Analizat e kryera prej autoriteteve franceze mbi sulmin me armë kimike të 4 prillit në Siri tregojnë se qeveria siriane ishte përgjegjëse për përdorimin e gazit sarin kundër civilëve.
Si pasojë e sulmit në qytetin e Khan Sheikhoun, nën kontrollin e opozitës, u vranë më shumë se 80 vetë. Kjo nxiti Shtetet e Bashkuara të kryenin një sulm me raketa ndaj një baze ajrore të qeverisë siriane.
“Burime të sigurta konfirmojnë se procesi i fabrikimit të mostrave të gazit sarin që u morr për egzaminim nga ne, është tipik me metodën që zhvillohet në laboratorët sirianë“, tha ministri i Jashtëm francez Jean-Marc Ayrault.
“Kjo metodë është dëshmia se regjimi i Asadit qëndron pas këtij sulmi “, tha ai.
Komentet e ministrit të jashtëm francez, u bënë në një kohë me publikimin e një raporti të deklasifikuar, që detajon se si ekspertët francezë dolën në këtë përfundim.
Në raport thuhet se Franca mori mostrat e veta nga sulmi i 4 prillit, që tregon praninë e gazit sarin dhe të një elementi stabilizues. Ekspertët kishin kryer me parë një provë me një granatë të pashpërthyer, të marrë pas sulmit me gaz kimik të vitit 2013 dhe faktuan të njëjtin proces prodhimi që i atribohet qeverisë siriane.
Në raport thuhet gjithashtu se Shteti Islamik dhe grupet e tjera militante nuk posedojnë gaz sarin dhe se nuk janë të besueshme teoritë që sulmi u organizua prej luftëtarëve rebelë.
Presidenti sirian Bashar al-Assad hedhi poshtë pretendimin se ushtria e tij ishte përgjegjëse për sulm me gaz sarin në Khan Sheikhoun. Ai i tha agjensisë franceze të lajmeve AFP, se incidenti ishte një “fabrikim” për të justifikuar sulmin ushtarak amerikan me raketa.
Zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov tha sot se raporti i autoriteteve franceze nuk e provon përfundimisht se kush duhet të fajësohet për sulmin dhe se “e vetmja mënyrë për të dalë e vërteta mbi atë që ndodhi pranë Idlibit është një hetim i paanshëm ndërkombëtar”.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha gjithashtu sot se sulmi ajror amerikan dëmton mundësitë për një zgjidhje politike të konfliktit sirian, që vazhduan që nga marsi i vitit 2011. (voa)