Në SHBA s’pajtohen me Cholletin: Duhet njohje reciproke, jo Asociacion në Kosovë

Robert MenendezKryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme i Senatit Amerikan, Robert Menendez, ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimet e fundit të shprehur nga Derek Chollet, këshilltar i Departamentit Amerikan të Shtetit për domosdoshmërinë e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

 

Sipas tij, Kosovës i duhet njohja reciproke nga Serbia për të arritur paqe afatgjate dhe jo ndarje nëpërmjet Asociacionit.

Në një deklaratë në një ngjarje të organizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane më 12 shkurt, Menendez ka thënë se SHBA-ja duhet të ketë qasjen që fillimisht të kërkojë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“Shqetësohem kur pash Cholletin… Lexova shkrimin e fundit dhe komentet e tij. Kjo s’është ajo që duhet të jetë politika e jashtme e SHBA-së referuar Kosovës dhe si merremi me Ballkanin Perëndimor. Neve na duhet paqe afatgjate dhe ajo s’mund të arrihet në vendime të këqija afatshkurtra”, ka thënë ai duke paralajmëruar se në Komitetin që udhëheq do të organizojë një seancë për çështjen e Ballkanit për të diskutuar për këtë çështje.

“Paqja afatgjatë vjen me njohje reciproke”, ka vazhduar ai duke theksuar se Serbia në vazhdimësi ka penguar rrugën e Kosovës në integrimin ndërkombëtar.

Njohjen reciproke e ka cilësuar si kushtin e parë para se të kërkohet diçka tjetër. “Vetëm me njohje reciproke dhe veprimet që ndodhin si rrjedhojë mund të ketë rrugë përpara për Kosovën dhe Ballkanin”, ka thënë ai.

Menendez ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ua garanton të gjitha të drejtat minoriteteve. Ai ka thënë se është e gabuar qasja që Asociacioni të shihet si “bllokadë që do të zhbllokojë të ardhmen”.

“Nëse duam shtet tërësisht të integruar dhe jo ndarje, s’mund të kemi Asociacion të komunave që shkakton qeverisje të ndarë dhe shkakton ndarje”, ka thënë ai duke tërhequr paralele edhe me SHBA-në duke thënë se “nuk mund t’i kemi dy presidentë, apo dy kongrese”.

“S’duhet të avokojmë për këtë”, ka thënë ai.

koha

Serwer: Garancitë e Perëndimit për Kosovën, duhet të jenë të zyrtarizuara

Daniel Serwer VOAAngazhimi i profesorit të Universitetit Johns Hopkins, Daniel Serwer me Ballkanin filloi në vitet ’90, me negociatat e Bosnjes, kur ai shërbente në Departamentin e Shtetit.

Prof. Serwer shkoi për herë të parë në Kosovë në vitin 1998, si studiues i Institutit të Paqes. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zoti Serwer analizon arritjet dhe sfidat e Kosovës në 15 vjetorin e pavarësisë së saj dhe kujton se si ndryshoi qëndrimi i tij për pavarësinë e Kosovës.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, cilat mendoni se kanë qenë sukseset dhe sfidat në këto 15 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë?

Prof. Daniel Serwer: Mendoj në përgjithësi, ka qenë një arritje e suksesshme për shumicën e popullatës së Kosovës, e cila është në gjendje më të mirë, më e lirë se më parë. Duhet të kujtojmë se nga vinte Kosova, jo vetëm nga lufta por nga një periudhë e shtpyjes së skajshme, kufizimit të lirisë. Kështu që unë mendoj se pavarësia në vetvete ka qenë një sukses. Çka nuk ka qenë aq e suksesshme është vendosja e sovranitetit, që është një koncept më vete.

Një pjesë e problemit është kontrolli i vazhdueshëm i Beogradit mbi popullsinë serbe në Kosovë që kufizon sovranitetin e Kosovës. Dhe një pjesë e problemit është dështimi për të fituar njohjen universale të sovranitetit dhe integritetit të saj territorial. Dhe pikërisht këtu ngrihen çështjet aktuale.

 

Zëri i Amerikës: Ky përvjetor vjen në një kohë të intensifikimit të angazhimit diplomatik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Çfarë rezultati mendoni se do të ketë kjo rritje angazhimi?

Prof. Daniel Serwer: Ndërkombëtarët kanë thënë se duan të shohin normalizim, por nuk është aspak e qartë se ku konsiston normalizimi. Më e pakta që Kosova duhet të presë është një marrëdhënie e ndryshme me Serbinë. Ka qenë deri tani një marrëdhënie antagoniste, ku Serbia është përpjekur të bllokojë hyrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, është përpjekur të inkurajojë ndjenjën antishqiptare në popullatën serbe. Më duket se ajo që duhet tani është një marrëdhënie konstruktive reciproke, ku theksi të jetë tek sinergjitë pozitive të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë. Deri tani, presidenti Vuçiç ka mundur të sigurojë mbështetje politike vetëm për armiqësi ndaj Kosovës. Ai duhet të gjejë një mënyrë për ta bërë politikën e Serbisë të funksionojë në favor të tij me një marrëdhënie miqësore me Kosovën.

E njëjta gjë ishte dikur në Kosovë, ku kryeministrat dhe presidentët në Kosovë fitonin pikë politike vetëm duke shprehur armiqësi ndaj Serbinë. Por nuk është më ashtu. Popullata e Kosovës është pro normalizimit me Serbinë, e ka kuptuar që është një domosdoshmëri.

 

Zëri i Amerikës: Ky përvjetor vjen gjithashtu në një kohë kur presioni i perëndimit mbi Kosovën është shumë i fortë, disa mund të thotë edhe i paprecedentë. SHBA po i kërkon Kosovës të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin (e Komunave me Shumicë Serbe) dhe po ushtron shumë presion mbi të dhe duket se po tregohet më e ashpër ndaj Kosovës se ndaj dhe Serbisë. Çfarë mendoni për këtë?

Prof. Daniel Serwer: Kjo është diplomaci e shëmtuar. Është një lloj diplomacie ku përdoret më shumë ndikimi që ke ndaj miqve, sesa trysnia ndaj kundërshtarëve, duke u ofruar gjithçka që mund të përfitohet gjatë normalizimit që në fillim, si për shembull Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Por Kosovës po i ofrohet shumë pak me sa kuptoj unë dhe po ushtrohet shumë presion ndaj Kosovës, gjatë kësaj periudhe. Nuk e di se si do të funksionojë kjo. Dyshoj se mund të funksionojë mirë. Nuk është vetëm diplomaci e shëmtuar, është diplomaci e keqe.

 

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara kanë thënë kur kanë nxitur Kosovën ta zbatojë marrëveshjen, se sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës nuk do të komprometohen dhe se SHBA do të qëndrojë në krah të Kosovës ashtu siç ka bërë deri tani. Si mund të veprojë një qeveri kur përkrahësi më i vendosur i vendit të saj thotë se garanton se nuk do të ndodhë asgjë e keqe, se kjo nuk do të bëhet një Republika Srpska e dytë?

Prof. Daniel Serwer: Ajo që duhet bërë, është që të përgatitet një propozim që Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe të zbatohet vetëm pas njohjes së Kosovës nga Serbia. Të përgatitet një propozim që përfshin garanci amerikane dhe evropiane, që ata i kanë ofruar në shkrimin e tyre (në mediat lokale), por nuk e kanë ofruar në dokumentin diplomatik.

Pra, po, po ushtrohet një presion i madh, por ka mënyra për t’iu përgjigjur këtij presioni duke i sfiduar amerikanët dhe evropianët që t’i japin me shkrim, të dokumentuara garancitë që kanë ofruar në një opinion në media.

 

Zëri i Amerikës: Dhe si mund ta menaxhojë më mirë qeveria e Kosovës këtë çështje, sepse duket se nga perspektiva perëndimore dhe nga kritikët e qeverisë, ka pasur gabime në mënyrën e trajtimit se si qeveria dhe kryeministri i janë përgjigjur këtij procesi?

Prof. Daniel Serwer: Nuk më takon mua të paragjykoj kryeministrin dhe qeverinë. Mendoj se është e rëndësishme që kryeministri ka paraqitur gjashtë kushte gjë që tregon se është i gatshëm të negociojë. Ato kushte duhet të paraqiten me shkrim.

 

Zëri i Amerikës: Ju thatë se Asociacioni nuk duhet të zbatohet nëse nuk ka premtim se Serbia do ta njohë Kosovën, por në dokumentin që është para dy vendeve nuk përfshihet njohja. Kryeministri Kurti ka thënë se ky dokument është një pikënisje. A mendoni ju se kjo është një pikënisje apo se është maksimumi që do të pranojë Serbia? Dhe çfarë mendoni për protestën në Serbi kundër shqyrtimit të planit nga Presidenti Vuçiç?

Prof. Daniel Serwer: Nuk mund ta dimë përgjigjen e kësaj pyetjeje derisa Kosova të parashtrojë atë që do që të arrijë dhe të shohë nëse Serbia është e gatshme të shkojë në atë drejtim.

Protestat serbe kundër Vuçiçit nuk i marr shumë seriozisht. Mendoj se qeverisë i pëlqen t’i ketë ato protesta si justifikim për të ndërmarrë hapa drejt njohjen së Kosovës. Por fakti është se të gjithë e dinë se Serbia nuk do ta qeverisë më kurrë popullsinë e Kosovës. Dhe ky duhet të jetë një realitet që Serbia ta pranojë ligjërisht dhe me dolumentim.

Ata nuk duan ta bëjnë këtë. Kjo është mjaft e qartë. Ata janë diplomatë të zotë dhe nuk japin asgjë pa marrë diçka tjetër dhe kosovarët duhet të jenë më të fortë në paraqitjen e propozimeve të tyre.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer ju shprehët shqetësim lidhur me marrëveshjen që u përmend në një letër të Sekretarit Antony Blinken drejtuar Presidentit Vuçiç, sipas së cilës do të krijohen në Departamentin e Shtetit pozicione për diplomatë serbë që do të shërbejnë si koordinatorë. Pse është shqetësuese kjo sipas jush?

Prof. Daniel Serwer: Serbia nuk është vend aleat. Këto pozicione kanë qenë një praktikë për vendet aleate.

Kjo dërgon një sinjal politik se Amerika po anon nga Serbia në dialog dhe nuk mendoj se Amerika duhet ta bëjë një gjë të tillë. Amerika dhe Bashkimi Evropian duhet të luajnë një rol ndërmjetësues, duke mos anuar nga Serbia.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, ju jeni marrë me Kosovën dhe Ballkanin për një kohë të gjatë. A mund të na thoni se si ka evoluar qëndrimi juaj për këtë çështje nga vitet ’90 e deri sot?

Prof. Daniel Serwer: Unë shkova për herë të parë në Kosovë në vitin ’98, para luftës. Pra kanë kaluar pothuajse 25 vjet. Si ka ndryshuar mendimi im? Ka ndryshuar shumë. Unë shkrova një letër menjëherë pas luftës duke ofruar shtatë opsione nëse më kujtohet mirë, për statusin e Kosovës, për marrëdhënien e Kosovës me Serbinë, përfshirë riintegrimin e Kosovës si entitet autonom brenda Serbisë.

Mendova se në fund të luftës kishte shumë opsione, por shumë nga ato opsione u zhdukën brenda pak vitesh pas luftës, sepse Serbia nuk bëri asnjë përpjekje të refuzojë trashëgiminë e Millosheviçit, të kërkojë falje dhe të pranojë përgjegjësinë për shtypjen në Kosovë.

Dhe kjo eliminoi të gjitha opsionet që përfshinin çdo lloj vazhdimësie për konsiderata që nuk përfshinin shtetësinë për Kosovën. Në vitin 2007, shtetësia ishte kthyer në të vetmen alternativë për Kosovën dhe prandaj u ndoq ajo rrugë. Nuk u ndoq menjëherë pas luftës sepse dukej se kishte opsione të tjera.

Të them të vërtetën, unë iu bashkova qëndrimit në favor të pavaresise se Kosoves shumë vonë, sepse mendoja se kishte edhe opsione te tjera ne fund te luftes, por Serbia i eliminoi ato opsione duke mos bërë absolutisht asgjë në drejtim të pendesës për periudhën e Millosheviçit.

 

Zëri i Amerikës: Zoti Serwer, duke pasur parasysh edhe kontekstin e një lufte tjetër që po ndodh në Evropë. A mendoni se me atë që shohim tani me Kosovën dhe Serbinë, se ka pasur mësime për t’u mësuar dhe a u nxorrën mësime? Çfarë do të thoshit tani pas 15 vitesh?

Prof. Daniel Serwer: Kosova është në njëfarë mënyre sui generis (një rast i veçantë), por mua më duket se, kemi mësuar se lëvizja e kufijve për të akomoduar dallimet etnike është një lojë e marrë.

Ajo sjell më shumë destabilitet dhe luftë sesa më pak destabilitet dhe më pak luftë. Në çdo demokraci që është e denjë të quhet demokraci dhe unë shpresoj që Kosova e meriton këtë cilësim, të drejtat individuale të qytetarëve mbrohen pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike, shteti nuk i përket një etnie të vetme.

Rusia po lufton në Ukrainë për të shkatërruar një shtet ukrainas që kishte ambicie për të qenë një demokraci e tillë. Dhe unë mendoj se duhet të pranojmë se propozimet për heqjen e kufijve për të akomoduar dallimet etnike, gjë që nuk e bëmë në Kosovë, nuk është një ide e mirë. Një ide e mirë është që individët të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të mbrohen nga shtetet ku ata banojnë.

 

Zëri i Amerikës: Por nëse e shohim nga perspektiva e Serbisë, kufijtë u zhvendosën sepse Kosova ishte zyrtarisht pjesë e Serbisë…

Prof. Daniel Serwer: Vija ndarëse nuk ndryshoi, statusi i vijës ndarëse ndryshoi, ashtu siç ndodhi në të gjithë ish-Jugosllavinë. Dhe kjo ndodhi dhe me Kosovën. Vija e kufirit nuk ndryshoi për të akomoduar diferencat etnike.

Williams: Kosova duhet të paraqesë një vizion strategjik gjithëpërfshirës

WilliamsPaul Williams, profesor i Universitetit Amerikan në Uashington dhe ekspert i së drejtës ndërkombëtare, është angazhuar me çështjen e Kosovës që para 30 vjetësh. 

Ai luajti rol për të ndikuar që qeveria dhe udhëheqja amerikane t’i kushtonin vëmendje Kosovës, ishte këshilltar për delegacionin e Kosovës në Rambuje dhe më pas ndihmoi me ekspertizë për hartimin e kushtetutës së re të Kosovës, si edhe në negociatat për statusin përfundimtar. Prof. Williams foli në një intervistë për Zërin e Amerikës për arritjet dhe sfidat në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

 

Zëri i Amerikës: Kanë kaluar 15 vjet që kur Kosova shpalli pavarësinë e cila u miratua një ditë më pas nga Shtetet e Bashkuara. Nëse hidhni një vështrim pas, a është ajo që prisnit të shihnit 15 vjet pas pavarësisë? Çfarë ka qenë e suksesshme dhe cilat janë disa nga sfidat që mbeten?

Prof. Paul Williams: Në Kosovë, por edhe çdo vend tjetër sot ka sfida, shqetësime dhe ankthe. Por që të jem plotësisht i sinqertë, po të shikosh pas, se me çfarë po përballeshin njerëzit në vitet ‘90 në Kosovë, po t’u thoshe në atë kohë se një ditë Kosova do të bëhej shtet i pavarur, askush nuk do të të kishte besuar. Ishte një regjim pranë aparteidit. Ishte shtypje nga regjimi serb.

Gjatë konfliktit kishte paraushtarakë serbë dhe krime qeveritare kundër njerëzimit. Bëhej fjalë vetëm për mbijetesë fillimisht gjatë qeverisjes paralele dhe aparteidit të viteve ’90 dhe më pas gjatë luftës, njerëzit thjesht përpiqeshin të mbanin gjallë veten dhe familjen e tyre.

Dhe pastaj Kosova u fut në rrugën e pavarësisë dhe shumë nuk e besonin realisht se do të bëhej e pavarur.

Ka aq shumë vende të cilave u është mbajtur gjallë shpresa për pavarësinë, por më pas u është mohuar në momentin e fundit. Kosova u bë shtet i pavarur dhe e them këtë sepse në 15 vjetorin ia vlen të ndalemi dhe të kuptojmë se sa përpara ka ecur Kosova. Po, ka sfida dhe ne do të flasim për to. Por duhet të ndalemi një moment dhe të vlerësojmë faktin që miliona kosovarë jetojnë në një vend të pavarur dhe mund të përcaktojnë vetë fatin e tyre politik.

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, ndonjëherë duket se është një pavarësi me kualifikime, edhe pse ajo është njohur nga mbi njëqind vende, Serbia nuk e njeh ende atë dhe vende të tjera kanë qenë të ngadalta ose nuk e kanë njohur. Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe situata me Serbinë ka pasur disa nga momentet më të ulëta gjatë muajve të fundit. Pse, sipas mendimit tuaj?

Prof. Paul Williams: Historia është një proces i papërfunduar, gjithmonë duke u negociuar. Çdo shtet sovran kërkon vazhdimisht të mbrojë sovranitetin e tij politikisht, ekonomikisht dhe territorial.

Shihni se çfarë po ndodh në Ukrainë për momentin. E shikoni se çfarë po ndodh në Sudan dhe vende të tjera. Kosova po bën të njëjtën luftë si pothuajse çdo vend tjetër në faza të ndryshme të zhvillimit të tij politik dhe historik. Mund të flasim se pse këto sfida amplifikohen nga dështimi i udhëheqjes amerikane dhe evropiane.

Por le të fillojmë me fjalinë tuaj të parë: Mbi njëqind shtete nga e gjithë bota e kanë njohur Kosovën si një vend të pavarur gjë që bën të padiskutueshme sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të Kosovës. Dhe kjo përcakton të ardhmen e qytetarëve kosovarë, që ata të jenë anëtarë të një shteti të pavarur.

Për t’iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, këto sfida për sovranitetin dhe pavarësinë politike të Kosovës përforcohen nga dy faktorë.

Njëri është dështimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për të pranuar gabimet e politikës së tyre në Ballkan. Në Bosnje, Marrëveshja e Dejtonit nuk funksionoi. Çdo plan që synon të përsërisë ‘sukseset e Bosnjës’ është i vdekur që pa filluar.

Nuk mund të fillosh duke u mbështetur tek ai model i vjetër i ndasive etnike, kompetencave dhe privilegjeve të veçanta për grupe të caktuara etnike. Duhet të krijohet një identitet i përbashkët kombëtar. Po ashtu nuk duhet lejuar një shtet fqinj që të bëjë presion, nuk duhet lejuar Serbia të bëjë presion ndaj Kosovës. Kosova është një vend i pavarur, Serbia mund të ndajë mendimet dhe idetë e saj, por nuk ka të drejta dhe privilegje të veçanta në Kosovë dhe bashkësia ndërkombëtare mund të ushtrojë shumë masa presioni mbi Serbinë, dhe duhet ta bëjnë një gjë të tillë jo vetëm për marrëdhëniet me Kosovën, por edhe atë që po bëjnë me Grupin Wagner dhe lidhjet e tyre me Rusinë.

 

Zëri i Amerikës: Atëherë, çfarë shpjegimi do të jepnit, jo vetëm për atë që ju e quani dështim, por edhe për presionin e intensifikuar nga SHBA ndaj Kosovës lidhur me Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe presione të tjera që në Kosovë shihen si më të forta se sa presioni ndaj Serbisë?

Prof. Paul Williams: Shpesh një shtet i fuqishëm ushtron presion mbi shtetin më të dobët për të marrë një ‘po’, për të arritur tek një marrëveshje. Dhe ushtrohet trysni ndaj miqve dhe aleatëve, edhe nëse ata janë më të dobët, sepse kjo është më e lehtë për t’u arritur sesa të ushtrosh presion ndaj një kundërshtari. Jam i befasuar që Shtetet e Bashkuara po e bëjnë një gjë të tillë, pasi nuk ka funksionuar në rastin e ish-Jugosllavisë, nuk ka funksionuar në aq shumë vende anembanë globit.

Por akomodimi, i cili ndonjëherë kthehet në lëshim, duket se është kursi i natyrshëm i funksionimit të diplomacisë. Nuk e kuptoj dot këtë lloj mënyre dhe kam 30 vjet që përpiqem ta kuptoj.

Kosovarët nuk duhet ta shohin këtë si diçka unike ndaj tyre, kështu veprojnë amerikanët, kështu veprojnë evropianët, është një betejë e vazhdueshme. Dhe ndonjëherë kjo betejë politike ia arrin t’i bëjë evropianët dhe amerikanët që të bëjnë presion mbi agresorin dhe të përdorin mjetet e tyre të fuqishme.

Nuk dua të dal nga tema por e njëjta gjë ndodhi me Ukrainën. Rusia mori Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut nga Gjeorgjia, në vitin 2014 mori Krimenë dhe përgjigjia ndaj këtyre veprimeve ishte akomoduese, ishte një përgjigje pasive. U bë presion ndaj Ukrainës. E vetmja gjë që u realizua ishte që e bëri Rusinë më të guximshme. Pse nuk nxorrën mësim dhe pse nuk po e zbatojnë atë mësim tani në Kosovë? Nuk e kuptoj dot.

 

Zëri i Amerikës: Por çfarë mendoni se duhet të bëjnë udhëheqësit e Kosovës kur aleaeti më i rëndësishëm, ka dhënë garanci se situata nuk do të kthehet në një Republika Srpska?

Prof. Paul Williams: Po të këshilloja një klient pro bono unë do t’i thoja të nisej nga çështja më e vogël dhe Kosova e bëri këtë me shumë efektivitet me çështjen e targave, duke tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, evropianëve dhe amerikanëve, dhe funksionoi.

Por hapi tjetër është që të merremi me një çështje më të madhe dhe të mos ngecemi tek ajo e vogla.

Pra, kur amerikanët thonë se po japin garanci, le t’u kërkojnë amerikanëve që këto garanci të jepen me shkrim, t’i shprehin ato publikisht në nivelin më të lartë. Për shembull një nga kushtet të jetë pesë vendet evropiane që nuk e njohin Kosovën, ta njohin atë.

Duhet përdorur roli drejtues i Amerikës, aleati më i fortë dhe më i vendosur i Kosovës, por jo vetëm për të zgjidhur çështjen e vogël të Asociacionit. U bënë 15 vjet pavarësi. Ke një shtet fqinj që po përzihet në punët tuaja të brendshme. Atëherë le ta bëjmë këtë një paketë gjithëpërfshirëse, me të gjitha çështjet.

Nuk mund të thuash thjesht ‘jo’. Mund të thuash ‘po’, por ja tre gjëra që duhet të sigurohemi që të plotësohen.

 

Zëri i Amerikës: Por disa kanë thënë se mënyra se si qeveria e trajtoi çështjen e targave ishte gabim, duke u përqendruar tek kjo çështje, në vend që të shikonin tablonë e madhe. Pra ka nga ata që e shohin këtë mënyrë si joefektive dhe ndoshta një nga faktorët që e përkeqësoi situatën me partnerët perëndimorë.

Prof. Paul Williams: Mendoj se ajo që ndodhi në Kosovë ndodh në shumë vende. Ishte një lëvizje shumë strategjike, ndërmarrja e veprimit taktik të përqendrimit tek targat, për të tërhequr vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe për të kaluar më pas në çështjet më të mëdha strategjike. Fatkeqësisht ajo që ndodhi dhe të them të drejtën ndodh në shumë vende, është se si pjesë e strategjisë ndërmerr një veprim taktik dhe më pas i përkushtohesh atij veprimi taktik dhe ngecesh aty. Pra fokusi tek çështja e targave ka vazhduar gjatë gjithë kohës.

Qeveria duhet ta zhvendosë këndvështrimin e saj nga argumentet taktike dhe t’i kthehet qasjes së saj strategjike të angazhimit në mënyrë gjithëpërfshirëse për të zgjidhur këto çështje.

 

Zëri i Amerikës: Kur Kosova shpalli pavarësinë ekspertët dhe shumë subjekte thanë se ky nuk do të ishte një precedent. Ky ishte një rast më vete. Tani 15 vjet më vonë, Rusia ose më saktë Vladimir Putini po e përdor Kosovën si precedent për të justifikuar aneksimin, lëvizjet e tij brenda Ukrainës. Çfarë mendoni për këtë?

Prof. Paul Williams: Vladimir Putin është një gënjeshtar dhe ata që e besojnë atë janë të marrë. Udhëtimi fisnik i Kosovës drejt pavarësisë nuk duhet të njolloset aspak nga gënjeshtrat dhe mashtrimet që po bën Putini dhe me veprimin e tij agresiv në Ukrainë. Populli i Kosovës ndoqi ligjin ndërkombëtar. Ata respektuan strukturën dhe regjimin ndërkombëtar për t’u bërë një vend i pavarur. Dhe ata e bënë këtë në një mënyrë demokratike dhe transparente. Putin është i përfshirë në agresion territorial. Dhe kur bashkësia ndërkombëtare thotë kjo është shkelje e së drejtës ndërkombëtare, kjo është shkelje e të drejtave të njeriut, ai përmend Kosovën. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të shpenzojë asnjë sekondë, para se të thotë ‘jo’.

Kosova veproi në mënyrën e duhur demokratike dhe duke kontribuar në stabilitet, ndërsa Putini po merr pjesë nga vendet fqinje dhe përmend si shembull Kosovën. Jo, askush nuk duhet të pranojë abuzimin e historisë nga Putini.

 

Zëri i Amerikës: Ju thatë se nuk i kuptoni hapat që po merr SHBA lidhur me Kosovën. Atëherë si mendoni se duhet t’i qasen amerikanët procesit të normalizimit?

Prof. Paul Williams: Amerikanët dhe evropianët duhet të kuptojnë se është koha që Serbia të marrë një vendim: ose të angazhohet me Perëndimin, të përqafojë plotësisht vlerat perëndimore të amerikanëve, të Bashkimit Evropian, ose në të kundërt të angazhohet me vlerat ruse dhe të vuajë pasojat për rrugën që zgjedh. Ne vazhdojmë të presim që Serbia të marrë rrugën e saj drejt perëndimit dhe ajo e bën herë pas here, duke i mbajtur opsionet të hapura herë me Perëndimin, herë me Rusinë.

Ne sakrifikojmë marrëdhënien tonë me Kosovën, sakrifikojmë sovranitetin dhe pavarësinë politike të miqve dhe aleatëve tanë, se nuk është vetëm Kosova. Ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Serbia, qeveria serbe, ka një pozicion të qartë për destabilizimin e fqinjit të saj. Është një mini Rusi. Ajo përdor të njëjtat taktika në një farë mase. Në të kaluarën ka përdorur saktësisht të njëjtat taktika si Rusia dhe ka kapacitetin për të përdorur të njëjtat taktika përsëri. Ne e dimë se çfarë ndodh kur akomodojmë apo i bëjmë lëshime Rusisë.

Atëherë pse po e akomodojmë dhe e qetësojmë Serbinë? Shtetet e Bashkuara, aleatët evropianë, duhet të bashkohen me aleatët e tyre në Kosovë dhe të kenë një plan gjithëpërfshirës dhe t’u thonë serbëve: zgjidhni e merrni, por nëse refuzoni ta pranoni do të përballeni me sanksione serioze dhe izolim ndërkombëtar.

 

Zëri i Amerikës: Në këto 15 vjet, çfarë mund të bënte më mirë Kosova dhe udhëheqësit e saj? Siç e dini atje ka pasur probleme të brendshme, korrupsion dhe ndonjëherë probleme politike, dhe njerëzit kanë qenë të pakënaqur që gjendja e tyre nuk është përmirësuar. Pra, çfarë duhet të ishte bërë më mirë?

Prof. Paul Williams: Ka një numër analistësh kosovarë që kanë shprehur pikëpamjet e tyre për politikën e brendshme, kështu që unë do t’ua lë ato pikëpamje miqve dhe kolegëve të mi atje. Në arenën ndërkombëtare, Kosova është por mund të jetë edhe më shumë e pranishme.

Vëmendja e botës do të përqendrohet nga çështja në çështje, dhe Kosova ka kaluar nga një vend në krizë në një mik dhe aleat. Miqtë dhe aleatët duhet të jenë vazhdimisht të pranishëm në një dialog ndërveprimi, në bisedime me miqtë dhe aleatët tanë të tjerë ndërkombëtarë. Është një përvojë e zakonshme e vendeve që dalin nga konflikti të besojnë se koha dhe vëmendja e shpenzuar për vendin e tyre nga fuqitë e mëdha do të vazhdojë gjithmonë. Por kjo nuk ndodh sepse ka vende të tjera që hyjnë në konflikt dhe kanë nevojë për kohën dhe vëmendjen e kufizuar të atyre fuqive. Kosova veproi në mënyrë të shkëlqyer për sa i përket funksionimit si një vend në konflikt dhe post konflikt.

Në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara dhe me shumë nga partnerët e tyre evropianë, ata ishin një nga vendet më të mira në zhvillim që kam parë për sa i përket aftësisë së tyre për të pasur një marrëdhënie të thellë.

Por me sfidat aktuale botërore ka shumë më tepër që mund të bëjë, duke vepruar si mik dhe aleat i Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tyre evropianë në mbarë globin për çështje të ndryshme me të cilat po përballen.

 

Zëri i Amerikës: Duket se në këtë moment SHBA-ja dhe BE-ja duan që Kosova të jetë më bashkëpunuese në këtë përpjekje të re, edhe pse siç thoni ju, kjo nuk është një përpjekje e përsosur. Pra, në këtë aspekt, çfarë mund të bëjë Kosova për të maksimizuar potencialin e saj dhe për të përfituar nga kjo rëndësi apo vëmendje e shtuar nga Uashingtoni dhe Brukseli?

Prof. Paul Williams: Kosova mund të përfitojë në mënyrë strategjike nga kjo vëmendje e ripërtërirë nga Uashingtoni dhe Brukseli, duke vënë në pah planin e saj dhe një vizion gjithëpërfshirës për të ardhmen. Pra të kalojë nga çështja e targave, e cila është shumë taktike dhe shumë lokale, në paraqitjen e një plani strategjik që Uashingtoni dhe Brukseli mund ta shohin si vizion të udhëheqjes së Kosovës për stabilitet afatgjatë në rajon dhe në në të njëjtën kohë të fillojnë një bisedë se si Kosova mund të ndihmojë Shtetet e Bashkuara në skenën globale.

E di që tingëllon pak paradoksale sepse nga njëra anë janë amerikanët, Uashingtoni dhe nga ana tjetër një shtet i ri kosovar. Por të gjitha fuqitë e mëdha kanë nevojë për miq dhe aleatë dhe kur Kosova është partnere me Shtetet e Bashkuara, atëherë kur nevojitet zëri i saj, do të ishte një tregues se si kjo mund të jetë një marrëdhënie e dobishme reciproke.

Por unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është të kemi një strategji gjithëpërfshirëse se si ky intensifikim energjie nga Brukseli dhe Uashingtoni të përdoret për ta zgjidhur çështjen një herë e përgjithmonë, duke lejuar normalizimin e marrëdhënieve në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

 

Zëri i Amerikës: Për çështjen e Asociacionit, ka pasur edhe një këmbim të mbështetur tek detyrimet ligjore. SHBA thotë se duhet zbatuar një marrëveshje për të cilën është rënë dakord mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Kurti ka thënë se vendet kanë rëndë dakord për shumë marrëveshje dhe po zgjidhet të fokusohet tek kjo dhe ajo bie ndesh me Kushtetutën. Cili është mendimi juaj nga këndvështrimi i një eksperti eksperti të së drejtës ndërkombëtare?

Prof. Paul Williams: Legjislacioni i vendit ka përparësi ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Sigurisht, mund të kesh një marrëveshje ndërkombëtare, por ajo duhet të jetë në përputhje me ligjin kushtetues të shtetit.

Por çka është më e rëndësishmja, marrëveshjet ndërkombëtare që diktojnë qeverisjen vendore në një nga shtetet (që nënshkruajnë marrëveshjen), është një anatemë e vërtetë (e papranueshme). Është shumë e pazakontë për një marrëveshje ndërkombëtare t’i japë shtetit fqinj të drejta dhe privilegje të veçanta në bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve të shtetit tjetër.

Kjo është diçka të cilën e drejta ndërkombëtare përpiqet ta shmangë dhe nga e cila përpiqet të distancohet sepse problemet nuk zgjidhen kështu, Garantimi i të drejtave dhe mbrojtjeve të brendshme dhe kushtetuese si ato që ekzistojnë në Kosovë për pakicat është rruga e duhur. Një traktat me shtetin fqinj që trajton një asociacioni të komunave lokale është pothuajse jashtë juridiksionit të së drejtës ndërkombëtare.

Sigurisht që mund të arrish një marrëveshje. Mund të lëshosh një komunikatë, një deklaratë që të shprehë një aspiratë për të arritur diçka.

Por përpjekja për ta bërë këtë të detyrueshme për Kosovën, është e tepruar po të nisesh nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare.

 

Zëri i Amerikës: Si përputhen qëndrimet e fundit të zyrtarëve amerikanë me qëndrimin e përgjithshëm të administratës së presidentit Biden që ka shprehur që nga marrja e detyrës, se politika amerikane për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është normalizimi me qëllimin përfundimtar njohjen reciproke?

Prof. Paul Williams: Njohja nga pesë shtetet evropiane dhe Serbia duhet të jetë mbi tryezë, duhet të jetë në marrëveshje. Dhe kjo është një tregues i përkryer i asaj që komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë për një paketë gjithëpërfshirëse. Thjesht angazhimi i Serbisë për të mos kundërshtuar njohjen e Kosovës nga organizmat ndërkombëtarë dhe shtetet e tjera nuk do ta bëjë Spanjën, Belgjikën dhe Sllovakinë të njohin Kosovën. Duhet që Bashkimi Evropian të marrë atë angazhim nga ato vende dhe duhet që amerikanët dhe Bashkimi Evropian t’i bëjnë presion Serbisë për një angazhim për të njohur ose për ta shkruar marrëveshjen në atë mënyrë që marrëveshja të përbëjë de facto dhe de jure njohjen, gjë që do të ishte në përputhje me atë që Presidenti Biden ka përcaktuar si politikën e tij për zgjidhjen e duhur dhe përfundimtare të kësaj situate.

 

Zëri i Amerikës: Por plani që ata kanë tani në tavolinë, plani evropian nuk e parasheh këtë njohje, kështu që asgjë që është në tryezë nuk përfshin njohje nga Serbia apo nga vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën.

Prof. Paul Williams: Dhe kjo është arsyeja se pse është e rëndësishme që qeveria e Kosovës të shkojë në këto negociata dhe të thotë, ‘po, por’. ‘Po ne do të marrim pjesë në këto negociata, po, ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje, por ajo duhet të jetë gjithëpërfshirëse, duhet të përputhet me vizionin e Presidentit Biden për paqe të qëndrueshme afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, dhe për ta bërë këtë, duhet që marrëveshja të përfshijë njohjen.

Takimi Kurti-Vuçiq me 27 shkurt në Bruksel

AlbinTakimi ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është caktuar të mbahet këtë muaj.

 

Brukseli zyrtar ka konfirmuar për RTK-në se takimi është caktuar më 27 shkurt.

Nё komunikatёn e lёshuar nga BE thuhet se pjesmarrjen nё takim tashmё e kanё konfimruar tё dy liderёt.

Gjithashtu konfirmohet se nё takim do diskutohet pёr planin evropian mbi normalizimin e marrёdhёnievee nё mes tё Kosovёs dhe Serbisё.

“Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josef Biorell, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët”, shkruan nё njoftim.

Ky takim është i pari pas shumë kohësh, që do të mbahet mes liderëve të të dy vendeve.

Bisedimet ën Bruksel, mes Kurtit e Vuçiq  pasojnë propozimin e BE-së, i cili quhet shpesh edhe si plani franko-gjerman, e të cilin në parim e kanë pranuar edhe Kosova edhe Serbia.

Ky plan i cili nuk është publikuar zyrtarisht, megjithatë nga pjesë të ndryshme që kanë dalë në media në mënyrë jozyrtare, parashikohet normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve.

rtk

Kosova kremton përvjetorin e pavarësisë mes debatesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

No NewMonumenti NEWBORN që u vendos në Prishtinë në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, me 17 shkurt të vitit 2008, sivjet duket ndryshe. Mesazhi pasqyron shqetësimet për rrjedhën e negociatave me Serbinë, ndërsa është shtuar trysnia perëndimore për një marrëveshje, mes frikës se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

 

Ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të siguruar një marrëveshje, diplomacia perëndimore ka shtuar trysninë mbi Prishtinën për të zbatuar një marrëveshje të vitit 2013 për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe.

Prishtina ka hezituar të zbatojë marrëveshjen nga frika se Asociacioni mund të shndërrohet në një shtet brenda shtetit, ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje, megjithëse Shtetet e Bashkuara e kanë siguruar atë se kjo nuk do të ndodhë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha mëngjesin e së premtes se pavarësia është rezultat i historisë shekullore të Kosovës, si vend ku gjithmonë kanë jetuar krah për krah me shumicën shqiptare dhe në bashkëpunim me të, komunitete të feve dhe gjuhëve të ndryshme.

“Ne e dimë mirë ç’është bashkëjetesa, madje kemi histori të gjatë bashkëjetese të suksesshme – të cilën e kanë dëmtuar vetëm ata që dëshirojnë të dominojnë, të sundojnë, t’i mbivendosen vullnetit të shumicës për pavarësi. Sot në këtë pesëmbëdhjetë vjetor të pavarësisë është vendi të mburremi me diçka që Kosova e bën shumë mirë – dhe e kemi fjalën për të drejtat që u japim pakicave etnike. Askund në Evropë minoritetet nuk gëzojnë të drejta në çdo nivel, si këtu te ne. Na përket neve të kujdesemi që ky ekuilibër të mos prishet, me formula eksperimentuese të cilat kudo që janë provuar nuk kanë sjellë rezultate të mira”, tha kryeministri Kurti në mbledhjen e qeverisë së tij me të cilën u hap një ditë kremtimesh.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia me 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe mbi popullsinë shqiptare.

Beogradi reagoi me zemërim dhe i kërkoi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë vlerësimin e vendimit të Kosovës. Në vitin 2010 Gjykata tha se “deklarata e pavarësisë së Kosovës, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.

Pavarësia e Kosovës njihet nga mbi 100 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, por, Serbia vazhdon ta kundërshtojë me mbështetjen e Rusisë dhe për këtë arsye ajo ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Prishtina akuzon Beogradin se po shfrytëzon pakicën serbe, për të rritur tensionet, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Fuqitë perëndimore ndihmuan në zgjidhjen e një situate të tensionuar në muajin dhjetor, përgjatë të cilit grupe serbësh bllokuan rrugët kryesore për të protestuar kundër arrestimit të një ish-oficeri të policisë nga radhët e komunitetit serb.

Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin për një konflikt të mundshëm nëse Kosova dhe Serbia nuk do të nënshkruajnë një marrëveshje të propozuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Muajin e kaluar, të dërguarit e Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Francës dhe Italisë u takuan me udhëheqësit e të dyja vendeve për t’i bindur ata që të nënshkruajnë një marrëveshje që synon të zbusë tensionet e vazhdueshme.

Diplomatët perëndimorë u thanë të dyja palëve se duhet të deklarojnë deri në mars nëse e pranojnë planin për të normalizuar marrëdhëniet ose do të përballen me pasoja.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojë në parim propozimin, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Vëzhguesit e pavarur janë të ndarë në pikëpamjet rreth propozimit. Ndërsa një pjesë thotë se ky është plani më i mirë i mundshëm në këtë kohë kur kontinenti evropian përballet me luftën në Ukrainë, pjesa tjetër mendon se plani ofron një zgjidhje të ndërmjetme që nuk i jep fund problemit.

voa

Blinken: Marrëveshja me Serbinë e çon Kosovën drejt integrimit euroatlantik

BlinkenSekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken uroi Kosovën në përvjetorin e pavarësisë, duke theksuar se këtë vit Shtetet e Bashkuara dhe Kosova riafirmuan “partneritetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët ndaj demokracisë, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Kosovës ndërsa përballemi me sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane”.

 

Sekretari Blinken tha në mesazhin e urimit se përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, shumetnike dhe gjithëpërfshirëse.

Sekretari Blinken i shprehu mirënjohjen Kosovës për siç tha, pritjen bujare të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim.

Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken, i ka rrënjët në mirëkuptimin e ndërsjellë, vlerat dhe miqësinë mes popujve.

“Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për përparësitë tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, i përqendruar në njohjen përfundimtare të ndërsjellë, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt qëndrueshmërisë më të madhe rajonale dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken.

Kosova shpalli pavarësinë e saj me 17 shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, Serbia e mbështetur nga Rusia vazhdon ta kundërshtojë atë.

Diplomatët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian janë vënë në përpjekje për të ndërmjetësuar një zgjidhje sipas një propozimi evropian nga frika se Rusia mund të përpiqet të shfrytëzojë tensionet ndërmjet palëve për të nxitur destabilizim në Ballkan.

Udhëheqësit e të dyja vendeve thanë se e pranojnë në parim propozimin, që nuk parasheh njohje të ndërsjellë por sipas tij, palët nuk duhet të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke e uruar presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç me rastin e ditës se shtetësisë serbe shprehu bindjen se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës për të cilin, tha ai, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise, do të sjellë siguri dhe begati për Serbinë dhe të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

Sekretari Blinken u shpreh i kënaqur që, siç tha, “dy vendet tona nënshkruan së fundmi një Memorandum Mirëkuptimi për të krijuar pozicione ndërlidhëse për diplomatët serbë brenda Departamentit amerikan të Shtetit. Ky program unik jo vetëm që do të nxisë një kuptim më të mirë të synimeve tona të politikës së jashtme, por do të krijojë kanale të reja komunikimi dhe do të ndërtojë partneritet të qëndrueshëm”, thuhet në mesazhin e sekretarit Blinken dërguar presidentit serb, në të cilin ai i bëri thirrje Serbisë “të mbështesë Ukrainën kundër luftës së paprovokuar, të pajustifikuar dhe brutale të Rusisë”.

Serbia e cila synon integrimet evropiane ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndaj Moskës, në radhë të parë për shkak të qëndrimit rus kundër pavarësisë së Kosovës.

 

voa

Sejdiu: Kosova s’duhet të japë asgjë më shumë se ç’është në paketën Ahtisari

Fatmir SejdiuIsh-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një intervistë për DW flet për periudhën e shpalljes së pavarësisë, paketën e Marti Ahtisarit, zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi dhe marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

 

DW: Kosova shënon 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Në atë kohë Ju ishit President i Kosovës, një nga figurat kryesore të shpalljes së pavarësisë, ku e shihni Kosovën 15 vite më pas?

Sejdiu: Kur njeriu mendon për këtë periudhë kohore, nuk mund të mos jetë pa emocione, sepse kemi qenë pjesë e një gjenerate, të cilët kemi përjetuar aktin më të rëndësishëm historik që ka ndodhur, shpallja e pavarësisë së Kosovës. Pra thjesht është përmbushja e një ëndrre dhe përmbushja e një amaneti të gjeneratave të shumta që janë sakrifikuar për Kosovën. E dyta është ajo që ne e dëshirojmë paralelisht ta ndërtojmë një shtet të gjithë qytetarëve, një shtet që përmbush ëndrrat edhe të të gjallëve, në kuptimin e ecjes, zhvillimit, integrimit dhe qëndrueshmërisë së tij si nga aspekti politik, si nga aspekti ekonomik dhe që mbetet borxh i elitave politike, të cilat kanë kapërcyer nëpër procese zgjedhore që ta përmbushin në mënyrën më të përgjegjshme të mundshme. Sigurisht që ka lëvizje të mira, janë ato të etapës së parë të pas shpalljes së pavarësisë në dy-tre vjet tepër intensive të përmbushjes që kemi pasur karshi projektit të Marti Ahtisarit, jo vetëm në pjesën e legjislacionit, por edhe në veprime të tjera edhe politike edhe të relacioneve ndërkombëtare.

Këtu do të veçoja aspektin e njohjeve që duhej të siguronte Kosova, çështjen e integrimeve, në mbajtjen e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare posaçërisht me SHBA dhe vendet e tjera. Por paralelisht janë vërejtur edhe ngecje të caktuara, të cilat domosdo kanë ardhur në shprehje edhe për shkak të pengesave subjektive që i janë bërë këtij procesi me mos integrimin e plotë të një pjesë të komunitetit serb në Kosovë, si obstruksione nga Beogradi dhe presione të vazhdueshme mbi atë pjesë të popullatës, sidomos mbi disa nga komunat e veriut të Kosovës. Paralelisht një angazhim jashtëzakonisht bizar dhe dashakeq i Serbisë karshi Kosovës në kuptimin e mos njohjeve ndërkombëtare nga shumica e vendeve që do ta bënin pa pengesë ecjen e saj  deri në aspiratën e fundit, përmbushjen e idesë që Kosova të jetë anëtarë e OKB-së.

Mirëpo ajo që paralelisht e gjejmë në këtë kohë është pjesa e mbylljes së një procesi të pavarësimit të vendit edhe me atë formulën shtesë që ka qenë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë së Kosovës dhe hyrja  në një etapë që për habi ka zgjuar reagime të reja në kuptimin e insistimit të hapjes së një dialogu të ri. Ne kemi parasysh ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur si p.sh. është vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë një vendim që ka sanksionuar të gjitha ato veprime që janë bërë me deklaratën e pavarësisë dhe ID e Kosovës se cila do të jetë, se nuk është në kundërshtim më të drejtën ndërkombëtare, nuk është në kundërshtim me rezolutën 1244, por paralelisht të hapet një dialog, i cili fatkeqësisht në faza të mëvonshme nganjëherë ka rrëshqitur edhe në terrene që në një formë apo në një formë tjetër kanë goditur atë qasje të përgjithshme të përmbylljes së procesit të përgjithshëm të pavarësimit të Kosovës. Fazë tjetër është njohja e pavarësisë së Kosovës në ato numra që në atë kohë ishte e kënaqshme, karshi edhe lëvizjeve të vazhdueshme tepër bizare të politikës së jashtme të Serbisë  dhe partnerëve të saj që të zhbëj aktin e njohjes së pavarësisë.

 

  1. Deri në vitin 2012 pas shpalljes së pavarësisë kishte një mbikqyrje ndërkombëtare që më pas u hoq. Raportet me partnerët ndërkombëtarë vazhduan në forma të tjera. Si i shihni raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar aktualisht?

Sejdiu: Unë mendoj se pavarësisht që ka përfunduar procesi i mbikqyrjes në aspektin institucional, ajo që ka të bëjë me raportet bilaterale, por edhe me institucione ndërkombëtare, sidomos ato që e kanë mbështetur Kosovën, duhet të jenë të qëndrueshme dhe të zhvillohen edhe më tej. Unë nuk them që të jenë ato raporte që kanë qenë tepër të ngushta nga periudha e mëhershme, siç ishte që nga koha e 1992 që ka qenë një reagim me një domethënie të madhe i presidentit Bush Senior se Kosova paraqet vijën e kuqe, e cila nuk  mund të kapërcehet dhe e dyta në fazën e mëvonshme që është karakteristikë edhe intervenimi ndërkombëtar. Ato populli i Kosovës nuk mund t’i harrojë dhe po ashtu gjithë atë investim që ka qenë kur fëmijët dhe  bijtë e bijat e nënave amerikane apo edhe të vendeve të tjera kanë rrezikuar vetveten duke bombarduar Serbinë për 78 ditë. Kjo nënkupton edhe pjesën e investimit në politika. Dhe e dyta që është karakteristikë në një fazë të mëvonshme që ndoshta nuk është gjetur formula më e mirë nganjëherë e kuptimit të bashkëpunimit qoftë nga ne qoftë edhe në pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar me ndonjë ide që në një formë apo formë tjetër ka krijuar shqetësime të caktuara.

Është toleruar ideja e Serbisë për të stërzgjatur procese, e cila ka si qëllim kompromentimin e atyre që janë arritur deri tani, është e pamundshme të komprometohen rezultatet si shpallja e pavarësisë, dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Tani projekti i fundit i bashkësisë ndërkombëtare për një zgjidhje përfundimtare të raporteve Kosovë-Serbi, mund të jetë më serioz në faza të mëvonshme dhe shpresojmë të punohet më shumë dhe në mënyrë më të ngushtë në kuptimin e analizës dhe gjetjes së një formule dalëse të mirë dhe të përshtatshme për pjesën e ecjes së mëtejme në relacionet ndërmjet dy vendeve. Ideja e stërkequr e Serbisë për një Asociacion me kompetenca ekzekutive është një ide për ta bërë jofunksional shtetin e Kosovës. Ideja e Ahtisarit është e mjaftueshme dhe nuk le dilema. Mund të ketë një tip Asociacioni që është ndërtuar më herët në Kosovë  që të jenë mekanizma ndihmës por assesi në cilësi të tjera sikurse insistohet. Pra një tip i tillë i mekanizmave që ta kenë karakterin përfaqësues dhe ekzekutiv, nuk nënkuptojnë tjetër pos përsëritje të idesë të asaj që e gjejmë në Bosnje e Hercegovinë dhe të asaj që e bën Kosovën një vend jofunksional.

 

DW: Ka një  këmbëngulje të pakompromis të komunitetit ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ndërkohë, kemi një qëndrim të qeverisë në Prishtinë, e cila thotë se Asociacioni krijon një pushtet të tretë që do ta bëjë jo funksional shtetin e Kosovës. Si e shihni Ju këtë?

Sejdiu: Unë besoj që Kosova ka borxh ta ndërtojë një mekanizëm, por jo si e kërkon Beogradi për komunitetin serb të Kosovës. Mund të krijohet një Asociacion një mekanizëm i bashkëpunimit të ndërsjellë të komunave serbe për çështje të implementimit të politikave që janë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, që janë të përputhshme me gjithë sistemin legjislativ të saj dhe me strukturën shtetërore në hierarkinë shtetërore. Çdo insistim i daljes jashtë saj dhe i një mekanizmi që përjashton esencën e të qenurit të Kosovës një subjekt që është tërësia territoriale dhe i mekanizmave të veprimit të shtetit të Kosovës, do të rrezikonte shtetin e Kosovës.

 

DW: Sa mendoni se është momenti për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, nëse bazohemi në gjithë këtë insistim të komunitetit ndërkombëtar dhe të themelohet Asociacioni dhe të kalohet në fazën tjetër arritjen e marrëveshjes finale?

Sejdiu: Unë mendoj se janë kapërcyer kohë të testimeve të shumta deri tani dhe nëse kjo do të shënonte një garanci të rëndësishme të qëndrueshmërisë së brendshme  dhe të plotë të pacenueshmërisë së Kosovës, është mirë që të ecet përpara, por me pjesën e garancave ndërkombëtare paralele dhe në këtë kuptim asgjë më shumë sesa ajo që është projektuar me projektin Ahtisari. Nuk e di që mund të ketë diçka tjetër që do ta rehatonte atë që ne kemi përmbyllur në proceset e deritashme. Asgjë s’duhet të jetë kundër Kushtetutës së Kosovës dhe ju e dini se Gjykata Kushtetuese ka pasur një reagim rreth marrëveshjeve të mëhershme dhe kundërshtisë me qenien e Kosovës me legjislacionin e saj. Pra duhet të jetë gjithçka e përputhshme.

 

DW: Sa është i nevojshëm një unitet i të gjithë spektrit politik rreth propozimit që është  bërë për marrëveshje finale me Serbinë, ndonëse akoma nuk dihen shumë detaje, apo thjesht Kosova ka institucionet e saj dhe qeveria e Kosovës mund të veprojë e vetme meqë kryeministri Kurti  në zgjedhjet e fundit kishte një mbështetje të madhe mbi 50%?

Sejdiu: Pesha kryesore e gjithë procesit është që të jetë proces i dobishëm për Kosovën dhe ajo nënkupton inkorporimin e gjithë faktorëve të nevojshëm institucionalë në radhë të parë ata që kanë votën e qytetarëve dhe një analizë edhe në kuvendin e Kosovës pavarësisht strukturës së tij edhe në relacionet pozitë opozitë apo edhe në pjesët e tjera që nganjëherë njerëzit mund të kenë hezitime. Ajo që ne kemi përdorur si praktikë të punës ka qenë që përveç negociatave që ka zhvilluar delegacioni i Kosovës i mandatuar nga Kuvendi i Kosovës, -sepse të gjithë kemi qenë të mandatuar nga Kuvendi i Kosovës-, ka qenë pjesë edhe njoftimi i herë pas hershëme i strukturës së parlamentit dhe miratimi i dokumentit para se të ecet në pjesën e mëtejshme. Kjo për faktin, sepse përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm përveç vizitave që kemi pasur dhe kontakteve deri në projektin final që ai e ka bërë, ai na e ka dorëzuar dokumentin pothuajse gati në të njëjtën ditë në Prishtinë dhe Beograd  dhe atë dokument ne e kemi miratuar në Kuvendin e Kosovës.

 

Diçka çka është e rëndësishme është, jo për të heshtur zërat, por për të gjetur fuqinë e qëndrimit të Kosovës në formulën që ajo do ta pranojë si të dobishme për ecjen e Kosovës më tutje. Në një fazë të caktuar ruhet një pjesë e konfidencialitetit të negociatave, por në fazën e përmbylljes ajo që do të jetë shkrirje e të gjithë ideve të përbashkëta për të marrë një formulë të qëndrueshme, duhet të jetë dhe trajtohet në këtë formë. Ajo që unë mendoj dhe dua të besoj është që SHBA-të si pjesë e këtij partneriteti me pjesën tjetër të faktorit ndërkombëtar evropian pajtohen me idetë e shtruara në dokument, pavarësisht që Serbia mund ta kundërshtojë atë. Unë mendoj të gjendet formula që nuk lejon kohë të mëtejshme, por të veprohet në një formulë që nuk është në kundërshtim me interesat e Kosovës.

BSH/dw

Prodhimet serbe përballë bojkotit në Kosovë

bojkotoProduktet me origjinë nga Serbia vazhdojnë të zënë një hapësirë të madhe në shportën e konsumatorëve në Kosovë, edhe pse kohëve të fundit janë bërë më të shpeshta thirrjet për bojkotimin e tyre.

 

Gjatë vitit 2022, Kosova importoi nga Serbia produkte në vlerë prej 371.6 milionë eurosh, ndërsa eksportoi atje gjashtë herë më pak, përkatësisht 60.7 milionë euro produkte.

prodhimet serbeNë rrjetin social Facebook ka kohë që është formuar një grup me emrin “Mos bli prodhime serbe”, i cili numëron mbi 110 mijë anëtarë.

Kjo thirrje duket se ka ndikuar te disa qytetarë që ta verifikojnë vendin e origjinës së produktit para se ta blejnë atë.

“Po gjejmë produkte vendore, po ashtu ka produkte nga shtetet e tjera. Nuk kemi nevojë t’i marrim të Serbisë”, thotë Hasime Maliqi, banore në Prishtinë, për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tregon se në shtëpinë e saj nuk ka asnjë produkt të Serbisë – nisur nga pijet freskuese deri te mëlmesat.

“Si ta shoh flamurin në raft, nëse është i Serbisë, nuk afrohem as ta këqyr”, thotë ajo.

Bashkëqytetarja e saj, Valbona Olluri, thotë se ka vepruar ngjashëm.

“Ne nuk i blejmë këto [produkte] të Serbisë. S’e përdorim më vajin e Serbisë. Po e blejmë të Kosovës apo të ndonjë shteti tjetër. Edhe produktet e tjera në kuzhinë… vetëm vendore ose të ndonjë shteti tjetër”, thotë Olluri.

Endrit Binakaj, përkrahës i fushatës online “Mos bli prodhime serbe”, thotë se, prej vitesh, nuk blen produkte me origjinë nga Serbia. Qëllimi kryesor i tij thotë se është t’i mbështesë prodhuesit vendorë.

“E kam parë edhe në rrethin tim që është një ngritje e vetëdijes për t’i bojkotuar produktet me origjinë nga Serbia. Kjo po vërehet nga secili prej nesh që frekuentojmë dyqanet, sepse produktet serbe po shiten me zbritje të mëdha, pasi ato kanë mbetur në rafte të dyqaneve dhe nuk i blen askush”, thotë Binakaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai dhe mbështetës të tjerë të fushatës thonë se ajo është motivuar nga kundërshtimi politik që Serbia i bën shtetit të Kosovës.

Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por Serbia nuk e njeh ende atë. Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011.

Në Kosovë ka pasur shpesh thirrje për bojkotimin e produkteve serbe, përfshirë edhe nga partitë opozitare, ndërsa e fundit “Mos bli prodhime serbe” është aktualizuar në fillim të muajit dhjetor, pak kohë para festave të fundvitit, kur zakonisht ka rritje të ndjeshme të sasisë së produkteve që blejnë qytetarët.

Por, përkundër saj, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vlera e importit nga Serbia ka qenë më e madhe në muajin janar të këtij viti sesa në janar të vitit 2022.

Sipas tyre, këtë janar, vlera e produkteve të importuara serbe ka qenë 17 milionë e 804 mijë euro, krahasuar me janarin e kaluar, kur ka qenë 16 milionë e 311 mijë euro.

prodhimet serbe me te importuaraSe cili ka qenë ndikimi i fushatës “Mos bli prodhime serbe” më vonë, mbetet të shihet, por, sipas njërit prej mbështetësve kryesorë të saj, Burim Piraj, njëherësh pronar i fabrikës së mishit “Meka” në Prizren, qytetarët, në masë të madhe, janë duke refuzuar blerjen e prodhimeve nga Serbia.

“Fushata jonë ka ndikuar që të rritet patriotizmi ekonomik në vend, i cili na ka munguar për shumë kohë dhe po reflekton tani te prodhuesit vendorë… pasi produktet e tyre po shiten më shumë”, thotë Piraj për Radion Evropa e Lirë.

Në qytetin e Ferizajt, dyqani ushqimor “Plus Center” ka vite që nuk mban në raftet e tij produkte ushqimore me origjinë nga Serbia.

Në këtë biznes thonë se largimin e këtyre produkteve e kanë bërë për ta “edukuar” konsumatorin që të konsumojë produkte vendore.

“Artikuj vendorë ka sa të duash, mall ka sa të duash, ushqime vendore ka sa të duash”, thotë Remzi Bytyqi, menaxher në këtë biznes.

“Prej se është aktualizuar fushata ‘Mos bli prodhime serbe’, e kemi një fluks më të madh të konsumatorëve. Viti i kaluar ka qenë vit që e kemi përmbyllur me një sukses shumë të madh”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

A janë rritur çmimet e prodhimeve vendore?

Disa qytetarë, të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se kanë vërejtur rritje çmimesh.

“Ne nuk po i blejmë të Serbisë, por është fakt se janë shtrenjtuar produktet vendore, si: vaji, mielli, vezët etj.”, thotë Valbona Olluri.

“Të gjitha produkteve u është rritë çmimi, por së paku këtyre vendoreve nuk duhet t’u rritet aq shumë”, thotë edhe Hasime Maliqi.

Ankesa për rritje çmimesh, të dëshmuara me fotografi, janë postuar edhe në Facebook, në grupin “Mos bli prodhime serbe”.

Binakaj, përkrahës i kësaj fushate, thotë se prodhuesit nuk duhet ta shfrytëzojnë situatën për të përfituar “në kurriz të konsumatorëve”.

“Nuk është një veprim i mirë i bizneseve që ta shfrytëzojnë rastin, t’i rrisin çmimet dhe ta dëmtojnë konsumatorin”, thotë Binakaj.

Remzi Bytyqi, nga kompania “Plus Center”, pranon se ka parë komente të shumta të qytetarëve që ankohen për rritje të çmimeve të produkteve vendore. Por, ai thotë se prodhuesit vendorë, në disa raste, kanë qenë të detyruar t’i rrisin çmimet, për shkak se është shtrenjtuar lënda e parë që ata e importojnë për prodhime të caktuara.

Sipas tij, prodhuesit vendorë mund të gjejnë zgjidhje për të ruajtur “trendin e mirë” të prodhimeve të tyre.

“Të punojnë me një marzhë më të vogël të fitimit që të mos zhgënjehen qytetarët”, thotë Bytyqi.

Ngjashëm shprehet edhe Burim Piraj, i cili është edhe vetë prodhues.

“Ne po mendojmë se kjo tezë e shtrenjtimit të produkteve vendore është lansuar nga ato subjekte, të cilave nuk u konvenon që të mos blihen produktet serbe, pra që ta dekurajojnë qytetarin kosovar nga fushata jonë”, thotë Piraj, pa specifikuar se për kë e ka fjalën.

prodhimet serbe importInspektorati i Tregut: Shitësit po mashtrojnë me flamujt e origjinës

Inspektorati i Tregut, autoritet në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë (MINT), thotë për Radion Evropa e Lirë se konsumatorët ndodh që mashtrohen në lidhje me produktet serbe, pasi shitësit vendosin etiketa të rreme në produkte.

“Në rastet më të shpeshta është duke u vendosur etiketa e flamurit të shteteve të Evropës në produktet që janë me origjinë të shteteve fqinje, përfshirë edhe Serbinë”, thonë nga ky inspektorat.

Për këto lloje mashtrimesh, gjatë vitit të kaluar, atje janë dorëzuar 1.200 ankesa. Ndërsa, gjatë janarit të këtij viti, qytetarët kanë dërguar në këtë institucion 119 ankesa.

Nga Inspektorati i Tregut nuk japin numër të gjobave apo masave të shqiptuara, por thonë se “është një numër i lartë i rasteve të identifikuara për mashtrim me vendin e origjinës së produktit”.

Përveç nga Serbia, Kosova importon edhe nga vendet e tjera të Ballkanit, nga Bashkimi Evropian, nga Turqia e të tjera, por deficiti tregtar për të është shndërruar në fenomen tash e sa vite.

rel

Rreziku i keqpërdorimit të programeve të inteligjencës artificiale si ChatGPT

ChatGPT sTë gjithë duhet të jemi skeptikë për materialet që lexojmë në internet, thotë grupi i ekspertëve të sigurisë kibernetike “WithSecure”.

 

Ata shprehin shqetësimin se mundësitë që ofrohen nga programet e inteligjencës artificiale si “ChatGPT”, rrisin rrezikun e mashtrimit të përdoruesve të internetit.

Kompania e sigurisë kibernetike “WithSecure” thotë se qasja e lehtë në ChatGPT dhe platforma të tjera të ngjashme të inteligjencës artificiale, ku njerëzit mund të krijojnë një tekst me një kërkesë të thjeshtë, ka lehtësuar krijimin e përmbajtjes së dëmshme, që ka për qëllim mashtrimin e përdoruesve të internetit.

“Në hulumtimet tona gjetëm një sërë mundësish të përdorimit keqdashës të platformave si ajo ChatGPT”, thotë Andrew Patel, ekspert i sigurisë kibernetike në kompaninë finlandeze.

Hulumtimi i kompanisë u përqëndrua në përdorimin e Inteligjencës Artificiale për krijimin e lajmeve të rreme, postimeve ose e-maileve, që kanë për qëllim mashtrimin, ose vjedhjen e të dhënave personale dhe krijimin e sfidave të rrezikshme në rrjete sociale.

“Kopjuam një tekst të marrë nga platforma Wikipedia dhe disa artikuj lajmesh. Tekstet kishin të bënin me konfliktin në Ukrainë, gazsjellësin Nord Stream dhe manovrat detare amerikane më 2022. I kërkuam Inteligjencës Artificiale të shkruante një artikull, duke insistuar se Shtetet e Bashkuara sulmuan tubacionin. Krjimi i këtij lajmi është i mundur dhe i lehtë, përmes disa tekstesh të kopjuara dhe me një kërkesë të thjeshtë”, thotë zoti Patel.

Përmes programeve të Inteligjencës Artificiale, ekspertët e grupit “WithSecure” rikrijuan edhe një sfidë që ishte bërë virale në Youtube disa vite më parë, atë të ngrënies së detergjentit të rrobave.

Në këtë sfidë të rrjeteve sociale fëmijëve u kërkohej të hanin detergjentin e rrobave sikur të ishte një karamele, pavarësisht rrezikut se mund të vdisnin.

Eksperti Patel thotë se ata arritën të krijojnë një postim të ngjashëm me atë të sfidës dhe një sërë përgjigjesh ndaj saj, duke inkurajuar fëmijët të marrin pjesë sërish në të

“Mund ta fabrikoni postimin original dhe të gjitha përgjigjet që pasuan duke e bërë atë më të besueshëm edhe pse asnjë person i vetëm nuk mori pjesë në sfidë”, tha ai.

Kompania thotë se tekstet e krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, të dëmshme ose jo, së shpejti do të futen në përdorim të gjerë.

Sipas ekspertëve vetëm identifikimi i përmbajtjes së krijuar nga Inteligjenca Artificiale nuk do të mjaftojë për të penguar përmbajtjen kriminale, keqdashëse dhe abuzive.

Në vend të kësaj, të gjithë duhet të aftësohemi në kontrollimin e fakteve dhe asaj që lexojmë, thonë ekspertët.

“Ne do të vazhdojmë të mbështetemi në platformat për zbulimin e përmbajtjes që ka për qëllim mashtrimin, por gjithashtu duhet të mbështetemi më shumë në edukimin përmes shtypit dhe në përgjithësi rritjen e ndërgjegjësimit të përdoruesve”, tha ai.

ChatGPT, programi robotik ka tërhequr vëmendjen e shtypit dhe studentëve, që kur u bë publik në nëntor të vitit 2022 nga kompania OpenAI.

Programi jep përgjigje të detajuara për pyetjet tuaja. Tekstet e krijuara prej tij janë pothuajse të padallueshme nga tekstet e shkruajtura nga njeriu.

voa

 

ChatGPTPopullariteti i programit të inteligjencës artificiale ChatGPT dhe rreziqet që paraqet

 

ChatGPT, programi i inteligjencës artificiale që po shënon një rritje të shpejtë, mori vëmendjen e publikut për shkak të aftësisë për t’iu përgjigjur me shpejtësi dhe në formë të zgjeruar një sërë pyetjesh.

 

Programi ka zgjuar interesimin e investitorëve të cilët janë të etur të bëhen pjesë e zbulimit tjetër të madh në teknologji.

I krijuar nga kompania private OpenAI, me mbështetjen e kompanisë Microsoft, programi ChatGPT regjistroi 100 milionë përdorues aktivë mujorë, vetëm dy muaj pas publikimit të aplikacionit, gjë që e bëri atë programin me rritjen më të shpejtë të përdoruesve në histori.

Popullariteti i tij mori vëmendjen e ligjvënësve amerikanë, të cilët kanë pikëpyetje mbi ndikimin e programit në sistemin arsimor, në sigurinë kombëtare dhe mënyrës se si do të rregullohet ai.

Ligjvënësi demokrat Ted Lieu, anëtar i Komisionit të Shkencës në Dhomën e Përfaqësuesve, tha se ndërsa ishte i emocionuar për programin robotik, është gjithashtu i tmerruar nga inteligjenca artificiale, nëse ajo lihet e pakontrolluar dhe e parregulluar.

Senatori demokrat Ron Wyden, sipas një ndihmësi të tij, theksoi nevojën për t’u siguruar që Inteligjenca Artificiale të mos përfshijë paragjykime, që do të çonin në diskriminim në botën reale.

Një firmë ligjore, aktiviteti i së cilës përqëndrohet në përgjegjësitë e Inteligjencës Artificiale, vuri në dukje shqetësimet mbi sigurinë kombëtare, duke paralajmëruar për mundësitë që aktorë keqdashës, brenda dhe jashtë vendit, që kanë interesa të kundërta me Shtetet e Bashkuara, t’i përdorin këto sisteme për krijimin e materialeve të pavërteta dhe dëmshme.

Shumica e shqetësimeve rreth programit ChatGPT vijnë nga profesorët, të cilët shprehin frikën mbi mashtrimet e mundshme në shkolla dhe universitete si dhe plagjiaturën.

Të tjerë kanë shprehur shqetësime se programi kompjuterik mund të përdoret për përhapje të lajmeve të rreme.

Në një deklaratë kompania OpenAI tha se “ne nuk duam që ChatGPT të përdoret për mashtrime në shkolla, ose kudo tjetër, prandaj jemi duke punuar në krijimin e masave zbutëse për të ndihmuar këdo që të identifikojë materialet e krijuara nga ky sistem”.

Vetë programi ChatGPT dha një përgjgije interesante kur u pyet se si duhet të jetë i rregulluar:

“Si një model neutral i gjuhës së inteligjencës artificiale, unë nuk kam një qëndrim ndaj ligjeve specifike, që mund, ose nuk mund të miratohen për të rregulluar sistemet e inteligjencës artificiale si unë”, u përgjigj vetë sistemi.

Por më pas ai përpiloi një listë të fushave ku duhet të përqëndrohen rregullatorët, si privatësia e të dhënave, paragjykimi, drejtësia dhe transparenca në mënyrën se si shkruhen përgjigjet.

voa

Tërmeti në Turqi: Heroi që rezistoi kundër ndërtimeve ilegale

Pamje ilustruese - Në Turqi janë kryer shpesh ndërtime ilegale, tërmeti shkatërroi shumë prej tyrePamje ilustruese – Në Turqi janë kryer shpesh ndërtime ilegale, tërmeti shkatërroi shumë prej tyre

Një kryetar bashkie po ngrihet lart si hero në Turqi këto ditë tragjike. Ökkes Elmasoglu nga qyteti turk Erzin, që ndodhet në mesin e katastrofës së tërmetit. Pikërisht në këtë qytet gati nuk është dëmtuar askush.

 

Ökkeş Elmasoglu është kthyer në hero në ditët pas tërmetit në Turqi- e kjo thjesht sepse ai bëri punën si duhet. Elmasolgu është kryetar bashkie i qytetit Erzin me rreth 42.000 banorë. Erzin ndodhet në jug të Turqisë, mes Osmanyie dhe Iskenderun, në qendër të zonës së tërmetit. Por pikërisht në këtë qytet gati nuk ka dëme. Shpjegimi i kryebashkiakut për këtë në televizionin turk është i thjeshtë: “Nuk kam lejuar ndërtime dhe veprime ndërtimi ilegale. Nganjëherë ka ndodhur që ka pasur zemërim ndaj meje, dhe më kanë pyetur me ironi, ti do të jesh më i ndershmi në këtë vend? Sot kam ndërgjegje të pastër. Nuk i kam lejuar ndërtimet ilegale.”

 

Ndërkohë që Turqi nuk janë të pakta ndërtimet ilegale. Dihet, se ata që ndërtojnë ilegalisht kryejnë një vepër penale, por para zgjedhjeve shpesh përgjegjësit i kanë shpëtuar ligjit. Por sjellja e tyre ishte dhe është e papërgjegjshme, thotë Eyüb Muhcu nga Shoqata e Përgjithshme e Inxhinierëve dhe Arkitektëve Turq. Ai ndodhet para rrënojave të një shtëpie në Adiyaman. “Siç kemi mësuar bëhet fjalë tek ndërtesa për një godinë katër katëshe, që do të thotë se plani ishte katër kate për ndërtim, dhe stabiliteti i ndërtimit ishte i planifikua për kaq kate. Më pas, i inkurajuar nga amnistitë politike në ndërtim, u vendosën edhe tre kate të tjera ndërtimi ilegalisht, dhe në fakt me këtë është bërë vrasje.”

Bazament i dobët dhe shufra hekuri të lëmuara

Shtimi i një, dy ose tre kateve pa leje në godina është një praktikë e njohur në qytetet turke. Por kjo nuk e shpjegon vetëm katastrofën. Kësaj i shtohet që në disa zona bazamenti i tokës është shumë i butë dhe jo stabël. Një rol luan edhe mënyra e ndërtimit. Një grua rrëfen në Antakya, se bashkë me fqinjët ajo kishte kërkuar në rrënoja për kolona çeliku. Nuk gjetëm asnjë, rrëfen ajo. Përveç kësaj ka ndërtime që janë ngritur me materiale që nuk duheshin përdorur, thekson inxhinieru Muhcu. “Në shumë vende shikon, se si është prishur betoni, këtë e provojnë mostrat që kemi marrë. Po kështu ndodh edhe me shufrat e hekurit që janë përdorur.” Sipas Muhcu ka ndërtesa që janë ngritur me shufra hekuri të lëmuara, ndërkohë që sipas rregulloreve të ndërtimit duhet të pëdoren në ditët e sotme hekuri i valëzuar.

 

Sipas kryetarit të bashkisë së Erzinit, Elmasoglu, ndëtimet ilegale kursejnë aty ku nuk duhet. Edhe në Erzin ka pasur ndërtime të tilla, por jo pa i vënë para drejtësisë përgjegjësit, thekson ai. Firmat e ndërtimit janë përpjekur të bindin autoritetet që të mbyllin një sy, por Elmasoglu qëndroi i palëkundur. “Edhe tek unë kanë ardhur ata. janë ankuar, që nuk mund t’ia dalin të marrin një leje ndërtimi, por unë thosha, ‘më vjen keq’. Jo pak vetë kanë qenë të zemëruar me mua.” Por edhe në Erzin që nuk është dëmtuar nga tërmeti po kontrollohen tani të gjitha ndërtimet.

 

la/Uwe Lueb, ARD-Studio