Sonda e NASA-s përplaset me sukses me astereoidin

Illustration of NASA's DART spacecraft prior to impact at the Didymos binary asteroid systemNASA përplasi me sukses një sondë në një astereoid, gjatë një prove të paprecedentë për të parë nëse është i mundur devijimi i kursit të një shkëmbi hapësinor. Përplasja galaktike ndodhi në një asteroid që ndodhet rreth 11 milionë kilometra larg Hënës.

 

Sonda “Dart” u përplas në shkëmbin e vogël hapësinor me një shpejtësi prej 22,530 kilometrash në orë. Shkencëtarët thonë se përplasja duhet të ketë krijuar një krater në astereoidin e goditur dhe një grumbull gurësh dhe pluhuri në hapësirën rreth tij.

Shkencëtarët shpresojnë që përplasja të ketë ndryshuar orbitën e asteroidit. NASA nuk do ta dijë për disa ditë ose javë se deri në çfarë mase sonda e saj ka ndryshuar kursin e asteroidit.

voa

Balluku e Kim vizitojnë TEC-et lundruese në Vlorë. Prodhimi pritet të nis në fund të vitit

TEC-et lundruese në VlorëNë Shqipëri, ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, vizitoi të hënën, së bashku me ambasadoren amerikane Yuri Kim, dy termocentralet (TEC) lundruese që Korporata energjitike KESH, ka marrë me qera nga kompania amerikane Excelerate Energy. Të dyja njësitë, siç bëri të ditur ministrja Balluku, pritet të vihen në punë në fund të këtij viti.

 

Të ardhura para pak javësh, ato ndodhen aktualisht në zonën e Petroliferës, në pritje të punimeve për thellimin e basenit në Triport të Vlorës ku ato do të duhet të stacionohen e ku do të bëhen dhe lidhjet me Operatorin e transmetimit të energjisë, për të hedhur në rrjet prodhimin.

Të dy njësitë, të cilat punojnë me lëndë djegëse (një lloj nënprodukt i naftës), pritet të gjenerojnë 114 megawat, ose 867 gigawat energji në vit, që siç shpjegoi ministrja Balluku, i korrespondojnë, përfaërsisht 15 përqind të nevojave që ka Shqipëria.

Kontrata e qerasë ka një afat 2-vjeçar, dhe autoritetet kanë rënë dakort në parim, që në fund të kësaj periudhe, të mund t’i blejnë të dy TEC-et lundruese, për t’i përdorur ose si një burim alternative energjie, ose t’i japin me qera, në varësi të situatës. Të dy njësitë, janë të projektuara të punojnë dhe me gaz. Në zonën e Vlorës kompania amerikane Excelerate Energy dhe Exxon Mobile, po shohin mundësinë e një terminali për importin e Gazit Natyror të Lëngshëm (GNL). Në një rast të tillë, dhe dy TEC-et lundruese do të mund të furnizoheshin me gaz.

Sipas përllogaritjeve, kostoja e prodhimit të energjisë (në varësi të çmimit të naftës) pritet të luhatet mes 170 dhe 200 euro për megawat/orë. Një çmim që konsiderohet si tejet e favorshëm në kushtet kur sipas ministres Balluku “nga të gjithë të dhënat që kemi, çmimi për megawatt/orë për vitin 2023 do të jetë mesatarisht 529 euro. Pra, nuk është vetëm aspekti i sigurisë energjitike, por nga ana tjetër do të arrijmë të kursejmë gati 60 përqind nëse do e importonim këtë sasi”

Ardhja e tyre është shoqëruar dhe me polemika të disa grupeve të ambientalistëve. Ata kanë ngritur shqetësimin e ndotjes së ajrit nga djegia e naftës, si dhe të rrezikut mbi faunën dhe florën detare, për shkak të ujit të detit që përdoret për ftohjen e impianteve.

Por sipas zonjës Balluku “të gjithë parametrat, si ato mjedisorë dhe ato të zhurmës, janë brenda limiteve, në përputhshmëri të plotë jo vetëm me kriteret tona, si palë nënshkruese të Konventave ndërkombëtare, por dhe ato të Bankës Botërore, përsa i përket emetimeve nga njësitë prodhuese të energjisë”.

Ministrja falenderoi ambasadoren amerikane për mbështetjen e saj në vendosjen e partneritetit mes autoriteteve shqiptare dhe kompanisë Excelerate Energy. Nga ana e saj ambasadorja Kim tha se “në dy muajt e fundit një nga temat për të cilën çdokush ka folur, ka qenë sfida e energjisë me të cilën po përballet bota. Veçanërisht në Europë, ne mund të shohim atë që po ndodh me Rusinë në Ukrainë. Ne duhet të sigurohemi që aleatë amerikanë në Nato, partnerë apo miq si Shqipëria të mund të diversifikojnë burimet e tyre të energjisë, që të jenë më të sigurta, më të begata e më të pavarura”, deklaroi ambasadorja amerikane.

voa

Tiranë: Protesta për mbylljen e kolegjit turk nga qeveria

Erdogan RamaMe vendim të qeverisë shqiptare u mbyll kolegji turk, “Turgut Ozal”, i financuar nga lëvizja gyleniste. Ministria e Arsimit në Tiranë e ka përligjur mbylljen e kolegjit me mos plotësimin e kritereve ligjore.

 

Pas më shumë se 25 vitesh funksionimi në Shqipëri, kolegji privat turk “Mehmet Akif Ersoy” është mbyllur në Tiranë me një vendim të qeverisë Rama. Ky kolegj, pjesë e rrjetit „Turgut Ozal” të financuar nga lëvizja gyleniste e klerikut turk, Fethullah Gűlen, është një nga shkollat e para të mesme private të hapura në Shqipëri pas përmbysjes së regjimit komunist dhe ndryshimeve demokratike.

Ministria e Arsimit e ka përligjur mbylljen e kolegjit me “nisjen e vitit të ri shkollor në një vendndodhje dhe mjedise të reja, të pamiratuara paraprakisht nga ministria, gjë që ka sjellë mos plotësimin e kritereve ligjore”. Nxënëset e këtij kolegji protestuan të hënën (26.09) para Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrisë dhe kërkuan rishikimin e vendimit për të bërë të mundur vijimin e vitit shkollor në kolegjin e tyre.

Kryeministri Edi Rama në një postim në twitter theksoi që protesta duhet të adresohet „kundër pronarëve që shitën godinën e shkollës dhe e zhvendosën aktivitetin e saj në një vend tjetër, pa marrë leje sipas ligjit dhe pa respektuar rregullat e parashikuara nga ligji”. Protesta e nxënëseve të kolegjit privat turk” Mehmet Akif Ersoy” u zhvillua pasi hedhjes poshtë nga Gjykata Administrative e Tiranës të kërkesës  për pezullimin e vendimit të mbylljes që drejtuesit e kolegjit e quajnë „të padrejtë dhe motivuar politikisht”.

 

Shkelje ligji apo plotësim i kërkesës së Erdogan-it?

Pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi, që ndodhi në vitin 2016, Erdogan vizitoi Shqipërinë dhe i kërkoi autoriteteve të saj të mbyllte kolegjet private të ngritura me fondet e kundërshtarit të tij, Fetullah Gűlen, i shpallur nga autoritetet turke si organizator i atij grushti. Bashkë me mbylljen e kolegjeve u kërkua edhe dorëzimi në Turqi i mësuesve gylenistë. Kjo kërkesë u përsërit në vizitën që zhvilloi Presidenti turk, në Tiranë në fillim të këtij viti në të cilën ai i kushtëzoi marrëdhëniet dypalëshe me goditjen e gylenistëve.

“Fakti që FETO* është ende e aftë të gjejë fushë veprimi në vendin mik dhe vëlla, në Shqipëri, e lëndon thellë popullin turk. Pritshmëria jonë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren masa më konkrete, vendimtare dhe hapa të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri. Çështjen e FETO-s e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik”, deklaroi ai.

Opozita reagoi të hënën ndaj mbylljes së kolegjit turk të vajzave duke quajtur atë “plotësim të kërkesës së Erdogan”. Sipas nënkryetarit të “Partia e Lirisë”, Agim Nesho, vendimi për mbylljen e shkollës ” është i pabazuar në ligj.” Anëtari i kryesisë së “Grupit të Rithemelimit ” të kryesuar nga ish-kryeministri Berisha e quan vendimin e mbylljes së kolegjit turk arbitrar dhe pasojë e presionit të presidentit truk Erdogan ndaj autoriteteve të larta të Shqipërsë.

dw

Fabula: MOS ARGUMENTONI ME GOMERË

luani Gomari

Gomari i tha tigrit:

– “Bari është blu”.

Tigri u përgjigj:

– “Jo, bari është i gjelbër”.

Diskutimi u ndez dhe të dy vendosën ta paraqesin atë në arbitrazh, dhe për këtë ata shkuan para luanit, mbretit të xhunglës.

Tashmë para se të arrinte lëndina në mes të pyllit, ku luani ishte ulur në fronin e tij, gomari filloi të bërtiste:

– “Madhëria e juaj, Madhëria e juaj, a është e vërtetë që bari është blu?”.

Luani u përgjigj:

– “E vërtetë, bari është blu.”

Gomari nxitoi dhe vazhdoi:

– “Por, Tigri nuk pajtohet me mua dhe më kundërshton dhe më bezdis, të lutem ndëshkoje.”

Atëherë mbreti deklaroi:

– “Tigri do të dënohet me 5 vjet heshtje”.

Gomari u hodh i gëzuar dhe vazhdoi rrugën, i kënaqur dhe duke përsëritur:

– “Bari është blu”…

Tigri e pranoi dënimin e tij, por megjithatë e pyeti luanin:

– “Madhëria juaj, pse më dënuat mua?, bari është i gjelbër.”

Luani u përgjigj:

– “Në fakt, bari është i gjelbër”.

Tigri pyeti:

– “Po pra, atëherë, pse më dënon mua?”.

Luani u përgjigj:

– “Kjo nuk ka të bëjë me pyetjen nëse bari është blu apo jeshil.

Ndëshkohesh, sepse nuk është e mundur, që një krijesë e guximshme dhe inteligjente si ti, të humbasë kohë duke debatuar me një gomar, e mbi të gjitha, të vijë të më shqetësojë edhe mua me atë pyetje”.

Humbja më e keqe e kohës është debati me budallain dhe fanatikun, të cilit nuk i intereson e vërteta apo realiteti, por vetëm fitorja e besimit dhe iluzionit të tij. Asnjëherë mos humbisni kohë në argumentime që nuk kanë kuptim…

Ka njerëz që, sado prova dhe prova t’u paraqesim, nuk janë të aftë për të kuptuar ose janë të verbuar nga egoja, urrejtja dhe inati dhe gjithçka që duan është të kenë të drejtë edhe nëse nuk kanë.

Kur injoranca bërtet, inteligjenca hesht.

Paqja dhe qetësia juaj vlejnë më shumë.

Billionaire’s Wisdom

Kovaçevski: Po të mos e subvenciononte Qeveria energjinë elektrike, qytetarët do të paguanin fatura edhe më të larta

KovaçevskiGjashtëqind mijë amvisëri dhe shtatëdhjetë mijë kompani që janë në tregun rregullator në vend furnizohen me energji elektrike të subvencionuar.

 

“Nëse Qeveria nuk subvencionon 80 përqind të çmimit të energjisë elektrike, faturat e qytetarëve do të ishin pesë herë më të larta”, theksoi sonte kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai informoi se Qeveria është duke zhvilluar negociata intensive me vendet fqinje dhe vendet tjera për të siguruar energji elektrike me çmim të favorshëm për ekonominë dhe konsumatorët e mëdhenj.

Në vend termocentralet shtetërore po punojnë me kapacitet të plotë.

“Kemi zhvilluar takime me të gjitha vendet fqinje për të mundësuar qarkullimin e pandërprerë të energjisë. Me Republikën e Greqisë për furnizim të pandërprerë me qymyr dhe naftë, sepse nafta vjen nga Greqia në Maqedoninë e Veriut. Me Republikën e Shqipërisë edhe për rrjedhjen e papenguar të qymyrit, sepse aty ka edhe depozita të qymyrit cilësor. Tani do të fillojë nxjerrja e xehes nga miniera e Zhivojno-s. Aktivizuam kapacitetet që nuk ishin shfrytëzuar më parë për rrymë, Osllomej, TEC Negotinë. Me kërkesë të Dhomës së Tregtisë dhe odave të tjera ekonomike, tashmë kemi diskutuar me Republikën e Bullgarisë që gjatë dimrit të mos ketë ndërprerje të lidhjeve ndërkombëtare të energjisë elektrike. Në 10 vitet e fundit ka ndodhur tre herë që të ketë ndërprerje të tranzitit ndërkombëtar të energjisë elektrike për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Po bisedojmë edhe me Republikën e Serbisë, me Republikën e Bullgarisë dhe me Republikën e Turqisë për furnizim me energji elektrike me çmime që do të jenë të përshtatshme për ekonominë tonë”, theksoi kryeministri Kovaçevski në një intervistë.

Kryetari i Qeverisë shtoi se aktualisht po zhvillohen takime, në të cilat është i përfshirë edhe kryetari i Odës Ekonomike, për të gjetur zgjidhje që kompanitë të sigurojnë energji elektrike me çmim më të lirë se ai i bursave botërore.

telegrafi

Itali: A do të drejtohet vendi nga një ekstremiste e djathtë?

Giorgia MeloniSipas sondazheve kryeson kampi populist i djathtë i udhëhequr për herë të parë nga një grua. Giorgia Meloni mund të bëhet ekstremistja e parë e djathtë që do të drejtojë Italinë që nga koha e diktatorit Benito Musolini.

 

Nga zgjedhjet e sotme në Itali mund të ndodhë një kthesë politike, sepse sipas sondazheve të fundit, partia ekstremiste e djathtë “Vëllezërit e Italisë”, e drejtuar nga Giorgia Meloni, është forca më e fortë politike me rreth 25 për qind, kurse socialdemokratët e Enriko Letës pritet të fitojnë rreth 22 për qind të votave.

Rreth 51 milionë italianë kanë të drejtë të votojnë këtë të dielë. Por edhe pse bëhet fjalë për një votim me ndikimin themelor në drejtimin e vendit, sipas studiuesve elektoralë, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare pjesëmarrja do të jetë rreth 65 për qind. Sondazhet e fundit janë bërë 14 ditë më parë, sepse ligji italian për zgjedhjet nuk lejon organizimin e sondazheve më afër datës së zgjedhjeve.

Surprizat tek elektorati italian, i cili është i vështirë për t’u parashikuar, janë të mundshme. Por sipas mediave italiane shumica e studiuesve elektoralë mendojnë se këtë të dielë nuk pritet zgjedhja surprizë e Giorgia Melonit, e cila do të ishte ekstremistja e parë e djathtë që do të udhëhiqte vendin që nga koha e diktatorit Benito Musolini.

Mendimi pothuajse unanim është se shanset e skuadrës së Giorgia Melonit  për të fituar janë vetëm 60/40. Katër vite më parë, në zgjedhjet e fundit, “Vëllezërit e Italisë” fituan rreth katër për qind. Fituesit e mëdhenj në atë kohë ishin populiste e majtë “Lëvizja Pesë Yjet” dhe partia populiste e djathtë “Lega”. Yjet ishin partia më e fortë me mbi 32 për qind. Lega mori 17 për qind. Dhe që të dyja ftuan më shumë se sa kishin parashikuar sondazhet.

 

 

Giorgia Meloni 2“Së pari Italia”: Kush është Giorgia Meloni?

 

Ekstremistët e djathtë të “Fratelli d‘Italia” kryesojnë me 22 përqind sondazhet, nga katër përqind në vitin 2018. Kryetarja Girogia Meloni mund të bëhet e para grua kryeministre e Italisë.

 

Një pllakatë dhe një kurorë e vyshkur të kujtojnë në Via della Scrofa në Romë, jo larg selisë së parlamentit në qendrën historike, luftëtarin e rezistencës antifashiste Alberto Marchesi. Më 1944 ai u ekzekutua nga SS gjermanë në shpellat Adreatine. Kjo pllakë përkujtimore ndodhet majtas portës së madhe me harqe në palazzo-n e lyer me të verdhë. Majtas saj ndodhet një pllakatë fare e vogël peçiklasi, që tregon selinë e partisë neofashiste “Fratelli d’Italia” në këtë ndërtesë. Një koinçidencë e habitshme kjo e këtyre pllakatave pranë njera-tjetrës.

Në Via della Scrofa 39 që nga viti 1946 kanë pasur selinë partitë neofashiste. Fillimisht lëvizja MSI, pas saj aleanca kombëtare dhe tani Fratelli d’Italia, që është emërtuar sipas vargut të parë të himnit kombëtar të Italisë. Giorgia Meloni, kryetarja e partisë, i ka kushtuar shumë rëndësi të qendruarit në këtë ndërtesë historike, ku kanë hyrë e kanë dalë pasuesit e ish-udhëheqësit fashist Benito Mussolini. Ajo sipas të dhënave të veta ka një qendrim të përcaktuar ndaj historisë: vazhdimisht në inervista Meloni thotë, se „diktatori Mussolini ka „qenë një personalitet i shumëanshëm”. Nën Mussolinin ka pasur edhe gjëra të mira, vazhdon të jetë edhe sot mendimi i disa italianëve.

 

Pak distancë

Meloni nuk ka një distancim nga fashizmi. Në autobiografinë e saj ajo shkruan, se është e vetëdijshme, që politikisht po ecën në një fushë të minuar: “Ne jemi fëmijë të historisë sonë. Të të gjithë historisë sonë. Si për të gjitha kombet e tjera rruga jonë është ajo që ne kemi përshkuar, komplekse, shumë më e ndërlikuar, nga sa ne duam ta tregojmë.” Vetëm kultin e udhëheqësit të fashizmit e refuzon kryetarja e partisë, shkruan ajo më tej. Një simbol i fashistëve është vazhdimisht i pranishëm, kur Giorgia Meloni p.sh. jep konferenca shtypi në selinë e partisë.
Pas saj qendron logoja e Frateli d’Italia: një flakë e stilizuar me ngjyrat italiane. Kjo flakë e përjetshme në kuptimin figurativ flakëron në varrin e Mussolinit. “Unë s’kam asgjë, për t’u shfajësuar në jetën time. Por në një nga tre diskutime televizive më këkrohet të flas për historinë dhe jo për politikën aktuale. Kjo nuk është e drejtë.”

 

Jo më përshëndetje romake

Në përgatitjet për fushatën e kaluar elektorale Giorgia Meloni i pati udhëzuar anëtarët e partisë së saj në mbledhjet e brendshme që të mos bëjnë më deklarata ekstreme, të mos i referohen më fashizmit dhe në radhë të parë të mos përdorin më „përshëndetjen romake”, “përshëndetjen hitleriane” me dorën e djathtë të shtrirë. Partia që së shpejti mund të nxjerrë kryeministren nga radhët e veta, duhet të dalë prej skajit ekstrem për t’u pozicionuar në „qendrën e djathtë”. Tek e fundit Giorgia Meloni pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 25 shtator do të krijojë një koalicion qeverisës me partitë e djathta „Lega” nën Matteo Salvinin dhe “Forza Italia”, e drejtuar nga Silvio Berlusconi. Synimi i saj është pra një koalicion me fasadën e së djathtës qytetare.

“Që Meloni ka arritur kaq shumë në Itali, kjo ka të bëjë me të gjithë ata, që e zbukurojnë atë. Që nga mediet, që insistojnë ta përkufizojnë Salvinin dhe Melonin si qendra e djathtë, e deri tek Berlusconi e Grillini, që e kanë sjellë atë në pushtet, e po ashtu edhe e majta e çorientuar, që e ka nënvleftësuar dhe legjitimuar atë”, mendon gazetarja spanjolle, Alba Sidera, e cila prej vitesh trajton temën e së djathtës në Itali. “Meloni nuk ka dalë nga hiçi. Prej vitesh ajo përgatitet për t’u bërë kryeministre.”

 

Funksionare neofashiste

Giorgia Meloni, lindur në vitin 1977, kur ishte nxënëse vetëm 15 vjeç u antarësua në „frontin e rinisë” të partisë neofashiste MSI, për të dhënë një shenjë kundër terrorit të së majtës ekstreme në ato vite në Itali. Më vonë ajo drejtoi unionin studentor të ekstremit të djathtë dhe më 2006 u zgjodh deputete në parlamentin italian. Më 2008 ajo ishte ministrja më e re e Italisë. Në moshën 31 vjeç ajo drejtoi Ministrinë e Rinisë në qeverinë e Silvio Berlusconit. Përpara dhjetë vjetësh Giorgia Meloni themeloi partinë “Fratelli d‘Italia”, kryetare e së cilës është që nga viti 2014. Më 2020 ajo mori edhe kryesinë e grupit të partive europiane “ECR”, ku bën pjesë ndër të tjera edhe partia polake PiS.

 

Populizëm puro

Me sloganin populist „Së pari Italia dhe italianët!” Meloni do të hyjë tani në fushatën elektorale. Ajo kërkon më shumë të mira sociale për familjet, më pak burokraci europiane, ulje taksash, ndalimin e imigracionit. Ajo dëshiron të rinegociojë kontratat e BE-së dhe antarësimin e Italisë në bashkimin monetar në zonën e euros. Abortet refuzohen prej saj, po ashtu si edhe martesat për të gjithë. Një sekretare për gjuhë të huaja nga profesioni ajo nuk ka përvojë në fushën e ekonomisë dhe politikës së jashtme. Gjatë gjithë karrierës së saj ajo ka punuar vetëm si deputete dhe funksionare partie.

 

Radikale e vetëdijshme

Ndaj kritikave të forta lidhur me personin e saj në kampin politik të së majtës, Giorgia Meloni reagon e shpenguar në një artikull në Facebook. Shkrimtarja Ginevra Bompani tha në intervistën për televizionin La7, “Meloni është e matufepsur …ajo është e rrethuar nga nazistët.” Meloni e sulmuar iu përgjigj në Facebook, se i vjen keq që gjithmonë e paraqesin „si gruaja e zezë”.

Kundërshtarët e saj janë thjeshtë janë të dëshpëruar, që ajo është kaq e suksesshme. Është qesharake, thotë ajo, të më vendosësh mua në kontekst me Mussolinin, Hitlerin apo Putinin. “Unë në fakt mbështes Ukrainën”, thotë Meloni. Në një intervistë televizive ajo u rekomandoi kritikëve të saj, që të marrin si shembull Francën apo Gjermaninë. Atje partitë populiste të djathta janë të suksesshme dhe askush nuk ka bërë skandal për këtë. “Përse duhet të funksionojë ndryshe në Itali?” Në Gjermani Meloni i referohet partisë AfD, që ndonëse ka humbur elektorat në zgjedhjet e fundit është e përfaqësuar me dhjetë përqind.

Në Europë kryetarja e “Fratelli d’Italia” synon që Italia të drejtojë për ta reformuar BE-në në një union ekonomik më të çlirët. Presidenti i Francës Emmanuel Macron është dobësuar, pasi i mungon shumica në parlament. Kancelari gjerman Olaf Scholz është i pasigurtë, u shpreh së fundi në një intervistë me RAI-n, Giorgia Meloni. Scholz nuk ka të njëjtën forcë si paraardhësja e tij Angela Merkel, thotë ajo. Ndaj ajo lë të kuptohet, se synon të japë drejtimin. Meloni është e martuar me një gazetar televizioni, i cili tregon kujdes për të krijuar imazhin e saj të ri serioz.

dw/dpa

Mos vallë nuk duhet të hamë kurrë më ëmbëlsira?!

embelsiraUshqimi ndikon mikrobiomën në zorrën e trashë – e kështu edhe shëndetin tonë. Eksperimentet me minj tregojnë, se sheqeri vret baketere të caktuara të zorrës së trashë, që parandalojnë obezitetin dhe sëmundjet.

 

Çokollata, biskota e ëmbëlsira – të gjitha këto shijojnë, por nuk janë të shëndetshme. Që konsumimi i tepërt i sheqerit është i dëmshëm për shëndetin, kjo dihet dhe është tashmë një realitet jo i këndshëm. Po ashtu konsiderohet e sigurt edhe njohuria, që ushqimi ynë lë gjurmë në organet tona të aparatit të tretjes e kësisoj influencon edhe jetën e baktereve që gëlojnë në zorrën tonë.

Studiuesit e Columbia University në Nju Jork së fundi kanë publikuar në revistën shkencore „Cell” një studim, që tregon, se si influencon sheqeri mikrobiomën e zorrës së trashë tek minjtë – e kjo madje me pasoja për sistemin imunitar.

 

Baktere të mira, baktere të këqia

Në zorrën e trashë jetojnë bakteret, që janë përgjegjëse për rritjen e qelizave të caktuara të imunitetit, të ashtuquajturat qeliza ndihmëse T, ose më saktë: qelizat Th17. Shkencëtarët kanë vërejtur, se këto qeliza imunitare rregullojnë absorbimin e yndyrës në zorrën e minjve.

 

Studiuesit gjithashtu kanë konstatuar, se një ushqim me përmbajtje sheqeri stimulon rritjen e baktereve të caktuara, të cilat pastaj eliminojnë atë pjesë të mikrobiomës që forocon imunitetin. Si rrjedhojë përmes mukozës së zorrës depërton më shumë yndyrë në trupin e minjve. Kafshët jo vetëm trashen deri në mbipeshë, por edhe sëmuren. “Se çfarë efekti ka sheqeri në zorrën e njeriut nuk njihet ende mirë”, thotë Christian Sina, drejtor i Institutit të Mjekësisë së të Ushqyerit në Universitetin e Lybekut. Studime me minjtë ka shumë, ndërkohë që të dhënat për zorrën e trashë tek njeriu janë të pakta. Megjithatë është e qartë, se sheqeri me tepricë definitivisht nuk është i shëndetshëm.

 

Sheqer po, por me sasi të kontrolluar

Megjithatë kush kalon ndonjë çast dobësie dhe zbraz raftin e ëmbëlsirave, apo e kalon ditën ulur në kolltuk duke ngrënë çokollata e duke pirë limonatë, nuk sëmuret menjëherë. Ndaj Christian Sina nuk do t’i verë kryqin përfundimisht sheqerit nga menyja. “Fare pak sheqer për të ëmbëltuar kafenë, nuk është problem”, thotë mjeku nutricionist.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) këshillon, që konsumi i sheqerit në ditë të pakësohet në 25 gram. Kjo sasi i përgjigjet gjashtë lugëve kafeje sheqer. Një sondazh i Center of Disease Control and Prevention (CDC) në vitet 2017 dhe 2018 rezultoi, se amerikanët në SHBA mesatarisht konsumojnë 17 lugë kafeje me sheqer në ditë.

 

Ushqimet e prodhuara industrialisht përmbajnë shumë sheqer

Problematike nuk janë vetëm tortat, biskotat e çokollatat, të njohura për përqendrimin e lartë të sheqerit. Por edhe produktet e gatshme ushqimore të ashtuquajturat „sheqer i fshehur”: Kush ha shumë ushqime të gatshme, e tejkalon lehtë normën e përmbajtjes së sheqerit në gjak.

Prej kësaj shumë shpejt krijohet rrethi vicioz: ushqimi me përmbajtje sheqeri jo vetëm e rrit shpejt vlerën e sheqerit në gjak, por bën edhe që kjo vlerë të bjerë shpejt sërish. Mungesa e sheqerit që pason, e nxit përsëri edhe më shumë urinë për ëmbëlsira.

 

Pasojat e vlerës së rritur të sheqerit dhe yndyrës në gjak janë krahas obezitetit edhe sëmundjet kardiovaskulare. Si rrjedhojë pasojnë infarktet në zemër, apopleksia cerebrale (goditje në tru) dhe diabeti i tipit 2.

 

Pothuajse pa alternativa të mira

Mjalti, shurupi i agaves, sheqeri artificial si saharina kanë disa avantazhe, thotë nutricionisti Sina. Por sipas tij “edhe këto alternativa ndaj sheqerit të përpunuar kanë problemet e tyre.” Mjalti dhe shurupi i agaves përmbajnë gjithashtu glukozë, pra sheqer.

Nëse rezultatet e studimeve me minjtë e dikur edhe studimet tek njeriu do të konfirmojnë dëmet që shkakton sheqeri, ndoshta OBSH-së dhe mjekëve nutricionistë do t’u duhet ta rishqyrtojnë sasinë e rekomandueshme të përdorimit të tij.

Sidoqoftë të dhënat që ekzistojnë deri më sot qartazi flasin për „sa më pak, më mirë”. “Ne duhet të heqim dorë prej ndjenjës, që e ëmbla është mirë për ne”, thotë mjeku nutricionist Sina. Pra duhet pasur parasysh: jo çdo ditë konsum sheqeri dhe jo në sasi të mëdha.

dw

Sistemi i dështuar i menaxhimit dhe përmbytja e lumenjve nga mbetjet

LumenjtGrykëderdhja e lumit Ishëm i ngjan një landfilli që shtrihet për kilometra buzë detit në të dy anët e lumit, që sjell aty qindra ton plastikë prej zonave urbane, përfshirë Tiranën. Siç vihet në dukje në reportazhin e gazetarit të Birn-it, Vladimir Karaj, kjo është pasojë e sistemit të dështuar të menaxhimit të mbetjeve.

 

Në grykëderdhjen e lumit Ishëm, peshkatari amator, Viktor Saka del nga deti me çizme të lagura dhe pasi kërkon për 30 sekonda mes mbeturinave, i zëvendëson ato me dy shapka në ngjyra të ndryshme.

Bregdeti në veri të kepit të Rodonit i ngjan një landfilli të madh plastike, ndërsa e gjithë rëra është e mbuluar nga mbeturinat. Mbetjet mbërrijnë aty nga lumi Ishëm, i cili kalon përmes zonës më të populluar të Shqipërisë në Tiranë, Kamzë, Krujë dhe Fushë-Krujë.

Tashi nuk të merr malli me ardh me gjujt mo këtu, arsyea është sepse shihe. Këto mbetje vijnë direkt, nga fillo lumi nga Tirana e deri gjithë. Këtu vijnë mbetje spitalore, mbetje supermaketi me etiketa nga Tirana”, thotë zoti Saka.

Specialistët e mjedisit thonë se ndotja e grykëderdhjes së Ishmit dhe një sërë lumenjsh të tjerë në Shqipëri, është pasojë e keqmenaxhimint të trajtimit të mbetjeve në të gjithë vendin. Situata vazhdon të mbetet shqetësuese edhe pasi qeveria ka harxhuar me dhjetra miliona euro në projekte si ato të inceneratorëve për menaxhimin e mbetjeve.

Por absolutisht është edhe mungesa e një sistemi efikas në menaxhimin e mbetjeve urbane… Njësitë administrative që janë pjesë e pellgut të Ishmit, nuk e kanë një sistem të tillë efektiv, çka i detyron qytetarët, duke mos e përjashtuar pjesën e kulturës, t’i hedhin mbetjet pranë përroskave pranë linjave të ujit dhe ato pastaj aty do të grumbullohen në atë pellgun e madh”, thotë Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i organizatës mjedisore “Eco Albania”.

Pasojat e ndotjes nuk janë të pranishme vetëm në shkatërrimin e pejsazhit. Plastika e mbetjeve, të cilën toka nuk arrin ta shkatërrojë, shpërbëhet gradualisht në grimca të vogla, që për shkak të pamjes së tyre, gëlltitet nga peshqit e përfundon më pas si ushqim për njerëzit.

Një studim i vitit 2016, i bërë në një sërë vendesh të Ballkanit, gjeti mbetje të plastikës në peshq të vegjël dhe të mëdhenj në zonën e Ishmit.

Në të gjithë peshqit, pa përjashtim, në peshqit me përmasa mbi 30 centimetra kishte mikroplastika në stomakun e peshkut dhe në zorrët. Në peshqit më të vegjël, açuge, sardele, kishte prezencë, por jo në të gjithë individët”, thotë Prof.Ass. Jerina Kolitari, nga Departamenti i Akuakulturës dhe Peshkimit në Universitetin Bujqësor të Tiranës.

Mjedisorët shpjegojnë se plastika që përfundon në det nuk shkatërrohet, por mbetet në trupin e njeriut dhe bëhet burim sëmundjesh.

“Këto bëhen shkak për një sërë sëmundjesh, duke filluar nga tumoret e kancerët”, thotë zoti Nika.

Një dokument i Ministrisë së Mjedisit i vitit 2020, në të cilin bëhet Vlerësimi Strategjik Mjedisor i grykëderdhjes së Ishmit, thotë se situata në zonë është urgjente dhe se vetëm “një plan i mirëfilltë menaxhimi” për mbetjet e bashkive dhe më pas pastrimi i mbetjeve të vjetra mund të japë zgjidhje.

Megjithatë, të vetmet masa të ndërmarra në këtë zonë janë disa aksione vullnetare, suksesi i të cilave mbetet kryesisht tek sensibilizimi.

Për ish-zv.ministren e Mjedisit, Ornela Çuçi, aksionet vullnetare nuk konsiderohen zgjidhje për problemin.

Shqipëria nuk mund të pastrohet me fshesë shqope dhe as me aksione vullnetare dhe as me aksion, ka nevojë patjetër për sistem”, thotë ajo.

Ekspertët shtojnë se problemi historik i derdhjes së mbetjeve në lumenj po u faturohet edhe vendeve të tjera, pasi rrymat detare e përcjellin shumicën e mbetjeve drejt veriut të Adriatikut, në Mal të Zi dhe në Kroaci.

Vladimir Karaj, BIRN / voa

Kryeministrja britanike Truss, thirrje aleatëve për mbështetje të palëkundur ndaj Ukrainës

TrussKryeministrja britanike Liz Truss tha të shtunën se aleatët duhet të qëndrojnë të palëkundur në krah të Ukrainës dhe të injorojnë kërcënimet e presidentit rus Vladimir Putin.

 

Zonja Truss, e cila u takua me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden dhe atë të Francës, Emmanuel Macron në Nju Jork javën e kaluar në udhëtimin e saj të parë jashtë vendit si kryeministre, u bëri thirrje vendeve demokratike të jenë të vendosura kundër “regjimeve autokratike”.

Kryeministrja britanike tha se presidenti rus po përshkallëzonte agresionin e tij në Ukrainë sepse ai nuk po fitonte dhe se ai kishte bërë një gabim strategjik.

Presidenti Putin urdhëroi javën e kaluar një mobilizim të pjesshëm trupash dhe përmendi mundësinë e një konflikti bërthamor.

“Unë mendoj se ai nuk e kishte parashikuar forcën e reagimit nga bota e lirë,” tha zonja Truss në një intervistë për CNN-in, transmetuar të dielën.

“Ne nuk duhet t’u kushtojmë rëndësi kërcënimeve të tij të rreme. Ne duhet të vazhdojmë të vendosim sanksione ndaj Rusisë dhe të vazhdojmë të mbështesim ukrainasit”, tha ajo.

Zonja Truss, që mori detyrën në fillim të këtij muaji, ka mbajtur një qëndrim të ashpër kundër Rusisë dhe Kinës.

Por ajo ka pasur gjithashtu mospërputhje me disa aleatë tradicionalë, veçanërisht në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, lidhur me marrëveshjet tregtare me Bashkimin Evropian pas Brexit-it.

Kryeministrja britanike tha se ajo vazhdon të dëshirojë një zgjidhje të negociuar mbi të ashtuquajturin protokoll të Irlandës së Veriut, se ajo dhe presidenti Biden bien dakord se paqja duhet të ruhet dhe se ajo beson në “marrëdhënien speciale” midis Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

“Unë mendoj se marrëdhënia jonë është e veçantë dhe është gjithnjë e më e rëndësishme në një kohë kur po përballemi me kërcënime nga Rusia, (dhe) përballë sfidës së Kinës,” tha zonja Truss.

“Jam i vendosur që ta bëjmë marrëdhënien speciale edhe më të veçantë gjatë viteve të ardhshme.”

Zonja Truss tha se pati një “takim shumë të mirë” me presidentin francez Macron në Nju Jork.

“Mezi pres të punoj me të në të ardhmen,” tha ajo.

Ajo tha se aleatët e Britanisë duhej të punonin së bashku në qëndrimin e tyre ndaj Kinës si dhe Rusisë.

I pyetur nëse Britania do ta mbronte Tajvanin ushtarakisht nëse Kina ndërhyn, siç kanë thënë Shtetet e Bashkuara, zonja Truss tha: “Ne jemi të vendosur të punojmë me aleatët tanë për t’u siguruar që Tajvani të jetë në gjendje të mbrohet.”

voa

Beogradi përpiqet të ulë rëndësinë e marrëveshjes për konsultime politike me Moskën

Lavrov SelakovicMinistri i Jashtëm i Serbisë Nikola Selakoviç, u përpoq të dielën të ulë rëndësinë e një marrëveshjeje me Rusinë, pasi shteti ballkanik, i cili aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, u përball me kritika për nënshkrimin e saj.

 

Ministri serb nënshkroi të premten marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shumica e delegacioneve perëndimore shmangën kryediplomatin rus për shkak të agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Plani i konsultimit i paraparë me marrëveshjen pritet të zgjasë për dy vjet, u tha të premten në një deklaratë të ministrisë serbe. Serbia zyrtarisht është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë.

Lajmi i marrëveshjes shkaktoi kritika të ashpra të një pjese të opozitës në Serbi por edhe të disa politikanëve të Bashkimit Evropian.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon dhe raportuesi për Serbinë, Vladimir Bilçik, e cilësuan marrëveshjen si një goditje të madhe për procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Zyrtarët nga opozita pro-perëndimore e Serbisë thanë se marrëveshja është një shenjë se presidenti serb Aleksandar Vuçiç, një ish-ultranacionalist, ka hequr dorë nga orientimi i vendit ballkanik drejt Bashkimit Evropian dhe po e afron atë më pranë Moskës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëveshja Serbi-Rusi, “duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”.

Ministri serb Selakoviç tha të dielën se tha se marrëveshja është “teknike” dhe lidhej me marrëdhëniet dypalëshe, por jo me çështjet e sigurisë. Serbia, tha ai, ka nënshkruar dokumente të ngjashme me Rusinë që nga viti 1996.

“Sa më përket mua, qeveria mund ta kishte refuzuar një plan të tillë, por nuk ka asgjë të diskutueshme në të. Plani po kritikohet nga ata që nuk e kanë parë”, tha ai.

Serbia mbështetet në përkrahjen e Moskës në kundërshtimin e saj ndaj pavarësisë së Kosovës e cila u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore.

Ndonëse pohon se e mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës, Serbia ka refuzuar vazhdimisht t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës. Përafrimi i politikave të jashtme me Bashkimin Evropian është një nga parakushtet kryesore për t’u anëtarësuar në bllokun 27-vendesh, por Serbia i ka kundërshtuar vazhdimisht thirrjet për ta bërë një gjë të tillë.

voa