Kosova anëtarja e 55-të në UEFA

Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime në kongresin e 55-të të UEFA-s në Budapest Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota.

uefaRepublika e Kosovës pranohet si anëtarja e 55-të e Unionit Europian të Futbollit, UEFA. Kongresi i UEFA-s në Budapest të martën (03.05) pranoi kërkesën e parashtruar nga Federata kosovare e Futbollit. Për vendimin delikat politik votuan 28 anëtarë të UEFA-s për pranimin e Kosovës dhe 24 kundër. Pati dy vota të pavlefshme. “Ju bëj thirrje juve, që t’u jepni mundësi të rinjve tanë të luajnë në vendin tonë”, tha Fadil Vokrri, president i shoqatës FFK, duke iu drejtuar para votimit 54 shoqatave të UEFA-s dhe duke iu referuar antarësimit të Kosovës edhe në Komitetin Ndërkombëtar Olimpik: “Mungon tani vetëm futbolli.”

Republika e Ballkanit shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. Rajoni në vitet 1998 – 1999 u trondit rëndë nga luftimet në Kosovë. Ndërkohë pavarësinë e shtetit të Kosovës me 1,8 milionë banorë e kanë njohur 111 shtete. Gjermania ishte ndër përkrahësit e saj. “Ky do të jetë një vendim me diferencë të ngushtë e gjithashtu mjaft politik”, u shpreh para votimit ish-presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit Wolfgang Niersbach.

Kundër antarësimit u pozicionua, ashtu siç edhe pirtej, Serbia. “Politika dhe futbolli nuk duhet të ngatërrohen në mënyrën më të shëmtuar. Ne do të kujdesemi për një protestë në rajon”, tha para votimit Tomislav Karaxhiç, shef i Federatës serbe të Futbollit: “Kufijtë e një vendi nuk duhet të ndryshojnë. Një republikë e vetëshpallur nuk duhet të marrë lejen të bëhet anëtare e UEFA-s.”

Reagimet nga Kosova emocionale

Të gjithë udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, klubet e futbollit dhe shumë sportdashës e kanë quajtur lajm historik pranimin e Kosovës në UEFA. Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili ishte i pranishëm në kongresin e UEFA-as, anëtarësimin e Kosovës në UEFA e cilësoi një arritje historike dhe një drejtësi të vonuar. “Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritur e jashtëzakonshme. Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahjes që i dhanë kuvendit disa shtete. Megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA dhe tash është radha të anëtarësohemi në kongresin e FIFA-as në Meksikë që zhvillohet javën e ardhshme. Edhe në këtë kuvend, pranimi i Kosovës ose jo është në rend dite. Pra kjo është një fitore e të gjithëve”, tha Fadil Vokrri

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në facebook shkroi: “Kosova në UEFA! Lajmi më i mirë i mundshëm për tifozët e panumërt në Republikën tonë. Tash e tutje do të luajmë në kampionate ndërkombëtare – disa lojë do t’i fitojmë, disa do t’i humbim, por kurrë më s’do të na ndalin nga fusha e gjelbër”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i cili ndodhet në Hungari në vendin ku u mbajt kongresi i UEFA-as, tha se “pranimi i Kosovës në UEFA është një sukses kulminant historik. “Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme. Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim” tha kryeministri Isa Mustafa.

Në të njëjtën linjë u shpreh në rrjetin social edhe kryetari i kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli.“Dita e shumëpritur e daljes së futbollit tonë nga izolimi i padrejtë dhe i tejzgjatur, më në fund erdhi. Urime të gjithëve për këtë fitore të madhe për Kosovën! Tanimë jemi anëtarë me të drejta të plota në UEFA dhe futbollistët tanë mund të shpalosin talentin e tyre nëpër stadiumet më prestigjioze ndërkombëtare”, shkroi kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA i’u mundëson ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit. Po ashtu, ky hap i hap rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA. Kjo organizatë do ta mbajë kongresin e saj ta radhës në Meksiko Siti më 12 dhe 13 maj. Dy vjet më parë Federata Botërore e Futbollit (FIFA), i ka lejuar Kosovës që të zhvillojë në ndeshje miqësore kundër shteteve anëtare të FIFA-s, mirëpo nuk i ka lejuar të zhvillojë ndeshje në rajon dhe të të intonojë himin e Republikës së Kosovës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>