Lëvizja Vetëvendosje kritikon marrëveshjen e arritur mes Prishtinës dhe Beogradit në Vjenë: Shtet brenda shtetit, po i merr Kosovës 10 komuna, me 74 mijë banorë
Marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë ka ngjallur debat mes forcave politike, për shkak të paqartësive të vetë marrëveshjes, por edhe rreziqet që mund t’i vijnë Kosovës pas nënshkrimit të saj. Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, rreziku lidhet me faktin se, në përbërje të Asociacionit do të jenë rreth 10 komuna, me gjithsej rreth 74 mijë banorë dhe me një territor prej rreth 30 për qind të territorit të përgjithshëm të Kosovës.
Komunat brenda Asociacionit (që VV e quan “Zajednica”) do të jenë Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Graçanica, Parteshi, Zveçani, Shtërpca, Novobërda, Zubin Potoku e Ranillugu. Sipas të dhënave të ofruara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), për vitin 2014, numri i banorëve në komuna do të jetë: Mitrovica Veriore – 12,173 banorë, Leposaviqi – 13,515 banorë, Graçanica – 11,720 banorë, Parteshi – 1738 sosh, Zveçani – 7431 banorë, Shtërpca – 6906 banorë, Novobërda – 6,953 banorë, Zubin Potoku – 6,537 banorë, Ranillugu – 3,835 banorë, si dhe Kllokoti me 2,709 banorë, shkruan “Ekspres”.
Marrëveshja e cilësuar si “thembra” e Akilit u arrit javën e kaluar mes Prishtinës dhe Beogradit, më ndërmjetësimin e Brukselit. Prishtina dhe Beogradi zyrtar e kanë quajtur atë një “fitore”, por partitë opozite në të dyja vendet e kanë cilësuar Asociacionin si humbje të sovranitetit të Kosovës/Serbisë. Kundërshtari më i fuqishëm i marrëveshjes është Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila Asociacionit e ka quajtur “Zajednicë” dhe për të cilën pretendon se është “shtet brenda shtetit”, që “defunksionalizon” shtetin e Kosovës.
/Shekulli Online/