Facebook pezullon teknologjinë e identifikimit të fytyrës

MetaKompania Facebook thotë se po i jep fund një sistemi për identifikimin e fytyrës. Duke vënë theksin tek “shtimi i shqetësimeve mes shoqërisë” në lidhje me teknologjinë që mund të identifikojë automatikisht njerëzit në fotografi dhe video, kompania Facebook njoftoi se do të vazhdojë punën në këtë teknologji për të trajtuar problemet.

“Enti rregullator është ende në proces për të siguruar një sërë rregullash të qarta rreth përdorimit të tij”, shkroi në blog Jerome Pesenti, nënpresident i inteligjencës artificiale në kompaninë Facebook. “Mes kësaj pasigurie të vazhdueshme, ne besojmë se kufizimi i përdorimit të njohjes së fytyrës tek një grup i vogël rastesh është i përshtatshëm”.

Në bazë të vendimit, kompania Facebook do të eleminojë “shabllonet e identifimit të fytyrës” të më shumë se 1 miliardë njerëzve, njofton agjencia e lajmeve Reuters. Facebook tha se një e treta e përdoruesve të përditshmën kanë pranuar përdorimin e kësaj teknologjie. Fshirja e të dhënave do të kryhet deri në dhjetor, njoftoi kompania.

Kompania tha se një program që krijon përshkrime me zë të fotografive për personat me paaftësi shikimi do të funskionojë normalisht, por nuk do të përfshijë më emrat e individëve në foto.

Facebook, që ndryshoi emrin javën e kaluar në Meta, nuk duket se po i mbyll derën përgjithmonë teknologjisë për njohjen e fytyrës.

“Duke hedhur vështrimin nga e ardhmja, ende e shohim teknologjinë e njohjes së fytyrës si një mjet të fuqishëm, për shembull, për njerëzit që kanë nevojë të njëjtësojnë identitetin e tyre apo për të parandaluar mashtrimet dhe imitimet. Do të vazhdojmë të punojmë në këto teknologji dhe të angazhojmë ekspertë të jashtëm”, tha kompania Facebook.

voa

CDC miraton vaksinën për fëmijët 5-11 vjeç

pfizer 5-12Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë dhanë miratimin mbrëmjen e së martës për imunizimin e fëmijëve nga 5-11 vjeç me vaksinën Pfizer.

Drejtoresha e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, dha miratimin mbrëmjen e së martës. Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi një komision këshillues i CDC vendosi njëzëri se vaksinat Pfizer duhet t’u jepeshin fëmijëve të moshës 5 deri në 11 vjeç. Vaksina për fëmijët përmban një të tretën e dozës që u jepet të rriturve dhe adoleshentëve.

Një komision këshillues me peshë votoi të martën që të gjithë fëmijët nga mosha 5 deri 11 vjeç duhet të marrin vaksinën Pfizer kundër COVID-19, duke i çuar Shtetet e Bashkuara në prag të një zgjerimi të madh vaksinimi. Vendimi përfundimtar pritet brenda disa orësh. Vaksina Pfizer për fëmijët përmban një dozë më të vogël.

Agjencia amerikane për ilaçet, FDA, ka miratuar tashmë dozën për fëmijët, një e treta e sasisë që u jepet adoleshentëve dhe të rriturve, si një masë e sigurtë dhe efektive për grupmoshën e re.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC, rekomandojnë zyrtarisht se kush duhet të vaksinohet. Paneli këshillues vëndosi që vaksina të ofrohet për të 28 milionë fëmijët e grupmoshës 5-11 vjeç.

Vaksinimi i kësaj grupmoshe mund të fillojë këtë javë ndërsa kompania Pfizer po paketon dhe dërgon porositë e para, miliona doza, në mënyrë që farmacitë dhe shtetet të jenë gati.

voa

Vazhdojnë problemet me ujin e pijshëm më Tetovë – për shkak të erës dhe shijes së pakëndshme nuk sygjerohet të përdore për të pirë, ndërsa prej dje nuk funksionon furnizimi me ujë.

stacioni i filtrimitËshtë viti i pestë që uji i pijshëm në Tetovë, në muajin nëntor ka shije dhe erë të pakëndshme. Qendra për Shëndet Publik tha se uji kimikisht dhe biologjikisht është i sigurt për t’u pirë, por megjithatë rekomandon që të mos përdoret në ditët në vijim derisa të zhduket kjo shije e pakëndshme, ata thonë se vazhdimisht e monitorojnë gjendjen e ujit dhe kryejnë analiza të rregullta dhe tashmë shtesë.

“Analizat fillestare janë të mira, por këtë vit ndryshimi i shijes është më intensiv. Rekomandohet, por nuk ndalohet, që të mos përdoret për pije, derisa të merren rezultatet përfundimtare. Ne ia rekomanduam Ndërmarrjes Komunale dhe ata e ndërprenë furnizimin me ujë në rrjetin që vjen përmes ujësjellësit të ri që merr ujin nga rrjedha e sipërme e lumit Pena.

Këtë fenomen përsëritet tani pesë vite me rradhë, pra pasi u ndërtua dhe u lidh me ujësjellësi i ri, i cili e merr ujin nga burime të hapura dhe jo nga burime të mbyllura. Shija e pakëndshme e ujit shfaqet në muajt e vjeshtës, më së shpeshti në tetor-nëntor, ndonjëherë edhe në dhjetor, kur vegjetacioni i rënë – gjethet, përfundojnë në ujë dhe atz dekompozohen”, shpjegon Ratko Davidovski, specialist i higjienës dhe ekologjisë shëndetësore.

Me ndërtimin e pellgut ujëmbledhës dhe tubacionit në zonën e fshatit Lisec, u ndërtua një stacion modern filtrues, përmes të cilit uji që hyn nga Pena kalon nëpër disa sisteme filtri, përpara se të lëshohet në ujësjellësin e qytetit. Megjithatë, për të larguar erën e pakëndshme, Qendra për Shëndet Publik ka rekomanduar vazhdimisht që të vendosen filtra shtesë.

Ky fenomen është vërejtur për herë të parë në vjeshtën e vitit 2017, kur u vu në përdorim pellgu ujëmbledhës që merr ujë nga rrjedha e sipërme e Penës në lokalitetin Lesnicë. Nga kjo ndërmarrje Tetova merr 100-200 litra ujë në sekondë, në muajt kur ulet prurja e burimeve. Qendër për Shëndet Publik bën analiza të ujit çdo ditë dhe në raste të tilla bëjnë analiza shtesë dhe tregojnë se bakteriologjikisht dhe kimikisht-fizikisht uji është i pijshëm. “Ashtu si vitet e kaluara edhe këtë herë presim që kjo dukuri të zhduket për 3-4 ditë”, shtoi Davidovski për sdk.

Çka është injoranca?

Ignoranz-Spruch-Definition“Injoranca është art, që sy hapur, mos të duash të shohësh asgjë.” -K. Weber. E huazuar dhe përkthyer nga gjermanishtja.

INJORANCË f.

  1. Padituri, padije, mungesë arsimi. Injorancë e madhe (e plotë). E la në injorancë. Dolëm nga injoranca.
    2. keq. Njohje fare e cekët ose shumë e kufizuar e diçkaje (zakonisht për një fushë të dijes, për një dukuri etj.); trashtinë. Injorancë në filozofi (në politikë, në ekonomi).

INJORANT m.

  1. Njeri që nuk ka marrë asnjë lloj arsimi, njeri i pashkollë, i paditur.
    2. keq. Ai që e njeh diçka në mënyrë fare të cekët ose shumë të kufizuar; ai që nuk i kupton fare gjërat ose i kupton keq ato; njeri i pagdhendur që nuk di të sillet në jetë. Injorant i madh. Injorant në politikë (në letërsi, në muzikë, në art).
    3. Përd. mb. sipas kuptimeve të emrit. Kleri injorant. Klikë injorante.

“Dergjet atdheu në robëri të errët, i verbuar me dy palë mjegulla të zeza mbi faqe, që janë mëkati dhe mosdija.”

Pjetër Bogdani (1630 –1689)

Injoranca“Injoranca i nxit njerëzit t’i bashkohen një partie e turpi s’i lë më të largohen prej saj”

George Savile, (1633 –1695)

“Elementi më i dhunshëm i shoqërisë sonë është injoranca.”

Emma Goldman (1869 –1940)

“Të vetmet fitore që nuk lënë shije të hidhur në ndërgjegje, janë ato që arrihen kundër injorancës”

Napoleon Bonaparti ( 1769 – 1821

“Kur injoranca bëhet një me pushtetin, rezulton të jetë armiku më i madh që drejtësia mund të ketë”

 James  Baldwin (1924 –1987) 

“Një mjek injorant është ndihmësi i vdekjes”

Ibn Sina (Avicenna) ( 980 – 1037)

Vetëm të mençurit duan të mësojnë. Injorantët preferojnë të japin mësim

Edouard le Berquier

“Armiqtë tanë më të këqij nuk janë injorantët, por inteligjentët e korruptuar.”

 Graham Greene  (1904 –1991)

Injoranca bibla“Një njeri që njeh vetëm Biblën, as Biblën nuk e njeh.”

Matthew Arnold (1822 –1888)

“Për interesat e veta, edhe djalli mund të citojë Biblën”

William Shakespeare (1564 –1616)

“Kur misionarët mbërritën në Afrikë, ata kishin Biblën e ne kishim tokën. Na thanë të lutemi me sy mbyllur. Kur i hapëm, ata kishin tokën e ne kishin Biblën.”

Jomo Kenyatta (1897 – 1978)

 

Rikthehen reshjet dhe ulen temperaturat, njihuni me parashikimin e motit

shiVendi ynë sot do të mbizotërohet nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash duke sjellë mot me reshje.

Sipas Meteoalb, sot temperaturat do të pësojnë rënie të lehtë ku do të variojnë: në zonat malore, nga 02°C në 10°C, në zonat e ulëta nga 09°C në 17°C dhe në zonat bregdetare nga 12°C në 20°C.

Era do të fryjë në drejtim Lindor-Verilindor ndërsa forca e valëzimit në det do të jetë 5 ballë.

Kosova sot do të mbizotërohet nga alternime vranësirash dhe kthjellimesh të cilat do të sjellin mot të paqëndrueshëm. Temperaturat do të pësojnë një rënie lehtë ku do të variojnë: në zonat malore nga 01°C në 10°C dhe në zonat e ulëta nga 04°C në 13°C.

tch

Guardian: Bosnja në rrezik të ndarjes dhe konfliktit

Christian SchmidtPërfaqësuesi i lartë i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se ky vend është në rrezik të menjëhershëm për t’u shpërbërë dhe tha se ekzistojnë gjasa “shumë reale” për rikthimin e tij në konflikt.

Në një raport për Kombet e Bashkuara, të parë nga gazeta britanike Guardian, Schmidt tha se nëse “separatistët serbë zbatojnë kërcënimet e tyre për rikrijimin e ushtrisë së tyre, duke i ndarë forcat e armatosura kombëtare në dysh”, atëherë në Bosnje do të duhet të dërgohen më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë, për ta ndaluar rrëshqitjen e vendit drejt një lufte të re.

Detyrat paqeruajtëse ndërkombëtare në Bosnje aktualisht i ka një forcë e Bashkimit Evropian, e njohur si Eufor, që i ka rreth 700 trupa.

NATO-ja ka një seli formale në Sarajevë.

Në raportin e tij të parë që nga marrja e postit në muajin gusht, Schmidt tha se Bosnja po përballet me “kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës”.

“Mungesa e përgjigjes ndaj situatës aktuale do të rrezikojë [Marrëveshjen e Dejtonit], ndërsa paqëndrueshmëria në Bosnje do të kishte implikime më të gjera rajonale. Perspektivat për ndarje të mëtejshme dhe konflikt janë shumë reale”, citon Guardian përfaqësuesin ndërkombëtar, Schmidt.

Udhëheqësi serb i Bosnjës, Millorad Dodik, është duke kërcënuar me ndarjen e Republika Sërpskës – entitet i banuar me shumice serbe – nga pjesa tjetër e Bosnjës.

Ai po ashtu ka thënë serbët e Bosnjës do të tërhiqen nga ushtria e përbashkët e vendit dhe do të rikrijojnë një forcë serbe.

Përfaqësuesit e Republikës Sërpska janë duke e bojkotuar punën e institucioneve qendrore të Bosnjës që nga fundi i korrikut, kur paraardhësi i Schmidtit, Valentin Inzko, ka vendosur një ligj që ndalon mohimin e gjenocidit dhe krimeve të tjera të luftës në Bosnje.

Republika Sërpska ka refuzuar ta ndalojë me ligj mohimin e gjenocidit.

Republika Sërpska së bashku me Federatën Myslimane-Kroate janë dy entitetet që përbëjnë Bosnje e Hercegovinën.

Organizimi i tillë është bërë me të ashtuquajturën Marrëveshje të Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, në vitet 1990.

rel

Gjenerali Clark: Millosheviçi ishte një lider mafia dhe gangster

ClarkIsh-Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark ka zhvilluar një intervistë të rrallë për emisionin “Opinion”. Ai ka rrëfyer detaje nga bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë përgjatë luftës së Kosovës.

Clark e përshkruan Sllobodan Millosheviçin “si një gangster, si një lider mafia”. Po ashtu ai flet për prapaskenat gjatë luftës, për vendimet që u morën për bombardimet, marrëdhëniet me drejtuesit e UÇK-së etj.

Blendi Fevziu: Mirë se erdhët në Shqipëri, gjeneral Clark!

Wesley Clark: Faleminderit.

Blendi Fevziu: Vizitë tepër interesante, edhe në Maqedoni e Kosovë.

Wesley Clark: Dy ditë të mrekullueshme dhe mahnitëse kur sheh progresin që është bërë këtu.

Blendi Fevziu: Emri juaj është shumë i rëndësishëm në historinë e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, si komandant i NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Para luftës me Milosheviçin, keni pasur shumë takime. Si ishte ai njeri?

Wesley Clark: Ishte si një gangster, si lider i mafies. I manipulonte dhe i detyronte njerëzit të bënin gjëra, pa folur fare. “S’po them ta vrasësh. Bëj atë që është e nevojshme”. Dhe faji u mbetej atyre.

Blendi Fevziu: E kishte frikë ushtrinë amerikane?

Wesley Clark: Po, e kishte.

Blendi Fevziu: Por rezistoi deri në fund. Kujtonte se NATO-ja s’do ta bombardonte kurrë Jugosllavinë.

Wesley Clark: Mendoj se është e vërtetë dhe po ashtu besonte, ndoshta ia kanë thënë edhe rusët që edhe nëse NATO-ja bombardon, zgjat dy a tri ditë.

Blendi Fevziu: Nuk mendoi që e kishit seriozisht?

Wesley Clark: Mendoi se pas një a dy ditësh mund t’ia mbushte mendjen ndonjë shteti në NATO të hiqte dorë nga fushata. Besonte se Kosova ishte më e rëndësishme për të sesa për NATO-n. Pse po i intereson Spanjës Kosova? S’e dinë as se ku është.

Blendi Fevziu: Pse Franca për shembull? Ishte çudi a mrekulli si u bashkuat të gjitha vendet e NATO-s gjatë fushatës. Patët probleme?

Wesley Clark: E dinim se uniteti ishte gjithçka. Uniteti i NATO-s ishte më i rëndësishëm se çdo objektiv.  S’doni ta bombardojmë këtë, s’ka problem. Së pari, ruajtëm unitetin. S’ishte thjesht fushatë ushtarake ku një objektiv i dhënë duhet të shkatërrohet brenda 48 orëve e zëmë. Jo, s’kishte trupa tokësore. Ne u përpoqëm të përdornim forcën për t’i dhënë pushtet diplomacisë, të bindnim Millosheviçin se kjo gjë s’do të vazhdonte përgjithmonë dhe ai nuk mund të fitonte kurrë. Sapo ai ta kuptonte, e dinte se duhej të dorëzohej.

Blendi Fevziu: Pra, luftë e ndërthurur me diplomaci. E menduat që në fillim se fushata do të zgjaste 3 muaj e disa ditë, aq gjatë?

Wesley Clark: Në fillim disa kombe besuan se Milosheviçi do të dorëzohej që në bombardimet e para, por… Nuk dihej asgjë. I telefonova gjeneral Ojdeniç, shefit ushtarak serb pas natës së parë të bombardimeve. I thashë se doja vetëm të flisja me të, ta kuptonte se bombardimet do të vazhdonin, prandaj duhet të dorëzoheshin. Ma mbylli telefonin, sigurisht.

Blendi Fevziu: Asnjë MIG -29 në atë kohë?

Wesley Clark: Në konferencën e parë për shtyp me sekretarin Solana thashë se do të sulmojmë dhe do të shkatërrojmë të gjitha ato asete me të vlefshme për Millosheviçin derisa ai të dorëzohej.

Blendi Fevziu: U shkatërruan dy MIG-ët e parë në ditën e parë. Në libër thoni se në takimin e parë Millosheviçi dhe ushtria jugosllave po ju shpjegonte fuqinë e UÇK-së. Pse ishte e pamundur për Millosheviçin fitorja kundër UÇK-së kur kjo kishte 400, ja 1 mijë vetë përballë ushtrisë së madhe jugosllave.

Wesley Clark: Kur i trajton njerëzit keq, të ngrihen kundër më shumë. Sa herë luftonte me UÇK-në, vriste shqiptarë dhe e acaronte më shumë popullin shqiptar. Në mars 1998 shkova në Maqedoni të shihja taskforcën, mbi 1 mijë ushtarë në kufi. Kur u ula, mora një telefonatë nga ambasadori amerikan. Më kërkoi të takohesha menjëherë me presidentin Gligorov. Ai më tha se diçka shumë e keqe do të ndodhë. Serbët kanë bërë një gabim shumë të madh duke vrarë familjen Jashari. Shqiptarët nuk janë si boshnjakët. Këta do të luftojnë. Këtu do të ketë vërtet konflikt.

Blendi Fevziu: Diskutimi juaj me Milosheviçin të cilin e jepni në libër, është shumë i rëndësishëm për ne edhe pas luftës. Millosheviçi ju tha “Gjeneral, nëse ju na lini, ne do t’i vrasim të gjithë ata. I vramë në ’46-ën. Na u desh shumë kohë, por i vramë të gjithë.” Si shkoi ky diskutim?

Wesley Clark: Ishte vizita e treta që bëra në Beograd, pasi NATO-ja nxori urdhrin  e aktivizimit, “Activation Order”, Shtator, 1998. Në vizitën e parë, gjeneral Naumani i kërkoi Milosheviçit të tërhiqte forcat shtesë. Solana i tha po ashtu. Millosheviçi u mundua ta mohonte që ato forca ishin atje. Nuk u tërhoqën. Në vizitën e dytë, i udhëzuar nga Shtëpia e Bardhë, shkova ta takoja Millosheviçin dhe i thashë se do ta bombardonim, nëse s’i tërhiqte ato forca. Tha, në rregull, fol me gjeneralët e mi. Kur flisnim me ta, thoshin se ka terroristë këtu, këtu e këtu dhe na tregonin me gisht hartën. U thosha se ishin thjesht njerëz që mundohen të mbrojnë familjet e tyre. Sa herë të vrisni, do të bëni më tepër armiq. Nuk mund të fitoni me këto taktika. Jo, nuk dëgjonin ata. Herën e tretë mora gjeneral Naumanin. Debatuam gjithë natën me Milosheviçin. Mëngjesin tjetër të së dielës, më në fund shtypin memorandumin e marrëveshjes. Doja të shkruanin që serbet do të tërhiqeshin dhe do të ndalonin sulmet. E shkruam marrëveshjen dhe pak para se ta firmosnim, u shfaq Milosheviçi. Me gotën në dorë, të dielën në mëngjes, ora 10:00. Po fryhej, gjithë ai. Më tha: Gjeneral Clark, dimë ne si të sillemi me këta shqiptarët, këta vrasësit, përdhunuesit, kriminelë si vetë ata. E kemi bërë edhe më parë. “E keni bërë?”, i thashë. Po, tha, në 1946. Po si kështu? “I vramë. I vramë të gjithë”. Ma tha drejtpërdrejt, në fytyrë. I thashë që kjo është vërtet shumë e rëndë. Pastaj më sollën memorandumin. E pashë dhe i thashë: “Z. president, emri juaj nuk është fare këtu”. Tha se s’ishte e nevojshme. Do ta firmoste z. Shajnoviç. I thashë: jo, do ta firmosni ju. Mirë më tha dhe e firmosi. Kjo ishte më mira e mundshme që mund të bënim për diplomacinë në vjeshtën e 1998-ës. Disa javë më vonë erdhën trupat ushtarake ruse. Ata si duket i thanë të mos e vriste mendjen për NATO-n, se ata bombarduan në Afganistan dhe nuk funksionoi. Do të bëjmë çdo gjë që ta përçajmë koalicionin, NATO-n. Mendoj se Millosheviçit aty iu la një dorë e lirë për të nisur pastrimin etnik.

Blendi Fevziu: Ju ishit pjesë e grupit të Holbrukut, edhe për paqen në Bosnje le të themi. Millosheviçi ishte më i vendosur për çështjen e Bosnjës apo të Kosovës?

Wesley Clark: Në rastin e Bosnjës ai donte ta ndalonte luftën, po kërkonte një rrugëdalje. Por në çështjen e Kosovës, për çfarëdo lloj arsye, politike, shëndetësore… Ndoshta se kishte një tufë serbësh që i hapnin probleme të brendshme. Nuk e di arsyen, por refuzonte ta linte NATO-n të vendosej aty dhe të vendoste paqen në provincë. Patëm negociata nën udhëheqjen franceze në Rambuje. Presidenti Chirac tha se amerikanët kishin bërë shumë. Na lini edhe neve të veprojmë. Pala shkoi në Rambuje. U thamë kur filloi. Nëse të dyja palët binin dakord, NATO-ja do të fuste forcat paqeruajtëse dhe do të zgjidhte problemin. Nëse shqiptarët nuk do të binin dakord, NATO-ja s’do t’i mbështeste më. Nëse s’do të binin dakord serbët dhe shqiptarët po, NATO-ja do të mbështeste shqiptarët. Pas 3 a 4 javësh, shqiptarët me Hashim Thaçin në krye thanë se ishin dakord. Lë të vijë NATO-ja.

Blendi Fevziu: Takimin me Hashim Thaçin dhe delegacionin e patët pasi firmosi.

Wesley Clark: Serbët refuzuan me kokëfortësi.

Blendi Fevziu: Në atë kohë e keni pyetur Hashim Thaçin a mund ta mbronte UÇK-ja popullin brenda Kosovës dhe ai ju është përgjigjur: “Po”. E besuat?

Wesley Clark: Dëshira ishte e tillë, por… Si mund të krijonte UÇK-ja menjëherë një forcë për të mbrojtur popullsinë? U përpoqën ata? Po. Dhe në fakt, kanë ardhur disa mijëra shqiptarë nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja për të përforcuar UÇK-në, për të ndihmuar popullin. Por ndodhi kaq shpejt, para se ta kuptonim. 1 milionë e gjysmë kosovarë dolën nga vendi. 900 mijë erdhën në Shqipëri dhe ndoshta në Maqedoni. Dhe ndoshta 500 mijë jetonin në male.

Blendi Fevziu: Nga pikëpamja luftarakë, cili ishte sekreti i suksesit të UÇK-së?

Wesley Clark: UÇK-ja ka luajtur një funksion vërtet të rëndësishëm. Kanë ushtruar presion tokësor që e kufizonte fushatën ajrore. E vetmja gjë me të cilën nuk donte të përballej Millosheviçi, një forcë e armatosur shqiptarësh. E dinte se ajo forcë, e mbështetur nga forcat ajrore të NATO-s, do ta shkatërronte ushtrinë serbe. Në javën e parë të Qershorit, ndërsa ata filluan të përparonin, munda të kërkoj mbështetje ajrore, sollëm bombat. I dëmtuan rëndë serbët. Aty u cenuan forcat tokësore serbe. Milosheviçi e shihte që s’mund të fitonte, s’mund ta mbante territorin, të fitonte politikisht. Por një nga dëmet më të mëdha që iu bë Millosheviçit… U akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimit. Ajo e dëmtoi vërtet.

Blendi Fevziu: Po, para përfundimit të luftës.

Wesley Clark: Pasi u akuzua nga Gjykata Ndërkombëtare si kriminel luftë, cili diplomat do të bisedonte më me të? Ishte kundër ligjit edhe një takim me të. Gjithmonë Millosheviçi ka besuar tek vetja më tepër se ç’duhej. Gjithmonë besonte se mund t’i manovronte diplomatët europianë, të bënte çfarë donte ai duke përdorur me zgjuarsi gjuhën e trupit, fjalët që përdorte. Fliste shumë rrjedhshëm anglishten. Ishte vërtet një lider mafie i zgjuar dhe manipulues.

Blendi Fevziu: Është normal mendërisht?

Wesley Clark: Po, po. Bëri një gabim të madh.

Blendi Fevziu: Keni thënë se Hashim Thaçi në atë takim kishte moshën e djalit tuaj në atë kohë. Besoni se ishin shumë entuziastë për të ardhmen e vendit?

Wesley Clark: Shumë entuziastë ishin, tepër të vendosur. Nuk mund të krijosh një shtet të ri, nëse nuk je gati të luftosh dhe të vdesësh për të. Në Siri në 2010, 2011, 12 a 2013… jam takuar me raste me liderët e opozitës siriane. Ata nuk futeshin ne Siri. Njerëzit luftonin brenda ne Siri, po ata nuk futeshin. U kam thënë në atë kohë… Alija Izetbegoviçi nuk do ta kishte mbajtur kurrë të bashkuar Bosnjën, po te mos kishte qëndruar në Sarajevë. Nëse je udhëheqës politik duhet të jesh atje, ku është konflikti. S’mund të rrish në Paris, duke ngrënë kruasan e pirë kapuçino e duke u mundur të komandosh se çfarë do të ndodhë. Ata thjesht nuk shkonin, nuk rrezikonin. Si rezultat Harasadi është në pushtet.

Blendi Fevziu: Keni pasur gjatë luftës njësi speciale brenda territorit të Jugosllavisë, brenda territorit të Kosovës?

Wesley Clark: Po le të themi se po ndodhnin shumë gjëra.

Blendi Fevziu: Thaçi me armë.

Wesley Clark: Po, por nuk e di a ka luftuar vërtet. Më thonë se ka qenë më tepër si një lider politik.

Blendi Fevziu: Pra, keni pasur njësi brenda territorit të Kosovës?

Wesley Clark: Jo. Në mënyre romantike imagjinohej se kishte forca tokësore, spiunë, por jo.

Blendi Fevziu: Po pse zgjati aq shumë lufta? 3 muaj. Moti, diplomacia, ndonjë problem?

Wesley Clark: Ajo nuk ishte luftë sipas standardeve amerikane. Të donim të bënin një luftë të vërtetë, do të kishim sjellë trupa, do të nisnim sulmet ajrore e çdo gjë do të merrte fund brenda një jave, pak a shumë. Do të ishte bërë luftë e ashpër, por ama me shumë humbje, me shumë të vrarë. Po ne kurrë s’kemi pasur si qëllim të pushtonim Serbinë. Donim vetëm t’i jepnim fund konfliktit në Kosovë. Millosheviçi duhej vetëm të pranonte paqeruajtësit e NATO-s. Përkundrazi, ai nisi pastrimin etnik ndaj shqiptarëve. Ishte një gabim i tmerrshëm. Përdornin ushtrinë, rrethonin fshatin, fusnin brenda policinë speciale, arrestonin dhe vrisnin njerëz. Vidhnin, përdhunonin e gjëra të tilla si këto. Ishte një sistem i organizuar dhe kur nisi në javën e dytë të Marsit, na u desh t’i evakuonim diplomatët. Më duket se ka ndodhur në 19 Mars. U mor vendimi sepse ata ishin çmendur. Sulmonin civilë. Donte NATO-ja të hidhte bombat? Po sigurisht që jo. Ne nuk duam të vrasim njerëz e të nisim luftën, por s’mund të lejojmë një tjetër episod të pastrimit etnik në Ballkan. Na u deshën vite për ta ndaluar atë në Bosnjë. Kryesisht ishim të suksesshëm, por ja, i njëjti person po e nis sërish atë. Në asnjë mënyrë! NATO-ja u bashkua dhe pas ditës së dytë u bë e qartë që Millosheviçi nuk kishte ndër mend ta anulonte këtë fushatë. Shkova të takoja sekretarin Solana, mbrëmjen e së dielës, pas natës së 4-tërt të bombardimeve. I thashë se duhet të përshkallëzonim goditje ushtarake kundër Millosheviçit.

Blendi Fevziu: E kishit fjalën për forca tokësore?

Wesley Clark: Jo, do të qëllonim objektivat në Beograd. Ai më tha; Më premton se nëse sulmojmë objektivat në Beograd, merr fund? Këtë nuk ta premtoj i thashë, por të premtoj se nëse nuk e bëjmë, nuk ka për të marrë fund kurrë. Mirë, më tha, të sjell objektivat dhe kështu nisi përshkallëzimi. Ishte një strategji që e kisha përpunuar në mendjen time 20 vite më parë, ishte një strategji që e quajmë “Dominimi i përshkallëzimit”. Më fjalë të tjera, objektivi i vërtetë i fushatës ishte mendja e Sllobodan Millosheviçit. Nëse ia mbushje mendjen që ai kurrsesi nuk ka për të fituar, ai do të ndalojë luftën.

Blendi Fevziu: Kush vendosi për objektivat në tokë? Forcat ushtarake apo politike?

Wesley Clark: Të gjitha objektivat e NATO-s u miratuan nga liderët politikë të NATO-s. Po, para se të qëlloheshin.

Blendi Fevziu: Bombardimi i ambasadës kineze në atë kohë ishte një gabim shumë i madh. Ishte një gabim i bërë nga NATO-ja apo ju erdhi i gabuar informacioni që në fillim?

Wesley Clark: Ishte një gabim i bërë nga qeveria amerikane që na e siguroi si objektiv. Ishte sulm krejt i paqëllimshëm. Çdo objektiv ishte në një copë letër. Figura, përshkrimi, dëmin kolateral, civilë që mund të lëndohen. Ky objektiv ishte listuar si një agjenci jugosllave e eksportimit të armëve. Jepte pamjen e godinës dhe radhe deposh dhe kur e pamë, thamë ndoshta ato depo që dilnin aty grumbullonin armë para se t’i nisnin përtej detit. Dukej si objektiv që përputhej. Erdhi bashkë me objektivat e tjera dhe e kam çuar në Shtëpinë e Bardhë personalisht për miratim. Më thanë, po, vazhdo.

Blendi Fevziu: Keni pasur probleme pas atij bombardimi?

Wesley Clark: Ishte e qartë që ndodhi një gabim, por shtrohej pyetja se si ndodhi dhe cilat ishin pasojat. Oficeri im i inteligjencës tha: Zotëri, përgjegjësia ime ishte të bëja gati objektivat dhe tani kërkoj leje të jap dorëheqjen. I thashë që nuk do të jepte dorëheqjen, sepse nuk e solli ai atë objektiv që në fillim.  Nga ta dije ti që ajo nuk ishte agjenci eksporti jugosllave? Është e vërtetë, tha. Mirë pra, s’do të japësh dorëheqjen. Pastaj Sekretari i Mbrojtjes dhe drejtuesi i CIA-s kërkuan falje, sepse ishte një gabim i Uashingtonit.

Blendi Fevziu: Gjatë Samitit të NATO-s, i kthehemi trupave tokësore. Ka pasur një diskutim të gjatë për këtë. Bill Clintoni dhe Toni Blair kanë bërë një diskutim të gjatë për përdorimin e trupave tokësore. Bill Clintoni ka thënë se Gjeneral Clarku mund t’i përdorë trupat tokësore për të pushtuar Jugosllavinë nga Shqipëria, Maqedonia dhe madje nga Hungaria. Pse nuk i përdorët ato forca tokësore? Ishit gati po të kishin lejen?

Wesley Clark: Po forcat tokësore do të shkaktonin një shkatërrim tepër të madh. E gjithë ideja ishte të bindnim Millosheviçin të dorëzohej, sepse nuk kishte zgjidhje tjetër. Gjatë Samitit nuk u përmendën “trupa tokësorë” por thamë që NATO-ja do të bënte ç’të ishte e nevojshme. Pra, më fjalë të tjera, vazhdonim të ndikonim në mendjen e Millosheviçit. Pastaj bëmë planin se si të fusnim trupat tokësorë. Plani ishte të fusnim disa nga Shqipëria, disa nga Maqedonia dhe disa nga Hungaria. Dhe nuk do të kishte ndaluar derisa ta mposhtnim, pushtonim Jugosllavinë dhe Serbinë nëse nuk do të dorëzohej Millosheviçi. Në të njëjtën kohë nisim një farë diplomacie sekrete me Millosheviçin për ta bindur. Ai mund të ishte kokëfortë, me gotën e cigaren në dorë dhe ndoshta nuk po e kuptonte realitetin. Këtë propozim duhet t’ia bënin presidenti dhe zv/presidenti rus. Ata do t’i thoshin: President Millosheviç, ju nuk keni për ta mundur kurrë NATO-n, nuk do të fitoni kurrë. Nuk do ta arrini kurrë një gjë të tillë.

Blendi Fevziu: Ishte lufta e parë për NATO-n pas 50 viteve. Gjithashtu ju keni bombarduar edhe bunkerin e Milosheviçit, në qendër të Beogradit në atë kohë.

Wesley Clark: Po, e bëmë edhe sepse shërbente si seli, kishte shumë antena. Ja se ç’është vërtet interesante për të. Disa ditë më vonë isha në Bullgari duke u takuar me presidentin atje. Ai më tha. Na kanë ardhur informacione që një pjesë e popullit serb është i kënaqur që ia keni bombarduar shtëpinë Millosheviçit.

Blendi Fevziu: Po, interesante. Nga ana tjetër, Shqipëria ka qenë e hapur për ju, portet, aerodrome, gjithçka. A ishte e përshtatshme infrastruktura në Shqipëri për të lëvizur trupat nga portet drejt veriut?

Wesley Clark: Së pari, i jam shumë mirënjohës lidershipit shqiptar që e hapën vendin e tyre në atë kohë, kryeministrit Nano, ministrit të Mbrojtjes, Ilir Meta… Ata mikëpritën helikopterët tanë Apash, në aeroportin e Rinasit, forcat ajrore atje. Binte shi, baltë, errësirë. Disa helikopterë fluturuan në male dhe janë rrëzuar. Po ata helikopterë ishin një kërcënim i madh për Millosheviçin. Të ishin futur brenda ata, do ta dëmtonin rëndë forcën e tij ushtarake. Nëse ata qëlloheshin, do të ndiqeshin nga trupat tokësore. Pra, akoma ishin një forcë e rëndësishme për t’i mbushur mendjen Millosheviçit të dorëzohej. Edhe pse ne në fakt, nuk e kaluam kurrë kufirin me ta.

Blendi Fevziu: Ai ishte i rrethuar në kohën kur rusët i thanë “Ndalo tani!”. U mbajt një takim me të ku i thanë se rusët nuk të mbështesin më dhe duhet të gjesh një zgjidhje. Ç’ndodhi me ushtrinë ruse që u fut nga Bosnja në aeroportin e Prishtinës?

Wesley Clark: Po, ishte një operacion sekret rus që besoj se drejtohej nga Vladimir Putini. Ai në fakt nuk e ka pranuar kurrë publikisht këtë. Por po të kishte pasur sukses, do t’i merrte meritat. Ai nxorri nga Bosnja trupa ruse dhe tanke. Dhe pasi kishin ndaluar luftimet dhe rezoluta e Këshillit të Sigurimit autorizoi NATO-n të futej, Rusia e hodhi poshtë rezolutën dhe mori autostradën, përmes Beogradit, drejt aeroportit të Prishtinës. Në 1:00 të mëngjesit arritën në aeroport. NATO-ja erdhi pasditen tjetër dhe pati një farë ngërçi. Por pas kësaj ishin tre regjimente ruse vigjilente që do të vinin për përforcime për të marrë Mitrovicën, pushtuar Prishtinën. Nuk e dinim. Por e dinim ama se duhet të ishim gati, nëse ata do të vinin. Është e vërtetë që i keni dhënë urdhër Majk Xheksonit për t’i kthyer mbrapsht? Majkëll Xheksonit i thashë të mendonte për një bllokim të autostradës, por ai tha se nuk mund ta bënte. Majkëll Xheksoni ishte i rraskapitur, kishte punuar ditë e natë, ishte prekur emocionalisht dhe kishte frikë se mos niste Lufta e Tretë Botërore. Por e vërteta është se rusët u gabuan, i rrethuam në fushën ajrore dhe përfundimisht ne duhej vetëm t’i mbanim nën kontroll dhe të ndalonim përforcimet. Përforcimet i ndaloi guximi i Bullgarisë dhe i Rumanisë. U thanë forcave ajrore ruse jo, s’mund të kaloni mbi vendet tona. Atë të dielë pasdite, kur inteligjenca vazhdonte të tregonte rusët duke u përgatitur për të hyrë dhe sigurisht, merreshin vendime në Rusi, komandanti im i forcave ajrore më merr në telefon dhe më thotë: Shef, doni t’i qëllojmë ato forca ruse, nëse cenojnë hapësirën ajrore? Ai ishte i aftë ta bënte? Po, por ishte një çështje politike tepër e nxehtë dhe morëm Uashingtonin në telefon. Po bëheshim gati për një telekonferencë, për të vendosur a duhet të qëllonim mbi ato forca ruse apo jo, por rusët vendosët pastaj të mos futen.

Blendi Fevziu: Dhe problem u zgjidh. Gjeneral, keni qene i vetmi lider ushtarak i një lufte që u fitua pa trupa tokësore. Nuk ka qenë paksa e çuditshme?

Wesley Clark: Arsyeja që fituam pa trupa tokësore ishte fakti se unë isha më fat ta kuptoja armikun dhe e dija që armiku nuk ishte ushtria serbe, por president Millosheviçi. I duhej mbushur mendja atij që e kishte të humbur atë luftë. Ai ishte tip avokati, si një lider mafie. Sapo ai e kuptoi se e kishte të humbur atë luftë, i fshiu duart.

Blendi Fevziu: Është e vërtetë që Gjeneral Preshiç i tha gjeneral Naumanit që ai po na shkatërron ushtrinë? Millosheviçi po shkatërronte ushtrinë jugosllave?

Wesley Clark: Po, e vërtetë. Ushtria jugosllave ka ndjekur udhëzimet e tij, por edhe ata e dinin që veprimet e Millosheviçit ishin të gabuara. Po deri në ç’masë është shkatërruar ushtria jugosllave? Kjo është pyetja. Nëse flasim me njerëzit, pas ndalimit të bombardimeve, janë tërhequr me qindra mjete serbe të shkatërruara dhe më pas serbet kanë bërë një fushatë keqinformimi duke thënë se NATO-ja nuk ka goditur asnjë nga objektivat. E vërteta është se kemi shkatërruar 1/3 e ushtrisë serbe vetëm prej sulmeve nga ajri.

Blendi Fevziu: Gjeneral, të paktën dy herë keni qenë në situata të vështira, në Vietnam ku u plagosët dhe gjatë incidentit që vrau Robert Frejzerin në Bosnjë. Si i keni përjetuar këto dy momente?

Wesley Clark: Kryesisht, nëse je lider ushtarak, duhet të stërvitesh në kohë paqe që të mundesh të bësh atë që të kërkohet në kohë lufte. Nëse jeni stërvitur siç duhet, me qëndrimin dhe kurajën e duhur, morale dhe fizike, e ke një mundësi t’ia dalësh mbanë.

Blendi Fevziu: Në Vientman keni qenë shumë i ri, mendoj. 25-26 vjeç.

Wesley Clark: Në luftë nuk ka asnjë garanci. Mësimi që kam nxënë nga jeta është: Përpiqu të mos shkosh në luftë. Lufta nuk ka lavdi, as në krye dhe as në fund. Gjithmonë do të vriten njerëz të pafajshëm, do të bëhen gabime dhe nëse është e mundur t’i zgjidhësh problemet pa luftë, mos lufto. Mos vrit njerëz, lëri diplomatët të debatojnë, sepse ata kanë shumë dëshirë ta bëjnë. Lëri të debatojnë. Por mos i lejo ata të heqin dorë shpejt nga debati. Këtë e kam kuptuar në Kosovë. Në fillim të Marsit kam ngrënë mëngjes me Medlin Ollbrajtin dhe ajo tha: Serbët nuk do ta firmosin marrëveshjen. Kërcënojnë se do të vrasin civilë. Ata do të vrasin. Ç’do të bëjë NATO-ja? NATO-ja është zotuar se do të godasë nëse serbët nuk binden dhe nuk i ndalojnë vrasjet. NATO-ja s’do të mundet të tërhiqet. Po të vrasin civilë? Do të na duhet të bombardojmë më fort. Sigurisht, s’mund ta dinim paraprakisht a do të përfundonte në një ditë, dy ditë, 15 ditë a ku ta di unë. Duhet të thyenim Milloshevicin, vullnetin e tij për të rezistuar dhe ia dolëm.

Blendi Fevziu: Cilat kanë qenë lidhjet tuaja me presidentin Clinton në atë kohë?

Wesley Clark: Po ai ishte kryekomandanti, ai që jepte urdhrin për të filluar.

Blendi Fevziu: Keni pasur miqësi më parë.

Wesley Clark: Jo, në fakt. Ai thjesht besoi se do të bëja gjënë e duhur.

Blendi Fevziu: Pyetja e fundit. Pse keni zgjedhur karrierën ushtarake?

Wesley Clark: Që në moshë të re kam kuptuar se Bashkimi Sovjetik ishte një kërcënim për paqen në botë, kanë bombën H (me hidrogjen). Nikita Krushovi, lideri sovjektik erdhi në SHBA dhe tha: Do t’ju groposim, o amerikanë! Pastaj pati një krizë në Berlin në 1961 dhe doja të bëja diçka për vendin tim. Mund të isha bërë fizikant, inxhinier, por në shpirt isha një patriot dhe doja t’i shërbeja popullit. Pasi fitova aftësitë ushtarake, e kuptova se në fakt mund të bëj shumë për vendin tim, duke shërbyer në ushtri dhe e bëra. Jam shumë mirënjohës. Por tani e kam hequr atë uniformë për gati 21 vjet dhe kam pasur një karriere të mrekullueshme në biznes, akoma mbaj fjalime dhe leksione në universitet. Jam i përfshirë në biznes, financë, teknologji, komunikim, mjekësi. Ka shumë mundësi. Shoqëria demokratike ka nevojë të mbrohet nga njerëz si Millosheviçi. Duhen njerëz të zgjuar, me kurajë dhe të angazhuar në uniforma, por nuk kanë pse rrinë gjithë jetën në atë uniformë. Duhet njerëz të zgjuar, me kurajë dhe të angazhuar edhe në biznes. Tani që u ktheva në Shqipëri pas 22 viteve, shoh Tiranën, më duket krejtësisht një qytet tjetër. Një frymë tepër madhështore ka lindur në këtë vend. Jam shumë i impresionuar.

Blendi Fevziu: Faleminderit shumë, Gjeneral. Ju falënderoj për intervistën, por mbi të gjitha për gjithçka keni bërë për vendin dhe popullin tonë. Faleminderit shumë.

tvklan.al

Drone turke në lindje të Ukrainës

DrohnePërdorimi i parë luftarak i një droni turk Bayraktar në Donbas të Ukrainës ka shkaktuar reagime në mbarë botën, përfshirë edhe Berlinin. DW ka biseduar me ekepertë për pasojat e mundshme.

Për herë të parë në Ukrainë është përdorur një dron turk – Bayraktar. Por efektet e përdorimit të dronit kanë qenë më të fuqishme në media, sesa në terren. Mediet ruse transmetuan me orë të tëra diskutime mbi një video njëminutëshe të transmetuar nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës. Përfaqësuesit e Kremlinit dhe Ministrisë së Jashtme ruse dënuan operacionin e ushtrisë ukrainase.

Qeveria gjermane shprehu shqetësimin për luftimet dhe “përdorimin e droneve nga palët”. Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme vuri në dukje se përdorimi i dronëve në zonën e konfliktit “është i rezervuar vetëm për OSBE-në”. Andrij Melnyk, ambasadori ukrainas në Gjermani, u tha disa mediave se vendi i tij kishte një “të drejtë legjitime për vetëmbrojtje”.

Dronet turke me motorë nga Ukraina

Sipas Kievit, përdorimi i parë për qëllime lufte i një droni turk ka ndodhur me 26 tetor pranë vendbanimit Hranitne në jug të Doneckut. Kievi raportoi se pozicionet ukrainase ishin qëlluar me një bateri artilerie D-30 nga zona separatiste. Një ushtar ukrainas u vra dhe një u plagos. Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës, droni i përdorur ka shkatërruar një nga topat e forcave proruse dhe granatimet u ndalën. Video tregon një shpërthim dhe njerëz që marrin arratinë.

Ukraina ka blerë dronet TB2 nga kompania turke Bayraktar Makina që nga viti 2018. Ato mund të përdoren si në luftime ashtu edhe për zbulime në terren. Kievi e përdor atë për forcat e tij tokësore dhe detare dhe dëshiron të ndërtojë një fabrikë për prodhimin e tyre, si dhe një qendër shërbimi. Në këmbim, një kompani shtetërore ukrainase po furnizon kompaninë turke me motorë për dronë sulmues edhe më të fuqishëm.

A ka shkelur Ukraina Marrëveshjen e Minskut?

Gustav Gressel nga Instituti Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) në Bruksel i tha Detsche Welles se përdorimi i dronëve nuk ishte formalisht një shkelje e Marrëveshjes Minsk-2, e nënshkruar në shkurt 2015. “Arma ruse D-30 që qëndron atje sigurisht që shkel Marrëveshjen e Minskut. Droni jo”, tha eksperti.

Minsk-2 parashikon tërheqjen e armëve të rënda me një kalibër më shumë se 100 mm. Kalibri i D-30 është 122 mm. Dronët nuk përmenden në mënyrë specifike në marrëveshjet e Minskut, të cilat, sipas Gressel, u mundësojnë separatistëve në Donjeck dhe Luhansk t’i përdorin ato për të hedhur mina dhe granata. Ushtria ukrainase kishte raportuar vazhdimisht për operacione të tilla. OSBE-ja, nga ana tjetër, raportoi se puna e dronëve të saj, të cilët supozohet të kontrollojnë armëpushimin, është duke u ndërprerë.

Sidoqoftë, që nga korriku 2020, palëve në konflikt u është ndaluar përdorimi i dronëve në Donbas. Në atë kohë u arrit një marrëveshje në kuadër të Grupit Trepalësh të Kontaktit për “forcimin e armëpushimit”. Pika e parë parashikon “ndalimin e përdorimit të fluturuesve ushtarakë të çdo lloji”. Përdorimi i armëve të zjarrit, përfshirë snajperët, është gjithashtu i ndaluar. Por të shtënat vazhdojnë. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, pala ukrainase ka humbur 65 ushtarë, sipas shifrave zyrtare, kryesisht nga gjuajtja nga snajperët.

A do të ndryshojë ekuilibri i pushtetit në Donbas?

Mathieu Boulègue nga instituti britanik Chatham House thekson se të dyja palët nuk po i përmbahen marrëveshjes së Minskut. Eksperti ushtarak beson se përdorimi i një droni nga Ukraina nuk ndryshon rrënjësisht ekuilibrin e fuqisë, por forcon trupat e armatosura ukrainase në kryerjen e “operacioneve individuale për të frenuar armikun”. Ai vëren se forcat dhe burimet janë shumë të kufizuara kur përdoren dronët ukrainas. Më saktë, bëhet fjalë për “retorikë dhe fitore në luftën propagandistike kundër Rusisë”.

Boulègue përjashton mundësinë e ofensivës ukrainase në të ardhmen në Donbas, me ndihmën e dronëve turq, siç kishte bërë kohët e fundit Azerbajxhani në konfliktin e Nagorno-Karabahut. “Nuk funksionon kështu”, theksoi eksperti. Kievi nuk dëshiron të provokojë një përgjigje edhe më të keqe nga Rusia dhe të humbasë edhe më shumë territore. Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar një skenar të tillë më shumë se një herë.

Gustav Gressel argumenton në mënyrë të ngjashme. “Ka mjaftueshëm armë elektronike ruse dhe sisteme anti-ajrore në Donbas që mund të luftojnë dronët”, tha ai, duke shtuar se Ukraina mbetet jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj një kundërofensive të mundshme ruse. Në të kundërt, disa dronë Bayraktar nuk mund të “ndryshojnë shumë lojën”.

Një argument kundër dërgimit të armëve?

Wolfgang Richter, oficer i pensionuar i Bundeswehr-it dhe ekspert në Fondacionin e Shkencës dhe Politikës së Berlinit (SWP), e sheh atë pak më ndryshe. Ai tha se përdorimi i një droni nga Ukraina në Donbas ishte “natyrisht një shkelje e marrëveshjeve”. Sipas tij, kjo konfirmon frikën e një përshkallëzimi të konfliktit nga të dyja palët.

“Është për t’u frikësuar se pala tjetër do të përgjigjet”, tha Richter. “Ky zhvillim tregon se dërgimi i armëve atje nuk e frikëson palën tjetër, por më shumë e inkurajon ate që të përdorë armët e saja.”

dw

Vizitë në kohë joharmonike – Zdravko Krivokapiq në Serbi

Brnabiq KrivokapiqKryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq qëndron për dy ditë në vizitë zyrtare në Serbi (02-03.11) me ftesë të kryeministres serbe, Ana Brnabiq.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq qëndron më 2 dhe 3 nëntor për një vizitë zyrtare në Serbi me ftesë të kryeministres serbe, Ana Brnabiq. Ai pritet të takohet edhe me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarë të tjerë serbë. Krahas kryeministrit Krivokapiq delegacioni që do të vizitojë Serbinë përbëhet edhe nga këshilltarët e tij si dhe nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Malit të Zi në Serbi. Në njoftimin për shtyp thuhet, se vizita në Beograd do t’i shërbejë forcimit të marrëdhenieve bilaterale, avancimit të dialogut politik dhe bashkëpunimit të përgjithshëm. “Vizita paraqet mundësi që të theksohet rëndësia e stabilitetit dhe e sigurisë në rajon si dhe forcimi i integrimit përmes mekanizmave të Procesit të Berlinit, me të cilat forcohet perspektiva e Ballkanit Perëndimor.”

Sfidat prej pandemisë Covid-19

Në kushtet e krijuara nga kriza e shkaktuar nga pandemia Covid-19 kjo vizitë konsiderohet si një rast i mirë për të zhvilluar bisedime për tejkalimin e sfidave shëndetësore, ekonomike dhe të tjera, të shkaktuara nga pandemia, me të cilat ballafaqohen të dy shtetet.

Përkrahje për fazën e re të bisedimeve Beograd-Prishtinë

Në njoftimin për shtyp thuhet, se gjatë vizitës delegacioni nga Mali i Zi synon t‘i japë përkrahje qeverisë së Serbisë për fazën e re të bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në pritje që ato të intensifikohen dhe të rezultojnë me zgjidhje të pranueshme për të dyja palët.

Po ashtu është planifikuar që delegacioni malazez të takohet me zyrtarët më të lartë të Serbisë, e theks i veçantë do t’i kushtohet forcimit të lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimit për të cilin ekziston një potencial i madh. “Në këtë drejtim rëndësi do t’u kushtohet projekteve, të cilat kanë për qëllim avancimin e strukturës rrugore, që është kusht kryesor si për rritjen e qarkullimit të njerëzve ashtu edhe për bashkëpunimin e përgjithshëm ekonomik dhe atë në fushën e turizmit”, thuhet në njoftimin për shtyp. Pala malazeze pritet t’u propozojë zyrtarëve të Serbisë që në të ardhmen bashkëpunimi në fushën e infrastrukturës, energjetikës, ekonomisë së ujërave, turizmit, bujqësisë dhe degëve të tjera me interes të përbashkët, të realizohet çdoherë kur është e mundur përmes mekanizmave të bashkëpunimit rajonal, si Procesi i Berlinit.

Marrëdhënie jo harmonike

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë ka kohë që janë tensionuar, sidomos pas trazirave me rastin e shugurimit të Mitropolitit të Kishës Serbe Ortodokse, Joanikije. Serbia jo rrallë herë është cilësuar si shtet, që  në mënyrë aktive dhe hapur është përzier në çështjet e brendshme të Malit të Zi, siç qe dhe rasti në procesin zgjedhor në verën e vitit 2020 kur nga pushteti u hoq Partia Demokratike e Socialistëve e Presidentit Gjukanoviq. Po ashtu thuhet se një pjesë e udhëheqjes serbe respektivisht funksionarë të ndryshëm të saj promovojnë ideologjinë e ashtuquajturës “botë serbe” ku bëhen tentativa që Mali i Zi të vihet nën kontrollin e Serbisë. Në këtë drejtim sipas pohimeve të një pjese të opinionit, ata kanë përkrahjen e Kishës Ortodokse Serbe.

Vera Katana/dw

Stalini dhe Pula

BDI BESA ZaeviNë një nga takimet e tij të zakonshme, Stalini kërkoi që t’i çohej një pulë:

Ai e kapi atë dhe e mbajti të shtrënguar me njërën dorë ndërsa me dorën tjetër filloi t’i shkulte puplat.

Pula bërtiste nga dhimbja dhe përpiqeshe të shpëtonte në çfarëdo lloj mënyre pa pasur sukses, pasi Stalini e kishte kapur shumë fort dhe dhimbja ishte shumë e fortë për të.

Stalini arriti të largojë të gjitha pendët e saj pa probleme të mëdha dhe pasi mbaroi ai u tha ndihmësve të tij: “Tani shikoni se çfarë ndodh “.

Ai e vuri pulën në tokë dhe u largua prej saj, shkoi të merrte grurë ndërsa bashkëpunëtorët e tij e shikonin të mahnitur pulën e cila e lënduar dhe e gjakosur, vrapoi tek Stalini, që e joshi me nje grusht grurë.

E huazuar