Tensionet në Veriun e Kosovës, autoritetet në Tiranë mbështetje të hapur Prishtinës

TiranaNë Shqipëri, autoritetet më të larta shtetërore dhe politike të vendit reaguan sot në mbështetje të autoriteteve në Kosovë për zbatimin e masave të reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe, që çuan mbrëmë në përshkallëzimin e tensioneve në Veri nga ana e qytetarëve serbë që bllokuan rrugët drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë.

 

Presidenti Bajram Begaj, gjatë takimit më kryeministrin e Spanjës Pedro Sanchez ka përshëndetur “autoritetet e Kosovës për maturinë e treguar, që në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë shmangën një provokim të rëndë për stabilitetin e Kosovës, veçanërisht në këtë situatë të ngarkuar me kërcënime e rreziqe të mëdha e të shtuara, për paqen dhe sigurinë për rajonin tonë pas agresionit rus në Ukrainë”. Më vonë, presidenti Begaj pati dhe një telefonatë me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, ku theksoi ndër të tjera se “vetëm nëpërmjet një dialogu konstruktiv dhe intensiv do të mund të adresohen drejtë të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë”.

 

Kryeministri Edi Rama duke komentuar zhvillimet e mbrëmshme foli për “një përshkallëzim krejtësisht të paarsyeshëm pasi qeveria e Kosovës ka të drejtën, jo vetëm të drejtën, por edhe detyrën, që të zbatojë marrëveshjet, duke ushtruar sovranitetin territorial, që buron nga një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara me palën tjetër janë marrëveshje për t’u zbatuar, nuk janë marrëveshje për t’u diskutuar” deklaroi ai duke i bërë “thirrje autoriteteve në Beograd, Presidentit të Serbisë, që të mos ushqejë me asnjë lloj justifikimi dhe asnjë lloj alibie për grupe të caktuara në veriun e Kosovës, që për arsye të tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshjeje, që jo vetëm duhet zbatuar, por është e vlefshme të zbatohet edhe për t’i dhënë më shumë besueshmëri dialogut mes Serbisë dhe Kosovës”.

Këto komente zoti Rama i bëri gjatë konferencës së shtypit me homologun e tij Pedro Sanchez, në të parën vizitë në Tiranë të një kryeministri spanjoll. Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, pasi siç u shpreh dhe sot zoti Sanchez “ne mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare, ndaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. Me gjithë respektin që kemi për popullin shqiptar, por është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare”.

Kryeministri Rama replikoi menjëherë: “Ju jeni në të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme, nuk ka asnjë problem; unë jam në të drejtën time t’iu them që e kundërta është e vërtetë”, deklaroi ai.

Vizita e zotit Sanchez në Tiranë ishte në kuadër të një turi në rajonin e Ballkanit, ku Kosova ishte i vetmi vend që ai e anashkaloi. “Kjo – theksoi kryeministri spanjoll – nuk tregon që në kuadrin europian të mos jemi në përkrahje të punës të përfaqësuesve tuaj dhe nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar ndaj Bashkimit Europian”.

Duke ju rikthyer zhvillimeve të mbrëmshme, kryeministri Rama tha se “e përgëzoj kryeministrin e Kosovës, i përgëzoj autoritetet në Kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen, por për t’i dhënë kohë, kohës për të sqaruar, nëse ka nevojë të sqarohet çfarëdo qoftë, në mënyre që kur marrëveshja të hyjë në fuqi, të mos ketë probleme të kësaj natyre”.

Zoti Rama, këmbënguli disa herë në nevojën e ndërtimit të mekanizmave të paqes, për më tepër në situatën e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë. “Pikërisht sepse Rusia ka një potencial ndikimi deri në një përshkallëzim që mund të çojë në luftë këtu në Ballkan ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm dhe duhet të jemi shumë të vendosur për të vazhduar në rrugën e forcimit të lidhjeve që ndërtojnë paqe”.

Një nga ideatorët, së bashku me presidentin serb Aleksandar Vuçiç të Ballkanit të Hapur, nismës së kundërshtuar me forcë nga Kosova, zoti Rama tha se “këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm apo është i gabuar, këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit, dialogut, ndërtimit të paqes është e panevojshme apo është e gabuar. Këto situata tregojnë, pikërisht, pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur”, u shpreh ai duke shtuar se “unë besoj shumë fort te fuqia e njerëzve kur ulen rreth një tryeze edhe kur janë komplet në pozicione të ndryshme me njëri-tjetrin. Asgjë nuk vjen nga qëndrimi në distancë dhe nga qëndrimi me kurriz përveç se moskuptimi i tjetrit, i arsyeve të tjetrit”.

Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi më tej rëndësinë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. “Kosova duhet të jetë shumë e angazhuar në dialogun me Serbinë. Edhe sikur Serbia të mos dojë, Kosova duhet ta kërkojë dialogun pa pushim, pa pushim, pa pushim. Kjo është arsyeja pse bashkëpunimi me aleatët strategjikë, me Shtetet e bashkuara, me Bashkimin Europian është domosdoshmëri dhe mbi të gjitha pa atë dialog dhe pa njohjen reciproke, strategjikisht e ardhmja nuk është aq e ndritur sa mund të ishte. Me armiqtë bëhet paqja, nuk bëhet me miqtë. Me miqtë bëhet sherri. Paqja bëhet me armiqtë”, deklaroi kryeministri Rama.

Për zhvillimet në Kosovë, reagoi dhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla. “Parimi i drejtë i reciprocitetit duhet zbatuar me maturi, vetëpërmbajtje nga të dy shtetet dhe në konsultim me ShBA-të dhe BE-në. Përmbajtja e Qeverisë së Kosovës dhe bashkëpunimi i saj me partnerët ndërkombëtarë nuk tregojnë dobësi, por fuqinë që buron nga e drejta, si edhe vizionin e pjekurinë e Qeverisë së Kosovës”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Duke vlerësuar shtyrjen 30 ditore të zbatimit të vendimit të reciprocitetit, ministrja e Jashtmë Olta Xhaçka, nënvizoi se “Kosova ka çdo të drejtë të ushtrojë sovranitetin e saj mbi çdo centimetër katror të territorit të saj. Të gjithë aktorët e përfshirë në aktet destabilizuese të 24 orëve të fundit, duhet të mbajnë përgjegjësi për veprat e tyre kriminale. Ne qëndrojmë përkrah Kosovës dhe u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve dhe aleatëve tanë që të flasin njëzëri, kundër retorikës në rritje dhe kërcënimeve për dhunë ndaj Kosovës”.

Partia Demokratike po ashtu i dha “mbështetje të plotë qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj ligjzbatuese, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime dhe sovrane, për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë territorin e Republikës. Ne e inkurajojmë si të drejtë vendimin e qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitet në marrëdhëniet me Republikën fqinje të Serbisë”, deklaroi anëtari i kryesisë së PD-së, Aldo Bumçi, duke i bërë thirrje qeverisë së Serbisë, “t’u përmbahet të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut, dhe t’i zbatojnë ato pa vonesë. Ne dënojmë përpjekjet e Serbisë, përmes deklaratave dhe veprimeve që nxisin konfliktin, synojnë destabilizimin e Kosovës, dhe janë me pasoja për të gjithë rajonin”.

Nga ana e tij, ish presidenti Ilir Meta, i cili drejton Partinë e Lirisë deklaroi se “ngjarjet e mbrëmshme janë tregues i qartë që Serbia nuk është e interesuar të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar, të firmosura në Bruksel me Kosovën, përkundrazi i bllokon ato dhe i keqpërdor maksimalisht vetëm në interes të politikave destruktive dhe destabilizuese duke u fshehur pas grupeve kriminale në Veri të Republikës së Kosovës”. Sipas tij “Bashkimi Europian duhet të jetë më këmbëngulës dhe të detyrojë Serbinë të zbatojë marrëveshjet e firmosura me Kosovën, si dhe të jetë i qartë se çdo tendencë për destabilizimin e rajonit do të dënohet dhe do të ndëshkohet ashpër”.

voa

Zhbllokohen rrugët në veriun e Kosovës – rihapen vendkalimet kufitare me Serbinë

zhbllokimiAutoritetet në Kosovë thanë se të gjitha të gjitha pengesat që ishin vendosur një ditë më parë nga grupe protestuesish serbë në veriun e vendit janë larguar dhe kësisoj janë hapur edhe vendkalimet kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak.

 

Grupe qytetarësh serbë të mbështetur nga Beogradi u hodhën në protesta të dielën kundër vendimeve të qeverisë së Kosovës për masat e reciprocitetit me Serbinë, lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Qeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimeve, pas këshillimit me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. Kjo kërkesë u bë edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha në orët e mbrëmjes të së hënës se “me largimin e barrikadave dhe sigurimin e lirisë së lëvizjes, Qeveria e Kosovës zhvendos zbatimin e vendimeve për datën 1 shtator 2022”.

Sipas vendimeve që qeveria i shtyu, të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, duhet t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

Vendimet nxitën reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili akuzon Prishtinën se kësisoj po përpiqet të dëbojë serbët e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bëri thirrje ndërkaq “kryeqendrave perëndimore, Bashkimit Evropian dhe NATO-s që të dënojnë dhunën dhe agresionin e bandave kriminale në veri të Kosovës të cilët janë qartazi të nxitura, të përgatitura e financuara nga Beogradi”.

Policia tha se të paktën 11 qytetarë shqiptarë janë sulmuar nga grupet e protestuesve serbë dhe ka pasur të shtëna në drejtim të policisë, por nuk pati të plagosur.

Forcat paqeruajtëse të drejtuara nga NATO-ja thanë sot se po vëzhgojnë nga afër situatën në veri të Kosovës me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë. KFOR-i tha se “mbetet fuqishëm i përkushtuar ndaj sigurisë, i gatshëm të zbatojë masat e nevojshme për ta mbajtur Kosovën të sigurt”.

Bashkimi Evropian tha se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të trajtohen nëpërmjet bisedimeve të lehtësuara prej tij dhe duke u përqendruar në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet tyre që janë thelbësore për rrugën drejt integrimeve evropiane.

“Bashkimi Evropian ka ftuar të dyja palët që të takohen në Bruksel për të diskutuar mënyrën dhe për të gjetur zgjidhje që të parandalohen sërish tensione të tilla”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, duke nënvizuar se çdo veprim pa bashkërendim dhe i njëanshëm që kërcënon qëndrueshmërinë dhe rrezikon lirinë e lëvizjes, duhet të ndërpritet.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Stephane Dujarric, tha të hënën se organizata po ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë dhe “mirëpresim shtyrjen e zbatimit të vendimeve që kanë çuar në ngritjen e tensioneve në terren”, ndërsa ritheksoi thirrjet që “palët që t’i trajtojnë çështjet në mirëbesim përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për të forcuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë për të gjithë”.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, ajo kundërshtohet nga Serbia e mbështetur nga Moska e cila të dielën akuzoi autoritetet e Kosovës për “veprime diskriminuese”.

voa

“Korridori Blu”/ Rama: Gati për të nisur një nga projektet më të rëndësishme në vend, afron ndjeshëm jugun me veriun e vendit

ramaKryeministri i vendit Edi Rama, ka lajmëruar ditën e sotme, me anë të një konferencë bashkë me zëvëndëskryeministren Belinda Balluku, se gjithçka është gati dhe së shpejti do të nisë projekti me rëndësi madhore për infrastrukturën dhe ekonominë e vendit.

 

Rama u shpreh se “Korridori Blu” me aksin Milot-Fier, është një projekt jo vetëm kombëtar, po edhe rajonal e Europian, pjesë e European Connectivity Network.

Ky projekt I cili lidh Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë me unazën mesdhetare që sot për sot ndalet në jug të Kroacisë, por ndërkohë lehtëson pafundësisht edhe lidhjen me Kosovën, si edhe afron ndjeshëm Veriun me Jugun e Shqipërisë

Fjala e Ramës:

Ishte kjo një ditë shumë e rëndësishme për të qenë edhe personalisht i pranishëm sepse nuk bëhet fjalë për një nga veprat e infrastrukturës, por bëhet fjalë për një vepër madhore me një vepër madhore me një impakt të jashtëzakonshëm dhe me angazhimin e volumin më të madh financiar për realizimin e saj.

Është një vepër e shumë pritur prej shumë vitesh.

Është një vepër të cilën qysh në krye të herës, ne arritëm ta përfshijmë në rrjetin e qarkullimit europian.

Është një vepër që e futëm në kanalin e financimeve në kuadër të procesit të Berlinit, por koha që na mori ai proces në pritje të financimit ishte e gjatë dhe ne vendosëm pastaj të ecim vetë, ashtu sikundër fatmirësisht nuk shkoi e gjitha dëm sepse mundëm të marrim nga WBIF të gjithë asistencën e nevojshme, e cila sot vazhdon edhe me segmentin që për momentin është lënë mënjanë ai i Milot-Murriqan që sapo të përmbyllet konsulenca, do të hyjë dhe ai në procesin e garës dhe do të kthehet dhe ai segment në një kantier dhe kështu do të kemi që nga hyrja në Murriqan dhe deri poshtë në Fier të gjithë boshtin e Korridorit Blu që do t’i shërbejë drejtpërdrejt të gjitha zonave pa diskutim që janë rreth këtij korridori, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë turizmit dhe bujqësisë, do t’i shërbejë drejtpërdrejtë një transformimi të mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit tonë dhe do t’i shërbejë edhe vetë lëvizjes në unazën më të madhe që është unaza në fjalë e Mesdheut.

Do ta bëjë Shqipërinë shumë më të aksesueshme nga pikëpamja turistike, përmes tokës, gjë që sot për shembull prej shumë vitesh tanimë, Kroacia e gëzon gjerësisht si rezultat i pozicionit të saj, por edhe si rezultat i infrastrukturës që ka dhe pa diskutim do t’i japi fund të gjithë kësaj periudhe dhjetëra vjeçare vështirësish në këtë aks, sidomos nga kthesa e Kamzës apo Kashari lart në Milot, në Lezhë dhe drejt Shkodrës ku standardet janë përmirësuar pa diskutim, por prapë problemet e sigurisë janë evidente.

Do të jetë siç tha ministrja një aks me certifikatë sigurie të Bashkimit Europian, në sensin që nuk do ketë nga ato trampolinat, pishinat, depot, magazinat, palmat, makinat që pozojnë në dy anët e rrugës, duke krijuar një rrezik permanent, por do të jetë një aks shpejtësie, i cili patjetër do të jetë një vlerë e shtuar edhe si pjesë e lëvizjes nga rruga e Kombit, drejt poshtë për në Durrës apo edhe më tej për në Vlorë.

Nuk është i gjithë segmenti. Është një pjesë e tij, siç e tha dhe ministrja, siç e patë dhe në projeksion segmenti pastaj vazhdon më tej në pjesën juglindore të vendit, por është pjesa më strategjike dhe është pjesa më kritike e korridorit blu.

Unë jam shumë besimplotë që gara do të jetë e suksesshme nga mënyra si është organizuar është sikundër më vjen shumë mirë që ta kujtoj sot që të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, për gjoja një kompani që e kishte fituar përpara, për gjoja një korrupsion të madh e bla, bla, bla rezultuan të gjitha një vrimë e madhe në ujë sepse faktikisht gara u bë me një rigorozitet të atillë që edhe një kompani shumë e madhe që u paraqit, nuk arriti dot ta merrte për shkak se oferta e saj nuk ishte në interes të vendit dhe në interes të pjesës që ne përfaqësojmë, që është interesi i publikut me afate jashtëzakonisht të gjata dhe me disa kërkesa që ne nuk mund t’i plotësonim.

E fundit që kam është që me këtë korridor mbyllet një pjesë e madhe e rrjetit kryesor të Shqipërisë ndërkohë që ne po punojmë edhe për projektin e zgjerimit të rrugës nga Elbasani në Qafë-Thanë dhe po punojmë përsëri me Bashkimin Europian dhe Planin Ekonomik të Investimeve që Korridori i 8-të jetë një realitet në pikëpamje të çdo standardi, jo thjeshtë një rrugë e hapur për të kaluar, siç është sot, dhe faza tjetër është faza e hekurudhave.

Aeroportet tanimë janë të gjitha në proces, aeroportin e Rinasit e kemi në një nivel tjetër nga pikëpamja e kapaciteteve përpunuese qysh prej pak ditësh, fare pak ditësh, aeroportin e Vlorës e kemi kantier me një ecuri fantastike dhe lajmi i mirë është që Aeroporti i Mynih, i cili është dhe operatori i parashikuar për Vlorën, ka lancuar një tender të vetin atje përsa i përket gjithë mjeteve të logjistikës së operimit, gjë që konfirmon, nga njëra anë, kredibilitetin e plotë të projektit, konfirmon standardet e projektit sepse Aeroporti i Mynih nuk mund të hyjë në një projekt që shkel standarde edhe europiane edhe mjedisore, sikundër është përfolur kot më kot apo edhe të transparencës, dhe konfirmon, po ashtu, suksesin e garantuar të atij projekti sepse Aeroporti i Mynihut nuk mund të futet në një projekt që është një ecje pa sëpatë në pyll, kur i thonë fjalës.

Aeroporti i Kukësit ka filluar të rritet ngadalë, por në mënyrë të qëndrueshme.

Planet për aeroportin e Kukësit janë të qarta dhe ne jemi të bindur që në një kohë të arsyeshme do jetë një pikë referimi për gjithë zonën që prek, qoftë anën tonë në Shqipëri, qoftë anën e Kosovës, madje edhe më gjerë se kaq, përveç atyre shërbimeve që do të ofrojë.

Së shpejti do hapet gara për aeroportin e Sarandës.

Pra, me portat e qiellit ne kompletojmë të gjithë rrjetin që kemi paraparë.

Me infrastrukturën rrugore, kjo vepër pothuajse e mbyll të gjithën në akset kryesore e pastaj mbetet për t’u futur më thellë në territore, ashtu sikundër mbetet për t’u rritur kapacitetet mirëmbajtëse dhe cilësinë në tërësi të mirëmbajtjes, por nuk mbeten investime shumë madhore, masivisht, si ato që kemi përballuar.

Thuhet shumë shpesh që “Rrugët u bënë”. Jo, nuk u bënë, faktikisht. Një pjesë e rrugëve, për të cilat u tha se u bënë, thjeshtë u tenderuan dhe u lëshuan rrugëve, por si vepra ato kanë mbaruar dhe po mbarojnë, ende sot që flasim, në këtë fazë. Tjetër është të hapësh gara me projekte mizerabël, që të detyrojnë pastaj të rikthehesh disa herë, të rrisësh financimin, të dalësh përtej parashikimeve buxhetore me shumëfish, siç ndodhi me rrugën e Elbasanit, dhe tjetër është të bësh vepra nga fillimi në fund.

Tjetra fazë është faza e hekurudhave që fillon, faktikisht, kemi filluar me Tiranë-Durrës, por që kemi shumë për të bërë aty, qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit e qoftë me hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe qoftë dhe me hekurudhën e Korridorit të 8-të.

Këto janë ambicie, por jo ambicie thjeshtë në hava, por ambicie që po materializohen hap pas hapi në procese të ndryshme, procese studimesh dhe projektimesh, procese fizibiliteti, procese të realizimit të investimeve.

Shumë faleminderit dhe uroj dhe shpresoj që brenda një kohe të arsyeshme të jemi në kantier edhe në Korridorin Blu.

 

Top Channel

Përforcues për përforcuesit: kur vlen të bëhet vaksinimi i katërt kundër virusit korona?

vakcinaVaksinimi i katërt kundër koronës mendohen se përmirëson mbrojtjen kundër rrjedhave të rënda të sëmundjes. Por kur dhe për kë rekomandohet një vaksinë e katërt?

 

Koha kalon, por korona vazhdon të shoqërojë dukshëm jetën e njerëzve. Ndërkohë, vaksina e katërt është gati – përforcuesi për vaksinimin përforcues. Deri tani, atë e kanë bërë 6.6 milionë gjermanë, shumica e tyre mbi 60 vjeç. A rekomandohet vaksinimi edhe për publikun e gjerë – dhe nëse po, prej kur?

Kush duhet të vaksinohet?

Mendimet e ekspertëve gjermanë në këtë pikë dallohen. Komisioni i Përhershëm për Vaksinimet (STIKO) deri tani ka vlerësuar se një vaksinim i dytë përforcues është i nevojshëm vetëm për një pjesë të vogël të popullsisë. Ai rekomandon vaksinimin e katërt për pacientët me sistem imunitar të dobët, banorët e shtëpive të përkujdesjes, stafin në objektet mjekësore dhe njerëzit e moshës mbi 70 vjeç.

Nga ana tjetër, Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë dalë në favor të një vaksinimi të dytë përforcues nga mosha 60 vjeçare. Kjo për të shmangur valët e mëdha të sëmundjeve dhe mbingarkesën e spitaleve gjatë valës aktuale të verës.

Sipas gjendjes aktuale të njohurive, njerëzit, sistemi imunitar i të cilëve nuk reagoi në mënyrë optimale ndaj tre vaksinimeve të para, mund të përfitojnë veçanërisht nga një vaksinim i katërt. Ky vlen veçanërisht për të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar. Një test gjaku mund të ndihmojë në vlerësimin e mbrojtjes imune. Por deri tani vetëm pak njerëz tregojnë një përgjigje shumë të dobët imune, vëren Andreas Radbruch nga Qendra Gjermane për Kërkimin e Reumatizmës në Berlin. Për njerëzit që reaguan mirë ndaj tre vaksinave të para, sipas tij, vaksinimi i katërt nuk do të ishte vërtet i nevojshëm.

Ministri Federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach sugjeron që të rriturit nën moshën 60 vjeç të bëjnë një vaksinë të katërt në raste të caktuara. Ai u rekomandon të rinjve që të kontaktojnë mjekun e tyre të përgjithshëm për vaksinimin e katërt. Ai njeh shumë mjekë të përgjithshëm, të cilët më pas do të merrnin një vendim individual. Për personat nën 60 vjeç, vaksinimi i katërt mund të jetë i dobishëm në disa raste, veçanërisht kur ata kanë “shumë kontakte”.

Kur duhet të vaksinoheni?

Ashtu si vaksinimi i tretë, vaksinimi i katërt duhet të bëhet në një distancë të konsiderueshme nga vaksinimi i mëparshëm ose sëmundja korona – idealisht jo më pak se gjashtë muaj pas. Sipas STIKO-s, pacientët në rrezik megjithatë mund të vaksinohen më herët. Te ata, mbrojtja nga vaksinat në përgjithësi ulet më shpejt. Megjithatë, sipas rekomandimit, duhet të kenë kaluar të paktën tre muaj nga vaksinimi i tretë.

Kjo pauzë është e nevojshme sepse maturimi optimal i qelizave imune kërkon kohë. Përveç kësaj, qelizat e memories të formuara më parë duhet të riaktivizohen, shpjegon Christian Bogdan, specialist i imunologjisë infektive dhe anëtar i STIKO.

Cilat janë efektet anësore të një vaksinimi të katërt?

Vaksinimi i tretë, pra përforcuesi i parë, paraqet në studim efekte anësore të krahasueshme me ato të imunizimit bazë. Prandaj, ekspertët supozojnë se as me vaksinimin e katërt nuk duhet të pritet një rritje e efekteve anësore. Por deri tani ka pak të dhëna për këtë. Studimet e hershme në Izrael, megjithatë, tregojnë se vaksinimi i katërt përgjithësisht tolerohet mirë. Që nga fillimi i vitit aty ai u ofrohet personave mbi 60 vjeç.

Por edhe nëse tolerohet mirë, vendimi për t’u vaksinuar për herë të katërt duhet të merret duke marrë parasysh rreziqet dhe përfitimet – veçanërisht te të rinjtë, tek të cilët mbrojtja që ofron vaksinimi i katërt nuk është ende e qartë.

A ia vlen të presësh një vaksinë të përshtatur për të vaksinuar për herë të katërt?

Vaksinat aktuale të koronas tregojnë mbrojtje më të dobët kundër variantit Omikron të virusit në krahasim me variantin e mëparshëm Delta. Një vaksinë e përshtatur me Omikronin mund të mbushë këtë boshllëk.

Prodhuesit Moderna dhe BioNTech-Pfizer tregojnë se vaksinat e tyre të përshtatura mRNA japin rezultate të mira të efikasitetit kundër Omikronit në fazën e testimit. Problemi: deri tani, efektiviteti i vaksinave është matur vetëm në bazë të niveleve të antitrupave në gjak dhe jo bazuar në infektimin aktual midis atyre të testuar, siç kërkohet nga zyrtarët e certifikimit të studimeve. Është e paqartë se kur do të hidhen në treg vaksinat e përshtatshme.

Për më tepër, virusi vazhdon të evoluojë. Moderna dhe Biontech-Pfizer po punojnë për përshtatjen e vaksinës me variantin origjinal të Omikronit. Aktualisht, megjithatë, një variant tjetër, përkatësisht Omikron BA.5, dominon në rrjedhën e infektimeve. Kjo është arsyeja pse shumë ekspertë dyshojnë në vlerën e shtuar të vaksinave të përshtatura për shoqërinë në përgjithësi, të paktën në lidhje me situatën aktuale infektive. Prandaj nuk është ende e mundur të dihet se deri në çfarë mase vaksinat e përshtatura do të mbrojnë kundër variantit që do të mbizotërojë më pas në momentin e autorizimit të tyre.

Sa e gjatë është mbrojtja nga tri vaksinat?

Studimet e para tregojnë se mbrojtja nga vaksina gjithashtu zvogëlohet pas vaksinimit të tretë në javët dhe muajt në vijim. Por ajo mbetet e lartë pavarësisht: një studim amerikan tregon se mbrojtja nga shtrimi në spital dy muaj pas vaksinimit të tretë është 91 përqind – pas katër muajsh ishte ende 78 përqind. Të dyja shifrat janë shumë mbi vlerën e pragut prej 50 për qind të vendosur nga EMA për autorizim. Prandaj, shumë ekspertë besojnë se tre vaksina te njerëzit me një sistem imunitar të shëndetshëm janë të mjaftueshme për të ndërtuar një kujtesë të qëndrueshme imunologjike kundër SARS-CoV-2 dhe varianteve të mëparshme.

Të treja vaksinat mund të mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes për një kohë të gjatë, por nuk munden të mbrojnë gjithmonë nga një infektim, thotë Radbruch.

dw

Nis heqja e barrikadave në Rudarë

barrikadaBarrikada në fshatin Zupç, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak. 1 gusht 2022.

 

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë të cilët gjenden në Rudarë, kanë njoftuar se ka filluar tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.

Fshati Rudarë gjendet rreth pesë kilometra nga Mitrovica. Nëpër të kalon magjistralja për në Jarinjë.

rel

 

Pendarovski akuzon Moskën për ndërhyrje në Maqedoninë e Veriut

Pendarovski“Organet kompetente kanë informacione për persona që kanë hyrë në Maqedoninë e Veriut për të shkaktuar provokime gjatë protestave të fundit civile, por edhe për financimin e disa subjekteve politike”. Kështu tha në një intervistë për revistën maqedonase Fokus, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

 

Ai akuzoi Moskën për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij përmes financimit të “disa subjekteve politike”.

Kreu i shtetit nuk zbuloi emra, por tha se “bëhet fjalë për disa subjekte që janë në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën në vitet e fundit”.

“Përderisa artikulohen politikisht në institucione, është e mirë dhe demokratike. Por, më duhet të them se vërtet është për t’u çuditur se pak ditë pas pushtimit rus të Ukrainës, ‘E Majta’ e ftoi ambasadorin rus në Kuvend dhe e shpërbleu për kontributin e tij në marrëdhëniet dypalëshe, gjë që është e paprecedent. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë Kuvend evropian”, tha presidenti Pendarovski.

“E Majta” (Levica) është parti opozitare maqedonase, e cila drejtohet nga Dimitar Apasiev, ndërsa përfaqësohet nga dy deputetë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Është një nga partitë më të zëshme kundër marrëveshjes me Bullgarinë për çështjen e gjuhës dhe identitetit, ndërsa ishte edhe kundër Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit.

Ai nuk specifikoi nëse kjo parti politike financohet nga Moska, ndërsa ngriti shqetësimet edhe për veprimtarinë e agjenturave ruse, që sipas tij hyjnë në Maqedoninë e Veriut nga shtetet fqinje.

“Nuk mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme, por rusët po përpiqen të ndikojnë edhe përmes atyre kërcënimeve të quajtura moderne hibride”, theksoi Pendarovski pa përmendur emra shtetesh apo me çfarë veprimtarish merren konkretisht këto struktura.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme, nëse ka informacione mbi veprimtarinë e agjenturave të huaja, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

Ndërkohë, lidhur me pohimet e presidentit Stevo Pendarovski, ka reaguar partia e “E Majta”, e cila tërthorazi është përmendur si e afërt me politikën ruse.

Deputeti Branisllav Krmov ka thënë për Radion Evropa e Lirë se institucionet duhet të hetojnë nëse “E Majta” financohet nga Rusia apo nëse ka ndonjë lidhshmëri me politikën e Moskës.

“Është simptomatike dhe ironike që njerëzit që kanë ndërtuar karrierën me para të huaja, tani të akuzojnë për ndikime të jashtme apo shfrytëzim të mjeteve financiare nga jashtë. Situata është e pastër, financimi i partive politike me para nga jashtë paraqet vepër penale”.

“Nëse kanë fakte lirisht le të hetojnë gjithçka, nëse jo atëherë le t’u japin fund shpifjeve dhe përhapjes së të pavërtetave në opinion”, ka thënë Krmov duke i hedhur poshtë edhe pohimet e presidentit për takimin me ambasadorin rus, Sergei Baznikin, dhe ndarjen e një mirënjohjeje menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë.

“Para takimit me ambasadorin rus, ne takuam dy ambasadorë të tjerë, të Francës dhe Kroacisë, vende këto anëtare të BE-së. Në këtë rast, a mund të flasim për ndikime të shteteve të BE-së? Ne nuk kemi ftuar asnjë ambasador, ne u përgjigjemi thirrjeve të tyre për takime dhe të gjitha mbahen në hapësirat e Kuvendit. Ne pa asnjë problem do të takohemi edhe me ambasadoren amerikane nëse do të kërkonte një takim me ne. Janë takime protokollare. Sa i përket dhuratës, ne me të gjithë ata që jemi takuar, u kemi ndarë nga një monedhë me figurën e heroit tonë ‘Goce Delçev’ me rastin e 150-vjetorit të lindjes së tij”, është shprehur Krmov.

Lidhur me pohimet e presidentit Pendarovski, Nano Ruzhin, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO, thotë se Rusia edhe më parë ka shfaqur interes për rritjen e ndikimit të saj në rajon. Kjo, sipas tij, është bërë për shkak të rëndësisë gjeostrategjike pasi Maqedonia e Veriut, sipas tij, shtrihet mes korridoreve 8 dhe 10, andaj edhe përbën interes për fuqitë e mëdha.

“Por, ndikimet e ditëve të sotme nuk janë të njëjta sikur në kohën e Luftës së Ftohtë. Ndikimet e sotme mund të jenë me ‘fuqi të butë’ përmes propagandës së ndryshme, ndërtimit të objekteve kishtare, investojnë në ngritjen e popullaritetit të kulturës, artit, gjuhës, historisë. Pra, ne duhet të jemi të gatshëm të përballemi me ndikime të këtilla, qoftë edhe përmes rrjeteve sociale. Qëllimi i saj është që të rritet ndikimi në opinionin publik dhe orientimi drejt Moskës. Pra, mund të flasim për ndikime por jo edhe të bëhet shumë panik, por duhet pasur kujdes”, thotë Ruzhin për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket pohimit të presidentit se organet kompetente kanë informacione për persona që mund të jenë të përfshirë edhe në protestat e fundit, Ruzhin thekson:

“Me siguri se ka njerëz, individë që janë të paguar, ashtu siç ka gjithandej në botë. Shërbimet e kundërzbulimit duhet të bëjnë punën e tyre. Besoj se kanë informacione që janë të klasifikuara, që nuk mund të jenë disponueshme për qytetarët”.

“Por, kur këtë e thotë presidenti, atëherë me siguri se ka diçka që mund të na shqetësojë por jo të nxisë panik dhe të kërkohet armiku gjithandej. Kjo, pasi ka njerëz që kanë respekt për popullin rus dhe ne nuk mundemi që të gjithë ata t’i llogarisim si qytetarë që punojnë për kauzën ruse. Ka njerëz që respektojnë kulturën ruse, por kjo nuk do të thotë se të gjithë ata janë me Putinin dhe arsyetojnë intervenimin në Ukrainë”.

Maqedonia e Veriut këtë vit ka dëbuar 11 diplomatë rusë me arsyetimin se “po kryenin aktivitete që janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.

Moska, gjithashtu, është kundërpërgjigjur duke dëbuar diplomatët maqedonas nga ambasada e saj në Rusi, si dhe duke e vendosur Maqedoninë e Veriut në listën e shteteve armike.

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergej Lavrov, së fundi kishte deklaruar se “atmosfera e popullit maqedonas është kundër kursit euroatlantik të elitës politike”, por kjo deklaratë nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, është vlerësuar si provokuese dhe pjesë e propagandës ruse.

rel

Rama: Përshkallëzim i paarsyeshëm! Kosova e ka për detyrë të zbatojë marrëveshjen, është e drejtë e saj të ushtrojë sovranitetin. Thirrja për Vuçiç

ramaKryeministri Rama gjatë një konferencë të përbashkët e homologun spanjoll Pedro Sanchez, i cili vizitoi ditën e sotme Tiranën, komentoi mbi tensionet që po ndodhin në veri të Kosovës, ku janë bllokuar nga serbët pikat e kalimit kufitar.

 

Rama tha se përshkallëzimi i situatës është totalisht i paarsyeshëm, pasi Kosova ka të drejtë dhe detyrë që të zbatojë marrëveshjet e të ushtrojë sovranitetin e saj territorial.

Nga ana tjetër Rama u shpreh se kishte diskutuar edhe me Sanchez për pavarësinë e Kosovës, por vendimi i Spanjës për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshueshëm, kjo për shkak të arsyeve që lidhen me vetë Spanjën.

 

“Dëshiroj që ta falenderoj sot publikisht Pedron, për mbështetjen pa rezervë të Spanjës, që kishte një pozicion disi më të ngurtë sesa të tjerët që ishin më kërkues. Fakti që sot Spanja është tërësisht e angazhuar në mbështetjen e këtij procesi, është edhe konfirmim I faktit se ne folëm me gjuhën e rezultateve konkrete. Ne kemi një pritshmëri të lartë nga presidenca spanjolle, e cila do të udhëheqë BE-në në 2023, në hapje të një sezoni që është shumë I dëshiruar dhe I përshtatshëm për ne sepse vazhdon me Belgjikën e Hungarinë, sepse ka përfunduar me sukses negociatat e Kroacisë në BE. Kemi folur me kryeministrin natyrisht për rajonin që ai po e vizitën, për nismat rajonale, për mënyrën si mund ta integrojmë procesin e nismave rajonale, kurrsesi pa e anashkaluar procesin individual të çdo vendi për në BE. Proceset rajonale do të na afrojnë shumë më shpejt me rrjetin e integrimeve. Është shumë më e shpejtë dhe më efikase për shembull mbështetja për zjarret, sepse jemi bërë pjesë e këtij rrjeti. Siç jemi të linjëzuar për Ukrainën, duam të jemi të linjëzuar edhe për bashkimin e universiteteve tona me ato Evropiane. Kemi folur për Kosovën, dihet që Spanja ka një pozicion tradicionalisht të palëvizshëm për arsye që lidhem me vetë Spanjën, që nuk kanë të bëjnë me asnjë lloj diskriminimi me shqiptarët në Kosovë, por sidoqoftë kemi diskutuar, aq më tepër në kuadrin e një situate që ka pasur një përshkallëzim të paarsyeshëm pasi qeveria e Kosovës ka të drejtë dhe Detyrë të zbatojë marrëveshjet duke ushtruar sovranitetin territorial, për një pavarësi në administrimin e shtetit. Marrëveshjet e dakordësuara janë për tu plotësuar. Ne e përshëndesim marrëveshjen për shtyrje të marrëveshjes, të cilën e ka mbështetur edhe Borrell. I bëj thirrje Presidentit të Serbisë të mos ushqejnë grupe të caktuara në veriun e Kosovës që i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje e vlefshme të zbatohet për t’i dhënë më shumë besueshmëri zbatimit të marrëveshjeve “- tha Rama.

Top Channel

Qeveria e Kosovës pas kërkesës amerikane shtynë zbatimin e vendimit për reciprocitetin

Qeveria e ksQeveria e Kosovës vendosi pak para mesnatës së të dielës që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

 

Vendimi u publikua pak kohë pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. “Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier, pas një takimi që pasoi shtimin e tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë,

Qeveria e Kosovës tha në një komunikatë pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. “Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”.

Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

“Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj. BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Zoti Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj Ambasadorit amerikan në Kosovë për mbështetjen e fuqishme”, shkroi ai.

Policia e Kosovës tha të dielën se mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.

 

Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Sipas vendimit të qeverisë të datës 29 qershor, nga e hëna më 1 gusht duhej të rridhte afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.

Në orët e vona të mbrëmjes presidenti serb tha se i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.

Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.

voa

KFOR-i i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria

kforForcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja thanë se do të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të ruajtur mjedisin e sigurt në Kosovë dhe janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet qëndrueshmëria.

 

Forcat e KFOR-it i bënë këto komente në një komunikatë pas tensioneve në veriun e Kosovës ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës, për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe.

Në komunikatën e KFOR-it thuhet se situata e përgjithshme në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. “Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja po vëzhgon nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria, në përputhje me mandatin e tij, që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit tyë Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Në njoftim thuhet se KFOR-i është plotësisht i përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa “komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe shefin serb të Mbrojtjes”.

NATO-ja, thuhet më tej, vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat.

Kjo është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale”, thuhet në njoftim në të cilin nënvizohet se “KFOR-i do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të mbajtur një mjedis të sigurt gjatë gjithë kohës, në përputhje me mandatin e tij”.

Policia e Kosovës tha se mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një fjalim të shpërndarë në rrjetet sociale tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç janë përgjegjësit kryesor për zhvillimet në veri.

Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit”, tha ai.

Më herët të dielën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka asnjë arsye për shtim tensionesh në Kosovë për shkak të zbatimit të masave të reciprocitetit me Serbinë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha se Serbia kurrë nuk ka qenë në situatë më të rëndë dhe më të ndërlikuar lidhur me Kosovën.

Nga e hëna të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.

Po nga e hëna më 1 gusht rrjedh afati dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia, t’i regjistrojnë ato me targat e Kosovës RKS.

Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd.

Tensionet midis dy vendeve janë të lartë ndërsa rreth 4 mijë trupa të NATO-s kujdesen për paqen edhe 23 vjet që nga përfundimi i luftës me ndërhyrjen e aleancës perëndimore që u dha fund mizorive të forcave serbe.

Kosova dhe Serbia janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011 dhe që atëherë janë arritur një varg marrëveshjesh, por zbatimi i tyre është ende një sfidë.

Serbia e mbështetur nga Moska, kundërshton pavarësinë e Kosovës që është njohur nga vendet kryesore perëndimore.

voa

Kosovë: Shtyhet për një muaj vendimi për reciprocitet me Serbinë

BarikadaKërkesa që për një muaj të shtyhet vendimi i reciprocitetit me Serbinë u bë nga SHBA-së pas tensioneve në veri. Qeveria e Kosovës tha se kusht për shtyrje të vendimit është heqja e barrikadave serbe.

 

Qeveria e Kosovës e shtyu për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit me Serbinë për dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të automjeteve të Serbisë, me kusht që të hiqen barrikadat nga rrugët në veriun e Kosovës. Këtë vendim, qeveria e Kosovës e mori pak para mesnatës së 31 korrikut, pas kërkesës së SHBA-së. Këtë kërkesë e ka formuluar ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, pas takimit me të gjithë udhëheqësit më të lartë të Kosovës.

“Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier.

 

Kumtesa e qeverisë

Qeveria e Kosovës në një komunikatë të lëshuar në mesnatë, tha se “e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje”. Sipas qeverisë, “bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar”, thuhet në njoftim.

“Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq tha se “i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve në Bruksel”.

 

“Lutja”  e Vuçiqit

Beogradi zyrtarë megjithatë kundërshtoi ashpër masat e reciprocitetit  të vendosura nga Kosova dhe akuzoi Prishtinën për “veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës”. Presidenti i Serbisë Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa i luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha Vuҫiq në një konferencë me gazetarë në Beograd.

Shtyrja e vendimit të Kosovës për një muaj për reciprocitet në dokumente të udhëtimit të Serbisë dhe targa të autmjeteve, u mirëprit nga Bashkimi Evropian. Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell tha se “BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë dhe ai ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara.

“Çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe fokusimi në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është thelbësor për rrugët e tyre të integrimit në Bashkimin Evropian”, shkroi Borrel në Twitter.

 

Mbyllja e kalimeve kufitare

Policia e Kosovës mbylli dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, pasi grupe serbësh lokal bllokuan rrugët. Janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri. Policia në një njoftim bëri të ditur se nuk pati të plagosur nga të shtënat.

Forcat paqeruajtëse të NATO-os në Kosovë kumtuan se do të ndërmarrin çdo masë të nevojshme për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ato nënvizuan se janë të gatshme të ndërhyjnë nëse rrezikohet stabiliteti.

 

KFOR-i i gatshëm për ndërhyrje

“Situata e përgjithshme në komunat veriore të Kosovës është e tensionuar. Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja po vëzhgon nga afër dhe është i përgatitur të ndërhyjë nëse rrezikohet qëndrueshmëria, në përputhje me mandatin e tij, që del nga Rezoluta 1244 e Këshillit tyë Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në një komunikatë të KFOR-it. Me tej thuhet se “komandanti i KFOR-it është në kontakt me të gjithë bashkëbiseduesit e tij kryesorë, përfshirë përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovësdhe shefin serb të Mbrojtjes”.

“NATO-ja, vazhdon të mbështesë plotësisht procesin e normalizimit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të vazhdojnë negociatat. Kjo është thelbësore për paqen dhe sigurinë rajonale. Nuk do të ketë perspektiva reale për një të ardhme më të mirë në Ballkan, pa respektim të plotë të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike, sundimit të ligjit, reformave të brendshme dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Dialogu konstruktiv është thelbësor për qëndrueshmërinë rajonale”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

Nga ana tjetër, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga dy vendimet e saja të fundit, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky Asociacion kundërshtohet nga Prishtina zyrtare që kërkesën e Beogradit e cilëson si kërkesë për Asociaion njëetnik gjë që sipas qeverisë nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.

rtk