“Mustafa e Vuçiqi e ndanë gjyqësinë në Kosovë” – Nga konferenca për Media e Lëvizjes VETËVENDOSJE!

Në konferencën e sotme për 35 të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ku folën Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, u trajtua marrëveshja e të martës në mëngjes në Bruksel, në mes Isa Mustafës dhe Aleksandar Vuçiqit.Më poshtë i keni deklaratat e plota të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut.

FJALA E ALBIN KURTIT NË KONFERENCËN E SOTME PËR MEDIE LIDHUR ME DIALOGUN NË BRUKSEL MBAJTUR MË 11 SHKURT 2015

Thaçi e Mustafa janë bërë zëvendësa të njëri-tjetrit pa qenë asnjëri prej tyre kryeministër. Ose, për të qenë më të saktë, në televizionet kosovare ata janë të dy kryeministra, mirëpo jashtë tij asnjëri nuk është kryeministër – janë futur në senduiç midis Qeverisë së Serbisë që i pret në Bruksel dhe Listës Serbe që i pret në Prishtinë.

Prandaj, atë që Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia tha Vuçiqit në Beograd, Mustafa e Thaçi nuk guxuan t’ia thonë as Jabllanoviqit në Prishtinë.

Pesë muaj më parë, në Marrëveshjen e 10 shtatorit 2014 midis LAN-it dhe VETËVENDOSJE!-s për një kurs të ri të shtetit, Mustafa ka nënshkruar që është për “dialog cilësor, parimor, të përgatitur mirë, të orientuar dhe të fokusuar në çështjet me interes për Republikën e Kosovës, duke u bazuar në parimin e reciprocitetit dhe respektimin e ndërsjellë të sovranitetit dhe të integritetit territorial. (…) Çështjet që do të dialogohen dhe korniza e dialogut (…) do të miratohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. E të mos flasim për atë që ai u pat zotuar se rezultatet e dialogut të deritanishëm duhet të vlerësohen përmes një komisioni hetimor parlamentar.

Meqenëse po thuhet që kemi Qeveri të re, atëherë a nuk është dashur të kemi edhe debat të ri në Kuvend për dialogun, edhe rezolutë të re para se të shkohet në Bruksel? Për dialogun që rezultoi me marrëveshjen Thaçi-Daçiq është dashur të kemi Komision hetimor parlamentar e deri te shqyrtimi nga Komisioni i Venedikut e jo thellim të asaj marrëveshje siç u bë dje.

Pasi që Thaçi me Daçiqin para dy vjetësh e ndanë policinë në Kosovë, dje Mustafa me Vuçiqin e ndanë edhe gjyqësinë e prokurorinë. Por, a ka mundur Mustafa të flasë me Vuçiqin për gjyqësinë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc? Sigurisht që jo. Atëherë, ku mbeti parimi i reciprocitetit që Mustafa e ka nënshkruar me 10 shtator 2014? Ku mbeti respektimi i ndërsjellë i sovranitetit dhe integritetit territorial që Mustafa e ka nënshkruar me 10 shtator 2014?

Marrëveshja e Brukselit e 19 prillit 2013 midis Thaçit dhe Daçiqit, i vuri themelet e pushtetit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si një instancë e ndërmjetme midis pushtetit lokal dhe qendror, duke konceptuar dhe juridizuar si territorin po ashtu edhe popullsinë e tij.

Territori – Marrëveshja e Brukselit e ka njohur një territor i cili në kuptimin administrativ të legjislacionit të Kosovës ka qenë inekzistent. Pra, territori i cili theksohet me kufijtë administrativ të katër komunave të veriut paraqet bërthamën e bashkimit të komunave me shumicë serbe. Ky bashkim nuk ka qëllim funksional, por ka qëllim konstituiv. Qëllimi është konstituiv sepse po definohet territori si element kryesor për përcaktimin e kompetencave territoriale të bashkimit të këtyre komunave. Ky territor i spastruar nga popullsia shqiptare ose me pjesëmarrje të papërfillshme të saj është ndryshim i gjendjes faktike në terren dhe kjo vërteton përpjekjet e strukturave paralele të Serbisë për vite me radhë që në territorin e caktuar të ndërlidhet edhe pushteti administrativ i cili më vonë do të merr formën dhe elementet e shtetësisë brenda Republikës së Kosovës.

Popullsia e përhershme – Formalizimi i identifikimit të komunave të veriut si komuna serbe është në funksion të perceptimit që në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jeton një popullsi e përhershme me përkatësi të caktuar kombëtare. Kjo vërtetohet edhe me Marrëveshjen e Brukselit e cila bashkimit të komunave me shumicë serbe ia njeh mbikëqyrjen e plotë mbi zhvillimin ekonomik, shëndetësinë, arsimin dhe planifikimin hapësinor. Me ushtrimin e kësaj kompetence, pushteti i bashkësisë së këtyre komunave mirëmban gjendjen e ndryshuar demografike, madje mundëson që edhe më tej të ndryshohet ajo në të njëjtin drejtim. Ata pak shqiptar sa kanë mbetur për të jetuar në territorin e këtyre komunave, do të jenë nën mëshirën e strukturave të këtij bashkimi që sajon bashkësinë serbe.

Qëllimi i Asociacionit është t’i bashkojë Graçanicën, Shtërpcën e komunat e tjera në jug të Ibrit me veriun e Kosovës. Kur Vuçiqi ishte në Graçanicë para një muaji tha që nuk ka serbë të jugut e të veriut, ata janë bashkë. Pikërisht bashkësia e komunave me shumicë serbe e realizon këtë.

Në anën tjetër, qeveria e Kosovës po e pranon një entitet serb brenda Kosovës së pavarur të cilën Serbia vazhdon të mos e pranojë. Jemi në prag të shënimit të shtatë vjetorit të shpalljes së pavarësisë, por me këso marrëveshjesh nuk bëhet shtetndërtimi në Kosovë por realizohet formula e Serbisë: ‘më shumë se autonomi, më pak se pavarësi’ për Kosovën.

Shtrohet pyetja, pse Mustafa po ngutet ta vë nënshkrimin në marrëveshje me Serbinë? Arsyeja është sërish e njëjtë: 70 dosjet në prokurori për krimin urbanistik në Prishtinë. Mustafa e ka kuptuar që porsa vure nënshkrimin te nënshtrimi ndaj Beogradit nuk të nguc ‘drejtësia’ në Kosovë. Pra, kur pajtohesh (politikisht) me Beogradin, fiton imunitet (për korrupsionin) në Kosovë!

FJALA E ALBULENA HAXHIUT NË KONFERENCËN E SOTME PËR MEDIE LIDHUR ME DIALOGUN NË BRUKSEL MBAJTUR MË 11 SHKURT 2015

Rregullimi i synuar përmes pazareve me Serbinë është duke e akomoduar sistemin paralel të drejtësisë.

Nga shteti unik dhe i pandashëm, Kosova do të ngjajë me një krijesë juridike me tipare federale pa një standard sistematiko-juridik.

Marrëveshja e 10 shkurtit ndërmjet nga Mustafës dhe Vuçiqit, e formalizon dhe e juridizon binarizimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial të Republikës së Kosovës.

Ky binarizim konsiston në themelimin e divizionit të veçantë të Gjykatës së Apelit në veri dhe një paneli tjetër të Gjykatës së Apelit në komunat të tjera të ashtuquajtura serbe, dhe themelimi i Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore në Mitrovicën e Veriut me dy degët e tyre – Zubin Potok dhe Leposaviq.

Kuvendi i Republikës, spektator i rastit, do ta kryejë vetëm punën formale të kësaj marrëveshjeje – e që është miratimi i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Gjykata, në mënyrë që ti përshtatet kësaj marrëveshje.

Në vend se burimi i autorizimit primar të jetë Kuvendi i Republikës, ai shndërrohet në patericë dhe mjet të qeverisë që të legalizojë pajtimet e saj në dëm të interesit të Republikës për shpëtimin e emrave individual.

Marrëveshja Thaçi-Daçiq, themelonte një divizion të Gjykatës së Apelit, që do ta ketë selinë në Mitrovicën Veriore dhe një panel tjetër i cili do të gjykon në baza etnike, mirëpo këtij monstrumi të drejtësisë i shtohet shkalla e parë e gjykimit.

Në këtë kuptim, Bashkimi i Komunave Serbe përveç se do ta ketë në komandë të veçantë forcën policore (aparatin e dhunës) me komandant të veçantë regjional të Policisë, Fondin vetanak nga të hyrat doganore, organet qeverisëse të krijesës së quajtur Bashkimi i Komunave Serbe, tani do ta kenë edhe sistemin gjyqësor dyshkallësh.

Elementi i tretë i shtetësisë, që në gjuhën e së drejtës ndërkombëtare publike, njihet përndryshe aftësia juridike dhe e veprimit të shtetit.

Marrëveshja e nënshkruar nga kryeministri Mustafa tejkalon ligjin me të cilin është ratifikuar marrëveshja e 19 prillit. Pra tejkalimi i aktit me epërsi ligjore, e tregon qartë që epilogu i bisedimeve me Serbinë po shpien vetëm deri tek një përfundim – pra deri te NDARJA.

Është lojë e qeverisë së Kosovës, me pajtimin edhe asaj të Serbisë që të mbulojnë efektin juridik dhe politik të marrëveshjes së 10 shkurtit me prezantimin e përbërjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në baza etnike.

Kemi shembuj të mjaftueshëm sikurse shembulli i Gjykatës Kushtetuese, e cila E relativizon përbërjen e saj në aspektin e përfaqësimit etnik. Por, e njëjta ka qenë dhe është në shërbim total të politikave ditore dhe të atyre që ndërlidhen me procesin e dialogimit.

E pas gjitha këtyre favoreve që po i bënë qeveria e Kosovës asaj të Serbisë, tani kjo e fundit shprehet e gatshme për hapjen e kapitullit 35-të që ka të bëjë me Kosovën.

Nuk është tani më me rëndësi për Serbinë raporti i saj me Kosovën dhe efektimi i saj në raport me BE-në.

Tani Serbia e ka penetruar brenda shtetit të Kosovës krijesën e saj të quajtur Bashkimi i Komunave Serbe. Ajo do ta kontrollojë, do ta furnizojë dhe ndihmojë.

Ajo është vetë Serbia brenda Kosovës.

11 shkurt 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>