuar një tjetër grindje të shëmtuar politike brenda BE-së.
Thierry Bros, nprofesor në Institutin Sciences Po në Paris dhe ish-ekspert i naftës dhe gazit në Ministrinë franceze të Ekonomisë, dyshon se kjo situatë mund të jetë e lidhur me qëndrimin e Kremlinit për të mos shpërndarë furnizimet shtesë të gazit natyror për klientët e BE-së. Ai thotë gjithashtu se zyrtarët rusë po kërkojnë të provokojnë mosmarrëveshje politike midis 27 vendeve anëtare të bllokut mbi furnizimin me energji dhe prodhimin e energjisë.
“Unë mendoj se kjo është ndoshta arsyeja pse Kremlini po e nxit pak më shumë këtë krizë energjetike,” tha ai në një podcast për Natural Gas World, një faqe interneti e pavarur kushtuar çështjeve globale të gazit. “Ne kemi një mekanizëm të bashkuar brenda BE-së, kështu që jemi në gjendje të mbyllim industritë diku për t’u siguruar që banorët të jenë të ngrohtë në shtëpitë e tyre diku tjetër,” tha ai.
Në kohë normale gjithçka funksionon pa probleme me mekanizmin e përbashkët energjetik të BE-së, i cili i jep përparësi familjeve mbi prodhuesit, thotë zoti Bros, i cili përfaqësoi Francën në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë, ose IEA. Megjithatë, ai paralajmëron se gjatë muajve të ftohtë të ardhshëm, “mund të shohim një zbatim shumë të vështirë të këtij mekanizmi të përbashkët”. Si shembull, ai pyet: “A do të mbyllim disa industri franceze për të ngrohur gjermanët? Apo do të mbyllim disa industri gjermane për të ngrohur francezët?”
Gjigandi energjetik i kontrolluar nga shteti rus, Gazprom, është akuzuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe ligjvënësit evropianë se nuk kanë bërë qëllimisht sa duhet për të rritur furnizimet me gaz natyror në Evropë. Në një postim në Twitter të marten, zoti Bros vuri në dukje, “Për nëntorin, eksportet ditore të gazit nga tubacionet ruse në Evropë janë deri më tani në rënie me 14% kundrejt tetorit”, që në vetvete ishte një muaj rekord i ulët.
Gazprom thotë se po përmbush të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj klientëve të BE-së. Por zyrtarët amerikanë i janë bashkuar disa politikanëve evropianë duke i bërë thirrje Moskës të rrisë eksportet e gazit në Evropë. “Realiteti është se ka tubacione me kapacitet të mjaftueshëm përmes Ukrainës për të furnizuar Evropën. Rusia ka thënë vazhdimisht se ka furnizim të mjaftueshëm me gaz për të mundur ta bëjë këtë, kështu që nëse kjo është e vërtetë, atëherë ata duhet dhe duhet ta bëjnë atë shpejt përmes Ukrainës. ”, tha së fundmi Amos Hochstein, një këshilltar i lartë për sigurinë e energjisë në Departamentin e Shtetit të SHBA.
“Rusia ka deklaruar se ka furnizim të mjaftueshëm me gaz për të përmbushur nevojat evropiane për energji,” i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i Departamentit të Shtetit. “Ajo mund dhe duhet të sigurojë furnizime shtesë përmes rrjetit ekzistues të tubacioneve, duke përfshirë Ukrainën. Dështimi për ta bërë këtë kërcënon sigurinë evropiane të energjisë dhe vë në pikëpyetje motivet ruse për ndalimin e këtyre furnizimeve”.
“Ne jemi të shqetësuar se furnizimi është i ulët dhe tregu është i pamjaftueshëm në krahasim me vitet e mëparshme,” shtoi zyrtari. “Nivelet më të ulëta se normale të depozitimit të gazit ilustrojnë rëndësinë e furnizimeve të diversifikuara të energjisë për të përmbushur objektivat e sigurisë energjetike të Evropës. Ne po angazhohemi aktivisht për të rritur sigurinë energjetike të partnerëve dhe aleatëve tanë evropianë.”
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë i ka bërë gjithashtu thirrje Rusisë që të rrisë eksportet e gazit. “IEA-ja beson se Rusia mund të bëjë më shumë për të rritur furnizimet e gazit në Evropë dhe për të siguruar që magazinimi të arrijë në nivelet e duhura në përgatitje për sezonin e ardhshëm të dimërit,” tha ajo në një deklaratë të fundit.
Rritjet e mëdha të çmimeve të gazit natyror po shkaktohen kryesisht nga një rritje e kërkesës për shkak të pandemisë në Azi dhe furnizimet e ulëta në Evropë, e cila në një moment muajin e kaluar pa një çmim të ri rekord të vendosur kur kontratat e shitjes me shumicë për gazin natyror në nëntor u rritën pothuajse 400 për qind që nga fillimi i vitit. Çmimet e energjisë elektrike po rriten gjithashtu sepse gazi natyror përdoret në të gjithë kontinentin për të prodhuar një përqindje të konsiderueshme të energjisë elektrike.
Disa politikanë evropianë argumentojnë se Kremlini po e përkeqëson qëllimisht krizën energjetike të Evropës si një taktikë për t’i bërë presion BE-së për të përshpejtuar çertifikimin e gazsjellësit të sapo përfunduar Nord Stream 2, i cili anashkalon Ukrainën dhe kalon nga Rusia në Gjermani nën Detin Baltik. Uashingtoni ka paralajmëruar prej kohësh se gazsjellësi Nord Stream 2 do ta bëjë BE-në edhe më të varur për nevojat e saj energjetike nga Rusia.
Por analistë të tjerë ndajnë dyshimin e zotit Bros se Kremlini po teston situatën për të parë nëse mund të krijojë rrethanat për një grindje politike mes vendeve anëtare të BE-së mbi furnizimet me energji. Ata shqetësohen se shtetet anëtare do të refuzojnë të mbyllin industritë e tyre në mënyrë që të sigurojnë që familjet në një vend tjetër të kenë energji për ngrohje.
Pavarësisht Moskës, Evropa ende do të përballet me një krizë të çmimeve të energjisë falë kërkesës globale dhe prodhimit më të ulët se sa pritej të energjisë diellore dhe të erës. Në Britani, më shumë se gjashtë furnizues të gazit natyror kanë falimentuar në dy muajt e fundit, si pasojë e rritjes së çmimeve të gazit dhe një kufizimi qeveritar mbi atë se sa mund ta kalojnë këtë rritje tek konsumatorët. Konsumatorët britanikë do të përballen me rritje të çmimeve deri në disa qindra dollarë për familje. Zyrtarët britanikë po shqyrtojnë t’u japin disa prej kompanive më të mëdha britanike të shitjes me pakicë të energjisë hua të mbështetura nga shteti për t’i ndihmuar të kapërcejnë krizën e çmimeve.
Vendet anëtare të BE-së janë të ndara se cila duhet të jetë përgjigja e tyre kolektive ndaj rritjes së çmimeve të energjisë, me disa vende që duan një rregullim rrënjësor rregullator dhe të tjerët që e kundërshtojnë fuqishëm një gjë të tillë.
Spanja ka mbrojtur reforma të gjera. Ministrja e Energjisë e vendit, Sara Aagesen Muñoz, ka bërë thirrje për një “përgjigje evropiane”. Të tjerë besojnë se shtetet anëtare duhet të krijojnë mjetet e tyre juridike të brendshme. Më shumë se 20 shtete anëtare kanë, ose po planifikojnë, mbështetje të drejtpërdrejtë të të ardhurave, ndihmë shtetërore dhe ulje të taksave për të ndihmuar bizneset dhe familjet e tyre t’i mbijetojnë stuhisë së çmimeve dhe mungesës së furnizimit.
voa