Sytë e kontinentit janë tek Franca, ku sonte fillon turneu Euro 2016. Rreth 1.5 milionë të huaj pritet t’u shtohen të paktën një milion tifozëve francezë për këtë ngjarje sportive që zgjat një muaj. Por siç njofton nga Parisi Lisa Bryant, njerëzit thonë se e ndiejnë veten mirë nga masat e forta të sigurisë në rrugët e qyteteve.
Rreth 90 mijë policë, ushtarë dhe agjentë privatë janë mobilizuar për të siguruar stadiumet dhe zonat e tifozëve, ku miliona të tjerë pritet të mblidhen për të parë ndeshjet nga ekranet e mëdha.
Në Paris, zona e tifozëve në afërsi të Kullës Eifel do të jetë e mbyllur deri në 4 pasdite, orë në të cilën pritet të mblidhen shikuesit për të parë ndeshjen e hapjes mes Francës dhe Rumanisë, e cila fillon në orën 9.
Por tifozët që vijnë në Francë për Euro 2016-n mund të zhgënjehen nga shija e asaj për të cilën Franca është e njohur: grevat. Pilotët e kompanisë Air France kanë kërcënuar se do të ndërpresin punën të shtunën, një ditë pas fillimit të ndeshjeve.
Grevat e tanishme të hekurudhave e lanë tifozin Tawfik Naaji të priste më shumë se një ditë për të marrë trenin nga Lyoni për në Paris:
“Francezët janë të njohur për greva dhe për t’u ankuar. Ata presin ngjarje të tilla të mëdha për të bërë grevë në mënyrë që qeveria t’u kushtojë vëmendje. Është diçka normale,” – thotë ai.
Turisti amerikan Michael Morales, i cili do të bëjë tifo për ekipin francez të futbollit, nuk është dhe aq i shqetësuar:
“Çdo gjë këtu është e bukur. Qyteti funksionon. Po e kaloj shumë mirë.”
E megjithatë ekziston shqetësimi i madh për një tjetër sulm terrorist si ai i vitit të kaluar në Paris. Qeveria nuk ia ka lënë asgjë rastësisë. Prandaj janë mobilizuar aq shumë forca sigurie.
“Natyrisht, ne duhet të mendojmë për këtë. Por në qoftë se shqetësohemi më shumë se duhet, atëherë askush nuk do të shkojnë në stadiume,” – thotë një banor i Parisit.
Presidenti François Holland dëshiron që Euro 2016-a të jetë një festival i Evropës. Por, pavarësisht nga të gjitha problemet, në rrugët e Parisit ka një atmosferë feste, jo vetëm për kampionatin, por edhe për kthimin e motit me diell. (voa)