Ymeri:Hedhja e gazit është shokues por…

BugajskiËshtë koha për “The Bugajski Hot Seat” me mysafirin tonë special, z. Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, që është partia kryesore opozitare në Kosovë. Mirë se vini në emision.

Mirëmbrëma dhe mirë se vini në “The New Bugajski Hour”. Jam i lumtur që u ktheva në Prishtinë për të shqyrtuar zhvillime të rëndësishme globale dhe lokale të cilat ndikojnë në jetën e të gjithë kosovarëve. Sot do të diskutoj çështje të rëndësishme me një figurë të madhe politike. Mysafir i yni në “Bugajski Hot Seat” është kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

Është koha për “The Bugajski Hot Seat” me mysafirin tonë special, z. Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, që është partia kryesore opozitare në Kosovë. Mirë se vini në emision.

Ymeri: Faleminderit.

Bugajski: Kemi shumë gjëra për të diskutuar dhe kisha dashur ta shfrytëzoj këtë rast për ta kuptuar më mirë Vetëvendosjen. Kështu edhe shikuesit amerikanë mund ta kuptojnë më mirë partinë tuaj, lëvizjen tuaj, duke kuptuar programin tuaj, politikat dhe strategjitë në politikën e brendshme dhe të jashtme. Më lejo të fillojmë me një pyetje të përgjithshme, për të cilën mendoj se është mjaft e rëndësishme nga pikëpamja e analistëve politikë, por edhe e politikbërësve. Ku qëndroni në spektrin politik, nëse i përkisni ndonjë spektri, a jeni të majtë? A jeni të qendrës? A jeni të djathtë? A jeni nacionalistë? Internacionalistë? Si e definoni ideologjinë e cila ju përshkruan juve më së miri.

Ymeri: Si lëvizje politike, ne lehtësisht mund ta marrim epitetin e programit social-demokratik. Ndërsa në atë që e quajmë alternativa qeverisëse e programit politik të Vetëvendosjes, ne propozojmë një shtet i cili ka tri shtylla kryesore. Shtylla e parë është shteti i së drejtës, i cili mungon në Kosovë, sepse sistemi aktual i drejtësisë në Kosovë është krejtësisht i kapur nga qeveria dhe si i tillë nuk mund të prodhojë drejtësi të barabartë për qytetarët e Kosovës. Shtylla e dytë, e cila është shumë e rëndësishme për Kosovën, është ajo e ekonomisë, që e quajmë programi zhvillimor i shtetit, ku shohim se institucionet e shtetit kanë rol të madh në ofrimin e një mjedisi ku prodhuesit vendorë mund të lulëzojnë dhe përmes të cilit ne do të mund ta luftonim deficitin tregtar, të cilin për momentin e kemi jashtëzakonisht të madh. Kosova eksporton në vlerë prej 10 për qind të importit të saj, prandaj lehtë mund të konkludohet se kjo ekonomi nuk është e qëndrueshme. Prandaj, për këtë fazë zhvillimore mendojmë se duhet t`i mobilizojmë të gjitha resurset që i kemi, ato natyrore, financiare dhe njerëzore, për zhvillimin ekonomik të vendit. Ne i shohim institucionet e shtetit, institucionet publike, të kenë rol të rëndësishëm në këtë. Ndërsa shtylla e tretë është shteti social, ku shohim më shumë drejtësi sociale, shpërndarje më të drejtë të pasurisë në Kosovë, me qëllim që të zvogëlohet hendeku në rritje mes të pasurve dhe të varfërve në Kosovë.

Bugajski: Pra e shihni veten si një formacion social-demokratik i qendrës së majtë, që i afrohet kujt? Ndoshta Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, socialdemokratëve në Gjermani?

Ymeri: Është vështirë të bëhet një analogji e tillë me cilëndo parti politike, sidomos në Evropën Perëndimore, sepse Kosova jeton në kushte krejtësisht tjera. Ne si shoqëri jemi në një nivel më të ulët të zhvillimit sesa shoqëritë perëndimore. Mu për këtë edhe propozimet dhe programi jonë është diçka më ndryshe nga ajo që do të shihnit në kuadrin e socialdemokracisë evropiane. Mirëpo ka edhe ngjashmëri, p.sh. me politikat e presidentit Obama, posaçërisht më duhet t`i përmend disa nga fjalimet e tij, ku ai theksoi shumë nevojën për barazi, nevojën për t’ia kthyer vendet e punës Amerikës, duke përmendur edhe investimet publike të cilat do të gjeneronin shtytje për ciklin ekonomik. Në këtë aspekt edhe mund të gjeni shumë ngjashmëri me parti të ndryshme politike.

Bugajski: Ndoshta jeni më të ngjashëm me Bernie Sanders, një social demokrat, i cili njihet edhe si progresist?

Ymeri: Po, ka disa ngjashmëri edhe me të gjithashtu. Mendoj se edhe spektri politik në botën perëndimore po ndryshon. Siç mund të shohim, edhe brenda Amerikës, në Partinë Demokratike kemi një person si Bernie Sanders, i cili është në konkurrencë për garë për president të ShBA-së dhe ai ka lëvizur më shumë në të majtë. Bile më shumë se presidenti Obama. Ne e dimë se presidenti Obama ishte një befasi me politikat e tij. Nga ana tjetër, kemi ndryshimet e ngjashme në Partinë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar me Corben, i cili mori udhëheqjen e Partisë Laburiste. Pra ka disa ndryshime dhe i shohim këto duke ndodhur në shoqëritë perëndimore, sepse përmes politikave neoliberale kemi këtë zgjerim të dallimit midis të pasurve dhe të varfërve, kurse klasa e mesme në njëfarë mënyre po zhduket ngadalë. Ndërsa klasa e mesme ishte garancia i këtyre partive të qendrës së majtë dhe asaj të djathtë. Ndërsa tani me lëvizjen e kësaj klase të mesme dhe me antagonizmat e rinj në sferën sociale, kjo që po vjen, mendoj se është një reflektim po ashtu edhe në sferën politike.

Bugajski: Disa do të thoshin se si Corben, ashtu edhe Sanders, janë shumë të majtë që të votohen nga shumica, madje edhe shumica e klasës së mesme jo domosdoshmërish do t`i votonte ata. Por do të shohim, sepse ende është herët.

Ymeri: Fakti që ata kanë lëvizur kaq majtas, është diçka që duhet të merret parasysh.

Bugajski: Natyrisht. Të përqendrohemi tani më specifikisht tek Vetëvendosja. Do të flasim edhe për politikën e jashtme më vonë, por të fillojmë me politikën e brendshme brenda dhe jashtë Kuvendit. A mund të na shpjegoni pse Vetëvendosje dhe partnerët e tuaj të koalicionit kanë penguar punën e disa seancave të Kuvendit me gaz lotsjellës, me bilbila, me protesta të tjera? A mendoni se kjo e pengon procesin demokratik?

Ymeri: Mendoj se përgjegjësia e parë dhe detyra kryesore e deputetëve është mbrojtja e integritetit territorial dhe sovranitetit. Ne jemi betuar të gjithë për një gjë të tillë. Secili deputet, para se të bëhet anëtar i Kuvendit, betohet, duke thënë se ne jemi garantuesit e mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Që të dyja, edhe sovraniteti, edhe integriteti, janë kërcënuar nga marrëveshjet që ka nënshkruar Qeveria e Kosovës, në njërën anë në Bruksel me Serbinë dhe në anën tjetër me Malin e Zi në lidhje me demarkacionin e kufirit. Si të tilla, edhe i pamë këto marrëveshje si kërcënim direkt i integritetit territorial dhe sovranitetit tonë. Po, në Kuvend ndoshta është shokuese të shihet përdorimi i gazit lotsjellës, por situata e tanishme në Kosovë, ku Qeveria e Kosovës vazhdimisht nuk e respekton Kuvendin dhe vazhdimisht merr masa për ta bërë atë një rimorkio të vendimeve qeveritare, nuk kishte mjete tjera me të cilat do të parandalonim që këto marrëveshje të zbatohen.

Bugajski: A jeni duke thënë se Kuvendi do të duhej të ishte më i hapur për debat për këto çështje, për marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi?

Ymeri: Po. Kuvendi do të duhej të ishte vendi ku merren këto vendime. Sepse Kuvendi është niveli më i lartë i legjislativit dhe i përfaqësimit politik në Kosovë.

Bugajski: Por qeveria do të mund t’ju mbivotojë juve në kuvend?!

Ymeri: Por marrëveshjet të cilat janë nënshkruar në Bruksel me Serbinë, është thënë specifikisht se nuk do të sillen para Kuvendit, por do të bëheshin me anë të dekretit qeveritar i cili do të shqyrtohej nga Gjykata Kushtetuese. Asociacioni me komuna me shumicë serbe do të themelohej si i tillë. Prandaj ata e anashkaluan Kuvendin edhe formalisht në këtë rast.

Bugajski: Paradoksalisht, ju jeni duke thënë se është qeveria ajo e cila po e delegjitimon kuvendin dhe jo ju me anë të veprimeve tuaja.

Ymeri: Po, kjo është e vërtetë dhe nuk është hera e parë që e bëjnë këtë. Kemi parë se çfarë bënë me Gjykatën Speciale gjatë gushtit të viti 2015. Gjatë votimit të parë, Kuvendi i tha jo Gjykatës Kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese të cilat do të hapnin rrugën për themelimin e Gjykatës Speciale. Por një muaj më vonë qeveria prezantoi amendamentet e njëjta dhe shfrytëzoi taktika kushtëzuese, të dhunshme, kundër disa deputetëve të kuvendit për ta fituar votën e tyre “pro” dhe pastaj ajo edhe u aprovua. Për një muaj 7 deputetë ndryshuan mendjen për një çështje specifike dhe shumë të rëndësishme në Kosovë. Ky edhe është një indikator i qartë se si qeveria e keqpërdor kuvendin për vendimet e saj.

Bugajski: Çfarë duhet të bëhet atëherë, në mënyrë që lëvizja juaj dhe pjesëtarët e tjerë të opozitës t`i kthehen veprimeve normale në kuvend?

Ymeri: Tani kemi arritur në një fazë tjetër. Protesta jonë filloi duke kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe me Malin e Zi. Ashtu si e dini edhe ju, kemi filluar protestën me peticion, ku rreth 205 mijë qytetarë të Kosovës e kanë nënshkruar peticionin kundër këtyre marrëveshjeve, por qeveria nuk e mori fare parasysh. Pastaj filluam me protesta të shkallës më të ulët, për të tërhequr vëmendjen e qeverisë se këto marrëveshje nuk do të pranohen. Qeveria e injoroi edhe këtë. Në fund u detyruam të fillojmë edhe me masa protestuese drastike, për të na dëgjuar. Tani kemi arritur deri te pika ku, për shkak të protestave, presidentja e Kosovës i dërgoi këto dy çështje në Gjykatë Kushtetuese, parimet e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në këtë çështje, Gjykata Kushtetuese ,në dhjetor të vitit të kaluar, gjykoi se e tërë marrëveshja e 25 gushtit bënte shkelje totale të Kushtetutës së Kosovës. 23 nene të Kushtetutës së Kosovës janë shkelur nga këto parime. Ajo çfarë tha Gjykata është se kjo marrëveshje rrezikon tërë rendin kushtetues të Kosovës. Pra nuk është vetëm dhunim i kushtetutës, por e rrezikon sovranitetin dhe marrëdhënien bazë mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale, e cila është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës. Kështu kjo qeveri nuk mund të vazhdojë së qeni Qeveri e Kosovës. Nuk mund të veprojë si e tillë. Pra kërkesa jonë…

Bugajski: Gjykata Kushtetuese nuk e ka thënë këtë! Këtë po e thoni ju?!

Ymeri: Po, ne po e themi këtë. Gjykata Kushtetuese vetëm se ka thënë se marrëveshja ishte në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Natyrisht, kur qeveria ka nënshkruar një marrëveshje me një palë të tretë, me një shtet të jashtëm, që rrezikon vetë bërthamën e sovranitetit të Kosovës, kjo qeveri atë çfarë mund ta bëjë së paku, është që të japë dorëheqje. Por, atë çfarë shohim tani është se, jo vetëm se ata nuk po dorëhiqen, por po thonë se do të vazhdojnë me procesin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe pse është gjykuar nga Gjykata Kushtetuese se kjo do ta rrëzonte rendin kushtetues të Kosovës.

Bugajski: Pra ju nuk do t`i pranonit ndryshimet në marrëveshje, të bëra sipas shkeljeve të veçuara nga Gjykata Kushtetuese?

Ymeri: Kjo duhet të shihet nga një pikëpamje më e gjerë. Ajo është se Kosova është përfshirë në dialog me Serbinë që nga viti 2011. Që nga viti 2012 ky dialog ka kaluar në nivel më të lartë, pra në nivel të kryeministrave. Ky dialog i është prezantuar botës si një i tillë që do t`i normalizojë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por në realitet është një dialog i cili po shfrytëzohet nga Serbia për dy qëllime. Njëri qëllim ka të bëjë me përafrimin me BE-në, ndërsa tani edhe e kanë fituar statusin e vendit kandidat dhe kanë filluar negociatat e bashkimit. Ndërsa sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ata po e shfrytëzojnë dialogun për t`i rikrijuar institucionet e tyre brenda Kosovës, për t`i përmbushur kërkesat dhe interesat e tyre.

Bugajski: Por Bashkësia Ndërkombëtare, më mirë të them BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara, kanë qenë shumë të përfshira në këtë proces qysh prej fillimit. Dhe as ShBA-ja e as BE-ja nuk do të lejonin që të arrijmë deri te një situatë ku sovraniteti i Kosovës do të rrezikohej nga Serbia. Ata kanë për qëllim që Serbia në fund ta njohë Kosovën, e jo ta riabsorbojë atë. A nuk pajtoheni me këtë?

Ymeri: Mendoj se ajo që është duke ndodhur aktualisht është se Serbia po largohet edhe më shumë nga njohja e Kosovës. Apo ndoshta ajo që Serbia është duke synuar të bëjë është që ndoshta në fund edhe ta njohë Kosovën si shtet sovran, por vetëm pas arritjes së krijimit të një institucioni të brendshëm në Kosovë, i cili do të ngjajë me “Republika Srpska” në Bosnjë. Sepse Serbia e ka njohur Bosnjën dhe Hercegovinën më 1995, pas marrëveshjes së Dejtonit, por vetëm pasi Izetbegoviq dhe Bosnja e pranuan një Serbi brenda Bosnjës. Kjo është pak a shumë se ku po shkon Kosova përmes këtij dialogu. Natyrisht me hapa dhe shpejtësi tjetër, sepse Dejtoni mori fund pas dy javësh, ndërsa kjo po zgjat për vite të tëra. Dejtoni kishte për qëllim të përfundojë luftën e përgjakshme në Bosnjë dhe Hercegovinë, por pasi po jetojmë në kohë më paqësore, atëherë shpejtësia e veprimit është më e ngadaltë.

Bugajski: Ju po thoni se Serbia do ta pranonte Kosovën të pavarur vetëm sipas modelit të Bosnjës?!

Ymeri: Vetëm pasi Kosova të pranojë të ketë një republikë brenda saj.

Bugajski: Sistem dy entitetesh është ajo që po thoni!

Ymeri: … që do të kontrollohet plotësisht dhe politikisht nga Serbia. Kur vijmë tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe, më fal por më duhet të them edhe këtë, Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili sipas marrëveshjes së gushtit dhe marrëveshjes së parë të vitit 2013, pak a shumë i ngjan fuqisë që ka një republikë, sepse ka fuqi ekzekutive dhe ligjvënëse, situata është edhe më e keqe se në Bosnjë. Sepse në Bosnjë së paku Republika Srpska nuk ka lidhje formale me Beogradin, me qeverinë serbe, edhe pse në realitet e dimë se janë të lidhura. Por jo edhe formalisht. Me Asociacionin e komunave me shumicë serbe janë edhe këto lidhje të qarta formale, ku Serbia do të ishte garantuese e marrëveshjes dhe të zbatimit të saj, pra është njëra nga palët nënshkruese. Marrëveshja nuk mund të interpretohet njëanshëm nga asnjëra prej palëve, por ato duhet të merren vesh që i njëjti interpretim të jetë për të dyja palët.
E kjo do të thotë se krijimi në Kosovë i çfarëdo asociacioni të komunave me shumicë serbe do të duhej të bëhej në marrëveshje me Serbinë. Ky është problemi i parë. Problemi i dytë është se ka lidhje të drejtpërdrejtë financiare mes Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shtetit të Serbisë, ku Serbia është një prej palëve që e financon buxhetin e asociacionit. Kjo gjë i jep mjaft shumë fuqi Serbisë, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht, mbi asociacionin e komunave me shumicë serbe, gjë që do të thotë se indirekt kjo i jep mjaft shumë fuqi mbi Kosovën.

Bugajski: Çfarë do të ishte sugjerimi juaj? Cili është qëndrimi juaj? Që të anulohet tërësisht marrëveshja dhe të mos implementohet në asnjë mënyrë apo formë, apo do të duhej të kishte ndonjë leje për një sasi të caktuar të autonomisë kulturore, linguistike e të ngjashme, për pakicën serbe në Kosovë. Cili është qëndrimi juaj ndaj çështjes së  pakicës serbe në Kosovë?

Ymeri: Pakicat në Kosovë kanë tanimë mjaft të drejta, bile më shumë sesa që përshkruhet nga standardet e BE-së, sa i përket të drejtave të cilat kanë të bëjnë me atë që u përket pakicave. Me Kushtetutën e tanishme, komunitetet pakicë kanë të drejta, sidomos serbët, sepse mendoj se nuk ka barazi mes pakicave ngase serbët janë më të privilegjuar. Ata kanë shumë të drejta dhe i kanë edhe komunat me shumicë serbe, ku më shumë kanë të drejta në nivelin e qeverisjes lokale sesa që kanë komunat tjera. Pra parimisht, komuna e Mitrovicës së Veriut ka më shumë kompetenca sesa që ka komuna e Prishtinës, e cila është edhe kryeqytet, kjo sipas Kushtetutës së tanishme. Në këtë aspekt, ajo që na duhet ne si Kosovë, është të pyesim veten se në çfarë shoqërie duam të jetojmë. Ne në Vetëvendosje besojmë se shoqëria më e mirë për të jetuar është ajo e cila bazohet në barazi mes qytetarëve, por edhe në integrim dhe bashkëpunim, e jo përmes ndarjes etnike në terren, gjë që parandalon integrimin dhe bashkëpunimin. Kur plani i Ahtissarit është prezantuar në Kosovë, mes tjerash është prezantuar nën parullën e të drejtave të njeriut. Përmes të drejtave të njeriut, ajo që kemi në terren është segregimi dhe jo integrimi. Pra është krejtësisht në kundërshtim me pohimin kryesor të lëvizjes civile në vitet e 60-ta në SHBA, atëherë segregimi ishte kundër të drejtave themelore të njeriut. Aktualisht segregimi po na prezantohet si e drejtë themelore njerëzore dhe nuk mendoj se kjo është mënyra për të ecur përpara.

Bugajski: Por pse ndërkombëtarët në Berlin, Bruksel dhe në Uashington do të insistonin të themelonin edhe një shtet me të cilin do të ishin të frustruar? Me fjalë tjera, Bosnja është një frustrim për komunitetin evropian. Nuk mund të implementojnë reformat, sepse gjërat vazhdimisht bllokohen nga qeveri të ndryshme. E kanë edhe sistemin e votimit të bazuar në entitete. Bllokimet nga Republika Srpska në nivelin e legjislativit kombëtar, pamundësia për të formuar qeveri në Federatë. Në rast se skenari i ngjashëm zhvillohet në Kosovë, atëherë do të kemi edhe një shtet të dështuar. Përse do të donte një gjë të tillë Bashkësia Ndërkombëtare?

Ymeri: Së pari duhet të kemi parasysh se Bashkësia Ndërkombëtare, shtetet që i kanë ndihmuar Kosovës dhe e kanë njohur atë dhe përkrahur për një kohë të gjatë, sikurse Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Franca, por posaçërisht Shtetet e Bashkuara, nuk mund të vihen në pozitë ku ata do të mbronin interesin e Kosovës më shumë se vet qeveria jonë. Në këtë aspekt, kjo gjë edhe duhet të merret parasysh. Ka një rend këtu. Pra, nëse Qeveria e Kosovës e nënshkruan një marrëveshje dhe pohon se ajo është në përputhshmëri të plotë me interesat tona, atëherë ajo edhe do të pranohet nga shtetet të cilat e kanë pranuar Kosovën shtet sovran. Por nëse Qeveria e Kosovës refuzon të nënshkruajë një marrëveshje të tillë, ashtu edhe siç është dashur të bëjë, atëherë do të merrnin ndihmë lidhur me këtë refuzim nga shtetet që zakonisht na ndihmojnë.

Bugajski: Por, a mendoni se kjo marrëveshje është një kusht i vënë nga BE-ja dhe nga ShBA-ja? Me qëllim që pastaj të lëvizet me Kosovën drejt Bashkimit Evropian. Mu ashtu siç ishte kusht edhe për Serbinë që të fillojnë bisedimet për pranim?

Ymeri: Po. Mund të ketë biseda joformale dhe kushtëzime joformale ndaj Kosovës për të cilat nuk jam në dijeni. Por atë që e them është se së paku, sipas diskursit publik dhe deklaratave publike të zyrtarëve, të gjitha shtetet thonë se do të pranonin çdo gjë që do të pranonte edhe Qeveria e Kosovës. Edhe vet sekretari Kerry, kur ishte këtu në fund të vitit të kaluar, e tha një fjali e cila për mua tregon shumëçka. E kjo është “Ne nuk do të pranojmë asnjë marrëveshje që do ta anashkalojë sovranitetin e Kosovës”. Kjo për mua e ka kuptimin se, nëse më bindni si qeveri dhe shoqëri se një marrëveshje e tillë e rrezikon sovranitetin, atëherë unë nuk do ta pranoja këtë marrëveshje. Por pasi keni vënë nënshkrimin tuaj atje, kjo ma thotë të kundërtën. Dhe në këtë aspekt natyrisht që po e përkrah marrëveshjen. Prandaj mendoj se përgjegjësia për ta udhëhequr vendin tonë mbetet te ne. Ne nuk presim që të tjerët të udhëheqin dhe të bëjnë më shumë për vendin tonë sesa ne si shoqëri dhe si qeveri. Në këtë aspekt, ajo që mendoj se është duke ndodhur me këtë dialog, duhet të kuptohet se çfarë është duke u arritur përmes këtij dialogu, e që është në kundërshtim të plotë me dialogun dhe atë se si është paraqitur vet dialogu. Në esencë, ne nuk jemi duke i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, sepse një gjë e tillë është e pamundur pa njohjen e Serbisë. Në momentin kur Serbia e njeh Kosovën, atëherë po, mund të kemi një dialog me Serbinë. Ky do të ishte vërtete një dialog midis partnerëve të barabartë, që kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Bugajski: Pra, ju po thoni se njohja duhet të vijë e para e jo procesi i cili duhet ta sjellë një gjë të tillë, pra të krijojë besimin mes dy qeverive për të qenë në gjendje që ta njohin njëra-tjetrën?

Ymeri: Është e domosdoshme. E dini, Kroacia e ka nënshkruar një marrëveshje me Republikën Federale të Jugosllavisë për normalizimin e marrëdhënieve në vitin 1996, pra një vjet pas luftës në Kroaci. Kjo marrëveshje u bë e mundur vetëm pasi të dyja palët e njohën njëra-tjetrën shtete të pavarura dhe njohën kufijtë e njëra-tjetrës. Pa një gjë të tillë nuk ka normalizim. Më fal, vetëm të vazhdoj edhe pak. Ky dialog na është prezantuar si mjet i vetëm për integrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë. Kjo gjithashtu nuk është e vërtetë. Dialogu dhe rezultatet e tij kanë treguar se jemi duke e segreguar shoqërinë, sepse jemi më të ndarë në Kosovë, e më pak të integruar. Në këtë aspekt mendoj se duhet të përdoren mjete krejtësisht tjera. Një prej tyre është se me Serbinë duhet të kemi politikë tjetër. Me serbët e Kosovës duhet të kemi një dialog të hapur.

Bugajski: Doja të dilja këtu. Më la përshtypje se diskutimi më së paku ka të bëjë me pakicën serbe në Kosovë. A jeni duke sugjeruar një dialog të intensifikuar me liderët e komunitetit serb këtu?

Ymeri: Mendoj se dialogu i mirëfilltë në Kosovë do të ishte ai midis institucioneve qendrore dhe qytetarëve të Kosovës, në këtë rast me pjesëtarët e pakicës serbe që jetojnë në Kosovë, e që janë banorë të Kosovës. Ky dialog duhet të jetë i hapur dhe demokratik, e jo pas dyerve të mbyllura në Bruksel, por dialog i hapur në Kosovë. Qëllimi duhet të ishte jo pajtimi ashtu si kemi pasur shumë konferenca deri tani, por duhet të ishte i bazuar në zhvillim dhe integrim përmes integrimit dhe zhvillimit social. Një dialog i tillë i mirëfilltë do t`i integronte të gjithë qytetarët e Kosovës brenda sistemit shtetëror, ekonomik dhe social. Kjo nuk është një punë e thjeshtë, por është e domosdoshme për të krijuar një shoqëri që duhet ta krijojmë. Shoqëria e cila është qëllimi ynë, nuk diskriminon, por nuk jep as privilegje, sepse privilegjet janë diskriminim. Privilegjet për disa janë diskriminim për të tjerët. Për momentin kemi shumë të privilegjuar, ndërsa të privilegjuarit më të këqij që i kemi aktualisht janë politikanët e korruptuar, të cilët e kanë kapur shtetin dhe e përdorin për qëllime të tyre.

 

Bugajski: A do ta përshkruanit partinë tuaj si parti civile, parti të qytetarëve dhe jo një parti të bazuar në etni?

Ymeri: Po, por mendoj se, edhe pse nuk është e lehtë që në mënyrë empirike të theksohet, por programi i Vetëvendosjes e ka këtë dimensionin e madh civil, sepse theksojmë se vendimmarrja kryesore politike u takon qytetarëve. Pra Vetëvendosje do të thotë të vendosësh për veten.

Bugajski: A keni pjesëtarë të pakicave në pozita të larta të partisë?

Ymeri: Jo në pozita të larta. Por kemi disa anëtarë të pakicave. Janë të paktë në numër. Nuk kemi ende serbë të cilët janë bërë anëtarë të Vetëvendosjes. Kemi boshnjakë, ashkalinj, romë…

Bugajski: …turq?

Ymeri: Nuk jam i sigurt për turqit? Më duhet të verifikoj. Por çfarë dua të them është se, posaçërisht sa u përket serbëve që jetojnë në Kosovë dhe për shkak të strukturave paralele serbe, është për momentin e pamundur që të kemi mundësi të flasim me ta, sepse nuk mund t`i kontaktojmë. Sa herë që duam të diskutojmë me serbët që jetojnë në Kosovë, e kemi këtë diskutim të ndërmjetësuar nga struktura ilegale kriminale paralele të cilat kanë mbetur në Kosovë, në polici, gjyqësi, në shëndetësi, arsim dhe në sistemet tjera. Prandaj, në këtë aspekt është vet Serbia ajo e cila më së shumti i pengon serbët dhe integrimin e tyre në Kosovë. Serbia nuk i do serbët e integruar në Kosovë, sepse kështu mund t’i përdorë serbët e Kosovës si instrument politik në duart e tyre.

Bugajski: Edhe pse është instrument mjaft i vogël sa i përket numrave?

Ymeri: Ashtu është. Një instrument i vogël por është shfrytëzuar në mënyrë shumë efikase nga Serbia deri më tani. Nuk mendoj se është drejtë dhe e mirëfilltë nëse Kosova i lë serbët në duart e Serbisë. Ne duhet të marrim përgjegjësi për serbët që jetojnë në Kosovë. Ne për ta duhet të ofrojmë siguri, mirëqenie, vende pune, arsimim, shëndetësi dhe shërbime të tjera që shteti duhet t`i ofrojë për qytetarët e vet.

Bugajski: Të vazhdojmë tutje. Në aspektin e politikës së brendshme. Prej sa kuptoj unë, ju i keni dhënë qeverisë një afat kohor për të dhënë dorëheqje deri në fund të shkurtit. Më thoni nëse e kam gabim? Nëse është ashtu, çfarë do të ndodhë nëse ata nuk dorëhiqen? A jeni duke planifikuar ndonjë aktivitet apo protestë me aksion? Çfarë do të jetë përgjigja juaj?

Ymeri: Në protestën e mbajtur ditën e pavarësisë, më 17 shkurt, i kemi dhënë 10 ditë qeverisë, deri me datën 27 shkurt, në mënyrë që ata të japin dorëheqje. Por nëse ata nuk e bëjnë këtë, ne do të organizojmë protesta, natyrisht, të cilat do të intensifikohen gjatë kohës, sepse e shohim se kjo qeveri dhe mënyra se si ajo është marrë me Kosovën, por edhe nga mënyra se si i kanë anashkaluar proceset e mirëfillta në Kosovë, nuk mund të jetë qeveri e Kosovës dhe si shoqëri, si shtet duhet ta shfrytëzojmë këtë rast për të lëvizur në një drejtim tjetër të zhvillimit. Deri më tani, për 16 vite Kosova i ka shfrytëzuar këta mekanizma, pra edhe prezenca ndërkombëtare nën UNMIK-un, një ashtu edhe qeveria pas deklaratës së pavarësisë, pra prej vitit 2008 kemi shfrytëzuar mekanizmat e njëjtë pak a shumë, për t`i zgjedhur çështjet me të cilat jemi duke u ballafaquar. Ndërsa këta mekanizma janë dëshmuar të gabuar dhe situata në të cilën gjendemi për momentin është më e keqe dhe po përkeqësohet në baza vjetore. Ky është një lloj alarmi se gjërat duhet të bëhen ndryshe në Kosovë. Ajo që ne si Vetëvendosje jemi duke propozuar, është se duhet t`i kemi këto ndryshime në të gjithë sektorët e jetës politike. Ne duhet të ndryshojmë marrëdhëniet midis institucioneve dhe përgjegjësive që i kanë ato ndaj qytetarëve, e jo t`i shikojmë qytetarët e Kosovës, ashtu si i sheh qeveria e tanishme vetëm si votues dhe taksapagues. Pra duhet përfundimisht të shihen si qytetarë që kanë të drejta dhe si qytetarë sovranë të cilët e kanë shtetin në pronësi.

Bugajski: Pra, ju do të promovoni protesta sociale dhe demonstrata paqësore besoj dhe jo veprime të dhunshme si përgjigje për mosdorëheqjen e qeverisë. Këtë e them, sepse Bashkësia Ndërkombëtare ka brenga se Kosova mund të destabilizohet nga veprimet e dhunshme dhe protestat.

Ymeri: Mendoj se ky është një frikësim të cilin po e prezanton qeveria jonë. Më 17 shkurt ky ishte edhe deklarimi i tyre publik, posaçërisht i ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, njërit nga liderët e koalicionit, cili tha se ka pritur që opozita të shkojë tek qeveria në mënyrë që t’ju japin atë që meritojnë. Ky ishte një kërcënim direkt nga qeveria tek populli. Kjo nuk është mënyrë demokratike për t’u marrë me çështjet. Procesi demokratik në Kosovë po pengohet nga dy aspekte shumë të rëndësishme. Aspekti i parë është përmes shtetit të kapur, ndërsa në shtetin e kapur, palët të cilat janë në qeveri e përdorin aparatin shtetëror për përfitime personale. Ndërsa aspekti i dytë janë nivelet e arta të korrupsionit, të cilat i kanë bërë këta politikanë shumë të pasur, të cilët e shfrytëzojnë varfërinë e qytetarëve për të përfituar politikisht. Ky cikël i pafund vicioz duhet të ndalet.

Bugajski: Duke u përgjigjur në pyetjen time, je duke e përjashtuar përdorimin e dhunës, po besoj.

Ymeri: Atë që po them është se duhet të tregojmë determinim dhe atë do e bëjmë përmes protestave, se kjo qeveri nuk kalon, se duhet të japë llogari.

Bugajski: Protestë vetëvendosjeje!

Ymeri: Determinim! Në këtë aspekt duhet thënë se qeveria e tanishme e Kosovës dhe mënyra se si ata do të merren me situatën do të përcaktojë të ardhmen e jetës politike dhe sociale në Kosovë. Ka pasur 2 protesta të mëdha që kanë ndodhur këtë vit, më 9 janar dhe më 17 shkurt. Që të dyja kanë pasur rreth 100 mijë njerëz si pjesëmarrës. Ajo që shihet në këto protesta, e që është ndryshe nga protestat e mëhershme, është se edhe aty kemi mbërritur deri në një fazë të re. Nuk është vetëm grupimi i partive politike opozitare që proteston kundër qeverisë, por edhe shoqëria civile, janë edhe intelektualët e Kosovës, sindikatat e pavarura. Pra tani është zhvilluar një lëvizje shoqërore në Kosovë, e cila shkon përtej tri partive politike opozitare dhe e cila kërkon vendosmërisht që kjo qeveri të dorëhiqet.

Bugajski: Pra ju shihni që përkrahësit tuaj po e zgjerojnë bazën.

Ymeri: Jo domosdoshmërish, ata mund të mos e përkrahin Vetëvendosjen, AAK-në apo Nismën, por janë përkrahës të çështjes dhe kjo është shumë me rëndësi. Pra në parim atë që kemi tani, është se emëruesi i përbashkët më i ulët për të gjithë këta njerëz që vijnë nga sferat e ndryshme të jetës në vend, është se Kosova nuk mund të qeveriset më nga këta njerëz. Mendoj se kjo është një porosi shumë e rëndësishme që duhet t`i dërgohet qeverisë dhe pjesës tjetër të botës, se shoqëria e Kosovës dhe qytetarët po lëvizin politikisht. Po bëhen më të përcaktuar politikisht dhe nuk do të pranojnë të jetojnë edhe më tej në kushte të tilla në Kosovë.

Bugajski: Ndoshta vlen para-supozimi se frustrimi publik duhet të kanalizohet përmes krijimit apo zhvillimit të partive politike, për ta sfiduar qeverinë përmes zgjedhjeve legjitime demokratike, por jo vetëm përmes protestës në rrugë dhe presionit publik. Një gjë e tillë mund ta rrëzojë një qeveri, por nuk krijon asgjë. Prandaj supozoj energjia duhet të shpenzohet në krijimin e partive dhe konsolidimin e tyre për ta sfiduar partinë në pushtet gjatë zgjedhjeve, që kanë legjitimitet publik, program të mirë, që nuk janë të korruptuar, që kanë agjendë të mirëfilltë ndërkombëtare. Çka mendon për këtë?

Ymeri: Së pari, ajo që jemi duke u munduar dhe duke bërë përmes protestës është ajo që e përmende. Jemi duke u munduar që ta rrëzojmë qeverinë. Kjo edhe do t`i hapte dyert për zgjedhje të lira dhe fer në Kosovë. Natyrisht, qeveria e ardhshme do të themelohet nga dhe përmes zgjedhjeve. Por ajo që është me rëndësi është se kjo qeveri duhet të dorëhiqet për shkak të mospajtimit popullor me politikat e tyre.
Ky është një sinjal i qartë se politika të tilla nuk mund të zbatohen nga cilado qeveri e ardhshme e Kosovës. Kjo është me rëndësi gjithashtu. Pra protestat e tanishme nuk e kanë vlerën e bazuar në suksesin e tanishëm, por edhe në atë që do të prodhojnë për të ardhmen gjithashtu. Çfarë kemi nevojë tani është një ndryshim radikal i asaj se si personat e caktuar në politikë e shohin politikën. Posaçërisht mënyrën se si zyrtarët publikë i kuptojnë rolet dhe përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve. Ky është njëherësh edhe ndryshimi më i nevojshëm i paradigmës politike që duhet të ndodhë në Kosovë.

Bugajski: Ka një zgjedhje e cila pritet të ndodhë në Kosovë, ajo e presidentit, zgjedhje indirekte përmes kuvendit. Cili është pikëvështrimi juaj lidhur me këtë. A do të mundoheni të bllokoni votën për president?

Ymeri: Po, sepse nuk besojmë se në situatën e tanishme të Kosovës, institucionet e Kosovës janë të gatshme dhe kanë legjitimitet që ta zgjedhin presidentin.

Bugajski: Por këtë e përcakton Kushtetuta, që të ketë zgjedhje brenda një periudhe të caktuar.

Ymeri: Po është. Ishte proceduralisht kushtetues edhe votimi i 2013-ës rreth marrëveshjes. Por tani Gjykata Kushtetuese thotë se substanca e saj ishte në kundërshtim me Kushtetutën. E njëjta vlen edhe këtu. Proceduralisht do të mund të zgjidhet presidenti, por në esencë rezultati do të ishte kundër vullnetit politik të Kosovës: një president i cili është zgjedhur në kushte të tilla ku antagonizmat politikë kanë lëvizur në një nivel tjetër. Andaj nuk mendoj se institucionet e Kosovës mund ta bëjnë një gjë të tillë. Nga ana tjetër kemi një qeveri e cila nuk ka më legjitimitet demokratik, për shkak të shkeljeve të rënda që ia ka bërë Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa njëri prej personave i cili është i përfshirë direkt në këto shkelje, Hashim Thaçi, i cili ishte kryeministër dhe tani është ministër i Jashtëm, dëshiron që të zgjidhet president. Pra në thelb, nëse Kuvendi e voton atë dhe e zgjedh për president, në parim po zgjedhin një person që ka shkelur kushtetutën. Prandaj kjo nuk është në pajtim me Kushtetutën, edhe pse procedurat mund të jenë në rregull.

Bugajski: A do të bojkotoni Kuvendin apo do të mundoheni ta parandaloni punën në Kuvend?

Ymeri: Do të protestojmë në Kuvend, ashtu siç kemi bërë deri më tani.

Bugajski: Brenda Kuvendit.

Ymeri: Po, edhe në këtë rast.

Bugajski: Pra nuk i doni këto zgjedhje presidenciale në këtë moment fare.

Ymeri: Siç kam thënë, këto institucione nuk mund ta zgjedhin presidentin.

Bugajski: Nga ana tjetër, a do t`i përkrahnit zgjedhjet e drejtpërdrejta presidenciale në Kosovë përmes votës popullore, e jo përmes Kuvendit?

Ymeri: Ne si lëvizje politike kemi qenë kundër zgjedhjes së presidentit përmes votës popullore, sepse qëndrojmë prapa mendimit se Kosova duhet të mbetet demokraci parlamentare dhe republikë parlamentare, dhe ne mendojmë se nëse presidenti zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë, në rast të tillë do të duhej të përcillet edhe me promovim të kompetencave ekzekutive, prandaj si e tillë Kosova do të bëhej një sistem i përzier, ku do të kishim presidentin, kuvendin, etj. Dhe nuk mendoj se kjo do t’i duhej Kosovës tani për tani. Pra Kosova duhet të mbetet demokraci parlamentare dhe ne duhet t`i ndërtojmë institucionet tona duke i bërë më efikase, gjë që nuk është e mundur pa kriza të këtilla politike. Prandaj kriza që kemi duhet të shihet si potencial e jo si rrezik. Qeveria e sheh si rrezik, sepse është krizë që po e shtyn drejt dorëheqjes, por që nuk do që ta bëjë këtë. Por për shoqërinë kjo krizë është risk, më falni, është potencial.

Bugajski: Të shikojmë fotografinë komplete. Ju shpesh e përshkruani Kosovën si një vend jo plotësisht të pavarur, si jo plotësisht sovran, si jo plotësisht  të vetëvendosur… në fakt në një intervistë e keni përshkruar Kosovën si një koloni të SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian. Më thoni nëse e kam gabim, se keni menduar ashtu? A e shihni ende Kosovën si një lloj kolonie e SHBA-së dhe të Bashkimit Evropian?

Ymeri: Jo. Intervista të cilës po i referoheni është bërë në kohën e UNMIK-ut, të cilin ne e shihnim si të tillë çfarë e përshkruat ju, si administratë koloniale, sepse UNMIK-u kishte tërë këtë fuqi politike mbi Kosovën. Nuk ishin të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe ishin të emëruar nga jashtë. Të gjitha fuqitë e shtetit, ato ligjvënëse, ekzekutive dhe gjyqësore ishin në duart e një njeriu, përfaqësuesit special dhe kjo në mënyrë të qartë kishte elemente të një administrate koloniale…

Bugajski: Por tani kjo ka kaluar!

Ymeri: Po, Kosova është e pavarur dhe në Kosovë nuk ka më mision i cili do të ngjante me administratën koloniale. Atë çfarë e kishim menjëherë pas pavarësisë në Kosovë, ishte përfaqësuesi ndërkombëtar civil, i cili ishte z. Piter Faith, që kishte disa nga kompetencat që kishte UNMIK-u. Mirëpo, për shkak të situatës politike nuk pati nevojë që ta përdorë ndonjërën prej tyre. Pastaj kishim këtë EULEX-in, misionin evropian të sundimit të ligjit, i cili i mori përsipër disa nga kompetencat të cila i kishte UNMIK-u mbi policinë, gjyqësinë, doganat dhe ngjashëm. EULEX-i është ende këtu dhe ende kanë fuqi ekzekutive. Ne jemi kundër kësaj fuqie ekzekutive të misioneve ndërkombëtare, për momentin të EULEX-it, sepse mendojmë se kjo e shkel edhe sovranitetin, edhe demokracinë në Kosovë. Duke pasur këso misionesh të caktuara nga jashtë, po krijohen situata, p.sh në gjyqësi ashtu që ky dualitet krijon mjaft hapësirë, që gjyqtarët dhe prokurorët vendorë i bën të papërgjegjshëm ndaj detyrave të tyre. Ne mendojnë që  drejtësia dhe demokracia nuk mund të importohen. Ne mendojmë se të dyja janë të nevojshme për të udhëhequr me shtetin demokratik, në mënyrë të mirëfilltë duhet të jenë autentike, të ndërtohen nga brenda, për këtë edhe na duhet sundimi i ligjit, duhet të kuptojmë se përse na duhet sundimi i ligjit.

Bugajski: A e përkrahni hyrjen e Kosovës në Bashkimin Evropian?

Ymeri: Po, e përkrahim hyrjen e Kosovës në Bashkimin Evropian.

Bugajski: Në cilin rast do të përkrahni edhe kushtëzimin që shkon krah për krah me këtë. Me fjalë të tjera, ata nuk imponojnë zgjidhje, por kushtëzojnë me kritere që duhet të përmbushen për të hyrë në BE.

Ymeri: Natyrisht. Por problemi të cilin për momentin e ka Kosova, është se nuk konsiderohet shtet plotësisht sovran nga institucione evropiane, për shkak të pesëshes që nuk na njeh. Si e tillë, marrëdhënia të cilën Kosova e ka me Bashkimin Evropian, është e ndryshme nga të gjitha shtetet. Kjo gjithashtu edhe mund të shihet në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që është nënshkruar vitin e kaluar. Në tekst dhe në  procedurat e përdorura vërehet dallimi në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimi nga të gjitha vendet e rajonit.

Bugajski: Çfarë mund të bëhet, që të fitohet njohja e këtyre pesë anëtarëve të BE-së?

Ymeri: Njëra prej arsyeve që i ka shtyrë njohjet, por jo edhe arsyeja e vetme, e prapë se prapë është mjaft e madhe, është edhe dialogu me Serbinë. Kështu është dhënë një sinjal i gabuar për shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, se statusi i Kosovës ende nuk është definitiv, pra pasi nuk është definuar, të mos ngutemi me këtë! Të presim dhe të shohim. Mendoj se kjo i dërgon një sinjal të gabuar pjesës tjetër të botës, për vendet e Bashkimit Evropian, ato pesë që nuk na njohin, duhet të kuptojnë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës është fakt që nuk do të zhduket asnjëherë. Që kjo të bëhet e mundshme, njohja nga Serbia është çështja më e rëndësishme. Nga ky aspekt mendoj se Bashkimi Evropian ka mundur të bëjë më shumë për të bërë më shumë presion politik mbi Serbinë, në mënyrë që ajo të njohë Kosovën. Por për shkak se kjo nuk po ndodh, e kjo nuk po ndodh edhe pse qeveria e Kosovës është gjithmonë e gatshme dhe mezi pret të hyjë në dialog me Serbinë pa parakushte, kjo parandalon efektin domino që do to ndodhte po që se Serbia do ta njihte Kosovën. Serbia kishte nevojë për këtë dialog me Kosovën, sepse kjo ishte mënyra e vetme përmes së cilës ata do të bindnin Brukselin për gatishmërinë e tyre për marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet e rajonit në Ballkan.

Bugajski: Duke shikuar Ballkanin dhe rajonin, juve shpesh ju shohin në rajon, e gjithashtu në Shtetet e Bashkuara si panshqiptarë, apo ultra-nacionalistë. Cili është qëndrimi juaj për dy komunitetet e ndryshme shqiptare në Kosovë dhe në Shqipëri? A promovoni ribashkimin apo bashkimin? Si e shihni Maqedoninë? Si e shihni ardhmërinë e Malit të Zi? Cili është pozicioni juaj?

Ymeri: Së pari, ne jemi për bashkim kombëtar dhe kjo është një prej pjesëve të programit tonë politik. Ne mendojmë se në mënyrë që Republika e Kosovës të bëhet shtet krejtësisht sovran, duhet t`i ketë të gjitha të drejtat që i kanë edhe shtetet tjera sovrane. Për momentin, sovraniteti jonë shkelet në bazë të faktit se vet Kushtetuta jonë dhe plani i Ahtissarit na parandalojnë bashkimin me cilindo shtet të rajonit, apo me pjesë të shteteve të rajonit. Ky nen, kjo pikë është vënë në Kushtetutën tonë për ta parandaluar Kosovën që të bashkohet me Shqipërinë.

Bugajski: A mendoni se një gjë e tillë duhet të hiqet.

Ymeri: Po duhet të hiqet! Kosovarët duhet të kenë të drejtën të vendosin për ardhmërinë e tyre. Një gjë që kishin mundur të vendosin është se a duan të bashkohen me Shqipërinë, apo duan të vazhdojnë të mbesin republikë sovrane.

Bugajski: A do të mbanit një referendum lidhur me këtë?

Ymeri: Po! Mendoj se dy referendume duhet të mbahen për këtë çështje, një referendum duhet të mbahet në Kosovë dhe një në Shqipëri, sepse duhet të dimë se a e duan edhe qytetarët e Shqipërisë këtë bashkim. Unë mendoj se njëra prej arsyeve pse parandalohet referendumi lidhur me këtë temë, është fakti se përgjigja është tanimë e qartë. Ky do të ishte referendumi ku përgjigja do të dihej para se të shtrohej pyetja. Kjo është e padrejtë, mendoj unë dhe është në kundërshtim me sovranitetin popullor të Republikës së Kosovës.

Bugajski: Më lejo të pyes hipotetikisht, po të kishte bashkim kombëtar, cili do të ishte kryeqyteti.

Ymeri: Një vendim i tillë do të arrihej së bashku. Nuk mendoj se kjo është temë kryesore. Për mua, kryeqyteti mund të ishte kudo, por Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.

Bugajski: Arsyeja përse e bëj një pyetje të tillë është se po thoni se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe e barabartë me Shqipërinë. Por në rastin e bashkimit, që të dy elitat duhet të heqin dorë nga diçka, sepse krahas njëra-tjetrës nuk do të jenë më të pavarura.

Ymeri: Po, por nuk mendoj se ky duhet të jetë vendim i elitave politike. Këtë edhe po e them. Ky duhet të jetë vendim që merret nga populli. Populli do të vendoste nëse duan të bashkohen dhe ky do të ishte një vendim i madh. Gjërat tjera mund të rregullohen, por gjëja më e rëndësishme është se a ka konsensus për bashkim?

Bugajski: E çka të bëhet me Maqedoninë dhe popullatën shqiptare me numër të madh atje. Ku qëndrojnë ata?

Ymeri: Mendoj se shqiptarët që jetojnë në Maqedoni, e të cilët përbëjnë së paku 25 për qind të popullatës, janë krejtësisht të diskriminuar dhe të shtypur nga qeveria aktuale në Shkup. Kjo është edhe arsyeja e cila po shkakton destabilizimin e tanishëm në Maqedoni. Qeveria e Maqedonisë është e lidhur ngushtë me atë të Serbisë. Mënyra se si merren me shqiptarët është shkelje e plotë e parimeve themelore që duhet të ketë qeveria demokratike.

Bugajski:… Edhe pse ka parti politike shqiptare në qeveri?!

Ymeri: Po, aty ka. Por shikoni statistikat në institucione të sektorit publik, gjyqtarët, prokurorët, policët, oficerët e ushtrisë, arsimimi, shëndetësia, investimet publike. Vendet ku jetojnë shqiptarët kanë diferencë të madhe midis asaj dhe aty ku jetojnë maqedonasit. Ky diskriminim i vazhdueshëm po u thotë shqiptarëve se Maqedonia kurrë nuk do të jetë shtet edhe i tyre.

Bugajski: Pra cila është rrugëdalja?

Ymeri: Mendoj se është punë për qeverinë dhe popullin e Maqedonisë që të vendosin për këtë, se a e duan Maqedoninë, ku të gjithë mund të jetojnë në paqe dhe në barazi. Por mendoj se pabarazia është rreziku më i madh që kërcënon paqen. Kur keni një sistem të dizajnuar për të shtypur një pjesë të popullatës, kjo eventualisht do të sjellë konfliktin te dera e shtëpisë.

Bugajski: A po sugjeroni edhe referendum për popullatën shqiptare në Maqedoni gjithashtu?

Ymeri: Mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet së pari politikisht të mundohen përmes demonstratave, protestave dhe organizimit politik, për të arritur pozitën më të fuqishme dhe më të barabartë në Maqedoni. Ky edhe është problemi më i madh për momentin në Maqedoni. Nuk mendoj se ndarja e shqiptarëve atje në parti politike që ekzistojnë tani për tani, po bën ndonjë hap në këtë drejtim, posaçërisht duke pasur parasysh se si dy partitë më të mëdha e kanë trajtuar interesin e shqiptarëve. Ata kanë dështuar dhe kanë dëshpëruar shqiptarët në Maqedoni. Tani ata janë shumë të dëshpëruar me përfaqësuesit e tyre politikë. Diçka e re duhet të ndodhë në sferën politike të Maqedonisë, posaçërisht mes partive politike që përfaqësojnë shqiptarët atje dhe se duhet të ketë një bashkim politik të shqiptarëve në Maqedoni nga aspekti politik, në mënyrë që ata të fitojnë të drejtat dhe t`i garantojnë ato. Nuk mendoj se marrëveshja e Ohrit u ka bërë ndonjë favor shqiptarëve atje. Mendoj po ashtu se shqiptarët në Maqedoni duhet të gëzojnë më shumë të drejta sesa që kanë.

Bugajski: Më lejo të pyes nga aspekti i politikës së brendshme dhe të jashtme. Dikush mund të thotë se jeni duke dërguar ujë në mullirin, jo vetëm të nacionalistëve serbë, por edhe të interesave imperialiste ruse. Me fjalë të tjera, po destabilizoni situatën këtu. Nuk po them se po e bëni, por kështu perceptoheni, se veprimet tuaja po e kërcënojnë stabilitetin dhe se programi juaj i bashkimit kombëtar panshqiptar e bën këtë. Si i përgjigjeni kësaj? A jeni duke ndihmuar agjendën e nacionalistëve serbë?

Ymeri: Ne jemi e kundërta e nacionalizmit serb. Koncesionet që i janë bërë Serbisë dhe kërkesave të tyre hegjemoniste, në këtë rast ndaj Kosovës, në realitet janë ajo që po i fryn zjarrit nacionalist serb. Serbia si një projekt nacionalist, shovinist në këtë rast dhe si qeveri politike, nuk janë kurrë të kënaqur me koncesionet e fituara. Sa më shumë koncesione që u jepen, aq më shumë apetit fitojnë ata. Në këtë aspekt, çfarëdo sinjali që u është dhënë nacionalistëve në Serbi nga Kosova, se ndoshta Kosova mund të kthehet nën ndikimin politik të Serbisë, ata do të jenë më të qëndrueshëm në këtë drejtim dhe do të punojnë me shumë për ta fituar këtë koncesion dhe ta realizojnë një gjë të tillë. Çfarë ne po propozojmë është një proces demokratik. Kështu do t`i kishim shqiptarët të cilët do të bëheshin partner i barabartë për kombet e tjera në rajon. Ne nuk po propozojmë që shqiptarët të fillojnë luftë dhe të okupojnë territore të banuara nga të tjerët. Atë që praktikisht po e propozojmë është që dy shtete sovrane, Kosova dhe Shqipëria, të gëzojnë të drejtën për bashkim, në rast se popujt e tyre vendosin një gjë të tillë me kufijtë e tanishëm që kemi.

Bugajski: Po na ikën koha. Prandaj desha që krejt në fund të bëj një pyetje dhe të lus të jesh i shkurtë në përgjigjen tuaj. Keni qenë të kritikuar nga ambasadorët e caktuar të SHBA-së, për rolin e SHBA-së në Kosovë. A mendoni se SHBA-ja duhet të ketë rol më të vogël në Kosovë? Me fjalë tjera, për Kosovën e pavarur vërtetë dhe të vetëvendosur, duhet të ketë më pak përzierje të BE-së dhe SHBA-së. Si e shihni marrëdhënien midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara?

Ymeri: Natyrisht, ne dhe të gjithë shqiptarët e tjerë në rajon jemi të falenderuar për atë që historikisht kanë bërë Shtetet e Bashkuara për ne. Nuk e them këtë vetëm nga viti 1999, por edhe më herët, qysh prej viti 1919. Në këtë aspekt shqiptarët janë populli i vetëm plotësisht falënderues, i cili e sheh popullin e Shteteve të Bashkuara si mikun më të mirë ndërkombëtarisht dhe kjo duhet të ruhet. Ne e shohim marrëdhënien e Kosovës me SHBA-në dhe shtetet tjera që kanë njohur dhe ndihmuar Kosovën, si marrëdhënie partneriteti. Ky partneritet duhet të krijohet krahas interesit të përbashkët që kemi. Ndërsa kemi shumë interesa të ndërsjella në rajon, por edhe ndërkombëtarisht gjithashtu. Natyrisht, duke pasur parasysh se Kosova është vend i vogël dhe Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi. Prandaj nuk mund të pretendojmë të bëhet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>