Nga mesnata çmime të reja të derivateve të naftës

karburantetKomisioni Rregullator për Energjetikë solli vendimin, me të cilin bëhet rritja e çmimeve të shitjes me pakicë të derivateve të naftës, mesatarisht 2,09% në raport me vendimin e datës 5.6.2023.

 

Çmimet referente të derivateve të naftës në tregun botëror, në krahasim me përllogaritjen e mëparshme, shënojnë rritje mesatarisht: te benzina për 3,803 %, te nafta për 2,996 %, te vaji ekstra i lehtë për 2,977 % dhe te mazuti për 2,913%.
Çmimet e shitjes me pakicë të benzinës EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 si dhe të

EURODIZELIT (D-E V) dhe të VAJIT EKSTRA TË LEHTË PËR AMVISËRI (EL-1) rriten për 1.50 den/l.

Çmimi i shitjes me pakicë të Mazutit М-1 SU rritet për 0.922 den/kg dhe do të jetë 40,526 den/kg.

Nga data 13.6.2023, ora 00:01 çmimet maksimale të derivateve të naftës do të jenë:

EUROSUPER BS – 95 81,50 (denarë/litër)
EUROSUPER BS – 98 83,50 (denarë/litër)
EURODIZEL BS (D-E V) 70,50 (denarë/litër)

Vaj për Djegie Ekstra i Lehtë 1 (EL-1) 69,00 (denarë/litër)

alsat

Pavarësi nga Kina e SHBA – BE jep miliarda për chip-at

chipEuropa kërkon të pavarësohet më shumë në fushën e mikroelektronikës dhe chip-ave nga Kina dhe SHBA. Tani BE ka startuar një program të madh ndihme, nga i cili përfitojnë kompanitë europiane, edhe ato gjermane.

 

Për të qenë më i pavarur si nga Kina edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Komisioni Europian ka miratuar një program miliardësh ndihme për industrinë e mikroelektronikës dhe chip-ave. Sipas të dhënave të komisares së BE për konkurrencën, Margrethe Vestager me këtë program mundësohen duzina projektesh. Vestager e cilësoi industrinë e mikrochip-ave si “shtyllën e ekonomisë”. Europa duhet të përmirësojë këtu aftësitë e saj. “Ne duhet të bëhemi pionierë” në këtë drejtim, u shpreh Vestager.

Që ndryshimi të jetë i suksesshëm, Komisioni Europian në kuadër të projektit “Important Projects of Common European Interest” – Projekte të Rëndësishme të Interesit të Përbashkët Europian, IPCEI, ka miratuar ndihma në vlerë prej 8,1 miliardë eurosh. Përveç kësaj vetë kompanitë private kanë investuar edhe njëherë 13,7 milirdë euro në BE, kështu që bëhet fjalë për një  investim gjigand prej 21,8 miliardë eurosh. Në këtë projekt marrin pjesë krahas Gjermanisë, edhe 13 vende të tjera të BE, mes tyre Franca, Austria, Holanda dhe Spanja.

 

Nga ndihmat përfitojnë shumë projekte gjermane

Një numër i madh projektesh që përfitojnë nga ky program e kanë qendrën në Gjermani: Në Gjermani ekzistojnë 31 projekte të gjysmëpërçuesve në 11 lande. Shifrat e projekteve të mbështura variojnë në varësi të mënyrës së klasifikimit të mbështetjes. Sipas mënyrës së llogaritjes nga BE, Gjermania mbështetet në 23 projekte, ndërkohë që në të gjithë Europën flitet për mbështetjen e 100 projekteve. Ministria Gjermane e Ekonomisë është shprehur në lidhje me financimin e projekteve. “Në tërësi  sipërmarrjet gjermane investojnë më shumë se 10 miliardë euro, ndër të tjera për komplekse inovative të prodhimit, për reparte prodhimi dhe zhvillimin e chipave për gjysmëpërçuesit. Në tërësi ato do të mbështeten me 4 miliardë euro, nga ku 70% do të jepen nga federate dhe 30% nga vetë landet.”

Krahas kompanive të mëdha në Gjermani do të jenë pjesë e projekteve që mbështeten nga BE edhe kompani të mesme dhe Start-up-e. Kështu ndër të tjera mbështeten Infineon në Bavari, Saksoni dhe Renani Veriore-Vestfali, si edhe Bosch në BAdeyn-Vyrtemberg dhe Drezden.

 

Habeck bën fjalë për moment historik

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck ka falënderuar Komisionin Europian për vendimin. Projektet e mbështetura do të forcojnë Gjermaninë si vend prodhimi të mikroelektronikës dhe janë një moment historik i rëndësishëm për politikën e industrisë. “Ne kështu do mund të rrisim aftësinë rezistuese në të gjithë Europën në këtë fushë të rëndësishme dhe do sigurojmë prodhimin në vlerë dhe vende pune.”

BE synon me këtë programn ndihme të rrisë pjesën e tij në tregun botëror të gjysmëpërçuesve në 20%, por ekspertët thonë, se programe të tilla ndihme në SHBA dhe Kinë janë më agresive. Edhe në Tajvan, Korenë e Jugut dhe Japoni kjo degë është shumë e kërkuar. BE nis kështu ofensivën e dytë të mbështetjes së elektroteknikës, pas programit të parë të mbështetjes në vitin 2018.

la/ag

Rezultatet paraprake: Partitë proevropiane fitojnë numrin më të madh të votave në Mal të Zi

Mali i ziRezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Malin e Zi tregojnë se Lëvizje Europa Tani doli e para me 26 përqind të votave apo 24 mandate, por jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri e vetme. Ajo pasohet nga koalicioni i kryesuar nga Partia Demokratike e Socialistëve e ish-presidentit Milo Gjukanoviq me 23,7 për qind ose me 21 mandate në Parlamentin e Malit të Zi.
Koalicioni pro-serb dhe pro-rus “Për të Ardhmen e Malit të Zi” (ish Fronti Demokratik) ka fituar 15 përqind të votave ose 13 mandate dhe koalicioni URA e Dritan Abazoviqit me Demokratët të Aleksa Beçiqit 12.3 përqind ose 11 mandate.

Partia Boshnjake, si partia më e madhe e pakicave në Mal të Zi fitoi 6.8 përqind të votave ose 6 mandate, kurse në parlament do të hyjë edhe Forumi Shqiptar me 2 mandate, Aleanca Shqiptare dhe Nisma Qytetare Kroate me nga 1 mandat.

Sipas të dhënave të Qendrës për Tranzicionin Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ishte 56.4 për qind ose 305.760 qytetarë. Kjo është dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur votuan 76.6 për qind, si dhe në vitin 2016, kur pjesëmarrja ishte 73.3 për qind.

Rezultatet paraprake tregojnë se më shumë vota kanë fituar partitë pro-demokratike dhe proevropiane siç është Lëvizja “Evropa Tani”, e cila u formua në mesin e vitit të kaluar dhe të cilës i përket edhe presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, koalicioni i URA-s me Demokratët dhe partitë e pakicave të cilët në koalicionin paszgjedhor mund të formojnë shumicën në parlamentin e Malit të Zi.

Një ndryshim i madh ndodhi tek koalicioni i Frontit Demokratik pro-serb dhe pro-rus, i cili në zgjedhjet e kaluara formoi shumicën aktuale parlamentare. Ky koalicion politik është ndarë tashmë në tre parti të pavarura dhe në këto zgjedhje shënoi një rënie të theksuar.

Nga këto zgjedhje dalin 81 deputetë, dhe shumica e re parlamentare do të zgjedhë kryeministrin dhe qeverinë e re të Malit të Zi.

Gjatë viteve të fundit, shumica e paqëndrueshme parlamentare zëvendësoi dy qeveri, të cilat e zhytën Malin e Zi në një krizë institucionale dhe thelluan edhe më tej ndarjet në skenën politike.

Për këtë arsye faktori ndërkombëtar në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin për krizën e zgjatur politike në vend, bllokimin e institucioneve, polarizimin në rritje të shoqërisë dhe pamundësinë e autoriteteve për të gjetur një rrugëdalje nga kriza.

Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017, pas një përpjekjeje të pasuksesshme për grusht shteti një vit më herët, për të cilën Podgorica akuzoi agjentët rusë dhe ultranacionalistët serbë.

Pas nisjes së agresionit rus në Ukrainë vitin e kaluar, Mali i Zi i është bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Kremlini në këmbim e vendosi Malin e Zi në listën e shteteve jomiqësore.

voa

 

Malin e Zi e pret një verë e nxehtë politike

 

Zgjedhjet parlamentare në Malin e Zi konsiderohen si shpëtim nga kriza e gjatë politike. Por a do të sjellë ky rezultat fundin e krizës? Lëvizja Evropa Tani kryeson, por asnjë parti dhe koalicion nuk fitoi shumicën

 

Sipas Qendrës për Monitorim dhe kërkim CEMI, Lëvizja Evropa Tani fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u zhvilluan të dielën (11.06.  në Mal të Zi. Kjo lëvizje jo parlamentare, e cila u formua 10 muaj më parë, siguroi 23 mandate në parlament. Ndërkohë Partia Demokratike e Socialistëve doli e dyta me 23.8% ose 21 mandate. Koalicioni Për të ardhmen e Malit të Zi – koalicion pro serb dhe pro rus, fitoi 14.7% apo 13 mandate.  Sipas  Qendrës për Monitorim dhe kërkim (CEMI) koalicioni i përbërë nga Demokratët dhe Lëvizja Ura e Kryeministrit aktual Dritan Abazoviq, doli i katërti në këto zgjedhje  me 12.3% të votave apo 11 mandate. Rezultate më të mira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare arriti Partia Boshnjake e cila siguroi 6 mandate. Dy koalicionet e partive shqiptare Aleanca dhe Forumi shqiptar siguruan 3 mandate në parlamentin e ardhëshëm të Malit të Zi. Në parlamentin, i cili do të numërojë 81 deputetë, do të jetë e përfaqësuar edhe pakica kroate me 1 mandat.

 

Zgjedhjet si shpëtim nga kriza

 

Zgjedhjet e parakohshme u cilësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme duke i dhënë fund krizës politike gati tre vjeçare, ku dy parti u rrëzuan përmes mocionve të mosbesimit. Analistët, të cilët bazohen në rezultatin paraprak të zgjedhjve, janë të mendimit, se edhe me këtë rezultat të zgjedhjeve Mali i Zi hyn në një periudhë jo stabile politike. Sipas tyre një koalicion i qëndrushëm pas zgjedhor do të ishte ai i Evropa Tani me partinë  Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviq. Por nga Lëvizja Evropa Tani të dielën në mbrëmje pas shpalljes së rezultateve u tha,  se në asnjë variant nuk do e formojnë qeverinë e re me këtë parti. Për këtë arsye Evropa Tani  do të duhet të bisedojë me disa koalicione dhe parti për formimin e qeverisë së ardhshme.

Varianti tjetër i mundshëm është formimi i shumicës midis Lëvizjes Evropa tani dhe koalicionit të Demokratëve dhe partisë Ura dhe partive të pakicave, por edhe në këtë variant ka mosmarrëveshje duke marrë parasyshme akuzat e ndërsjella dhe aferat një javë para zgjedhjeve midis partisë së Kryeministrit aktual Dritan Abazoviq dhe Liderit të Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiq.

Ditët në vijim në Mal të Zi priten bisedime intensive për fomimin e qeverisë. Vetë presidenti Jakov Millatoviq  pret që qeveria e re të formohet shpejt siç ka thënë ai “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”. Edhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq paralajmëroi formimin e shpejtë të qeverisë. Ai u shpreh se “ne presim që qeveria të formohet sa më shpejt, do të flasim me të gjithë ata që ndajnë vlerat e njejta me ne”. “Ne do të formojmë një qeveri të re pro evropiane” tha Spajiq.

Qeverinë e re të Malit të Zi e presin shumë sfida. Programi i prezantuar nga Lëvizja Evropa Tani ka qenë shumë ambicioz me premtime për rritje pensionesh dhe rrogash, luftë kundër korrupsionit dhe integrimi i vendit në Bashkimin Evropian (BE).  Zgjedhjet parlamentare  kaluan të qeta dhe pa incidente. Përqindja e daljes në zgjedhje ishte 56.4 % , dukshëm më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 kur votuan 76.6% e zgjedhësve.  Zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit ishin të dymbëdhjetat  që nga vendosja e sistemit shumë partiak në Mal të Zi dhe të gjashtat që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.

dw

Escobar: Kurti është partner, megjithëse në disa raste partner i vështirë

EscobarI dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha gjatë një interviste për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore në Beograd se kryeministri i Kosovës Albin Kurti në disa raste është një partner i vështirë, por gjithsesi është partner i Shteteve të Bashkuara.

 

Në intervistën e bërë publike të dielën, zoti Escobar tha se tani duhet të gjendet një mënyrë për të çtensionuar situatën në veri të Kosovës dhe palët menjëherë të përqendrohen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

“Për Serbinë kjo do të thotë të fillojë procesin e ndaljes së bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën do të thotë fillimi i menjëhershëm i procesit të zbatimit të Asociacionit të Komunave Serbe. Ne duhet të punojmë për të dyja këto menjëherë”, tha zoti Escobar.

Diplomatët perëndimorë janë vënë në përpjekje për të nxitur palët të ulin tensionet në veri të Kosovës, ku për më shumë se dy javë grupe qytetësh serbë po mbajnë protesta, pas vendimit të qeverisë në Prishtinë për të dërguar në zyrat komunale në veri kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u bojkotuan nga partitë serbe.

Kosovës po i kërkohet tërheqja e njësive të posaçme të policisë si dhe kryetarëve të komunave nga zyrat e tyre në veriun e banuar me shumice serbe, ndërsa Serbisë të ushtrojë ndikimin e saj për largimin e protestuesve dhe për të siguruar pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhjet e reja të mundshme në zonë, pa kushte.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të dielën gjatë mbledhjes së Këshillit të përgjithshëm të partisë së tij, lëvizjes Vetëvendosje, se rruga për qetësimin e situatës në katër komunat në veri të Kosovës duhet të nisë me largimin e siç tha ai “bandave kriminale”. Ai tha se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën e tyre, ndërsa u bëri thirrje serbëve që të marrin pjesë në zgjedhje, të cilat sipas tij duhet të jenë të lira, të hapura, pa frikë dhe pa kërcënime.

Zoti Kurti tha se dialogu për zbatimin e marrëveshjeve të 27 shkurtit dhe 18 marsit duhet të përshpejtohet dhe duhet një zbatim i balancuar dhe të drejtë të marrëveshjes bazike.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë thirrje që Kosova të mos organizojë zgjedhje të reja për kryetarët e komunave në veri të saj derisa t’u jepet më shumë autonomi serbëve etnikë.

Diplomatët kanë paralajmëruar pasoja për Prishtinës dhe Beogradin në qoftë se nuk ndërmarrin hapa për çtensionimin e situatës në veri të Kosovës, hapjen e mundësisë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në tryezën e bisedimeve.

voa

Jens Stoltenberg takim në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Biden

Stoltenberg BidenPresidenti Joe Biden pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg.

 

Takimi vjen ndërsa gara për të gjetur pasardhësin e tij është nxehur.

Zoti Stoltenberg, ka udhëhequr aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tre herë. Por në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet.

Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar ndërsa udhëheqësit e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Vilnius të Lituanisë.

Javën e kaluar, Kryeministri britanik Rishi Sunak i përmendi Presidentit Biden, Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace, si kandidat të mundshëm. Presidenti amerikan u takua gjithashtu edhe me Kryeministren daneze Mette Frederiksen, një tjetër pretendente e mundshme.

Gjatë një konferencë shtypi me në krah zotin Sunak, zoti Biden e quajti zotin Wallace një person “shumë të kualifikuar”, por vuri në dukje se diskutimet për të gjetur një kandidat “konsensual’, për të zëvendësuar zotin Stoltenberg, po vazhdon. Opinioni i Presidentit Biden ka peshë të madhe pasi Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për mbrojtjen, më shumë se çdo vend tjetër anëtar i aleancës.

Zonja Frederiksen u përpoq të anashkalonte çështjen e kandidimit të saj të mundshëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s pas takimit me Presidentin Biden javën e kaluar. Ajo nuk pranoi të thoshte nëse kishte diskutuar mbi këtë çështje me të, por u tha gazetarëve se nuk donte t’i jepte zë spekulimeve lidhur me NATO-n. Aleanca nuk ka pasur kurrë një sekretare të përgjithshme grua.

Danimarka ka mbetur pas me objektivin e shpallur të NATO-s, për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për ushtrinë, deri në vitin 2030. Por në fund të muajit të kaluar qeveria e këtij vendi, njoftoi se synonte, që gjatë dekadës së ardhshme, të investonte rreth 20.6 miliardë dollarë për mbrojtjen, për shkak të kërcënimeve serioze ndaj sigurisë.

Zoti Biden dhe zoti Stoltenberg pritet gjithashtu të diskutojnë rreth agresionit rus në Ukrainë si dhe mbi përpjekjet për të bindur Turqinë, një vend anëtar i NATO-s, të heqë dorë nga bllokimi që i ka bërë anëtarësimit të Suedisë në aleancë.

voa

A po nxitohemi me inteligjencën artificiale?

AISistemet e inteligjencës artificiale, si ChatGPT-4, Bard, dhe Baidu, po përhapen me shpejtësi në të gjithën botën e internetit. Ekspertët dhe autoritetet po shqyrtojnë ndërkohë nëse do të duhet një kuadër ligjor për të qeverisur prodhimin e inteligjencës artificiale dhe për të shmangur kështu rreziqet e mundshme që e shoqërojnë atë.

 

ChatGPT prodhon tekst duke bërë parashikime se cilat fjalë do t’i përgjigjeshin më mirë një pyetjeje, bazuar në ato çfarë ka përvetësuar nga një volum i madh tekstesh nga veprat e shkruara.

“Teknologjia e madhe që ka befasuar botën janë të ashtuquajturat modelet e mëdha të gjuhëve. ChatGPT dhe Bard janë ndër shembujt e modeleve të mëdha të gjuhëve. Mënyra se si funksionojnë ato është vërtet e thjeshtë. Ato veprojnë pikërisht siç vepron celulari juaj kur filloni të shkruani një mesazh, p.sh. ‘ku gjenden…’ dhe në vazhdim celulari ju sugjeron se si ta vazhdoni fjalinë”, shpjegon profesor Michael Wooldridge, nga Universiteti i Oksfordit.

Shpeshherë imazhet që shohim mund të jenë krijuar me mjete të sofistikuara të inteligjencës artificiale dhe mund të mos jenë të vërteta, si përleshja fiktive mes ish-Presidentit Donald Trump dhe oficerëve të policisë së Nju Jorkut.

“Kjo teknologji është shumë, shumë e mirë për të krijuar histori false. Në fund të fundit, qëllimi i kësaj teknologjie është që të prodhohet tekst që të tingëllojë i vërtetë. Dhe një nga mënyrat që mund të përdoret në mënyrë të paskrupullt është për të industrializuar prodhimin e historive false”, thotë Profesor Wooldridge.

A mos veprojnë me shpejtësi të nxituar kompanitë që nxjerrin këtë teknologji të inteligjencës artificiale, që një ditë mund t’ua kalojë njerëzve? Kështu mendojnë një grup shkencëtarësh të rëndësishëm të shkencave kompjuterike, si dhe personalitete si Elon Musk, apo bashkëthemeluesi i kompanisë Apple, Steve Wozniak, të cilët kanë bërë thirrje për një pauzë 6-mujore. Thirrja e tyre u bë pasi kompania nga San Françisko “Open AI”, nxori variantin 4, të programit të saj të inteligjencës artificiale ChatGPT, i cili ndezi një garë mes gjigandëve Microsoft dhe Google për të prodhuar programe të tilla.

Italia ndërkohë ka ndaluar programin e inteligjencës artificiale ChatGPT dhe po heton për shkelje të mundshme të rregullave të rrepta të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e të dhënave.

“Pikë së pari, nuk ekziston një bazë ligjore për të mbledhur të dhëna pa leje nga interneti. Dhe së dyti, rezultatet nuk do të jenë të garantuara si të vërteta dhe të sakta. Pra mund të dalin rezultate të pasakta për individët”, thotë Profesor Nello Cristianini, nga Universiteti i Bathit.

Kompania amerikane OpenAI, ndali qasjen e përdoruesve italianë tek programi ChatGPT, pas kërkesës së qeverisë italiane, dhe mendon se praktikat e saj janë në përputhje me ligjet evropiane të privatësisë.

Disa qeveri po përpiqen të hartojnë legjislacion për mjetet e inteligjencës artificiale. Britania publikoi një dokument ku paraqet përqasjen e saj, dhe në Bashkimin Evropian po negociohet miratimi i rregullave gjithëpërfshirëse për inteligjencën artificiale. Administrata e Presidentit Biden kërkon masa më të forta për të testuar sigurinë e mjeteve të inteligjencës artificiale përpara se ato të bëhen të disponueshme për publikun.

“Na duhet ndoshta sistem rregullator. Duhet që njerëzit që i nxjerrin këto produkte të jenë vërtet të kujdesshëm se si i nxjerrin dhe për çfarë i reklamojnë ato. Duhet që edhe ne si përdorues të jemi të kujdesshëm dhe të sigurohemi që nuk u besojmë sistemeve më shumë se ç’duhet”, thotë Anthony Cohen, profesor për arsyetimin e automatizuar, në Universitetin Leeds.

Teknologjia e inteligjencës artificiale po ndërthuret tashmë gjithnjë e më shumë me jetën tonë të përditshme. Dy media në Kuvajt, “Kuwait News” dhe “Kuwait Times”, paraqitën prezantuesen e tyre të parë virtuale, të krijuar nga inteligjenca artificiale. Asaj i është dhënë emri popullor arab Fedha, që përkthehet argjend, dhe ajo shfaqet në ekran për të informuar shikuesit.

voa

Vdes në moshën 86-vjeçare miliarderi italian Silvio Berluskoni

BerluskoniSilvio Berluskoni, manjati i mediave dhe miliarderi që shërbeu si kryeministri më afatgjatë i Italisë, megjithë skandalet dhe akuzat për korrupsion që e shoqëruan, vdiq të hënën në moshën 86 vjeçare.

 

Ai ishte shtruar në spital të premten për të dytën herë gjatë muajve të fundit, pasi vuante nga leuçemia.

Rrjeti televiziv Mediaset, në pronësi të zotit Berluskoni, njoftoi vdekjen e tij nëpërmjet faqes së internetit.

Ndërsa ishte shtruar në spital për shkak të leuçemisë, zoti Berluskoni vuante prej vitesh edhe nga probleme të zemrës, nga kanceri i prostatës dhe ishte shtruar në spital edhe nga COVID-19 në vitin 2020.

Berluskoni përdori rrjetet e tij televizive dhe pasurinë e madhe për të ndërtuar një karrierë politike që mori besnikërinë e mbështetësve, por edhe urrejtjen e kundërshtarëve.

Për admiruesit, politikani që shërbeu tre herë si kryeministër i vendit ishte një burrë shteti i aftë dhe karizmatik, që u përpoq ta ngrejë imazhin e Italisë në skenën botërore. Për kritikët, ai ishte një populist, që rrezikoi të dëmtonte demokracinë, duke përdorur pushtetin politik si mjet për pasurimin e vetes dhe të bizneseve të tij.

Megjithëse zoti Berluskoni nuk mbante vetë ndonjë post, vdekja e tij ka të ngjarë të destabilizojë politikën italiane në muajt e ardhshëm. Partia e tij Forza Italia është pjesë e koalicionit qeverisës të Kryeministres Giorgia Meloni, një udhëheqëse e së djathtës së skajshme, që mori pushtetin vitin e kaluar.

Miqësia e tij me Presidentin rus Vladimir Putin e vendosi në kundërshti me zonjën Meloni, një mbështetëse e vendosur e Ukrainës.

Për ditëlindjen e tij të 86-të, ndërsa lufta vazhdonte, Presidenti rus Putin i dërgoi zotit Berluskoni urime si dhe një shishe vodka. Zoti Berluskoni më pas u mburr se ia ktheu favorin duke i dërguar verë italiane.

Me kalimin e moshës, disa kritikonin paraqitjen e tij, me nxirjen e përhershme të lëkurës dhe transplantet e flokëve, si dhe për të dashurat me të cilat bashkëjetonte dhe që ishin me dekada më të reja se ai. Për shumë vite megjithatë, zoti Berluskoni dukej se ishte i paprekshëm megjithë skandalet personale.

Çështjet penale filloheshin dhe përmbylleshin për shkak të kalimit të afateve në sistemin e ngadaltë të drejtësisë italiane, ose ai i fitonte ato në apel.

Objekt i hetimeve ishin festat e manjatit, ku përfshiheshin vajza të reja dhe të mitur, apo bizneset e tij, si ekipi i futbollit AC Milan, tre rrjetet më të mëdha televizive të vendit, revistat dhe një gazetë e përditshme, si dhe kompanitë e reklamave dhe filmave.

Njëra prej çështjeve gjyqësore përfundoi me dënim për mashtrim me taksat nga shitja e të drejtave të një filmi. Vendimi u konfirmua në vitin 2013 edhe nga gjykata më e lartë e Italisë, por për shkak të moshës 76-vjeçare që kishte në atë kohë, ai u dënua vetëm me shërbim në komunitet për pacientët me sëmundjen Alzheimer.

Ai humbi megjithatë vendin në senat dhe iu ndalua pjesëmarrja në politikë për gjashtë vjet, bazuar në ligjet anti-korrupsion. Zoti Berluskoni qëndroi megjithatë në krye të partisë së qendrës së djathtë Forza Italia, që e krijoi vetë kur hyri në politikë në vitet 1990 dhe emrin e të cilës e huazoi nga thirrjet e tifozëve italianë gjatë ndeshjeve të futbollit. Ai arriti gjithashtu të zgjidhet sërish në Parlamentin Evropian në moshën 82-vjeçare dhe vitin e kaluar edhe në senatin e Italisë.

Partia e tij nuk është më forca dominuese në spektrin e djathtë të politikës në Itali dhe ka humbur terren përballë lëvizjes populiste Lega Nord, të udhëhequr nga Mateo Salvini, dhe më pas lëvizjes me origjinë neo-fashiste Vëllezërit e Italisë, të udhëhequr nga zonja Meloni.

voa