NATO: Mbështetje për Tiranën për mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike

James Apathurai Niko PeleshinëNjë ekip i NATO-s, i kryesuar nga James Apathurai, qëndroi në Tiranë për të mbështetur Shqipërinë në nivel politik dhe teknik pas sulmeve kibernetike.

 

Zëvendësndihmësi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për sfidat e reja të sigurisë, James Apathurai, deklaroi në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Niko Peleshinë, në Tiranë se “NATO-ja do ta mbështesë Shqipërinë për plotësimin e nevojave afatgjata që i duhen për të ndërtuar një rrjet mbrojtës ndaj sulmeve kibernetike” .

James Apathurai theksoi në konferencën e përbashkët për shtyp se “arsyeja kryesore e pranisë sonë në Tiranë është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s lidhur me sulmet kibernetike dhe për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve.

 

Peleshi: Shqipëria e pambrojtur nga sulmet kibernetike

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se “sulmet kibernetike kundër Shqipërisë nuk ia arritën dot qëllimit por ato treguan se infrastruktura dhe teknologjitë e informacionit në Shqipëri nuk janë të mbrojtura.”

 

”Këto sulme tregojnë se Shqipëria nuk mund të jetë e mbrojtur në mënyrë të vazhdueshme, por duhet që të gjithë të jemi vigjilentë dhe të aftë për të mbrojtur infrastrukturën dhe teknologjitë e informacionit . Duhen më shumë investime për luftën kibernetike pasi ajo është një luftë e re që ka marrë tjetër intensitet pas agresionit rus në Ukrainë, ka prishur ekuilibrat gjeopolitikë dhe ka ndryshuar skemën e sigurisë,” tha ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në konferencën e përbashkët për shtyp.

Ai garantoi që sistemet e sigurisë dhe të mbrojtjes në Ministrinë e Mbrojtjes janë të paprekura nga dy sulmet kibernetike në fillim të këtoj muaji, pasi “ato janë të shkëputura nga rrjeti i përgjithshëm i komunikimit”.

“Këto sulme u drejtuan kundër sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar dhe kishin për qëllim shkatërrimin e plotë të sistemeve dhe të platformave të shërbimeve shtetërore, por nuk arritën qëllimin e fshirjes dhe shkatërrimit të tyre.” tha Peleshi.

Peleshi vlerësoi edhe qëndrimin e vendeve aleate të NATO-s që dënuan ashpër sulmet kibernetike nga Irani dhe mbështetën Shqipërinë me deklarata dhe ofrimin e asistencës së specializuar në fushën kibernetike.

 

Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në fillim të këtij muaji, (07.09.) pas “provave të pakundërshtueshme” që vërtetojnë, që pas sulmeve massive kibernetike ndaj institucioneve shqiptare, që synuan të paralizojnë institucionet shtetërore të Shqipërisë, fshihet Irani.”

Tri ditë pas ndërprerjes së menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike dhe 24 orë pas sanksioneve të SHBA ndaj Ministrisë Iraniane të Zbulimit dhe të Sigurisë dhe titullarit të kësaj ministrie, ministrit Esmail Khatibi, Irani kreu një sulm tjetër kibernetik ndaj sistemit TIMS në Shqipëri.

dw

Ukraina dhe perëndimi: Mobilizimi, shenjë se agresioni rus në Ukrainë po dështon

UkrainaPresidenti rus Vladimir Putin thirri të mërkurën 300,000 rezervistë për të luftuar në Ukrainë duke mbështetur planet për aneksimin e një pjesë të vendit fqinj. Po ashtu ai la të kuptohej se është i gatshëm të përdorte armë bërthamore. Ky është mobilizimi i parë i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë reaguan duke thënë se vendimi tregonte se fushata e Rusisë në Ukrainë po dështon. Ndërkaq Moska për herë të parë përmendi shifrën se 6 mijë ushtarë rusë janë vrarë në luftën në Ukrainë, ndonëse Pentagoni në muajin gusht kishte thënë se shifra e ushtarëve rusë të vrarë e plagosur në Ukrainë arrijnë deri në 80 mijë veta.

 

Në një fjalim të mbajtur sot në mëngjes Presidenti Putin tha se mobilizimi do të fillojë nga dita e sotme. Ai akuzoi NATO-n për luftën në Ukrainë, duke shantazhuar edhe me armë bërthamore.

“Po flasim jo vetëm për bombardimin e nxitur nga perëndimi të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, por edhe për deklaratat e disa përfaqësuesve të rangut të lartë të NATO-s për mundësinë e përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë kundër Rusisë… Dua t’u kujtoj atyre se edhe vendi ynë ka shumëllojshmëri armësh, dhe në disa fusha edhe më moderne se ato të vendeve të NATO-s. … Ky nuk është një bllof,” tha presidenti rus, Vladimir Putin.

Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë reaguan duke thënë se vendimi për mobilizim të pjesshëm të popullsisë tregon se fushata e Rusisë në Ukrainë po dështon.

“Padyshim kjo tregon se ai po has vështirësi dhe ne e dimë këtë. Ka moral dhe kohezion të tmerrshëm në fushën e betejës. Ai ka probleme me dezertimet dhe me detyrimin e të plagosurve që të kthehen përsëri në luftë. Ai është në disavantazh, veçanërisht në zonën verilindore të Donbasit”, tha sot zëdhënësi i Këshillit Kombëtar amerikan të Sigurisë, John Kirby për televizionin ABC.

Mikhailo Podolyak, këshilltari i presidentit ukrainas, Volodmyr Zelensky i tha agjencisë Reuters se “vendimi është absolutisht i parashikueshëm, i cili duket më shumë si një përpjekje për të justifikuar dështimin e tyre”.

Kina mbajti një qëndrim më neutral.

“Ne u bëjmë thirrje palëve të interesuara që të arrijnë një armëpushim dhe t’i japin fund luftës përmes dialogut dhe negociatave, dhe të gjejnë një zgjidhje që merr parasysh shqetësimet e arsyeshme të sigurisë të të gjitha palëve,” tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Wand Wenbin.

Ministri rus i Mbrotjes Sergi Shoigu, bëri sot të ditur numrin e ushtarëve rusë të vrarë gjatë luftës në Ukrainë.

“Kemi kohë që nuk kemi folur për këtë, por duhet të përmend humbjet tona. Deri më sot kemi humbur 5937 persona”, tha ministri rus i mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Perëndimi beson se humbjet në radhët e forcave ruse janë shumë më të mpdha.

“Forcat ruse kanë pësuar dhjetëra mijëra viktima” tha sot zëdhënësi i Këshillit Kombëtar amerikan të Sigurisë, John Kirby në televizionin ABC.

Në muajin gusht, Pentagoni tha se besonte se midis 70,000 dhe 80,000 pjesëtarë të personelit rus ishin vrarë ose plagosur gjatë luftës mbi 200 ditëshe në Ukrainë.

Ministri Shoigu tha se Rusia ka 25 milionë luftëtarë në dispozicion të saj.

Dekreti i publikuar në faqen e internetit të Kremlinit vinte në dukje se mobilizimi do të zbatohej vetëm për rezervistët me përvojë të mëparshme ushtarake.

Ministri rus tha se atyre do t’u jepej trajnim shtesë përpara se të dërgoheshin në Ukrainë dhe se nuk do të përfshinin studentë ose ata që kishin shërbyer vetëm si rekrut.

Shoigu tha se mobilizimi do të ndihmonte Rusinë të “konsolidojë” territoret që mban në një vijë fronti prej 1,000 km në Ukrainë.

Moska thotë se po zhvillon një “operacion special” për të çmilitarizuar fqinjin e saj dhe për ta çliruar atë nga nacionalistët e rrezikshëm.

Kievi dhe Perëndimi thonë se Rusia po ndëprmerr një fushatë imperialiste për të ripushtuar një fqinj properëndimor, që u çlirua nga sundimi i Moskës kur Bashkimi Sovjetik u shemb më 1991.

voa

Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut padit Donald Trumpin dhe kompaninë e tij

Prokurorja e New YourkutProkurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut ngriti padi ndaj ish-presidentin Donald Trump dhe kompanisë e tij të mërkurën, nën akuzat për mashtrim biznesi, ku përfshihen disa nga pasuritë e tyre më të çmuara, si pronat në Manhatan, Çikago dhe Uashington.

 

Padia e Prokurores së Përgjithshme Letitia James, e paraqitur në gjykatën e shtetit të Nju Jorkut, vjen pas përfundimit të një hetimi penal trevjeçar ndaj Trumpit dhe Organizatës Trump. Tre nga fëmijët tij të rritur, Donald Jr., Ivanka dhe Eric Trump, janë gjithashtu të pandehur, së bashku me dy drejtues të vjetër të kompanisë, Allen Weisselberg dhe Jeffrey McConney.

Padia synon të godasë thelbin e asaj që e bëri Trumpin të famshëm, duke hedhur një hije të zezë mbi pasurinë dhe imazhin që ai ka përcjellë gjithë karrierës së tij – fillimisht me ndërtimin e pasurive të patundshme, e më pas si drejtues i serialeve televizivë “The Apprentice” dhe ” Celebrity Apprentice”, dhe më së fundmi si president.

Zonja James, një demokrate, i bëri të ditura hollësitë e padisë në një konferencë shtypi të mërkurën.

Sipas akuzës Donald Trumpi “i ka fryrë në mënyrë të rreme vlerat e pasurive të tij me miliarda dollarë”.

Synimi, thotë zyra e Prokurores së Përgjithshme, ishte të krijohej imazhi prej miliarderi i Trumpit dhe të rriste vlerën e pronave të tij, kur kjo i jepte atij një avantazh, ndërsa në raste të tjera për qëllime tatimore, ta ulte vlerën e pasurisë.

“Ky hetim zbuloi se për vite të tëra, Donald Trumpi ka kryer akte të paligjshme, duke fryrë vlerën e pasurive të tij, për të mashtruar bankat dhe banorët e shtetit të Nju Jorkut”, tha zonja James në konferencën për shtyp. “Të pretendosh se ke para që nuk i ke, nuk të bën mjeshtër të artit të marrëveshjes, por mjeshtër të vjedhjes”, tha prokurorja, duke iu referuar titullit të librit të Trumpit mbi “artin e marrëveshjes”.

Prokurorja James po kërkon të heqë menaxherët e tanishëm të pasurive të zotit Trump, që kontrollohen prej tij dhe t’i zëvendësojë ata me drejtues të pavarur për jo më pak se pesë vjet për të monitoruar pajtueshmërinë, raportimin financiar, vlerësimet dhe të dhënat e Organizatës Trump për huadhënësit dhe autoritetet tatimore.

Prokurorja James tha se hetimi i saj zbuloi shkelje të mundshme kriminale, duke përfshirë falsifikim të dhënash, pasqyra financiare falco, mashtrime me kompanitë e sigurimeve, si dhe mashtrime bankar. Ajo tha se zyra e saj po ia referon këto gjetje prokurorëve federalë dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme.

Alina Habba, një avokate e zotit Trump, tha se padia “nuk është e përqëndruar as në fakte dhe as në ligj – përkundrazi, ajo është e përqëndruar vetëm në avancimin e synimeve politike të Prokurores së Përgjithshme” të Nju Jorkut.

“Është shumë e qartë se Zyra e Prokurores së Përgjithshme ka tejkaluar autoritetin e saj ligjor, duke u futur në transaksione ku nuk ka ndodhur absolutisht asnjë shkelje”, tha avokatja Habba. “Ne jemi të sigurt se sistemi ynë gjyqësor nuk do ta pranojë këtë abuzim të pakontrolluar të autoritetit, dhe ne mezi presim të mbrojmë klientin tonë kundër çdo pretendimi të pabazë të Prokurores së Përgjithshme”

Padia e prokurores James vjen në mes të një numri sfidash ligjore të paprecedenta për ish-presidentin, duke përfshirë një hetim të FBI-së për trajtimin e të dhënave të klasifikuara nga zoti Trump dhe hetimet mbi përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

Organizata Trump do të dalë në gjyq në tetor në një çështje penale ku akuzohet se ai u ka dhënë përfitime të pataksuara drejtuesve lartë, duke përfshirë shefin e financave Weisselberg, i cili ka përfituar më shumë se 1.7 milionë dollarë shpërblime shtesë.

Weisselberg, 75 vjeç, u deklarua fajtor më 18 gusht. Marrëveshja e tij për pranimin e fajësisë kërkon që ai të dëshmojë në gjyqin e kompanisë përpara se të fillojë dënimin me pesë muaj burg. Nëse shpallet fajtore, Organizata Trump mund të përballet me një gjobë prej dyfishin e shumës së taksave të papaguara.

Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, ka kryer një hetim penal paralel për të njëjtat praktika biznesi që janë në qendër të padisë penale të paraqitur sot.

Në të njëjtën kohë, FBI po vazhdon të hetojë ruajtjen e dokumenteve sekrete qeveritare nga zoti Trump në pronën e tij Mar-a-Lago në Florida dhe një juri e madhe speciale në Xhorxhia po heton nëse zoti Trump dhe të tjerë u përpoqën të ndikonin mbi zyrtarët zgjedhorë të shtetit.

E gjithë drama ligjore po luhet përpara zgjedhjeve të nëntorit për në kongres, ku republikanët po përpiqen për të fituar kontrollin e njërës ose të të dy dhomave të Kongresit.

Ndërkohë, Donald Trumpi ka hedhur bazat për një fushatë të mundshme presidenciale në vitin 2024 dhe ka akuzuar administratën e Presidentit Joe Biden se e ka vënë në shënjestër për të dëmtuar shanset e tij politike.

Ligji shtetëror i Nju Jorkut lejon një gamë të gjerë procedurash juridike në bazë të kodid civil kundër kompanive që kryejnë mashtrime, duke përfshirë heqjen e licencave për të kryer biznes në shtet, largimin e drejtuesve të kompanive si dhe kthimin ose heqjen e përfitimeve të fituara në mënyrë të paligjshme.

Zyra e kryeprokurores James mund të kërkojë gjithashtu të ndalojë Trumpin nga përfshirja në lloje të caktuara biznesesh, siç ndodhi në janar kur një gjykatës e ndaloi përgjithmonë ish-drejtorin ekzekutiv të kompanisë së barnave Martin Shkreli nga industria farmaceutike.

voa

Ministria e Arsimit në Maqedoni: Nuk do të mbyllen shkollat

shkollla-kosoveQeveria do t’i shfrytëzoj të gjitha mundësitë që procesi edukativo arsimor të mos dëmtohet për shkak të krizës energjetike. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha për Alsat Institucionet punojnë që mësimi me prezencë fizike të mos ndërpritet.

 

Ai tha se në Ministrinë e Arsimit nuk ka arritur asnjë kërkesë nga krerët e komunave për riorganizim të vitit shkollor. Këtë të fundit tashmë e kanë kërkuar kryetarët e komunave të Pollogut me sqarimin që pushimi dimëror të zgjatet ndërsa viti shkollor të vazhdojë në qershor. Gjithashtu, viti i ri shkollor mos të nis në 1 shtator por më 15 gusht.

 

“Do të bëhet një analizë të treguesve financiar, një analizë të treguesve të buxhetit, një analizë të shfrytëzimit të mjeteve të buxhetit. Të gjithë punojmë për këtë gjë por përsëri do të vazhdoj ta them se shumë është e rëndësishme që mësimi të jetë me prezencë fizike, nxënësit të jenë me prezencë fizike dhe ne të tjerët të bëjmë gjithçka që mësimi sa më gjatë të jetë me prezencë fizike”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit dhe Shkencës.

Ministri i Arsimit Shaqiri mohoi deklaratën e kreut të Tetovës Bilall Kasami i cili në emisionin 200 tha se nxënësve tetovarë të arsimit fillor u mungojnë mbi 35 mijë libra.

“Informatat të cilat i kam, për momentin në Tetovë mungojnë 35 mijë libra vetëm në shkollat fillore, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Ne kërkojmë nga Qeveria që nëse në një periudhë të arsyeshme nuk siguron libra për këta nxënës ne do të gjejmë mënyra se si nxënësit do ti pajisim me libra”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i Tetovës.

“Ekziston në ministrinë tonë i gjithë raporti i dorëzuar sa materiale janë dorëzuar në Komunën e Tetovës, aq sa ka pasur të paraqitur nxënës në procesin dhe që ka kërkuar shkolla, për klasën e parë, të dytë, të katërt dhe të pestë. Për atë që ka thënë kryetari Komunës, do ti kisha kërkuar që përveç që të diskutojmë në debate televizive ose opinione kur japim të dhëna, fakte, ti dorëzojmë këto të dhëna në Ministri, për cilat lëndë dhe për cilat klasë”, tha Jeton Shaqiri, ministër I Arsimit.

Për mungesën e librave ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët. Partia të cilën e drejton Taravari akuzoi Ministrinë e Arsimit si të papërgjegjshme dhe totalisht e papërgatitur për t’i furnizuar me libra nxënësit pavarësisht se po kalon java e tretë e vitit shkollor. Gjithashtu, nga ASH thanë se ato libra që i posedojnë nxënësit janë thuajse tërësisht të shkatërruara.

telegrafi

Bruksel: Nis procesi i shqyrtimit të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut

MK BENë Bruksel po zhvillohen deri më 27 shtator takimet në kuadër të procesit të shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut.

 

 

Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut, i njohur si “screening” ka të bëjë me plotësimin e standardeve dhe të kërkesave që duhet të përmbushë Maqedonia e Veriut që të bëhet anëtare e BE-së. Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit ka nisur me të ashtuquajturat “vlera themelore” të BE-së, që lidhen me sundimin e ligjit, qeverisjen e mirë, reformat në administratën publike dhe menaxhimin e financave publike.

 

Proces i gjatë

Ky është proces i gjatë dhe kërkon përfshirje nga të gjitha ministritë, deklaroi shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Dejvid Gir, sepse fjala është për 33 kapituj për të cilët duhet të negociohet. Ambasadori Gir shtoi se deri tani “gjithçka po ecën pozitivisht”.

 

Procesi i shqyrtimit analitik të legjislacionit të Maqedonisë së Veriut përbëhet nga dy nënfaza. Në të parën Komisioni Evropian do të përditësojë të drejtën relevante të BE-së. Kurse në të dytën, e cila është procesi dypalësh, shqyrtohet nëse legjislacioni i Maqedonisë Veriut përputhet me ligjet e BE-së dhe vendosen planet për përputhshmëri të mëtejshme duke ndërtuar kapacitete institucionale dhe administrative, si dhe burimet e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane. Proceset do të zbatohen sipas metodologjisë së re në nivel grupesh, në një periudhë që do të zgjasë të paktën një vit.

 

Mariçiq: Anëtarësimi në BE detyrë e të gjithëve

Zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, tha se qeveria do të luftojë për të arritur dy qëllime të rëndësishme – qëllimin tonë të jashtëm politik për anëtarësim në BE, që të mos mbetet vetëm në letër dhe vetëm në teori, dhe e dyta është të mbrojmë identitetin tonë si maqedonas.

“Mendoj se është e mundur. Ne mund të hyjmë në BE në kohën e duhur si maqedonas, që flasin gjuhën maqedonase. Nëse e kuptojmë këtë dhe punojmë për këtë kauzë edhe si parti politike dhe si individë, ne mund t’i arrijmë të gjitha këto. Kjo është detyrë e gjithë shoqërisë”, tha Mariçiq. Ai i bëri thirrje VMRO-DPMNE-së opozitare që t’i bashkohen këtij procesi të rëndësishëm.

dw

Osmani takoi zyrtarët e lartë amerikanë: Serbia t`i zbatojë obligimet e saj

Osmani Escobar CholletPresidentja e Republikës së Kosovës, në kuadër të vizitës në New York, është takuar me këshilltarin në Departamentit Amerikan të Shtetit, z. Derek Chollet dhe të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Në takim me zyrtarët e lartë amerikanë, Presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon dhe më gjerë si dhe bashkëpunimin e mëtejm për ta avancuar integrimin euroatlantik të Kosovës,  si një parakusht për stabilitet afatgjatë.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, dhe në veçanti përkrahjen e SHBA-ve në procesin e dialogut.  Ajo gjithashtu theksoi nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Presidentja Osmani,  potencoi nevojën që Serbia t`i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe nevojën urgjente që të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

rtk

Scholz sulmon ashpër Putinin para OKB-së

ScholzIshte fjalimi i parë i kancelarit gjerman, Scholz para Kombeve të Bashkuara. Një fjalim i ashpër kundër Putinit, të cilin ai e akuzoi për imperalizëm të pastër. Scholz u shpreh për reformimin e Këshillit të Sigurimit.

 

Në fjalimin e tij të parë para Kombeve të Bashkuara, kancelari gjerman, Oaf Scholz ngriti akuza të rënda kundër presidentit rus, Vladimir Putin. Duke iu referuar luftës agresore të Rusisë në Ukrainë, Scholz tha para sesionit të 77-të të  Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, se “ai nuk shkatërron (…) vetëm Ukrainën, ai po rrënon edhe vendin e tij.” Putin e zhvillon këtë luftë pushtuese me të vetmin qëllim: nënshtrimin e Ukrainës. Vetëvendosja dhe pavarësia politike nuk luajnë rol për të. Për këtë ka vetëm një fjalë: “Ky është imperializëm i pastër”, tha Scholz në Nju Jork, dhe theksoi edhe njëherë mbështetjen e anëtares së OKB-së, Ukrainës “me të gjithë fuqinë, financiarisht, ekonomikisht, nga ana humanitare dhe me armë.

 

“Kufijtë nuk zhvendosen me forcë”

Kancelari kërkoi nga bashkësia e shteteve të angazhohen për objektivat dhe parimet bazë të OKB-së. Nuk duhet të qëndrosh duarkryq, kur një superfurqi nukleare plotësisht e armatosur, përveç kësaj anëtare themeluese e OKB-së dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit kërkon të zhvendosë kufijtë me dhunë. Scholz kritikoi “fragmentarizmin e ri” të botës. Janë krijuar luftëra të reja dhe konflikte. Kriza globale të mëdha po lartohen para nesh, po lidhen me njëra-tjetrën dhe përforcohen.”

Në fjalimin e tij, kancelari Scholz kujtoi, se vendet anëtare të OKB-së janë përgjegjëse për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Scholz i bëri thirrje qeverisë kineze të zbatojë rekomandimet e ish-komisares së OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet për situatën e pakicës myslimane uigure në Xinjang. Pekini e mohon akuzën, se në këtë provincë mbahen të burgosur qindra mijëra vetë në kampe riedukimi. Në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut Scholz përmendiedhe shtete si Afganistani, Koreja e Veriut, Siria, Irani dhe Bjellorusia.

 

Përveç kësaj kancelari gjerman kërkoi reformimin e Këshillit të Sigurimit dhe një vend të përhershëm të Gjermanisë në instancën më të lartë të OKB-së. “Gjermania është gati të marrë më shumë përgjegjësi, si anëtare e përherëshme dhe si vend jo anëtar i përhershëm në vitet 1927/28.” Republika Federale e Gjermanisë është financuesja e dytë më e madhe e sistemit të OKB-së, theksoi Scholz.

 

la/se/gri (rtr, dpa, afp, kna)

Presidenti Putin shpall mobilizim të pjesshëm në Rusi

PutinPresidenti rus Vladimir Putin njoftoi të mërkurën një mobilizim të pjesshëm në Rusi, pasi lufta në Ukrainë po mbush shtatë muaj dhe Moska humbet terren në fushën e betejës. Presidenti Putin gjithashtu paralajmëroi perëndimin se “nuk është blof” që Rusia do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur territorin e saj.

 

Fjalimi televiziv i udhëheqësit rus drejtuar kombit, vjen një ditë pasi rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore, njoftuan planet për të mbajtur referendume për t’u bërë pjesë e Rusisë. Përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të gëlltitur katër rajone mund të krijojnë rrethanat që Moska të përshkallëzojë luftën pas sukseseve të Ukrainës.

Presidenti Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe vuri në dukje “deklaratat e disa përfaqësuesve të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.

“Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t’ju kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi … dhe më moderne se ato të vendeve të NATO-s dhe kur kërcënohet tërësia tokësore e vendit tonë, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, tha presidenti Putin.

“Nuk është një blof”, shtoi ai.

Presidenti rus tha se ka nënshkruar një dekret për mobilizimin e pjesshëm, i cili do të hyjë në fuqi të mërkurën.

“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, pra vetëm qytetarët që janë aktualisht në njësitë rezervë do t’i nënshtrohen rekrutimit dhe mbi të gjithë, ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë një specializim të caktuar ushtarak dhe përvojë përkatëse”, tha ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mobilizimi i pjesshëm do të përfshijë rreth 300 mijë trupa rezervë.

Referendumet, të cilat pritej të zhvillohen që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë të premten në rajonet e Luhanskut, Khersonit dhe rajonet pjesërisht të kontrolluara nga Rusia të Zaporizhias dhe Donetskut.

Presidenti Putin tha se vendimi për mobilizimin e pjesshëm është i duhur “për kërcënimet me të cilat përballemi, përkatësisht për të mbrojtur atdheun tonë, sovranitetin dhe tërësinë tonë tokësore dhe për të garantuar sigurinë e popullit tonë dhe qytetarëve në territoret e çliruara”.

Më herët të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, hodhi poshtë planet ruse për të organizuar referendume në rajonet e pushtuara në Ukrainën lindore dhe jugore dhe falënderoi aleatët e Ukrainës për dënimin e votimeve të planifikuara të fillojnë të premten.

voa

“Rritje e pabesueshme” e çmimeve

gaziÇmimet e prodhimit janë rritur me shpejtësi rekorde. Çfarë do të thotë kjo për çmimet e konsumit?

 

Papritur në gusht u rritën shumë çmimet e prodhimeve, për shkak të kostove jashtëzakonisht të larta të naftës, gazit dhe energjisë elektrike. Çmimet e prodhimit u rritën mesatarisht me 45,8 përqind, raportoi të martën Zyra Federale e Statistikave. Kjo ishte “rritja më e lartë në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë, që kur bëhen këto lloj sondazhe në vitin 1949″.

Kjo ka tejkaluar shumë vlerën rekorde të mëparshme prej 37,2 përqind, nga korriku i këtij viti. Kjo shihet si befasi, sepse ekonomistët kishin pritur një rënie në 37,1 përqind. Çmimet e prodhimit u rritën me 7,9 përqind nga korriku në gusht. “Kjo është gjithashtu rritja më e lartë në krahasim me një muaj më parë, që nga fillimi i matjeve”, thuhet në raport.

 

Inflacioni mund të rritet edhe më shumë

Ekonomistët u befasuan nga rritja e inflacionit në nivel të prodhimeve. “Një rritje e pabesueshme e çmimeve”, komentoi ekonomisti i LBBW Jens-Oliver Niklasch këto zhvillime. Kompanitë do të mund të kalojnë vetëm një pjesë të rritjes së çmimeve tek konsumatorët. Por edhe kjo do të influencojë rritjen e inflacionit. E gjithë kjo nuk është e mirë për inflacionin, sepse inflacioni duket se do të mbetet”.

 

Çmimet e prodhimit konsiderohen si pararendëse për rritjen e inflacionit të përgjithshëm. Në statistika, çmimet llogariten që nga dera e fabrikës – edhe para se produktet të përpunohen ose shiten më tej. Në gusht, çmimet e konsumit ishin 7,9 përqind më të larta se një vit më parë. Bundesbank pret një rritje të mëtejshme në shtator me skadimin e biletës 9 euro në muaj dhe me heqjen e subvencionimeve të karburanteve. Norma e inflacionit ka të ngjarë të “rritet me një nivel dyshifror në muajt e ardhshëm”.

 

Çmimi i gazit dhe energjisë problemi më i madh

Arsyeja kryesore për rritjen e inflacionit në nivel prodhues është energjia, e cila ka kushtuar dukshëm më shumë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt. Çmimet e prodhimit ishin 139 përqind më të larta se në gusht 2021. Gazi natyror kushtonte më shumë se trefish më shumë se një vit më parë (+209,4 përqind), e energjia elektrike ishte edhe më e shtrenjtë me 278,3 përqind. 37 përqind më të larta kanë qenë çmimet e derivateve të naftës. Nafta për ngrohje ishte në gusht dy herë më e shtrenjtë se një vit më parë (+104,0 përqind), ndërsa karburantet e motorëve ishin 27,3 përqind më të shtrenjta.

Çmimet e larta të energjisë po ndikojnë edhe në mallrat e ndërmjetme (plus 17,5 përqind) si metalet dhe kimikatet bazë. Nga rritje të ndjeshme të çmimeve (10,9 përqind dhe 16,9 përqind) ndikohen edhe mallrat e qëndrueshme dhe ato të konsumit. Për shembull, ushqimi ishte 22,3 përqind më i shtrenjtë në gusht se një vit më parë. Çmimet e prodhimit ndikojnë natyrisht edhe në çmimet e konsumit.

 

Çmimet e sotme të prodhimit dërgojnë një mesazh të paqartë, thotë Ralph Solveen i Commerzbank. “Rënia e çmimeve të mallrave të ndërmjetëm inkurajon se rritja e çmimeve të konsumit do të arrijë kulmin në muajt e ardhshëm. Megjithatë, rritja e e pandalshme e çmimeve të energjisë tregon se këtu ka një potencial të konsiderueshëm për pasiguri. Ndaj mund të ndodhë që në muajt e ardhshëm të kemi edhe rritje të reja rekorde të inflacionit dhe çmimeve të konsumit.”

bc&iw/hb (rtr, dpa)

BE përfshin Ballkanin në zbutjen e pasojave të luftës në Ukrainë

6 lider ballkanKreu i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, u premtoi liderëve të Ballkanit Perëndimor në një takim në Nju Jork, se BE-ja do të ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar kërcënimet hibride.

 

Takimi i gjashtë liderëve të Ballkanit Perëndimor me kreun e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u zhvillua në Nju Jork, ku po mbahet sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kishte në fokus ndikimin që ka në rajon pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

 

Borrell: BE ndihmë  Ballkanit për energjinë e kërcënimet hibride 

Josep Borrell u premtoi shteteve të Ballkanit Perëndimor se Bashkimi Evropian,  do t’i ndihmojë ata për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë edhe ato kibernetike”. Në njoftimin e lëshuar nga zyra e Borrell thuhet se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell dhe liderët e Ballkanit Perëndimor diskutuan se si do të mund të adresojnë së bashku pasojat dëmtuese të luftës së Ukrainës mbi çmimet e ushqimit dhe energjisë, stabilitetit dhe sigurisë në Evropë dhe botë”. “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor do të qëndrojnë së bashku në përballje me sfidat që sjell lufta e paprovokuar e Rusisë kundër Ukrainës në nivel botëror. BE-ja e përfshin Ballkanin Perëndimor në nismat e saj për të zbutur ndikimet e luftës”.

Në takimin me Borrell merrte pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pas takimit shkroi, se “në raport me agresionin e Rusisë në Ukrainë, Kosova i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe se askush në rajon nuk duhet t`i shërbej si satelit asaj për destabilizim të rajonit”. Serbia është vendi i rajonit që refuzon t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, megjithë thirrjet e vazhdueshme të Bashkimit Evropian.

 

Osmani ngre çështjen e liberalizimit të vizave

Në takimin me Borrell në Nju Jork, presidentja Osmani ngriti edhe njëherë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, ku vendi akoma nuk gëzon të drejtën e lirë të lëvizjes në zonën Shengen. “Prej katër vjetësh, institucionet e Bashkimit Evropian, kanë konstatuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave”. Në takim “presidentja Osmani ka kërkuar përmbylljen urgjente të çështjes së liberalizimit të vizave dhe ka potencuar përkushtimin e Kosovës për paqe e stabilitet, për rrugën e saj euroatlantike”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës. Në takimin e organizuar nga Josep Borrell me krerët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani, gjithashtu ka kërkuar “mbështetje nga BE-ja për tejkalimin e krizës energjetike këtë dimër”.

Në takimin me Borrell merrte pjesë edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, i cili nga Nju Yorku, shkroi në profilin e tij në Instagram, se “ka një lajm të mirë për tërheqjen e një njohjeje për Kosovën”. “Pavarësisht se Serbia po kalon nëpër një periudhë të vështirë, ka një lajm të mirë për qytetarët e Serbisë. Kam marr një tjetër njoftim për tërheqje të njohjes për Kosovën, kështu që ne po forcojmë pozicionin tonë dhe në këtë kuptim do të vazhdojmë të luftojmë dhe do t’i referohemi të drejtës publike ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara”, shkroi Vuçiq në Instagram.

 

Progresi në dialog dhe ulja e tensioneve pas zhvillimeve  që ndodhën nën fund të korrikut në veri të Kosovës mbeten kërkesa të BE. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që ishte i pranishëm në takimin e fundit në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit Vuçiq e kërkoi këtë nga të dyja vendet. Nga data 31 tetor, serbët e Kosovës që kanë makinat me targa të qyteteve të Serbisë, nuk do të mund të qarkullojnë në Kosovë. Sipas krerëve të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, situata aktualisht  në veri është e qetë, mirëpo e brishtë. Andaj KFOR-i nuk përjashton mundësinë e tensioneve të reja, kur të skadojë afati i regjistrimit të makinave më 31 tetor që qeveria e Kosovës e ka përcaktuar dhe që po kundërshtohet nga Serbia. “Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar, nëse kemi rritje të tensioneve, mirëpo edhe mund të rrisim numrin e forcave rezervë dhe këtë vendim mund ta marrim brenda një kohe të shkurtër”, ka thënë zëvendëskomandanti i KFOR-it, Luca Piperni, gjatë një takimi me gazetarët në Prishtinë.

dw