Spiralja në qiellin e Alaskës u shkaktua nga derdhja e karburantit të raketës SpaceX

spiraljaTë apasionuarit pas fenomenit “Aurora Borealis”, i njohur ndryshe si dritat veriore, patën fatin të shohin një spektakël në qiellin e Alaskës, kur një spirale blu, e ngjashme me një galaktikë, u shfaq për disa minuta në mes të dritave verirore.

 

Shfaqja qiellore mëngjesin e së shtunës u ngjasonte filmave fantastiko-shkencorë, me një portal të hapur në skajet e largëta të universit.

Fenomeni u shkaktua nga derdhja e lëndës djegëse të një rakete SpaceX të lëshuar nga Kalifornia rreth tre orë më parë.

Në disa raste, raketat kanë karburant të tepërt që duhet të hidhet, thotë fizikanti i hapësirës Don Hampton, profesor në Institutin Gjeofizik të Universitetit të Alaskës në Fairbanks.

Profesori thotë se kur derdhja e karburantit bëhet në lartësi të mëdha, lënda djegëse kthehet në akull. “Kur kjo ndodh nën rrezet e diellit, dhe toka është e mbuluar nga errësira, mund të shihet një lloj reje e madhe, dhe në disa raste që rrotullohet”. Megjithëse nuk shihet shpesh, zoti Hampton tha se ka parë dukuri të tilla tre herë.

Momentet e rrotullimi u kapën nga kamerat e Institutit Gjeofizik dhe janë shpërndarë gjerësisht duke krijuar një stuhi në internet, tha profesori.

Raketa e kompanisë SpaceX u lëshua mbrëmjen e së premtes nga baza e Forcave Hapësinore Vandenberg në Kaliforni me rreth 25 satelitë në bord. Koha e derdhjes së karburantit dhe fakti që ishte një lëshim polar e bënë spiralen blu të dukshme mbi një zonë të madhe të Alaskës.

Në janar, një tjetër spirale u pa mbi ishullin e madh të Havait. Një kamera në majën Mauna Kea, jashtë Observatorit Kombëtar Astronomik të teleskopit Subaru të Japonisë, filmoi një spirale që rrotullohej në qiell gjatë natës. Studiuesit thanë se ishte krijuar nga dërgimi në hapësirë i një sateliti ushtarak përmes një rakete SpaceX të lëshuar në Florida.

voa

Elon Musk thotë se do të krijojë ‘TruthGPT’ si barazpesë ndaj ‘paragjykimeve’ të Inteligjencës Artificiale

Elon MuskPronari miliarder i rrjetit social Twitter, Elon Musk, po i bie sërish këmbanave paralajmëruese për rreziqet e inteligjencës artificiale për njerëzimin. Ai pretendon se një projekt ekzistues i Inteligjencës Artificiale punon me paragjykime në favor të së majtës liberale dhe planifikon që një platformë e tij e të shërbejë si barazpeshë.

 

Zoti Musk i tha komentatorit të televizionit amerikan, Fox News, Tucker Carlson gjatë një interviste të transmetuar mbrëmjen e së hënës se ai planifikon të krijojë një alternativë ndaj projektit aktual “ChatGPT” që ai po e quan “TruthGPT”. Sipas tij kjo do të jetë një “Inteligjencë artificiale e kërkimit të së vërtetës që përpiqet të kuptojë natyrën e universit”.

Ideja, tha zoti Musk, është se një Inteligjencë Artificiale që dëshiron të kuptojë njerëzimin ka më pak gjasa ta shkatërrojë atë.

Ai tha gjithashtu se është i shqetësuar se projekti i tanishëm ‘ChatGPT’ “po punon për të qenë politikisht korrekt”.

Në pjesën e parë të kësaj interviste me moderatorin e Fox News, Carlson, zoti Musk gjithashtu mbrojti rregullimin me ligj të inteligjencës artificiale, duke thënë se ai është një “adhurues i madh” i kësaj ideje. Ai e quajti inteligjencën artificiale “më të rrezikshme” se raketat dhe tha se ka potencialin të shkatërrojë njerëzimin.

Zoti Musk ka regjistruar një biznes të ri të quajtur “X.AI Corp” në Nevada. Sipas faqes së internetit të zyrës së sekretarit të shtetit të Nevadës, biznesi u formua më 9 mars dhe Elon Musk është drejtor ndërsa këshilltari i tij, Jared Birchall, është sekretar.

Zoti Musk për shumë vite ka shprehur mendime të forta për inteligjencën artificiale dhe ka kundërshtuar udhëheqës të tjerë të bizneseve të teknologjisë, përfshirë Mark Zuckerbergun dhe Bill Gatesin, duke thënë se kanë njohuri “të kufizuara” të fushës.

Kur nisi punën organizata “OpenAI” përmes së cilës u krijua projekti i Inteligjencës Artificiale “ChatGPT”, zoti Musk ishte një nga investititorët. Ai gjithashtu e bashkë-kryesoi bordin pas themelimit të tij më 2015 si një laborator kërkimor jofitimprurës i Inteligjencës Artificiale. Por zoti Musk qëndroi atje vetëm për disa vjet, duke dhënë dorëheqjen nga bordi në fillim të vitit 2018, një vendim ky që organizata me seli në San Francisko e lidhi me një prej kompanive ku zoti Musk është pronar, Tesla ku ndërtoheshin sistemet e automatizuara të drejtimit të automjeteve.

“Ndërsa Tesla vazhdon të përqëndrohet më shumë në Inteligjencën Artificale, kjo do të eliminojë një konflikt të mundshëm të ardhshëm për zotin Elon”, tha “OpenAI” në një deklaratë të publikuar në shkurt të vitit 2018.

“Unë e emërova dhe krijova konceptin”, tha zoti Musk gjatë intervistës me Fox News, duke u ankuar që “OpenAI” tani është aleat i ngushtë me kompaninë “Microsoft” dhe nuk është më një organizatë jofitimprurëse.

“Tesla po konkurronte për disa nga të njëjtët njerëz si ‘OpenAI’ dhe unë nuk isha dakord me disa nga ato që ekipi i tyre donte të bënte”, shkroi zoti Musk në Twitter në vitin 2019 duke e sqaruar arsyen pse u largua nga bordi.

Por ka shqetësime rreth cilësisë së sistemeve të Inteligjencës Artificiale të Tesla-s. Rregullatorët e sigurisë në SHBA njoftuan muajin e kaluar për nisjen e një hetimi për një aksident fatal që përfshinte një automjet Tesla me dyshimin se ka përdorur një sistem të automatizuar drejtimi kur u përplas me një kamion zjarrfikësish të parkuar, në Kaliforni.

Hetimi i këtij aksidenti është pjesë e një hetimi më të madh nga agjencia për raste të shumta të Teslas që përdor sistemin Autopilot, duke u përplasur me automjetet e parkuara të urgjencës që janë parkuar duke ndihmuar njerëzit e përfshirë në aksidente të tjera.

Deri në vitin 2020, zoti Musk shkruante në Twitter se “OpenAI duhet të jetë më e hapur” ndërsa vuri në dukje se ai nuk kishte “kontroll dhe njohuri shumë të kufizuar” për të.

Me raste, zoti Musk ka thënë fjalë të mira për të. Pas publikimit të “ChatGPT” më 30 nëntor, zoti Musk i shkroi në Twitter shefit ekzekutiv të “OpenAI”, Sam Altman, se platforma ishte “shumë e mirë” dhe u ankua se mediat e lajmeve nuk po e mbulonin gjerësisht publikimin sepse “ChatGPT nuk është një kauzë e së majtës ekstreme”.

Që atëherë, megjithatë, zoti Musk ka përmendur në mënyrë të përsëritur shembuj që ai thotë se tregojnë njëanshmëri ose censurë në favor të së majtës. “ChatGPT” ka filtra që përpiqen ta parandalojnë atë të nxjerrë përgjigje fyese.

voa

Beyer: Marrëveshja e Ohrit, mundësia e vetme e dy shteteve për integrimin

BeyerRruga e vetme që Kosova dhe Serbia të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të normalizojnë marrëdhëniet, është zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Kështu ka shkruar në Twitter, deputeti i Bundestagut gjerman dhe ish ish-koordinator i bashkëpunimit transatlantik, Peter Beyer.

 

Ai ka rikthyer në kujtesë postimin e shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, se Marrëveshja e Ohrit është e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur normalizimin e marrëdhënieve dhe anëtarësimin në BE-në.

Ndryshe, një ditë më parë në Bruksel, Bashkimi Evropian si palë ndërmjetësues në dialog, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, kanë krijuar një Komitet të përbashkët për mbikëqyrjen e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit. Komiteti sipas njoftimit të BE-së, do të takohet rregullisht në Bruksel.

“Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të

përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviq”, ka njoftuar BE.

Deputeti gjerman e ka përshëndetur edhe vendimin e djeshëm të Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për kosovarët nga 1 janari 2024.

“Më në fund liberalizimi i vizave për qytetarët nga Kosova. E vonuar, por më në fund e mundur nga 1 janari 2024 për miqtë tanë kosovarë. Një hap i rëndësishëm për integrimin në BE. Kanë luftuar për të gjatë. Jam i lumtur”, ka shkruar ai.

rtk

BE: Themelohet Komiteti Monitorues për zbatimin e marrëveshjes Kosovë – Serbi

BEBashkimi Evropian tha se së bashku me Kosovën dhe Serbinë, ka krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, një muaj pas pajtimit të palëve në Ohër për zbatimin e një plani evropian për këtë çështje.

 

Komiteti i Përbashkët i Monitorimit do të kryesohet nga i dërguari i posaçëm i BE-së për bisedimet Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel Agron Bajrami dhe Serbia nga kryenegociatori i saj Petar Petkoviç.

Komiteti do të takohet rregullisht në Bruksel, thuhet në një njoftim të BE-së në të cilin theksohet se hollësitë do të përmbyllen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të mbahet pas takimit të radhës të të nivelit të lartë që pritet të mbahet në Bruksel më 2 maj.

Me 18 mars në Ohër, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u pajtuan të zbatojnë një plan të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve, që është kusht për përmbushjen e aspiratave të tyre për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative.

Në fillim të këtij muaji kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, u pajtuan për tekstin e një deklarate mbi personat e zhdukur gjatë luftës, që pritet të miratohet në takimin e 2 majit.

voa

Korridori 8 dhe 10D, hapet konkurs për punëtorët e ndërtimit – paga deri në 70.000 denarë

koridori 8Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka publikuar shpalljen për punësimin e punëtorëve deri në vitin 2028 për projektin e ndërtimit të katër autostradave përmes “Bechtel dhe Enka”, respektivisht për realizimin e Korridorit 8 dhe 10d.

 

Sipas njoftimit, N.P. “Rrugët Shtetërore” do të punësojë punëtorë sipas rregullores së tyre, që do të thotë 40 orë punë në javë, jo siç është marrë vesh me “Bechtel dhe Enka” për 60 orë pune në javë. Afati i fundit për regjistrim është 25 prilli.

Ndërmarrja publike kërkon asistent të koordinatorit kryesor dhe përgjegjës të projektit, i cili duhet të jetë inxhinier ndërtimi, ndërsa paga bazë do të jetë 70.052 denarë; koordinator i njësisë për përgatitjen e projektit me fakultetin e kryer për punë sociale-paga prej 60.005 denarë; koordinator i njësisë për kryerjen teknike të projektit i cili duhet të jetë inxhinier ndërtimor, për pagë prej 65.029 denarë…

Korridoret, opozita kërkon ndërsa pushteti kundërshton publikimin e marrëveshjes

KorridoriKuvendi për këtë javë nuk ka paraparë vazhdimin e seancës në të cilën gjendet pakoja e ligjeve që ndërlidhen me ndërtimin e Korridoreve 8 dhe 10-D.

 

Të mërkurën është thirrur seancë për përzgjedhjen e strukturave të trupave punues në Kuvend, por deputetët nuk do të diskutojnë edhe mbi Ligjin për marrëdhënie pune. Qeveria po vazhdon me kryeneçësi të çon ndryshimet ligjore drejt miratimit, pavarësisht reagimeve në opinion, vërejtjeve të Presidentit Stevo Pendarovski dhe kërkesave të opozitës që para ndryshimeve ligjore të publikohet marrëveshja me konzorciumin turko-amerikan Bachtel&Enka. VMRO-DPMNE-ja akuzon Qeverinë për manipulim me shpronësimet.

“Vlerën e njëjtë e kanë legalja dhe ilegalja. Me ndryshimet ligjore pas marrëveshjes së nënshkruar për ndërtimin e autostradave, kanë pranuar ndryshimin e Ligjit për eksproprijim me çka do të imponojnë vlerë të njëjtë dëmshpërblimi për të gjitha ndërtimet e rrënuara të cilat ndodhen në trasenë e autostradës. Me vlerën e ndjetë dëmshpërblehen objektet e ndërtuara ligjërisht, me leje, me pagesa komunale dhe tatim dhe njëjtë dëmshpërblehen ndërtimet pa leje”, deklaroi Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

LSDM-ja akuzon se opozita është nën ndikimin rus e kinez dhe për këtë arsye është kundër Korridoreve 8 dhe 10-D.

“E pandërgjegjshme dhe skandaloze. VMRO-DPMNE-ja është parti nën pengun e të Majtës pro ruse që akuzon për korrupsion SHBA-të dhe ndërtuesin e korridoreve Bechtel. Ndërtimi i Korridoreve 8 dhe 10-D është projekti më i madh infrastrukturor në vend, diçka që flitet me dekada, sot po realizohet dhe ky është kryekëput interes i qytetarëve dhe shtetit”, thonë nga LSDM.

Zyrtarëve qeveritarë tashmë në disa prononcime nuk u kanë korresponduar qëndrimet mbi mos publikimin e marrëveshjes Derisa zëvendëskryeministri Grubi kishte deklaruar se marrëveshja është e klasifikuar dhe nuk mund të publikohet, kryeministri Kovaçevski deklaroi se marrëveshja është e gjysmë klasifikuar.

Stresi, pasiguria dhe shëndeti mendor tek vajzat adoleshente në SHBA

stresiStudime të shumta tregojnë se moshat e reja në Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një periudhë krize, duke u përballur me sfida të papara të shëndetit mendor që po ndikojnë veçanërisht tek vajzat adoleshente. Ankthi për rezultatet në shkollë. Pasojat e shkaktuara nga pandemia dhe ndikimi negativ i medias sociale.

 

Një raport i fundit i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tregon se pothuajse 60% e vajzave amerikane thanë se ndjenin trishtim dhe dëshpërim të vazhdueshëm.

Shifrat tregojnë rritje edhe për djemtë, me rreth gjysmën e tyre. Prindërit kanë teoritë e tyre për këto probleme, por çfarë thonë vetë adoleshentët?

A janë mediat sociale në thelb të problemeve të tyre? A gëzojnë pak më shumë imunitet djemtë, apo janë pjesë e problemit?

Agjencia e lajmeve Associated Press intervistoi pesë vajza në katër shtete dhe ra dakord të publikonte vetëm emrat e tyre për shkak të natyrës së ndjeshme të bisedave.

Adoleshentet ofruan mendime të kthjellëta dhe në disa raste befasuese.

16-vjeçarja Amelia është nga shteti i Ilinoit. Asaj i pëlqen të këndojë dhe dëshiron të bëhet kirurge. “Ne jemi shumë të forta dhe përjetojmë shumë gjëra”, thotë ajo.

Amelia vuan nga depresioni dhe ankthi. Ashtu si 13% e vajzave të shkollave të mesme të anketuara për raportin e qeverisë, ajo ka tentuar vetëvrasje.

Trajtimi në spital dhe terapia e ndihmuan atë pas tentativës në vitin 2020. Por Amelia është përballur gjithashtu edhe me ngacmime, miqësi toksike dhe kërcënime nga një djalë në shkollë, se ajo “e meritonte të përdhunohej”.

Më shumë se 1 në 10 vajza thonë se ishin detyruar të kryenin marrëdhënie intime, sipas raportit nga CDC, rritja e parë e vërejtur në sondazhin periodik të qeverisë. Kërcënimet seksuale janë vetëm një nga barrat me të cilat përballen vajzat adoleshente.

“Ne po përpiqemi të mbijetojmë në një botë që synon të na nënshtrojë”, thotë Amelia.

18-vjeçarja Emma nga Xhorxhia, e cila dëshiron të bëhet artiste, ka çrregullime të përqendrimit të vëmendjes dhe herë pas here vuan nga depresioni. Ajo thotë se stresohet për rezultatet në shkollë dhe arsimin e lartë.

“Kohët e fundit kam vënë re tek vetvetja dhe miqtë e mi se sa të rraskapitur jemi nga problemet që ka bota, çështjet sociale dhe si do të jetë e ardhmja”, thotë Emma. “Të gjitha këto probleme mblidhen dhe të shtypin”.

E rritur vetëm nga mamaja e saj, 15-vjeçarja Zoey jeton në shtetin Misisipi. Pavarësisht dashurisë së madhe, nëna e saj është e rreptë dhe ushtron presion ndaj saj që të jetë e suksesshme në shkollë dhe jetë.

“Shkolla mund të jetë stresuese dhe kjo ndikon kaq shumë tek shëndeti mendor, saqë nuk e kupton, derisa e gjen veten në një pikë ku nuk di se çfarë të bësh”. Zoey thotë se ka patur probleme me shoqërinë e saj, gjë që e shtyu në depresion dhe ndjehej e shqetësuar pasi ishte e vetmja afrikano-amerikane në klasë.

Disa vajza thanë se përballen me presion të shtuar nga standardet e shoqërisë që përqendrohen shumë tek paraqitja e jashtme.

“Shumë njerëz i shohin trupat e grave dhe vajzave si objekte seksuale”, thotë Emma. “Është një barrë e rëndë për ne kur mblidhen të gjitha”.

Lëvizja #MeToo filloi kur këto vajza ishin mjaft të reja, por ajo u intensifikua gjatë pandemisë dhe vajzat janë të vetëdijshme lidhur me ngacmimet seksuale.

Djemtë janë më pak të vetëdijshëm, thonë vajzat. Ato përmendin shaka vulgare, prekje të papërshtatshme, kërcënime seksuale ose dhunë të vërtetë. Vajzat thonë se vëmendja e padëshiruar ndaj tyre është një barrë e rëndë.

Siya, një 18-vjeçare në Nju Xhersi, thotë se pothuajse çdo vajzë që ajo njeh është përballur me ngacmime seksuale. “Kjo është bërë normalja e re për mua”, thotë ajo.

“Kur eci vetëm, automatikisht jam në këtë situatë të brishtë. Mendoj se është shumë e trishtueshme. Nuk e di se si është të mos kesh atë frikë”, thotë Siya.

Makena, gjimnaziste në vitin e katërt të shkollës së mesme në Misisipi, thotë se ajo dhe shoqet e saj ndonjëherë veshin rroba më të gjera për të fshehur format e trupit të tyre, por megjithatë djemtë bëjnë komente.

Ajo ka pasur depresion dhe ka bërë terapi. Makena thotë se është rritur në një komunitet ku ende është turp të flasësh për shëndetin mendor.

“Në komunitetin afrikano-amerikan ne nuk inkurajohemi në përgjithësi të shprehemi emocione, për shkak të asaj që kanë përjetuar brezat e mëparshme. Pritshmëritë janë që ne të kemi zemra prej çeliku. Por ndonjëherë është e pranueshme që të mos jesh e tillë”, thotë Makena.

Një studim i publikuar në mars në revistën e Shoqatës Amerikane të Mjeksësisë (The Journal of the American Medical Association) tregon se në vitin 2019, para pandemisë, rreth 60% e fëmijëve të shtruar në spital për arsye të shëndetit mendor, ishin vajza.

Raporti i publikuar në shkurt nga CDC përfshinte adoleshentët e pyetur në vjeshtën e vitit 2021, kur rastet dhe vdekjet me COVID-19 në SHBA ishin ende të larta.

voa

Panairi i Hanoverit: Industria kërkon kushte më të mira

Panairi i HanoveritPër herë të parë që nga viti 2019, Panairi Industrial i Hanoverit mbahet pa kufizime. Sipërmarrjet gjermane janë të shqetësuara për Gjermaninë si zonë industriale. BDI vazhdon ta shohë Kinën si një treg kryesor.

 

Industria gjermane dëshiron të vazhdojë tregtinë me Kinën. “Të diversifikojmë nuk do të thotë të shkëputemi nga Kina, por të reduktojmë dhe kapërcejmë në mënyrë ideale varësitë e njëanshme”, tha presidenti i Federatës së Industrisë Gjermane (BDI), Siegfried Russwurm të hënën në panairin më të madh industrial në botë, panairin e Hanoverit. Vendi partner i këtij viti është Indonezia. “Kina është dhe do të mbetet një treg kryesor për sipërmarrjet gjermane.” Ekziston një konsensus mjaft i gjerë se industria dhe ekonomia gjermane kanë nevojë për Kinën. Ajo që është shqetësuese është mbështetja për materialet dhe komponentët kritikë. “Kjo nuk është diçka që mund të ndryshojë brenda një viti”.

 

Industria gjermane humbet pjesë në tregun botëror

Në panairin industrial, Russwurm paralajmëroi për humbjet e Gjermanisë në konkurrencën globale. “Dinamika ekonomike e vendit tonë aktualisht është ende shumë e dobët”. Shoqata e tij pret një rritje prej dy për qind të eksporteve në vitin 2023. Kjo është sigurisht dy herë më shumë se parashikimi i BDI në fillim të vitit, por rritje më e ulët se në 2021 dhe 2022. Tregtia botërore do të rritet këtë vit me 2.5 për qind, më shumë sesa eksportet “Made in Germany”. “Edhe një herë ne po humbasim pjesë në tregun global, sepse tregtia botërore po rritet më shpejt se eksportet tona – konkurrueshmëria e Gjermanisë po dobësohet.” Prodhimi në industrinë e prodhimit pritet të rritet me rreth një për qind në vitin 2023, pas rënies me gjysmë për qind në vitin 2022.

 

Edhe sipërmarrjet e mesme investojnë më shumë jashtë vendit

“Për të investuar më shumë, industria që dëshiron të investojë masivisht ka nevojë për ulje të burokracisë, ulje të ndjeshme të taksave dhe furnizim të besueshëm dhe të përballueshëm me energji”, nënvizoi presidenti i BDI-së. Çmimi i lartë i energjisë elektrike industriale duhet të kthehet urgjentisht në një nivel konkurrues evropian, shtoi ai. Sipërmarrjet gjermane bëjnë investime të konsiderueshme jashtë Gjermanisë. Kjo nuk vlen vetëm për ato shumëkombëshe, por edhe për shumë sipërmarrje të mesme. Bizneset familjare gjithashtu thanë se diferenca në kostot e energjisë ishte shumë e madhe.

Ndërtuesit gjermanë të makinave paraqesin një tablo të përzierë. Kështu, këto sipërmarrje arritën një rritje të prodhimit prej 3.2 për qind në dy muajt e parë të vitit 2023, sipas Shoqatës Gjermane të Ndërtuesve të Makinave dhe Fabrikave (VDMA). Deri në vitin 2022, prodhuesit e makinerive “Made in Germany” shënuan një rritje prej 0.5 për qind. Shoqata, megjithatë, konfirmoi parashikimin e saj se pret një rënie prej dy për qind për vitin aktual. “Përmirësimi i lehtë aktual i mjedisit ekonomik do të ndikojë me vonesë vetëm në marrjen e porosive dhe në qarkullimin e degës”, deklaroi Karl Haeusgen, President i VDMA.

 

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar – problem i madh

Fakti që pengesat në zinxhirët e furnizimit janë zbutur ndjeshëm është një pikë pozitive. Ky sektor, i përbërë kryesisht nga SME-të, por që gjithashtu përfshin kompani të tilla si Thyssenkrupp dhe Siemens, është një shtyllë e ekonomisë gjermane. Në fund të vitit të kaluar, në këto sipwrmarrje ishin të punësuar 1018 milionë persona, një rritje prej 1,1 për qind krahasuar me një vit më parë. “Shumë kompani deshën të punësonin edhe më shumë punonjës, por ato janë frenuar nga pengesat në tregun e punës,” tha Haeusgen. Sipas anketës aktuale, mungesa e fuqisë punëtore është sfida më e madhe në këtë sektor. Sipas këtij sondazhi, pesë për qind e pozicioneve të specialistëve nuk janë plotësuar në një periudhë gjashtëmujore. Llogaritur në bazë të një milion punonjësve, kjo do të përfaqësonte rreth 50.000 vende pune.

Industria elektrike dhe digjitale kanë lajme pozitive. Pas rritjeve në fillim të vitit, kjo industri i ka rishikuar duke i rritur parashikimet e saj për vitin në tërësi. Prodhimi aktual real u rrit me gjashtë për qind në dy muajt e parë të vitit, siç njoftoi shoqata tregtare ZVEI në panairin e Hanoverit. Për vitin në tërësi pritet një rritje prej një deri në dy për qind. Deri tani, sipërmarrjet kishin llogaritur një rritje zero. Bizneset kanë përfituar nga megatrendet e elektrifikimit dhe digjitalizimit. Për herë të parë në një çerek shekulli, kjo degë në Gjermani ka më shumë se 900.000 punonjës. Në total numri është rreth 902.000 punonjës.

aud/hb(rtr)

 

Në Hanover hap dyert panairi më i madh i industrisë në botë

 

Në Hanover hap dyert panairi më i madh i industrisë në botë. Në fokus të panairit mundësitë e inteligjencës artificiale për të zgjidhur problemet që kërcënojnë ekonominë botërore.

 

Mbi 4,000 ekspozues nga 63 vende vijnë këtë vit në Hannover për të prezantuar teknologjitë më të fundit nga fushat e teknologjisë elektrike apo digjitale dhe nga fushat e ndyrshme inxhinierike.

Panairi i vitit 2023 që hap dyert sot (16.04) zhvillohet në sfondin e mungesës së energjisë dhe të fuqisë punëtore, ndëkohë që përfaqësuesit e industrialë po përpiqen të nxisin sa më shumë procesin e digjitalizimit dhe të heqin dorë nga përdorimi i karburanteve fosile. Inteligjenca artificiale apo teknologjitë që përdorin hidrogjenin janë disa nga temat kryesore të panairit të këtij viti, tema e së cilit është “Zgjidhje për të përballuar sfidat e kohës sonë”.

“Vetëm duke ndërthurur këto teknologji do të jetë e mundur të sigurojmë në mënyrë të qëndrueshme mirëqënien tonë dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike,” tha në një deklaratë për shtyp në prag të hapjes së panarit Dr. Jochen Köckler, kryetar i bordit drejtues të Deutsche Messe, organizatores së panairit.

 

Teknologji ekologjike

Më shumë se 300 kompani nga 25 vende kanë ardhur në panair për të prezantuar zgjidhje dhe teknologji të gjelbra që lidhen me përdorimin e hidrogjenit.

Këto teknologji mendohet se mund të ofrojnë një alternativë ndaj karburanteve fosile që ngrohin atmosferën. Industritë e rënda si ato të prodhimit të çelikut apo të çimentos kërkojnë nxehtësi ekstreme dhe për këtë arsye kanë nevojë për sasi të mëdha energjie, e cila shpesh prodhohet nga qymyri prej djegies së të cilit shkaktohen sasi të mëdha karboni.

 

Indonezia prezanton ambiciet e saj industriale

Shumica e ekspozuesve në panairin e sivjetshëm janë nga Gjermania, Kina, Italia, Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Indonezia.

Indonezia është vendi partner i panairit të këtij viti. Fillimisht ishte planifikuar që Indonezia do të ishte vend partner i panairit në vitin 2020, por ai u anulua për shkak të pandemisë së virusit korona.

Indonezia është vendi i katërt për nga popullësia në botë dhe fuqia më e madhe ekonomike në rajonin e ASEAN-it.

Nën moton “Making Indonesia 4.0″ ky vend do të prezantojë ekspertizën dhe ambiciet në rritje që ka në fushat e digjitalizimit dhe të industrializimit. Indonezia synon që deri në vitin 2030 të bëjë pjesë ndër 10 ekonomitë më të forta në botë.

dw

Sot Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave për Kosovën

vizaParlamenti Evropian sot e voton tekstin për të cilin janë marrë vesh vendet e BE-së që edhe kosovarët të udhëtojnë lirshëm pa viza në zonën Schengen

 

Pas hedhjes në votim edhe në PE, hapat e mbetur për këtë proces janë: Akti ligjor duhet të nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së, i cili do të nënshkruhet me 19 prill, raporton RTKlive.

Vendimi duhet të publikohet në gazetën zyrtare dhe Liberalizimi i vizave hyn në fuqi në afatin e dakorduar nga 1 janari i 2024-së

rtk

“Altoparlantët e non-gratës kanë nisur akuzat ndaj meje”/ Alibeaj-Berishës: Dallaveret s’ti beson më njeri. Janë të gjithë në radhë për SPAK

AlibeajKryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha.

 

“Janë të gjithë në radhë për SPAK. Në fakt nuk i ka shqetësuar çështja e parave dhe financimeve, sepse ato kanë 33 vite që i fshehin në bashkëpunim me mediat e tyre, por se përse Erion Veliaj, ortaku i tyre politik dhe ekonomik, ka bërë të njëjtën pyetje. As nuk kisha ndërmend të merresha fare më një mashtrues kronik si Erion Veliaj, por meqë e kanë merak se përse ai ka ngritur të njëjtën pyetje, le të flasin me të. Unë thjesht ngrita një pyetje, ai me siguri di dhe përgjigjen e kësaj pyetje”, ka thënë ai.

Alibeaj në një status në “Facebook”, thotë se ish-kryeministri nuk i është përgjigjur pyetjes se ku i gjen paratë që prenoton salla për fushatë.

 

STATUSI:

Reagim publik

Prej dy ditësh, altoparlantët politikë të non-gratës për korrupsion masiv dhe minues i demokracisë, Sali Berishës, dhe mediat e financuara prej tij dhe familjes së tij, kanë filluar një sulm ndaj meje, vetëm e vetëm se unë kam ngritur thjesht një pyetje, që në fakt është një pyetje që e bëjnë të gjithë shqiptarët:

Ku i gjen paratë Sali Berisha, i cili ka një vit e gjysmë që prenoton stadiume, prenoton salla në të gjithë Shqipërinë, paguan autobusë dhe njerëz për ti mbushur këto salla, paguan media që të jetë 24 orë live edhe pse ligjërisht nuk është kryetari i asnjë partie politike?

Mirëpo Sali Berisha dhe ushtarët e tij mediatikë e politikë, në vend që ti përgjigjen kësaj pyetje dhe të bëjnë transparencën e parave te tyre, si gjithmonë, në stilin e politikës së urrejtjes dhe baltës , në stilin e tij prej politikani tashmë të marrë fund, e ka kthyer oborrin e tij politik e mediatik në mburojë të një njeriu të padëshiruar nga perëndimi për korrupsion masiv dhe minim të demokracisë.

Të gjithë në rresht, për turpin e tyre, bëjnë garë se kush bërtet më shumë, kush fyen më shumë në emër të padronit të tyre.

E kuptoj fare mirë hallin e tyre. Sa herë që i përmendin paratë, Sali Berisha dhe llogoret e tij mediatike në borderonë e tij, ulërasin, bërtasin dhe fyejnë këdo që i kërkon llogari dhe transparencë. E kuptoj fare mirë që ndihen të frikësuar.

Janë të gjithë në radhë për SPAK. Në fakt nuk i ka shqetësuar çështja e parave dhe financimeve, sepse ato kanë 33 vite që i fshehin në bashkëpunim me mediat e tyre, por se përse Erion Veliaj, ortaku i tyre politik dhe ekonomik, ka bërë të njëjtën pyetje. As nuk kisha ndërmend të merresha fare më një mashtrues kronik si Erion Veliaj, por meqë e kanë merak se përse ai ka ngritur të njëjtën pyetje, le të flasin me të. Unë thjesht ngrita një pyetje, ai me siguri di dhe përgjigjen e kësaj pyetje.

Pyetja duhet të ishte drejtuar dhe Sali Berishës dhe Erion Velisë, sepse që të dy e dinë ku i gjen paratë Berisha. Sepse ditën bëjnë sikur zihen, ndërsa natën shijojnë lejet e ndërtimit dhe marrëveshjet okulte me kryebashkiakun, përfaqësues të oligarkisë së ndërtimit.

Si ka mundësi që Sali Berisha nuk përmend asnjë oligark, bashkëpunëtor të Erion Velisë në ndërtimet e Tiranës?! A ka kurajo non-grata për korrupsion masiv dhe minues i demokracisë, të denoncojë lejet e ndërtimit të dhëna nga Erion Veliaj?

Përgjigjia është shumë e thjeshtë: janë ortakë politik dhe ekonomik.

Oligarkët i kanë bashkë, paratë i ndajnë bashkë, politikën duan që ta zaptojnë bashkë.

E megjithatë, përtej dallavereve politike të Sali Berishës që nuk i beson më askush, thelbi mbetet, pyetja mbetet:

Ku i gjen paratë Sali Berisha?

Për përgjigjen, pyesni Erion Velinë. Ai di shumë më shumë se unë dhe se ne bashkë, se ku gjenden këto para.

(BalkanWeb)