Sulmohen qytetet pranë centralit bërthamor të Ukrainës

qytetet prane centralit ukraineRaketa dhe artileri ruse goditën zonat përtej lumit Dnieper, pranë centralit më të madh bërthamor në Evropë, bënë të ditur të dielën zyrtarët ukrainas. Zhvillimet vijnë ndërsa është rritur frika se luftimet në afërsi të impiantit mund ta dëmtojnë atë, duke shkaktuar një rrjedhje radioaktive.

 

Forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor Zaporizhia menjëherë pas fillimit të luftës dhe kanë gjithashtu kontrollin e territorit ngjitur, përgjatë bregut të majtë të lumit Dnieper. Ukraina kontrollon krahun e djathtë të tij, përfshirë qytetet Nikopol dhe Marhanets, secili prej tyre rreth 10 kilometra larg nga impianti.

Sulmet gjatë natës lanë pjesë të Nikopolit pa energji elektrike bëri të ditur guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk Valentyn Reznichenko. Po kështu janë dëmtuar rreth 12 objekte banimi në Marhanets, sipas Yevhen Yevtushenko, kreut të administratës së rajonit, që përfshin qytetin me rreth 45,000 banorë.

Gjatë natës u sulmua edhe qyteti i Zaporizhias, rreth 40 kilometra nga centrali bërthamor, si pasojë u plagosën dy persona, tha anëtari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev.

Në Ukrainën lindore, ku forcat ruse dhe separatiste po përpiqen të marrin kontrollin, sulmet me artileri goditën qytetet e mëdha e me rëndësi strategjike Kramatorsk dhe Sloviansk, por nuk u raportuan viktima, tha Pavlo Kyrylenko, guvernatori i rajonit Donetsk.

Pjesa më e madhe e rajonit të Donetskut kontrollohet nga forcat ruse dhe separatiste. Ai është një nga dy rajonet e Ukrainës që Rusia ka njohur si shtete sovrane.

Javën e kaluar autoritetet filluan shpërndarjen e tabletave të jodit për banorët që jetojnë pranë impiantit të Zaporizhias në rast të ekspozimit ndaj rrezatimit, i cili mund të shkaktojë probleme shëndetësore.

Pjesa më e madhe e shqetësimeve lidhet me sistemet e ftohjes të reaktorëve bërthamorë të centralit. Sistemet kërkojnë energji për të funksionuar. Të enjten centrali u shkëput përkohësisht nga rrjeti për shkak të dëmtimit nga zjarri të një linjë transmetimi. Një dështim i sistemit të ftohjes mund të shkaktojë një shkrirje bërthamore.

Forcat ruse morën kontrollin e centralit bërthamor në fillim të luftës, por funksionimi i tij kontrollohet nga personeli ukrainas. Kievi dhe Moska kanë akuzuar në mënyrë të përsëritur njëra-tjetrën për bombardimin e impiantit dhe zonave përreth, duke rritur frikën për një katastrofë të mundshme.

Agjencia e OKB-së për Energjinë Atomike po përgatitet të dërgojë një ekip për të inspektuar dhe ndihmuar në garantimin e sigurisë së centralit. Zyrtarët thanë se përgatitjet vazhdojnë pa dhënë detaje se kur pritet të zhvillohet vizita.

voa

Escobar: Duam përkushtimin e Kosovës dhe Serbisë se do të përmbahen nga dhuna

EscobarI dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të premten se shpreson që Kosova dhe Serbia deri më 1 shtator të gjejnë një zgjidhje për mospajtimet rreth përdorimit të dokumenteve personale dhe targave të makinave, që çuan në tensione në fillim të këtij muaji.

 

Ai i bëri këto komente në përfundim të vizitës në Prishtinë dhe në Beograd së bashku me të dërguarin evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak,

Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët kryesore për të penguar zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në Bruksel me 18 gusht dështuan të sigurojnë një zgjidhje.

Zoti Escobar tha sot se mesazhi i tij për të dyja palët ishte i thjeshtë: “duam përkushtimin e të dyja palëve se do të përmbahen nga dhuna dhe të kërkojnë rrugë konstruktive përpara”.

Ai tha se pret që para fundit të muajit, do të gjendet një zgjidhje.

“Shpresa ime është se më 1 shtator qytetarët në veriun e Kosovës nuk do të shohin asnjë ndryshim në jetën e tyre. Me fjalë të tjera nuk do të jenë të ngarkuar me procedura shtesë administrative, nuk do të jenë vizitorë në vendin e tyre dhe do të njihen si qytetar me shtetësi të dyfishtë, të Kosovës dhe Serbisë dhe të vazhdojnë të jetojnë në paqe. Kjo është pritja ime, kjo është shpresa ime”, tha zoti Escobar.

Zoti Escobar dhe zoti Lajçak, kanë vazhduar gjatë natës diskutimet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Mëngjesin e së premtes zoti Lajçak tha se “pas një rundi të dytë të diskutimeve në orët e vona të natës, shpresoj se jemi në rrugën e duhur. Vlerësoj përpjekjet e sinqerta të presidentit Vuçiç për të mbështetur një zgjidhje evropiane. Bisedimet tona do të vazhdojnë”, shkroi ai.

 

Presidenti serb tha po ashtu se do të vazhdojmë bisedimet dhe “besoj se në ditët në vijim do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë të vogël, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare sa u përket targave dhe disa çështjeve më të mëdha”.

Të dy diplomatët qëndruan në Prishtinë para se të shkonin në Beograd dhe gjatë kësaj kohe bënë thirrje për shmangien e tensioneve dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme.Zoti Escobar tha se të dyja palët shprehën përkushtimin për angazhim në proces ndërsa nënvizoi se do të vazhdohet trysnia mbi palët që të ruajnë paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon.

“Ne besojmë se bisedimet janë mekanizmi nëpërmjet të cilit Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të përfundojë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, që do të hap ardhmërinë evropiane për të dyja vendet”, tha zoti Escobar duke theksuar se të gjitha marrëveshjet e deritashme duhet të zbatohen përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

voa

 

Si ka ndryshuar Gjermania në gjashtë muajt e luftës në Ukrainë?

Zewlenski ScholzLufta në Ukrainë, e nisur para gjashtë muajve, ka ndryshuar shumë edhe qëndrimin e Gjermanisë. Qëndrimet gjermane kanë ndryshuar në shumë aspekte, të sigurisë, në politikë dhe ekonomi.

Ndonjëherë ndryshimet e mëdha mund të shihen në gjërat e vogla. Për shembull, një klip 30 sekonda në YouTube, videoja e parë promovuese e Bundeswehrit në pesë vjet, u publikua në fillim të gushtit. Në 17 sekondat e para sheh ushtarë me uniformë në situata të përditshme: duke luajtur me fëmijët e tyre, duke blerë një gazetë në kioskë, duke ecur nëpër qytet. Vetëm në 13 sekondat e fundit theksohet roli i ushtarit në stilin top-gun me imazhe të avionëve luftarakë në manovra fluturimi të rrezikshëm, anije luftarake në det të hapur, ushtarë që dalin nga helikopterët – nën moton: “Ne mbrojmë Gjermaninë”.

Dy luftëra botërore dhe dy diktatura në shekullin e 20-të shkaktuan një mosbesim të thellë ndaj gjithçkaje ushtarake në Gjermani. Uniformat nuk kanë qenë pjesë e skenës në rrugë. Fakti që ushtarët me uniformë portretizohen si një fenomen krejtësisht normal mund të lexohet si një shenjë e një ndryshimi tektonik: si rezultat i luftës në Ukrainë, Gjermania bën paqen e saj me ushtrinë – dhe po përgatitet për konflikte të mundshme.

“Pika kthese” dhe premtime të mëdha

Kancelari Olaf Scholz përgatiti terrenin për ndryshime dhe ate vetëm tre ditë pas agresionit rus në Ukrainë. Më 27 shkurt ai mbajti një fjalim që mund të quhet si “pikë kthese”, kur konstatoi: Bundeswehri (ushtrira gjermane), i cili është lënë pas dore për dekada të tëra, duhet të vihet sërish në qendër të vëmendjes. Ai kërkoi krijimin e një fondi prej 100 miliardë eurosh për armatimin dhe përgatitjen më të mirë të ushtrisë gjermane. Ajo që kërkohej në NATO prej vitit 2014 – si reagim ndaj aneksimit rus të Krimesë – që të ndahen të paktën dy përqind të Prodhimit Kombëtar Bruto për nevojat e mbrojtjes, do të realizohet në të ardhmen. E kjo e bëri buxhetin e armatimit të Gjermanisë më të madhin në Evropë. Kancelari premtoi se do të mbronte çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s.

Gjashtë muaj më vonë, eksperti amerikan Josef Braml deklaroi për Deutsche Wellen: “Fjala ‘Kthesë’ tërhoqi vëmendjen e Uashingtonit. Dhe qeveria gjermane vërtet e bëri këtë. Ajo që u ka pëlqyer veçanërisht amerikanëve është se Gjermania po investon një pjesë të madhe të shumës në Lockheed Martin dhe blen avionë luftarakë F35. Kjo është zgjidhje shumë e shtrenjtë. Në këtë mënyrë ne do të jemi të fiksuar dhe të varur për dekada nga teknologjia amerikane.”

Lopët e shenjta në thertoren e politikës reale

Qeveria e re gjermane mori detyrën në dhjetor, nën moton ambicioze “shkojmë përpara me guxim”. Por lufta dhe krizat i kanë detyruar politikanët e SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së të sakrifikojnë një tufë të tërë lopësh të shenjta politike nga tempujt e selisë së partisë dhe të futen në thertoren e politikës reale.

Ishte pikërisht Robert Habecku, ministri i partisë ekologjiste për Çështjet Ekonomike dhe Mbrojtjen e Klimës, që u detyrua të kërkojë rifillimin nga puna të termocentraleve të mbyllura me qymyr, për shkak të furnizimeve të kufizuara me energji nga Rusia. Një thyerje e tabuve të ekologjistëve për shkak të emetimeve të larta të CO2.

Zëvendëskancelari ekologjist do të detyrohet ndoshta të zgjasë edhe kohën e funksionimit të termocentraleve bërthamore. Tre reaktorët e fundit duhet të fiken sipas planeve të mëparshme në fund të vitit si pjesë e largimit të Gjermanisë nga fuqia bërthamore, që është një çështje shumë e rëndësishme për të Gjelbërit.

Politika e paqes me forcë ushtarake

Edhe SPD po bën gjëra që disa muaj më parë nuk kanë mundur as të paramendohen. Në një fjalim në fund të qershorit, Lars Klingbeil, bashkëdrejtues i SPD-së, jo vetëm që formuloi një pretendim për udhëheqje të Gjermanisë në Evropë. Por ai e pranoi hapur: “Për mua, politika e paqes do të thotë gjithashtu të shoh forcën ushtarake si një mjet politik legjitim”. Gjëra të vështira për një parti ADN-ja e së cilës tradicionalisht ka shkuar drejt çarmatimit.

Papritmas tani në Gjermani janë të pranueshme edhe dërgesat e armëve në zonat e krizës, që më parë ka qenë kundër doktrinës gjermane. Të Gjelbrit, në veçanti, dënonin ashpër eksportet e armëve, për shembull në Arabinë Saudite. Tani ata po kërkojnë që edhe armët e rënda t’i dërgohen Ukrainës – sa më shpejt të jetë e mundur. Edhe SPD ka ndryshuar në këtë drejtim, ndonëse krahu i majtë në këtë parti edhe më tej po përpiqet të frenojë dërgimin e armëve të rënda.

Shkencëtari politik Volker Kronenberg nga Boni thotë se, duke pasur parasysh pikën e kthesës historike, aritmetika e zakonshme politike nuk është më në fuqi. “Kjo tronditje ka krijuar një vrull, ku ka shumë hapësirë ​​për formësimin e politikës. Kohë të tilla krize janë ora e ekzekutivit” thotë Kronenberg për DW.

Shikimi nga jashtë

 

Jashtë vendit, njerëzit ndonjëherë fërkojnë sytë me habi. Nga mesi i gushtit, revista britanike e lajmeve “Economist” foli për një “Gjermani të Re”, në faqen e saj të parë. Teksti ishte ilustruar me një shqiponjë të fuqishme federale që dilte nga veza e saj. Lufta e Ukrainës tronditi një Gjermani të vetëkënaqur dhe të vetëpëlqyer, shkruajnë autorët e Economist. Ata shpresojnë për një “Gjermani më të fortë, më të guximshme dhe më të vendosur që do të marrë timonin drejt një Evrope më të bashkuar”.

Sipas politologut Kronenberg, ka pritshmëri dhe perspektiva të ndryshme jashtë vendit. “Në SHBA ose Francë, ajo që është arritur vërehet me dashamirësi. Dikush e sheh pozitivisht se Republika Federale po përfshihet në politikën reale dhe më në fund po i lë pas rezervat shumë delikate kur bëhet fjalë për nevojat e politikës së mbrojtjes dhe të sigurisë”. Por Kronenberg thekson gjithashtu “se njerëzit në Evropën Qendrore dhe Lindore do të donin të shihnin edhe më shumë dhe më shpejt”.

Nën lupën e krizave, lëshimet e së shkuarës bëhen tepër të qarta. Dixhitalizimi i vonuar pengon biznesin dhe administratën. Mosbesueshmëria tashmë kronike ndaj hekurudhave është vetëm një shembull i neglizhencës në infrastrukturë. Mbi të gjitha, bëhet e qartë mbi çfarë këmbësh të brishta qëndron prosperiteti i Gjermanisë.

Modeli i brishtë i biznesit

Modeli i biznesit i disa dekadave të fundit ka funksionuar në mënyrë shumë të thjeshtë: me sasi të mëdha energjie të lirë nga Rusia, produktet paraprake nga Kina u shndërruan në produkte me cilësi të lartë – ndërsa eksportet shkonin më së shumti në Kinë. Kina është partneri më i rëndësishëm tregtar i Gjermanisë. Të gjithë sektorët e ekonomisë janë të varur nga tregu kinez, zinxhiri i furnizimit të shumë degëve të industrisë varet nga Kina.

Një shtyllë e sistemit tashmë po lëkundet: tregtia me Rusinë është kufizuar në mënyrë drastike. Lëndët e para si gazi, nafta dhe qymyri rrjedhin gjithnjë e më pak nga Rusia në Gjermani. Para luftës, vendi importonte më shumë se gjysmën e nevojave të gazit nga Rusia. Tani gjërat kanë ndryshuar. Kancelari dhe ministrat po përpiqen të gjejnë burime të reja energjie në mbarë botën, së fundmi në Kanada. Politika, biznesi dhe popullata po e presin me shqetësim dimrin që po vjen. E ky dimër do të tregojë shumë qartë se cila është gjendja e solidaritetit në Evropë.

Shtylla e dytë, tregtia me Kinën, është ende e rëndësishme. Por edhe shqetësimi për të qenë i varur nga tregu kinez po rritet. Kjo po ndodh edhe nën presionin e SHBA-së për kthimin mbrapa të disa proceseve të globalizimit. Tani po krijohen blloqe të reja nën simbolet kineze dhe perëndimore. E kjo do ta vështirësojë edhe të bërit biznes mes palëve.

Në kushtet e krizave dhe konflikteve të shumta aktuale, qeveria në Berlin ka nisur punën për një strategji të re të sigurisë kombëtare. Për herë të parë, sepse Gjermania deri tani nuk e ka konsideruar të nevojshme të jetë e qartë në qëllimet e saj gjeostrategjike dhe rrugët se si do të arrijë këto qëllime.

Matthias von Hein, Christoph Hasselbach

Escobar dhe Lajçak: Bisedime të vështira me presidentin serb

Lajcak VucicI dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po qëndrojnë në Serbi pas vizitës në Kosovë, në kuadër të përpjekjeve për të shmangur tensionet që pasuan vendimin e qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave.

 

Zoti Lajçak, i cili u takua vetëm për vetëm me presidentin serb para se takimit t’i bashkohej zoti Escobar, tha se pati “një diskutim të vështirë, por të përgjegjshëm me presidentin Vuçiç. I përcolla mesazhet dhe theksova se të gjitha marrëveshjet e dala nga bisedimet duhet të zbatohen, përfshirë edhe Marrëveshjen e për Lirinë e Lëvizjes të vitit 2011. Ne do të vazhdojmë bisedimet tona më vonë sonte”, shkroi ai.

“Të vështirë dhe të gjatë” e cilësoi takimin edhe zoti Escobar. Në një postim të ambasadës amerikane në Beograd ai citohet të ketë thënë se e vlerëson “angazhimin e presidentit për paqen dhe qëndrueshmërinë. Do të vazhdojmë bisedimet”.

Edhe presidenti serb tha se takimet ishin të vështira dhe “do të vazhdojnë pas orës 22:00”,

“Gjithmonë do të përpiqemi të ruajmë paqen dhe qëndrueshmërinë, do të luftojmë për paqen dhe qëndrueshmërinë, por asnjë sekondë nuk do të shmangemi nga interesat tona jetike, kombëtare shtetërore, mbi të gjitha interesat e popullit tonë”, tha ai në një postim në rrjetet sociale.

 

Lajçak: Të parandalohet përsëritja e tensioneve në veriun e Kosovës

Të dy diplomatët perëndimorë shkuan në Beograd pas vizitës në Prishtinë gjatë së cilës thanë se synimi është shmangia e tensioneve në veriun e Kosovës, një javë para se të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitetin në përdorimin e dokumenteve personale dhe targave të makinave.

Të dy të dërguarit u takuan një ditë më parë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe shefave partive opozitare, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do të shmangte tensionet në terren. Ata nuk ka dhënë hollësi lidhur me propozimet e mundshme për zgjidhjen e çështjes.

Të enjten ata qëndruan në Mitrovicën e Veriut të banuar me shumcië serbe.

“Një mesazh shumë i fortë nga bashkësia ndërkombëtare është se ne nuk mund të jemi më 31 gusht në një situatë si ajo e 31 korrikut dhe për këtë arsye ne kërkuam këto takime si ai në Bruksel javën e kaluar dhe prandaj jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, që njerëzit të mos kenë frikë për jetën e tyre, kështu që ne bëjmë gjithçka që të mos ketë barrikada”, tha ai.

“Ne dëgjuam shqetësimet e kryetarëve dhe misioni ynë vazhdon në Beograd. Shpresoj se do të jemi në gjendje të bëjmë një njoftim në Beograd më vonë sot ose nesër”, tha i dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

“Çfarëdo vendimi të merret, serbët janë në qendër të atij vendimi, sepse çdo vendim i keq ua përkeqëson jetën dhe çdo vendim i mirë përmirëson kushtet e jetesës. Biseduam gati dy orë në hollësi për shumë gjëra dhe sigurisht që misioni ynë vazhdon, prej këtu do të shkojmë në Beograd dhe do të kemi një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe pastaj të shohim nëse ia dolëm dhe ku jemi për momentin në bisedime”, tha zoti Lajçak.

Më 31 korrik grupe qytetarësh serbë bllokuan rrugët kryesore për të penguar zbatimin e vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatime vendimeve deri më 1 shtator deri kur ka mbetur edhe një javë kohë për gjetjen e një zgjidhjeje politike.

voa

Dëbimet nga Gjermania: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në krye të listës

deportimiMaqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë dy destinacionet kryesore të kthimeve të detyruara nga Gjermania në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022

 

Në gjysmën e parë të vitit 2022 autoritetet gjermane  kanë dëbuar rreth 6 200 të huaj nga Gjermania. Këtë e bëri të ditur qeveria gjermane në një përgjigje me shkrim ndaj pyetjes së grupit parlamentar të partisë opozitare, Die Linke (E Majta). Nga përgjigja, një kopje të së cilës e ka edhe Deutsche Welle, destinacionet kryesore ishin Maqedonia e Veriut me mbi 450 të dëbuar  dhe Shqipëria (mbi 400), pasuar nga Gjeorgjia (rreth 400). Ndërsa në Kosovë Gjermania ka kthyer me detyrim 130 ish-azilkërkues.

Dëbimet vijojnë të jenë më të shpeshta në kohën e verës. Avioni i fundit me destinacion Shqipërinë u ngrit nga Mynihu të mërkurën, më 24 gusht 2022, sipas burimeve të rrjetit Deportation Alarm. Rrjeti i përbërë nga disa shoqata pro refugjatësh, paralajmëron enkas dëbimet në faqen e tij të internetit, me shpresë se kështu të prekurit do të mund të ndërmarrin hapa për ta parandaluar. Në vitin 2020 ishte Shqipëria destinacioni kryesor i kthimit të detyruar nga Gjermania.

 

Kosto marramendëse

Grupi parlamentar E Majta e ka kritikuar ashpër praktikën e dëbimit: “Mbetesh pa fjalë kur shikon se çfarë mjetesh janë të gatshme të përdorin qeveritë e landeve dhe ajo federale, vetëm për t’i dëbuar njerëzit nga vendi”, i tha Deutsche Welles zëdhënësja e politikës së refugjatëve të Partisë së Majtë, Clara Bünger. Opozita e majtë kritikon shumën marramendëse që përdoret në disa raste.

Sipas përgjigjes së qeverisë federale ndaj pyetjes së Partisë së Majtë, në gjysmën e parë të vitit 2022, nga Gjermania janë dërguar në destinacionet e tjera për riatdhesim rreth 35 persona me 11 avionë “mini charter”. Gjithsej 167 nëpunës policie kanë qenë në detyrë për të garantuar sigurinë gjatë ekstradimit. Vetëm për “aparatet fluturuese”, siç quhen avionët në dokumentin në fjalë, shteti gjerman ka paguar gjatë gjysmës së parë të vitit 580 mijë euro.

 

Në vitin 2019, para fillimit të pandemisë së koronës, autoritetet kishin përdorur 21 fluturime të tilla  “mini charter” me maksimum katër të dëbuar për çdo fluturim. Gjithsej 48 persona janë kthyer me detyrim nga Gjermania në vitin 2019, dhe sipas Ministrisë Federale të Brendshme, kostot e fluturimit ishin në rreth 1,35 milionë euro. Në vitin 2020 Gjermania vuri në përdorim 14 fluturime charter për dëbimin e gjithsej 39 të huajve. Në disa raste shpenzimet për këto fluturime arritën deri në mbi 100 mijë euro për një ose dy persona. Përveç kësaj, ka pasur edhe 1 826 kthime të azilkërkuesve në vende të BE-së, në përputhje me Rregulloren e Dublinit.

 

Dëbime të shtrenjta

Praktika e fluturimeve të tilla është e diskutuar. Por alternativat nuk janë më pak të kushtueshme. Njëra syresh është stacionimi i ish-refugjatëve në qendrat e dëbimit. Kështu për shembull, projekti më i ri, që planifikon të ndërtojë qeveria federale pranë aeroportit të ri Berlin Brandenburg, është një qendër e madhe për hyrje-daljet në Gjermani. Prej aty do të bëhet edhe organizimi i dëbimeve. Azilkërkuesit e refuzuar do të vendosen aty deri sa të jepet mundësia e parë për dëbim nga Gjermania. Sipas investigimit të kanalit televiziv publik, RBB, vetëm qiraja do t’i kushtojë shtetit 760 mijë euro në muaj.

Koalicioni aktual mes SPD-së, të Gjelbërve dhe FDP-së e ka shpallur si prioritet çështjen e azilkërkuesve të refuzuar. Strategjia e re e qeverisë gjermane synon dy shina, nga njëra anë shpërblimin e të integruarve, duke u dhënë edhe nga një leje qëndrimi të përkohshme, nga ana tjetër, dëbimin e menjëhershëm të ish-azilkërkuesve që kanë mashtruar për identitetin, që kanë falsifikuar dokumentet, ose kanë kryer vepra penale.

dw

Florian Marku triumfon në “Air Albania”, mposht kundërshtarin meksikan

Florian MarkuFlorian Marku mposhti kundërshtarin e tij meksikan Miguel Parra Ramirez, në ndeshjen e sotme në “Air Albania”.

 

Kampioni shqiptar ia doli të mundë me pikë pas 10 raundesh boksierin meksikan Miguel Perra.

Kampioni dhuroi emocione për qindra të pranishmit që e ndoqën në stadium dhe mijëra të tjera që e ndoqën nga ekrani. Në fund të raundit të dhjetë, Florian Marku grumbulloi 95 pikë, kundrejt 92 pikëve të Miguel Perras.

Kam shënuar golin më të bukur në “Air Albania”, u shpreh Marku para tifozëve.

“I them faleminderit të gjithëve që erdhët sot. Kushdo që stërvitet jep shpirtin. Kundërshtari nuk ishte i lehtë, kushto që futet në ring jep shpirtin për të fituar dhe e patë edhe vetë rivalin meksikan që zhvilloi një ndeshje të madhe. Meksikanët janë të fortë. Një duartrokitje për meksikanin që erdhi këtu.

Kam kaluar një jetë jo të lehtë si të gjithë shqiptarët. Ju falenderoj ju që keni ardhur këtu. Nuk jam as Superman as njeri që nuk goditet, edhe unë kam shpirt, por vetëm diçka ju premtoj. Do jap shpirtin derisa të bie dhe të mos çohem më. Ju premtoj se do jap shpirt”.

 

Top Channel

Luiza Gega shpallet Kampione e Europës në atletikë dhe rekordi i ri i Kampionatit Europian 9.11.31

LuizaLuiza Gega nuk di të ndalet duke shkruar historinë për sportin shqiptar. Atletja shqiptare ka bërë një paraqitje fantastike në finalen e 3000 metrave me pengesa, duke u shpallur Kampione e Europës në Europianin e atletikës që po zhvillohet në Mynih.

 

Kampionia shqiptare shkoi në finale me kohën më të mirë të regjistruar në fazën kualifikuese dhe ishte pretendente kryesore për të fituar këtë garë.

Këtë gjë e tregoi më së miri duke diktuar ritmin dhe duke marrë kryesimin që pas 100 metrave të parë, për të lënë pas të gjithë rivalet që kërkonin t’i rrëmbenin nga duart një medalje që e ndiqte prej shumë kohësh.

Askush nuk mbajti ritmin fantastik të Luiza Gegës në këtë garë dhe sportistja shqiptare ia doli të kalonte finishin e vetme me kohën 9.11.31, që u bë rekordi i ri i Kampionatit Europian, duke thyer me 6 sekonda atë të vendosur në vitin 2010 nga rusja Zaripova.

Kurti: Nuk mund të ketë një rend ndryshe në veri e ndryshe në pjesën tjetër të Kosovës

AlbinKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se Serbia panevojshëm dhe krejt artificialisht është duke përshkallëzuar retorikën dhe veprimet në fushën e sigurisë, ndërsa po kërcënon qytetarët serbë për të penguar integrimin e tyre.

 

Ai i bëri këto komente gjatë mbledhjes së qeverisë së Kosovës ku foli për herë të parë lidhur me bisedimet e javës ë kaluar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Bruksel, por pa përparim drejt një zgjidhjeje për çështjen e reciprocitetit për dokumentet e identifikimit dhe targave të automjeteve, që çuan në tensione në fillim të këtij muaji.

Presidenti serb akuzoi Kosovën për refuzimin e çdo kompromisi ndërsa theksoi se qëllimi i vetëm i Prishtinës është shfuqizimi i çdo gjëje që ka të bëjë me shtetin serb dhe përndjekja e serbëve nga Kosova.

Kryeministri Kurti tha sot se “pala serbe pa nevojshëm dhe krejt artificialisht është duke eskaluar sikurse retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë, kjo bashkë me kërcënimet e vazhdueshme të qytetarëve të Kosovës që duan të mbështesin vendimet legjitime të Republikës së Kosovës. Si e tillë, kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë, si të sigurisë nacionale ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsinë në negociata, duke kërcënuar Bashkimin Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar, me tensione në të ardhmen. Kërcënimet me largim eventual të qytetarëve tanë të minoritetit serb nga institucionet e Kosovës përbëjnë dominim të narrativës së kriminelëve si Milan Radoiçiç e jo të atyre që integrimin e shohin si opsionin primar”, tha ai.

Kryeministri Kurti tha se gjatë bisedimeve në Bruksel, pala serbe nuk ka pasur angazhim dhe propozime konkrete.

“Në rastin më të mirë mund të thuhet se ka pasur kushtëzime për trajtim asimetrik brenda marrëveshjeve ekzistuese. Marrëveshja e lirisë së lëvizjes nuk bazohet në etni apo gjini por në vendin e qëndrimit, si e tillë ajo nuk bën dallim në mes të qytetarëve në veri apo jug të Kosovës”, tha ai duke nënvizuar se ka pasur propozim që të rikthehen targat e automjeteve me akronimin KS, neutrale ndaj statusit politik të Kosovës.

“Natyrisht nuk mund të promovojmë një rend të ndryshëm për një pjesë të territorit që do të kujdeseshim siç kërkon pala serbe për vazhdimin e prezencës e Serbisë në Kosovë apo që akomodojnë kërkesat e grupeve kriminale të cilat e synojnë dëmtimin e shtetit të Kosovës, kjo nuk është e mundur”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se në takimin e 18 gushtit ka paraqitur një propozim me gjashtë pika për mënyrën se si do të duhej të duket marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se propozimi i tij përfshin njohjen e ndërsjellë, përballjen me të kaluarën, bashkëpunimin në të ardhmen, trajtimin e pakicave dhe rishikimin e marrëveshjeve të deritashme.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për të siguruar përparim drejt një marrëveshjeje që do të shmangte tensionet në terren, të cilat pasuan reagimet serbe ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit mbi përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndrojnë këtë javë në Prishtinë dhe në Beograd në kuadër të këtyre përpjekjeve.

voa

Pasojat e Akraballëkut dhe sfidat Osmane

Bili

Pasojat e Akraballëkut

Skemat politike shpesh depërtojnë lehtë në botëkuptimet e njerëzve, qofshin ata të zakonshëm apo njohës të mirë të rrethanave, dhe vështirë çrrënjosen. Tanimë, çdo analist që zhvillon teorinë për pasojat e konflikteve në Gadishullin Ilirik niset nga premisa, tashmë e aksiomatizuar për ekzistencën e një aleance të natyrshme mes Serbisë dhe Greqisë, si dhe ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë. Ata që janë të prirur për patetikë nuk hezitojnë t’i shtojnë brengat e njerëzve, duke pohuar se këto fërkime mund të shkaktojnë pasoja të pariparueshme për strukturat veri-atlantike, meqë Turqia dhe Greqia qenkan anëtare të NATO-s. Por, shikuar nga një kënd realist, i liruar nga skemat paragjykuese, ekziston një aleancë paradoksale mes politikës greke, serbe dhe turke, që i ka rrënjët më të thella sesa mendohet.

 

Politika dhe propaganda serbe, dhe ajo greke në vazhdimësi, e përsërisin dhe e ndërtojnë tezën për shqiptarët si element jo luajal, si mish i huaj në organizmin evropian. Kjo teori mbështetet mbi premisën e përkatësisë fetare dhe mendësisë totalitare, në kuadër të së cilës çdo gjë kundrohet nga këndi polarizues, manikeik, bardhë dhe zi, ku shqiptarët paraqiten si element i huaj, si myslimanë, që asesi nuk mund të jenë elementë integrativ në sistemin e vlerave evropiane. Kjo propagandë, e përshkuar me imputime neveritëse është intensifikuar deri në paroksizëm pas aktit terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001. Sipas njohësve të rrethanave dhe të fenomeneve të tilla, por edhe sipas pohimeve të liderëve të partive politike serbe apo greke ( bie fjala si V. Shesheli) për këtë qëllim janë destinuar me miliona dollarë. Me këto para financohen incidentet e llojeve të ndryshme, prononcime apo ngjarje që vërtetojnë këtë pohim. Segmentet e caktuara të institucioneve greke apo serbe formojnë opinionin, për gjoja të rrezikut që i kanoset qytetërimit perëndimor, nga islamizmi fondamental në përgjithësi, dhe i shqiptarëve në veçanti. Nga ana tjetër, segmente të caktuara të shoqërisë apo i shtetit turk, me, apo pa vetëdije, japin argumente, ose thënë më mirë demonstrojnë tezën se shqiptarët janë pjesë e pashkëputur e qytetërimit osman. Këto ditë, sipas lajmit që dha kanali televiziv shqiptar “Top-Channel”, në Librazhd, autoritetet fetare të kësaj ane së bashku me segmente të caktuara turke kanë organizuar synetimin kolektiv të më se 200 fëmijëve shqiptarë, sipas traditës turke. Kamera e “Top-Channel-it” na ofroi pamje nga kjo ngjarje bizare, ku fëmijët të veshur me rroba prej satenit të bardhë, me kapuça në trajtë të fesit ku shkruhej “Mashallah”, valëvitnin herë flamujt të shtetit turk, dhe herë ato shqiptar. Natyrisht se askujt nuk duhet t’i pengojë aspekti fetar i kësaj ngjarje beninje, por konotacionet politike dhe efektet që ato krijojnë në opinionin e jashtëm dhe atë të brendshëm. Ç’është e vërteta, kjo ngjarje politiko-fetare nuk është aksidentale, por tashmë e shndërruar në traditë. Kohë më parë në muajin e Ramazanit, strukturat e tilla organizonin iftare kolektive në sheshet e qyteteve, që dikur ishin të sunduar nga Perandoria Osmane. Këto projekte që kontrabandohen përmes petkut fetar krijojnë një varg problemesh brenda për brenda komunitetit shqiptar, por edhe në raportet shtetërore, apo kombëtare të shqiptarëve me kontekstin evropian. Me këto organizime, financuesit e këtyre manifestimeve, aspak religjioze, sikur dërgojnë mesazhin për pretendimet kulturore-qytetëruese të shtetit modern turk në hapësirat e dikurshme të Perandorisë Osmane. Këto manifestime dhe heshtja jonë krijojnë pretekstin që edhe të tjerët, grekët, apo serbët të organizojnë pagëzimin e një numri të ngjashëm të fëmijëve ortodoksë shqiptarë, që në duart e tyre do të valëvitin flamurin grek, apo serb. Nëse do të ndodhte kjo, reagimi ynë do të ishte i rreptë dhe i arsyeshëm, që do të hapte debatet publike që do të krijonin pistat e kontradiktave të pariparueshme fetare, kombëtare dhe shoqërore në përgjithësi.

Tashmë në opinionin shqiptar është krijuar ideja fikse se grekët dhe serbët janë të ligë, ndërkaq turqit janë të mirë. Nëse ky pohim do të ishte i saktë, atëherë shqiptarët nuk do të ishin në këto telashe që nuk dihet sesi do të përfundojnë.

Ky paragjykim, që është shtrirë në të gjitha hapësirat shqiptare, madje edhe te pjesëtarët e të gjitha besimeve fetare, buron nga pohimi se sundimi osman dhe islamizimi i shqiptarëve e ndërpreu procesin e asimilimit të tyre. Mirëpo, ky pohim nënkupton se fjala asimilim ka vlerë parciale, ngaqë dedikohet vetëm për rastet kur shqiptarët asimilohen nga sllavët, grekët apo italianët, dhe jo nga turqit. Pra, në mënyrë të pavetëdijshme bëhet selektimi i asimilimit, duke e ndarë atë në të mirë dhe në të ligë.

Shikuar historikisht sebët dhe grekët kanë atakuar trupin tonë duke tentuar ti shfarosin shqiptarët. Ndërkaq politika osmano-turke ka tentuar të zhdukë qenien (shpirtin), identitetin kombëtar shqiptar. Të gjitha këto tentativa kanë qenë antishqiptare pavarësisht nga format që janë zbatuar në periudha të dukshme.

Tashmë, është bërë proverbial konstatimi i presidentit të dikurshëm të Turqisë z. Demirel, i cili në takim me homologun e tij, me gjasë z. Mejdani, ka pohuar se presidenti real i shqiptarëve qenka ai vetë, ngaqë në Turqi jetuakan pesë milionë shqiptarë. Sipas kësaj logjike, në vazhdimësi imponohet bindja se paska asimilime pozitive dhe negative. Të bëhesh turk qenka mirë, ndërkaq të bëhesh grek, serb, apo italian qenka mëkat. Në vijë të këtij konstatimi duhet analizuar fakti pse në Turqi, gjatë krizës kosovare, nga pesë milionë shqiptarët nuk u krijua një lobi që do ta detyronte shtetin turk, në emër të stabilitetit të brendshëm të angazhohet, madje edhe të implikohet më konkretisht në krizën jugosllave duke u dalë zot shqiptarëve.

Të gjithë shqiptarët, sidomos përfaqësuesit politik, pa marrë parasysh përkatësinë fetare, sot e gjithë kohën e përdorin frazën “populli vëlla turk”. Kjo shprehje intime do ta arsyetonte veten nëse do të kishte efekte pozitive për mirëqenien e shqiptarëve, por fatkeqësisht bie ndesh, jo vetëm me origjinën e dy popujve, por edhe me realitetin e hidhur historik. Para disa kohësh pata nderin ta takoja një këshilltar me ndikim në qeverinë turke dhe u përpoqa t’i shpjegoja disa shqetësime të shqiptarëve lidhur me paragjykimet që kanë dëmtuar vazhdimisht interesin tonë kombëtar. Pas një elaborimi të gjatë dhe të sinqertë nga ana ime, ai sërish e përsëriti si vlerë paragjykimi që vinte ndesh me realitetin. “Ne, juve, boshnjakët dhe kurdët nuk ju trajtojmë si arabët, apo iranianët, por ju ndiejmë shumë të afërt me ne. Për ne, ju jeni akraba ( kushërinj)”. Këtë konstatim ai e tha me një patetizëm mëshirëplotë. Me një akrobacion retorik, i prirur nga bindja se të jesh turk është bekim hyjnor, këshilltari qeveritar turk me ndikim e ricikloi pa dilema idenë se shqiptarët janë pjesë e idiomës turke, se ata nuk janë popull (milet) si popujt e tjerë, arabët, iranianët, grekët, serbët, bullgarët etj. Në mënyrë të pavetëdijshme, sa elegante, aq edhe brutale, ai e suspendoi identitetin shqiptar, që me aq sakrifica është mbrojtur gjatë furtunave historike.

Trajtimi i shqiptarëve si akraba të turqve, dhe jo si milet, ka pasur pasoja katastrofale për interesat e shqiptarëve gjatë sundimit osman, veçmas gjatë shpërbërjes së kësaj perandorie. Tashmë është vërtetuar katërcipërisht se mos trajtimi i shqiptarëve si popull lë pasoja të rënda, jo vetëm në fushën politike, në kohën kur formoheshin shtetet ballkanike, por edhe në fushën arsimore, kur autoritetet osmane ndalonin hapjen e shkollave shqipe duke orientuar shqiptarët që të edukohen në shkollat greke, apo sllave.

Meqë kohët e fundit bëri bujë kërkesa e kryeministrit shqiptar Berisha për rishikim të historisë, e shoh të udhës ta përqendroj vëmendjen e analistëve, për pasojat e marrëveshjeve, kryesisht turko-ruse ( sllave) për interesin e shqiptarëve, apo të myslimanëve të asaj kohe. Pas një vargu humbjesh të betejave me rusët, Perandoria Osmane ua jepte të drejtën për autonomi sllavëve që kishte një klauzolë të veçantë që shpjegon shkakun e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqinë e sotme. Kur iu dha autonomia serbëve, njëherësh u ndalua e drejta e myslimanëve që të jetojnë në këtë shtettë krishterë. Kjo klauzolë shpjegon pastrimin gradual etnik shqiptar nga zonat e pushtuara nga serbët, fillimisht nga pashallëku i Beogradit, pastaj, me zgjerimin e territorit serb në jug nga rrethi i Nishit, dhe përfundimisht nga Kosova dhe Maqedonia, natyrisht edhe të boshnjakëve nga Bosnja, Sanxhaku etj. Këtë parim, prijësi legjendar i Turqisë moderne Kemal Ataturku e shndërroi në parim obligues: në Turqi ka vetëm turq dhe jashtë Turqisë nuk ka turq. Mirëpo, zhvillimet historike treguan se ky pohim nuk ishte i saktë, por përkundrazi në Turqi paska shumë jo turq, si dhe jashtë Turqisë shumë turq.

Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, vështirësitë në krijimin e shtetit shqiptar dhe cungimi i tij ishte pasojë e mohimit të identitetit kombëtar të shqiptarëve.

Ideologët turq të këtij klasifikimi ishin logjikisht dhe moralisht koherent. Duke na trajtuar si arkaba të turqve, ata nuk shihnin asgjë të keqe nga shpërngulja jonë në Turqi, meqë pas humbjes së luftërave në Rumeli për ta ishte e natyrshme që popullin e vet ta tërhiqte në shtetin ku ata qeverisnin. Kulmi i këtij parimi, që lejonte pastrimin etnik, u arrit në Marrëveshjen e Lozanës, kur Turqia dhe Greqia u pajtuan që të këmbejnë popullatën greke nga Turqia Perëndimore dhe popullatën turke apo myslimane, rrjedhimisht edhe të çamëve nga Greqia në Turqi. Marrëveshje të këtilla Turqia bëri edhe me Jugosllavinë e parë, por edhe me atë të Titos për shpërnguljen e shqiptarëve dhe boshnjakëve nga trojet e tyre etnike. Pra, përfaqësuesit e “popullit vëlla turk” duke na trajtuar si akraba u pajtuan, madje dhe hartuan projektin për spastrimin e Rumelisë, të Gadishullit Ilirik nga popullata autoktone, të islamizuar nga vetë ata. Kjo mendësi ndikoi në dobësimin politik, ekonomik, ushtarak dhe demografik të popullit shqiptar, kështu që sot e kësaj dite i ndiejmë pasojat e këtyre vlerësimeve të gabueshme.

Këto paragjykime dhe botëkuptimet perandorake turke, meapo pa vetëdije, lënë pasoja negative për interesin shqiptar, madje edhe në kontekstin aktual ku vendoset përfundimisht fati i kombit shqiptar. Në Kosovë kontributin e vet për vendosjen e paqes e jep edhe kontingjenti i ushtarëve turq. Shqiptarët ndiejnë obligimin që të falënderohen për impenjimet e tyre për vendosjen e rendit dhe të sigurisë, por e kanë të vështirë të kuptojnë përpjekjet e tyre për turqizim, asimilim të popullatës myslimane sllavisht-folëse, apo shqip-folëse. Me këtë politikë, ata mund të arrijnë vetëm një objektiv: zvogëlimin e përqindjes vetëm të popullatës shqiptare, që në parim nuk do të ishte në favor të “popullit vëlla turk”.

Një popull që nuk arrin t’i zbërthejë paragjykimet e veta, po ashtu nuk do të arrijë t’i kuptojë gabimet dhe përsëritjen e tyre. Gabimet e tilla ndikojnë që të mos përkufizohet qartë dhe përfundimisht identiteti kombëtar. 

Arbën Xhaferi, 2007

 

Sfida Osmane

Në fund të viteve ’80 – të në Jugosllavinë e pushtuar nga ethet e nacionalizmit, agjitimi, baltosja e kundërshtarit politik, etnik dhe fetar u bë e vetmja mënyrë e komunikimit ndër-njerëzor. Politika nxori në shesh njerëz të etshëm për role shoqërore, të cilët tregonin gatishmëri që të shpifin çkado kundër secilit, nëse prej tij kërkohej një detyrë e këtillë “sublime”.

Kjo gatishmëri e një mase të madhe shpifësish, të ligjëruesve të urrejtjes ishte njëri nga shkaqet e shkatërrimit të sistemit social, etik dhe fetar gjatë periudhës së komunizmit. Shpifësit, jo vetëm që nuk kishin problem me ndërgjegjen e tyre, por përkundrazi, ata fanatizmin e tyre e arsyetonin me misionin që ua paska besuar vetë Zoti, apo kreu kombëtar.

Propaganda zhvillohej në të gjitha planet, veçmas në atë qytetërues, duke kopjuar në mënyrë banale idenë e Hantigtonit për përplasje të qytetërimeve.
Nga ajo kohë e manipulimeve cinike, të lejuara nga klasat politike, sidomos serbe, kanë mbetur fraza paradigmatike propaganduese, si togfjalëshi “Zetra”, emri i një salle sportive të Sarajevës,(zelena transferzala, transferzalja e gjelbër) që sugjeronte idenë e depërtimit të islamit nga Turqia, Bullgaria (ku paska më se dy milionë myslimanë), pastaj Maqedonia, Kosova, ku stafetën e depërtimit islam në perëndim e bartin shqiptarët dhe ua përcjellin myslimanëve të Sanxhakut, të cilët pastaj ua dorëzojnë boshnjakëve… dhe pastaj, siç lehtë-lehtë parashikonte agjit-propi (agjitim dhe propagandë) serb, s’do të ketë më të krishterë.

Me këto pohime shumëkush tallej ngaqë besohej se janë trillime tipike të serbëve që kauzën e vet përpiqeshin ta përhapin si terapi planetare për pengim të këtij rreziku, të islamizmit që i kanosej Perëndimit…

Boshnjakët nuk e lodhnin veten që t’i kundërviheshin propagandës kundër-islame serbe ngaqë ata besonin thellë se Evropa nuk është kundër-islame dhe se ata paskan të drejtë që ta ekspozojnë përkatësinë e tyre fetare. Evropa mbase jo, por serbët gjithsesi po.

Shqiptarët u treguan shumë më të rezervuar dhe betejën e tyre historike e zhvillonin në dimensionin kombëtar.

Pas vitit 1999 edhe në hapësirat shqiptare, disa grupe të vogla besimtarësh myslimanë, filluan në mënyrë intensive, demonstrative, me prapavijë kryekëput politike, ta shquajnë përkatësinë e tyre fetare, duke i dhënë argumente propagandës kundër-shqiptare serbe. Nga këto elemente, demonstrime, më shumë teatrale sesa fetare, propaganda serbe e sajonte akuzën e tyre kundër shqiptarëve.

Kohët e fundit argumente të këtilla që e ushqejnë propagandën serbe mjerisht vijnë edhe nga shteti më demokratik islam në botë, Turqisë, hiç më pak nga vetë ministri Ahmet Davutogllu, njëri nga intelektualët më brilant jo vetëm i Turqisë, por i të gjithë botës islame. CV-ja e tij intelektuale është mbresëlënëse.

Ai është autor i disa librave interesante socio-politike të botuara në shumë gjuhë të botës, natyrisht edhe anglisht, si bie fjala “Paradigmat alternative”, “Transformimi qytetërues dhe bota islame”, “Thellësitë Strategjike”, ‘Kriza globale” etj. Përmes veprave të tij, të shkruara me një metodë moderne hulumtuese, ai në Turqi u bë personi më me ndikim në trekëndëshin ushtri-qeveri dhe akademi.

Më 1 maj të vitit 2009, z. Davutoglu u emërua Ministër i punëve të jashtme i Turqisë. Shumëkush priste prej tij që ta bëjë një lloj të “brain storming” (një stuhi ndjellëse mendore), mirëpo, sipas të gjitha gjasave kjo nuk do të ndodhë.

Shkas për këtë pesimizëm është ligjërata e tij, mbajtur në Sarajevë, lidhur me politikën e jashtme të Turqisë në Ballkan. Shumëkush u befasua nga tezat aktuale radikale të ministrit, që nuk përputheshin me natyrën e dikurshme të intelektualit racional.

Ata që janë të interesuar ta lexojnë ligjëratën në tërësi mund të kërkojnë në Google: DANI, Ahmet Davutoglu “Sta hoce Turska na Balkanu”(23 tetor 2009), ose në NSPM (Nova Srpska Politicka Misao, Mendimi i ri politik serb).

Me ardhjen e tij në kreun e diplomacisë turke ai nënshkroi disa marrëveshje me fqinjët e saj, duke zbatuar parimin “zero probleme me fqinjët”. Zbatimi i këtij orientimi strategjik menjëherë rezultoi me zbehje të raporteve me Izraelin. Cilat do të jenë këto pasoja për Turqinë me prishjen e marrëdhënieve me Izraelin do të kuptohet shumë shpejtë.

Reagimi i parë ndaj ligjëratës së tij “Trashëgimia osmane dhe bashkësitë myslimane në Ballkan” mbajtur në Sarajevë, erdhi nga diplomatët e huaj, të habitur nga tezat radikale, plot vetëbesim të ministrit turk. Njëri nga ata e pyeti “pse kaq befas ratë nga qielli në Bosnjë?”.

Duke shpërfillë esencën e kësaj pyetjeje që në vete përmban një dozë fine të akuzës, të ironisë lidhur me rolin e zbehtë të Turqisë në kohët më të vështira, ministri turk i përgjigjet: “Nuk zbritëm nga qielli me parashutë, por në Bosnjë erdhëm me kuaj, duke aluduar në periudhën e depërtimit të osmanëve në Ballkan.”

Në këtë ligjëratë që mëton ta ringjallë rolin e osmanëve në Ballkan, përhapet ideja se riosmanizmi i këtyre hapësirave qenka strategjia e vetme për qetësimin e gjakrave. Duke kritikuar konceptet perëndimore që e trajtojnë Ballkanin si zonë periferike gjeo-strategjike të Evropës, ministri turk e trajton Ballkanin si zonë qendrore.

Ashtu si në librin e tij “Thellësitë Strategjike”, ai Ballkanin e trajton si bafër-zonë (si tampon zonë) ndërmjet Evropës dhe Azisë, duke filluar nga Balltiku e deri në Mesdhe. Vlera e dytë e Ballkanit osman është pesha e tij gjeo-ekonomike, ndërkaq vlera e treta qenka ndërveprimi kulturor.

Sa për shqiptarët kjo vlerë e tretë nuk mund të vërtetohet, ngaqë në atë periudhë vetëm shqiptarëve u ndalohej shkollimi në gjuhën amtare dhe disa veçori etnike (ata nuk trajtoheshin si “milet” por si “akraba”, kushërinj).

Duke trajtuar Ballkanin si zonë qendrore dhe jo periferike, siç e trajton politika perëndimore, ministri i tanishëm turk i Punëve të Jashtme, në esencë e ringjall periudhën e sundimit osman, pra rolin thelbësor të popullit turk, duke filluar prej Afganistanit e deri në Sarajevë. Në këtë konferencë ai njëanshëm (në mënyrë unilaterale) e zbulon strategjinë shumë ambicioze, lidhur me rolin e Turqisë në ish kolonitë e saj, ose thënë më saktë rolin e ardhshëm global të Turqisë.

Në këtë plan përfshihet Ballkani në tërësi, pastaj Lindja e afërt, përfundimisht edhe Afganistani. Në këtë mënyrë, Ballkani prej një zone periferike të Evropës shndërrohet në qendër të një perandorie të re universale, të ngjashme me atë osmane, ku rolin kyç do ta ketë Turqia.

Këtë zbërthim nuk e bën ndonjë politikan margjinal, por një intelektual i formatit ndërkombëtar dhe ministër i Punëve të Jashtme të shtetit më demokratik islam në botë. Por, kjo strategji ka një mangësi elementare: Nuk ka përkrahës, veçmas ngaqë autori i këtij projekti e shpall periudhën e sundimit osman si ideal, si periudhë të artë në historinë e Ballkanit.

Pra, ky projekt me karakteristika perandorake, hap dy lloje problemesh:
– si do të realizohet dhe
– çfarë do të ndodhë me trashëgiminë e Ataturkut, i cili e mbylli të kaluarën anakronike dhe me guxim hapi krahun për modernizim të Turqisë, sipas standardeve evropiane?
Problemi i parë ka të bëjë me vetë popujt e Ballkanit që gjatë kohë luftuan sundimin osman dhe ende vazhdojnë të manifestojnë haptazi një distancë fanatike ndaj çdo ringjalljeje të idesë osmane.

Këtë distancë e kanë të gjithë popujt e Ballkanit, një pjesë e madhe e popullit turk, por edhe shtetet evropiane. Si do të merret pëlqimi nga Greqia, Bullgaria, Serbia, Rumania, pastaj UE-ja që të formohet një shtet universal që e bashkon Evropën me pjesët më problematike të botës, me Lindjen e Afërt dhe atë të Largët? Për këtë pyetje nuk ka përgjigje të argumentuara në ligjëratën e ministrit Davutoglu. Argumentet e tija për këtë opsion janë kryesisht emotive.

Në këtë ligjëratë ai periudhën e sundimit osman e lartëson me pohimin se jeta në atë kohë paska qenë shumë më e mirë sesa sot. “Po të mos kishte qenë Perandoria Osmane çdo të ndodhte me fshatarin e varfër serb, Mehmet Pasha Sokolloviqin, pyet z. Davutoglu?

Përgjigjen e jep vetë: ai do të mbetej ashtu si ka qenë, një fshatar i varfër serb. Po këtë argument ai e përdor lidhur me Mehmet Ali Pashën, shqiptarit që e themeloi Egjiptin modern. Me këto shembuj ai përpiqet ta bindë auditorin se vetëm në periudhën e sundimit osman Ballkani ka pas progres, jo vetëm njerëzit, shtetet, por edhe qytetet.

Pas luftërave të përgjakshme ndërmjet popujve të Ballkanit, si mund të arrihet që ringjallja e kësaj pjese të padiskutueshme politike dhe gjeografike e Unionit Evropian t’i dorëzohet një shteti, Turqisë që në vazhdimësi pretendon të bëhet anëtare e UE-së? A pretendon Turqia të hyjë e vetme në UE, apo do të tërheqë zvarrë pas vetes Sirinë, Irakun, Libanin, popujt e Kaukazit, Avganistanin etj?

Edhe nëse ndodh kjo mrekulli, atëherë si do të arrihet pajtimi ndërmjet popujve të armiqësuar përjetësisht? Si të harmonizohen këto dy pretendime antagoniste turke, anëtarësimi në UE dhe ringjallja e Perandorisë Osmane, madje qoftë vetëm të frymës së saj?

Ose si do të harmonizohen konceptet historike të popujve që kanë formuar shtetet dhe identitetin e tyre etnik mbi baza anti – osmane? Si do të pranojnë boshnjakët tezën se Mehmet Pashë Sokolloviqi qenka fshatar serb? Me këtë tezë rrëzohet njëra nga premisat kryesore të historisë së boshnjakëve, ajo e prejardhjes së tyre prej bogumillëve!

Përgjigjet e tij për pyetjet shumë konkrete siç është bie fjala vullneti i popujve për të hyrë në këtë perandori të ringjallur janë shpeshherë naive, sidomos nëse shikohet nga aspekti i një projekti tjetër që formohet mbi baza të interesave konkrete të shteteve të ndryshme siç është ai i Unionit Evropian dhe NATO -s.

Ballkani i ri si urë ndërlidhëse mes Afganistanit dhe Evropës me rolin qendror të Turqisë nuk mund të ndërtohet vetëm mbi baza emotive, as me oferta të paketuara me një fjalor të butë demokratik, siç është bie fjala bashkëjetesa shumëkulturore. Kjo tezë i acaron sidomos boshnjakët ngaqë hapë një kapitull tragjik që shumë vështirë do të korrigjohet. Shumëkulturalizmi në historinë e popujve të Ballkanit gjatë kohëve do të funksionojë si një ngjarje tragjike që i ka traumatizuar të gjithë popujt e Ballkanit.

Ofertat e këtilla retorike-emotive, krahasuar me ofertat reale të strukturave perëndimore perceptohen si një fyerjeje jo vetëm për ndjenjat e qytetarëve të traumatizuar, por edhe të intelektit të çdo populli që tashmë premtimet joreale i vlerësojnë si një cinizëm kardinal. Si do të interpretohej teza “Se ne (Davutogllu) parapëlqejmë një rajon ballkanik, të bazuar në vlera politike, ndërvarësinë ekonomike dhe harmoninë kulturore?”

Kush nuk e parapëlqen këtë? Cila do të jetë përgjigja e serbëve dhe grekëve bie fjala? Serbët reaguan shumë ashpër kundër vizitës së presidentit turk Abdulla Gylit në Beograd dhe mund të merret me mend se si do të reagonin ndaj idesë së shumëkulturalizmit, nën patronazhin turk.

Ose si do të interpretohej nga çdokush fjalia se “gjatë viteve të ’90-të jemi ballafaquar me shumë vështirësi në BE, në Kosovë dhe në Maqedoni. Kur shfaqen problemet e këtilla, nga e kthejnë kokën boshnjakët, shqiptarët dhe maqedonasit? Nga Turqia! Kësaj i thonë “lidhje historike”,- konstaton Davutoglu.

Ky projekt i rikthimit të Ballkanit në një perandori aziatike-evropiane vjen ndesh me vetë premisat e Politikës së Jashtme të proveniencës së Ataturkut. Ai nuk pranonte se në Turqi jetojnë popuj të tjerë, por as tezën se jashtë Turqisë jetojnë turqit. Ai madje përfundimisht refuzoi që ta pranojë rolin e Kalifit, duke përdorur argumentin se shumë shtete myslimane i kanë udhëheqësit e tyre politikë të cilët nuk do të pranojnë të kontrollohen nga një Kalif.

Duke klithur se ardhmëria e popujve të Ballkanit është e përbashkët me atë Turqisë, Kavkazit, Lindjes së Mesme, Afganistanit, me Turqinë në qendër do të bëhet strumbullar i politikës botërore në të ardhmen. Në këtë projekt përfshihen edhe çeçenët, afazët dhe të tjerët që kanë qenë të sunduar nga osmanët.

Ministri i Jashtëm turk, Davutoglu, mbase ka ndonjë argument të fshehtë kur pohon se integriteti territorial i Bosnjës është njësoj i rëndësishëm sesa i Turqisë.
Në pyetjen e gazetarit, se për kë bënte tifo në ndeshjen e futbollit ndërmjet Turqisë dhe Bosnjë – Hercegovinës, z Davutoglu tha se zemrën e paska të ndarë dhe fjalinë e përfundon me “ne e mundëm ne” (vetveten). Me këtë fjali ai merr një duartrokitje të gjatë nga auditori.

Evropa bashkë me SHBA-të shpenzojnë miliarda dollarë për t’u ardhur në ndihmë shteteve të Ballkanit që të integrohen në Bashkimin Evropian, por prapë hasin në vështirësi. Vallë a do të mund Turqia ta ringjallë Perandorinë Osmane vetëm mbi argumente nostalgjike? Pra, a ka mundësi që edhe një herë Davidi ta mundë Golijatin? Sipas mbiemrit Davutogllu do të thotë i biri i Davidit. Pale…

Tani për tani këto ide shënuan vetëm një fitore, edhe atë kundër nesh: e nxorën jashtë Institutin e Trashëgimisë Shqiptare (që në popull u identifikua me emrin e Pjetër Bogdanit) nga objekti i periudhës osmane “Kapan Han”. Ky akt hap të paktën dy dilema:
– kujt i takon trashëgimia osmane jashtë Turqisë?

– a ka vend për kulturën shqiptare, Pjetër Bogdani është një kapitull i madh i kësaj kulture, në konceptin e ri të osmanizmit?
Sipas të gjitha gjasave jo.

Arbën Xhaferi 2009

Analistët amerikanë për tensionet Serbi-Kosovë dhe rolin e Perëndimit

Ambasadori Frank Wisner dhe Profesor David KaninNdërsa Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara angazhohen në një raund tjetër diplomacie për të shmangur tensione të mëtejshme mes Kosovës dhe Serbisë, dy njohës amerikanë të marrëdhënieve të vështira mes dy vendeve, bien dakord se megjithë përplasjet për targat dhe dokumentat e identifikimit, problemi kryesor është mosnjohja e Kosovës nga Serbia. Por ish-i dërguari i posaçëm për bisedimet për statusin, Frank Wisner dhe ish-analisti i lartë i CIA-s për Ballkanin dhe Evropën, David Kanin kanë qëndrime të ndryshme për rolin e Perëndimit dhe ndikimin që mund të ushtrojë. Në intervista për Zërin e Amerikës ata thonë se nuk besojnë që ekziston rreziku për dhunë në përmasa të mëdha në rajon, por se situata gjeopolitike e bën gjendjen më të brishtë.

 

Bisedimet mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç javën e kaluar nuk dhanë rezultat dhe kanë mbetur vetëm pak ditë deri në 1 shtator kur pritet të hyjnë në fuqi masat e Prishtinës për reciprocitet për targat dhe dokumentet e identifikimit.

Ish-i dërguar i posaçëm amerikan për bisedimet për statusin mes Kosovës dhe Serbisë, Frank Wisner thotë “nga përvoja ime personale në çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, një raund bisedimesh nuk zgjidh kurrë asgjë. Duhet të kesh raunde të mëtejshme”.

Zoti Wisner thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se çështja e reciprocitetit për dokumentat e identifikimit dhe targat duhet të zgjidhet në mënyrë që palët të përqendrohen tek normalizimi i marrëdhënieve.

Por për ish-analistin e lartë të CIA-s për Ballkanin dhe Evropën David Kanin… “ka vetëm një problem mes Serbisë dhe Kosovës, ai i statusit të Kosovës”.

Sot profesor për Studime Evropiane në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, ai i thotë Zërit të Amerikës se përpjekjet perëndimore dhe amerikane për të zgjidhur përfundimisht këtë problem, kanë dështuar.

“Çështja e targave është thjesht pjesë e këtij problemi dhe duhet pasur parasysh se ky është konteksti i krizës aktuale”, thotë zoti Kanin.

Ambasadori Wisner thotë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë shprehur qartë që nuk pajtohen me qëndrimin e Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentave të identifikimit.

“Por ne në të vërtetë kërkojmë shumë më tepër se kaq: ne kërkojmë një normalizim të marrëdhënieve ndërmjet një Kosove të pavarur dhe Serbisë. Ky qëndrim është i palëkundur nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe BE-së”, tha zoti Wisner.

Ai thotë se kjo nuk do të jetë e lehtë.

“Unë nuk parashikoj që njohja të vijë nesër, por është objektivi përfundimtar, është ajo që duan Shtetet e Bashkuara. Por aty mund të arrish vetëm hap pas hapi”, vlerëson zoti Wisner.

Ai thotë se angazhimi i të dërguarit të posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe vizita e tij këtë javë në dy vendet, është një sinjal i fuqishëm nga ana e Uashingtonit se është plotësisht në krah të BE-së për një zgjidhje paqësore.

“Ky qëndrim zyrtar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës vjen në kohën e duhur, është i fuqishëm dhe efektiv dhe nënkupton përkushtimin e plotë të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, thotë më tej ai.

Uashingtoni thotë se rezultati përfundimtar i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, por sipas prof. Kanin, qëndrimi amerikan është bërë statik.

“Administratat nga të dyja partitë, nuk kanë arritur të kenë sukses me njohjet e mëtejshme të Kosovës, nuk kanë arritur të sigurojnë njohjen nga pesë anëtarët e BE-së, që nuk e kanë njohur atë”, vlerëson profesori Kanin.

Ai thotë se në kushtet aktuale Bashkimi Evropian mund të bëjë përpjekje për marrëveshje për çështje teknike dhe të thotë se po ecet në drejtimin e duhur.

“Por ato do të ishin vetëm fasadë. Çështja është statusi i Kosovës. Unë nuk besoj se Perëndimi është në një pozicion ta shtyjë procesin përpara”, shton më tej ai.

Profesori Kanin u referohet përpjekjeve sipas tij të pasuksesshme pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës për ta konsoliduar pozitën e saj ndërkombëtarisht, por edhe marrëveshjes së vitit 2013 që ai e konsideron të pafavorshme për Kosovën, përfshirë Asociacionin e Komunave Serbe. Ai thotë se për këtë arsye Serbia është në një pozitë më të favorshme.

Por për ambasadorin Wisner, Serbia ka mjaft për të humbur, nëse këmbëngul në qëndrimin e mosnjohjes.

“Besoj se është Serbia ajo që do të paguajë një çmim afatgjatë, duke vazhduar të jetë e paarsyeshme për një çështje që është e vendosur, e përcaktuar në shkallë ndërkombëtare, dhe partnerët kryesorë të Serbisë në Perëndim, e mbështesin atë (pavarësinë e Kosovës). Kështu që shpresoj që të vijë një ditë që Beogradi ta pranojë realitetin”, thotë zoti Wisner.

BE-ja dhe NATO-ja kanë paralajmëruar vazhdimisht kundër dhunës në rajon. Zoti Kanin nuk beson se ka rrezikshmëri për dhunë në shkallë të gjerë, por potenciali mbetet.

“Por në një moment të caktuar një nga këto kriza mund të sjellë dhunë, sepse përsëri, statusi i Kosovës mbetet një çështje e hapur dhe një plagë e hapur në sigurinë evropiane”, thotë ai.

Ambasadori Wisner thotë se udhëheqësit ballkanikë në përgjithësi nuk duan të shohin një kthim tek dhuna.

“Ata mund të bëjnë përpjekje maksimale për të siguruar avantazhe politike, por e kam vështirë ta imagjinoj që të ketë një rikthim tek krizat e fundit të viteve 1990”.

Rëndësia e ruajtjes së sigurisë në rajon, duke pasur parasysh tensionet e fundit, u nënvizua kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se forcat paqeruajtëse të KFOR-it janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria në Kosovë.

Ambasadori Wisner thotë se angazhimi i NATO-s është shumë i rëndësishëm.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht NATO-n, janë pjesë e saj, pjesë e forcës së NATO-s në Kosovë. Vënia e theksit tek fakti se NATO-ja nuk do të qëndrojë duarkryq kur Serbia kërcënon sigurinë e Kosovës për këtë çështje, është pikërisht qëndrimi i duhur. Kjo tregon, edhe pa u thënë shprehimisht, përkushtimin e plotë të Shteteve të Bashkuara në mbështetje të qetësimit dhe të një zgjidhjeje të situatës”, thotë zoti Wisner.

Ai thotë se e sheh deklaratën e presidentit Vucic se nëse NATO nuk i mbron serbët e veriut të Kosovës, Serbia do ta bëjë një gjë të tillë, thjesht si një deklaratë bombastike politike.

“Nuk mund ta imagjinoj që qeveria e Serbisë të mendojë të shkojë në luftë për dokumentet e identitetit, dhe targat dhe të sfidojë fuqinë e plotë të përkushtimit të NATO-s ndaj Kosovës”, vlerëson zoti Wisner.

Edhe Prof. Kanin thotë se deklarata e zotit Vuçiç është një qëndrim për konsum të brendshëm dhe se në fakt ai mbështetet tek KFOR-i që të mos lejojë ndonjë veprim kundër serbëve.

Ai e konsideron vizitën e Ministrit të brendshëm serb Aleksandar Vulin dhe komentet e tij në Moskë, si vazhdimësi e qëndrimit të dyzuar të Serbisë ndaj Rusisë dhe Perëndimit.

 

Ai thotë se Presidenti serb është komod të ulet në dy karrige.

“Ka pasur disa raste kur Vuçiç anon nga Perëndimi. Në situata të caktuar anon nga rusët. Vuçiç ankohet gjithmonë se është një situatë të vështirë, gjithmonë ankohet për kërcënimet nga ky apo ai, se Serbia është e kërcënuar nga të gjitha anët. Ai i thotë të gjitha këto dhe e mban këtë qëndrim të dyzuar me shumë zotësi për konsum politik të brendshëm. Sipas mendimit tim, në fakt pozicioni i Serbisë është mjaft konstant, mjaft jokomod, por ai nuk është i kërcënuar nga asnjëra anë”, vlerëson profesori Kanin.

Por me gjithë rolin e BE-së dhe SHBA-së, megjithë përpjekjet e Moskës për të ndërhyrë në përpjekje për të larguar vëmendjen nga lufta në Ukrainë, ekspertët thonë se në fund të fundit, janë vetë Kosova dhe Serbia që do të vendosin për të ardhmen e tyre. Zoti Kanin thotë se qëndrimet e palëve mund të ndryshojnë për mirë ose për keq.

“Ato mund t’i çojnë gjërat përpara, ose mund t’i kthejnë prapa, por duhet të vijnë nga brenda rajonit. Perëndimi i ka ezauruar të gjitha mundësitë. Perëndimi ka bërë të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë kohës”.

Ambasadori Wisner thotë se palët duhet të mendojnë për të ardhmen.

“U takon dy qeverive në Beograd dhe Prishtinë të gjejnë mënyra për të bërë hapa përpara që do të sillnin mirëkuptim në rajon dhe që do të lejonin zgjidhje praktike për problemet praktike, për t’i dhënë kohës një shans që të sjellë ndryshim në çështjen e përgjithshme të njohjes.”

Megjithëse rajoni i Ballkanit nuk është fushëbetejë kryesore në luftën që po kërcënon sigurinë evropiane, angazhimi diplomatik perëndimor për shmangien e tensioneve të mëtejshme, nënvizon përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin në një front tjetër në kontinent.

voa