Karaxhiçi gjendet fajtor për genocid. Ai u shpall fajtor për 10 pika të aktakuzës. Karaxhiçi do ta kalojë vendimin në apel.
Ish- udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç u dënua sot me 40 vjet heqje lirie. Tribunali i Hagës për Krime Lufte e shpalli atë fajtor në 10 pika të aktakuzës, për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
“Radovan Karaxhiç, gjyqi ju dënon me 40 vjet heqje lirie”, tha gjykatësi O-Gon Kwon. Gjykata e shpalli Karaxhiçin veç kësaj edhe “penalisht përgjegjës” për masakrën e Srebrenicës. Ish-psikiatri është sipas mendimit të Gjyqit njëri prej fajtorëve kryesorë të masakrës në zonën e mbrojtur të OKB-së në Srebrenicë. Njësitë serbe masakruan atje në korrik 1995 8000 meshkujt dhe djem myslimanë.
“Drejtësia në rastin e Karaxhiçit u shqiptua”, tha Prokurori i OKB-së. Pala e akuzës pati kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për të akuzuarin.
70 vjeçari ishte i pranishëm në sallën e gjyqit në Hagë. Avokati i tij tha se Karaxhiçi do ta kalojë dënimin në apel.
Karaxhiçi u arrestua vetëm në vitin 2008, pas 13 vjetësh në arrati. Procesi gjyqësor kundër tij zgjati gjashtë vjet e gjysëm. Procesi kundër tij nisi në vitin 2009.
Gjatë luftës në Bosnjë u vranë më shumë se 100.000 vetë dhe më shumë se 2,2 milionë të tjerë u detyruan të marrin arratinë. (dw)