Kurti: Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës

1617Ballafaqimin me të kaluarën e kemi vënë si kapitull të veçantë në kornizën e përgjithshme qё do duhej ta përfshinte marrëveshja finale me Serbinë. Nuk mund të ecim drejt të ardhmes, pa e adresuar të kaluarën, pa u ballafaquar me të, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij, në shënimin e Ditës ndërkombëtare të të zhdukurve me dhunë.

Ai ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar dhe po angazhohet për të vërtetën, për të gjitha zhdukjet me dhunë që kanë ndodhur në Kosovë, pa dallim etnie, prejardhje e komuniteti.

 

 

“Do të donim që këtë ta bënte Serbia, pra të ballafaqohej me të kaluarën e saj. E ta trajtonte seriozisht se si u bë që pas rënies së Millosheviqit u zbuluan pesë varreza të mëdha masive atje, me gjithsejtë 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak”, tha kryeministri.

Ai tha se Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës në Kosovë, duke shtuar se dhe 23 vite pas, nuk tregon gatishmëri për nënshkrimin e marrëveshjes së propozuar, që do të kontribonte në zbardhjen e fatit të qytetarëve të Kosovës të zhdukur me dhunë.

“Ditën sot ne e nisëm në shtëpinë muze të familjes Qerkezi, në Gjakovë. Nëna Ferdonije ka ruajtur gjithçka të mbetur nga të gjithë familjarët e saj të zhdukur. Ajo nuk i ruan këto për kujtime, se në mendje i ka të gjitha. As ne nuk e vizitojmë që t’i kujtojmë, sepse nuk i harrojmë. Ai vend na shërben si dëshmi që politikat gjenocidale mbrohen ende. Askush nuk i ka kërkuar falje nënës Ferdonije.  Askush nuk i ka dhënë asaj përgjegjësi. As nënës Nysrete, nënës Luljetë dhe shumë e shumë nënave të tjera”, tha ai.

“Nënat, baballarët, familjarët, qytetarët e Kosovës përbuzen për vuajtjet që ende kalojnë për shkak të luftës prej atyre që i kryen apo i përkrahen krimet ndaj tyre. Fëmijët që kurrë s’i njohën prindërit, që ua rrëmbyen bashkë me të drejtën për të përjetuar dashurinë e tyre. U rritën pa ta. E dhimbja e tyre rritet kur krimet mohohen, apo edhe vetëm kur minimizohen ato”.

Më tej ai tha se “kërkim falja dhe pendimi nuk e dimë se sa e zvogëlojnë dhimbjen e prindërve që kërkuan e kërkojnë fëmijët e tyre. Por mos kërkim falja e dimë që e rrit dhimbjen. Mos pendimi e thellon vuajtjen dhe zemërimin. Njohja e krimeve të kryera në Kosovë nga Serbia është minimumi i një politike njerëzore, pra kundër politikave gjenocidale”.

“Ne nuk do t’i harrojmë asnjëherë. Bota nuk duhet t’i harrojë asnjëherë. Na duhet drejtësi për të gjitha krimet e kryera gjatë luftës, dhe për çdo minutë të pritjes në ankthin më të tmerrshëm pas luftës. Ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi”, tha Kurti.

Të pranishmëve iu drejtuan edhe Andin Hoti, Kryesues i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ahmet Grajqevci nga Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, si dhe Flaka Zogu dhe Gramoz Berisha, në emër të familjarëve të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/

Shqipëri: “Befas na dilnin përpara kuaj, lopë, dhi…”

AkuariumiAkuariumi, është një nga plazhet e shumta të vogla përgjatë bregdetit Jon të Shqipërisë, që nuk arrihen me rrugë automobilistike dhe për rrjedhojë ende të virgjëra.

 

Anna Klein, profesore turizmi në Mynih, së bashku me të shoqin dhe dy të bijat, i kaloi pushimet e sivjetshme verore në Shqipëri. Në intervistë për DW ajo sjell përshtypjet si pushuese dhe specialiste e fushës.

 

Deutsche Welle: Zonja Klein, ju zgjodhët Shqipërinë si destinacion për të kaluar pushimet me familjen tuaj. Si e morët këtë vendim?

Anna Klein: Ne donim të shkonim në jug me kamper-in tonë, sepse vitin e kaluar ishim në veri. Këtë radhë donim ta kishim pak më ngrohtë. Vendet e tjera, si Kroacia, Sllovenia etj.  i kishim vizituar, Shqipëria na u duk pak më ekzotike dhe ndryshe.

​​

Ju shkuat për diell, por përfunduat edhe në një stuhi të rrezikshme.

Po, patëm një “aventurë” në Kanionin e Langaricës, në Përmet, teksa po e përshkonim më këmbë. Ishte një rrugë që nuk kishte asnjë pikë uji. Sapo kishim mbërritur nga fundi, pamë që moti nisi të ndryshonte. U kthyem menjëherë me shpejtësi, gati me vrap. Ndërsa për të shkuar na ishin dashur 4 orë, kthimin e bëmë gati për një orë. Vetëm për një fije shpëtuam. Stuhia ishte e frikshme, me bubullima dhe vetëtima, qielli u nxi, nuk kisha parë një gjë të tillë më parë. Vajza e vogël, e cila është gjashtë vjeçe u tremb shumë. Megjithatë, e gjithë përvoja në Shqipëri ishte shumë e bukur.

 

Si specialiste e fushës, cilat janë sipas jush përparësitë e turizmit në Shqipëri?

Natyra dhe pamja që të shpaloset nëpër udhëtime. Kombinimi mal, det, liqene. Do të veçoja udhëtimin me traget në Liqenin e Komanit, Ishte një përjetim i jashtëzakonshëm, me një panoramë mahnitëse. Rrugët janë më të mira se ç’i kisha pritur. Në veri të Shqipërisë, nëpër male kishte edhe vende ku rruga përfundonte, dhe pastaj ngushtohej shumë dhe bëhej e rrezikshme. Së dyti janë njerëzit, dhe ajo që më ka befasuar më shumë është se edhe në zonat më të thella gjen edhe më të moshuar që flasin anglisht. Për dy vajzat tona ishin edhe kafshët interesante.

 

Vajzat tona numëruan gjithsej mbi 150 qenë. Në Shkodër ishte për ta një përjetim i bukur, sepse befas na dilnin në rrugë kuaj, lopë, dhi. Për fëmijët kjo është diçka e veçantë. Së treti, janë dhe trashëgimitë kulturore, por aty kërkon pak më shumë menaxhim.

 

Ju i ratë Shqipërisë kryq e tërthor dhe takuat shumë turistë. Cili është turisti që haset me shepesh ne Shqipëri?

Kam përshtypjen se turisti tipik që vjen në Shqipëri, nëpër resorte dhe hotele buzëdetit, janë vetë shqiptarët, shumica nga mërgata që vijnë të kalojnë pushimet në vendlindje, ose shqiptarë nga vendet përreth, Kosova, Maqedonia e Veriut. Turistët perëndimorë, si ne, vijnë për të zbuluar vendin dhe për pak aventurë dhe nuk shqetësohen fort për mungesën e komfortit. Shumica e tyre vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Spanja, Polonia. ​​​

 

Qeveria shqiptare është duke i ristrukturuar zonat turistike. Cila do të ishte këshilla juaj?

E rëndësishme është që të mos përsëriten gabimet e bëra në vende të tjera, si për shembull në Kroaci, në Dubrovnik, që është vendi tipik i keqmenaxhimit turistik. Pra, nuk mjafton vetëm të promovosh dhe të bësh reklamë për turizmin, por duhet menduar qysh më parë edhe se si t’i drejtosh flukset e turistëve.

 

Çfarë do të ndryshonit ju po ta kishit në dorë menaxhimin e turizmit në Shqipëri?

Unë do të insistoja që krahas rrugëve automobilistike të kishte edhe rrugë për këmbësorë. Dhe sa u përket kampingjeve, do të përmirësoja infrastrukturën e tyre: Për shembull, vendi për larjen e pjatave duhet të jetë i ndryshëm nga ai i dhëmbëve.  Në shumë kampingje, jo ato në breg të detit, por më në thellësi, kishte vetëm një banjë dhe asgjë tjetër. Për ne që vijmë me automjetet tona, është me rëndësi të gjejmë edhe vende ku të hedhim ujërat e pista, rrymë elektrike dhe çezma me ujë të rrjedhshëm. Por ne këto mangësi i prisnim dhe nuk na zhgënjyen. Ajo që na befasoi pak ishin mbeturinat e hedhura me vend e pa vend, në Parqe Natyrorë, Kombëtare, në liqene, në lumenj. Dhe kam përshtypjen se kjo ka të bëjë edhe me mentalitetin.

Këtë tani për tani e bën vetëm infrastruktura e papërfunduar. Shumë vende kanë mbetur të bukura, sepse nuk janë bërë ende rrugët automobilistike që të çojnë deri aty. Në Himarë kishte shumë plazhe ku nuk mund të shkoje me makinë, dhe ato kishin mbetur shumë të bukura. Por nëse shtrohet rruga automobilistike pa menaxhuar flukset e turisteve atëherë këto plazhe vetiu që do të prishen. Pra, duhen pasur parasysh kapacitetet e tyre. Dhe këto gjëra duhen planifikuar që më parë, në bashkëpunim me banorët e zonës. Sepse rreziku është, që kur është vetëm një investitor dominant, atëherë rajoni zhvillohet në një drejtim që mund të mos përkojë me interesat e banorëve të zonës.

 

Anna Klein  është profesore turizmi, e specializuar në menaxhimin e destinacionet, pranë IUBH, Universiteti Ndërkombëtar i Shkencave të Aplikuara në Mynih dhe Zëvendës Presidente e Shoqatës Gjermane për Shkencën e Turizmit e.V. (DGT).

dw

Mihail Gorbaçov – “Burrë shteti, unikal”

Mihail GorbaçovPikëllim, admirim, mirënjohje: Pas vdekjes së Mihail Gorbaçovit politikanë të nivelit të lartë nga e gjithë bota kanë vlerësuar nobelistin e Paqes dhe kreun e fundit të Bashkimit Sovjetik.

 

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres është shprehur “thellësisht i prekur” për vdekjen e ish-presidentit sovjetik, Mihail Gorbaçov duke e vlerësuar atë si një “burrë shteti unikal” që ka ndryshuar rrjedhën e historisë. “Ai ka kontribuar më shumë se kushdo tjetër për dhënien fund të Luftës së Ftohtë”, u shpreh Guterres.

Presidenti amerikan, Joe Biden e cilësoi Gorbaçovin si politikan me “horizont të jashtëzakonshëm”. Si kreu i atëhershëm i Bashkimit Sovjetik ai punoi së bashku me presidentin e atëhershëm, Ronald Regan për të reduktuar arsenalin e armëve bërthamore. Në vendin e tij Gorbaçov nisi rrugën e “reformave demokratike pas dekadash të shtypjes brutale politike”. Gorbaçov nuk e pa “glasnostin” dhe “perestrojkën” – hapje dhe reformim “thjesht si slogane”.

 

Trashëgimi që nuk do të harrohet

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ngriti lart veçanërisht rolin e Gorbaçovit për Europën. Ai luajti rol vendimtar për rënien e Perdes së Hekurt, shkroi von der Leyen në twiter. Ajo e vlerësoi Gorbaçovin si një lider të besueshëm dhe të respektuar. “Ai hapi rrugën për një Europë të lirë. Këtë trashëgimi ne nuk do ta harrojmë kurrë.” Presidenti i Këshillit të BE, Charles Michel e vlerësoi Gorbaçovin si luftëtar për paqen dhe i shprehu ngushëllimet familjes, miqve të tij dhe popullit rus. Gorbaçov ka qenë një njeri, që ia kushtoi jetën me angazhim të madh paqes dhe lirisë, shkroi Michel në twitter.

Kurse presidenti francez, Emmanuel Macron e vlerësoi Gorbaçovin si “njeri të paqes, vendimet e të cilit i hapën rusëve rrugën për lirinë.” Më tej Macron vlerësoi se “angazhimi i tij për paqen në Europë ka ndryshuar historinë tonë të përbashkët.”

Kryeministri britanik, Boris Johnson deklaroi se “se e kam admiruar gjithmonë guximin dhe integritetin që ai tregoi, kur i dha fund Luftës së Ftohtë.” Kryeministri në largim duke iu referuar luftës që nisi Putini në Ukrainë tha, se “në kohët e agresionit të Putinit në Ukrainë angazhimi i tij i palodhur (i Gorbaçovit) për hapjen e shoqërisë sovjetike është një shembull për ne të gjithë.”

 

Pa Gorbaçovin nuk do kishte bashkim të Gjermanisë

Në Gjermani Gorbaçov ka qenë shumë i vlerësuar për kontributin e tij për bashkimin e Gjermanisë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialdemokrate, Lars Klingbeil vlerësoi Gorbaçovin për rolin e tij në përfundimin e Luftës së Ftohtë. “Pa të revolucioni paqësor nuk do të ishte zhvilluar aq paqësisht, dhe ndoshta bashkimi gjerman nuk do të ishte kryer”, shkroi Klingbeil në twitter. Kurse kreu i CSU-së, Markus Söder e vlerësoi Gorbaçovin si një njeri të “që më parë se të tjerët i i kuptoi shenjat e kohës, përfundoi Luftës e Ftohtë dhe mundësoi një periudhë të gjatë të paqes.” Söder theksoi se “rrugën e bashkimit të Gjermanisë ai e hapi pa hezitim.”

Ministrja gjermane e Arsimit, BettinaStark-Watzinger shkroi në twitter se Gjermania i është shumë mirënjohëse Gorbaçovit. “Ai inicioi fundin e Luftës së Ftohtë, mundësoi bashkimin gjerman dhe i dhuroi vendit të tij një moment demokratik.” Kurse kreu i Partisë Kristiiandemokrate, CDU, Friedrich Merz u shpreh se “pa Mihail Gorbaçovin bashkimi gjerman nuk do të kishte qenë i mundur. CDU mban zi për një burrë shtetit, të cilit Gjermania mund t’i besonte, e që na besonte.” “A mund ta ndryshojë një njeri i vetëm botën? Po. Mundet. Jo me dhunë, jo me tanke, me tërheqje të 350.000 ushtarëve sovjetikë nga Gjermania. Liri për miliona vetë në Europën lindore. Bashkimi gjerman. Të pamendueshme pa Mihail Gorbaçovin”, shkroi ish-kreu i CDU-së, dhe politikani gjerman, Armin Laschet.”

 

 

la/ag

NASA do ta provojë sërish të shtunën të nisë raketën drejt Hënës

NasaNASA do të përpiqet përsëri të shtunën të nisë raketën e saj të re drejt Hënës në një fluturim provë, pasi problemet me motorin ndalën nisjen më herët këtë javë.

 

Drejtuesit thanë të martën se po ndryshojnë procedurat e furnizimit me karburant. Një sensor difektoz gjithashtu mund të jetë bërë shkak për braktisjen e lëshimit të së hënës, vunë në dukje ata.

Raketa 98 metra e gjatë – më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA – mbetet në platformën e saj në Qendrën Hapësinore Kennedy, me një kapsulë ekuipazhi të zbrazët.

Raketa “Space Launch System” do të përpiqet ta dërgojë kapsulën përreth Hënës dhe ta rikthejë në Tokë. Askush nuk do të jetë në bord, përveç tre manekinëve të provës. Nëse del me sukses, kjo do të jetë kapsula e parë që do të fluturojë në Hënë që nga koha e programit të NASA-s, “Apollo”, 50 vjet më parë.

Vazhdimi i punës për një nisje të shtunën do të sigurojë të dhëna të mëtejshme, edhe nëse problemi rishfaqet dhe numërimi mbrapsht ndalet përsëri, tha drejtuesi i programit të raketave të NASA-s, John Honeycutt. Kjo është më mirë “se të rrimë ndenjur duke kruajtur kokën, a ishte mjaftueshëm mirë apo jo”, tha ai.

“Bazuar tek ato çfarë kam dëgjuar nga ekipi teknik sot, ajo që duhet të bëjmë është të vazhdojmë të shqyrtojmë të dhënat dhe të përmirësojmë planin tonë të fluturimit”, tha ai.

Gjatë përpjekjes së nisjes që u bë ditën e hënë, parametrat treguan se një nga katër motorët kryesorë në fazën bazë të raketës nuk mund të ftohej mjaftueshëm përpara ndezjes së planifikuar për ngritjen. Edhe tre motorët e tjerë ishin pak më të ngrohtë se ç’duhej.

Të gjithë motorët duket se janë në rregull, tha zoti Honeycutt.

Operacioni ftohës do të kryhet gjysmë ore më herët për tentativën e nisjes të së shtunës pasdite, pasi të fillojë furnizimi me karburant atë mëngjes. Zoti Honeycutt tha se ky motor pati një kohë ftohjeje më të shkurtër gjatë provave të suksesshme vitin e kaluar dhe se ndoshta kryerja e procesit më herët mund të mjaftojë.

Zoti Honeycutt gjithashtu vuri në dyshim integritetin e një sensori të motorit, duke thënë se mund të kishte dhënë të hënën të dhëna të pasakta. Ndryshimi i këtij sensori, vuri në dukje ai, do të nënkuptonte tërheqjen e raketës përsëri në hangar, duke rezultuar në javë të tëra vonesash.

Ndërsa duhet të ishte realizuar vite më parë sipas planit, fluturimi provë me kosto prej 4.1 miliardë dollarësh është hapi i parë i programit të NASA-s për eksplorimin e Hënës. Programi është quajtur Artemis, sipas motrës binjake të Apollonit në mitologjinë greke. Astronautët mund të bëhen pjesë e udhëtimeve që në vitin 2024 për një xhiro rreth Hënës dhe në vitin 2025 për të tentuar një ulje në sipërfaqen e saj.

voa

Ligji kundër spiunëve! Zbardhet drafti: Nuk kandidojnë dhe nuk drejtojnë parti politike

kreretGrupi i  punës me jurist dhe deputetë të PS i  kanë dhënë dorën e fundit ndryshimeve në ligjin për dekriminalizimin ku kanë përfshirë edhe pastërtinë e figurës të kryetarëve të partive politike.

 

Gazetari Top Channel Muhamed Veliu  e disponon këtë draft i cili pritet të diskutohet fillimisht  të premten, në konferencën e kryetarëve e i hapur rrugë shqyrtimit në komisionet parlamentare.

Me ligjin aktual të dekriminalizimit nuk parashikohet asnjë filtër vetting-u për kryetarët e partisë por socialistët janë të vendosur ta ndryshojnë këtë.

Në nenin 1 të këtij ligji ku parashikohet qëllimi dhe objekti këtij ligji, me amendimin e propozuar përfshihen edhe partitë politike .

Nëse një kryetar aktual partie rezulton me një të shkuar kriminale apo me procese te hapura me drejtësinë dhe nëse ka  qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, i  ndalohet drejtimi partisë.

 

“Qëllimi i këtij ligji është të garantojë mbrojtjen e parimeve demokratike sipas Rendit Kushtetues të Republikës së Shqipërisë, të besimit të publikut në funksionimin e partive politike dhe të organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes në krye të partive politike ose të zgjedhjes a emërimit në organet shtetërore”.

 

Ndryshimi nenit tre ku parashikohet  “Ndalimi për t’u emëruar në një funksion publik” e rithekson ndalimin e kryetarëve të partive me  dosje bashkëpunimi në ish-Sigurimin e shtetit. Ndalimi ndodh.

 

  1. Për veprat penale të parashikuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij ligji, personi nuk mund të emërohet apo zgjidhet në funksionet publike, në organe kushtetuese apo të krijuara me ligj dhe kryetar partie politike.

 

Ndryshon edhe neni pesë për  mënyrën e “Vetë-deklarimi dhe verifikimi i të dhënave” .

 

Formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet, sipas rastit:  pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të zgjedhurit dhe kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë apo për kandidatët për kryetar dhe kryetarët e partive politike apo për të zgjedhurit dhe kandidatët në organet e qeverisjes vendore.

 

Ndryshimet e socialistëve në ligjin e dekriminalizimit e zgjerojnë spektrin se kush e gëzon të drejtën për verifikimin e të dhënave. Kjo është shtesa e propozuar për nenin 7.

 

Për kryetarin e një partie politike, përveç subjekteve të përcaktuara në shkronjën “a” të këtij neni, të drejtën për të kërkuar verifikimin e gëzojnë edhe një e dhjeta e anëtarësisë së partisë, një e dhjeta e anëtarësisë së organit më të lartë vendimarrës, ose një e dhjeta e anëtarësisë së organit që, sipas statutit ushtron kompetencat zëvendësuese vendimarrëse në periudhën midis dy mbledhjeve të organit më të lartë vendimarrës, pavarësisht nga emërtimi statutor i tyre.”

 

Ndryshimet e tjera po në këtë ligj lidhen me ndalimin e kandidimit në poste publike apo ndërprerjen e mandatit nëse autoriteti dosje provon bashkëpunimin e zyrtarëve me ish sigurimin e shtetit.

tch

Stuhitë shkaktojnë kaos në Shkup

ShkupiRrugë, parkingje dhe bodrume të përmbytura, shumë pemë të rrëzuara dhe njerëz të bllokuar në makinat e tyre, është ajo çka ka ndodhur pasditen e 30 gushtit në Shkup.

 

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut, të shoqëruara me erëra të forta, bubullimë dhe breshër shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Stuhia që përfshiu kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, bëri që kryetarja e qytetit, Danella Arsovska, ta mbledhë urgjentisht Shtabin e Krizës. Ekipet ndodhen në terren, por për momentin nuk ka informacione për dëmet e shkaktuara.

Reshjet e shiut kanë bllokuar më shumë rrugë të Shkupit, ndërkohë që erërat e forta kanë rrëzuar pemë, të cilat kanë dëmtuar automjetet dhe sistemin e furnizimit me energji elektrike, duke lënë pa rrymë shumë ndërtesa.

Përmbytjet kanë bllokuar urën e sheshit Skënderbeu, nën të cilën kishin mbetur të bllokuar brenda një mjeti transportues 15 persona. Pas intervenimit të zjarrfikësve, qytetarët e bllokuar janë evakuuar.

Po ashtu është bllokuar edhe rruga që çon drejt ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, dhe ajo që çon drejt Gjykatës Themelore të Shkupit.

Veç Shkupit me rrethinë, vërshimet kanë përfshirë edhe disa qytete të Maqedonisë Lindore si: Shtipi, Demirhisari, Velesi dhe Sveti Nikole.

rel

Ambasadorja amerikane: Në Maqedoninë e Veriut ka nepotizëm dhe korrupsion

Ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Marie ByrnesNë Maqedoninë e Veriut mungon llogaridhënia e transparenca, dhe ka nepotizëm, korrupsion e joefikasitet institucional.

Kështu ka deklaruar më 30 gusht ambasadorja e SHBA-së në Shkup, Kate Marie Byrnes, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje me ministrinë e Financave të një granti prej 10 milion dollarësh.

Gramti synon përmirësimin e partneritetit zhvillimor mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

“Ne e dimë se një nga sfidat më të mëdha është korrupsioni, i cili minon qeverisjen e mirë dhe saboton konkurrencën ekonomike. Zyrtarët e qeverisë duhet t’i përgjigjen këtyre sfidave”.

“Ne ju mbështesim që të vazhdoni me këto reforma edhe kur ato shkaktojnë përçarje të caktuara politike, sepse një Maqedoni e Veriut e fortë, demokratike dhe gjithëpërfshirëse është një shtyllë për prosperitetin e Ballkanit Perëndimor”, tha ajo.

Duke hedhur dyshime se disa prej politikanëve janë kundër zbatimit të reformave, ambasadorja amerikane u rekomandoi përfaqësuesve të qeverisë që të përmbushin pritjet e publikut, si dhe standardet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Kjo do të jetë një sfidë sepse mungon përgjegjësia, transparenca, nepotizmi dhe mosfunksionimi institucional”, ka deklaruar ambasadorja amerikane, duke premtuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe të ndihmës financiare për forcimin e institucioneve vendore.

Diplomatja amerikane tha SHBA-të e mbështesin plotësisht anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe integrimin e saj në institucionet euroatlantike.

rel

Ndryshimet kushtetuese mbajnë peng skenën politike

ndryshimet kushtetueseNdryshimet kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që janë kusht për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE, do të zhvillohen paralelisht me procesin e skriningut, apo të harmonizimit të ligjeve vendore me ato të BE-së.

 

Kështu thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke komentuar kërkesat e opozitës për nisjen e procedurave për ndryshimin e Kushtetutës.

E zëshme në këtë kërkesë është partia maqedonase opozitare, VMRO DPMNE, e cila shprehet e bindur se shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat e votave për ndryshimin e aktit më të lartë juridik.

Ndryshimet e Kushtetutës, me të cilat pakica bullgare në Maqedoninë e Veriut do të njihej si popull shtetformues, janë pjesë e dokumentit të njohur si “propozimi francez”.

Ky propozim i ka hapur rrugë fillimit formal të negociatave të anëtarësimit midis Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, në muajin korrik.

Megjithatë, ai është kundërshtuar nga opozita maqedonase, e cila ka thënë se minon shtetin maqedonas, dhe ka shkaktuar protesta e tensione.

Nga Qeveria në Shkup nuk japin ndonjë datë të saktë se kur mund të nisë procesi për ndryshimin e Kushtetutës, por kujtojnë se procesi i skriningut duhet të përfundojë deri në nëntor të vitit të ardhshëm.

Sonja Llukarevska, zëvendëskryetare e partisë në pushtet – Lidhjes Social-Demokrate (LSDM) – thotë se pret që shumica parlamentare t’i ketë votat e mjaftueshme për ndryshime kushtetuese.

“Unë konsideroj se në këtë shumicë parlamentare ka shumë forca progresive që duan të ecin përpara, prandaj jam optimiste se amendamentet kushtetuese mund të kalojnë. Unë pres që secili që mendon për perspektivën evropiane të vendit tonë, që i mendon të mirën këtij shteti, do të votonte për ndryshimet kushtetuese”, thotë Llukarevska.

VMRO DPMNE-ja ka thënë se nëse Qeveria është e bindur se i ka numrat në Kuvend, ajo duhet të ndërmarrë nismën për ndryshime kushtetuese.

“… nëse nuk kalojnë, atëherë Qeveria duhet ta pranojë propozimin [e opozitës] për zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse Qeveria është e delegjitimuar dhe, në asnjë mënyrë, ky koalicion i LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) nuk mund të mbetet në pushtet”, ka deklaruar nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.

Partitë shqiptare nuk i kanë komentuar polemikat mes partive maqedonase, por në prononcimet e deritanishme – si ato në pushtet, ashtu edhe ato në opozitë – kanë thënë se i mbështesin ndryshimet kushtetuese, “për t’i hapur rrugë perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Ndryshimet kushtetuese miratohen me dy të tretat e votave, apo me votat për të 80 prej 120 deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Me votat e deputetëve të opozitës shqiptare, numri i mbështetësve të ndryshimeve kushtetuese arrin në 74, që do të thotë se shumicës i nevojiten edhe 6 vota të deputetëve të VMRO DPMNE-së.

Aleksandar Kërzhallovski, njohës i çështjeve politike, thotë se pushteti nuk është i interesuar në inicimin e ndryshimeve kushtetuese në këtë fazë.

“Sa i përket pushtetit… gjithsesi se nuk i konvenon të ketë zgjedhje të parakohshme, për shkak të pakënaqësisë në rritje me krizën e rëndë [ekonomike] që ka përfshirë vendin. Kësaj, kur t’i shtohen edhe pakënaqësitë e mëparshme [me propozimin francez], atëherë rezultati nuk do të ishte në favor të pushtetit aktual”, thotë Kërzhallovski.

Në një prononcim javën e kaluar, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka thënë se “është shumë e vështirë të arrihet shumica e dy të tretave për ndryshimet kushtetuese në këtë përbërje parlamentare”.

rel

 

Ligji kundër spiunëve/ Të premten nis diskutimi i katër ligjeve të reja edhe për komunistët

kuvendiShumica socialiste avancon përpjekjen për ti çuar parlamentit amendimet e disa ligjeve, që synojnë ndalimin dhe ndërprerjen e mandatit atyre zyrtarëve nëse u faktohet se kanë dosje bashkëpunimi me ish sigurimin e shtetit.

 

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu mëson se të premten ora 11:00 kryetarja kuvendit Lindita Nikolla do të mbledhë konferencën e kryetarëve.

Në agjendën dërguar pjesëmarrësve në konferencën e kryetarëve, është përcaktuar për diskutim amendimi ligjit për dekriminalizimin, ai për partitë politike si dhe dy projektligje propozuar nga autoriteteti dosje.

 

Të premten do të diskutohen për të kaluar fillimisht për diskutim në komisionet parlamentare edhe projekt ligji i  depozituar nga fraksioni Alibeaj në PD që synon dekomunistizimit.

Do të jetë konferenca e kryetarëve që do të vendosë për kalimin ose jo në komisionet parlamentare të këtyre mendimeve.

Debati 30 vjeçar për dosjet e ish sigurimit u riaktivizua,  javët e fundit të Korrikut pasi autoriteti dosjeve i  dërgoi një shkresë kuvendit ku thuhej se një politikan i  rëndësishëm me inicialet IM ka bashkëpunuar me ish sigurimin e shtetit.

Aludimet dhe debatet  u përqendruan tek ish presidenti Ilir Meta,  i cili në mënyrë të vazhdueshme e mohon të ketë bashkëpunuar me ish sigurimin.

Zoti Meta përballë këtyre akuzave u mbrojt duke thënë se shumica socialiste ka falsifikuar dosjen dhe do të bënte kallëzim penal për autoritetin e dosjeve.

Ndryshimet me të rëndësishme në tentativën për të pastruar politikën shqiptare nga spiunët,  janë në ligjin e dekriminalizimit.

Në një prej neneve të ligjit ekzistues shtohet një paragraf ku parashikohet se “bashkëpunëtorëve ose të favorizuarve  të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi”.

Kujt i faktohet bashkëpunimi i ndërpritet mandati.

Ndërsa ndryshimi ligjit aktual për partitë politike synon mos lejimin e drejtimit të një force politike nga kryetar me dosje në sigurimin e shtetit ose ata që kanë shërbyer si sekretar partie.

Nëse ky ndryshim realizohet atëherë Sali Berisha ish sekretar i parë i PPSH në QSUT, i hiqet e drejta për të vijuar drejtimin e PD.

Top Channel

Ukraina thotë se ka filluar kundërofensivë për të rimarrë jugun e kontrolluar nga Rusia

UkrainaTrupat ukrainase të përforcuara nga furnizimet e shtuara të ndihmës ushtarake perëndimore filluan të hënën një kundërofensivë për të rimarrë territorin në jug të pushtuar nga forcat ruse para gjashtë muajsh. Megjithatë, qyteti port jugor Mykoliav po përballet me bombardime të shtuara ruse. Kryebashkiaku tha se sulmet po godasin shtëpitë dhe të paktën dy persona ishin vrarë.

 

Ndërkohë një ekip nga mbikëqyrësi bërthamor i Kombeve të Bashkuara ka udhëtuar drejt Ukrainës për të inspektuar centralin bërthamor të Zaporizhzhias, i marrë nën kontroll nga forcat ruse në mars, por ende i drejtuar nga stafi ukrainas. Kjo zonë e kthyer në vijë të frontit është bërë shumë e rrezikshme.

Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer akuza për bombardime në afërsi të centralit bërthamor, më i madhi në Evropë, duke rritur frikën për një rrjedhje rrezatimi në rajonin që ende e kujton me tmerr fatkeqësinë e Çernobilit në vitin 1986.

Zëdhënësja e komandës jugore të Ukrainës, Natalia Humeniuk, tha se trupat e saj kishin filluar aksionet sulmuese në disa drejtime në jug, duke përfshirë rajonin Kherson.

 

GODITJA E DEPOVE TË MUNICIONIT

Rusia mori shumë shpejt nën kontroll pjesë të jugut të Ukrainës pranë bregut të Detit të Zi, duke përfshirë qytetin Kherson, në fazën e hershme të luftës.

Rajoni Kherson shtrihet në veri të gadishullit të Krimesë të aneksuar nga Rusia dhe ka brigje në Detin e Zi dhe Detin Azov.

Ukraina ka përdorur armë të sofistikuara të marra nga perëndimi për të goditur depot ruse të municioneve dhe për të shkatërruar linjat e furnizimit rus. Zonja Humeniuk tha në një konferencë se Ukraina kishte goditur më shumë se 10 depo në javën e kaluar duke e “dobësuar pa dyshim armikun”.

Ajo nuk pranoi të jepte detaje të kundërsulmit, duke thënë se forcat ruse në Ukrainën jugore mbetën “mjaft të fuqishme”.

Guvernatori i Krimesë së aneksuar, Sergei Aksyonov, e hodhi poshtë njoftimin e saj si “propagandë ukrainase”.

Agjencia ruse e lajmeve RIA, duke cituar zyrtarin vendor, Vladimir Leontiev, tha se njerëzit po evakuoheshin nga vendet e punës në Nova Kahokva, një qytet 58 km në lindje të Khersonit, pasi forcat ukrainase kryen më shumë se 10 sulme me raketa.

Në perëndim të Khersonit, qyteti i Mykolaiv u bombardua nga forcat ruse të hënën, thanë zyrtarët lokalë.

Kryebashkiaku Oleksandr Senkevych tha se dy persona ishin vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur. Shtëpitë e banimit dhe institucionet arsimore u vunë në shënjestër, ka shkruar ai në “Telegram”.

Mykolaiv, një qendër ndërtimi anijesh dhe një port lumi afër Detit të Zi, ka pësuar bombardime të rënda ruse gjatë gjithë luftës.

 

SIGURIA BËRTHAMORE

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare Atomike (IAEA) tha se ai do të drejtonte një ekip inspektorësh në uzinën Zaporizhzhia në lumin Dnipro në jug të Ukrainës qendrore.

“Ne duhet të mbrojmë sigurinë e objektit më të madh bërthamor të Ukrainës dhe Evropës”, shkroi Rafael Grossi në Twitter.

Përmes një njoftimi tjetër, IAEA tha se misioni do të vlerësojë dëmin fizik, do të vlerësojë kushtet e punës dhe do të kontrollojë sistemet e sigurisë. Njoftimi gjithashtu tha se do të “kryhen aktivitete urgjente mbrojtëse”, duke thënë se do të përcjellen gjurmët e materialit bërthamor.

Kremlini tha se misioni i IAEA-s ishte “i domosdoshëm” dhe i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ushtronte presion ndaj Ukrainës për të ulur tensionet ushtarake në termocentral.

Kombet e Bashkuara, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina kanë bërë thirrje për tërheqjen e pajisjeve ushtarake dhe personelit nga kompleksi bërthamor për të siguruar që ai të mos jetë objektiv sulmesh.

Por Kremlini përsëri e përjashtoi mundësinë e largimit nga kjo zonë.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se misioni i IAEA-s duhet të kryejë punën e tij në mënyrë politikisht neutrale.

Forcat ruse e sulmuan Enerhodarin, qytetin buzë lumit Dnipro ku ndodhet uzina, tha të dielën shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy në kanalin e tij në “Telegram”. Deklarata u publikua krahas videos së zjarrfikësve që shuan makinat e djegura.

Liliia Vaulina, 22 vjeç, një nga refugjatët e Enerhodarit që çdo herë e më shumë po ikin për në qytetin e Zaporizhzhias të kontrolluar nga Ukraina, rreth 50 km nga uzina, tha se shpresonte se misioni i IAEA-s do të çonte në çmilitarizimin e zonës së saj.

“Unë mendoj se ata do t’i ndalojnë bombardimet,” i tha ajo “Reutersit”.

 

“ÇDO PREDHË KA RËNDËSI”

Në rajonin e Donjeckut të Ukrainës lindore, forcat ruse bombarduan infrastrukturën ushtarake dhe civile pranë Bakhmutit, Shumyt, Yakovlivkas, Zaytsevos dhe Kodemas, tha ushtria e Ukrainës mëngjesin e të hënës.

Rusia i quan veprimet e saj në Ukrainë një “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar fqinjin e saj jugor. Ukraina, e cila fitoi pavarësinë kur Bashkimi Sovjetik i dominuar nga Rusia u shpërbë në vitin 1991, dhe aleatët e saj perëndimorë e kanë hedhur poshtë këtë si një pretekst të pabazë për një luftë pushtuese.

Mijëra njerëz janë vrarë, miliona janë zhvendosur dhe qytetet janë kthyer në gërmadha. Lufta ka kërcënuar gjithashtu ekonominë globale me një krizë energjie dhe furnizimi me ushqime.

Suedia, e cila së bashku me Finlandën planifikon t’i bashkohet NATO-s si reagim ndaj agresionit rus në Ukrainë, njoftoi të hënën një ndihmë ushtarake shtesë në vlerë prej afro 50 milionë dollarësh për Ukrainën. Njoftimi u bë gjatë një vizite në Stokholm nga Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

Zoti Kuleba i kërkoi Suedisë të siguronte armë të tilla si “howitzers” dhe predha. “Çdo euro, çdo plumb, çdo predhë ka rëndësi”, tha ai.

Gjermania gjithashtu do të dërgojë më shumë armë në Ukrainë në javët e ardhshme dhe do të ndihmojë në përmirësimin e kapaciteteve të artilerisë dhe mbrojtjes ajrore të Kievit, tha kancelari gjerman, Olaf Scholz gjatë një konference në Pragë.

voa