Takim vendimtar në Bruksel

Vucic Borell AlbinSot zhvillohet në Bruksel takimi i shumëpritur mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuҫiq nën ndërmjetësimin e të ngarkuarit të BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell.

 

 

Ka disa ditë që takimi i paralajmëruar në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuҫiq, me ndërmjetësimin e kreut të diplomacië evropiane, Josep Borrell është në fokus të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare. Pritshmëritë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka javë që i ka shtuar ecejaket diplomatike janë të mëdha. Të hënën bashkësia ndërkombëtare pret që Vuҫiqi dhe Kurti në Bruksel të pranojnë zyrtarisht propozimin e BE. Kjo do të hapte rrugë të re në dinamikën e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që do të rezultonte në marrëveshjet finale në muajt në vijim.

Në këtë dinamikë të re do të përfshihej edhe zotimi i Prishtinës për themelimin e Asociacionit. Se sa rëndësi i kushtohet këtij takimi, kjo vihet re edhe në letrën e përbashkët që tre liderët e shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, Kancelari gjerman Olaf Scholz, Presidenti i Francës Emanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgina Meloni, i kanë dërguar Kryeministrit Kurti, një ditë para se ai të takohet në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksadar Vuҫiq nën ndërmjetësimin e shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell.

 

Scholz, Macron Meloni kujtojnë obligimin për themelimin e Asociacionit

Tre liderët evropianë e kanë mirëpritur deklarimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, se plani i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, është bazë e mirë për bisedimet e mëtejshme. “Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni janë shprehur të bindur se konkludimi dhe zbatimi i propozimit Evropian është me rëndësi thelbësore për përfitimin e përgjithshëm të qytetarëve të Republikës së Kosovës, për paqen dhe zhvillimin prosperues të rajonit dhe për përparimin e perspektives evropiane të vendit”, thuhet në letrën që publikoi zyra e kryeministrit Kurti.

Scholz, Macron dhe Meloni i rikujtojnë kryeministrit kosovar obligimin për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013 dhe e rikonfirmuar në vitin 2015. “Në konkluzionet e tij të datës 9 mars, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës t’i përmbahen, plotësisht dhe pa kushte, detyrimeve që u angazhuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asocacionin e Komunave me Shumicë serbe”, thuhet në letrën e përbashkët të Scholz, Macron dhe Meloni, dërguar kryeministrit Kurti.

Pritshmëritë e SHBA

Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, i njohur në publik si plani franko-gjerman është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve. Kosova dhe Serbia e kanë pranuar planin, por ai nuk është prezantuar asnjëherë zyrtarisht në publik. Pjesë të këtij plani kohë pas kohe, kanë publikuar mediet dhe aty nuk përmendet në mënyrë specifike njohja e Kosovës nga Serbia. Por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë. Ky plan është mbështetur edhe nga SHBA.

Edhe Shtetet e Bashkuara presin progres në takimin e së hënës ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentit Vuҫiq, takim ky që po cilësohet vendimtar për rrjedhën e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi të dielën një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë,  Aleksandar Vuçiq, ku tha se “Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit”. Chollet përmes Twitter shkroi se ka i thënë Vuçiqit se pret që takimi i 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në Bruksel të jetë konstruktiv dhe me përparim të dukshëm drejt marrëveshjes finale.

 

Chollet kërkon avancim për Asociacionin

Chollet ka folur edhe për nevojën e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në të kaluarën, në kuadër të dialogut, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, një ditë më parë pati një bisedë telefonike edhe me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, nga i cili ka kërkuar avancim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. “SHBA-të mbështesin një takim konstruktiv që afirmon përkushtimin e të dyja palëve ndaj propozimit të BE-së”, tha Chollet. “I thashë se tani është koha për të diskutuar për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet që kanë nënshkruar tashmë përmes procesit të dialogut, duke përfshirë përparimin drejt themelimit të Asoacionit”, shkroi Chollet në Twitter.

Lidhur me bisedën telefonike, zyra e kryeministrit Kurti njoftoi se “gjatë kësaj bisede, kryeministri konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve. Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare”, u tha në njoftimin e qeverisë.

 

Kryeministri Kurti thotë se Kosova do të jetë parimore në dialog me Serbinë. “Në raport me Serbinë kemi marrë pjesë në takimet e bisedimeve në Bruksel sa herë që jemi ftuar, kemi mirëpritur emisarët specialë nga perëndimi sa herë që kanë ardhur, kemi qenë edhe do të jemi të përkushtuar parimor, konstruktiv e kreativ. Dialogu në Bruksel, është për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është dialog për statusin e marrëdhënieve, statusi aktual i marrëdhënieve nuk është normal e status normal është ai i fqinjësisë së mirë. Pra njohje reciproke si thelb dhe reciprociteti si princip”, tha kryeministri Kurti në një takim me strukturat e partisë së tij Vetëvendosje.

 

Kritika nga opozita

Dy partitë kryesore opozitare në Kosovë PDK dhe LDK e kanë kritikuar kryeministrin Kurti për keqmenaxhim të dialogut me Serbinë. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, shkroi se “takimi i së hënës në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, nuk do të sjellë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër”. “Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse qeveria me paaftësinë e saj e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”, shkroi Memli Krasniqi.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “çdo devijim nga një marrëveshje përfundimtare me Serbinë që në thelb ka njohjen është përgjegjësi e pariparueshme e qeverisë aktuale. “Qëndrimi i LDK-së për procesin e dialogut është që duhet të ketë marrëveshje përfundimtare që në thelb ka njohjen e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve. Marrëveshja duhet të jetë ligjërisht e ndërkombëtarisht e obligueshme dhe duhet të përmbajë aktin kur Serbia e njeh Kosovën, dhe kur Kosova ndërsjell e njeh Serbinë. Çdo devijim nga ky orientim strategjik është përgjegjësi e pariparueshme e Qeverisë aktuale”, ka thënë kryetari i LDK-së Abdixhiku.

 

Nga ana tjetër edhe një pjesë e partive opozitare në Serbi, kanë kritikuar ashpër presidentin e Serbisë duke thënë se propozimi i BE-së për përmirësim të marrëdhënieve me Kosovën nënkupton njohje të Kosovës. Ata kanë  akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për dështim në proces. Presidenti Vuҫiq nga ana e tij, ka thënë se “mosnjohja e Kosovës dhe mospajtimi me anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara janë çështje të padiskutueshme për Beogradin”. E nga ana tjetër, diplomatët perëndimorë të angazhuar drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi u kanë bërë me dije të dyja palëve edhe Kurtit edhe Vuҫiqit se refuzimi i propozimit evropian, nënkupton përballje me sanksione për të dyja vendet.

dw

Sot mbahet mbledhja e dytë mes qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi

mbledhja e perbashket MZ ALSot, dita e hënë, 27 shkurt do të zhvillohet mbledhja e dytë e përbashkët mes qeverisë të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, e cila do të mbahet në ndërtesën e re të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU), në rrugën Rista Stijovića 5, në Podgoricë.

 

Pritet të nënshkruhet edhe marrëveshja për ndërtimin e urës në lumin Buna si dhe marrëveshje të tjera, e më pas dy kryeministrat do të mbajnë konferencë për shtyp.

 

Axhenda e Plotë:

10:30 – Ceremonia e mirëseardhjes dhe prezantimi i dy delegacioneve para godinës së CANU-së.

10:45. – Nisja e seancës së përbashkët

(Kameramanët dhe fotografët mund të regjistrojnë ceremoninë e mirëseardhjes dhe fillimin e sesionit)

13:00 – Nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët dhe Marrëveshjes Bilaterale për ndërtimin e urës në lumin Buna.

(Përveç këtyre, do të nënshkruhen edhe nëntë marrëveshje dhe memorandume në fushat e: energjisë, peshkimit, mbrojtjes së bimëve, mbrojtjes sociale, sportit, kulturës dhe medias, mbrojtjes, shëndetësisë, si dhe Marrëveshja për hapjen e kufirit të përbashkët në kalimin Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë.)

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve ndërshtetërore, kryeministrat e dy vendeve Edi Rama dhe Dritan Abazovic do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Transmetimet live do t’i ndiqni në faqet zyrtare të Kryeministrit.

Në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi do të nënshkruhen disa marrëveshje bashkëpunimi:

-Deklaratë e Përbashkët midis Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama dhe Kryeministrit të Malit të Zi Dritan Abazovic, në kuadër të mbledhjes së dytë të përbashkët midis qeverive Republikës së Shqiperisë dhe Malit të Zi

-Marrëveshje bilaterale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi mbi ndertimin e urës në lumin e Bunës. (Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)

-Marrëveshje midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë – Pulaj, në territorin Republikes së Shqipërisë ((Kryeministri Edi Rama dhe Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazovic)

-Memorandum Mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e Energjisë midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Investimeve Kapitale të Malit të Zi (Ministrja e infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe Zv/kryeministri dhe Ministri  i investimeve kapitale Ervin Ibrahimovic)

-Marrëveshje  bashkëpunimi në fushat e mirëmbajtes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në liqenin e Shkodrës dhe lumin e Bunës, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi.

(Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)

-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjës së shëndetit të bimëve, midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujësjellësit të Malit të Zi. (Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural Frida Krifca dhe Zv/kryeministri dhe Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujësjellsit Vlladimir Jokovic)

-Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes sociale midis Republikës së Shqipërisë dhe Malit të Zi (Ministrja e Shëndetsisë dhe Mbrojtjes Sociale  Ogerta Manastirliu  dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Shoqërore Admir Adrović)

-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Ministrisë së Rinisë dhe Fëmijeve të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë së Malit të Zi (Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Ministrja  për Rininë dhe Fëmijet Bora Muzhaqi dhe Ministri i Sportit dhe Rinisë Vasilije Llalloshevic.)

-Programi i bashkëpunimit kulturor midis Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe Medias së Malit të Zi për periudhën 2023-2025 (Ministrja e Kulturës Elva Margariti dhe Ministri i kulturës dhe Medias së Malit të Zi Masha Vllahovic)

-Memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi midis Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Malit të Zi (Ministri i mbrojtjes Niko Peleshi dhe Drejtuesi i Ministrisë së Mbrojtjes Filip Axhic)

-Memorandum bashkëpunimi midis Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Shëndetit të Malit të Zi (Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Orgeta Manastirliu dhe Ministri i Shëndetit Dragosllav Shqekic)

Përçahet opozita para zgjedhjeve! PDIU me tone nacionaliste deklarohet kundër PD

IdriziShpëtim Idrizi i preu shpresat Sali Berishës dhe ia bëri të  qartë se nuk ia fal marrëveshjen me Vangjel Dulen që prodhoi si kandidat të Himarës Fredi Bejlerin, i cili bën fushatë me flamurin e ‘Vorio Epirit” duke provokuar çamet.

 

PDIU ka marrë vendimin që të dalë e vetme në zgjedhje. Shqiptarët e Ҫamërisë e njohin mirë historinë se si i vrau e masakroi Napoleon Zerva me bandat e tij dhe se si tentoi ti vriste për së dyti Enver Hoxha dhe komunistët. Shqiptarët nuk duhet të votojnë Fredi Bejlerin produktin e marrëveshjes Berisha – Dule  që fushatë me flamurin e Vorio Epirit, i cili advokon autonominë e Vorio- Epirit”– njoftoi sot Idrizi.

Furtuna e largimeve te aleatëve duket se është problem më i vogël për Sali Berishën, i cili po përgatit bazën për një skenar të mundshëm të humbjes se gjyqit te vulës që mund ti pamundësonte regjistrimin ne zgjedhje me logon e PD.

 

Bëhet gjithçka që ne të largohemi nga Parlamenti. Por ne nuk do e bojkotojmë Parlamentin  Njësoj si në vitin 1991, ne jemi në një revolucion,  Revolucionet i bën pakica, fitoren e firmos shumica.“- tha Berisha nga Tepelena.

Në mungesë të vulës dhe logos Ilir Meta do jetë streha e vetme për kandidatët e Sali Berishës në zgjedhjet e pranverës.  Përgatitja për skenarin B kanë nisur bashke me fushatën e parakohshme  ku kandidatët e Berishës po shfaqen krah Metës me ngjyrën dhe logon e Partisë së Lirisë në sfond.

“Ne kemi një marrëveshje me PD jo vetëm për fitoren e 14 majit por për rivendosjen e plotë të pluralizmit politik”- tha Meta nga Kukësi.

Paralelisht me zgjedhjet, opozita po bëhet gati për protestën e 3 marsit, pasi ditën kur gjykata vendos për fati e PD, Sali  Berisha ka vendosur të nxjerrë mbështetësit e tij në rrugë.

Top Channel

Manuel Sarrazin: Shanse të reja për Ballkanin Perëndimor

Manuel SarrazinEksperti i Europës Juglindore, Manuel Sarrazin (Të Gjelbrit) është i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor. Për DW ai flet për shanset e integrimit europian të rajonit dhe rreziqet aktuale.

 

Këtë të hënë (27.02.2023) takohen sërish në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Tema e bisedimeve është plani i inicuar nga Gjermania dhe Franca për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. BE dhe SHBA i kanë dhënë Kosovës dhe Serbisë një afat deri në mars 2023 që të bien dakord për këtë plan. Propozimi parasheh që të dy vendet fqinje nuk do e njohin njëra-tjetrën formalisht, por do të pranojnë ekzistencën e e dynashme dhe kështu të startojnë një proces të normalizimit, pak a shumë si ai mes Gjermanisë Federale dhe RDGJ-së mbi bazën e marrëveshjes së vitit 1972. Serbia dihet që e refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës të shpallur në vitin 2008.

 

Sinjal i fortë për Kosovën dhe Serbinë

Eksperti i Europës Juglindore, Manuel Sarrazin, i ngarkuar i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor sheh në planin e paraqitur një shans për të dyja vendet. “Propozimi europian që bazohet në iniciativën gjermane dhe franceze është në gjendje të zgjidhë një pjesë të madhe të problemeve mes dy vendeve. Ai do të hapë rrugën për integrimin rajonal në BE”, shprehet Sarrazin. Pranimi i këtij plani është një hap thelbësor për të dyja vendet në drejtim të BE.

 

Tani është mundësia që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe të pranojnë propozimet e paraqitura. Ky do të ishte edhe një sinjal i rëndësishëm pozitiv për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në një situatë kritike ndërkombëtare, thekson Sarrazin në bisedë me DW. Pranimi i planit nuk do të zgjidhë të gjitha problemet, beson Sarrazin, por ai do të “hapte një shteg pozitiv”, që më në fund për Serbinë dhe Kosovën t’ia vlejë konstruktiviteti. Po ashtu ky plan do të thjeshtonte shumë çështje të bashkëpunimit rajonal dhe ekonomik. “Do të ofroheshin shumë mundësi, që të zbatohen pikat që i kemi arritur në Procesin e Berlinit dhe të shkohet përtej kësaj.”

 

Qëndrimi i Serbisë në Ukrainë i paqartë

Përmes një qëndrimi pozitiv ndaj propozimit europian përfaqësuesit e Serbisë kanë shansin të tregojnë, që ata e kanë seriozisht kur thonë se “duan të zgjidhin në mënyrë konstruktive çështjen e Kosovës dhe të vazhdojnë me besueshmëri në rrugën e integrimit europian”. Kjo mund të krijojë një besim të ri, “që tek politika serbe mund të mbështetesh”, thekson Sarrazin. Po ashtu do të dërgohej edhe një sinjal drejt përfaqësuesve të ekonomisë, ndër të tjera në Gjermani, që duan të investojnë në Serbi.

Për Serbinë kjo ka rëndësi sidomos para situatës, ku shumë nuk janë të sigurtë, se në cilën anë qëndron Serbia në luftën e Ukrainës. “Ne presim natyrisht edhe më tej që Serbia, ashtu si është fiksuar në marrëveshjen e stabilizim-asociimit të afrohet hap pas hapi edhe më tej me politikën e jashtme europiane dhe në fund t’i bashkohet asaj.”

 

“BE të flasë hapur me Serbinë”

Kush do të bashkohet me BE duhet të respektojë edhe vendimet europiane. “Ne na mungon çdo lloj përpjekjeje atje”, kritikon Sarrazin. Ai apelon ndaj BE të flasë qartë e hapur me Serbinë. Të folurit hapur është më mirë se “mbulimi apo zbukurimi i hapave të vegjël, për të cilat do të ketë ujdi të dyanshme për të bërë më pas sikur çdo gjë është në rregull.” Sarrazin vlerëson që Serbia në javët e fundit është përpjekur të forcojë marrëdhënien bilaterale me Ukrainën. Por nga ana tjetër në Serbi edhe më tej ka një propagandë të fortë proruse. Sarrazin është i mendimit se perspektiva e vuajtjes në Ukrainë dhe krimet që Rusia ka kryer në Ukrainë duhet të jenë më në fokus të tematizimit publik. “Ato janë krime lufte ruse, përpjekje imperialiste ruse për të kolonizuar Ukrainën, kjo kundrejt një populli sllav, kundrejt Ukrainës”, shprehet Sarrazin.

 

Gjendje e tensionuar në Bosnje-Hercegovinë

Si i ngarkuar i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin ka në vëmendje edhe gjendjen e tensionuar në Bosnje-Hercegovinë. Ai e shikon si jo produktiv debatin për politikanin gjerman të CSU dhe Përfaqësuesin e Lartë për Bosnje-Hercegovinën, Christian Schmidt. “Në gjendjen aktuale politike e shoh një diskutim të tillë për shpërbërjen e postit të Përfaqësuesit të Lartë si të pamenduar dhe të rrezikshëm.”

Vetë Sarrazin bën një bilanc pozitiv të angazhimit 1-vjeçar si i ngarkuar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor. Sidomos tre marrëveshjet e mobilitetit në samitin e Berlinit, deklarata për energjinë, në kuadër të të cilës Gjermania i ka ofruar rajonit në formë bilaterale mjete të mëdha financiare janë sinjale shumë të rëndësishme. “Qeveria federale ka një angazhim të qartë për të ardhmen europiane të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.” Këtu nuk bën pjesë vetëm kërkimi i mundësive për zgjidhje për krizat akute aktuale, por edhe përmirësimi i dukshëm i perspektivës për shoqëritë në rajon. “Në këtë drejtim duam të punojmë si qeveri federale në muajt e ardhshëm”, shprehet Sarrazin. Koordimi i vendosur në ujdi të ngushtë me partnerët në BE dhe SHBA janë kusht për të arritur zhvillime pozitive në Ballkanin Perëndimor, thekson Sarrazin.

dw

Kërkohet asociacion i komunave shqiptare në Maqedoninë e V.

shkupiPartia Alternativa në Maqedoninë e Veriut po kërkon asociacion të komunave shqiptare, ashtu siç kërkojnë serbët në Kosovë.

“Në kohën kur Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dhe kur secili diplomat perëndimor që shkon në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë”, ka deklaruar Zeqirja Ibrahimi nga partia “Alternativa”.

Kjo parti ishte pjesë e Qeverisë me tri ministri, por kaloi në opozitë për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me ndarjen e posteve, pas vendimit që pushtetit t’i bashkohet edhe partia, Aleanca për Shqiptarët.

Kërkesa e saj për Asociacionin e komunave shqiptare, është refuzuar nga partitë tjera, përveç Lëvizjes Besa, e cila ka thënë se do ta shqyrtojë një propozim të tillë.

Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, tha se një propozim i tillë është “anti-perëndimor” dhe i dëmshëm për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Një propozim i tillë është patetik, antiamerikan dhe antievropian, është i dëmshëm për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës. Përpjekje e pasuksesshme për të mbijetuar në skenën politike pas fiaskos dhe rreshtimit krejtësisht të gabuar dhe destruktiv”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Lidhja Social-Demokrate thotë se komunat në Maqedoninë e Veriut kanë të drejtë bashkëpunimi andaj nuk kanë nevojë për asociacione, apo forma tjera të bashkimit.

“Situata në Kosovë nuk mund të pasqyrohet në vendin tonë, në asnjë mënyrë. Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjit për Bashkëpunim Ndërkomunal, bashkëpunimi ndërmjet komunave në Maqedoninë e Veriut është absolutisht i mundshëm. Çdo komunë mund të bashkëpunojë në çfarëdo forme, kur gjen interesim për një temë të caktuar. Ne e konsiderojmë këtë kërkesë si joserioze, që të mos përdoret për të fituar pikë politike dhe është e papranueshme”, ka deklaruar Sanela Shkrijel nga Lidhja Social-Demokrate e kryeministrit, Dimitar Kovaçevski.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se një ide e tillë “mund të përkeqësojnë marrëdhëniet ndëretnike” dhe se raportet dhe të drejtat e bashkësive etnike, në veçanti të asaj shqiptare janë të rregulluara me Marrëveshjen e Ohrit.

Disa parti më të vogla maqedonase, propozimin e Alternativës e kanë quajtur “ide nacionaliste që dëmton perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

rel

Shkatrimi i gjurmëve arkeologjike ilirie të shqiptarëve në Shkup. Pse partitë shqiptare heshtin?

dardanet“Ndryshimet kushtetutese për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën maqedonase, si popull shtet-formues duhet të miratohen… shqiptarët do ta mbështesin në tërësi identitetin maqedonas” deklaroi lideri i BDI z. Ali Ahmeti në takimin e kryeministrit shqiptar z. Edi Rama, me krerë të të partive politike shqiptare nga “Maqedonia e Veriut”, më 10 janar 2023.

 

Por z. Ali Ahmeti nuk është kreu i vetëm i partive politike shqiptare që mbështet identitetin “maqedonas” të bashkëqytetarëve të tij sllavë, në dëm të interesave të bashkëqytetarëve të tij shqiptarë, të cilët kushtetuta e vendit i konsideron si pakicë e ardhur!

Kështu, z. Arben Taravari votimin e ndyshimeve kushtetutese, si kusht për hapjen e negociatave me BE, e konsideron si “një mundësi shumë të mirë për afirmimin ndërkombëtar të identitetit maqedonas”. Ndërsa, kërkesën e shqiptarëve për të drejtën e tyre të pamohushme dhe të domosdoshme për “riorganizimin dhe ridefinim të shtetit” e konsideron si “frustracion” i cili mund të paraqitet vetëm në rast të “rezikimit të perspektivës evropiane”.

Ndërkohë qëndrimi i partive Alternativa dhe Besa, tani më dihet qartë – historia e shqiptarëve fillon me Perandorinë Osmane dhe konvertimin në fenë islame. Ndaj nuk janë të interesuar fare për të kaluarën e vjetër, “të pafe” të shqiptarëve!

 

Gjetjet arkeologjike të shumta përfshirë edhe këto të ditëve të fundit, që dëshmojnë për Shkupin kryeqendër të Dardanisë, bien ndesh me projektin sllav të identitetit “maqedonas”, që Shkupin e konsideron kryeqytetin e shtetit komb të “Maqedonisë (së Veriut)” dhe shqiptarët pakicë në këtë shtet. Ndaj keto gjurmë arkeologjike dhe këto site arkeologjike duhet të zhduken nga faqja e dheut dhe te zëvendësohen me pallate moderne dhe asfallt që mbulon historinë e vjetër – të vërtetë dhe tregon vetëm historinë e re – atë të mashtrimit dhe përvetësimit.

 

Lufta për legalizimin e identitetit “maqedonas” të përvetësuar nga sllavët, e maskuar me “perspektivën evropiane të shtetit” është “kauza” politike e partive shqiptare, që sqaron heshtjen e tyre gjatë këtyre ditëve, dhe angazhimin e tyre prej mercenarëve që kanë marrë detyrat nga padroni, në këmbim të privilegjeve që u jep pjesëmarrja e në pushtet.

 

Heshtin edhe institucionet e shtetit shqiptar, të zhytyr në krim dhe korrupsion, në vazhdimësi të sjelljes së pushtetit monist, që në mbrojtje të ideollogjiive internacionaliste, shqiptarët jashtë kufirit i la në mëshirën e sllavëve.

 

E Kosova, shpresojmë që mos të harrojë se kryeqyteti i Dardanisë nuk është në Kosovën e Ahtisarit, por në Shkupin e shqiptarëve të “Maqedonisë”!

Afrim Fanda

 

SHBA: Presim qasje konstruktive të Kosovës dhe Serbisë në bisedimet e së hënës

Albin VucicShtetet e Bashkuara presin një qasje konstruktive të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në lidhje me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve në takimin e 27 shkurtit në Bruksel.

 

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është e rëndësishme që Serbia dhe Kosova të shfrytëzojnë bisedimet për të shprehur përkushtimin e tyre për një të ardhme paqësore të rajonit.

“Serbia dhe Kosova duhet të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse përmes dialogut. Ne besojmë se marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të synojnë në fund njohjen e ndërsjellë. Përparimi në dialog do të hapë derën e integrimit evropian dhe është i një rëndësie thelbësore për sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në përgjigjen e DASH-it, në të cilën cilësohet inkurajuese që Serbia dhe Kosova e kanë pranuar në parim propozimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiç pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar mbi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Të dy kanë pohuar se e pranojnë në parim propozimin që nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se pret që të dy udhëheqësit zyrtarisht dhe publikisht të deklarojnë se e pranojnë planin.

“Plani në vetvete nuk do të negociohet. Palët janë konsultuar pasi projekti i parë është ndarë me to dhe nuk shohim arsye as gjasa për negociata. Ne besojmë vërtetë që është plani që trajton çështjen, respekton vijat e kuqe të palëve dhe ofron maksimumin e arritshëm”, tha zoti Lajçak në një intervistë me Radiotelevizionin e Kosovës.

Një zyrtar i Bashkimit Evropian tha të premten se në bisedimet e së hënës palët do të diskutojnë për zbatimin e planit i cili mbështetet nga të gjitha vendet anëtare të bllokut, përfshirë edhe ato që nuk e njohin Kosovën si dhe nga Shtetet e Bashkuara.

Zyrtari tha se pranimi i propozimit nënkupton edhe pranimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që është pika më e diskutueshme në marrëveshjet e deritashme të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Ai tha se propozimi paraqet po ashtu “njohje de facto” të Kosovës nga Serbia.

Brukseli dhe Washingtoni kanë shtuar trysninë për një marrëveshje Kosovë – Serbi, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb. Diplomatët thonë se duan të shmangin përsëritjen e krizave dhe se palët do të përballen me pasoja nëse refuzojnë propozimin evropian.

voa

A mund të kryejë EUFOR misionin e tij në B-H?

EUFOR në Bosnje-HercegovinëNë B-H ka mendime të ndryshme për shumë çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe aspektet e sigurisë. Po cili është roli i Euforit dhe i grupit famëkeq Wagner?

Një delegacion i Nënkomitetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian qëndroi në Bosnjë-Hercegovinë (B-H) ku diskutoi situatën politike dhe të sigurisë, si dhe sfidat globale dhe rajonale me zyrtarë vendas dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare atje. Detyra e delegacionit është edhe vlerësimi i operacionit ushtarak të EUFOR-it (Forcat Evropiane të Sigurisë), i cili ka marrë përsipër misionin e stabilizimit të paqes në Bosnjë-Hercegovinë. Analistët paraqesin pikëpamje kontradiktore për mundësitë e EUFOR-it dhe nënvizojnë se sfidat e forcave evropiane në B-H, pas agresionit rus kundër Ukrainës, kanë një dimension të ri.

Për shkak të marrëdhënieve të brendshme dhe pikëpamjeve të ndryshme për sulmin rus ndaj Ukrainës – sipas shembullit të aleatëve rusë në Republikën Srpska (RS) quhet “operacion ushtarak special”, ndërsa në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës termat “agresion” ose “pushtimi” përdoren më shpesh. Bosnjë-Hercegovina është më shumë një kërcënim për veten sesa dikush që e kërcënon atë nga jashtë, thotë për DW, Milosh Sholaja, drejtor i Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Banja Lukë.

EUFOR-i u shërben vetëm evropianëve?

Për momentin, ai nuk sheh sfida sigurie për B-H që mund të shkaktohen nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe nëse kërcënime të tilla do të ekzistonin, misioni EUFOR në BiH “nuk do të ishte në gjendje t’i shtypte apo t’i kontrollonte ato”. “Misioni EUFOR në Bosnjë-Hercegovinë ka kohë që u ka shërbyer vetëm evropianëve, në mënyrë që ata të tregojnë se janë një shtyllë sigurie, edhe pse nuk ka efekte speciale nga ky mision, as pas zgjerimit të fundit të tij”, thotë Sholaja.

Sipas profesorit nga Banja Luka, ndikimi evropian në proceset e sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë është minimal. “EUFOR nuk ka një strategji të saktë apo një kornizë të kënaqshme të personelit dhe organizimit. Si i tillë nuk mund të ndikojë asgjë në B-H”, thotë Sholaja. Sipas mendimit të tij, Bosnjë-Hercegovina duhet të mbështetet në forcat e saj të brendshme dhe të “ndërtojë politikën e saj të mbrojtjes dhe sigurisë”. Por B-H ka probleme në drejtimin e një politike sigurie efektive në nivelin e brendshëm dhe për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike, sipas analistëve nga Federata e B-H.

Forcat rezervë evropiane mund të mbërrijnë në B-H në 48 deri në 72 orë

Ndryshe nga Sholaja, analisti ushtarako-politik nga Sarajeva, Gjuro Kozar, beson se EUFOR mund të japë një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm të sigurisë. Ai kujton se operacioni ALTHEA i EUFOR-it është operacioni më i gjatë ushtarak i Bashkimit Evropian (BE) dhe “i vetmi me mandat ekzekutiv për të përdorur forcën”. “EUFOR është vendosur në B-H që nga viti 2004. Nga 7000 ushtarë sa kishte në fillim, kapaciteti i tyre u zvogëlua me përmirësimin e situatës së sigurisë në vend dhe tani pas përforcimeve të fundit janë gjithsej 1.100 ushtarë të përhershëm”, thotë Kozar.

Ai vë në dukje se ushtarët e EUFOR-it nuk kanë armë të rënda, por komanda e tyre në Butmir afër Sarajevës mund të kërkojë ndërhyrjen e forcave rezervë nga anëtarët e Aleancës. “Ato forca mund të operojnë në B-H brenda 48 deri në 72 orë dhe të eliminojnë të gjitha incidentet e mundshme. Se si do të dukej kjo në praktikë tregohet çdo vit në stërvitjen shumëkombëshe: ‘Përgjigje e shpejtë’. Sigurisht që është më mirë sikur ky plan për mbrojtjen e B-H të mos zbatohet kurrë, por është mirë që ekziston”, thotë Kozar.

 

Grupi famëkeq Wagner

Analistët në B-H paralajmërojnë se kërcënimet e sigurisë në rrethanat e reja globale mund të jenë të shumëfishta. Ata kanë mendime të ndryshme rreth paraushtarakëve dhe grupeve të tjera dhe/ose luftëtarëve nga fushëbetejat e huaja, të cilët mund të përfaqësojnë një kërcënim sigurie në B-H, si për popullatën vendase ashtu edhe për trupat ndërkombëtare, organizatat dhe punonjësit e tyre.

Në B-H, sidomos pas përfshirjes së Grupit Wagner në Ukrainë, Grupi Wagner është më i përfoluri si formacion paraushtarak mercenar. Ky grup nuk perceptohet si kërcënim në RS. Dega e këtij grupi në Beograd shihet në RS me simpati, thotë për DW analisti ushtarak nga Sarajeva Nexhad Ahatoviq. Milosh Sholaja beson se ka më shumë “pluhur” që ngrihet rreth Grupit Wagner në B-H sesa që ai përfaqëson vërtet ndonjë kërcënim real. “Konceptualisht dhe strategjikisht, B-H duhet t’i drejtohet politikës së sigurisë dhe të njohë rreziqet reale mbi këtë bazë, dhe të mos jetë subjekt i manipulimeve nga komuniteti ndërkombëtar apo disa prej përfaqësuesve të tij,” thotë Sholaja.

Luftë hibride, demonstrata dhe trazira

Por Ahatoviq beson se vetë prania e “përfaqësuesit” të Wagnerit në Beograd është një kërcënim për B-H, “sepse veprimet e këtij grupi mund të ndryshojnë nga lufta hibride, deri tek aktivitetet e hakerëve dhe sulmet klasike terroriste”. “Dega në Beograd e grupit Wagner mund të rekrutojë individë dhe të përdorë brishtësinë e kontrollit të kufirit tonë për t’i transferuar ata në B-H, ku, sipas udhëzimeve të drejtuesve të tyre nga Beogradi ose Moska, ata mund të kërcënojnë interesat perëndimore në B-H. Duke ditur se në RS ka një disponim të madh pro-rus, ky grup atje mund të gjejë aleatë shumë lehtë dhe shpejtë”, thotë Ahatoviq.

Duke analizuar për DW kërcënimet e ndryshme të sigurisë në Bosnjë-Hercegovinë dhe mënyrat se si EUFOR mund të përballet me to, Ahatoviq vë në dukje se forcat evropiane mund të “ndihmojnë” edhe policinë lokale për të shpërndarë trazirat që mund të kërcënojnë përfaqësitë e komunitetit ndërkombëtar atje. “Por është e pasigurt nëse Këshilli i Ministrave i BE-së do të miratojë unanimisht dhe me kohë veprimet e EUFOR-it në rrethanat e reja gjeopolitike për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të B-H, që është një nga përgjegjësitë kryesore të misionit EUFOR,” paralajmëron Ahatoviq.

Migrimet ilegale

Në vitin 1995, pas nënshkrimit të Marrëveshjes paqësore në Dejton, NATO mori përsipër misionin e stabilizimit të paqes në B-H. Në vitin 2004, NATO ia transferoi këtë autoritet BE-së, ndërkohë që mbante selinë e NATO-s në Sarajevë. 21 vende marrin pjesë në operacionin ALTHEA të EUFOR-it në B-H dhe vendimi përfundimtar për përdorimin e “grupeve luftarake” merret nga Këshilli i Ministrave të BE.

Anëtarët e Nënkomitetit për Sigurinë dhe Mbrojtjen dhe Komitetit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian, të cilët kanë përfunduar vizitën e tyre në B-H të enjten (23 shkurt), folën me zyrtarë vendor dhe ndërkombëtarë në B-H. Ata mirëpritën “angazhimin e përbashkët” për ruajtjen e paqes. Mbështetën edhe rrugën evropiane të B-H. Komandanti i EUFOR-it, gjenerali austriak Helmut Habermayer, vlerëson interesimin e tyre për misionin e EUFOR-it dhe për situatën e sigurisë në vend. Ai kërkoi që Nënkomiteti të vazhdojë të mbështesë dhe të forcojë angazhimin e BE-së për një mjedis të sigurt për të gjithë popujt në B-H. Ndërsa ministri i Sigurisë së B-H, Nenad Neshiq informoi evropianët për situatën e sigurisë, duke theksuar se migrimi i paligjshëm është një “sfidë e madhe sigurie” për B-H-në, por edhe për të gjitha vendet e rajonit.

dw

Cili është propozimi i paqes i Kinës për luftën në Ukrainë?

UkrainaNjë vit pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, Kina po ofron një propozim prej 12 pikash për t’u dhënë fund luftimeve. Propozimi vjen pas njoftimit të fundit të Kinës se ajo po përpiqet të veprojë si ndërmjetëse në luftën që ka rigjallëruar aleancat perëndimore të konsideruara rivale nga Pekini dhe Moska. Kryediplomati kinez foli këtë javë për planin ndërsa merrte pjesë tek konferenca e sigurisë në Mynih të Gjermanisë.

 

Me shpalljen e planit, qeveria e Presidentit Xi Jinping po përsërit pretendimin e Kinës se është neutrale, pavarësisht bllokimit të përpjekjeve për të dënuar agresionin rus tek Kombet e Bashkuara. Dokumenti i bën jehonë pretendimeve ruse se qeveritë perëndimore janë fajtore për sulmin që nisi më 24 shkurt 2022 dhe kritikon sanksionet ndaj Rusisë.

Në konferencën e sigurisë në Mynih, Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken shprehu skepticizëm për pozicionin e Pekinit përpara publikimit të planit. Ai tha se Kina i ka ofruar armë jo-vdekjeprurëse Rusisë. Zoti Blinken shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë informacione se Pekini “po shqyrton edhe ofrimin e armëve vdekjeprurëse”. Kina e ka quajtur akuzën përpjekje për “njollosje” të cilës i mungojnë provat.

ÇFARË KA PROPOZUAR KINA?

Propozimi i Kinës kërkon armëpushim dhe bisedime paqeje, si dhe heqjen e sanksioneve kundër Rusisë.

Kina tha se përgjegjësia për sanksionet u takon “vendeve të tjera përkatëse” pa i përmendur ato. Këto vende, thotë plani, “duhet të ndalojnë abuzimin e sanksioneve të njëanshme” dhe “të bëjnë pjesën e tyre në çtensionimin e krizës në Ukrainë”.

Shumë nga 12 pikat ishin shumë të përgjithësuara dhe nuk përmbanin propozime konkrete.

Pa përmendur Rusinë apo Ukrainën, propozimi thotë se sovraniteti i të gjitha vendeve duhet të ruhet. Aty nuk tregohet se si do të duket Ukraina dhe çfarë të bëhet me territorin e marrë nën kontroll nga Rusia që kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë më 2014.

Propozimi dënon gjithashtu atë që e quan “mentalitet të Luftës së Ftohtë”, një term që shpesh u referohet Shteteve të Bashkuara dhe aleancës ushtarake të NATO-s. “Siguria e një rajoni nuk duhet të arrihet duke forcuar apo zgjeruar blloqet ushtarake”, thuhet në propozim. Presidenti rus Vladimir Putin, para nisjes së agresionit, kishte kërkuar që të premtohej se Ukraina nuk do të bashkohet me bllokun.

Pika të tjera bëjnë thirrje për armëpushim, bisedime paqeje, mbrojtje për të burgosurit e luftës dhe ndalimin e sulmeve ndaj civilëve, pa dhënë detaje, si dhe mbajtjen e centraleve bërthamore të sigurta dhe lehtësimin e eksporteve të grurit.

“Toni dhe mesazhi themelor në këtë propozim është mjaft pro-rus”, tha Li Mingjiang, profesor i politikës së jashtme kineze dhe sigurisë ndërkombëtare në Universitetin Teknologjik Nanyang të Singaporit.

A E MBËSHTET KINA AGRESIONIN RUS NË UKRAINË?

Kina ka ofruar deklarata kontradiktore në lidhje me qëndrimin e saj. Pekini thotë se Rusia u nxit të ndërmarrë veprime nga zgjerimi i NATO-s drejt lindjes, por në të njëjten kohë ka pretenduar të jetë neutrale ndaj luftës në Ukrainë.

Përpara nisjes së agresionit rus në Ukrainë, presidentët Xi dhe Putin morën pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore të vitit të kaluar në Pekin dhe lëshuan një deklaratë se qeveritë e tyre kishin miqësi “pa kufizime”. Që atëherë Kina ka injoruar kritikat perëndimore dhe e ka riafirmuar këtë zotim.

Zoti Putin ka thënë se pret që presidenti Xi të vizitojë Rusinë në muajt e ardhshëm. Kina ende nuk e ka konfirmuar këtë.

Kina “dëshiron të përfitojë nga të dyja palët”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken të dielën për televizionin amerikan, NBC.

“Publikisht, ata e paraqesin veten si një vend që përpiqet për paqen në Ukrainë por ne kemi parë gjatë muajve të fundit dhënien e armëve jo-vdekjeprurëse që drejtpërdrejt ndihmon dhe nxit përpjekjet luftarake të Rusisë”.

A I KA OFRUAR KINA MBËSHTETJE RUSISË?

Mbështetja e Kinës për Rusinë ka qenë kryesisht retorike dhe politike. Pekini ka ndihmuar në parandalimin e përpjekjeve për të dënuar Moskën tek Kombet e Bashkuara. Nuk ka asnjë provë publike që Kina aktualisht po furnizon me armë Rusinë, por SHBA-ja ka thënë se Kina i ka ofruar tanimë armë-jo vdekjeprurëse Rusisë.

Zoti Blinken, në konferencën e Mynihut, tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë prej kohësh të shqetësuara se Kina do t’i siguronte armë Rusisë. “Ne kemi informacione që na shqetësojnë se ata po shqyrtojnë ofrimin e armëve vdekjeprurëse për Rusinë,” tha ai.

Sekretari Blinken tha se i shprehu të dërguarit kinez në konferencën e Mynihut, Wang Yi, se “ky do të ishte një problem serioz”.

Shefi i NATO-s tha të mërkurën se kishte parë shenja se Kina mund të jetë gati t’i sigurojë armë Moskës dhe tha se kjo do të ishte shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Forcat ruse dhe kineze kanë mbajtur stërvitje të përbashkëta pasi ka nisur agresioni rus në Ukrainë, së fundmi me marinën e Afrikës së Jugut në një korsi transporti në brigjet e Afrikës së Jugut.

Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov shprehu dyshime për gatishmërinë e Kinës për të dërguar ndihma vdekjeprurëse në Rusi.

“Unë mendoj se nëse Kina do t’i ndihmojë ata … nuk do të jetë me armatim. Do të jenë disa lloj veshjesh”, tha zoti Reznikov në Kiev të hënën.

Lajçak: Të pranohet zyrtarisht propozimi i BE-së

LajcakPara takimit Kurti-Vuçiq të hënën në Bruksel, Miroslav Lajçak thekson, se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm. Sipas BE, temë diskutimi do të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

 

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që gjatë raundit të ri të dialogut ta pranojnë planin e zbatimit të propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve. Më 27 shkurt në Bruksel takohen kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, në prani të shefit të diplomacisë evropiane Josep Borrell. “Plani, që besoj se do të pranohet të hënën, do të jetë i detyrueshëm për të dyja palët. Nuk është një marrëveshje e përkohshme. Pas kësaj do të vazhdojë procesi i normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve, që duhet të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, përpara se Kosova dhe Serbia të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”, tha Lajçak në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.

 

Plani i zbatimit me afate

Në takimin e së hënës do të diskutohet për afatet e zbatimit të propozimit evropian. Lajçak ka theksuar, se propozimi i BE-së nuk është i negociueshëm. “Gjithçka për të cilën biem dakord nën ndërmjetësimin tim, nuk ka vetëm pjesën politike, por edhe atë që flet qartë se kush është përgjegjës për çfarë, në çfarë afati, kështu që kjo është edhe pjesë e propozimit tonë që do ta diskutojmë të hënën. Pra, plani i zbatimit. Do të kemi të përcaktuar konkretisht se çfarë dhe në cilat afate duhet të bëhet dhe BE-ja do të luajë një rol qendror në monitorimin e përmbushjes së këtyre detyrimeve”, tha Lajçak.

 

Borell: Moment vendimtar

Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, foli të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për dialogun Kosovë-Serbi , ku përcolli mesazhin se “ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është një moment vendimtar”. “Dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve është në një moment vendimtar. BE-ja u ka paraqitur palëve një propozim që do ta vendosë procesin e normalizimit në një rrugë të qëndrueshme dhe largpamëse”, tha Borrell.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga ana e tij, tha se propozimi evropian nuk është produkt i negocimit. “Aleatët e Kosovës e kanë dizajnuar propozimin evropian si një pako që do të avancojë anëtarësimin e Kosovës në sistemin ndërkombëtar, dhe i cili përmban njohjen de-facto. E gjithë kjo bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila përbën një kushtetutë të sistemit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore për marrëdhëniet mes shteteve të pavarura”, tha Kurti në një seancë në Parlamentin e Kosovës.

Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se “Serbia do t’u përmbahet vijave të kuqe”. “Thelbi i diskutimeve do të jetë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha Vuçiq dhe përsëriti se “Serbia nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB”.

Propozimi i Bashkimit Evropian apo siç njihet plani franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk është bërë publik zyrtarisht. Por në një draft, pjesë të të cilit kanë publikuar mediet, nuk përmendet në mënyrë specifike njohja reciproke, Kosovë-Serbi, por parashihen të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë. Ndër këto të drejta parashihet respektimi i integritetit territorial, paprekshmëria e kufijve, njohja e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë, pa specifikuar qartë se për çfarë aranzhimi bëhet fjalë.

dw