Raport i BB: gjendja ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë

Banka BoteroreBanka Botërore parashikon se rritja ekonomike do të jetë e brishtë në Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor. duke arritur në 1.9 për qind për vitin 2015 nga 1.5 që arriti një vit më parë. Vlerësimet jepen në një raport të ri të botuar sot mbi gjendjen ekomonike dhe parashikimet për të ardhmen në Evropë dhe Azinë Qendrore. Evropa Lindore megjithatë po shënon rritjen më të shpejtë – 3.3 për qind për vitin 2015.

Shqipëri

Sipas Bankës Botërore rritja u përshpejtua për Shqipërinë në vitin 2015 dhe pritet të vazhdojë trajektoren pozitive gjatë tre viteve të ardhshme, megjithëse do të jetë nën potencialin e mundshëm të zhvillimit.

Klima e përmirësuar e biznesit dhe eksportet pritet të jenë faktorët kryesorë nxitës, krahas stabilizimit të  konsumit, besimit të  konsumatorit dhe tregjeve të punës.

Konsolidimi fiskal në masë të madhe është mbështetur tek shpenzimet, ndërsa të ardhurat nuk arritën nivelin e pritshmërive, pavarësisht nga masat e reja tatimore, thuhet në raportin e BB.

Parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2015 u ul në 2.7% nga 3% që ishte parashikuar në fillim të vitit për shkak të ndikimit të përmbytjeve në sektorin e bujqësisë dhe pakësimit të prodhimit të naftës në përgjigje të rënies së çmimeve ndërkombëtare.

Në gjysmën e parë të 2015 u bënë konsolidime modeste fiskale për shkak të të ardhurave më të pakta nga parashikimet, duke kushtëzuar kështu një realizim më të ulët të shpenzimeve – veçanërisht të atyre kapitale, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Varfëria pritet të vazhdojë të ulet, ndonëse me ritme të ngadalta. Varfëria, e matur me të ardhura prej 5 dollarësh në ditë, u rrit në 47.5% në vitin 2012 nga 46.7% në vitin 2008 dhe shënoi rënie të lehtë në 46.7% në vitin 2014.

Sipas Bankës Botërore, niveli i papunësisë në tërësi ra nga 17.7% në tremujorin e dytë të 2014 në 17.3% në tremujorin e dytë të 2015. Por mes grupmoshës së re, papunësia u shtua nga 33.5% në 34.2%.

Fluksi i remitancave u ul nga 11.7% të GDP-së në vitin 2008 në 8.4% në vitin 2014 për shkak të kushteve ekonomike në Eurozonë.

Ekonomia shqiptare, sipas Bankës Botërore, pritet të rritjet me 3.4% në vitin 2016 dhe me 3.5% në vitin 2017.

Prespektivat e rritjes për Shqipërinë do të varen nga zbatimi i reformës strukturore në energji, menaxhimin financiar të shpenzimeve publike dhe pensionet.

Tregu gjithmonë i dobët i punës kufizon potencialin e ekonomisë shqiptare. Një nivel i lartë i punësimit informal në Shqipëri pengon rritjen e produktivitetit dhe grumbullimin e të ardhurave.

Zhvillimet në Greqi mund të kenë ndikime më të mëdha nga sa pritej mbi rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe ndaj prespektivës së uljes së varfërisë, duke patur ulje të remitancave, eksporteve dhe investimeve.

Sfida kryesore për Shqipërinë, përfundon raporti i bankës Botërore, është rritja ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës, nga njera anë dhe mbrojtja e shtresave të varfëra të shoqërisë nga ana tjetër.

Kosovë

Sipas parashikimit të Bankës Botërore ekonomia në Kosovë po tregon shenja të mëkëmbjes, e  nxitur kryesisht nga kërkesa e brendshme. Rritja pritet të arrijë në 3% në vitin 2015 dhe 3.6% në vitet 2016-2017, por mundësitë e punësimit do të vazhdojnë të jenë të kufizuara.

Të ardhurat për familjet më të varfëra pritet të shtohen nga rrija e përshpejtuar në bujqësi dhe pakësimi i TVSH-së për ushqimet bazë dhe shërbimet komunale. Por vonesat në zbatimin e disa reformave sociale, si ajo e siguracionit shëndetësor, do të ketë efekte negative.

Ekonomia e Kosovës u rrit me 0.2% në tremujorin e parë të 2015, e nxitur nga shtimi i konsumit privat me 2.3%  dhe rritje e shpenzimeve qeveritare me 1.5%  rritje e konsumit të qeverisë, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Çmimet mbeten të qëndrueshme me deflacion mesatar prej 0.5% gjatë gjysmës së parë të vitit, që duhet të rrisë të ardhurat reale të familjeve.

Megjithatë rritja e pagave në sektorin publik po ndikon duke sjellë çrregullime në tregun e punës. Kështu rritja ekonomike nuk është mbështetur tek krijimi i vendeve të punës.

Sipas raportit të BB, niveli i papunësisë mes të rinjve mbetet i lartë, mbi 61%.

Shumë banorë njoftohet se imigruan ilegalisht në Evropën Perendimore gjatë nëntorit 2014 – qershorit 2015 të shtyrë nga papunësia.

Të ardhurat u rritën me 7% në gjysmën e parë të vitit krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, kryesisht nga përmirësimi i grumbullimit të taksave.

Rritja ekonomike pritet të arrijë 3% në vitin 2015, 3.5% në vitin 2016 dhe 3.7%  në vitin 2017 mbështetur nga shtimi i investimeve të huaja, shtimi i konsumit dhe eksporteve.

Megjithatë, sipas Bankës Botërore kjo rritje mund të rrezikohet nga mosrealizimi i investimeve publike dhe pakënaqësia nga mungesa e vendeve të punës.

Mungesa e sigurisë energjitike mbetet pengesa kryesore për tërheqjen e investime të huaja të drejtpërdrejta.

Dobësitë makroekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria kërkojnë reforma strukturore gjithë-përfshirëse për të nxitur rritjen ekonomike dhe për ta bërë atë të prekshme për të gjitha shtresat në Kosovë, përfundon rapaorti i Bankës Botërore. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>