Jankullovska, pas përgjimeve fyese: S’kam probleme me shqiptarët

JankulovskaRaportet mes partnerëve të koalicionit qeveritar në Shkup kanë mbetur të palëkundura edhe përkundër ofendimeve të rënda që përdoren nga ministrat maqedonas për kolegët e tyre shqiptarë, të dëgjuara në përgjimet e opozitës.

Ministrja e Brendshme, Gorana Jankullovska, e cila sipas opozitës dëgjohet duke i quajtur ministrat e BDI-së dhe në përgjithësi shqiptarët “indianë dhe të egër”, tha se VMRO-DPMNE-ja ka raporte të nivelit të lartë me partinë e Ali Ahmetit.

“Opozita thotë shumë gjëra, por faktet tregojnë se ato gjëra nuk janë të sakta. Raportet tona me BDI-në në qeveri dhe në institucione janë në nivel të lartë dhe mes nesh ekziston respekt i ndërsjelltë”, deklaroi Jankullovska.

Duke informuar për aksionin e ndërmarrë nga policia maqedonase një ditë më parë në malësinë e Shkupit, që tmerroi banorët shqiptarë të fshatrave Malinë dhe Brezë, Jankullovska tha se të gjitha veprimet e Ministrisë së Brendshme janë në koordinim të plotë me partnerin shqiptar të koalicionit qeveritar.

“Në Ministrinë e Brendshme nuk i ndajmë punët në baza partiake. Në zbardhjen e sulmit që ndodhi ndaj policisë po punojnë shumë pjesëtarë të policisë nga të gjitha bashkësitë etnike. Nëse pyesni a janë të përfshirë shqiptarët, mund të them se të gjithë po kontribuojnë në zbardhjen e plotë të rastit. Dua t’ju them se edhe zëvendësi im, që është shqiptar, i posedon të gjitha informacionet kyçe që kanë të bëjnë me këtë rast dhe me rastet e tjera që janë në interes të qytetarëve dhe ministrisë”, theksoi Jankullovska.

Ajo tha më tej se, gjatë këtij aksioni, i kryer një ditë më parë, policia ka gjetur armatimin që i është marrë nga stacioni policor në fshatin Goshincë gjatë sulmit që ndodhi javën e kaluar. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>