Lëvizja turke Gylen me ndikim në sistemin e arsimit në Kosovë

Mehmet Akif CollegeTurqia ka shtrirë ndikimin e saj në Kosovë dhe përgjithësisht në rajonin e Ballkanit përmes hapjes së shkollave, kryesisht në nivel fillor dhe atë të mesëm. Këto shkolla funksionojnë në disa komuna të Kosovës, kurse zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se ato janë të regjistruara në Ministrinë e Arsimit dhe veprojnë sipas plan programeve shkollore të vendit.

Hapja e shkollave që financohen nga Turqia filloi që prej përfundimit të luftës dhe shumica e tyre janë pjesë të organizatës joqeveritare Gylistan, pjesë e Lëvizjes së Gylenit, një disident turk, që jeton në SHBA. Së fundi Ankaraja zyrtare e akuzoi atë për organizim të grusht shtetit, që dështoi fundjavën e kaluar.

Shkollat e financuara nga Turqia në Kosovë, sot ndodhen në pothuajse pjesën më të madhe të vendit, me një numër të konsiderueshëm të nxënësve. Ato janë shtrirë në komunat e Lipjanit, Prizrenit, Gjakovës dhe në lagjen Marigona në afërsi të Prishtinës dhe që të gjitha thuhet se veprojnë në kuadër të shkollës ‘Mehmet Akif’.

Fillimisht, në Prizren qe hapur një organizatë joqeveritare që ndihmon në fushën e kulturës dhe të arsimit, e quajtur Atmosfera, që vazhdon punën e saj edhe në ditët e sotme edhe në Prishtinë.

Në një hulumtim të mëhershëm të një hulumtuesi të pavarur, Jeton Mehmeti, thuhet se Lëvizja Gylen për vite të tëra vepron gjithandej vendit, me përpjekjet që të ndërtojë reputacionin se po ndihmon në shkollimin e të rinjve, që po kontribuon në dialogun ndëretnik dhe lëvizja e tij ka lidhje të ngushta me Kolegjin Mehmet Akif, megjithëse funksionojnë ndaras.

Në hulumtimin thuhet se Lëvizja Gylen ka ndihmuar në ndërtimin e konvikteve të studentëve, në ofrimin e lëndëve jashtë mësimit për mësim të gjuhëve të huaja dhe gjithashtu ka ofruar ndihmë edhe për përkthimin e librave të rëndësishëm.

Sipas hulumtimit, kolegji i përmbahet kurrikulit shtetëror dhe është shkolla e vetme ndërkombëtare që bazohet në shkencë, por nxënësit i mëson edhe për etikën dhe moralin.

“Nuk ka lëndë për religjionin, po studentëve përveç mësimit për shkencën u ofrohen edhe dije për vlerat etike”, është thënë në hulumtim.

Por, një ish- nxënëse e shkollës Mehmet Akif që ndodhet në Lipjan, Ajlanga Prishtina thotë se shkollimi aty është cilësor, por nga personeli arsimor ka presion të madh mbi studentët që të falen dhe të mësojnë për islamin.

“Nuk na kanë lejuar që të ulemi në të njëjtën bankë me shokët. Në ekskursione vajzat dhe djemtë janë shoqëruar ndaras. Gjatë orës së mësimit nuk ka pasur presion, por në aktivitetet jashtë shkollës po. Kanë përcjellë sjelljen e vajzave dhe i kanë njoftuar prindërit për këtë, tha ajo. Nuk më ka pëlqyer krejt kjo dhe e kam lënë këtë shkollë”, tha Ajla për Radion Evropa e Lirë.

Gylistani në Kosovë filloi punën në vitin 2000 kurse në 2003 u shndërrua në Mehmet Akif, thonë në Minsitrinë e Arsimit të Kosovës. Zëvendësministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë Usmen Balxhi tha se sot mbi 1500 nxënës vijiojnë mësimin në këto shkolla gjithandej Kosovës.

“Të gjitha veprojnë në kuadër të Mehmet Akifit dhe respektojnë ligjet për shkollimin parauniversitar në Kosovë, edhe shkollat emesme dhe ato fillore. Kryesisht program arsimor zbatohet në kuadër të kurrikuleve, do të thotë përmes planit dhe programit të ministrisë së arsimit të Kosovës. Kanë licenca të rregullta dhe çdo gjë është në rregull sa I përket procesit të arsimit dhe ligjit”, thotë Balxhi.

Por, Ministria e Arsimit nuk ka ndonjë njohuri nëse këto shkolla janë pjesë të Lëvizjes Gylen.

Ndërkohë, ministri në Qeverinë e Kosovës, Mahir Yagcilar, i tha Radios Evropa e Lirë se të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë punojnë sipas sistemit arsimor të Kosovës dhe nuk e beson se ndikimi i cilësdo lëvizje mund të jetë i madh për faktin se, siç tha, të gjithë funksionojnë brenda ligjit dhe sistemit të Kosovës.

“Në Kosovë nuk janë vetëm institucionet e arsimit shkollor të përmendura, por ka edhe shkolla të tjera. Nëse ju lejohet nuk është e mirë as për Kosovën e as për asnjë shtet. Në këtë rrafsh, ndikimi është i përcaktuar me ligjet dhe institucionet e Kosovës. Duhet të përputhet. Në këtë rrafsh askush nuk mund të dal jashtë kësaj dhe unë nuk besoj se dikush do të mund të ndikojë dhe nuk duhet”, tha Yagcilar, ministri i Administratës Publike të Kosovës.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve të arsimit në Kosovë Halim Hyseni njëherësh udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë tha për Radion Evropa Lirë se shkollat turke në Kosovës e kanë një traditë pozitive të punës, por ato shkolla sipas tij kanë ndikimin e tyre në orientimin identitar dhe fetar.

Hyseni tha se puna e këtyre shkollave duhet të monitorohet.

“Sistemi i edukimit në Kosovë është shumë i mangët dhe shumë i brishtë dhe e atakon të ardhmen e këtij vendi. Unë mendoj se MASHT dhe organet e tjera kompetente duhet të monitorojnë edhe punën e këtyre institucioneve të sigurojnë më kohë informacione relevante që të pengohen. ajo që është e sigurtë se problemet që i kemi tani me orientimet fetare kryekëput janë rezultat i dobësive në sistemin e arsimit”, tha Halimi.

Hyseni mendon se sistemi arsimor i Kosovës duhet të shtrihet në të gjithë shkollat, përfshirë ato turke të hapura në Kosovë.

“Kosova nuk ka standarde për menaxhim të cilësisë së sistemit të arsimit dhe licencimi i këtyre shkollave është bërë në mungesë të këtyre standardeve, andaj edhe kemi këto probleme për të cilat në po flasim”, tha Hyseni. (rel)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>