Bankat italiane vatër e ardhshme krize

Ekonomia italiane nuk është në rritje dhe ka kaluar pjesërisht në recesion. Prandaj asaj mund t’i duhet ndihmë nga Fondi Evropian i Shpëtimit për të rikapitalizuar bankat.

Banka MonteDisa probleme në Evropë duket se po përkeqësohen, si për shembull në sektorin bankar në Itali. Enti mbikëqyrës evropian për bankat ka llogaritur se shuma e kredive të këqija në Itali shkon deri në 200 miliardë euro, madje ka dhe disa që mendojnë se ajo shkon deri në 360 miliardë euro. Se sa i madh është ky vëllim, varet nga mënyra e llogaritjes. Por mesazhi është i qartë: nëse kreditë e këtij niveli plasin, shteti italian nuk mund t’i përballojë ato më i vetëm, dhe bashkësia e shteteve të euros do të tronditet.

Një problem themelor është koninunktura ekonomia ende e dobët në Itali. “Ekonomia italiane nuk është në rritje dhe ka kaluar pjesërisht në recesion”, thotë Martin Faust, profesor për financat bankare në Shkollën e Frankfurtit për Financat. “Sipërmarrjet dhe familjet në Itali nuk janë mirë, disa syresh nuk mund të përballojnë interesat bankare dhe shlyerjen e tyre.”

Problem i vazhdueshëm

Ky problem ka vite që njihet. Në vjeshtën e vitit 2014 nëntë banka italiane nuk e kaluan testin e stresit që u zhvillua në mbarë Evropën. Problemet më të mëdha me kapitalin i pati asokohe banka Monte dei Paschi di Siena (MPS).

Prej vitit 2015 është në fuqi një direktivë e BE-së, sipas së cilës bankat nuk duhet të shpëtohen më me para nga taksat e shtetit, si ndodhi pas krizës financiare në vitin 2008. Sipas prof. Faust kjo bën që shumë investitorë të kenë frikë t’u japin bankave para hua, sepse nuk kanë garanci dhe mund të humbasin paratë.

Sërish ndihma nga shteti?

Në samitin e BE-së javën e kaluar kryeministri italian Matteo Renzi paraqiti planin e tij për t’i ndihmuar sërish bankat me paratë e taksapaguesve. Ai dëshiron t’u japë atyre deri në 40 miliardë euro kapital të ri, që bankat të mund të marrin përsëri frymë. Argumenti i tij: referendumi për Brexit-in ka krijuar një situatë të jashtëzakonshme në të cilën mjete të tilla janë të lejuara.

Ky është justifikim thotë Thomas Hartmann-Wendel, profesor i ekonomisë në Universitetin e Këlnit. “Nuk ka lidhje midis Brexit-it dhe problemeve aktuale të bankave italiane.”

Kriza në eurozonë nuk ka përfunduar

Mungesa e reformave në Itali dhe euroja që është tepër e shtrenjtë në raport me situatën në vend bën që ekonomia italiane të mos marrë vrull. Sa më tepër vazhdon kriza, aq më tepër shtohen problemet. “Krizat që ne kemi në zonën e euros, nuk kanë përfunduar në asnjë mënyrë akoma”, thotë prof. Martin Faust. “Problemet strukturore vitet e fundit vetëm janë shtyrë, por jo zgjidhur.”

Nisur prej vëllimit të madh të kredive të këqija në Itali Hartmann-Wendel nga Universiteti i Këlnit pret, që herët a vonë tatimpaguesit evropianë do të duhet të paguajnë për bankat italiane. “Kjo do të jetë e nevojshme, sepse i vetëm shteti italian nuk do të jetë në gjendje, sepse ai është vetë thellë i zhytur në borxhe.”

Spanja mori mes viteve 2012 dhe 2014 rreth 40 miliardë euro ndihmë nga Fondi Evropian i Shpëtimit për të rikapitalizuar bankat e saj. Negociatat mbi një program të ngjashëm për Italinë mund të bëhen një provë zjarri për marrëdhëniet tashmë të tensionuara në vendet e eurozonës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>