Shkup: Matthew Nimetz optimist për zgjidhjen e kontestit të emrit

NimitzNdërmjetësuesi i OKB-së Nimetz, pas takimit krerët më të lartë shtetërorë në Shkup dhe pas takimeve më parë në Athinë, deklaroi, se procesi shkon përpara, tek të dyja palët ka vullnet që të gjendet zgjidhje për emrin.

“Besoj se zgjidhja e mundur është qendrueshme. Ka dallim në qeëndrimet mes dy vendeve, por unë jam optimist. Vij nga Athina ku dëgjova qëndrimin e tyre për bisedimet rreth çështjes së emrit. Ka vullnet nga të dyja palët që të ecet përpara me procesin. Nuk dua t’i nënçmoj dallimet në mendime. Ky është moment i duhur për të arritur marrëveshje, që rajoni të ecë përpara”, theksoi Nimetz.

I pyetur nëse propozimet e tij, krahas emrit përfshijnë edhe ndryshimin e identitetit, Nimetz tha, se nuk ka dëgjuar deri tani një gjë të tillë nga pala greke. Populli maqedonas nuk duhet të brengoset për humbjen e gjuhës dhe identitetin nëse arrihet marrëveshje me Greqinë. “Sapo erdha nga Athina duke i marrë qëndrimet e tyre. Ne po negociojmë për emrin e shtetit dhe jo për gjuhën dhe identitetin e maqedonasve. Tash është koha për zgjidhje, tash është momenti. E di që nuk është e lehtë por më tutje do të bëhet më vështirë ndaj këto muajt që vijnë janë kyçe. Nëse nuk arrijmë tani sukses, nuk e dimë se çfarë na pret më tutje”, vuri në dukje ndërmjetësuesi i OKB-së Nimetz.

Dimitrov: Vijat e kuqe ngushtojnë hapësirën e veprimit

Ministri i Punëve të Jashtme i Maedonisë Nikolla Dimitrov pas takimit me Nimetz tha, se çështja nuk zgjidhet nëse njëra palë ndjehet e mundur. Koha është që rajoni të ecë përpara dhe se historinë nuk mund ta ndryshojmë, por ta krijojmë të ardhmen tonë, që duhet të jetë e përbashkët dhe evropiane.

“Dëshirojmë ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë që edhe te ne edhe te fqinjët në Greqi, ajo të konsiderohet si formë e dinjitetshme. I kuptoj qytetarët grek që në një mënyrë identifikohen si maqedonas, në kontekst të antikitetit, apo të rajonit. Mirëpo për të pasur zgjidhje është me rëndësi të sillemi me vëmendje në opinion. Sa më shumë që flasim për vija të kuqe, më pak ka hapësirë për biseda dhe për zgjidhje që do të pranohet nga të dyja palët”, tha Dimitrov.

Dimitrov thotë, se identiteti nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve nëse vjen puna deri te identiteti, atëherë nuk ka marrëveshje.

Ekspertët: Zgjidhja nuk ka qenë asnjëherë më afër

Profesor Llazar Llazarov vlerëson se ndërmjetësuesi i OKB-së për emrin Matthew Nimetz këtë radhë në Shkup dhe Athinë ka ardhur me zgjidhje dhe porosi konkrete. “Valixhja diplomatike e ndërmjetësuesit të OKB-së nuk është bosh, por në te do të ketë zgjidhje konkrete. Përpos atyre pesë zgjidhjeve: Maqedonia Veriore, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re, Republika e Maqedonisë (Shkup), mbase sigurisht ka edhe porosi të tjera edhe nga ana e SHBA-së dhe nga ana e BE-së që të gjendet zgjidhje”, vlerëson Llazarov.

Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Kërkime Politike në Shkup vlerson se propozimet duhet të dalin nga të dyja palët. Oferta “merre ose lëre” nuk është në dobi të asnjë pale negociuese.

“Është paksa e çuditshme kjo marrëveshje, e cila përflitet nga pala greke, sepse mendoj se marrëveshja duhet të dalë si propozim i të dyja palëve që janë të përfshira në konflikt, dhe jo vetëm si ofertë e palës greke të cilën pala maqedonase duhet ta pranojë ose jo”, thotë Boxhinovski.

Bekim Kadriu profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se kontesti për zgjidhjen e emrit po hyn na fazë përfundimtare dhe se palët duhet ta mbyllin këtë çështje me një marrëveshje pavarësisht se nga cila anë ajo iniciohet.

“Detajet lidhur me marrëveshjen eventuale që duhet ta zgjidhë kontestin duket se tashmë po dalin në sipërfaqe. Me këtë marrëveshje detyrimisht të dy shtetet fqinje, sidomos Maqedonia do të duhet të rregullojë të gjitha detajet për të mos lënë hapësirë për interpretime të ndryshme në të ardhmen”, thotë Kadriu. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>