Ambasadori amerikan: Kina duhet të jetë e sinqertë për origjinën e COVID-it

Ambasadori Amerikan Kine Nicholas BurnsAmbasadori amerikan në Kinë tha se Pekini duhet të jetë më i drejtpërdrejtë për origjinën e pandemisë COVID-19, një ditë pas njoftimeve se Departamenti amerikan i Energjisë konkludoi se pandemia ka gjasa të ketë filluar nga një rrjedhje nga një laborator kinez.

 

Nicholas Burns tha gjatë një aktiviteti të Dhomës Amerikane të Tregtisë të hënën se Kina duhet të “jetë më e sinqertë për atë çfarë ndodhi tre vjet më parë në Wuhan me origjinën e krizës së COVID-19ës”. Wuhani është qyteti kinez ku u njoftuan rastet e para të koronavirusit të ri në dhjetor 2019.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi mediat amerikane njoftuan se Departamenti i Energjisë konkludoi se pandemia ka gjasa të ketë lindur nga një rrjedhje në një laborator në Wuhan.

Konkluzioni u paraqit në një raport të klasifikuar të zbulimit që departamenti ja dërgoi Shtëpisë së Bardhë dhe anëtarëve kryesorë të Kongresit, njoftoi gazeta The Wall Street Journal, duke cituar personat që e lexuan këtë raport.

Gazeta tha se agjencia e zbulimit e Departamentit të Energjisë është tashmë agjencia e dytë e zbulimit amerikan, pas FBI-së, që konkludon se rrjedhja nga laboratori kinez ishte shkaku i mundshëm i pandemisë, megjithëse agjencitë amerikane të zbulimit vazhdojnë të jenë të ndara për sa i përket origjinës së virusit.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby i bëri jehonë kësaj ndjesie. “Nuk ka patur një përfundim dhe konsensus përfundimtar në qeverinë amerikane për origjinën e pandemisë COVID-19”, u tha zoti Kirby gazetarëve të hënën kur u pyet për njoftimin e gazetës.

Vlerësimi i Departamentit të Energjisë u bë me “besueshmëri të ulët”, ndërsa konkluzioni i FBI-së u përcaktua me “besueshmëri të moderuar”, sipas gazetës. Katër agjenci të tjera amerikane thuhet se kanë përcaktuar me “besueshmëri të ulët” se virusi është transmetuar natyrshëm nga kafshët, ndërsa dy agjenci të tjera mbeten të pavendosura.

Raportet rikthejnë vëmendjen kombëtare tek pikëpyetja se çfarë e shkaktoi pandeminë COVID-19.

Konkluzioni i Departamentit të Energjisë shënon një ndryshim nga pozicioni i tij i mëparshëm se ishte i pavendosur për mënyrën se si filloi virusi. Zyrtarët amerikanë nuk zbuluan se çfarë të dhëna të reja zbulimi sollën këtë ndryshim. Analiza e Departamentit të Energjisë erdhi nga rrjeti i tij i laboratorëve kombëtarë, duke i dhënë asaj një perspektivë të ndryshme nga vlerësimet më tradicionale të zbulimit.

Të dielën, këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan i tha kanalit CNN se “ekziston një shumëllojshmëri pikëpamjesh në komunitetin e zbulimit”.

“Disa elementë të komunitetit të zbulimit kanë arritur në përfundime nga njëra anë, disa nga ana tjetër”, tha ai.

Shkencëtarët gjithashtu kanë qenë të ndarë për këtë çështje, me disa prej tyre që tregojnë tregun e kafshëve të gjalla në Wuhan si vendin më të mundshëm të shfaqjes së virusit, duke vënë në dukje se transmetimi nga kafsha te njeriu ka qenë rruga për shumë patogjenë të panjohur më parë. Shkencëtarë të tjerë, megjithatë, i kanë dhënë kredibilitet teorisë së rrjedhjes nga laboratori, duke vënë në dukje se nuk është gjetur asnjë burim kafshësh dhe se Wuhani është një vend kryesor i punës kërkimore për koronavirusin.

 

 

Pyetja se si filloi virusi, ka thelluar gjithashtu ndasitë politike në Shtetet e Bashkuara, me republikanët që me shumë gjasa do të mbështesin hipotezën e rrjedhjes nga laboratori.

Senatori republikan Tom Cotton ishte një nga politikanët e parë të profilit të lartë që shprehu teorinë se virusi e kishte origjinën në një mjedis laboratorik, duke komentuar në shkurt 2020, kur pikëpamja mbizotëruese ishte se virusi ishte transmetuar nga lakuriqët e natës dhe ishte përhapur në një treg ushqimi në Wuhan.

Pasi një numër në rritje shkencëtarësh kërkuan që të dyja hipotezat të konsideroheshin seriozisht, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden urdhëroi një rishikim të të dhënave të zbulimit për origjinën e COVID-19 në maj 2021.

Një vlerësim i deklasifikuar i zbulimit në tetor 2021 deklaroi se të dyja hipotezat ishin të besueshme, por se agjencitë e zbulimit mbetën të ndara se cila teori ishte e saktë. Raporti thoshte se kishte konsensus mes agjencive të zbulimit se pandemia nuk ishte rezultat i një programi kinez të armëve biologjike.

Kina ka mohuar në mënyrë të përsëritur se një rrjedhje laboratorike ka ndodhur në Wuhan. Ajo ka vendosur kufizime ndaj hetimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të përcaktuar origjinën e virusit.

* Disa nga të dhënat për këtë artikull u morën nga agjencia e lajmeve Reuters.

 

Borrell: Serbia dhe Kosova pajtohen për propozimin evropian – por duhen më shumë bisedime për zbatimin

BorellUdhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u pajtuan të hënën për një marrëveshje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti për shkak të mospajtimeve për zbatimin e saj, që do të kërkojë me shumë bisedime.

 

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi takimin e së hënës në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

“Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti janë pajtuar sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Një propozim që mban titullin “marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Borrell.

Ai theksoi se marrëveshja rregullon lëvizjen e lirë të njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mund të sjellë mundësi të reja ekonomike nga rritja e ndihmës financiare, nëpërmjet korporatave biznesore dhe investimeve të reja në Kosovë dhe Serbi.

“Për serbët në Kosovë nënkupton më shumë siguri, duke përfshirë Kishën Ortodokse serbe dhe zonat e trashëgimisë kulturore e fetare serbe”, tha zoti Borrell, duke shfaqur shpresën se “marrëveshja të mund të jetë themel i ndërtimit të një mirëbesimi shumë të nevojshëm dhe të tejkalimit të trashëgimisë nga e kaluara”.

Ai tha se palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të nisur zbatimin e marrëveshjes, por ka nevojë për negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave të marrëveshjes.

 

Çfarë përmban propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi

 

Marrëveshja për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Palët kontraktuese;

Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshme se paprekshmëria e kufijve dhe respektimi e tërësisë tokësore dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e qytetarëve, janë pajtuar që:

 

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

 

Neni 2

Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe tërësisë tokësore të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

 

Neni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

 

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në rrafshin ndërkombëtar apo të veprojë në emër të saj.

Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

 

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

 

Neni 6

Ndërsa marrëveshja aktuale paraqet një hap të rëndësishëm normalizimi, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, i cili duhet të çojë në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre.

Palët pajtohen të thellojnë bashkëpunimin e ardhshëm në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhjeve, marrëdhënieve në drejtësi dhe të zbatim të ligjit, postës dhe telekomunikacionit, shëndetësisë, kulturës, fesë, sportit, mbrojtjes së mjedisit, personave të zhdukur, personave të zhvendosur dhe fushave tjera të ngjashme nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve specifike.

Hollësitë do të jenë pjesë e marrëveshjeve shtesë në bisedimet e lehtësuara nga BE-ja.

 

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

 

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive.

Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

 

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një paketë të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjeve, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera thelbësore.

 

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Të dyja palët konfirmojnë detyrimin e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara të arritura në bisedime, të cilat mbeten të vlefshme dhe detyruese.

 

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

 

“Kjo do të thotë që diplomacia e vajtje ardhjeve do të vazhdojë, ndërsa unë do të organizojë një takim tjetër ndërmjet të dy udhëheqësve përgjatë muajit mars, me qëllim përfundimin e diskutimeve mbi aneksin e zbatimit, i cili do të jetë udhërrëfyes i fazës së zbatimit të marrëveshjes. Aneksi i zbatimit është pjesë integrale e marrëveshjes dhe ka ende punë për ta përfunduar”, tha zoti Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se beson që gjërat janë në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për siç tha, fqinjësi të mirë evropiane.

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar”, tha ai. “Është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqenëse u pajtuam, unë jam kryeministër dhe konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar natyrisht se do të duhej të rezultonte me nënshkrim mirëpo ishte pala serbe e cila nuk e bëri këtë ndonëse u pajtuam”, shtoi ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e cilësoi të vështirë takimin e së hënës. “Besoj se në periudhën e ardhshme do të ketë shumë biseda të tjera. Siç e kam kuptuar, më 18 mars duhet të shihemi në territorin e Maqedonisë së Veriut, kur zoti Borrel, do të vizitojë rajonin. Deri atëherë, ne duhet të bisedojmë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, për çështje që kanë të bëjnë me zbatimin”, tha ai, duke theksuar se ka këmbëngulur në themelimin e Asociacionitë të komunave me shumicë serbe.

“Nuk mendoj se zoti Kurti ishte gati ta pranonte këtë tani. Nëse do të jetë në të ardhmen, do të shohim. Shpresoj se është e mundur të arrijmë ndonjë lloj kompromisi, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe duhet të zbatohej”, tha ai.

Diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje të përmbyllë problemet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më një marrëveshje të ndërmjetme, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkanin që ende po ripërtërihet nga pasojat e luftërave të viteve të 90-ta.

voa

“Moment historik!”, takimi Kurti-Vuçiç, Rama: Kryeministri i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, uroj që askush s’e akuzon për tradhti

RamaKryeministri Edi Rama e konsideron një moment historik dhe të rëndësishëm për paqen rajonale, takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

 

Në lidhje me kritikat ndaj Kurtit, ai u shpreh se uron që askush nuk e akuzon për tradhti apo harresë, por të kuptojnë se ai ka bërë gjënë e duhur, duke u hedhur një hap drejt daljes nga e djeshmja.

 

Kryeministri Edi Rama në TwitterPaqja dhe bashkëpunimi janë çelësi për të ardhmen që u detyrohemi fëmijëve tanë në këtë rajon të shkatërruar prej shekujsh nga mungesa e paqes dhe bashkëpunimit. E mirëpres pëlqimin e dy palëve për Marrëveshjen për rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ky është një moment historik i rëndësishëm për paqen rajonale dhe unë inkurajoj fuqimisht të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë të punojnë për një zbatim të shpejtë. Për paqen dhe bashkëpunimin, Shqipëria është dhe do të mbetet një besimtare dhe një model roli. Ne mbështesim plotësisht çdo përpjekje për të kapërcyer të kaluarën.

Uroj që askush nuk e akuzon Albin Kurtin për tradhti apo harresë, por gjithkush të kuptojë se kryeministri i sotëm i Kosovës ka bërë gjënë e duhur, duke u hedhur një hap të parë me shumë rëndësi drejt daljes nga kurthi i së djeshmes. Hapa të tjerë pasofshin pa humbur kohë.

Kujtojmë se Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç gjatë takimit të një dite më parë në Bruksel u pajtuan me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti, ndërsa u la një datë tjetër takimi, më 18 mars.
Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij. Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje.

Top Channel

Maratonë pas mesnate, riorganizohet qeveria maqedonase: hyjnë ministrat shqiptarë

parlamenti mkNë një votim maratonë pas mesnate, parlamenti maqedonas i dha dritën jeshile riorganizimit të qeverisë së vendit fqinj, në mënyrë që në të përfshihen edhe ministra të Aleancës për Shqiptarët, e cila është bërë pjesë e mazhorancës.

 

Kësaj partie i kalon portofoli i ministrisë së Drejtësisë, në krye të të cilës është vendosur Krenar Lloga, ministria e shëndetësisë frerët e të cilës i merr Fatmir Mexheti, ajo e Administratës Publike dhe Shoqërisë Informatike që do të drejtohet tashmë nga Azir Aliu, ndërsa u ndryshua dhe kryesimi i ministrisë së Ekologjisë që merret nga Kaja Shukova.

Ndryshimet janë miratuar me 65 vota nga 120 ligjvënës që janë gjithsej. Riorganizimi i ekzekutivit të kryeministrit Dimitar Kovaçevski erdhi pas afrimit Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar prej partive në pushtet, Lidhjes Social Demokrate (LSD) dhe Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Kryeministri Dimitar Kovaçevski e argumentoi nevojën për zgjerim me idenë e forcimit të shumicës në mënyrë që të vazhdohet pa pengesa kursi i vendit drejt integrimit europian.

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së e bllokuan për dy javë zgjedhjen e ministrave, duke penguar kështu punën e ministrive të caktuara në dëm të qytetarëve, që në fund, siç ka ndodhur  shumë herë më parë, kur erdhi koha e votimit, as nuk votuan kundër propozimeve që ata kritikuan aq shumë”, thuhet në një deklaratë të  LSDM-së.

VMRO DPMNE-ja pretendon se zgjerimi i shumicës është bërë për “të shpëtuar qeverinë dhe jo për hir të kursit europian të vendit”. Mazhoranca maqedonase synon ndryshimin e kushtetutës për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj, një detyrim ky që rrjedh nga marrëveshja e Shkupit me Sofjen për zhbllokimin e procesit të integrimit europian të vendit, ndërkohë që për të ndryshuar dokumentin themeltar nevojiten dy të tretat e votave, apo të 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica tani ka vetëm 65.

Top Channel

Vuçiqi është “tradhtar”, Vuçiqi “nuk është tradhtar”

VucicPresidenti i Serbisë, Vuçiq damkoset në Serbi si “tradhtar”, njeriu që i ka anashkaluar interesat e Serbisë. Vuçiqnga ana e tij sulmon opozitën dhe mediat, madje edhe RTS dhe Tanjugun. Vuçi paralajmëroi një fjalim.

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është vendosur në shënjestër të kritikave të mëdha të opozitës dhe disa mediave në Beograd. Ndërsa ai pohon se së shpejgi do të përgjigjet. Në profilin e tij në Instagram ai ka postuar një mesazh pas kthimit nga Brukseli dhe ka paralajmëruar një fjalim tjetër “të rëndësishëm” për sonte, ku do të shpjegojë se “çfarë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Bruksel”.

 

Mesazhi i Vuçiqit – opozita dhe mediat po përhapin rrena

Në mesazh ai falënderon qytetarët e Serbisë “për kujdesin dhe mbështetjen tuaj gjatë një dite të vështirë të djeshme”. “Arritëm në Beograd në orët e hershme të mëngjesit dhe tani po analizoj se çfarë ka ndodhur. Ne luftuam sa më shumë që ishte e mundur në kushte të vështira, luftuam për të ardhmen e Serbisë në paqe, për vazhdimin e investimeve në vendin tonë, për të mbajtur betimin tim dhe Kushtetutën e Serbisë si dhe Kosovën e Metohinë si pjesë të Serbisë”, deklaroi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë sulmoi “mediat manjate” (siç i quan ai mediat opozitare në Serbi), por për herë të parë ai sulmoi edhe Radio Televizionin e Serbisë dhe agjencinë e lajmeve Tanjug, se “po përhapin gënjeshtra për të”. Ndaj ka vendosur që sonte në orën 21:00 t’u drejtohet qytetarëve të Serbisë “për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur në Bruksel”.

“Sonte po i përgjigjem të gjithë manipuluesve politikë dhe mediatikë që do të shkelnin vendin e tyre për një thërrime pushteti. Serbia nuk ka çmim. Ne do t’i mundim ata. Serbia do të fitojë”, ka paralajmëruar Vuçiq.

 

Vuçiqi “është tradhtar”

Opozitarët në Beograd thonë se Vuçiqi e ka pranuar dje de-facto pavarësinë e Kosovës dhe ka bërë “tradhti”. “Marrëveshja nga Brukseli është kolaps i plotë i politikës së jashtme të Vuçiqit. Me të nuk u arrit asgjë dhe jemi aty ku ishim në fillim kur Vuçiq erdhi në pushtet”, thotë kryetari i lëvizjes SRCE (ZEMRA), Zdravko Ponosh.

Savo Manojloviq, drejtori i fushatës “Kreni-promeni” (Nisu ndrysho), thotë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, duke pranuar planin franko-gjerman, ka mundësuar që pesë vendet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, ta bëjnë këtë tani. Lideri i partisë ultradjathtiste Dveri, Boshko Obradoviq, pohon se në propozimin e dakorduar bëhet fjalë për “përmbysjen e Kushtetutës dhe njohjen e hapur të pavarësisë së Kosovës”.

“Neni 4 paragrafi 2 i marrëveshjes franko-gjermane, të cilën Vuçiq e pranoi mbrëmë në Bruksel dhe BE-ja e shpalli publikisht thotë: ‘Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare’. Kjo është një njohje e hapur e shtetit të rremë të Kosovës. Ky është rrënim i Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, pohon Obradoviq.

 

Vuçiqi “nuk është tradhtar”

Ndësa Vuçiqin e mbrojnë bashkëpartiakët e tij. Ish-ministrja e partisë së tij, Zorana Mihajloviq u bëri thirrje të gjithë politikanëve dhe figurave publike që të tregojnë përgjegjësi për propozimin e marrëveshjes evropiane për çështjen e Kosovës dhe të tregojnë mirëkuptim për Partinë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, sepse ajo është “e drejtë, e përgjegjshme dhe demokratike”. Duke vënë në dukje se tani është momenti për një vendim për propozimin e Evropës dhe SHBA-së për çështjen e Kosovës, Zorana Mihajloviq tha se “pranimi i tij nuk do të thotë njohje e Kosovës” dhe as “tradhti”, siç kritikojnë disa përfaqësues të opozitës.

“Është një vendim që duhet të sjellë atë që të gjithë kanë mbrojtur prej vitesh – paqe, bashkëjetesë, një jetë më të mirë për serbët dhe shqiptarët”, thotë Mihajloviq. “E kaluara nuk është opsion! Ne duam të jetojmë në paqe, pa kriza dhe situata krize, duam të punojmë, të jetojmë dhe të qeshim e jo të dëgjojmë lajme për fëmijë të lënduar në Kosovë. Ne duam të merremi me teknologjitë e reja dhe tranzicionin e gjelbër, jo me armë, drone vetëvrasëse rozë apo jeshile, pajisje ushtarake dhe aludime për konflikte të vazhdueshme. Edhe serbët edhe shqiptarët duhet të zhvillohen”, konstaton ajo.

dw

Teksti i propozimit evropian për marrëveshje Kosovë-Serbi

Albin BorellBashkimi Evropian më 27 shkurt publikoi për herë të parë të plotë tekstin e propozimit evropian, me të cilin parasheh normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 

Teksti i propozimit evropian, të shumëpërfolur këto javë u publikua menjëherë, pas përfundimit të takimit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Kreu i i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, deklaroi pas takimit se “palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje”.

 

Teksti i plotë i propozimit:

 

Palët kontraktuese; Të përkushtuara për të kontribuar në bashkëpunimin dhe sigurinë e frytshme rajonale dhe për të kapërcyer trashëgimin e së kaluarës;

Të vetëdijshme për përgjegjësinë e tyre për ruajtjen e paqes;

Të përkushtuara të kontribuojnë në sigurinë dhe bashkëpunimin e frytshëm rajonal në Evropë;

Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial, si dhe mbrojtja e pakicave kombëtare, janë kushtet themelore për paqen;

Duke vepruar nga fakti historik dhe pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjen e statusit;

Me dëshirën për të krijuar kushte për bashkëpunim midis palëve për të mirën e njerëzve, kanë rënë dakord që:

 

Neni 1

Palët do të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën mbi bazën e të drejtave të barabarta.

Të dyja palët do t’i njohin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

 

Neni 2

Të dyja palët do të udhëzohen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.

 

Vuçiq dhe BorrellNeni 3

Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës.

 

Neni 4

Palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund ta përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj. Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

 

Neni 5

Asnjëra palë nuk do të bllokojë, ose do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palëve në rrugët e tyre perspektive drejt BE-së bazuar në meritat e tyre. Të dyja palët duhet të respektojnë vlerat e përmendura në nenin 2 dhe 21 të Traktatit të Bashkimit Evropian.

 

Neni 6

Përderisa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm të normalizimit, të dyja palët do të vazhdojnë me një shtysë të re në procesin e dialogut të udhëhequr nga BE-ja, që do të çojë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Palët bien dakord ta thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen në fushat e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, transportit dhe lidhshmërisë, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtje të mjedisit, persona të zhdukur, dhe fusha të tjera të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike. Detajet do të pajtohen në marrëveshjet shtesë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

 

Neni 7

Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.

Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

 

Neni 8

Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selitë përkatëse të qeverive. Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.

 

Neni 9

Të dyja palët vënë në dukje angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për ta krijuar një pako të veçantë ndihme financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhshmërinë, tranzicionin e gjelbër dhe në fusha të tjera kyçe.

 

Neni 10

Palët do ta krijojnë komisionin e përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, për monitorimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut nga e kaluara.

 

Neni 11

Palët angazhohen të respektojnë udhërrëfyesin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

 

dw

Reagime pas ujdisë për propozimin evropian në Bruksel

Vucic KurtiPasi Kosova dhe Serbia ranë në ujdi për propozimin evropian duke theksuar, se duhen bisedime për zbatimin e tij, opozita në Prishtinë reagon me kritika ndaj kryeministrit Kurti.

 

Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u pajtuan të hënën (27.02.)me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti. Arsyeja ishte, sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij. Megjithatë, sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. “Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti janë pajtuar sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Propozimi mban titullin “marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Borrell.

 

Nevojiten negociata të tjera

Megjithëse palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të nisur zbatimin e marrëveshjes, Borrell e tha qartë, se “ka nevojë për negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave të marrëveshjes”.  Kreu i diplomacisë evropiane e vuri theksin tek avantazhet e marrëveshjes. “Marrëveshja rregullon lëvizjen e lirë të njerëzve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mund të sjellë mundësi të reja ekonomike nga rritja e ndihmës financiare, nëpërmjet korporatave biznesore dhe investimeve të reja në Kosovë dhe Serbi.” Ndërsa, për serbët e Kosovës, “nënkupton më shumë siguri, duke përfshirë Kishën Ortodokse serbe dhe zonat e trashëgimisë kulturore e fetare serbe”.

 

Kurti: Gjërat janë në rrugë të mbarë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha nga ana e tij se ai “beson që gjërat janë në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë për fqinjësi të mirë evropiane dhe tha se ai ishtei gatshëm që ta nënshkruaj marrëveshjen. “Unë nuk e kam nënshkruar, sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme për ta nënshkruar. Është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqenëse u pajtuam, unë jam kryeministër dhe konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar natyrisht se do të duhej të rezultonte me nënshkrim, mirëpo, ishte pala serbe, e cila nuk e bëri këtë ndonëse u pajtuam”, deklaroi kryeministri Kurti.

 

Vuçiq këmbëngul për Asociacionin

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nga ana e tij,  tha se bisedimet do të vazhdojnë deri në një takim tjetër me 18 mars, duke këmbëngulur në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. “Nuk mendoj se zoti Kurti ishte gati ta pranonte këtë tani. Nëse do të jetë në të ardhmen, do të shohim. Shpresoj se është e mundur të arrijmë ndonjë lloj kompromisi, por kam frikë se do të ngecim në diçka që është nënshkruar shumë kohë më parë dhe duhet të zbatohej”, tha Presidenti Vuçiq.

 

Reagimet nga opozita në Kosovë

Menjëherë sapo kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se ai ishte i gatshëm qysh të hënën ta nënshkruaj marrëveshjen me Serbinë, pasuan reagimet e partive opozitare në Kosovë. Kryetari i partisë më të madhe opozitare PDK, Memli Krasniqi, tha se “kryeministri Kurti humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin”. “Në Propozimin Evropian nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE. Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër. Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

 

Po kaq kritik ishte kryetari i partisë tjetër opozitare LDK, Lumir Abdixhiku, i cili tha se “kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë” dhe për më tepër sipas tij, “ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”. “Dokumenti i pranuar po ashtu parasheh implementimin e të gjitha marrëveshjeve paraprake – përfshirë dhe Asociacionin – si dhe statusin e veçantë për Kishën Ortodokse Serbe. Kryeministrit i ka mbetur vetëm ta dakordojë datën e themelimit te Asociacionit, meqë ai, me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve paraprake, ka pranuar që ta themelojë atë”, tha Abdixhiku. Sipas tij, “LDK konsideron se menaxhimi tërësisht i gabuar i procesit të dialogut nga kryeministri i Kosovës përgjatë dy viteve të fundit, e ka zhvendosur procesin e dialogut nga një marrëveshje përfundimtare e ligjërisht të obligueshme në një marrëveshje bazë, pa njohje në të dhe me vazhdimësi dialoguese për vitet e ardhshme”.

Tone të tjera përdori Ramush Haradinaj, ish-kryeministër, kryetar i partisë opozitare AAK, duke bërë fjalë për arritje të madhe kur foli për “pajtimin për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”. Sipas tij, “marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”. “Po aq e rëndësishme mbetet edhe faza vijuese e bisedimeve për çështjet e tjera të hapura, për të cilat dua të besoj se do të gjenden zgjidhjet më të mira, me çka do të përmbyllej edhe kapitulli i njohjes ‘de jure’ midis Kosovës dhe Serbisë!”, deklaroi Ramush Haradinaj.

Disa njohës të rrethanave politike, pranimin e Propozimit Evropian nga Kosova dhe Serbia, ashtu siç deklaroi shefi i politikës së jashtme të BE-së, e shohin si një rrugë drejt shtendosjes së raporteve armiqësore Kosovë-Serbi. Lulzim Peci, drejtor i Institutit për hulumtimin e politikave zhvillimore, KIPRED, shkroi se,   “Pranimi i Planit Evropian të mbështetur nga SHBA-ja është lajm i mirë që duhet të përshëndetet”. ” “Kosova dhe Serbia po shkojnë drejtë një detanti, i cili mund të bëhet i qëndrueshëm vetëm me dhënien Kosovës nga BE-ja të statusit të vendit kandidat, dhe nga NATO-ja të vendit anëtarë të Partneritetit për Paqe. Ne të kundërtën, ky detant do të jetë fragjil dhe të prodhoj kriza të reja”, shkroi analisti Peci.

dw

Kurti: Marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mire

BorellPresidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Kurti ranë dakord se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për propozimin evropian, që shërben si kornizë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

 

 

Në konfliktin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të dyja palët treguan gatishmëri për t’u afruar me njëra-tjetrën. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranuan propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara prej kohësh, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas bisedimeve të ndërmjetësimit në Bruksel.

Tani nevojiten negociata të mëtejshme për zbatimin e marrëveshjes, e cila mund të arrihet deri në fund të marsit. Sipas Borrell-it të dyja palët u zotuan të mos ndërmarrin asnjë masë të njëanshme që mund të çojë në tensione dhe të rrezikojë marrëveshjen. Vuçiqidhe Kurti u sollën me përgjegjshmëri, tha Borrell-i.

 

Borrell: Marrëveshje për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë

“Kjo marrëveshje u shërben në radhë të parë qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë”, tha Borrell-i. Ndër të tjera ajo parashikon lëvizjen e lirë të njerëzve me pasaporta, karta identiteti dhe me targat e tyre ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo mund të hapë mundësi të reja ekonomike dhe investime të mëtejshme në Kosovë dhe Serbi.

Përveç kësaj marrëveshja do të nxisë tregtinë, sepse certifikatat për importe dhe eksporte të cilat kërkoheshin më parë nuk do të jenë më të nevojshme. Marrëveshja parashikon që edhe të drejtat e serbëve në Kosovë duhet të mbrohen më mirë.

 

Marrëveshje e simetrisë dhe e fqinjësisë së mirë

Kryeministri i Kosovës Kurti tha se marrëveshja vendos plotësisht barazinë e palëve, është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit në mënyrë demokratike dhe evropiane.

dw

Takimi i sotëm Kurti – Vuçiq në Bruksel, kjo është agjenda

Kurti VucicKryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, sot do ta zhvillojnë takimin e nivelit të lartë në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

 

Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak do të zhvillojë takime të ndara me liderët, duke filluar nga ora 15:00, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisëm rapoton RTKlive.

Në fund të takimit do të ketë një deklaratë për mediat nga Përfaqësuesja e Lartë. Deklarata për shtyp e Përfaqësuesit të Lartë Borrell do të transmetohet drejtpërdrejt.

Sipas të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ky propozim nuk do të negociohet.

Në një intervistë ekskluzive për RTK-në, ai tha se plani evropian është i tipit merre ose lëre. “Plani në vetvete nuk do të negociohet, vetë plani është i hartuar nga BE, palët janë konsultuar pasi drafti i parë është ndarë me ta dhe nuk shohim asnjë arsye e as gjasa për negociata, ne besojmë vërtet se është plani që trajton çështjen që respekton vijat e kuqe të të gjitha palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm’ deklaroi Lajçak.

Para se të shkoi në kryeqytetin evropian Bruksel, për takimin e radhës me presidentin serb Vuçiq, kryeministri Kurti, ka thënë se statusi aktual i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë, me njohjen reciproke si thelb dhe reciprocitetin si princip.

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka thënë të dielën presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Chollet i ka thënë edhe Kurtit një ditë më parë se tani është koha që të diskutohet për Asociacionin. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Kryeministri Kurti, të dielën ka pranuar një letër të përbashkët edhe nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin Evropian.

Në këtë letër ata kanë mirëpritur deklarimet publike të kryeministrit Kurti sa i përket propozimit Evropian.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se të hënën nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe kjo nuk do të jetë më fare temë e diskutimi. Kurse kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshja përfundimtare në thelb duhet të ketë njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve.

rtk

SHBA-ja dhe BE-ja presin përparim në bisedimet e së hënës Kosovë – Serbi

Albin bisedimetUdhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë do të qëndrojnë të hënën në Bruksel për t’i thënë po një marrëveshjeje të mbështetur nga Perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

 

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tashmë e kanë pranuar në parim një propozim evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por përfshinë përkushtimin e palëve për të mos penguar njëra tjetrën në proceset integruese.

Mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar thirrjet për marrëveshje dhe presin përparim në takimin e së hënës.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, bisedoi gjatë fundjavës në telefon me udhëheqësit e të dyja vendeve duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin dhe pritjet që palët të kenë qasje konstruktive dhe të angazhohen për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet e deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Përshëndeta përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për angazhim konstruktiv rreth propozimit të BE-së për sigurimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon”, shkroi zoti Chollet, i cili një ditë më herët bisedoi me kryeministrin Kurti.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, u kanë shkruar letra të përbashkëta kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, në prag të takimit, në të cilat thuhet mes tjerash se është urgjente të ecet përpara me synimin për ta përmbyllur marrëveshjen dhe për të siguruar zbatimin e saj.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë se propozimi nuk do të negociohet dhe të hënën palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën.

Një zyrtar i lartë evropian tha gjatë javës se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që është çështja më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia. Diplomatët perëndimorë ua kanë bërë me dije të dyja palëve se refuzimi i propozimit nënkupton përballje me sanksione.

Nuk pritet ndonjë nënshkrim të hënën dhe nëse palët pajtohen për aneksin e propozimit që ka të bëjë me zbatimin, atëherë një ceremoni nënshkrimi mund të ndodhë më vonë gjatë muajit mars në praninë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

Të dy udhëheqësit shkojnë në Bruksel mes kritikave në shtëpi. Një pjesë e opozitës në Serbi pohon se propozimi nënkupton njohje të Kosovës duke e akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç për dështim në proces, i cili ndërkaq ka theksuar se mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin.

Në Kosovë një pjesë e opozitës tha se ka shumë paqartësi që lidhen me takimin e së hënës dhe propozimi nuk siguron marrëveshjeve përfundimtare por krijim të një “status-quoje” të re.

Kryeministri Kurti tha gjatë javës se “aleatët e Kosovës e kanë hartuar propozimin si një paketë që do të çojë përpara anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar dhe që përfshin gjithashtu njohjen de facto (nga Serbia), e gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Kosova tashmë ka hyrë në vitin e 16 të pavarësisë që u shpall me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore evropiane, por kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia, e cila nuk i sheh me sy të mirë integrimet euroatlantike të vendeve të Ballkanit, përfshirë marrëveshjen Kosovë –Serbi, që është kusht për përparimin e palëve në proceset integruese.

voa