Feja në politikën e shqiptarëve – instrument në duart e të huajve!

“Do t’ua shuajmë farën familjes tuaj nacionaliste… ju dy s’keni për të dalë më nga burgu, e edhe pjesës tjetër të familjes do t’ja gjejmë zgjidhjen…” ishin fjalët e Bedri Sinanit, shefit të UDB-së, gjatë marrjes në pyetje në zyrat e UDB-së në Tetovë, në fillim të vitit 1986,

Vite më vonë, pas rënies së sistemit monist, dëgjoja se ishte bërë i rregullt në xhami. Madje, dëgjova se në një debat brenda në xhami, atyre që kishin manifestuar pakënaqësinë e tyre për praninë e tij në xhami, me pafytyrësinë dhe arrogancën tipike prej udbashi, u ishte përgjigjur “unë kam punuar me rrogë… mos më detyroni të tregoj emrat e disa të pranishmëve këtu, që kanë bashkëpunuar me mua, vullnetarisht”.

Këto fjalë m’u kujtuan kur rastësisht pashë një foto që ma dërgoi një miku im, e publikuar nga krerët e Lëvizjes Besa, të bërë brenda në oborrin e Xhamisë së Larme në Tetovë, ku shkruhej: “Sa më afër zotit, aq më larg zullumqarëve” .

Muret e xhamisë nuk e ndaluan ish shefin e Sigurimit Shtetëror, me shpirtin skëterrë nga zullumi, për të qenë “më afër Zotit”, siç rekomandojnë krerët e LB, pasi që vite me radhë kishte bërë të gjitha zullumet e mundshme që punëdhënësit i’a kishin kërkuar.

 

Para 30 vitesh, zotit Alija Izetbegoviç, disidenti boshnjak i njohur që nga themelimi i RSFJ, i ra barra për t’u prirë bashkëkombësve të tij, në luftën e tyre të vështirë për t’u mbrojtur nga ajo që bota quajti “spastrim etnik sistematik dhe gjenocid mbi popullsinë muslimane në Bosnjë dhe Hercegovinë”. Por çfarë ishte ajo që dallonte këtë “popullsi muslimane” nga shfarosësit e tyre, me të cilët ata flisnin të njëjtën gjuhë?  Gjatë historisë së Jugosllavisë, ata kryesisht njiheshin si boshnjakë. Pati iniciativa për t’u deklaruar edhe si komb jugosllav, dhe sidomos komb musliman, por kurrë si serbë me fe muslimane.

Një fakt, të cilin më së miri e konfirmuan vetë serbët – cili popull bën gjenocid ndaj pjesëtarëve të vet!? Ndaj, i vetmi dallim nga shfarosësit, lehtësisht i identifikueshëm, i cili shërbeu Alia Izetbegoviçit dhe partisë së tij për t’i mobilizuar bashkëkombasit e tij, mbetej feja. Pikërisht kjo ishte edhe fatkeqësia e këtyre njerëzve, që u shëndruan në holokaustin e dytë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Spastrimit etnik dhe gjenocidit mbi popullsinë e pambrojtur boshjake i’u dha ngjyra jo reale e konfliktit fetar, që pothuajse legjitimoi masakrat e serbëve mbi popullsinë civile boshnjake, si “luftë kundër fundamentalistëve islamik” në zemër të Evropës. Duke e bërë Evropën dhe SHBA pothuajse indiferente, derisa gjenocidi dhe spastrimi etnik morën përmasa të tilla, që vunë në pikëpyetje ndërgjegjen dhe moralin e shoqërisë perëndimore.

Ndërkohë, makineria politiko-ushtarake e Millosheviqit, pregaditej për një spastrim etnik tjetër në fqinjësi. Tani u kishte ardhur rradha shqiptarëve të Kosovës. Por këtë herë, sado që makineria propagandistike serbe u përpoq t’i jepte ngjyrën e konfliktit  ndërfetar, bota e quajti dhe e dënoi ashtu siç realish ishte – agresion dhe spastrim etnik sistematik mbi popullatën e pambrojtur shqiptare të Kosovës.

Shqiptarë muslimanë, ortodoksë dhe katolikë nga të gjitha krahinat shqiptare, luftuan krah për krah kundër agresorit serb. Ashtu siç luftuan gjatë historisë së tyre, kundër pushtuesve turq dhe fqinjëve grabiqtar, kush me penë e kush me armë, Ismail Qemali, Hoxhë Tahsini, vllezërit Frashëri, Bajo dhe Çerçiz Topulli me Jani Vreton, Konstandin Kristoforidhin, Papa Kristo Negovanin, Mihal Gremenon… dhe Isa Boletini, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Kraja me Kristo Luarasin, Pandeli Sotirin, Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, e shumë të tjerë. Lufta me po të njëjtin armik, vazhdoi edhe në Luginën e Preshevës, dhe në fund edhe në në ish IRJM, gjithmonë si një luftë e pastër dhe e drejtë e shqiptarëve, për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Derisa shumë shqiptarë, ca me qëndrime në burgje, ca me pushkë në dorë, e ca duke e ndihmuar në forma të ndryshme, sakrifikoheshin për këtë kauzë të drejtë kombëtare, ca të tjerë, me shpirtin dhe xhepin plot nga vëllezërit “e idealit” nga Turqia, Katari dhe Irani, zgjodhën vetëm të luten dhe falen, për të kursyer trupin  dhe shpirtin për misionin që kishin në një të ardhme të afërt.

Dhe kjo ditë erdhi. Tani, në “paqe” dhe “demokraci”, ata që luftuan dhe u dergjën burgjeve duhej t’ua lëshonin skenën këtyre misionarëve, të cilët do t’i udhëhiqnin shqiptarët në rrugën “e zotit” dhe të politikës – bashkë. Ndaj fillimisht, në vitin 2013 këta misionarë themeluan Fondacionin “Qendra e Civilizimit Islam” (shih listën e anëtarëve këtu: http://www.focic.org.mk/article/U-formua-Bordi-Keshilledhenes-i-FOCIC-it.html ), e një vit më vonë, me mbështetjen e fuqishme financiare që kishin,  regjistruan partinë e tyre, të cilës me paftyrësinë dhe arogancën më të madhe, i’a vunë emrin “Lëvizja Besa”.

Së shpejti, për shkak të mosmarveshjeve financiare, kjo parti u “replikua”, dhe nga një, u bënë dy, duke “e pasuruar” kështu skenën politike të shqiptarëve me shumëllojshmëri rrymash salafiste, vehabiste, erdoganiste, davutoglliste, gjuleniste… Përnjëherësh këto dy parti mbushën hapsirën politike shqiptare, duke tërhequr në aleancë, me fuqinë fiananciare që kishin. edhe partinë Aleanca e Shqiptarëve, e duke gjetur edhe përkrahjen zemërgjerë të qeverisë së LSDM.  Ndaj, shumë shpejtë u shëndruan në parti të preferuara për bashkëqeverisje si për LSDM ashtu dhe për VMRO-në në pritje për ta zëvendësuar LSDM-në në pushtet.

Media të paguara nga këto parti të pasura, kujdeseshin që shqiptarët të informohen regullisht, se sa të përzemërta janë takimet e ministrave të këtyre dy partive në qeverinë e LSDM, me ministrat e qeverisë së Turqisë, Iranit dhe Katarit. Ashtu siç infromojnë regullisht edhe tani, se kur e fal “xhumanë”, në cilën xhami, me cilin “xhemat” dhe kur është “i agjërueshëm” Bilall Kasami kryetari i Lëvizjes Besa, tani edhe kryetar i komunës së Tetovës. Mesazhet politiko-fetare të krerëve të Lëvizjes Besa nga oboret e xhamive, dhe profilet përplot me ikonografi patriotike turke të eksponentëve dhe militantëve të tyre, nxjerrin zbuluar ambicien e presidentit Erdogan për të kthyer përmes këtyre partive ndikimin politik të Turqisë, në tokat e “Rumelisë”, përmes formulës së vjetër – “elhamdulila turk jam”.

Por kujt i konvenon kjo ngjyrosje fetare e hapsirës politike të shqiptarëve në ish IRJM?

Pushtetit në duart e partive sllave, sigurisht që po. Në këtë mënyrë çvendoset vëmendja nga të drejtat e nëpërkëmbura kolektive të shqiptarëve si grupi etnik më i madh në shtet, duke e spostuar atë në terenin e fundamentalizmit fetar. E me islamizimin e politikës së shqitparëve, eliminohet edhe reziku i inkurajimit të zgjimit të vetëdijes kombëtare tek shqiptarët otrodoksë, duke i shëndruar ata në pre të lehtë për pushtetin në duar e sllavëve, për të vazhduar të qetë procesin e asimilimit. E ndërkohë, nuk do të mungonte as përkrahja e faktorit ndërkombëtar, në “luftën kundër fundamentalistëve islamik, shqiptar”.

I konvenon edhe pushtetit diktatorial të z. Taip Erdogan, për të realizuar përmes këtyre partive, aspiratën e shtrirjes politiko-ekonomike në ish “Rumelinë”, të cilën ai e konsideron si të drejtë trashëgimie nga Perandoria Osmane.

Por në asnjë mënyrë nuk u konvenon shqiptarëve!  E drejta e praktimit të fesë nuk u ka munguar kurrë shqiptarëve, që nga koha e perandorisë osmane, duke vazhduar gjatë Mbretërisë së Jugosllavisë, Jugosllavisë Socialiste, e edhe tani në ish IRJM, ku me zemërgjërësi janë të regjistruara jo më pak se katër bashkësi fetare dhe gjashtë grupe religjioze islamike. Ndaj shqiptarët nuk kanë nevojë për “bashkësi të tjera fetare”, të regjistruara si parti politike. Shqiptarët nuk janë të detyruar të zgedhin në mes të kombit dhe fesë duke hequr dorë nga kombi, për të zgjidhur problemet e tyre, të cilat burojnë ekskluzivisht nga mungesa e të drejtave kolektive si grup etnik. Shqiptarët janë të aftë, munden dhe duhet ta dënojnë korrupsionin dhe kriminalitetin e BDI, por pa rrënë pre e partive që përmes fesë në politikë, tentojnë të sjellin ndikimin dhe interesat politike dhe fetare  të shteteve të treta.  Feja në politikë nuk i solli asgjë tjetër njerëzimit, përveç krime, vuajtje dhe mjerim. E nuk ka për sjellur asgjë të mirë as sot për shqiptarët.

Afrim Fanda

U formua Bordit Këshillëdhënës të Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam” (FOCIC)

FOCIC

Të shtunën, më 23.11.2013, u mbajt mbledhja e parë konstituive e Bordit Këshillëdhënës të Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam”  (FOCIC).

Mbledhja, që ishte para e këtij Bordi që nga themelimi i FOCIC-it, ishte një moment për t’u takuar dhe diskutuar me intelektualë të vendeve të ndryshme të Ballkanit, por edhe të etnive e religjioneve të ndryshme, për të shkëmbyer ide rreth projekteve të synuara nga FOCIC

.Adnan & Afrim Gashi FOCIC

Adnan Azizi FOCIC

Në prani të Bordit Ekzekutiv, kësaj ftese për pjesëmarrje në mbledhje iu përgjigjën këto personalitete:

 

1.Adnan Idriz – teolog – Maqedoni

2.Afrim Gashi – jurist – publicist – Maqedoni

3.Ahmet Sherif – doktor i historisë – punonjës shkencor – Maqedoni

4.Ali Aliu – akademik i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë – profesor universitar në pension dhe studiues i letërsisë – Maqedoni/Kosovë

5.Ali Pajaziti – doktor i sociologjisë – profesor universitar – Maqedoni

6.Avzi Mustafa – doktor i pedagogjisë – profesor universitar – Maqedoni

7.Besnik Emini – magjistër i historisë – punëtor shkencor – Maqedoni

8.Burhan Köroğlu – doktor i sociologjisë – profesor universitar – Turqi

9.Dragi Gjorgiev – doktor i historisë – drejtori i Institutit të Historisë Nacionale – Maqedoni

10.Ferid Muhić – doktor i filozofisë – profesor universitar në pension dhe kryetar i Akademisë së Shkencave Boshnjake – Maqedoni

11.Fuat Emin – magjistër i filozofisë – doktorant – Turqi

12.Hysamedin Feraj – doktor i filozofisë – profesor universitar – Shqipëri

13.Hysni Ismaili – doktor i mjekësisë – profesor universitar – Maqedoni

14.İbrahim Kalın – doktor i filozofisë – kryekëshilltar i Kryeministrit të Turqisë për politikë të jashtme – Turqi

15.Ismail Ahmedi – doktor i letërsisë arabe – profesor universitar – Maqedoni

16.Ismail Sinani – gazetar – publicist – Maqedoni

17.Latif Mustafa – magjistër i qytetërimeve – doktorant – Serbi

18.Luan Starova – ish ambasador – akademik i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë – profesor universitar në pension dhe shkrimtar – Maqedoni

19.Mesut Özcan – doktor i shkencave politike – këshilltar i ministrit të Jashtëm të Turqisë – Turqi

20.Metin Izeti – doktor i shkencave islame – profesor universitar – Maqedoni

21.Mevlud Dudić – doktor i shkencave islame – rektor i Universitetit Ndërkombëtar të Novi Pazarit – Serbi

22.Milazim Krasniqi – doktor i letërsisë shqipe – shkrimtar dhe profesor universitar – Kosovë

23.Mirushe Hoxha – doktor i albanologjisë – profesor universitar – Maqedoni

24.Mesut Idriz – doktor i civilizimeve – profesor universitar – Bosnjë/Maqedoni

25.Munir Mujić – doktor i filologjisë orientale – profesor universitar – Bosnjë

26.Musa Musai – doktor i psikologjisë – profesor universitar – Maqedoni

27.Nazmi Maliqi – doktor i shkencave politike – profesor universitar – Maqedoni

28.Nedim Emin – magjistër i historisë – punëtor shkencor – Turqi/Maqedoni

29.Qani Nesimi  – doktor i historisë – profesor universitar – Maqedoni

30.Rizvan Sulejmani – doktor i shkencave politike – profesor universitar – Maqedoni

31.Rromir Imami – magjistër i artit – piktor – Zvicër/Maqedoni

32.Sevinç Özcan – doktor i shkencave politike –– Turqi

33.Şinasi Gündüz – doktor i historisë – rektor i Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik – Maqedoni/Turqi

34.Valbona Toska – doktor i gjuhës shqipe – profesor universitar – Maqedoni

35.Vera Georgieva – doktor i filozofisë – profesor universitar – Maqedoni

36.Ziber Lata – magjistër i gjuhës arabe – profesor universitar – Maqedoni

 

Përveç këtyre, kishte edhe disa personalitete që janë deklaruar se pranojnë të jenë pjesë e Bordit Këshillëdhënës, por që për arsye objektive nuk morën pjesë në mbledhje. Ata janë:

 

37.Ahmet Alibašić – doktor i shkencave islame – profesor universitar – Bosnjë

38.Bilall Kasami – doktor i shkencave ekonomike – profesor universitar – Maqedoni

39.Hasan Xhillo – doktor i filozofisë islame – profesor universitar – Maqedoni

40.Mixhait Pollozhani – doktor i historisë së artit – profesor universitar – Maqedoni

41.Mustafa Özel – doktor i shkencave ekonomike – profesor universitar – Turqi

42.Nexhat Ibrahimi – profesor i shkencave islame – Kosovë

43.Zekirja Sejdini – doktor i shkencave islame – profesor universitar – Austri/Maqedoni

 

Pjesa e parë e takimit ishte ceremoniale, ku morën pjesë edhe zyrtarë të shtetit të Maqedonisë, si dhe mysafirë të huaj. Kështu, në emër të Presidentit të Shtetit, në mbledhje mori pjesë këshilltari i tij Sinisha Aleksoski, në emër të Ambasadës së Katarit në Shkup mori pjesë zv. ambasadori, Shkëlqesia e Tij, z. Muhammed Subaih, ambasadën e Republikës së Turqisë në Shkup e përfaqësoi atasheu i Çështjeve Fetare, z Sejfeddin Ersoj, ndërsa në takim i ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti.

Në këtë pjesë të pranishmëve së pari me një fjalë rasti iu drejtua kryetari i Fondacionit “Qendra e Civilizimit Islam”, z. B.Benjamin Idriz, i cili foli për rëndësinë e themelimit të Fondacionit, pak për historinë e deritanishme të tij, duke theksuar arritjen e madhe historike me kalimin në pronësi të Fondacionit të kompleksit të “Konakut të Vilajetit” në Shkup. Ai, mes tjerash, tha: “Për ata që objektet i kundrojnë vetëm si mure dhe drurë, kjo është diçka e vogël, por për ata që këtë objekt e shohin në dritën e historisë së tij, kjo është një arritje marramendëse.” Pastaj i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar për punën e deritanishme të FOCIC-it, që nga Emiri i Shtetit të Katarit, Sheiku Hamad bin Khalifa Al-Thani, pastaj ministri i Jashtëm i Tuqisë, z. Ahmet Davutogllu, presidenti i Maqedonisë, z. Gjorge Ivanov, kryetari i Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, si dhe kryetari i Qytetit të Bursës, z. Rexhep Alltepe. Në fund, fjalën e tij e përmbylli duke thënë se: “Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm se shekulli në të cilin jetojmë është një epokë dinamike që hapëron me hapa gjigande. Duke mos dashur të jemi vetëm pjesë e historisë, por edhe pjesëmarrës në të, si dhe duke besuar se në Ballkan megjithatë ka elemente të fjetura që mund ta zgjojnë arsyen e shëndoshë për bashkëpunim, komunikim e bashkëjetesë, e krijuam FOCIC-in, që ta afirmojë këtë vizion dhe të jetë një Ballkan në miniaturë, i cili do të synojë që të prodhojë vlera që mund ta ribëjnë historinë e nënqiellit tonë.”

Pas tij të pranishmëve iu drejtua zv. Ambasadori i Shtetit të Katarit në Maqedoni, Shkëlqesia e tij, z. Muhammed Subaih. Ai edhe një herë foli për përkushtimin që ka Shteti i Katarit për investimet e rëndësishme si ky në Maqedoni, ndërsa mes tjerash tha: “Shteti i Katarit dhe ambasada e tij në Maqedoni ka shpresë të madhe në këtë fondacion, i cili ka marrë përsipër kultivimin e vlerave vëllazërore, dashurisë, shkencës, diturisë dhe kultivimin e dialogut dhe komunikimit mes të gjithë anëtarëve të shoqërisë së këtij rajoni.”

I fundit në pjesën ceremoniale ishte z. Izet Mexhiti, kryetar i Komunës së Çairit, i cili theksoi se: “Duke besuar se me këso projekte mund të prodhojmë më shumë mirëqenie për qytetarët tanë, jemi bërë shtylla që i mbajnë këto ide kaq fisnike, duke e bërë pjesën tonë të punës në drejtim të krijimit të një bote të re pa paragjykimet e së kaluarës dhe të gatshme për t’u integruar me botën”.

Pas një pauze të shkurtër dhe përcjelljes së mysafirëve të lartë, mbledhja i vazhdoi punimet e saj, ku pas prezantimit të përgjithshëm dhe të detajuar të FOCIC-it nga kryetari Idriz, u krijua hapësirë për diskutime, që ishin mjaft dobiprurëse për projektet e ardhshme të FOCIC-it.

Në fund, pas më shumë se dy orë punë, Bordi Këshillëdhënës mori vendim unanim për mbështetje të projekteve të FOCIC-it, duke ofruar secili nga pjesëmarrësit jo vetëm kapitalin dhe bagazhin e tij shkencor e kulturor, por edhe përvojën e tij në realizimin e planeve të FOCIC-it.

Gjatë takimit mbretëroi atmosferë miqësore e profesionale, ndërsa ndjehej fryma e gatishmërisë për bashkëpunim dhe bashkëveprim nga të gjitha pjesëmarrësit. Pas drekës së shtruar nga Fondacioni për nder të mysafirëve, ata patën mundësi edhe ta vizitojnë selinë e Fondacionit dhe objektet e “Konakut të Vilajetit”, me çka edhe përfundoi programi i ditës.

https://www.focic.org.mk/article/U-formua-Bordi-Keshilledhenes-i-FOCIC-it.