“Kosova është demokraci, Serbia jo”

Albin“Këtë verë, një mosmarrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, çoi sërish në përshkallëzim të situatës. Dhe kryeministri kosovar Albin Kurti paralajmëroi se lufta e Rusisë mund të përhapet në Ballkan. E pyetëm: A është vërtetë kaq keq zoti Kurti?

 

Albin Kurti tani është aty ku ka dashur të jetë gjithmonë. Pas një dere me një pllakë masive bronzi ku shkruan “Kryeministri”. Dhoma është në fund të një korridori të gjatë, në katin e tretë të një ndërtese, me zyre me pasqyrë, mu në qendër të Prishtinës. Dikur bankë, tani është zyra qeveritare e shtetit më të ri në Evropë.

47-vjeçari është në detyrë që nga marsi i vitit 2021. Fitorja e tij dërrmuese u konsiderua një pikë kthese në historinë e pasluftës së Kosovës. Me Kurtin, në ndërtesën e qeverisë u zhvendos edhe një brez i ri: të rinj, shumë prej tyre pjesë e diasporës, të shkolluar jashtë vendit. Ata alternojnë mes anglishtes dhe shqipes , një fotografi e Bernie Sanders, amerikanit të majtë, është varur në mur pranë Skënderbeut, heroit kombëtar mesjetar të shqiptarëve.

Është 9 shtator dhe në Prishtinë bie shi. Vera po kalon, gjë që shihet edhe nga fakti se numri i automjeteve me targa zvicerane nëpër rrugë është në rënie. Për Kurtin, këta ishin muaj krize: inflacion, mungesë energjie dhe më pas, në fund të korrikut, të shtëna dhe sirena në kufirin me Serbinë. Situata mes Serbisë dhe Kosovës ka kohë që nuk ka qenë aq e tensionuar sa ishte këtë verë.

Një mosmarrëveshje rreth dokumenteve për hyrje  dhe targave u përshkallëzua, dhe retorika midis Beogradit dhe Prishtinës është më helmuese sesa ka qenë në një kohë të gjatë. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq pretendon pa asnjë arsye të dukshme se shqiptarët duan të dëbojnë serbët nga Kosova. Albin Kurti, nga ana tjetër, ka paralajmëruar, që nga lufta në Ukrainë, se pushtimi rus mund të përhapet në Ballkan. Përshkallëzimi më i fundit me ndërmjetësimin e BE-së, i dha fund asaj situate. Por të dyja palët janë shumë larg nga qëllimi kryesor i dialogut. Deri më sot, Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të cilën e shpalli në vitin 2008. Në ndryshim nga mbi 100 vende anëtare të OKB-së, përfshirë Zvicrën që e njohin atë.

 

Zoti Kurti, presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundmi ju ka quajtur “Zelenski i vogël”. A ju nderon kjo?

Vuçiqin e kisha cilësuar më parë si “Putin i vogël” në Facebook. Unë nuk mendoj se ai ishte mjaft kreativ në mënyrë që të dalë me diçka më të mirë.

 

Putin pushtoi Ukrainën disa muaj më parë. Ushtria serbe nuk e ka kaluar kufirin me Kosovën që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Në këtë rast, a mos po e  teproni?

Jo, për mendimin tim Serbia është një regjim klient i Kremlinit. Serbia dhe Rusia zhvillojnë stërvitje të përbashkëta ushtarake të quajtura “Mburoja Sllave” dhe “Vëllazëria Sllave”. Pjesa më e madhe e industrisë së naftës në Serbi është në pronësi të Gazpromit. Ministria ruse e Mbrojtjes ka ngritur zyrën e saj në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë. Serbia merr tanke dhe sisteme armatimi nga Moska. Gjermania është gjithashtu e varur nga nafta e Putinit. Por ajo që e bën Serbinë unike në Evropë është se ajo refuzon të mbështesë sanksionet e BE-së kundër Putinit. Sot, 70 për qind e serbëve kanë një opinion pozitiv për Vladimir Putin. Në të njëjtën kohë, mbështetja për Bashkimin Evropian ka rënë në nivelin më të ulët historik prej 30 për qind. Ky humor është përhapur edhe te serbët në Kosovë, veçanërisht në veri të vendit.

 

Për veriun do të flasim më vonë. Së pari një pyetje themelore: në një intervistë në fillim të gushtit ju paralajmëruat për një luftë me Serbinë. A është vërtetë situata kaq keq?

Nuk kemi frikë, por jemi vigjilentë. Ne mbetemi të shqetësuar. Sipas meje, ka katër arsye që e bëjnë një konflikt të imagjinueshëm. Së pari, Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ajo lufton kundër njohjes sonë ndërkombëtare dhe në të njëjtën kohë financon  strukturat ilegale brenda Kosovës për të minuar sundimin e ligjit dhe sovranitetin tonë. Së dyti: Në Serbi nuk mund të pajtohen me krimet e luftës të kryera në vitet 1990. Nuk ka keqardhje. Arsyeja e tretë që më shqetëson: Kosova është demokraci, Serbia jo. Kushdo që kufizohet me një autokraci është në rrezik. Së katërti, Beogradi zyrtar mban lidhje të ngushta me presidentin despotik rus Putin. Vuçiq e ka takuar Putinin gati 20 herë në 10 vjet, më e fundit më 25 nëntor 2021 në Soçi, tre muaj para fillimit të luftës. Tani e citoj Vuçiqin: “Ne folëm për standarde të dyfishta dhe hipokrizi në marrëdhëniet ndërkombëtare. Presidenti Putin e kupton se për çfarë po flas. Ne folëm edhe për veriun e Kosovës dhe ia tregova atë Putinit në hartë”. Pse Putini është i interesuar për veriun e Kosovës, pyes veten.

 

Për Putinin, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 kundër Serbisë ishte një fyerje. Ai kurrë nuk e njohu pavarësinë e Kosovës. Para luftës, Putin foli jashtëzakonisht shpesh për Kosovën. Ai e përdori këtë si shembull për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë. Si i përgjigjeni atij?

Populli i Kosovës ka përjetuar gjenocid. Në pranverën e vitit 1999, 19 vende të NATO-s u mblodhën dhe bombarduan një vend të vogël në Evropë. Pra, duhet të ketë qenë shumë keq. Është shumë e vështirë të kesh 19 shtete në bord, aq më tepër që janë shtete demokratike, e ku ka pasur protesta kundër ndërhyrjes. Në Ukrainë situata është shumë e ndryshme. Është ushtria ruse që po kryen një ndërhyrje ushtarake – në Krime, në Donbas, në të gjithë Ukrainën.

 

Derisa po paralajmëronit për një luftë të mundshme, mijëra të rinj kërcenin në një koncert të këngëtares Dua Lipa në Prishtinë. Gjendja e krizës ekziston vetëm në retorikën e politikanëve?

Jam dakord me ju: njerëzit e zakonshëm nuk duan konflikt dhe nuk e inkurajojnë atë. Disa qindra njerëz të financuar nga Beogradi e bëjnë këtë. Shumë prej tyre kanë fituar përvojë në luftërat e ish-Jugosllavisë.

 

Në vitet 1990, Vuçiq ishte ministri i informacionit i një regjimi që ju arrestoi dhe deportoi në Serbi. 22 vjet më vonë ata të dy të atëhershmit janë ulur në një tryezë dhe po negociojnë të ardhmen e vendeve të tyre. A është kjo një kënaqësi personale për ju?

Jo ne të vërtetë. Do të preferoja shumë që në Serbi të shihja politika progresive dhe pro-evropiane. Por nuk është kështu. Nga ana tjetër, atmosfera gjatë takimeve tona në Bruksel është përmirësuar.

 

A keni shtrënguar ndonjëherë duart me njëri-tjetrin?

Jo kurrë. Kjo për shkak se jemi takuar tre nga katër herë gjatë pandemisë dhe nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.

 

Le të kalojmë te ngjarjet aktuale. Veriu i Kosovës është i populluar kryesisht me serbë, rreth 50,000 banorë. Më 31 korrik u ngritën barrikada në kufi. Dezinformimet në Tëitter u përhapën. Papritmas u fol për një sulm të Serbisë. Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Atë ditë u ngritën 13 barrikada, 9 prej tyre në më pak se 10 minuta. Bandat kriminale që janë pjesë e strukturave ilegale në veri të lidhura me Beogradin ato i vendosën. Qëllimi i tyre ishte që më pas të mbronin individë të armatosur. Situata ishte shumë e rrezikshme dhe e tensionuar. Mund të jemi të lumtur që nuk ka pasur vdekje.

 

Një Njësi Speciale e policisë kosovare, e njohur si ROSU, vazhdon të shkojë në veri për të goditur aktivitetet e kontrabandës. Për shumë serbë ata janë armik. Të rinjtë u referohen atyre si “pushtues”?

E dini çfarë është interesante? Nga prilli i vitit të kaluar dhe këtë gusht, forcat speciale të Kosovës arrestuan 71 persona në veri: 33 shqiptarë, 26 serbë të Kosovës, 6 serbë nga Serbia, 3 romë, 2 boshnjakë dhe një goran.

 

A thua se etnia nuk ka rëndësi nga këndvështrimi i policisë?

Krimi i organizuar është multietnik dhe ndërkufitar. Strukturat ilegale të Serbisë në veri të Kosovës padyshim që kanë një problem me policinë tonë që t’i godasë ato. Në luftën kundër rrugëve të kontrabandës, laboratorëve të drogës dhe minierave ilegale të bitcoin-it, policia jonë është sulmuar vazhdimisht, e vetëm këtë vit dhe vitin e kaluar, kjo ka ndodhur mbi 40 herë. Janë pikërisht këta kriminelë që ngritën barrikadat në korrik. Disa janë në listat e të sanksionuarve nga SHBA.

 

Sapo jam kthyer nga Mitrovica. Qyteti është i ndarë etnikisht në jug me shqiptarë dhe veri serbë. Në jug, flamujt e SHBA-së valëviten, e në veri “Z”, simboli i luftës së agresionit të Rusisë, është skalitur në muret e shtëpive. Si dëshironi ta rregulloni këtë hendek të thellë në shoqërinë tuaj?

Shumica e serbëve në Kosovë e dinë se kohët kanë ndryshuar. Ata janë të integruar dhe një shembull i mirë për këtë është se mbi 130 mijë  prej tyre tani kanë letërnjoftime kosovare. Ekziston vetëm një pakicë e vogël – midis 2 mijë dhe 5 mijë njerëz – që refuzojnë t’i njohin ato. Jam optimist se gjërat do të ecin për mirë. Strukturat ilegale po humbasin gjithnjë e më shumë ndikimin. Për shkak të kësaj, ata po bëhen gjithnjë e më agresivë. “Z” në muret e shtëpive është një shenjë e kësaj.

 

Njerëzit në veri vozisin me targa të lëshuara në Beograd. Ata i duan të tjerat?

Ne po punojmë shumë që serbët në Kosovë të kalojnë në targat e Kosovës sepse vetëm ato janë të ligjshme në këtë shtet. Tani ia kam shtrirë dorën popullit. Kushdo që regjistron veturën e tij deri më 31 tetor, nuk paguan as taksa dhe as tarifë regjistrimi. Kjo është shumë tërheqëse për serbët në Kosovë. Pikërisht për këtë po bëjnë presion strukturat ilegale. Por ka ende kohë të mjaftueshme.

 

Ndërtesat në veri janë të mbuluara me qindra pankarta që shpallin “Jo dorëzim!”. Njerëzve u kërkohet veçanërisht të mbajnë targat e tyre serbe. A do të përfundoni ju këtë, duke i detyruar ata?

Pas datës 1 nëntor, këto shenja do të jenë të paligjshme dhe ne do të veprojmë në përputhje me ligjet tona.

 

Më 15 gusht 2021, talebanët morën pushtetin në Afganistan pasi NATO ishte tërhequr më parë nga vendi. A mund t’u besoni amerikanëve?

NATO do të mbetet në Kosovë sepse Kosova dëshiron të anëtarësohet në NATO. Të dyja janë pjesë e historisë së njëri-tjetrit – dhe kështu do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Nuk ka asnjë paralele mes Afganistanit dhe Kosovës. E vetmja gjë që pyeta veten për ato që ndodhen me 15 gusht ishte: Si mund të ndihmoj me çështjen e refugjatëve? Si rezultat, Kosova pranoi rreth 1,800 refugjatë afganë. NATO na ofron mbrojtje dhe siguri, dhe ne gjithashtu kontribuojmë diçka në aleancën e mbrojtjes perëndimore. Nga marsi deri në qershor të vitit të kaluar morëm pjesë në stërvitjen ushtarake “Defender Europe” me 330 ushtarë dhe së bashku me ushtrinë amerikane dërguam një forcë paqeruajtëse në Kuvajt.

 

Ju i thoni të gjitha këto duke ditur që administrata juaj e parë u përmbys me urdhër të Uashingtonit?  I dërguari i Trump për Ballkanin, Richard Grenell donte që ju të largoheshit. Ai të shihte si një ngatërrestar me të cilin nuk mund të bësh marrëveshje?

Kosova e konsideron SHBA-në mik, partner dhe aleat për sigurinë dhe mbrojtjen tonë. Përsëri, me përjashtim të Bjellorusisë, nuk ka asnjë vend më afër Kremlinit sesa Serbia. Kjo është arsyeja pse SHBA është më e rëndësishme për ne se çdo vend tjetër. Por, sigurisht, nuk jam dakord me gjithçka që thonë përfaqësuesit e SHBA. Kjo u bë e qartë në vitin 2020 kur i dërguari i Trump për Ballkanin, Grenell, donte që unë të hiqja dorë nga kërkesat e mia ndaj Serbisë.

 

Grenell ju quan “fashist” në Twitter. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin nëse shefi i Grenellit, Donald Trump, rikthehet një ditë?

Jam optimist se gjërat do të shkojnë për mirë në SHBA. Joe Biden është sot politikani më përparimtar në botë. Shpresoj që kjo ndjenjë transatlantike të mos humbasë. Shpresoj për më të mirën.

 

Në nivel lokal, partia juaj Vetëvendosje së fundmi pësoi një disfatë. Opozita fitoi në shumicën e komunave. Si e shpjegoni këtë?

Opozita është bashkuar kundër nesh. Qeverisja është e lodhshme. Nuk të jep aq kohë të jesh pranë bazës së partisë dhe të takosh njerëz. Pandemia na ka goditur më shumë se partitë e tjera që tradicionalisht janë reklamuar përmes spoteve në TV. Metoda jonë kanë qenë gjithmonë takimet publike.

A mund të ndodhë që keni marrë më pak vota sepse diaspora në Gjermani apo Zvicër nuk ka votuar?

Ke te drejte. Në nivel lokal, ajo merr pjesë në një numër shumë më të vogël.

 

Le të marrim një të re shqiptare nga Zvicra – gjenerata e dytë apo e tretë. Jeton në Bernë dhe vjen një herë në Kosovë gjatë verës. A duhet lejuar një person i tillë të ketë fjalën e tij në politikën e vendit tuaj?

Më shumë aeroplanë udhëtojnë ndërmjet Prishtinës dhe Zvicrës në ditë sesa ka lidhje me autobus ndërmjet qyteteve të veçanta. Diaspora nuk vjen vetëm një herë në vit, por disa herë. Çdo i treti qytetar i Kosovës jeton jashtë vendit – shumica e tyre në Gjermani dhe Zvicër. Transfertat nga jashtë përbëjnë 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ata mund të mos jetojnë këtu, por na ndihmojnë të jetojmë këtu. Për këtë kontribut material dhe financiar, por edhe për njohuritë që na sjellin, duhet të kenë fjalën politike.

 

Megjithatë, diaspora nuk zëvendëson shtetin social. Si keni ndërmend ta luftoni varfërinë në vendin tuaj?

Unë e konsideroj si model sistemin e arsimit të dyfishtë në Gjermani, Zvicër dhe Austri. Ne duhet të lidhim nevojat e tregut të punës me arsimin. Disa ditë më parë ndoqa një klasë me nxënës të moshës 15 deri në 18 vjeç: parukierë, muratorë, ndihmës spitalesh, kuzhinierë. Ata janë në shkollë tre ditë në javë dhe në kompani dy ditë në javë. Kjo është një mënyrë për të luftuar varfërinë dhe për të krijuar vende pune.

 

Qeveria juaj së fundmi miratoi paketa me vlerë miliona euro për të luftuar inflacionin dhe krizën energjetike. Ekspertët e ekonomisë kritikojnë: Paratë e shpejta për disa muaj nuk janë një strategji veçanërisht e qëndrueshme?

Studentët kanë marrë pagesa të njëhershme prej 100 euro – për herë të dytë. Ka pasur edhe përfitim për fëmijët e për nënat me fëmijë të vegjël. Kemi rritur pensionet me 11 për qind dhe ato për invalidët me 33 për qind. Sipërmarrësit vendas, ofruesit e shërbimeve dhe shitësit me pakicë kanë marrë gjithashtu para. Ne kemi hartuar një paketë stimulimi ekonomik dhe një paketë inflacioni. Ne gjithashtu subvencionojmë konsumin e energjisë dhe lehtësojmë ata që reduktojnë konsumin, pra kursejnë energjinë. Por shpresoj që ne si e gjithë Evropa të dalim nga kjo krizë. Dhe shpresoj t’i mbijetojmë dimrit. Kremlini dëshiron të ndajë Evropën.

 

Katër vite më parë ju më keni shpjeguar gjerësisht dhe hollësisht se përse  nuk mund të identifikohesh me flamurin blu dhe me hartë të artë të Kosovës. A ka ndryshuar kjo tani?

Si Kryeministër i Republikës, flamuri i Kosovës është detyrë dhe obligim im dhe gjithashtu diçka që unë e respektoj dhe e përqafoj. Ajo është prioriteti im kryesor. Mund të ketë gjëra të tjera në programin e lëvizjes sonë.

 

Për shembull, se Shqipëria dhe Kosova një ditë mund të formojnë një shtet të përbashkët. Duhet të hiqnit dorë nga kjo ëndërr?

Askush nuk duhet të heqë dorë nga ëndrrat e tij. Por ju duhet të qëndroni gjithmonë realistë.

 

(Gazeta republik.ch është medium zviceran. Intervista është përkthyer nga RTKlive.com)

“Të vendosur në çrrënjosjen e korrupsionit”, DASH paralajmëron sanksione të reja në Ballkan

DASH PriceAdministrata Biden që në fillim i kushtoi vëmendje të vecantë Ballkanit Perëndimor.

Teksa është bërë e qartë se një nga objektivat kryesorë të saj është çrrenjosja e korrupsionit në rajon, një deklaratë e fundit e zëdhënësit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Ned Price, duket sikur hedh më shumë dritë mbi planet e SHBA-së për vendet e Ballkanit.

Shtetet e Bashkuara, nga sa la të kuptohej ai, janë të interesuara për të qenë partneri kryesor i Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, dhe po i  kushtohet kaq shumë energji luftës ndaj korrupsionit, një armë e rëndësishme e së cilës mbetet sanksionimi.

Price theksoi se përveçse tërheqës për botën perëndimore si një rajon mjaft dinamik, Ballkani Perëndimor mbetet joshës edhe për Rusinë dhe Kinën. “Interesat tona të përbashkëta dhe vlerat që ndajmë përbëjnë bazën e një marrëdhënieje që në shumë mënyra është unike dhe e dallueshme nga vizioni që Pekini e Moska do të kishin për rajonin”, ka shtuar ai. 

PYETJE: Ju sapo njoftuat sot, para këtij takimi, se Shtetet e Bashkuara po sanksiononin Diana Kajmakovic, prokurore e shtetit në Bosnje dhe Hercegovinë. Çfarë mund të na thoni për këtë rast dhe a mund të prisni më shumë sanksione në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor?

Z. PRICE:
 Pra, një nga qëllimet tona kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor është të punojmë me qeveritë dhe të punojmë me njerëzit e rajonit për të synuar, për të hequr dhe çrrënjosur korrupsionin. Ne e shpallëm dhe Thesari njoftoi sanksionet këtë mëngjes ndaj një prokurori të përgjithshëm të shtetit i cili ishte përfshirë në akte korrupsioni. Ne kemi dhënë informacion në atë deklaratë. Thesari mund të ketë informacion shtesë në lidhje me bazën për atë përcaktim. Dhe sanksionet do të mbeten një mjet i rëndësishëm, jo ​​i vetmi, por një mjet i rëndësishëm – kur bëhet fjalë për rajonin dhe kur bëhet fjalë për qëllimin tonë, qëllimin që ne ndajmë me qeveritë dhe njerëzit në rajon, për çrrënjosjen e korrupsionit.

PYETJE
: Edhe një tjetër pyetje për Ballkanin Perëndimor. Kam intervistuar javën e kaluar kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazoviç dhe ai i bëri thirrje SHBA-së që të ndihmojë Ballkanin Perëndimor kundër ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon. Pra, cili ka qenë vlerësimi juaj për ato ndikime në Ballkanin Perëndimor, dhe çfarë konkretisht – cilat hapa mund të ndërmerrni për të kundërshtuar këtë ndikim?

MR PRICE:
 Epo, nuk ka dyshim që Ballkani Perëndimor është një rajon dinamik që është tërheqës për vendet në mbarë botën. Sigurisht, është tërheqëse për arsye të ndryshme ashtu edhe për Rusinë. Ne besojmë – dhe kjo është pika që kemi bërë publik edhe në angazhimet tona private me vendet e Ballkanit Perëndimor – se interesat tona të përbashkëta dhe vlerat tona të përbashkëta përbëjnë thelbin për një marrëdhënie që në shumë mënyra është unike dhe e dallueshme nga vizionet e një marrëdhënieje që Rusia do të kishte për rajonin. Ne e kemi bërë shumë të qartë dëshirën tonë për të qenë partnerë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Një ditë më parë Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë ndërmarrë sanksione ndaj prokurores boshnjake, e cila u vlerësua se është e përfshirë përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në korrupsion në lidhje me Ballkanin Perëndimor dhe në politika që minojnë proceset ose institucionet demokratike në rajon.

Top Channel

“Prioritetet e procesit të integrimit në BE”, Tabaku zbardh takimin me Kim: S’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin

KimKryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku ka zbardhur takimin me Ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim të mbajtur në Kryesinë e Kuvendit.

 

Tabaku tha se në fokus të diskutimit ishin prioritetet e procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu u diskutuan edhe nismat e fundit qeveritare si Amnistia Fiskale,  Pasaportat e Arta, Legalizimi Kanabisit, të cilat sipas Tabakut nuk janë projekte nën frymën e integrimit.

Deputetja i bën thirrje qeverisë që ta përdorë procesin e integrimit si një mënyrë për tërheqjen e mijërave të rinjve që janë larguar nga Shqipëria.

“Sot diskutova me @USAmbAlbania prioritetet e procesit të integrimit në BE, rëndësinë e përfshirjes së parlament. S’ka rrugë tjetër veç përmbushjes së kushteve për të sjellë ndryshimin:Lufta korrupsionit, krimit të organizuar; zgjedhjet e lira&ndershme duhet të jenë kryefjala e politikës!

Gjithashtu fokus të veçantë me @USAmbAlbania morën dhe shqetësimet e opozitës & ekspertëve të pavarur mbi nismat e fundit qeveritare si:

Amnistia Fiskale,  Pasaportat e Arta, Legalizimi Kanabisit që nuk janë projekte nën frymën e integrimit ndaj i duhet thënë stop !

E angazhuar për të mbikqyrur &kontrolluar punën e qeverisë në këtë proces; duhet ndryshuar mentaliteti administratës publike! I bëj thirrje qeverisë ta përdorë procesin e integrimit si një mënyrë për tërheqjen e mijërave të rinjve të talentuar që janë larguar nga Shqipëria”, shkruan Tabaku.

tch

 

Shqetësime për rrjedhjet misterioze në dy gazsjellësit rusë

GaziVendet evropiane po përpiqen të identifikojnë shkakun e rrjedhjeve të pashpjegueshme në dy gazsjellës rusë që kalojnë nën Detin Baltik pranë Suedisë dhe Danimarkës.
Rusia, që e ka ndërtuar rrjetin e tubacioneve, tha se nuk mund të përjashtohet mundësia e sabotimit, por Komisioni Evropian tha të martën se është e parakohshme të spekulohet mbi shkakun.

“Natyrisht, çdo akt sabotimi në çdo infrastrukturë është diçka që ne do ta dënonim,” tha Eric Mamer, zëdhënësi i shefit të Komisionit të BE-së në një konferencë për shtyp.

Autoriteti Detar i Suedisë lëshoi një paralajmërim për dy rrjedhje në gazsjellësin Nord Stream 1, pak pasi u zbulua një rrjedhje në Nord Stream 2 gjë që e bëri Danimarkën të kufizonte transportin në një rreze prej pesë miljesh detare.

Të dy gazjellësit kanë qenë në qendër të një luftë të përshkallëzuar energjetike midis kryeqyteteve evropiane dhe Moskës, e cila ka dëmtuar ekonomitë kryesore perëndimore, ka rritur çmimet e gazit dhe ka nxitur përpjekjet për gjetjen e burimeve alternative të energjisë.

“Ka disa shenja se mund të bëhet fjalë për dëmtim të qëllimshëm,” tha një burim evropian i sigurisë, ndërsa shtoi se ishte ende herët për të nxjerrë përfundime. “Duhet të shtroni pyetjen se kush do të përfitonte nga kjo?”

Edhe Rusia tha se rrjedhja në rrjetin rus ishte shqetësuese dhe sabotimi ishte një shkak i mundshëm. “Asnjë alternativë nuk mund të përjashtohet në këtë moment,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Asnjë nga gazsjellësit nuk po dërgonte gaz në Evropë në kohën kur u zbuluan rrjedhjet, por incidentet fashisin plotësisht shpresën se Evropa mund të marrë gaz nëpërmjet Nord Stream 1 përpara dimrit.

“Dëmi që ndodhi në të njëjtën ditë në tre segmente të tubacioneve Nord Stream është i paprecedentë dhe tani për tani është e pamundur të vlerësohet se sa kohë duhet për të riparuar infrastrukturën e transportit të gazit, ” tha operatori i rrjetit Nord Stream.

Megjithëse asnjë prej tubacioneve nuk po transportonte gas, ato përmbanin gaz nën presion.

Ministri i Energjisë i Danimarkës, Dan Jorgensen tha të hënën ishte zbuluar rrjedhje gazi në tubacionin Nord Stream 2 midis Rusisë dhe Danimarkës.

Gazpromi, kompania e kontrolluar nga Kremlini me monopol mbi eksportet e gazit rus, nuk pranoi të komentojë.

Rusia pakësoi furnizimet me gaz në Evropë përpara se t’i pezullonte plotësisht ato, duke thënë se sanksionet perëndimore kishin shkaktuar vështirësi teknike. Politikanët evropianë thonë se ky ishte një pretekst për të ndaluar furnizimin me gaz.

Nord Stream 2 nuk u vu asnjëherë në punë. Gjermania e bllokoi projektin disa ditë para se Rusia të fillonte agresionin ndaj Ukrainës.

voa

 

Saga “Partizani” në SPAK

kompleksi partizaniMegjithëse padia për privatizimin e kompleksit “Partizani” ka dy vite në SPAK, duket se tani prokurorët po i japin ritëm hetimeve.

 

Pas thirrjes së dy ish-ministrave, Fatmir Mediu e Gazment Oketa dhe ushtarakut Vladimir Qirjazi, përpara prokurorëve të posaçëm, sot doli ish-ministri i Ekonomisë në mandatin e parë të qeverisë Berisha, Genc Ruli.

Nën cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen, pasi ka qenë Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, për rreth 1 orë, Genc Ruli është përgjigjur për mënyrën e privatizimit të këtij kompleksi dhe për procedurat të cilat janë ndjekur për rastin.

Pritet që prokurorët e posaçëm për të mbledhur të dhëna për këtë çështje të  thërrasin edhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami dhe ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Xhemal Gjunkshin.

Kallëzimi për aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, dikur pronë e Ministrisë së Mbrojtjes që më pas u shndërrua në kompleks pallatesh, është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Nëpërmjet kësaj padie, Balla akuzon për shpërdorim detyre ish-kryeministrin Sali Berisha, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe ish-ministrin Arben Imami.

Top Channel

BE nuk është në akord për Rusinë

Prage- Ministrat e jashtemSanksione të reja kundër Rusisë? Si do të veprohet me dezertorët rusë? Vendet e Bashkimit Europian nuk gjejnë dot një gjuhë të përbashkët për të vepruar aktualisht kundër Rusisë.

 

Negociatat për planet e ashpërsimit të sanksioneve të BE kundër Rusisë paraqesin vështirësi. Në bisedimet e para të Komisionit Europian dhe shteteve anëtare, Hungaria dhe Qiproja kanë refuzuar një kufizim të çmimit për naftën ruse, bëhet e ditur nga Brukseli. Pas shpalljes së mobilizimit të pjesshëm në Rusi nga ana e presidentit Putin, ministrat e Jashtëm të BE dhe të shtatë vendeve lidere demokratike ekonomike, (G7) javën e kaluar bënë të ditur sanksione të tjera kundër Moskës. Kufizimi i çmimit të naftës duhet të ishte baza e tyre. Një limit për çmimin do të bënte që Rusia të ndalte furnizimet.

Kreu i qeverisë hungareze, Viktor Orban ka bërë përgjegjëse masat ndëshkuese të BE për rritjen masive të çmimeve për konsumatorët. Qiproja nga ana e saj do të mbrojë kompanitë e lundrimit që furnizojnë me naftë ruse vende të treta. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto kritikoi në kuadër të konferencës vjetore të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në Vjenë “pengesat për investime në sektorin nuklear”. Hungaria kërkon të ndërtojë dy reaktorë atomikë në bashkëpunim me koncernin rus, Rosatom. Gjermania ndër të tjera punon në Bruksel për fundin e bashkëpunimit nuklear me Rusinë. Të gjitha sanksionet kundër Rusisë kërkojnë vendim unanim të vendeve anëtare.

 

Asnjë zgjidhje për dezertorët rusë

Po ashtu vendet e BE kërkojnë një kurs të përbashkët për mënyrën e veprimit me ata rusë që nuk duan të shkojnë në luftë në Ukrainë dhe e braktisin vendlindjen. Një takim krize i 27 i ambasadorëve të vendeve anëtare nuk solli asnjë zgjidhje. Presidenca çeke ka bërë të ditur, se Komisionit Europian i është kërkuar që rregulloret për dhënien e vizave “t’i verifikojë, t’i vlerësojë dhe t’i aktualizojë duke marrë në konsideratë shqetësimet e sigurisë së vendeve anëtare”.

Pasi Rusia bëri të ditur mobilizimin e pjesshëm të popullsisë, vende si Gjermania e të tjerë kërkojnë një qëndrim të përbashkët për trajtimin e dezertorëve rusë. Pozicionet mes vendeve anëtare janë megjithatë të largëta. Ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser premtoi azil për dezertorët rusë. Vendet e tjera si ato baltike dhe Polonia e refuzojnë këtë në mënyrë strikte.

Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrileius Landsbergis tha se Lituania nuk do të ofrojë azil për ata “që i ikin përgjegjësisë”. “Rusët duhet të qëndrojnë dhe luftojnë kundër Putinit.”, shkroi Landsbergis në twitter.

la/afp,dpa,rtr

Shqetësim nga BE e SHBA për forcimin e bashkëpunimit Serbi-Rusi

LavrovMinistri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov dhe ai serb, Nikolla Selakoviq nënshkruan në Nju Jork Planin e Konsultimeve të dy ministreve për dy vitet e ardhshme. Reagon BE dhe SHBA.

 

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësim dhe i kërkojnë shpjegim Serbisë për nënshkrimin e marrëveshjes me Rusinë në Nju Jork. Marrëveshja që u nënshkrua ndërmjet ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministrit të Jashtëm serb, Selakoviq, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ka të bëjë me bashkëpunimin në sferën e politikës së jashtme ndërmjet dy vendeve, thuhet.

 

Stano: Shqetësime serioze të BE ndaj Serbisë

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, shprehu shqetësim për forcimin e raporteve midis Serbisë dhe Rusisë, dhe tha se “kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë”. “Rusia po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara të Ukrainës po organizon referendume ilegale. Nëse në këto rrethana shohim se ministri i Jashtëm i Serbisë nënshkruan marrëveshje, me të cilën pajtohet për konsultime me shtetin që kryen akte të tilla, atëherë kjo është shenjë se Serbia po i forcon raportet me Rusinë. Dhe kjo ngreh shqetësime serioze. Raportet me Rusinë në këtë fazë nuk mund të jenë sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Këto ne i marrim shumë seriozisht”, tha Stano në një konferencë për medie në Bruksel.

Sipas tij, Serbia tashmë ka deklaruar se qëllim strategjik ka integrimin në bllokun evropian, prandaj sipas zëdhënësit Stano, “ky vendim i Serbisë do të duhej të nënkuptonte edhe bashkëpunimin dhe përafrimin me BE-në në çështje të politikës së jashtme”. “BE-ja ka qenë krejtësisht e qartë me të gjitha vendet anëtare dhe partnerët, përfshirë edhe vendin kandidat, Serbinë. Raportet me Rusinë nuk mund të jenë punë e zakonshme nën hijen e pushtimit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm në Ukrainë”, tha Peter Stano, i cili e ftoi udhëheqjen serbe që të sigurojë, si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE, “një koherencë më të fuqishme mes nismave të saj në politikën e jashtme dhe mbështetjen për vlerat ndërkombëtare dhe pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht”.

 

Hill: “Askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment”

Marrëveshja e bashkëpunimit në politikën e jashtme ndërmjet Serbisë dhe Rusisë është kritikuar edhe nga SHBA, përmes ambasadorit të saj në Serbi, Christofer Hill. Ky i fundit, siç shkruajnë mediet në Serbi, i kërkoi autoriteteve serbe një shpjegim për atë që u nënshkrua si marrëveshje me Rusinë në Nju Jork. “Askush nuk duhet të nënshkruajë asgjë me Rusinë në këtë moment”, është shprehur Hill.  “Prandaj është shumë e vështirë për ne të kuptojmë ekzistencën e një dokumenti apo protokolli të tillë, por shpresojmë dhe presim që të dëgjojmë më shumë për të dhe të shpjegohet në një farë mënyre”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan, duke shtuar se “SHBA pret  nga Serbia që të bëjë diçka për të diversifikuar energjinë e saj dhe të zvogëlojë varësinë e saj nga Rusia, e cila bazohet kryesisht në masat e shantazhit dhe presionit”.

 

Serbia mbrohet

Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, ndërkaq, i pyetur nga gazetarët se çfarë përfshin plani me Rusinë dhe çfarë mesazhi i dërgon BE-së, Sellakoviq tha: “Gjithçka që ka të bëjë me kritikat dhe çështjet lidhur me këtë plan, janë kërkim i arsyeve për të sulmuar Serbinë dhe për ta qortuar”. Ai deklaroi se “plani i Konsultimeve me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë është nënshkruar që nga viti 1996, pra çdo dy vjet. Bëhet fjalë për çështje teknike siç janë marrëdhëniet dypalëshe dhe aktivitetet shumëpalëshe”, tha Selakoviq.

Për marrëveshjen dhe afrimin e saj me Federatën Ruse, Serbia u kritikua edhe nga deputetë të Parlamentit Evropian. Vladimir Bilçik, raportues për Serbinë dhe Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, të cilët nënshkrimin e marrëveshjes e shohin si një goditje të madhe për procesin e zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor.

Reagim pati edhe nga presidenca e Kosovës.  Blerim Vela shefi i kabinetit të presidentes, Vjosa Osmani, shkroi në Twitter se “procesi i aderimit të Serbisë drejt Bashkimit Evropian duhet të ndalet dhe Serbia nuk arrin të harmonizojë politikën e saj të jashtme me BE-në dhe shtetet e saj anëtare për Ukrainën”. Serbia ndërkaq, në disa nisma në OKB, ka votuar disa rezoluta në Këshill të Sigurimit që e dënojnë pushtimin rus të Ukrainës. Por megjithëse e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ajo refuzon të harmonizojë politikën e saj me atë të bllokut evropian dhe t’i vendosë sanksione Rusisë.

dw

Çmime të reja të derivateve të naftës

karburantiKomisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit i Republikës së Maqedonisë së Veriut solli vendimin, me të cilin bëhet ulja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës.

 

Çmimi i shitjes me pakicë i EUROSUPERIT BS-98 ulet për 1,00 den/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë i ЕUROSUPERIT BS-95 ulet për 0,50 den/litër.
Çmimet e shitjes me pakicë të EURODIZELIT (D-Е V) dhe të Vajit Ekstra të Lehtë për Amvisëri (ЕL-1) rriten për 1,00 denarë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i Мazutit М-1 SU ulet për 0,623 den/kg dhe tani do të jetë 49,768 den/kg.
Nga data 27.9.2022, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:
Benzinë motori EUROSUPER BS – 95 84,00 (denarë/litër)
Benzinë motori EUROSUPER BS – 98 86,00 (denarë/litër)
Naftë motori EURODIZEL BS (D-E V) 91,00 (denarë/litër)
Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 87,50 (denarë/litër)
Mazut М-1 SU 49,768 (denarë/kilogram)
Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme shënojnë ulje mesatarisht: te benzina për 3,158 %, te nafta ka rritje për 0,928 %, te vaji ekstra i lehtë ka rritje për 0,834 % dhe te mazuti ulja është 2,998 % .

 

Liberalizimi i vizave në rend dite në BE më 13 tetor

VizaÇështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, konfirmojnë burimet diplomatike të BE-së në Bruksel.

Presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë.

Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.

“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument.

“Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë letër.

Presidenca Çeke përmend aty pikërisht liberalizimin e vizave për Kosovën si shembull se si BE-ja mund të rrisë besueshmërinë në rajon.

“Liberalizimi i vizave është element kyç në procesin e integrimeve të Kosovës në BE, që është shumë i vonuar tashmë. Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor (dhe një prej pak vendeve në Evropë) që akoma nuk e ka siguruar regjimin pa viza me BE-në. Ky fakt ka një ndikim të konsiderueshëm negativ në atmosferën në vend dhe në qëndrimet e qytetarëve të Kosovës rreth korrektësisë dhe kredibilitetit të BE-së”, thuhet në letër.

Aty, po ashtu, rikujtohet rrugëtimi i Kosovës drejt përmbushjes së kushteve për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj.

“Komisioni Evropian ka nisur dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën në vitin 2012, ndërsa në korrik të vitit 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret. Parlamenti Evropian, në vazhdimësi, ka konfirmuar se mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në letër.

Presidenca Çeke e BE-së thekson se pret që Komisioni Evropian të konfirmojë mendimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Presidenca Çeke është në kontakt të ngushtë me Komisionin Evropian. Jemi pajtuar për një përditësim teknik të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave që do të mbulonte periudhën nga raporti i publikuar në vitin 2018. Ky përditësim teknik supozohet se do t’i paraqitet grupit punues për vizat në muajin tetor”, thuhet po ashtu letër.

Sipas saj, Presidenca Çeke beson se ky përditësim do të jetë pozitiv dhe se do t’i konfirmojë rezultatet e gjetjeve të Komisionit në vitin 2018.

“Ambicie e Presidencës Çeke është që të ndërtojë mbështetje mes shteteve anëtare dhe të nisë procedurën relevante legjislative, që do të rezultojë me relaksimin e regjimit të vizave për Kosovën”, thekson letra.

Përmes saj, Çekia thotë se i kupton edhe shqetësimet e disa vendeve anëtare të BE-së për implikimet që mund t’i ketë liberalizimi i vizave për Kosovën për sigurinë e brendshme të tyre.

Për këtë arsye, ministritë e Punëve të Brendshme të vendeve anëtare janë më shumë të rezervuara për të miratuar liberalizimin e vizave, sesa ministritë e Punëve të Jashtme.

Çekia, megjithatë, thirret në vlerësimin e Komisionit Evropian për adresimin e këtyre shqetësimeve.

“Komisioni Evropian është i bindur se dhënia e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk paraqet rrezik për vendet anëtare në formën e valës së imigrimit”, thotë Presidenca Çeke, duke shtuar se edhe Kosova ka marrë masa për t’i adresuar këto shqetësime.

“Vlen po ashtu të theksohet se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar më 3 gusht rezolutën për liberalizimin e vizave. Me këtë rezolutë, institucionet e Kosovës zotohen t’i zbatojnë të gjitha reformat, për të garantuar sundimin e ligjit, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Presidenca Çeke e vlerëson lart miratimin e kësaj rezolute, e cila është një dëshmi e rëndësishme e përkushtimit nga ana e Kosovës”, thuhet në letër.

Diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisioni Evropian të miratojë dhe publikojë paketën vjetore të zgjerimit, e cila do të shoqërohet edhe me raportet individuale të progresit për vendet e përfshira në këtë proces.

Edhe nga Komisioni Evropian është konfirmuar se do të raportojë pozitivisht për përmbushjen e kritereve nga ana e Kosovës, sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

Burimet diplomatike në Bruksel e shohin qëllimin e Çekisë që të nisë procedurën për vendimin për liberalizimin e vizave si dëshmi se tashmë ekziston një mbështetje e madhe për këtë në Këshill.

Por, pavarësisht kësaj, ato hezitojnë të përmendin afate se kur do të miratohej vendimi dhe kur do të hynte në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.

Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.

Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE.

rel

Analiza e misionit në Afganistan

ISAFPse ka dështuar ndërtimi i shtetit të qëndrueshëm demokratik në Afganistan? Bundestagu gjerman po kërkon përgjigje dhe parashikon të japë rekomandime për misione të tjera.

 

Bundeswehri ishte në Afganistan për 20 vjet. Si pjesë e misioneve të NATO-s  – ISAF dhe “Resolute Support” – ata luftuan me forcat e tjera të armatosura nën udhëheqjen e SHBA-së dhe përkrah ushtrisë qeveritare afgane kundër talibanëve kryengritës. Në të njëjtën kohë, synohej vendosja e lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Afganistan.

Por, megjithë dislokimin masiv të materialit, parave dhe personelit, Perëndimi dhe në këtë mënyrë edhe Bundeswehri nuk arritën të pengojnë talibanët që përsëri të marrin pushtetin. Pas tërheqjes përfundimtare të forcave të NATO-s në verën e vitit 2021 – ushtarët amerikanë ishin të fundit që u larguan nga vendi më 30 gusht – talibanët nuk kishin më asnjë kundërshtar serioz.

Pra, çfarë shkoi keq gjatë atyre 20 viteve? Zbulimi i së vërtetës është detyra e Komisionit Hetimor për misionin e Bundeswehrit në Afganistan, i cili u krijua javën e kaluar. Ndryshe nga komisioni hetimor parlamentar i Afganistanit i ngritur në verë, i cili po merret me rrethanat rreth tërheqjes së Bundeswehrit dhe evakuimit të personelit gjerman, stafit lokal dhe njerëzve të tjerë të prekur, komisioni hetimor po analizon pikat e forta dhe të dobëta të operacionit. Qëllimi i 24 anëtarëve të komisionit – gjysmë deputetë, gjysmë ekspertë – është të nxjerrin mësime për politikën e jashtme gjermane dhe të sigurisë në të ardhmen.

 

“Si ishte e mundur?”

“Është qëllimi ynë që të shqyrtojmë mandatin politik dhe punën e qeverisë dhe parlamentit në mënyrë autokritike dhe në bashkëpunim me aktorët,” tha për DW Michael Müller (SPD), kryetar i komisionit. “Mbi të gjitha, ne duam të fitojmë një pasqyrë se si aktorët në terren punuan së bashku dhe çfarë shansi kishin ata për të përmbushur misionin e tyre.”

Afganëve u detyrohen njohuri të tilla, thotë Shahina Gambir, e cila përfaqëson ekologjistët në komision. “Ora është kthyer mbrapa në Afganistan”, tha Gambir për DW. “Kjo është veçanërisht e vërtetë për gratë dhe vajzat: gjysma e popullsisë nuk është e dukshme në rrugët afgane. Pakicat janë përsëri në rrezik. Jemi kthyer në situatën në të cilën ishim 20 vjet më parë. Si mund të ndodhte kjo? Të gjithë kemi nevojë për të gjetur fajtorët.”

Sipas gjetjeve fillestare, ka pasur shumë dobësi, njëra ishte për faktin se Bundeswehri vepronte brenda kuadrit të mandateve ndërkombëtare, thotë Serap Güler (CDU), nënkryetari i komisionit. “Kjo e pamundësoi Gjermaninë në realizimin e synimeve kryesore të misionit. Në vend të kësaj, Gjermania u përshtat me specifikat”, tha Güler për DW.

 

“Qëllime të paarritshme”

Në fakt, udhëzimet dhe qëllimet janë formuluar shpesh në mënyrë të paqartë dhe janë bërë gjithnjë e më gjithëpërfshirëse me kalimin e kohës, vëren politologia Ursula Schröder, e cila këshillon komisionin si eksperte. “Misioni filloi si një operacion anti-terrorizmit dhe më pas u paraqitën synime të tjera, duke përfshirë shtetndërtimin dhe ndërtimin e paqes.” Sipas drejtorit të Institutit për Kërkimin e Paqes dhe Politikat e Sigurisë në Universitetin e Hamburgut, kjo nuk mund të funksiononte. “Sepse është e rëndësishme të hartohen qartë qëllimet realiste dhe të kontrollohet vazhdimisht zbatimi i tyre. Ky kontroll nuk ekzistonte. Nuk ishte mjaft e qartë se disa qëllime ishin të paarritshme. Nëse është kështu, ndërhyrjet pashmangshmërisht dështojnë.”

Përtej specifikimeve të paqarta dhe mungesës së reflektimit, misioni u përball me probleme të mëdha specifike të këtij vendi, vazhdoi Schröder. “Është shumë e qartë nga hulumtimi se është e vështirë, e në disa raste e pamundur, të ndërtohet nga jashtë një rend kompleks shtetëror dhe shoqëror në një vend të dobësuar nga dhuna, konflikti dhe qeverisja e dobët.” Kjo vlen edhe për Afganistanin. “Vendi është tronditur në çdo aspekt nga lufta e gjatë dhe dhuna e shoqëruar. Ndërtimi i shtetit është jashtëzakonisht i vështirë në këtë mjedis.”

 

Mungesa e njohjes së vendit dhe njerëzve të tij

Është e mundur që konteksti politik dhe historik i vendit nuk është trajtuar sa duhet, thotë Michael Müller. Kjo kontribuoi në faktin që sukseset e misionit ishin shumë të kufizuara. “Duhet të pranojmë se ajo që pati sukses në Kabul nuk pati sukses në pjesë të mëdha të vendit. Kjo ndoshta është edhe për faktin se njerëzit në zonat rurale kanë pak lidhje me qeverinë e tyre, me ata që janë përgjegjës në Afganistan dhe nuk kanë besim”.

Performanca e dobët e qeverisë mund të ketë kontribuar në dështimin e misionit, thotë Serap Güler. Nëse shërbimet vendimtare të qeverisë dështojnë, njerëzit nuk mund të preken më për parimet e politikës progresive. “Në një situatë të tillë, shumë njerëz kanë thjesht shqetësime të tjera”, thotë Güler. “Ata duhet të shohin se kanë mjaft për të ngrënë, që fëmijët e tyre të arsimohen, që në përgjithësi të plotësojnë nevojat e tyre materiale. E gjithë kjo krijon presione të tilla në rrethanat lokale saqë idetë si shteti ligjor apo demokracia duken relativisht abstrakte. Njerëzit kanë nevojë për gjëra konkrete, duhet të kuptojnë se pse këto standarde janë të dobishme. Më pas ata mund të bëjnë diçka me to.”

Shumë pak vëmendje iu kushtua popullatës civile dhe të njëjtën përshtypje ka edhe Shahina Gambir. “Ne duhet të shqyrtojmë shumë qartë se në çfarë mase populli afgan dhe shoqëria civile ishin të përfshirë. Cila ishte ideja e tyre për demokracinë, cila është ajo? A përputhet kjo me idetë tona? Pyetjet e këtij lloji mund të jenë shumë të rëndësishme për të ardhmen.”

dw