E fton Gjermania, Lajçak i pranishëm në samitin e Procesit të Berlinit

West BalkanGjithçka është gati. Në takimin që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit me 3 nëntor, do të marrin pjesë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

Ata do të priten nga kancelari i Gjermanisë, Olaf Szholz, i cili megjithatë, nuk do të jetë i vetëm.

Prezent do të jetë edhe sllovaku Miroslav Lajçak, emisar i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe i ngarkuar si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi. Një gjë ë tillë konfirmohet për RTKlive nga zyrtarë të Bashkimit Evropian.

“Mund të konfirmoj se emisari i Lajçak do të jetë pjesëmarrës në këtë samit, me ftesë të Berlinit”, thotë Zoï Muletier, zëdhënëse e BE-së, në deklarim për RTKlive.

Megjithatë, ajo nuk sqaroi nëse janë planifikuar takime mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak.

“Ju sugjeroj që të kontaktoni zyrat përkatëse të Kosovës dhe Serbisë lidhur me pjesëmarrjen nga ana e tyre në këtë samit”, thotë Muletier.

RTKlive është përpjekur të marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës në lidhje me këtë samit, por zëdhënësi i Qeverisë. Përparim Kryeziu, nuk dha ndonjë përgjigje konkrete.

“Në lidhje me agjendën e samitit të Procesit të Berlinit, do të njoftoheni me kohë”, tha Kryeziu për RTKlive.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, ka thënë më 21 tetor se Serbia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnje dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova kanë arritur marrëveshje për lëvizjen e qytetarëve pa viza.

“Marrëveshja për udhëtim me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor shkatërron murin e fundit të vizave në rajon”, ka thënë Bregu, pas kësaj arritjeje në kuadër të Procesit të Berlinit.

I ashtuquajturi Proces i Berlinit është një format i takimeve vjetore të iniciuara nga Qeveria gjermane qysh në vitin 2014, kur në Berlin është mbajtur një konferencë për Ballkanin Perëndimor.

Qëllim i tij është të forcojë bashkëpunimin e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor dhe të përshpejtojë integrimin e tij në BE.

Sidoqoftë, këtë vit, samiti që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit, kulmon pas takimeve të mëparshme të mbajtura javëve të fundit, të ministrave të punëve të Brendshme, atyre të Jashtëm si dhe të Energjisë,të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këhstu, këtë vit, me 20 tetor është mbajtur takimi i ministrave të Punëve të Brendshme, me  21 tetor ai i ministrave të Punëve të Jashtme, kurse  me 24 tetor takimi i ministrave të Energjisë.

Që nga viti 2014, Procesi i Berlinit ka synuar përmirësimin dhe intensifikimin e integrimit rajonal.

Ai është krijuar për të ndihmuar në përshpejtimin e harmonizimit më të ngushtë të të gjithë rajonit me BE-në.

Procesi i Berlinit përqendrohet në këtë kontekst në fusha të tilla si zhvillimi i infrastrukturës dhe lidhja, biznesi, shkëmbimet rajonale të të rinjve, pajtimi dhe shkenca.

rtk

Serbia kërcënon sërish, vë ushtrinë në gjendje gatishmërie

Ministri i ri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Milosh VuçeviqMinistri i ri i Mbrojtjes në Qeverinë e Serbisë, Milosh Vuçeviq ka deklaruar se me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, ushtria serbe është vënë në gjendje gatishmërie. Ai ka thënë se niveli i gatishmërisë luftarake është ngritur për shkak të situatës në Kosovë.

 

Ky kërcënim i autoriteteve serbe vjen pas hyrjes në fuqi të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës sa i përket konvertimit të targave ilegale në ato RKS, e që pritet të zbatohet në tri faza. Fillimisht deri më 21 nëntor është paraparë qortimi i pronarëve të automjeteve me targat ilegale, më pas fillon gjobitja dhe në fazën e tretë janë paraparë targat provuese.

Vuçeviq ka theksuar se Serbia është shtet serioz dhe se askush nuk duhet të bëjë ‘lojëra lufte’.

“Ne nuk po përgatitemi për luftë, por nuk mund të jemi plotësisht të papërgatitur për gjithçka që ndodh. Ne, angazhohemi për dialog”, ka shtuar ai.

Vuçeviq ka thënë se ‘ushtria serbe është e gatshme për të zbatuar çdo urdhër të presidentit Vuçiq, duke mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, duke përfshirë edhe serbët në Kosovë dhe se në këtë askush nuk duhet të dyshojë’.

Ndërkohë, sot patrullat e Policisë së Kosovës kanë filluar zbatimin e vendimit të Qeverisë së Kosovës, duke u shqiptuar masa qortuese qytetarëve të cilët ende nuk i kanë konvertuar targat e automjeteve të tyre nga ato ilegale KM, në ato të ligjshme RKS.

rtk

Hill: Çështja e targave nuk i zgjidh problemet kryesore

HillAmbasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se tejkalimi i mosmarrëveshjes për riregjistrimin e automjeteve nuk do të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve kyçe mes Serbisë dhe Kosovë.

 

Me rastin e fillimit të procesit të riregjistrimit, të cilin e kundërshtojnë qeveritarët në Beograd dhe serbët nga veriu i Kosovës, ka folur ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

Ambasadori amerikan tha se Qeveria e Kosovës ndjehet sikur është në një zonë gri, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke përfshirë OKB-së dhe se Serbia ka të drejtë të ngrejë pyetjen se çfarë do të ndodhë me komunitetin serb në Kosovë. Në vend që të diskutohen këto çshtje, thotë Hill, ne po merremi rreth çështjes se targave.

“Unë mendoj se çështja e riregjistrimit nuk do të zgjidhë dy probleme kruciale, çështjen e statusit ndërkombëtar të Kosovës dhe çështjen e pozitës së ardhshme të komunitetit serb në Kosovë. Këto janë çështje me rëndësi kyçe, në kuptimin që çështja e Kosovës do të ndërkombëtarizohet dhe komuniteti serb nuk do të harrohet”, tha Hill.

Ai vlerësoi se zgjidhja për targat vjen nga dialogu i Brukselit dhe se riregjistrimi nuk është gjëja më e rëndësishme me të cilën duhet të merret dialogu.

“Unë nuk jam negociator në dialog, evropianët kanë 10 vjet që punojnë shumë për këtë dhe mendoj se zgjidhja për targat por edhe për çështje tjera vjen nga dialogu i Brukselit”, tha Hill, duke shtuar se dialogu duhet të rivendoset për të zgjidhur këto çështje.

“Por dialogu nuk duhet të kthehet në ndonjë mekanizëm mosmarrëveshjesh, ne duam që dialogu të merret me çështje më të rëndësishme”, tha Hill për mediat në Beograd.

Christopher Hill i ka bërë këto deklarata duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në një pritje që organizoi më 31 tetor për nder të një delegacioni biznesmenësh nga SHBA që janë duke vizituar Serbinë.

Ai ka thenë se në Serbi si pjesë e delegacionit të biznesmenëve amerikanë janë të pranishëm perfaqësuesit nga 27 kompanive të mëdha amerikane dhe se “askush nuk ka folur dhe as nuk po flet për Kosovën”. Kjo, sipas tij, sepse ata janë të interesuar për të ardhmen e ekonomisë serbe dhe çfarë mund të bëhet në këtë drejtim”.

rtk

Kosova nisi zbatimin e vendimit për targat, SHBA dhe BE të zhgënjyera

targatQeveria e Kosovës bëri të ditur se do të fillojë zbatimin e vendimit për targat. Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi tek partnerët.

 

Në Kosovë nisur të zbatohet vendimi i Qeverisë për targat ‘ilegale’ serbe të automejeteve, megjithë thirrjen e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar që ky vendim të shtyhet edhe për 10 muaj. Në tre javët e para do të vlejë masa e “qortimit”, për të kaluar më vonë në fazën e dytë të dënimeve, ndërsa faza e tretë parashikon legalizimin e plotë të targave ilegale. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveҫla, shkroi se “pronarët e automjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, duhet të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”.

“Ftoj të gjithë qytetarët tanë të cilët posedojnë mjete të pajisura me targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, shkruan ai në Facebook. Sveçla inkurajon qytetarët “që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë automjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”.

 

BE dhe SHBA të zhgënjyera

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan qeverisë së Kosovës që të ketë shtyrje të  zbatimit të vendimit për 10 muaj, dhe jo implementim të vendimit në faza. Vetëm pak orë para se vendimi të fillojë së zbatuari, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se “SHBA-ja është e zhgënjyer që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën dhe këshillën e aleatëve ndërkombëtar për çështjen e zgjatjes së afatit për targat”.

“Ne kemi qenë të qartë si në publik ashtu dhe privatisht se bashkësia ndërkombëtare, përfshirë SHBA-në, kërkojmë shtyrje të plotë në aspektin e implementimit. Pra, ne nuk kërkojmë implementim të pjesshëm apo edhe në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës, shtyrje të plotë”, u shpreh Ned Price.

 

Qeveria e Kosovës: Vendim i përgjegjshëm

“Me vendimin ndarje në faza dhe shkallëzimin e sanksioneve për zbatimin e vendimit pararendës për targat ilegale, Qeveria ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme në raport me obligime për respektim të sundimit të ligjit dhe në të njëjtën kohë në raport me përkushtimin për paqe dhe siguri”, tha zëdhënësi i qeverisë Përparim Kryeziu. Sipas tij, me partnerët ndërkombëtarë janë diskutuar brengat që kanë qenë të përbashkëta, dhe “duke marrë ato në konsideratë kemi ardhur deri te zgjidhja që vendosë krah për krah sundimin e rendit dhe ligjit dhe paqen dhe sigurinë”.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kritikuan vendimin e qeverisë dhe paralajmëruan rezistencë ndaj gjobave që mund të shqiptohen pas datës 21 nëntor. Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit.

Kosova dhe Serbia më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pritet të hyjnë në një fazë vendimtare të dialogut bazuar në një plan të propozuar nga Franca e Gjermania, plan ky që mbështetët nga Shtetet e Bashkuara. Hollësit e planit ende nuk janë bërë publike. Autoritetet e Beogradit thonë se Plani franko-gjerman parasheh normalizim të marrëdhënieve pa njohje të ndërsjellë, ndërsa autoritetet në Prishtinë thonë se marrëveshja Kosovë-Serbi mund të funksionojë vetëm nëse në qendër të marrëveshjes është njohja e ndërsjellë.

dw

Ndryshimi i klimës rrezikon ullinjtë në Greqi

ullinjNxehtësi, thatësirë, mungesë uji: Ndryshimi i klimës rrezikon bujqësinë greke. Fshtarëve u rrezikohet ekzistenca. Së shpejti pjesë të tëra të vendit mund të thahen krejtësisht.

 

„Lesbosi pa drurin e ullirit nuk mund të imagjinohet”, thotë Michailis Bakkas, aktivist për mjedisin nga Mytilini. „Ulliri është pjesë e kulturës sonë. Këtu në Lesbos ka miliona drunj ulliri. Prej shekujsh prodhimi i ullinjve është një degë e rëndësishme e ekonomisë së Lesbosit, ishulli i tretë grek për nga madhësia”. E gjithë pasuria e ishullit bazohet te ulliri”, thotë Bakkas.

Vilat e shumta neoklasiciste, që ngrihen në lagjet më të mira të kryeqytetit të ishullit, Mytilini, dëshmojnë për një kohë, kur vaji cilësor i ullirit i sillte ishullit të ardhura të mëdha. Por ndryshimi i klimës po dëmton edhe ullinjtë, që janë shumë rezistentë ndaj thatësirës.

„Stina e verës po bëhet gjithnjë e më e thatë, thotë ambjentalisti Bakkas. Në vitin 1922 pesë muaj nuk ka rënë shi fare. „Edhe dimrat nuk janë më të ftohtë. Por kjo u duhet ullinjve për t`u rritur. Edhe atëherë kur bie shi, bie masë aq e madhe mbi Lesbos, saqë drunjtë nuk janë në gjendje ta thithin ujin. „Sidomos dukuritë ekstreme të motit në pranverë mund t`i bëjnë ullinjtë të mos lulëzojnë.

 

Bakkas është në kontakt me shumë fshatarë të ishullit, të cilëve ndryshimi i klimës u ka hapur telashe. „Fshatarët janë të shokuar”, thotë ai. „Ata shohin se prodhimi i tyre po bie. Në të njëjtën kohë çmimet e vajit të ullirit në treg nuk ua mbulojnë dot shpenzimet e fshatarëve. Në këto kushte nuk mund të mendohet për investime për të ardhmen. „Shumë nuk dinë se çfarë të bëjnë, kështu që e lënë punën me ullinjtë dhe kërkojnë një tjetër”.

Mbjellje tradicionale për të ardhmen

Michalis Bakkas bëhet merak për të ardhmen e ullinjve, me të cilët lidhet kaq shumë histori dhe identitet, por edhe ekzistenca. „Njerëzit duhet të bëhen aktivë për të zbutur pasojat e ndryshimit të klimës, me të njëjtën vendosmëri që luftuan edhe koronën”, kërkon aktivisti i mjedisit.

Disa fermerë ullinjsh në Lesbos e kanë kuptuar se nevojitet një ndryshim i mendësisë në nivel lokal. Njëri prej tyre është Prokopis Bantzos. Ai ka një fermë biodinamike, kjo do të thotë se ai punon me natyrën dhe jo kundër saj. Ai nuk përdor as plehëra kimike dhe as instekticide. Batzis bazohet krejtësisht në rezistencën natyrore të drunjve të ullirit. Çështja është që ta lësh tokën pjellore të punojë, pa ndërhyrë në të”, thotë ai.

 

Rënia e të vjelave e paevitueshme

Si tek të gjithë fshatarët në Lesbos edhe te Bantzos të vjelat sivjet nuk do të jenë as shumë sa priteshin. Edhe pse vera sivjet nuk qe aq e ngrohtë sa vitin që shkoi, shira kanë rënë shumë pak.”Pemët nuk çelin dot filiza të rinj. Ato duhet ta ruajnë energjinë për të mbetur gjallë”, thotë Bantzos. Edhe për këtë arsye në të ardhmen pritet rendiment më i ulët.

Megjithatë Michalis Bakkas dëshiron që vreshtarët e ullinjve në Lesbos të marrin shembull nga ferma biodinamike e Prokopis Bantzis. „Metodat e vjetra vlejnë shumë mirë edhe sot për kultivimin e ullinjve. Këtu hyn edhe fauna e pasur dhe e shumëllojshme në tokën midis ullinjve. „Këto bimë u japin drunjve lagështinë e duhur dhe mbledhin ujin.” Shumë fshatarë do të përdornin lëndë kimike, për t`i hequr ato qafe. Por atyre u duhet shpjeguar dobia e biodiversitetit edhe në natyrë, thotë ai.

 

Greqia po thahet

Vapë ekstreme, periudha të thata, shtrëngata dhe stuhi: Vitet e fundit i kanë dhënë konceptit abstrakt të ndryshimit të klimës një fytyrë, e cila në rajone të ndryshme të Greqisë shfaqet në mënyra të ndryshme. “Ne kemi në Greqi një larmi të madhe peisazhesh, disa prej të cilave në jug ngjajnë me ato të Afrikës dhe në veri me ato të Evropës Qendrore. Perëndimi i vendit, me nivelet e larta të reshjeve, është krejt ndryshe nga lindja e thatë”, shpjegon Rigas Tsiakiris, inxhinier pyjesh dhe ekspert për klimën në autoritetin pyjor të Janinës në Greqinë perëndimore. Parashikimet për të ardhmen janë shqetësuese për të gjithë vendin, thotë ai.

Bujqësia dhe blegtoria janë të varur nga uji i pijshëm i ngrirë, i cili nga malet ushqen ujërat nëntokësore, burimet dhe lumenjtë. Por nga shkrirja e përshpejtuar e akullit kushtet kanë ndryshuar me pasojë pakësimin e ujit të pijshëm. “Parashikimet japin të kuptojnë se pjesë të mëdha të Greqisë do të preken nga krijimi i shkretëtirës”, shpjegon Tsiakiris. Sipas një studimi, më shumë se një e treta e sipërfaqes së tokës kërcënohet në mënyrë akute: “Në dekadat e ardhshme, ky do të jetë problemi më i madh jo vetëm në Greqi, por në të gjithë rajonin lindor të Mesdheut”.

 

Politika duhet të ndryshojë qendrim

Elias Papatheodorou është Sekretar i Përgjithshëm i partisë ekologjiste në Greqi. Kjo parti ka pak pushtet politik. Në zgjedhjet e fundit nuk arritën të fitojnë as një për qind të votave. Por çështjet e mjedisit po hyjnë ngadalë në këndvështrimin e njerëzve. Papatheodorou shpreson për më shumë mbështetje në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, sidomos për shkak të ndryshimeve të lidhura me klimën, mjaft të dukshme në bujqësinë e përditshme. “Bujqësia është një shtyllë e kulturës greke”, thotë politikani ambjentalist. “Ne tashmë kemi probleme me ullinjtë. Me ndryshimin e klimës po vemë re një rritje të sëmundjeve të bimëve, që nuk ekzistonin më parë”.

Edhe prodhimi i rrushit është në rrezik ose prodhimi i djathit feta, pasi delet dhe dhitë mund të kenë akses të kufizuar në kullota në të ardhmen. Prandaj tani ka rëndësi tranzicioni energjetik, jo vetëm në Greqi, por kudo. Ende disa pak kompani të mëdha kontrollojnë konsumin e energjisë. Ky model nuk i reziston së ardhmes as nga pikëpamja ekologjike dhe as nga pikëpamja ekonomike.

“Në të ardhmen, fermerët do të duhet të prodhojnë vetë energjinë që konsumojnë”, thekson Papatheodorou. E njëjta gjë vlen edhe për qytetet. Vetëm nëse njerëzit do të përfshiheshin direkt në përfitimet e tranzicionit energjetik, ai mund të realizohet, duke fashitur kështu pasojat e shumta të ndryshimit të klimës.

dw

 

Peshqit e artë kanë kujtesë të mirë

peshku i arteNjë studim i ri hedh poshtë idenë e vjetër se peshqit e artë kanë pak, ose aspak kujtesë.

 

Më parë mendohej se peshqit e artë që zbukurojnë akuarimet e shumë shtëpive, hoteleve apo lokaleve kanë një hapësirën kujtese prej vetëm tre sekondash.

Por shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit kanë vërtetuar se peshqit e artë kanë kujtesë të mirë dhe sens orientimi gjatë lundrimit.

Për studimin e tyre studiuesit stërvitën nëntë peshq që të përshkonin një distancë të caktuar duke i shpërblyer ata në fund.

 

Shkencëtarët zbuluar se peshqit e artë mund të kujtojë gjëra që u kanë ndodhur deri në pesë muaj më parë. Kurse lloje të tjera peshqish, si krapi, kanë një hapësirë ​​edhe më të gjatë memorie. Në eksperiment ata shmangën për tre vjet një lloj karremi, sepse një nga peshqit kishte rënë pre e tij.

dw/dpa

Sveçla: Sot nis shqiptimi i fletëqortimeve për targat ilegale

qortimMe të shënuar ora 00:00 kanë hyrë në fuqi masat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës për targat ilegale që ende qarkullojnë në disa pjesë të Republikës së Kosovës. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka ftuar edhe njëherë qytetarët që posedojnë mjetet me targa ilegale t’i regjistrojnë me ato shtetërore RKS, derisa ka thënë se sipas vendimit ka nisur shqiptimi i masës së qortimit.

 

“Sot, Policia e Kosovës, në përputhje me vendimin e ri të Qeverisë dhe legjislacionin në fuqi, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë me targa ilegale, fillon shqiptimin e masës së qortimit, me kërkesën që të njëjtit të drejtohen në cilëndo nga Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve për të regjistruar mjetet e tyre me targa RKS”, ka shkruar Sveçla në Facebook, menjëherë pasi në kalendar ka shënuar data 1 nëntor.

Ai ka ftuar qytetarët që posedojnë targa ilegale “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo“ĐA” nga 10 qershori i vitit 1999 deri më datë 21 prill 2022, që të regjistrojnë mjetet e tyre me targa RKS.

“Dhe kështu të përmbyllim me sukses këtë proces që kontribuon drejtpërdrejtë në sigurinë publike, sigurinë në trafik dhe kthimin e ligjshmërisë në vend”, ka shkruar tutje ministri i Punëve të Brendshme.

Sveçla ka inkurajuar qytetarët që të mos mbesin peng të grupeve kriminale, por të shfrytëzojnë lehtësirat për t’i regjistruar mjetet e tyre sipas lehtësirave të mundësuara nga institucionet.

“Inkurajoj qytetarët që të mos mbesin peng të interesave politike dhe grupeve kriminale, por të shfrytëzojnë të gjitha lehtësirat dhe të regjistrojnë mjetet e tyre në të gjitha Qendrat e Regjistrimit, pa marrë parasysh vendbanimin apo vendqëndrimin”.

Sveçla ka shkruar tutje se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar të ofrojë siguri dhe sundim të ligjit në gjithë vendin dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim.

rtk

Price: I kërkuam Kosovës shtyrjen e plotë e jo të pjesshme të vendimit për targat

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned PriceZëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price tha të hënën se Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar i kërkoi Kosovës shtyrjen dhjetë muajshe të vendimit për konvertimin e targave të makinave dhe jo shtyrje të pjesshme.

 

Ne kemi qenë të qartë, publikisht dhe privatisht, se komuniteti ndërkombëtar, përfshirë Shtetet e Bashkuara kërkon një shtyrje të plotë të zbatimit të këtyre çështjeve. Ne nuk kërkojmë një shtyrje të pjesshme, nuk kërkojmë zbatim në faza. Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar qeverisë së Kosovës një shtyrje të plotë”, tha ai duke theksuar se po vazhdojnë diskutimet me palët në rajon dhe më Bashkimin Evropian.

Nga e marta autoritetet në Kosovë pritet të zbatojnë vendimin e qeverisë për konvertimin shkallë – shkallë të targave të makinave të lëshuara nga Serbia, ndërsa ministria e Punëve të Brendshme paralajmëroi gjoba deri në 150 euro pas datës 21 nëntor për ata që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia. Sipas kësaj ministrie nga data 21 Janar 2023, ata duhet të pajisen me targa të përkohshme ndërsa pas datës 21 prill 2023, nuk do të lejohet lëvizja e tyre brenda territorit të Kosovës.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të modifikuar afatin që pritej të fillonte nga nesër, ndonëse u pa si lëshim ndaj kërkesave perëndimore nxiti shumë reagime.

Zëdhënësi Price ritheksoi të hënën në konferencë me gazetarë se Shtetet e Bashkuara janë “të zhgënjyera” dhe e “të shqetësuara” që qeveria e Kosovës refuzoi kërkesën dhe këshillën e partnerëve të saj më të ngushtë sa i përket zbatimit të vendimit.

Përfaqësuesit politik të serbëve kritikuan vendimin e qeverisë së Kosovës ndërsa paralajmëruan rezistencë ndaj gjobave të mundshme pas 21 nëntorit.

Ndërsa partitë opozitare në Kosovë kritikuan qeverinë e vendit për siç thanë dëmtimin e interesave strategjike të vendit duke mos përfillur kërkesat e aleatëve në një periudhë kur janë shtuar përpjekjet për të çuar përpara procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

voa

Lugina numëron mbi 100 mijë shqiptarë

LuginaSipas përfaqësuesve të Komisionit Komunal për Regjistrim, procesi është zhvilluar pa ndonjë problem, ndërsa rezultatet preliminare, i përgënjeshtrojnë autoritet shtetërore, të cilat shqiptarët i konsideronin vetëm 5.200 persona, bazuar në regjistrimin e vitit  2011, të cilin e kishin bojkotuar shqiptarët.

 

“Rezultatet preliminare janë se në komunën e Preshevës, me të gjitha 35 vendbanime, jetojnë 58. 850 qytetarë rezident dhe jorezident,  në 11.573 amvisëri. Sipas informatave që i kam, Bujanoci ka diku mbi 54.000 qytetarë, ndërsa Medvegja mbi 8.300 qytetarë shqiptarë”, deklaroi Hevzi Ramadani, kryetar i këtij komisioni për RTK.

Qytetarët në Preshevë, iu kanë përgjigjur pozitivisht regjistrimit ndërsa shprehen të kënaqur që janë regjistruar të gjithë edhe ata që jetojnë këtu e edhe familjarët e tyre që jetojnë ën diasporë.

Rezultatet e para zyrtare Enti për Statistika i Serbisë pritet t`i bëjë publike nga fundi i nëntorit, ndërsa ato përfundimtare më së voni deri në fundin prillit të vitit 2023.

Procesi i regjistrimit në tri komunat e Luginës së Preshevës  është monitoruar në vazhdimësi nga përfaqësuesit e misionit të OSBE-së në Serbi.