FBI ka nxjerrë një paralajmërim tjetër për sigurinë e sistemit zgjedhor në Shtetet e Bashkuara. Këtë radhë bëhet fjalë për ndërhyrje në sistemet e regjistrimit të votuesve në shtetet e Ilinoit dhe Arizonës. Përsëri, është Rusia që dyshohet për këto ndërhyrje. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Steve Baragona sjell hollësitë.
Në sulmet kibernetike të kohëve të fundit, hakerët vodhën informacionet personale të rreth 200 mijë votuesve në Ilionoi, por zyrtarët e këtij shteti thonë se nuk janë fshirë ose ndryshuar të dhënat e votuesve. Edhe zyrtarët në Arizona thonë se në sistemin e tyre nuk ka patur ndërhyrje.
Në qoftë se Rusia ishte autore e këtyre sulmeve kibernetike, kjo mund të ketë qenë një provë për zgjedhjet e nëntorit, ose një veprim me qëllim minimin e besimit, tha për Zërin e Amerikës eksperti James Andrew Lewis nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Një nga qëllimet ruse është thjesht të krijojë pasiguri, dyshim dhe shqetësim në lidhje me procesin zgjedhor. Kjo i kontribuon këtij synimi edhe në qoftë se ata kapen. Pra, qëllimi i tyre i menjëhershëm është që të ngrejnë dyshime në mendjen e amerikanëve mbi sigurinë e procesit të tyre zgjedhor. Dhe në këtë aspekt ata janë duke patur sukses.”
Zyrtarët vendas, jo ata federalë, i drejtojnë zgjedhjet, dhe ka më shumë se 7.000 qendra në mbarë vendin, me pajisje dhe procedura për shumë raste të ndryshme. Kështu që ekspertët thonë se realizimi i një ndërhyrje të gjërë është i vështirë. Por disa gara të ngushta mund të ndikohen nga sulme të tilla, thotë Timothy Carone nga Universiteti i Notre Damit.
“Mendoj se në disa shtete, ku rezultati i zgjedhjeve do të jetë i ngushtë, mund të ketë probleme me sulmet kibernetike, apo ndërhyrje kibernetike në rezultatet e votimit. Kjo do të çonte në një proces të gjatë ligjor për zgjidhjen e problemit.”
Ekspertët thonë se siguria është përmirësuar, së bashku me ndërgjegjësimin për sulmet kibernetike dhe dobësitë e sistemit. Këtë vit, rreth 75 përqind e votave do të kenë edhe kopje të printuara në rast se lindin probleme me sigurinë e sistemit.
Qeveria federale është duke shqyrtuar mundësinë e shpalljes së infrastrukturës së votimit një çështje kritike për sigurinë kombëtare, thotë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest.
“Kjo do t’i jepte qeverisë federale dhe ekspertëve në qeverinë federale një rol në ofrimin e ndihmës administratorëve të këtyre rrjeteve ndërkohë që ata pengojnë ndërhyrjet.”
Por duke marrë parasysh se data e zgjedhjeve nuk është e largët, ekspertët theksojnë se nuk ka shumë kohë për të forcuar në mënyrë të konsiderueshme sigurinë. (voa)