Marrëveshja me Turqinë nuk është krejtësisht e kënaqshme. Por megjithatë veprimi qe i drejtë. Ajo që nuk dihet është që sa shpejt do të vihet ajo në jetë.
Ishte një vendim i drejtë, që marrëveshja për refugjatët midis BE dhe Turqisë të vihej menjëherë në fuqi. Nëse pas vendimit të së premtes të Brukselit do të qe pritur me javë të tëra, kjo ndoshta do të kishte sjellë edhe një vërshim të ri të madh të refugjatëve. Shumë refugjatë do të qenë përpjekur të shfrytëzojnë shansin ndoshta të fundit për të hyrë në Greqi. Që prej së dielës – të paktën në letër – kjo portë hyrjeje për në BE është mbyllur. Ai që kalon tani në ishujt grekë, ai rrezikon që të kthehet brenda kohës më të shkurtër në Turqi. Kjo nuk duhet të mbetet pa pasoja, sepse lëvizjet e refugjatëve ndikohen më fort nga llogaria shpenzime- dobi, se sa regjistrohet kjo në Gjermani, ku në debat mbizotëron humanizmi.
Kriza e refugjatëve është larg së qeni nën kontroll me këto masa. Ka shumë vështirësi praktike, të cilat mund ta rrezikojnë suksesin e kësaj marrëveshjeje. A do të arrrijë administrata greke, që të përpunojë me procedurë të përshpejtuar mijëra regjistrime dhe procedura për azil, edhe po të mbështetet nga BE? A mund ta plotësojë Turqia pjesën e saj të biznesit, kur autoritetet janë të angazhuara gjithnjë e më shumë në luftë kundër xhihadistëve dhe terroristëve? A do të jenë tani më shumë vende në Evropë të gatshme që të pranojnë refugjatë sirianë nga Turqia? A do të ketë në BE unitet të mjaftueshëm, për ta shpërblyer Ankaranë siç është premtuar për bashkëpunimin? Pikërisht në rastin e shteteve, të cilat duke mbyllur kufirin kanë arritur të lehtësohen me forcat e veta, tundimi duhet të jetë i madh që çmimi për Erdoganin të jetë sa më i ulët.
Marrëveshja me Turqinë nuk është as politikisht, as juridikisht dhe as moralisht krejtësisht e kënaqshme. Por është mjeti më i mirë që ka gjetur deri tani Evropa për t’i dhënë fund një gjendjeje krejt të pakënaqshme në kufirin e saj lindor dhe për t’u afruar me një objektiv, të cilin e duan gati të gjithë: të pakësohet vërshimi i refugjatëve. Kjo thuhet se mbështetet nga kundërshtarët e shumtë politikë të kancelares brenda dhe jashtë vendit. Se kush është i interesuar vërtet për problemin, do të bënte mirë të priste sa larg shkon plani i Merkelit, i cili gjithsesi i afroi pak sërish shtetet e Bashkimit Evropian. (dw)