Një raport i publikuar kohët e fundit tregon se Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shtuar sulmet kibernetike ndaj njëri-tjetrit, madje edhe ndërkohë që diplomatët e lartë nga të dy vendet po punojnë drejt një marëveshjeje për të siguruar se Irani nuk do të ketë armë bërthamore dhe për heqjen e sanksioneve ndaj atij vendi. Ky zhvillim është pjesë e një prirjeje globale në rritje.
Diplomatët më të lartë amerikanë dhe iranianë kanë zhvilluar takime thuajse javore, në përpjekje për një marrëveshje brenda afatit të caktuar në fund të marsit. Por pas kësaj skene po zhvillohet një betejë kibernetike, sipas faqes elektronike The Intercept që bazohet në dokumentet e publikuara nga Edward Snowden.
Publikimi i detajeve nga këto dokumente të dy viteve më parë, kërkon reagime më të fuqishme amerikane ndaj aftësive të përmirësuara të sulmeve kibernetike nga Irani.
Raporti thotë se Irani ka nxjerrë mësime nga virusi Stuxnet i futur në programin bërthamor të atij vendi, nga siç thuhet agjencitë inteligjente amerikane dhe izraelite në vitin 2012.
Incidenti mund t’u ketë treguar udhëheqësve iranianë vlerën e sulmeve kibernetike, krahasur me armët bërthamore më të kushtueshme dhe tejet të debatueshme, thotë eksperti David Stupples me City University London.
“Irani e ka kuptuar tani se ka një armë më të fuqishme në dorë. Nëse investojnë këtu, ata mund të sulmojnë vazhdimisht dhe të arrijnë rezultate me kosto shumë të ulët.”
Një formë elementare sulmi kibernetik paraqitet në këtë video të ekipit të profesorit Stupples nga një incident i kohëve të fundit.
“Kjo faqe interneti tregon për sulmet dhe reagimet. Ngjyra e ndezur tregon se faqja e internetit është e mbingarkuar. Këtu shihen sulmet ndaj faqes dhe praktikisht, faqja e internetit është izoluar tërësisht.”
Një mbingarkesë e tillë, ose sulmet për izolimin e faqes janë irrituese. Problemi kryesor është kur ndodh grabitja e informacioneve apo shkatërrimi i tyre si në rastin e Sony-it vitin e kaluar. Sulme të tilla rrezikojnë jetën e njerëzve duke tejnxehur centralet elektrike ose bllokuar sherbime të ndryshme si trafikun tokësor dhe atë ajror.
Një vit më parë, shefi i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, admirali Mike Rogers, i tha Kongresit se lufta kibernetike do të vazhdojë.
“Lufta kibernetike do të jetë element i pothuajse të gjitha krizave që do të shohim në të ardhmen. Ka qënë në të kaluarën, po shihet në Ukrainë, Siri, Gjeorgji dhe gjithnjë e më shumë po bëhet normë.”
Po ashtu ka shqetësime se grupet terroriste mund të përdorin sulmet kibernetike, thotë Rachel Briggs me Institutin Londinez për Dialog Strategjik.
“Dihet që ekstremistët po përdorin teknologjinë. Me aq sa dihet ata nuk kanë qënë të suksesshëm. Por kjo është çështje kohe.”
Sulmet kibernetike janë me kosto të ulët, pa autorë dhe shpesh të panjohura për publikun, me mudësinë për përdorim më aktiv nga terroristët dhe qeveritë sesa armët konvencionale apo bërthamore. (voa)